Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Berat, Bashkëqeverisja si ligj i ri, mekanizëm ligjor në shërbim të qytetarëve

Të reja

Berat, Bashkëqeverisja si ligj i ri, mekanizëm ligjor në shërbim të qytetarëve

14 Dec 2021    

 

Bashkëqeverisja si ligj i ri, mekanizëm ligjor në shërbim të qytetarëve

Takimi sensibilizues mbi Bashkëqeverisjen si ligj i ri vijoi sot në qytetin e Beratit.  Kryeministri Rama theksoi se qëllimi i këtyre takimeve është sensibilizimi i të gjithë qytetarëve për dy risi të rëndësishme, të cilat sot janë një mundësi e madhe për çdo qytetar që të marrë shërbimet në një kohë të shpejtë, pa radha, pa zvarritje, direkt nga smartfone apo kompjuteri më i afërt dhe nga ana tjetër për të vënë në lëvizje një mekanizëm të ri ligjor që është bashkëqeverisja.

Kryeministri informoi se janari i vitit që vjen do të shënojë fillimin e mbylljes së sporteleve, duke i dhënë fund radhave, zvarritjeve e rryshfetit.

* * *

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Faleminderit për praninë tuaj! Ky takim është në serinë e takimeve që po bëjmë, së bashku me drejtoren e Agjencisë për dialog në Kryeministri, që është agjenci e cila merret me administrimin e platformës së Bashkëqeverisjes dhe me drejtoren e agjencisë së Informacionit, AKKSH-it, e cila mbulon të gjithë pjesën që ka të bëjë me dhënien e shërbimeve online për qytetarët.

Arsyeja e këtyre takimeve është sensibilizimi i të gjithë qytetarëve për dy risi të rëndësishme, të cilat sot janë një mundësi shumë e madhe, e re për çdo qytetar që të marrë shërbimet në një kohë të shpejtë, pa radhë, pa zvarritje, pa dalë nga shtëpia fare në pjesën dërrmuese të tyre, por duke përdorur smartphone apo kompjuterin më të afërt dhe nga ana tjetër, për të vënë menjëherë në lëvizje një mekanizëm të ri ligjor, që është Bashkëqeverisja, e cila, nga një proces i ndërtuar dhe i çuar përpara në mandatin e shkuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në marrjen e shërbimeve, është transformuar në një ligj që do hyjë në fuqi së shpejti, sapo të shkojë në parlament, pas refuzimit absurd që i bëri presidenti.

Sa i përket shërbimeve, dua t’iu bëj me dije që sot janë mbi 1000 shërbime që jepen drejtpërdrejtë online dhe të gjithë qytetarët, përmes platformës e-Albania, kanë mundësi t’i aksesojnë këto shërbime pa dalë fare nga shtëpia. Po marr një shembull edhe për vetë kadastrën, që është një nga shërbimet më të kërkuara dhe më të përfolura dhe jo pa të drejtë të përfolura pasi në shumë vite ka qenë problem shumë i madh; sot nuk është e nevojshme të shkohet në sportel, por mund të bëhet aplikimi drejtpërdrejtë nga telefoni apo nga kompjuteri dhe pastaj Agjencia Shtetërore e Kadastrës është e detyruar që në afat të lajmërojë për dhënien e dokumentacionit.

Aspekti tjetër brenda gjithë këtij sistemi të ri, që është gati, është që nuk është më e nevojshme që qytetarët të shkojnë në shumë zyra për të mbushur dosjen me dokumente që kërkohet nga një shërbim i caktuar. Pra, nëse deri sot për të marrë një licencë apo dokument/autorizim/vërtetim apo çfarëdo qoftë dhe të thonin “Duhet të sjellësh me vete këtë, këtë” dhe të gjitha këto kërkonin të shkoje në disa zyra, kjo nuk është më e nevojshme. Mjafton të bëhet aplikimi përmes telefonit apo kompjuterit dhe të gjitha këto dokumente nga zyrat e shtetit, i merr për ty si shërbim të cilit ti i kërkon dokumentin.

Kjo do të thotë një transformim rrënjësor i marrëdhënieve të qytetarit me shërbimet me dokumente të shtetit dhe praktikisht,  do të thotë një mundësi për çdo qytetar që t’i japë fund vetë të gjitha vështirësive të deritanishme dhe të mos ketë asnjë nevojë të fusë dorën në xhep për të paguar ryshfet për të lehtësuar rrugën e marrjes së një shërbimi. Në momentin kur ndodh që zyra përkatëse nuk përgjigjet në afat, e para, sistemi i jep mundësi vetë agjencisë dhe platformës e-Albania që të konstatojë vonesat, por nga ana tjetër, çdo qytetar është absolutisht, përsëri, në mundësinë që t’i drejtohet Platformës së Bashkëqeverisjes dhe të kërkojë menjëherë llogari dhe të marrë përsëri shërbim.

Të gjitha këto kanë vlerë edhe për një arsye tjetër të rëndësishme, për të cilin bëjmë dhe gjithë këtë seri takimesh sensibilizuese sepse duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, ne do fillojmë t’i mbyllim sportelet, pra nuk do ketë më sportele fizike. Nuk do jetë më e mundur që të shkohet nëpër sportele që të mbahet radhë e të tjera, pasi eksperienca jonë, por edhe eksperiencat e disa vendeve të tjera që kanë pasur shumë sukses në këto procese, tregojnë që sado që shërbimet janë aty në dispozicion dhe mund të merren nga telefoni, nga kompjuteri, shumë qytetarë preferojnë që të vazhdojnë të shkojnë nëpër sportele dhe kjo mund të marrë vite. Ne nuk kemi pse të vazhdojmë të kemi këtë problematikë kaq të madhe mes shtetit dhe qytetarit dhe të vazhdojmë të faturojmë një kosto kaq të madhe nervash, kohe, por edhe lekësh, që do të thotë korrupsion tek qytetarët, ndërkohë që shërbimet janë aty.

E njëjta gjë që bën edhe në qeveri, edhe në tryezën e qeverisë, mes anëtarëve të kabinetit. Ndërkohë, që ne e kishim sistemin gati prej disa kohës për t’i shmangur shkëmbimet e letrave, nuk bëhej pasi inercia ishte shumë më e fortë sesa realiteti i ri dhe u detyruam që ta bëjmë në mënyrë drastike.

Një ditë të bukur, u ndalua futja e letrave në kryeministri dhe që nga ajo ditë, filloi menjëherë të funksiononte sistemi pa letra, me qarkullim elektronik të dokumenteve. Edhe në këtë aspekt, besoj që mbyllja e sporteleve do jetë një çlirim shumë i madh dhe të gjithë ata që nëpër sportele janë mësuar prej vitesh të rrinë e të shikojnë njerëzit nga xhepat apo të turpërojnë shtetin duke ikur nga vendi i punës për të pirë kafe apo duke i kthyer kurrizin njerëzve që rrinë e presin atje apo duke komunikuar në mënyrë të papërshtatshme, nuk do kenë më qytetarë përballë, por do kenë kompjuterin përballë dhe do bëjnë atë punë që deri dje ua kanë kërkuar qytetarëve, që të shkojnë zyrë më zyrë për të mbledhur letra për të bërë dosjet e tyre.

Pra, të gjitha dosjet për qytetarët do bëhen nga këta punonjës dhe të gjithë punonjësit e sporteleve do jenë të dedikuar për të bërë sistemin të funksionojë nga mbrapa ekranit të telefonit.

Ndërkohë që, nga ekrani i telefonit apo kompjuterit, qytetari ka marrëdhënien me shtetin. Aplikon për një shërbim, merr përgjigje dhe në këtë fazë, një pjesë e madhe e aplikimeve e marrin përgjigjen drejtpërdrejtë në telefon apo kompjuter, një pjesë tjetër akoma nuk e marrin drejtpërdrejtë, por marrin vetëm njoftimin për të marrë dokumentet.

Për shembull, nëse sot mund të aplikosh lirisht për titullin e pronësisë në kadastër, nuk e merr titullin e pronësisë në telefon apo kompjuter, por duhet të shkosh, pas një lajmërimi, për ta marrë atë që kërkon.

Puna që po bëjmë aktualisht është pikërisht ta mbyllim këtë cikël dhe jo vetëm aplikimi, por edhe marrja e dokumentit të bëhet online. Ndërkohë që, me mbylljen e sporteleve të kadastrës, marrja e dokumentit do bëhet me postë. Për këtë arsye, ne sportelet e Kadastrës do t’i mbyllim  në mënyrë pak më graduale.

Edhe në dy-tre pika që kemi bërë mbylljen e sporteleve, puna funksionon më së miri dhe qytetarët nuk kanë nevojë të përplasen gjatë gjithë kohës korridoreve, me lloj-lloj njerëzish, të shkojnë e të kërkojnë sekserë, e me radhë.

Është një transformim epokal.

Thjesht ne duhet ta informojmë në mënyrë të vazhdueshme publikun për faktit që duhet t’i kthehet ekranit të telefonit, ekranit të kompjuterit dhe duhet të harrojë sportelin. Gjithë marrëdhënia mes tij dhe shtetit është një marrëdhënie që ka korsinë e aplikimit online dhe në rast se nuk e merr përgjigjen në kohë, ka korsinë e ankimimit online dhe me ligjin e ri të Bashkëqeverisjes, është një mekanizëm ligjor i detyrueshëm për shtetin që çdo ankesë të qytetarëve ta marrë, ta trajtojë dhe ta adresojë në kohë reale.

Faktikisht, shteti bëhet ai “miku” që shumëkush rri e kërkon për të zgjidhur një problem në zyrat e shtetit.

Këtu, bashkërisht me mua, janë të dyja drejtoret dhe disa përfitues të drejtpërdrejtë të këtij sistemi për të cilin po flasim, për ankimimet, që janë këtu nga qyteti dhe zona e Beratit, të cilët i falënderoj që kanë ardhur për të dëshmuar që kjo funksionon dhe faktikisht, janë thirrur, jo pse u bë mbledhja, por janë thirrur pasi e kanë marrë këtë shërbim më parë, jo dje, jo pardje dhe jam mirënjohës që na ndihmojnë që ta përçojmë këtë mesazh që kjo funksionon, mjafton që qytetarët ta provojnë dhe mjafton që të hyjnë në këtë rrugë, ku e heqin qafe çdo lloj pengese dhe çdo lloj kontakti të drejtpërdrejtë me zyrat e shërbimeve të shtetit, kur bëhet fjalë për të marrë një dokument, një licencë, një certifikatë, një autorizim, një vërtetim e kështu me radhë.

Po ia kaloj fjalën, si fillim, drejtores së Agjencisë për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, që është dhe drejtorja e platformës Bashkëqeverisjes, për të dhënë disa elementë të funksionimit të kësaj platforme, e cila siç thashë, me vendim të Kuvendit, është kthyer në ligj dhe do të riafirmohet si ligj, sapo të hyjë në agjendën e Kuvendit, pasi për arsye të mos arsyes që e karakterizojnë, presidenti e ktheu mbrapsht këtë ligj.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm