Të reja

Buxheti 2022 - Arsimi

13 Nov 2021    

Arsimi, disa aspekte të buxhetit të ri 2022

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me mësues mbi disa aspekte të buxhetit 2022 për arsimin:

Përshëndetje të gjithëve!

Shumë faleminderit për praninë tuaj në këtë takim ku dëshirojmë të ndajmë me ju disa aspekte të buxhetit të ri për vitin 2022, por edhe përtej buxhetit si shifra edhe si projeksione financiare, për të shfrytëzuar këtë moment që të ndajmë sëbashku edhe me të gjithë ata që nuk janë këtu sot dhe që janë pjesë e komunitetit tuaj, sfidat që kemi qoftë në funksion të këtij mandati të tretë, qoftë në funksion të përmbushjes së objektivave për vitin 2022.

Unë nuk dua të zgjatem shumë në aspektin e shifrave edhe pse pak shifra mbase ia vlejnë të përsëriten, por dua të theksoj se së pari, në projektbuxhetin e vitit 2022 vijon rritja e pagave për të gjithë mësuesit dhe projeksioni ynë i mandatit të tretë është që pagat të rriten pa diskutim edhe 32%, por mundësisht të realizojmë objektivin e rritjes 40% të tyre. E kur them mundësisht, kjo lidhet, jo vetëm me çka ne dimë sot e me çka ne mund të planifikojmë sot, por lidhet nga ana tjetër me çka ne nuk e dimë e mund të na shfaqet përpara pasi tanimë jemi të gjithë të vetëdijshëm se sa shumë e impaktojnë jetën tonë e sa shumë ndërhyjnë në planet tona, ngjarje që janë jashtë mundësive tona për t’u parashikuar dhe që faktikisht imponojnë pastaj ndryshime rrënjësore të planeve.

Patëm një tërmet jashtëzakonisht të fortë në aspektin e impaktit mbi familjet e prekura, por dhe mbi buxhetin e vendit. Jemi ende në kushtet një pandemie që pati edhe ajo e vazhdon të ketë ndikimin e vetë, por sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të synojmë objektivat maksimalë dhe siç thashë, nëse ky vit mbyllet përsëri me një rritje pagash për ju dhe nëse sot mesatarja bruto e pagës së mësuesve është shumë më e lartë se sa ishte kur ne e kemi nisur këtë rrugëtim të përbashkët, edhe viti i ardhshëm do të jetë i njëjtë, edhe çdo vit tjetër do të jetë i njëjtë në aspektin e rritjes së vazhdueshme të pagës për ju.

Nga ana tjetër, e njëjta gjë vlen të thuhet për rritjen e buxhetit në mbështetje të arsimit, në mbështetje të shkollave, që vazhdon dhe duke adresuar në të njëjtën kohë disa elementë të procesit siç është për shembull transporti, që janë elementë që mbeten problematikë në jetën e përditshme të atyre mësuesve të atyre nxënësve që duhet të spostohen në një distancë të caktuar nga vendbanimi i tyre, e cila kërkon patjetër transportin dhe për këtë arsye edhe mbështetje për transportin.

Thënë të gjitha këto dhe marrë parasysh që tanimë nuk e diskuton njeri që është hedhur një bazë e fortë në funksion të mbrojtjes së mësuesve nga ndërhyrjet e jashtme, nga politika, nga forca e ryshfetit, gjë që ka qenë një konstante e pandryshueshme për shumë e shumë vite të tëra, deri kur është vendosur dhe është konsoliduar tanimë sistemi i ri i rekrutimit të mësuesve, duke bërë të mundur që nga njëra anë mësuesit të mos spostohen dot papritur e pakujtuar sipas dëshirës apo tekave të lidhura me ato fenomene që thashë pak më përpara dhe nga ana tjetër, duke u dhënë mësuesve një garanci të plotë se vendi i tyre i punës bazohet tek merita e tyre dhe jo tek bindjet e tyre politike apo tek lidhjet e tyre farefisnore.

Nga ana tjetër, tani që është vënë dhe një bazë e mirë edhe për tekstet, pavarësisht faktit që ka akoma nevojë për qëmtime e për verifikime e korrigjime në aspektin e domosdoshmërisë për përmirësim të plotë e cilësor të teksteve, kemi nevojë ta shikojmë me sy kritik veten për çfarë boshllëku gjendet në jetën e nxënësit midis procesit rutinë mësimor dhe shtëpisë. Është një boshllëk që siç tregon eksperienca pozitive e disa shkollave, mund të mbushet në mënyrë të konsiderueshme në rast se shkolla futet në mes e në rast se shkolla gjen rrugët për t’ju krijuar nxënësve mundësinë që në atë hapësirë kohore të mund të zhvillojnë specifikisht talentet e tyre, të mund të zhvillojnë specifikisht dije të caktuar dhe të mund të zhvillojnë specifikisht edhe ndjesinë e bashkëjetesës në një komunitet që shkon përtej atij komuniteti që krijon orari mësimor e këtu kam parasysh faktin që pavarësisht se ne kemi çelur kapitullin e shkollës qendër komunitare e kemi një numër jo të vogël në letër shkollash qendër komunitare, kemi një boshllëk të madh në ofertën e shkollave qendër komunitare dhe ky boshllëk duhet të jetë edhe këmbana që bie çdo ditë në veshët e drejtorit të përgjithshëm, në veshët e të gjithë drejtorëve të zyrave arsimore dhe në veshët e gjithë drejtorëve të shkollave, për t’i bërë çdo ditë pyetjen vetes se çfarë progresi u bë sot në këtë drejtim sepse është e pamundur që shkolla të mjaftohet në kushtet e sotme shoqërore dhe në kushtet e një shoqërie që jeton në një kohë ndryshimesh marramendëse dhe ku ndërhyrja e teknologjisë, ndërhyrja e smartphone-ve dhe e kompjuterëve është e atillë që përmban edhe një rrezik të madh, një kërcënim të madh potencial për mirë edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve, përveç se avantazheve të veta, shkolla të marrë përsipër një përgjegjësi të re dhe të bëhet mburojë e këtyre fëmijëve duke bashkëpunuar ngushtësisht me prindërit e duke gjetur rrugët që teknologjia tu shërbejë fëmijëve me të mirat e veta, por të mos bëhet një kërcënim serioz për mirë edukimin dhe mirërritjen e tyre me të gjitha të këqijat e veta.

Thënë të gjitha këto, ne kemi vendosur për herë të parë në buxhetin e shtetit një financim të konsiderueshëm për të stimuluar shkollat, për të stimuluar mësuesit, për të stimuluar prindërit, për të stimuluar nxënësit, që duke shfrytëzuar pjesë të këtij buxheti, të fillojnë e të adresojnë këtë boshllëk midis orës së mësimit dhe shtëpisë, duke ju ofruar nxënësve hapësira e mundësi për artet, për zejet, ku tek zejet kemi parasysh në mënyrë specifike edhe teknologjinë, njohjen dhe zotërimin e saj për qëllime të mira dhe për sportin.

Kjo kërkon sigurisht një program të mirëpërcaktuar kombëtar për të cilin po punohet dhe i cili besoj do të jetë i gatshëm për të gjithë ju dhe për të gjitha drejtoritë e shkollave në pranverë, për të filluar e për t’u detajuar e për t’u kthyer pastaj në një plan konkret të çdo shkolle për sezonin e ardhshëm, në ndërkohë që buxheti dhe financimi i vendosur në dispozicion për këtë program, do të fillojë të shfrytëzohet menjëherë duke u bazuar tek iniciativat e brendshme të shkollave. Kemi raste vërtetë inkurajuese shkollash që e bëjnë këtë gjë, e bëjnë pa një mbështetje të strukturuar nga qeveria, e bëjnë falë pasionit dhe falë këmbënguljes së atyre sinergjive që janë krijuar në ato shkolla mes disa mësuesish, disa prindërish, një pjese nxënësish e natyrisht mbështetjes së drejtorisë. Kjo kërkon që në radhë të parë këta shembuj të bëhen të njohur për të gjithë, pra të merren e t’u ekspozohen të gjitha shkollave dhe në atë programin individual të trajnimeve që është njëra anë, të mund të shihet mundësia edhe për të trajnuar të tjerë, duke u bazuar tek eksperiencat e disave, në mënyrë që iniciativa e brendshme në shkolla e mësuesve, e prindërve, e drejtorive të fillojë të stimulohet sepse tjetër gjë është nëse Ministria e Arsimit do të ndajë fonde në mënyrë automatike, mekanike, e tjetër gjë është nëse fondet e vëna në dispozicion do të jenë të aksesueshme për ata që marrin iniciativën ti kërkojnë ato bazuar në projekte konkrete.

Unë kam shumë besim që ne i kemi mundësitë ta transformojmë këtë boshllëk midis mësimit dhe shtëpisë në një hapësirë kulture, në një hapësirë dijesh, një hapësirë argëtimi përmes të mësuarit të nxënësve e në një hapësirë që të jetë në gjendje të thithi shumë nxënës të cilët mund të mos jenë të shkëlqyer në një plan të të gjitha lëndëve por të cilët mund të kenë dhunti e mund të kenë talente në pjesë të caktuara e të të cilëve në vend se t’ia lëmë boshllëkut ti ofrojë rrugë të mbrapshta në jetën e tyre, t’u ofrojmë ne shtigje të ndryshme përmes sportit, përmes teknologjisë, përmes arteve, zejeve, e kështu me radhë.

Tjetra që dua ta ritheksoj nga fjala e ministres është domosdoshmëria që kanë shkollat për të pasur laboratorë atraktivë. Nuk i kemi! Po të shohim në letër dhe po të masim metrat katrorë të ndërtesave të rikonstrukturara apo të atyre të bëra nga e para për laboratorët, ne i kemi. Por, po të hyjmë në laboratorë, janë shumë të pakët laboratorët e shkollave që janë atraktivë, që janë stimulues për vetë mësuesit njëherë dhe ai shembulli që solli ministrja është me siguri dëshmia e shumë e shumë mësuesve që japin lëndët në laboratorë të cilët nuk disponojnë mjetet e nevojshme. Për këtë arsye është vendosur për herë të parë një buxhet specifik të cilin do ta përsërisim vit pas viti, që laboratorët e shkollave, jo vetëm të jenë të pajisur me ato elementë që përcakton programi, por të jenë atraktivë që t’i tërheqin nxënësit që të shkojnë e të bëjnë mësimet e laboratorit, jo vetëm formalisht, se është e pakonceptuehsme që të futesh në laborator e të vazhdosh të bësh teori, ose të kesh një gamë mundësish për eksperimente që ezaurohet në 2-3 maksimumi, seanca mësimi.

Ana tjetër e medaljes që është dhe më sfiduese, është ajo që ka të bëjë me laboratorët e informatikës. Është problem në aspektin e burimeve njerëzore, ku ne sot kemi një numër të konsiderueshëm mësuesish që zhvillojnë mësimin në laboratorë informatike që nuk janë specifikisht të arsimuar për informatikë, por vijnë nga lëndë të tjera. Mësues matematike, mësues fizike, që me siguri kanë bërë punën e tyre për të qenë në gjendje të japin mësimin por sidoqoftë, nuk është kjo që ne duam kur flasim për cilësi në mësimdhënie dhe ana tjetër është përsëri logjistika e këtyre laboratorëve. Laboratorë të pajisur me kompjuter që figurojnë në inventar por që nuk e plotësojnë objektivin e laboratorit.

Edhe këtu kemi vendosur një financim të vecantë për një sistem komplet të ri të mësimit të informatikës, duke shfrytëzuar edhe një mësimet që morëm nga pandemia, që nuk është e nevojshme të gjendesh fizikisht në një hapësirë për të ushtruar një aktivitet që ka të bëjë me mendjen dhe fjalën, ashtu sikundër u provua botërisht se, përtej vështirësive të veta dhe specifikave të ndryshme, mësimi mund të bëhet edhe online. Në rastin konkret, duke bërë një mësim hibrid mes nxënësve dhe mësuesve të laboratorit dhe një mësimdhënësi tjetër, i cili hyn në klasë, në të njëjtën kohë, për një numër të caktuar shkollash përmes ekranit. Kjo do sjellë një rritje të cilësisë, ashtu sikundër, nga ana tjetër, rritja e cilësisë do vijë si rezultat i unifikimit dhe certifikimit të laboratorëve, nga pikëpamja e logjistikës, e mjeteve që kanë në dispozicion.

Ne duhet t’i japim një shtytje të madhe të re, të gjithë së bashku, dhe kjo përsëri detyrë e Drejtorisë së Përgjithshme, drejtorive dhe zyrave arsimore pastaj drejtuesve të shkollave e më pas mësuesve, teknologjisë. 

Dalëngadalë duhet të fillojmë t’i nxisim maksimalisht, me argumenta dhe fakte, fëmijët drejt mundësisë së jashtëzakonshme që i jep sot teknologjia gjithkujt në moshën e tyre, jo në moshën tonë. Në moshën tonë ka ikur ajo punë. Aty, ku ata, paralelisht mësojnë gjuhën shqipe, angleze, të mësojnë dhe gjuhën e kompjuterit, që është një gjuhë njësoj si gjuhët që ne komunikojmë, por që duhet për të hyrë në një botë tjetër,  që është bota e një tregu, tregu më i madh global sot në botë, ku mund të hysh pa pasur nevojë të lëvizësh nga shtëpia, ku mund të hysh pavarësisht se je në Tiranë apo në një fshat në Mirditë apo Tepelenë dhe mund të punësohesh, mund të krijosh ndërmarrjen tënde të vogël, mund të rritesh financiarisht, pa lëvizur fare nga shtëpia, jo më të lëvizësh nga Shqipëria.

Në këtë aspekt, duhet të jemi të gjithë të interesuar dhe të fokusuar për ta përçuar këtë mesazh në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm me fjalë, por edhe me mundësitë që do u ofrojmë nxënësve.

Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të bëhet një vend që të ketë një numër në rritje të përvitshme të vajzave dhe djemve në mosha shumë të reja që përfshihen në këtë treg dhe që ofrojnë për investitorët dhe ndërmarrjet këtu një krah pune të super kualifikuar, duke hapur një tjetër perspektivë për punësimin cilësor në aspektin e pagave. Kjo duhet të jetë pjesë e të përditshmes së shkollës, qysh në moshat më të vogla.

Në një nga takimet për Strategjinë e Rinisë, takova një vajzë nga Durrësi, që kishte 5 vjet që punonte në shtëpi, dhe jo në qytet, për tregje të huaja, dhe ishte 16 vjeç. Duket e pabesueshme, por ky është realiteti i asaj bote, realiteti ku fëmijë dhe të rinj në mosha shumë të reja janë shumë përpara. Nëse ajo vajzë e ka gjetur vetë rrugën, siç e kanë gjetur dhe jo pak të tjerë, numri i tyre është shumë i vogël në Shqipëri krahasimisht me cfarë mund të jetë, dhe nëse duam dhe duhet ta rrisim këtë numër, duhet shkolla të jetë vendi ku fëmijëve u prezantohet kjo mundësi. Duke i orientuar drejt kësaj mundësie, bëjmë dhe një shërbim shumë të madh në mirërritjen e tyre, duke i larguar nga ato rrugët e mbrapshta, në atë boshllëkun midis shkollës dhe shtëpisë.

Tjetra është sporti. Është koha për ta riparë krejtësisht të gjithë sistemin.

Për këtë arsye, kemi vendosur edhe këtu një fond, në funksion të iniciativës së shkollave si fillim, duke kaluar në një nivel tjetër në aspektin e edukimit, pasi kemi futur edukimin fizik, që ishte hequr fare, duke e bërë Shqipërinë të vetmin vend në botë pa orë të edukimit fizik, dhe që ka sfidat e veta sot, se hiri i të vërtetës e do të thuhet që nuk është edukimi fizik cilësor në një pjesë të konsiderueshme të shkollave, e duke i shtuar komponentin e klubeve sportive të shkollës, të klasave sportive, në mënyrë që edhe aty përsëri, një pjesë e vajzave dhe djemve, por sidomos djemve që mund të mos shkëlqejnë në mësimet e tjera, t’u japim një alternativë të atyre rrugëve të mbrapshta mes shkollës dhe shtëpisë.

E fundit që kam, por jo për nga rëndësia, është domosdoshmëria e një rritjeje cilësorë të drejtimit të shkollës. Ne kemi bërë shumë, besoj unë, dhe kur them shumë është për skonto, se sa herë them shumë është në raport nga jemi nisur, jo ku duam të shkojmë.

Kemi bërë shumë për mësuesit për t’i nxjerrë nga ajo vorbulla e pasigurisë për shkak të politizimit, ndërhyrjeve, të korrupsionit, bakshishit, fisit, tarafit, që e bënte pozicionin e tyre komplet të pasigurt dhe për t’i dhënë mundësinë të gjithë mësuesve apo atyre që duan të bëhet mësues, që ta realizojnë këtë me meritën e tyre, përmes një sistemi tërësisht objektiv pikëzimi, që kalon përmes testeve dhe pavarësisht rasteve të shpërdorimit me këtë sistem, ajo që mund të them me plot gojën është që janë një përqindje shumë e vogël, në raport me gjithë pjesën tjetër, por ne nuk kemi bërë shumë në raport me të shkuarën për drejtimin e shkollave.

Kemi drejtues shkollash që nuk e meritojnë të drejtojnë shkolla.

Kemi drejtues shkollash që janë nën nivelin e pjesës më të madh të mësueseve dhe mësuesve të një kolektivi mësimor.

Kemi drejtues shkollash që janë “out” dhe këtu është e qartë për mua, për ministren, duhet të jetë shumë e qartë për drejtorinë e përgjithshme që duhet ndërhyrë, në mënyrë që drejtuesit me vlerë të mbështeten dhe të motivohen maksimalisht, ndërsa drejtuesit, të cilëve i kaluar me kohë e me vakt koha për të qenë në drejtim, të largohen.

Edhe në drejtimin e shkollës, të garantohet e njëjta gjë që është garantuar edhe për mësuesit.

Nuk ka rëndësi se çfarë bindjesh politik ke, nuk ka rëndësi se nga je, nuk ka rëndësi çfarë statusi financiar ka bashkëshorti apo se cfarë lidhjesh ka familja, rëndësi ka aftësia dhe merita. Tek drejtuesit nuk mund të thuhet e njëjta gjë dhe besoj se këtë e aprovojnë këtu 95% e të pranishmëve, që janë mësuese dhe mësues dhe nuk janë drejtues. 

Kjo është shumë e rëndësishme.

Nëse ne nuk kemi drejtimin e shkollës në nivelin e duhur në çdo shkollë, të gjitha këto që folëm mbeten të cunguara për shkak se pa një drejtim dhe koordinim nga lart brenda shkollës të këtyre programeve të posaçme, që synojnë të mbushin atë boshllëkun mes shkollës dhe shtëpisë, mësimit rutinë dhe derës së shtëpisë për fëmijët, është e pamundur. 

Unë kam vërtetë besim, dhe e them me plot gojën, sepse ajo që mbetet pika më e fortë e sistemit tonë arsimor parauniversitar janë mësuesit dhe në radhë të parë mësueset. Burrat të më falin për këtë diskriminim, por edhe unë si ju jam, kështu që mos u mërzisni. 

Në mënyrë që të shtyjmë më shumë përpara, duhet tu japim mësuesve, duke filluar nga mësueset, më shumë motivim. Patjetër që do t’i paguajmë çdo vit e më mirë. Patjetër që do ta konsolidojmë çdo vit e më shumë dhe sistemin e meritës, duke e bërë plotësisht të paprekshëm, por nëse ju kërkojmë diçka më shumë, që nuk është pak, si kontribut për atë boshllëkun që ju thashë, atëherë duhet t’u japim dhe atë frymëmarrjen e shëndetshme në punë, e cila pengohet rëndom nga drejtues që nuk i shërbejnë shëndetit të punës në një kolektiv. 

Për këtë arsye, duhet bërë një skanim i plotë objektiv, i drejtë i të gjitha kapaciteteve drejtuese të shkollave dhe kush e meriton, duhet përshëndetur, falënderuar dhe mbështetur dhe kush nuk e meriton të qëndrojë në drejtimin e shkollave, duhet të hapë krahun për t’ia lënë vendin dikujt tjetër.

Në çdo shkollë, Selman, ka mësuese që mund të drejtojnë Ministrinë e Arsimit, jo më të drejtojnë një shkollë, që është shkolla e tyre.

Nuk duhet harruar që Ministria e Arsimit u drejtua për vite të tëra nga burra me grada, por periudha e suksesit më domethënës të Ministrisë së Arsimit, është periudha kur është drejtuar nga dy zysha, nga Lindita dhe nga Evisi, që jam i bindur që do bëjë shumë, njësoj si Lindita.

Selman, ti je burrë dhe e fillon me një të metë këtë process, por duhen kthyer sytë vërtetë nga mësueset, në radhë të parë, që janë nëpër shkolla dhe duhen gjetur aty tek mësueset në çdo shkollë drejtueset që duhet të zëvendësojnë këto burra, të cilëve u ka mbaruar misioni me kohë e me vakt dhe nuk janë në lartësinë e kolektivit të shkollës.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm