ANGAZHIMI YNË: Sundim i ligjit, zbatim i tij në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe sistem drejtësie i pavarur, efikas, i përgjegjshëm dhe transparent
ZOTIMET TONA:
- Funksionim dhe konsolidim i shtetit të së drejtës duke jetësuar sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij në mënyrë të barabartë për të gjithë.
- Mirëqeverisje në raport me ligjin dhe sistemin e drejtësisë duke forcuar ligjshmërinë, transparencën, përgjeshmërinë dhe pavarësinë institucionale.
- Fillim i një diskutimi të gjerë dhe ngritje e një komisioni të posaçëm për një reformë kushtetuese, që do t’i shërbejë rivendosjes së balancave ndërmjet pushteteve.
- Miratim i një strategjie kombëtare për reformat në sistemin e drejtësisë, në funksion të vendosjes së një marrëdhënieje të re ndërmjet politikës e drejtësisë.
- Hartim dhe miratim i ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucionit të Presidentit të Republikës.
- Rishikim i legjislacionit material dhe procedural, si dhe instrumenteve të tjera ligjore që mbrojnë të Drejtat e Njeriut.
- Nxitje dhe mbështetje e prokurorisë dhe institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit për rihapjen e hetimeve dhe për zbardhjen sa më shpejt të një sërë ngjarjesh të rëndësishme që kanë cënuar të drejtat dhe lirinë themelore të qytetarëve, pronën dhe pasurinë publike të vendit, shtetin e së drejtës dhe që kanë pasur ndikim të rëndësishëm në jetën e vendit, të tilla si ngjarja e 21 Janarit, tragjedia e Gërdecit, korrupsioni në rrugën Durrës–Kukës, privatizimet e paligjshme të pronës publike, një sërë vrasjesh me sfond politik apo me implikime të strukturave shtetërore, deformimin e proceseve zgjedhore etj.
- Respektim i lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve, duke u fokusuar në çështje si:
- Aksesin në drejtësi;
- Të drejtën e pronës;
- Ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe titujve të tjerë ekzekutivë;
- Trajtimin human të personave të privuar nga liria;
- Strategjinë e Drejtësisë për të Miturit.
- Rritje dhe forcim i ligjshmërisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë në qeverisje.
- Reformim i procesit ligjbërës dhe përmbushje detyrimeve për respektimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
- Sistem kontrolli dhe verifikimi për deklarimin e pasurisë dhe parandalimin e konfliktit të interesave, i përmirësuar dhe efikas.
- Nxitje pjesëmarrjes së publikut në qeverisjen e vendit, duke hartuar dhe miratuar një ligj të posaçëm për referendumet.
- Mbështetje për ngritjen pranë çdo institucioni qendror të Zyrës së Avokatit të Qytetarëve, që jep shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët.
- Ngritje e një sistemi të bashkërenduar dhe të unifikuar për procesin e hartimit të legjislacionit, duke përfshirë konsultimin e detyrueshëm me profesionistë të së drejtës, grupe të interesit dhe shoqërinë civile.
- Paraqitje publike çdo fillim viti, përmes Ministrisë së Drejtësisë, e objektivave në procesin ligjbërës, angazhimit për alokimin e burimeve financiare dhe materialeve e rekomandimeve përkatëse në fushën e zbatimit të ligjit.
- Krijim i një sistemi efektiv për edukimin e shtetasve me frymën e njohjes, respektimit dhe zbatimit të ligjit.
- Përmirësim i formimit juridik profesional, fillestar dhe vazhdues të funksionarëve të sistemit të drejtësisë.
- Kontroll i vazhdueshëm mbi fakultetet e drejtësisë, private dhe publike, në funksion të rritjes së nivelit të formimit juridik fillestar e vazhdues.
- Ndryshim rrënjësor dhe modernizim i kurrikulave në institucionet e arsimit juridik, në përputhje me zhvillimet që imponon procesi i integrimit europian.
- Përmirësim i rregullave dhe kritereve ligjore mbi pranimin e kandidatëve në Shkollën e Magjistraturës, duke rritur transparencën e këtij procesi dhe përmirësuar metodologjinë.
- Trajnim periodik i punonjësve të administratës së sistemit të drejtësisë dhe kushtëzim i ngritjes në karrierë me rezultatet e kualifikimit.
- Mbështetje shoqërisë civile dhe medias publike e private për realizimin e programeve të posaçme informative dhe edukative në fushën ligjore.
- Mbështetje botimit të librave të xhepit “Ligji në jetën tuaj”, si domosdoshmëri për njohjen nga qytetarët të legjislacionit europian dhe shqiptar.
- Përcaktim i kritereve strikte të rekrutimit të stafit akademik.