Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Buxheti 2022 - Ministria e Mbrojtjes

Të reja

Buxheti 2022 - Ministria e Mbrojtjes

10 Nov 2021    

Buxheti 2022 për mbrojtjen, vlerësim dhe mbështetje për Forcat e Armatosura

Kryeministri Edi Rama në komunikimin për buxhetin e vitit 2022 për Ministrinë e Mbrojtjes:

Përshëndetje të gjithëve ju dhe të gjithë atyre që kontribojnë në Forcat e Armatosura e nuk gjenden këtu bashkë me ne, në këtë aktivitet komunikimi për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Së pari, dua t’ju them drejtpërdrejtë, meqë më jepet kjo mundësi, që jam ndjerë jashtëzakonisht mirë dhe vërtetë shumë krenar, duke dëgjuar fjalë nga më mbresëlënëset prej gjeneralëve që ishin këtu në Shqipëri dhe drejtuan misionin e madh, stërvitjen më të madhe ushtarake të tre dekadave të fundit, “Defender Europe 2021” dhe realisht, ju nuk i keni dëgjuar në media sepse nuk kanë qenë fjalë për media, nuk kanë qenë fjalë për të thënë fjalë të bukura në publik, por kanë qenë fjalë të thëna pa asnjë interes dhe pa asnjë nevojë tjetër, përveçse nevojës për të shprehur admirimin për të gjithë ju dhe për të gjithë ata të tjerë që janë pjestarë të Forcave të Armatosura.

Tha diçka vajza që foli në fillim, që aktiviteti juaj i përditshëm, përveçse në rastet kur ka një krizë, një emergjencë dhe ju shfaqeni në sytë e publikut, zhvillohet jashtë syve të publikut dhe duhet të kesh  një lidhje, siç është në rastin tim për shkak të detyrës, për ta kuptuar deri në fund rëndësinë e madhe të këtij aktiviteti të përditshëm në aspektin e energjive, në aspektin e sakrificave dhe në aspektin e vlerës së shtuar që krijon për atdheun tonë.

Duke e ndjekur këtë aktivitet nga afër, mëson që t’i çmosh shumë herë më shumë cilësitë dhe meritat tuaja, të të gjithëve, që nga ushtari i saporekrutuar, deri tek Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, të cilit posaçërisht dua t’i shpreh respektin dhe mirënjohjen për punën që bën pasi më është dhënë rasti në më shumë se një herë që të komunikojmë e të jemi sëbashku në takime me partnerët dhe në më shumë se një herë kam mundur të çmoj lidershipin e tij.

Nga ana tjetër, dua që sinqerisht t’i përshëndes me këtë rast, të gjitha familjet tuaja, të gjithë të afërmit tuaj sepse nuk ka asnjë punë të lehtë kur puna duhet bërë mirë, por puna juaj ka një vështirësi të veçantë, e cila përmban brenda edhe imponimin e një sakrifice jo të vogël që është faktikisht shkëputja nga familja dhe të jetuarit shumë shpesh në distancë me familjen dhe besoj që ju nuk keni nevojë as për fjalët e mia, as për fjalët e kujtdo qoftë që ta çmoni dhe ta vlerësoni pafund atë që bëjnë prindërit, atë që bëjnë bashkëshortët, bashkëshortet, atë që bëjnë fëmijët tuaj për t’ju dhënë të gjithë atë energji, pa të cilën do të ishte e pamundur që të kryhej ky mision.

Më vjen po ashtu mirë sot, që t’ju them se unë e shoh me shumë optimizëm çdo ditë të nesërme të Forcave të Armatosura sepse jo vetëm që do t’i krijojmë deri në fund mundësitë për të fituar shumë nga koha e humbur, por edhe për të zvogëluar sistematikisht hendekun me shumë trupa të tjera ushtarake të Aleancës, në aspektin e motivimit financiar, në aspektin e kushteve dhe në aspektin e të gjitha atyre bonuseve që rrjedhin detyrimisht nga kontributi juaj, por edhe sepse në krye të Ministrisë së Mbrojtjes sot, kemi një koleg,  një anëtar të kabinetit tonë që është njeriu i duhur, në kohën e duhur, për të adresuar sfidën e madhe të re të kalimit në një nivel tjetër të Forcave të Armatosura, në aspektin e sofistikimit teknologjik dhe rritjen e kapacitetit tonë të gatishmërisë, të mbrojtjes e të kontributit për të tjerët, brenda Aleancës, falë mundësisë që teknologjia i jep çdo vendi pavarësisht nëse është shumë i zhvilluar apo nëse është në zhvillim e sipër, për të bërë kapërcime që kurrë nuk do të ishin të mundura në kohët e mëparshme kur teknologjia ende nuk ishte kjo që është sot.

Nuk dua të përsëris ato që u thanë e nuk dua të zgjatem në shumëçka ministri në mënyrë të detajuar shpjegoi këtu, por dua ta filloj rreshtimin e pak pikave me shprehjen e lehtësimit tim që sot jam këtu përpara jush me një zotim të mbajtur për një rritje të konsiderueshme të pagave. Nuk është në fakt rritja e parë e pagave që bëjmë, pas një periudhe shumë të gjatë kur Forcat tona të Armatosura mbetën shumë mbrapa, në raport me të tjerët në aspektin e nivelit të pagave, por kjo është një rritje e konsiderueshme e nëse kur u takuam me një pjesë prej jush pas përballimit të asaj krize të rëndë zjarresh në gusht, unë ju thashë se do të rrisim pagat e sot pagat, faktikisht janë të shkruara me 30% rritje në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm që së shpejti do  të miratohet nga parlamenti pas diskutimeve nëpër komisione, sot po ju them që vitin tjetër do t’i rrisim përsëri pagat sepse besoj që nuk ka asnjë arsye që Forcat tona të Armatosura për energjinë, për sakrificën, por dhe për vlerën e shtuar që krijojnë si dhe për potencialin që kanë për ta rritur në mënyrë të vazhdueshme kapacitetin e tyre profesional, të jenë mbrapa nga shumë vende të Aleancës e natyrisht këtu, nuk flasim për ato që janë vendet më të fuqishme të Aleancës, por flasim për shumë vende të tjera që edhe pse janë shumë të forta ekonomikisht se ne ende, ne në aspektin e Forcave të Armatosura e të vlerësimit të Forcave të Armatosura, nuk kemi pse të mos synojmë që t’i mbërrijmë.

Me këtë rritje pagash faktikisht ne nuk kemi më ushtrinë më të pak paguar në NATO, si fillim. Pra nuk jemi as në krye se aty nuk besoj se do të arrijë dot ndonjëherë dot kush, se e dini kush është në krye për kapacitet financiar, në funksion të pagave. Nuk jemi as në mes, por nuk jemi më të fundit. Ky është hapi i parë dhe ambicia është që brenda mandatit të tretë ne të jemi diku në mes. Besoj që mund ta arrijmë e jam i bindur që sëbashku do ta arrijmë e kur them sëbashku kam parasysh atë që do marrim mbrapsht nga ky investim se edhe kjo ka shumë rëndësi.

Rritja e pagave, që është rritja më e lartë ndonjëherë e pagave për Forcat e Armatosura, por është dhe rritja më e lartë ndonjëherë e pagave për një sektor, është më e lartë se paga që u rrit me 25% përpara disa vitesh për Policinë e Shtetit, duhet të kuptohet që vjen si rezultat i asaj që ju keni dhënë dhe i faktit që e keni nderuar Shqipërinë dhe e keni vendosur qeverinë e Shqipërisë në një pozitë të vështirë, për të gjetur mundësinë që pavarësisht vështirësive të kohës që janë vështirësi që i kanë të gjitha vendet e aktualisht nuk ka asnjë rritje pagash sot që flasim në vendet e NATO-s, pavarësisht edhe vështirësive specifike që ne kemi, që lidhen qoftë me goditjen që na dha tërmeti, që lidhen qoftë me krizën energjitike që kemi vendosur të bëjmë gjithçka që ta përballojmë, pa ia kaluar faturën familjeve dhe bizneseve të vogla, atëherë është e drejtë që ne të presim që nga këto investime të merituara plotësisht, të marrim mbrapsht edhe më shumë për vendin dhe forcat tona të Armatosura pavarësisht se një numër janë një trupë modeste, pavarësisht se prania e tyre në operacione të ndryshme, në misione të ndryshme ushtarake jashtë, është modeste, ta rrisin me cilësi atë reputacion që sot e kanë vërtetë të mirë dhe ushtria shqiptare të bëhet një model për se si një vend i vogël, me mundësi ekonomike jo të pakufizuara, ia del që të ketë një forcë ushtarake model, në çdo pikëpamje.

Tjetra ka të bëjë me bazën, domethënë me hyrjen në rrugën e karrierës ushtarake që është dera e akademisë. Ne nuk mund të pretendojmë të jemi aty ku mund të jemi e aty ku duhet të jemi me patjetër duke pasur një bazë që për hir të vërtetës është shumë larg së qeni një bazë në lartësinë e asaj që meritojnë ata të cilët regjistrohen, për të studiuar në Akademine Ushtarake, është shumë larg, por është komplet inekzistente në raport me si duhet të jetë baza e edukimit për një ushtri që synon të ngjisë pak nga pak shkallët në klasifikimin e cilësisë së vendeve të NATO-s. 

Do fillojmë qysh në vitin 2022 një mega projekt, me faza, me një fazë të pare, e cila do garantojë gjithçka sot duhet të ofrojmë dhe pastaj me një fazë të dytë dhe të tretë që do garantojë gjithçka ne nesër duhet të plotësojmë.

Do ndërtojmë një Akademi Ushtarake që të jetë model cilësie dhe që të kthehet në pikë referimi, jo vetëm për të rinjtë dhe të rejat që hyjnë në rrugën e Akademisë Ushtarake si qytetarë të Shqipërisë, por edhe të rinj dhe të reja që duan të hyjnë në rrugën e Akademisë Ushtarake si qytetarë të vendeve të NATO-s, në rajon. Kosova nuk është vend anëtar i NATO-s, por është vendi më i afërt i yni në çdo aspekt, jo vetëm gjeografik dhe kështu kjo akademi bëhet akademi që do shkëlqejë në hartën e sistemit akademik ushtarak të vendeve të NATO-s.

Pika tjetër është domosdoshmëria për të krijuar paralelisht me kapacitetin e gatishmërisë dhe mbrojtjes në terren me trupa dhe të gjitha armët konvencionale, një forcë gatishmërie dhe mbrojtjeje në atë hapësirë që bëhet gjithmonë e më e gjërë dhe gjithmonë e më kërcënuese, që është hapësira virtuale, aty ku operohet me teknologji për njëmijë e një të mira, por aty ku edhe forcat potencialisht armiqësore apo forcat armiqësore me botën demokratike operojnë për njëmijë e një të zezat.

Për këtë arsye, na duhet patjetër që nga njëra anë, ne të forcojmë kapacitetin e kontrollit mbi territorin dhe gatishmërisë mbi territor, duke zotëruar mjete të kohës, satelitë, dronë superinteligjentë dhe po ashtu, kapcitetin mbrojtës, duke zotëruar një mekanizëm të tërë që garanton se i gjithë aktiviteti që zhvillon vendi në hapësirën virtuale, të mos jetë dot i goditshëm dhe të jetë 100% i sigurt.

Këtu vjen një pikë tjetër. Mundësia, potenciali dhe ambicia që Forcat tona të Armatosura, gjithë sistemi i Ministrisë së Mbrojtjes i trupave tokësore, ajrore dhe detare i akademisë të kemi në dispozicion një hapësirë ku të bëhet kërkim shkencor dhe ku të bëhet zhvillim teknologjik, duke iu dhënë mundësi vajzave dhe djemve në këto forca, pse jo dhe pedagogëve që të kenë mbështetje për të zhvilluar së brendshmi kapacitetet teknologjike të ushtrisë shqiptare. 

Dihet botërisht, ju e dini më mirë se unë, unë e kam mësuar për shkak të detyrës që sistemet e mbrojtjes, departamentet e mbrojtjes janë sisteme, departamente ku janë bërë çudira nga pikëpamja teknolgjike, që i kanë shërbyer pastaj gjith vendit dhe gjithë botës. 

Ne nuk pretendojmë t’i shërbejmë gjithë botës, por ne pretendojmë që sistemi ynë i mbrojtjes t’i shërbejë vendit dhe të vihet në dispozicion për vajza dhe djem të talentuar që nuk kanë arsye tjetër pse largohen, pasi nuk gjejnë në këtë vend hapësirën ku mund të zhvillojnë talente e tyre në këtë fushë.

Kemi folur me ministrin që Forcat tona të Armatosura të krijojnë një mekanizëm rekrutimi të këtyre talenteve shqiptare nëpër botë, që punojnë në entitete të tjera si programues, si kërkues shkencorë në fushën e teknologjisë, për t’u vënë në dispozicion të kësaj hapësire të re, në sistemin tonë të mbrojtjes.

Nga ana tjetër, dhe kjo është dhe pika ime e fundit, sepse premtova të mos zgjatem, është jashtëzakonisht e rëndësshme që ne të forcojmë më tutje kapacitetin e Mbrojtjes Civile, Emergjencave civile. Kalimi I Emergjencave Civile nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë gjëja e duhur, rezulton me fakte se është gjëja e duhur dhe ajo që na duhet është që vit pas viti t’i pajisim Emergjencat tona Civile, jo vetëm me kapacitete logjistike cilësore, as dhe vetëm me kapacitete teknologjike cilësore, por edhe me gjithë dijet për t’u bërë tamam një ëngjëll mbrojtjës i qyetarëve të këtij vendi në ditë të vështira. Jo se nuk janë, jo se ka munguar ndonjëherë sakrifica e të gjithëve ju, kur ka ardhur fjala për të nxjerrë masivisht trupa të ushtrisë për të përballuar kriza të krijuara nga fatkeqësitë natyrore, por hapësira për të bërë më shumë është goxha e madhe. Shkurt fjala, është goxha e madhe hapësira për t’iu bërë të gjtihëve ju të ndjeheni, jo vetëm krenarë për faktin që i shërbeni flamurit tonë kombëtar, atdheut tonë dhe mishëroni himnin tonë kombëtar në përditshmërinë e aktivitetit tuaj, por për t’ju bërë të ndjeheni vërtetë të mbështetur maksimalisht në cdo gjë, cdo ditë.

Mos mendoni që është e lehtë për ne, për mua, për ministrin, për qeverinë që ta dijë se cilat janë nevojat dhe të mos jetë në gjendje qëkëto nevoja t’i adresojë të gjitha njëherësh, por është e pamundur, ju e dini shumë mirë. 

Kini besim që adresimi i nevojave tuaja do jetë gjithmonë e më shumë kuptimlotë dhe financimet në dispozicionin tuaj personal, por edhe si trupë, do vijnë duke u rritur vit pas viti. Nuk do ketë një vit që nuk do të rriten pagat tuaja. Natyrisht, mos kërkoni tani që të themi 30% çdo vit, por mund të ndodhë që të jetë edhe më shumë në një vit apo më pak në ndonë vit, por pagat do vijnë në rritje për të arritur atë që thashë; që ju të mos keni absolutisht vështirësi kur shkoni me misione jashtë dhe jeni me kolegë që bëjnë të njëjtën punë dhe ju ndan një hendek goxha i madh pagash.

Ju falenderoj sinqerisht për gjithçka bëni dhe duke ju uruar me gjithë zemër më të mirën për prindërit tuaj, në radhë të parë, për bashkëshortët dhe bashkëshortet, padiskutim për fëmijët e atyre që janë prindër.

Ju uroj të gjithëve ju shëndet, besim, se kurajo duhet të të na jepni ju ne se ne nuk kemi cfarë kurajo t’ju japin, se kurajon e keni me gjithsej.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm