Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Beteja e përditshme e Partisë Socialiste është beteja për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve

Të reja

Beteja e përditshme e Partisë Socialiste është beteja për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve

17 Apr 2021    

Me të rinjtë në Durrës - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Faleminderit për praninë tuaj këtu dhe mbi të gjitha shumë faleminderit dhe shumë mirënjohje për angazhimin tuaj në përgatitjen pastaj në zhvillimin dhe në 25 prill, finalizimin e kësaj ndeshjeje kaq të rëndësishme për Shqipërinë. Sot, ata që nuk e dinë se çfarë pune, mundi dhe angazhimi të padukshëm ka brenda familjes sonë politike, kanë zbuluar fjalën patronazhist dhe e sjellin vërdallë duke e deformuar kuptimin e saj për faktin që ata nuk e dinë që Partia Socialiste ku të angazhuarit brenda familjes punojnë vullnetarisht, pas pune, pas shkolle, duke marrë nga koha e tyre e lirë për të mbuluar territorin shpirtëror të këtij vendi, për të pasur në komunikim të drejtpërdrejtë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, qytet më qytet, fshat më fshat, lagje më lagje, derë më derë. Sepse beteja e përditshme e Partisë Socialiste është beteja për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve.

Pastaj çuditen, sepse shkojnë dhe zbresin në fushën e lojës me atë gafurrjen, kur i thoshim ne në kohën kur luanim sport, të dikujt që mendon, kujton dhe beson se i takon fitorja dhe se është i fituar dhe kur hyn në fushën e lojës me ne, fillojnë e kuptojnë se nuk është aq e lehtë dhe pastaj kur bie bilbili i përfundimit të ndeshjes dhe shohin tabelën e rezultatit dhe është 74-78. Pse?

Natyrisht, për te gjitha gjërat që ne flasim, për të gjitha gjërat që kemi bërë, për besimin që transmetojmë dhe për bindjen e shumicës shqiptare se Partia Socialiste është e vetmja forcë që mund ta çojë Shqipërinë në majën që meriton, por edhe për faktin se Partia Socialiste nuk është Edi Rama, Partia Socialiste nuk janë disa ministra e disa deputetë që për shkak të pozicionit dhe detyrës janë të ekspozuar në sytë e njerëzve. Partia Socialiste është një rrjet i tërë i organizuar mendjesh, zemrash, njerëzish të gjitha moshave që janë në të gjithë Shqipërinë të organizuar dhe angazhuar për ta komunikuar mesazhin, për ta përcjellë energjinë dhe për ta marrë rezultatin.

Rezultati i Partisë Socialiste, për të cilin sot hapin sytë kur unë jua them në ballafaqimet në klubet mediatike, është rezultati i angazhimit të secilit prej jush dhe mijëra të tjerëve si ju, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Për këtë, unë ju jam shumë mirënjohës ju dhe të gjithë patronazhistëve dhe aktivistëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë, sepse fitorja jonë është një fitore që vjen nga puna, nga angazhimi, nga komunikimi, nga vendosmëria, nga besimi i të gjitha këtyre qelizave të organizmit tonë.

Organizmi ynë është i pathyeshëm, gjithmonë e më i forte. Organizmi ynë është shtylla që mban Shqipërinë dhe shtylla që, duke u lartësuar, e ngre Shqipërinë çdo vit e e më lart.

Përpara se t’iu them disa fjalë për Durrësin dhe për gjeneratën këtu, dua t’iu them sot të gjithëve këtu, si vajza dhe djem të angazhuar drejtpërdrejtë në këtë ndeshje, mos lini derë pa trokitur, mos lini njeri pa takuar, mos lini asnjë bashkëmoshatar pa dëgjuar dhe përballë çdokujt që e ndjeni të mërzitur, të pakënaqur dhe të dorëzuar në krahët e indiferencës, qëndroni aty, kapini nga dora, mbajini aty dhe shpjegojini me fjalët tuaj, me fjalët e Bojkenës, me fjalët që vijnë nga e vërteta e jetës suaj të përditshme, se dhe ju dhe secili prej jush nuk është i lumtur, i kënaqur. Secili prej jush në familjet e vet e ndjen peshën, stresin e tkurrjen e gjithë kësaj periudhe të jashtëzakonshme, por pikërisht pse ju nuk jeni të kënaqur, pikërisht pse e ndjeni peshën dhe stresin, jeni këtu e për këtë arsye jemi ne këtu. Ne nuk na shtyn përpara kënaqësia, ne na shtyn përpara pakënaqësia. Ne nuk na shtyn përpara ndjesia se çdo gjë shkon mirë, ne na shtyn përpara bindja se gjërat do shkojnë edhe më mirë. Ne nuk na shtyn përpara vetëpërmbushja me veten, ne na shtyn përpara ideja se të vetëm jemi të humbur dhe se vetëm të bashkuar dhe sa më shumë të jeni në këtë bashkim, aq më shpejt do të ngjitemi në majën që Shqipëria meriton. Aq më shumë, dielli i mrekullueshëm i Shqipërisë që shkëlqen për të gjithë ata që e vizitojnë dhe ata që kanë më shumë mundësi, do të ngrohë çdo familje nga jugu në veri, do të ngrohë çdo shtëpi, por me punë, duke besuar tek forca e karakterit, duke besuar tek bindja se maja është e arritshme. Ama duke mos harruar se për ta arritur duhet energji e madhe dhe mbi të gjitha duhet forca për t’u thënë këmbëve vazhdo edhe kur këmbët thonë u lodhëm, për ti thënë zemrës vazhdo edhe kur zemra të thotë po plas, për t’i thënë mendjes vazhdo, edhe kur mendja të thotë pusho.

Sot, ne jemi në këtë shesh, kur deri para pak vitesh ishte një grumbullim i madh mbeturinash inerte. Transformimi i gjithë kësaj hapësire, nga një hapësirë ku askush nuk kalonte këtej, në një hapësirë ku të gjithë ata që vizitojnë Durrësin, vijnë për të shijuar këtë fragment të trupit të tij, vijnë për të dalë fotografi e për t’i shpërndarë ato anembanë. Është një nga mijëra shembujt e vegjël të një transformimi të madh që vazhdon.

Unë besoj tek punët e vogla të çdo dite. Unë besoj tek betejat e vogla, të cilat kombet e mëdha dhe vendet e zhvilluara i fitojnë çdo ditë, njësoj si bukën që hanë. Unë besoj tek hapat e vegjël të çdo dite, pa u lodhur asnjëherë, duke parë sesa larg është horizonti, por duke vazhduar ditë për ditë, hap pas hapi, sepse përndryshe, duke ndaluar, duke pushuar, duke fjetur gjumë, horizonti nuk vjen më afër.

Sot, ju e të gjithë ata në moshën tuaj e bartnin më shumë se në kohët e zakonshme, peshën e përgjegjësisë dhe peshën e ndjenjës së pasigurisë të prindërve tuaj, si rezultat i resë së zezë që qëndron mbi kokat tona prej thuajse 2 vjetësh, tanimë. Sot, ju e reflektoni më shumë sesa në kohë të zakonshme atë që prindërit tuaj e reflektojnë mbi ju, si një barrë të madhe të detyrimit të tyre për të vazhduar të bëjnë atë që kanë bërë qysh se ju keni lindur dhe për të vazhduar t’iu garantojnë ju, të gjitha ato gjëra që ata ëndërrojnë për ju. Ky është momenti kur karakteri juaj, karakteri i të gjithë të rinjve do të testohet në një zgjedhje midis vullnetit, kokëfortësisë për të vazhduar dhe dobësisë për t’u dorëzuar.

Unë nuk e njihja Bojkenën dhe e dëgjova me një link që ma çuan drejtuesit e fushatës. Sot pata fatin dhe nderin ta dëgjoja këtu. Babai i saj është punëtor ndërtimi, nëna është punonjëse në një rrobaqepësi. Brikena, sot studion në fakultetin që ka dëshiruar dhe që ka merituar, por, nëse Bojkena do të kishte trokitur në dyert e universitetit 5-6 vite ose më parë akoma, Brikena nuk do kishte arritur dot të ishte në auditorin ku është. Deri para 5-6 vjetësh, kush është këtu student ose kush e ka mbaruar universitetin së fundmi, e di shumë mirë çfarë stresi ishte për t’u futur në universitet si fëmija e një punëtori ndërtimi dhe një nëne që punon në rrobaqepësi, aty ku i takonte sepse gjatë rrugës për të hyrë në auditorin ku ty të takonte, do të të parakalonte një djalë ministri, vajzë deputeti, mbesa e një biznesmeni, bashkëmoshatarë, të cilët nuk kishin ndenjur natën pa gjumë për të mësuar, të cilëve në shtëpi nuk i kishte munguar asgjë, madje mund të kishin veturën e tyre personale.

Sot, kjo është e shkuar dhe unë jam shumë krenar për faktin se kush e imagjinonte në Shqipërinë e para 10 viteve, që hyrja në universitet të bëhet me radhën që vendos merita e secilit dhe jo me radhën që e shkruajnë nëpër zyra ata të cilët kanë më shumë pushtet.

Askush! Sot, unë jam krenar që e njëjta gjë vlen për mësuesit, infermierët. E njëjta gjë vlen edhe për ata të cilët e mbarojnë universitetin dhe pavarësisht se kanë një mbiemër që nuk të thotë asgjë, pavarësisht se prindërit e tyre janë jo vetëm të panjohur, por edhe të varfër, pavarësisht se familja e tyre jeton në qytet apo në majë të malit, nëse kanë rezultatet e duhura, hyjnë dhe punojnë në administratën shtetërore të Shqipërisë, ekselentët.

Natyrisht që të gjitha këto nuk janë aspak mjaft për të thënë që çdo gjë është në rregull, tani “çfarë doni?”

Përkundrazi, pikërisht se këto nuk janë mjaft, ne duhet të vazhdojmë dhe ne kemi misionin të vendosim përfundimisht në 25 prill, diçka që është themelore në bazën e bashkëjetesës dhe përpjekjeve të çdo individi, meritën përmes punës. Unë e di shumë mirë që në çdo vend të Shqipërisë, edhe në Durrës ka deri edhe drejtorë që nuk e meritojnë të jenë drejtorë. Unë e di shumë mirë që në çdo vend të Shqipërisë, edhe në Durrës, në zyrat e shtetit që duhet t’i shërbejnë popullit, ka njerëz që nuk e meritojnë të jenë në atë zyrë. Por ama unë di shumë mirë edhe një gjë tjetër, nëse kthejmë kokën pas nga u nisëm, sot jemi në një pjesë të rëndësishme të ngjitjes sonë, sepse sot 95% e shërbimeve merren nga telefoni ose nga kompjuteri më i afërt.

Jo të gjitha shërbimet janë me cikël të mbyllur. Aplikon për hipotekën në celular, por jo të gjitha pjesët e territorit të Shqipërisë, e pronave të regjistruara në Shqipëri janë ende në databazën qendrore dhe për pjesë të caktuara duhet prapë të shkosh tek zyra e hipotekës. Pse nuk e di unë çfarë është zyra e hipotekës në Durrës?

Ferri i qytetarëve. Ferri! Pikërisht sepse procesi i kalimit të të gjitha të dhënave në bazën qendrore kompjuterike nuk ka përfunduar. Sepse nuk është një regjistrim të dhënash automatike që nga letra kalojnë në kompjuter, por është një lesheli dokumentesh të mbivendosura dhe një kaos i krijuar nga vendime gjykatash të bëra në dekada nga ajo drejtësi, e cila i qëndroi shqiptarëve mbi kokë njësoj si ai çekiçi i gjykatësit, jo për t’ju dhënë drejtësinë, por për ta shitur e për ta blerë drejtësinë.

Ky është një proces që vazhdon, kjo është një luftë që vazhdon. Nëse luftërat do të ishin të thjeshta, do i kishin bërë të gjithë. Nëse këto beteja do të ishin të thjeshta, do i kishin bërë të tjerët para nesh. Nuk do kishte qenë nevoja fare, as për mua, as për Anin, as për Adin, as për askënd nga këta që ju shikoni sot. S’do kishte qenë fare nevoja, do i kishin bërë të tjerët. E pikërisht se të tjerët para nesh, jo vetëm nuk i bënë këto gjëra, por i ngatërruan më keq. Betejat tonë dhe lufta jonë është një luftë që duhet të vazhdojë me patjetër.

Sot, Shqipëria është dhe ma besoni këtë, në një test me vetveten. Sot, shqiptarët janë në një test me historinë. Disa herë në histori, shqiptarët janë tërhequr në rrugën e shkurtër që të nxjerr gjatë, pasi ata që i kanë udhëhequr i kanë çuar deri në dëshpërim, pasi ata që i kanë udhëhequr i kanë drejtuar për në humnerë. Haxhi Qamili mori në qafë një dynja të tërë, por s’kemi filma dhe arkiva, ama po të lexosh historinë e kohës, Haxhi Qamili ishte një personazh që arriti të ngrejë peshë dhjetëra mijëra njerëz, duke i ofruar një rrugë qorre, “dum babën” dhe duke jua bërë jetën fushore. Mjafton mblidhemi, ikim dhe fusha me lule na pret.

Pyesni prindërit tuaj se Bojkena me bashkëmoshatarët e saj nuk kanë si ta kujtojnë atë kohë, pasi janë të lindurit e vitit 2000. Pak para se të lindnit ju, doli njëherë, quhej Rrapush Xhaferi, me makina e bori, lëvizte nëpër Shqipëri dhe e prisnin me këngë e me valle, madje ja shtronin rrugën me sheqer. Rrapushi u thoshte s’keni nevojë të punoni, ka ardh demokracia. Ju thjesht më jepni 1, unë t’ju jap 2. D.m.th. ju 100 lekë, unë ju jap 200 lekë. Më jepni lekët, ju rrini në kafe, bëni muhabet, çkeni ju, erdhi baba.

Një lloj babe që nuk gjendet në asnjë ship. Nuk ka babë shtëpia që e merr shtëpinë, bashkë me familjen ta çojë në humnerë. Shqiptarët filluan t’i japin këtij e disa të tjerëve si puna e këtij, Vehbiut e Sudes, natyrisht, nën udhëheqjen dhe me bekimin e politikës që thoshte “futini lekët aty se janë të pastra”. Shqiptarët filluan të shisnin shtëpitë, bagëtitë e gjithçka dhe jepnin 100 mijë lekë dhe javën tjetër merrshin 200 mijë lekë. E sërish e çonin 200 mijë lekëshin dhe merrnin 400 mijë. U zbulu parajsa në tokë. Dhe ajo më jep 1, t’ju jap 2, përfundoi dy gishta mu në sy. I qorruan shqiptarët dhe tamam si pula qorre, të rrethuara nga flakët, filluan të hidheshin përpjetë dhe Shqipëria shkoi në pragun e një lufte civile. U humbën 4 mijë jetë dhe u shkatërrua ekonomia e një populli, e një vendi të tërë dhe Shqipëria u bë lolo nëpër botë. Nuk ka mundësi që një shtet i tërë të bjerë pre e një Rrapushi!

Sot është Luli. Brenda njeriut ka gjithmonë një zë që të thotë, mos u lodh o burrë, mos puno o burrë, pusho, varja se po bie shi, futja gjumit e kthehu nga ana tjetër. Tani do bëj provimin... Alo, ndonjë kopje..?

 

Është një zë që vjen nga brenda te çdo njeri. Patjetër, njeriu lodhet e lodhja çon mesazhe. Njeriu mërzitet, mërzia çon mesazhe. Mendja, shpirti nuk i kanë pa kufij bateritë. Dhe këtu është dallimi. Ky zë, është edhe një zë që buron nga thellësia e kësaj toke. Po bashkë me shumë zëra të tjerë, bashkë me të gjithë zërat e historive, të heronjve, të lavdive është dhe ky zë, zëri i dembelëve, zëri i mashtrusave, zëri i sharlatanëve, zëri i sirenave joshëse. Ai është zë i bukur, po ai nuk është kollaj, e dini mirë ju kur s’doni me u cu nga gjumi dhe vjen ju tund babai apo nëna dhe... është zë që ka forcë.

Edhe tani ky zë merr formën e Haxhi Qamilit, formën e Rrapushit, formën e Ilirit. Merr forma të ndryshme. Ka marrë edhe formën e Lulit.

Luli ju thotë që s’do paguani asnjë lekë në shkollë, se lekët do jua jap unë. Dëshiron të martohet me atë që do, por nuk ka lekë, Luli i thotë martohuni, lekët jua gjej unë. Madje martohuni e sa më shpejt kalamanin, se lekët i kam unë. Apo ky çuni e ka babën me një biznes të vogël dhe s’po i del 1 mijë euro në muaj, ka nga unë 1 mijë euro në muaj. Mamaja jote merr 800 mijë lekë, por i ka sigurimet shoqërore të larta, s’ka problema, do t’ja ul unë sigurimet. Thjesht thuajini të votojnë PD-në dhe sigurimet ikën. Gjyshi e gjyshja juaj e ka pensionin e ulët, vetëm voto se do ta kenë pensionin... fillimisht 1 mijë euro, pastaj 2 mijë euro patjetër. Me një fjalë, jeta osh qejf, vetëm voto Lulin.

Sigurimet që paguan mamaja e Paolos, paguajnë pensionin e gjyshit. Duke ul sigurimet e Paolos, duke rrit pensionin e gjyshit, është njësoj si të thuash ul prodhimin e qumështit, rrit prodhimin e djathit. D.m.th, sapuni për djathë!

Ata që shkojnë atje me dy gishta, nuk shohin, e marrin kallëpin e sapunit edhe në fund, kur natën fillon e i gurgullon barku, thonë piva shumë ujë me gaz. Nuk është për të qeshur, por është dhe për të qarë.

Luli doli për kandidat në Bashkinë e Tiranës. Unë isha kryetar bashkie. Shkonte te furra e bukës dhe u thonte më shih në sy, unë do jua ul çmimin e bukës dhe do fitoni më shumë. Ai që shiste bukën do fitonte më shumë duke e shitur më lirë. Ndërsa atij që e blinte i thoshte ti do ta blesh më lirë. D.m.th. edhe ai që e shiste do fitonte më shumë dhe ky që do e blinte, do e blinte më lirë. Del kjo llogari?

Del në mendjen e tifozëve. Atyre jepi sapun dhe ata “liri demokraci, Rama ik”.

Ky është test i madh.

Unë dje isha bashkë me miqtë që janë këtu, në prezantimin e projektit të portit të ri turistik. Porti turistik do të jetë Durrësi juaji, jo thjesht për çka do të ndërtohet, po do të jetë Durrësi juaji për dhjetëra të rinj e të reja që do të punësohen dhe jo punë të paguar pak, por punë të paguar mirë. Me fillimin e punës në kantier brenda pak javësh do të fillojë puna për shkollën profesionale, në bashkëpunim me kompaninë Emaar. Një shkollë profesionale të klasit të parë botëror, për t’iu thënë vajzave të Durrësit e Tiranës e kujtdo tjetër, ejani uluni e mësoni. Sepse një port i tillë është një qytet. Porti turistik i Durrësit do të jetë Dubai i Mesdheut. Duhen dhjetëra e dhjetëra profesione, zanate njerëzish të super kualifikuar për gjithë atë kategori vizitorësh që do vijnë. Njerëzit më të pasur të botës, siç shkojnë në Port of Montenegro. Por ky është më shumë se dyfishi. Ky është porti më i madh turistik i Mesdheut. Ata njerëz janë mësuar me shërbime të klasit më të lartë.

 Porti i ri tregtar në Porto Romano është një tjetër port që i hapet Durrësit dhe Shqipërisë për tregti, komplet ndryshe nga këtu. Këtu bashkëjetoi skrapi, qymyri, kromi, robi dhe ju e dini më mirë se unë, po të frynte era, iu vinte juve qymyri. Ai port do të jetë një port europian dhe do të behet një zonë tregtare me investime që do të vazhdojnë me fabrikat pranë.

Të gjitha këto kërkojnë krahë pune të kualifikuar. Edhe në Durrës do të ngremë qendrën - në Tiranë, ka filluar puna pjesërisht tek stadium, por është deri te Piramida, është ngritur në Korçë tek biblioteka e re, do të ngrihet edhe në Vlorë, në Shkodër e në të gjitha qendrat e mëdha urbane të Shqipërisë, - që ju të shkoni e të mësoni gjuhën e kompjuterit.

Me dije për të qenë në dispozicion të tregut online apo offline, këtu apo ku të doni. Ajo që është e rëndësishme është që ne sot po dalim nga tuneli i pandemisë. Ju po i shihni gjyshet dhe gjyshërit tuaj që janë çliruar nga ankthi, nuk kanë më frikë t’ju përqafojnë, nuk keni më frikë t’i përqafoni, nuk janë më mbrapa derës duke ju çuar ushqimin tek pragu, gatuajnë lirisht gjyshet për ju, falë vaksinimit masiv.

Vaksinimi masiv, tani po shikoja prapë klasifikimin e para 3 ditëve, ne jemi lart, jemi në fashën e parë, në shoqëri me vendet, me disa vende super të zhvilluara dhe kemi mbrapa shumë vende të super zhvilluara. Çfarë do të thotë kjo? Pa lidership, pa karakter, pa luftë ditë e natë, pa këmbëngulje nuk do ishte bërë kjo se ne nuk jemi Gjermania dhe Franca që drejtojmë botën, ne jemi Shqipëria dhe e pashë sot prapë, Bosnja, Maqedonia, Kosova, janë në fund, janë fare në fund dhe është forca e lidershipit, është forca e karakterit, është gatishmëria për të luftuar ditë e natë, është durimi i madh dhe kur të duket sikur nuk ka dalje, që të nxjerr aty ku ke vendosur të dalësh dhe patjetër që ne mund t’i bëjmë, tani që jemi në dalje të këtij tuneli.

E ndërkohë që rindërtimi vazhdon e deri në pranverën e ardhshme nuk do ketë këtu më asnjë gjurmë sepse i njëjti njeri që patë dje, që prezantoi portin, është ngarkuar nga Princi i Kurorës për ndërtimin e 2000 apartamenteve për ata që humbën shtëpitë nga tërmeti dhe në Spitallë, vazhdon intensivisht puna për infrastrukturën sepse ne nuk do ndërtojmë pallate si ato të entit të banesave që janë kafaze pëllumbash, ato që i keni parasysh, që marrin këta tifozët e pëllumbave që janë gjithë vrima nga ku nxjerrin pëllumbat kokën.

Jo, ne ndërtojmë lagje që do të jenë lagje të një kohe të re.

Lagja në Spitallë do të jetë lagja më e bukur e Durrësit pa diskutim sepse do jetë e ndërtuar e gjitha nga e para, me të gjitha rrugët, parkimet, parqet, shkollat, kopshtin e kështu me radhë.

 Ju i keni parë shkollat që janë ndërtuar në Durrës dhe shkollat që janë ndërtuar në zonat e prekura nga tërmeti, janë shkolla që mund t’i vësh në çdo kryeqytet jo qytet të Europës dhe nuk duken që nuk janë për aty. Madje janë shumë më mirë se sa shkolla që mund të ketë dhe aty, pra janë kategoria e parë e shkollave europiane. Kështu do jenë dhe lagjet, kategoria e parë e lagjeve të reja europiane, por kjo sigurisht do punë, sigurisht do durim, nuk bëhet me atë shpejtësi që duam sepse ka 100 mijë gjëra, ka 100 mijë njerëz, ka 100 mijë dinamika. Këtu është çështje rezistence e në fund fare, përmendi Michael Jordan. Michael Jordan ka një shprehje shumë të bukur. Nuk i mbaj mend tani ekzaktësisht me shifra por thotë, në karrierën time kam humbur x mijë gjuajte. Në karrierën time kam humbur x, dhe janë qindra, gjuajte të sekondës së fundit, që do të thotë ka humbur skuadra e vet.

 

Në karrierën time kam humbur x mijë pasa. Në karrierën time kam humbur, kam humbur, e pikërisht se i kam humbur të gjitha këto e asnjëherë nuk jam tërhequr, por ka vazhduar të gjuaj, të gjuaj e të gjuaj, I am Michael Jordan.

Fitorja fillon këtu, pastaj realizohet në fushë. Nuk ka asnjë gjë që ju e shikoni me sy hapur si ëndërr që nuk e realizoni dot, nuk ekziston.

John Kenedy kur u bë president i SHBA-ve tha, ne do çojmë njeriun e parë në Hënë. Ëndërr me sy hapur. John Kenedy çoi njeriun e parë në Hënë, por sigurisht, kjo bën diferencën sepse ëndrra me sy hapur shohin të gjithë njerëzit, por jo të gjithë kanë karakterin, kanë forcën, kanë durimin, kanë besimin, kanë energjinë që ta përballojnë të gjithë furtunën që të vjen përballë kur ti nisesh tek ëndrra jote me sy hapur se duhet të përballosh momentet kur rrëzohesh, duhet të përballosh momentet kur ezaurohesh nga nervat, duhet të përballosh momentet kur trupi të duket sikur nuk do ngrihet më kurrë, duhet t’i përballosh të gjitha e të vazhdosh.

Ju tregova disa të rinjve më përpara historinë e Leo Messi, që ishte një fëmijë i sëmurë, me një problem në gjendrën e hipofizës që nuk rritej. Leo Messi, fëmija i një familje të varfër në një lagje nga më të varfrat e Buenos Aires, në atë lagjen e tmerrshme nga ku kanë dalë shumë futbollistë, kalama thoshte “unë do luaj në Camp Nou”. Prindërit thonin, “mirë i sëmurë që nuk rritet, por edhe mendja mos nuk do t’i zhvillohet sa duhet se ky nuk është në vete”. E çuan tek Barcelona, ishte talent patjetër, por kishte problem. I bënin çdo ditë shiringa. Leo Messi është ai që njohim ne tani, por nga ana tjetër, është ai tjetri, Cristiano Ronaldo që nuk kishte talent si ky, nuk e kishte talentin e tij, por edhe ai e kishte ndarë mendjen, e kishte parë ai ëndrrën me sy hapur dhe Carlo Anceloti më ka thënë, “në të gjithë karrierën time si sportist, si trajner, në të gjitha skuadrat zinxhir që kam parë në klubet ku kam stërvitur, nga fëmijët deri tek të mëdhenjtë, nuk e kam njohur akoma një djalë që të stërvitet aq shumë sa stërvitet sot Cristiano Ronaldo.

Suksesi ka kosto, sa më shumë ta kërkosh, aq më shumë do paguash. Sa më shumë ta dëshirosh, aq më shumë duhet të jesh gati që të sakrifikosh e këtu në 25 prill ne nuk kemi asnjë sakrificë të madhe për të bërë, por kemi vetëm nevojë të angazhojmë të gjithë energjitë tona e të shkojmë, të trokasim në çdo mendje dhe në zemër, që ta bëjmë Durrësin të ardhmen tuaj dhe Shqipërinë të ardhmen tonë.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm