Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Buxheti 2022 – Rendi publik

Të reja

Buxheti 2022 – Rendi publik

09 Nov 2021    

Fjala e kryeministrit Edi Rama në prezantimin e buxhetit 2022 për rendin publik:

Përshëndetje të gjithëve dhe shumë respekt për të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit për punën e palodhur, për sakrificat dhe patjetër edhe për rezultatet.

Natyrisht, është për të ardhur keq kur individë të caktuar me uniformën e policisë së Shtetit, siç ishte rasti më i fundit i dikujt që keqtrajtoi në mes të rrugës një gazetare, jo për faktin se vajza ishte gazetare, por për faktin se duke qenë gazetare, ngjarja u bë edhe më e bujshme, por në thelb për faktin që keqtrajtoi një qytetare, hedhin hije mbi gjithë këtë punë, mbi gjithë këto sakrifica dhe mbi gjithë këto rezultate.

Patjetër që, çdonjëri prej jush, punonjësve të Policisë së Shtetit, që çdo mëngjes del nga shtëpia për të shkuar në një front të vështirë, nuk e meriton që në punën e tij dhe në imazhin e uniformës që ai apo ajo veshin, të ketë të tilla stërkala balte që vijnë nga shkelja e pa tolerueshme e vijës së sjelljes së punonjësit të Policisë së Shtetit dhe për këtë arsye është e rëndësishme, jo vetëm që të veprohet siç u veprua e siç është vepruar, si rregull, me shpejtësi e pa asnjë tolerancë ndaj këtyre individëve, duke i larguar menjëherë nga Policia e shtetit, por është po kaq e rëndësishme që në vijimësi të theksohet për të gjithë nga ana e drejtuesve, domosdoshmëria që të mbajnë parasysh se trupa e policisë së Shtetit, figura e Policisë së Shtetit, nuk ka nevojë për asnjë gjest dhe asnjë fjalë të tepërt, sepse është mishërimi i ligjit dhe ligji nuk flet, nuk bërtet, nuk kërcënon, nuk shan, ligji vepron. E në veprimin e ligjit, është krejt e tepërt të shtohen gjeste dhe të bëhen akte, që faktikisht i ulin kokën atë ditë, e nganjëherë edhe për disa ditë me radhë, të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët fatkeqësisht në atë moment shihen të gjithë me atë sy, për shkak të dikujt që nuk e meriton të jetë kolegu apo kolegia e tyre. Në fakt, kolegët zakonisht dallohen për këto, se koleget janë shëmbëlltyra më kuptimplotë e mirësjelljes dhe efikasitetit të Policisë së Shtetit, kudo ku ato kryejnë detyrën.

Nuk dua të përsëris shifra, u thanë.

Nuk dua të përsëris objektiva, u thanë, dua vetëm të vë theksin në prioritetet e këtij mandati, të cilat janë edhe piketat e vendosura në çdo hap që ne hedhim, qoftë kur organizojmë buxhetin e ri të shtetit, qoftë kur organizojmë të gjithë kornizën e akteve nënligjore, në funksion të përparimit të punëve në Policisë e Shtetit.

Së pari, lufta kundër krimit është prioriteti i prioriteteve, përfshirë të gjitha aspektet e saj dhe është një front, ku është bërë progres i dukshëm, por ku ka ende shumë për të bërë e ku posaçërisht ndihet ende mungesa e të njëjtit efikasitet, siç për shembull ka pasur operacioni, forca e ligjit apo në tërësi kjo pjesë e organizimit policor, tek lufta kundër krimit financiar, krimit ekonomik, aty është e domosdoshme të vendosen më shumë forca, të përqendrohet më shumë vëmendje e të krijohen kushtet për të arritur të njëjtat rezultate si me gjithë pjesën tjetër që ka të bëjë me luftën kundër krimit.

Prioriteti i dytë, jo më pak i rëndësishëm se i pari, është ngritja në një nivel sigurie më të lartë, e gjithë qarkullimit rrugor në Republikën e Shqipërisë dhe paralelisht me këtë, vendosja e një kontrolli absolut mbi territorin e Republikës së Shqipërisë, jo vetëm në aspektin e veprimtarisë kriminale apo të shkeljeve të ligjit që kanë të bëjnë me cenimin e personit, por me veprimtarinë kriminale e shkeljen e ligjit që kanë të bëjnë me vetë Shqipërinë, me territorin, me trupin e mrekullueshëm të këtij vendi, që Zoti e ka bërë për të qenë parajsë për ata që e jetojnë dhe dora e robit e ka kthyer rëndom në një ferr, për banorët e vet.

Është e patolerueshme që të ndodhin para syve të Policisë së Shtetit krime në mjedis dhe është e patolerueshme që efikasiteti më i lartë në goditjen e krimit në mjedis, të jetë në formën e gjobave për njerëzit në fshatra të thellë, që hedhin një havlli e të mos jetë në formën e goditjeve me tolerancë zero për ata që mbushin detin me zhavorr apo hedhin beton në plazh.

Prioriteti tjetër është pikërisht rritja e mëtejshme e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve.

Në funksion të këtyre prioriteteve, ne besoj që kemi ndërtuar një buxhet, i cili me gjithë kushtet jo të lehta të shtrëngimeve për shkak edhe të domosdoshmërisë që të mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël nga furtuna e çmimeve të energjisë, është një buxhet që rrit mundësinë për ministrinë e brendshme e për policinë e shtetit, për të investuar më tutje, e për të motivuar më tutje trupat.

E këtu do të veçoja pikërisht atë që preku dhe ministri, domosdoshmërinë që të diferencojmë trajtimin midis drejtuesve dhe punonjësve të Policisë që punojnë aty ku banojnë e atyre që punojnë larg vendbanimit, larg familjes. Diferencimin e trajtimit mesa tyre që në darkë kthehen në shtëpi tek familja dhe atyre që janë të detyruar tu thonë fëmijëve natën e mirë me telefon. Këtu është vetëm fillimi, me këtë ndërhyrje të parë e përgjatë gjithë këtij mandati, çdo vit ne do të bëjmë që ky diferencim të bëhet kuptimplotë, duke rritur pagat për të gjithë por duke rritur bonuset për ata që kontribuojnë për atdheun jashtë vendbanimit. Natyrisht që, e bëjmë këtë sepse sot janë krijuar mundësitë për ta bërë këtë, jo sepse nuk kemi dashur ta bëjmë më parë.

Aspekti tjetër për të cilin foli ministri, ka dhe disa komponentë që nuk përfshihen drejtpërdrejtë në buxhetin e Policisë së Shtetit, por që janë investim në funksion edhe të aktivitetit të Policisë së Shtetit. Duke filluar nga sistemi i gjithë kamerave inteligjente në rrugë, fillimisht në akset kombëtare, ku paralelisht me makinat inteligjente që Policia e Shtetit ka futur për herë të parë në funksion në Republikën e Shqipërisë do të kemi një monitorim në kohë reale të të gjithë trafikut në akset rrugore.

E keni dëgjuar këtë dhe më parë nga unë, por sot jemi në fazën kur me një financim të siguruar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është ndërtuar qendra e kontrollit kombëtar të rrugëve në Republikën e Shqipërisë dhe në një proces që vazhdon, po punohet për fillimin e investimit dhe vendosjen e gjithë sistemit të kamerave inteligjente, që do të heqë përfundimisht nga rruga, nga akset kombëtare, patrullat, që qëndrojnë në vend dhe bëjnë kontrolle sipas rastit dhe do ta vendosë policinë në funksion të reagimit, bazuar mbi faktet dhe faktet, do të mblidhen në kohë reale në qendrën e kontrollit.

Ky do jetë kapërcim i madh për mirëqeverisjen e territorit, një kapërcim i madh për racionalizimin e energjive të Policisë së Shtetit, një kapërcim i madh dhe për zhdukjen përfundimtare të ngjarjeve korruptive, rryshfetit, që pavarësisht se janë shumë më pak seç ishin më parë, janë prezentë në gjithë sistemin e marrëdhënies së drejtpërdrejtë mes drejtuesve të mjeteve dhe policëve që ndalojnë mjete për kontrolle dhe do jetë kapërcim i madh për çdo shqetësim reciprok, siç foli vajza këtu dhe nuk bën lajm, për fat të keq kur një drejtues mjeti i thotë fjalën e fundit një punonjësi policie.

Por, edhe siç pamë në rastin e fundit, kur një punonjës policie bën veprimin e fundit dhe më të ulëtin ndaj një qytetareje. Të gjitha këto përfundojnë dhe mbyllen bashkë me kapitullin e kontrollit të territorit me sy dhe me personel, në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarin.

Projekti tjetër që do jetë një ndihmë e jashtëzakonshme për Policinë e Shtetit është një investim tjetër, projekti i satelitëve.

Ju keni dëgjuar për satelitët  me siguri. Keni parë dhe shumë gallatë e humor me satelitët, megjithatë nuk është aspak keq që njerëzit edhe të qeshin sepse e qeshura shëndet bëhet, por, me satelitin që do hedhim të parin në Mars, do kemi në dispozicion të institucioneve shtetërore të dhëna në kohë reale çdo ditë dhe Policia e Shtetit do ketë çdo ditë në dispozicion të dhëna mbi ndërtimet pa leje dhe nuk do jetë më e varur nga sa mirë e bëjnë punën në terren punonjësit e policisë, që siç thashë, për fat të keq, i kanë sytë hapur katër kur shkojnë i bien në qafë një familjeje, në ndonjë fshat dhe i kanë sytë mbyllur kur përpara syve u hidhet zhavorr plazheve të Shqipërisë për të ngritur bankina apo për të hedhur beton për të ngritur struktura.

Ndërkohë, gjithçka do kalojë tek një sy tjetër, që është lart, që nuk ka kushërinj, nuk ka miq, nuk ka parti, nuk ka asnjë lidhje emocionale, por ka vetëm mbledhje dhe kalim të dhënash në duart e autoriteteve që duhet të punojnë me ato të dhëna.

Po ashtu, Policia e Shtetit do ketë nga sateliti të dhëna reale për atë që është një rrugë e përbashkët, ndotjen e mjedisit. Vendgrumbullimet e paligjshme të plehrave, e këtu flas për vendgrumbullime të paligjshme që krijojnë sasi plehrash, jo kazanët e lagjes, janë krime mjedisore dhe polici i shtetit është përgjegjës që në territorin ku ai vepron, t’i identifikojë, jo vetëm vendndodhjet e këtyre skenave krimi, por edhe protagonistët e këtyre krimeve dhe pastaj Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Mjedisit, që jo rastësisht ka kaluar në varësi të Ministrisë së Brendshme, thirret për të vepruar më tutje.

Është e patolerueshme që në pyllin e Sodës të mbushet një sipërfaqe me 3000 metra katrorë zhavorr, për të cilin duhen kamionë e kamionë të tërë që venë e vijnë, 3 minuta nga qendra e qytetit dhe policia as të mos shikojë e as të mos dëgjojë asgjë.

Është e patolerueshme që të hidhet zhavorr për të krijuar platformë pa leje në plazhin e Jonufrës apo përgjatë vijës bregdetare dhe askush të mos dijë asgjë dhe gjithçka të varet nga një qytetar që mund ta shohë dhe mund të marrë mundimin të lajmërojë me mesazh një autoritet të caktuar apo një televizion.

Unë do ju lutesha shumë që, drejtuesit e policisë në radhë të parë, ta lexojnë nen për nen çka është miratuar së fundmi nga parlamenti i Republikës së Shqipërisë në këtë drejtim dhe të lexojë që këto janë krime, që Policia e Shtetit është përgjegjëse dhe goditja e ligjit për ata që i bëjnë ato krime është rënduar maksimalisht. Nuk është më ligji që kur ti kapesh duke mbushur pylli me zhavorr, ty të vihet një gjobë dhe ti e kthen në gjendjen e mëparshme. Ligji është që kur ti bën një akt të tillë, ti arrestohesh dhe shkon përpara drejtësisë.

E njëjta gjë vlen për ndërtimet pa leje.

Është bërë shumë e qartë me ligjin. Nuk ka ndërtim edhe me leje edhe pa leje.

Çdo ndërtim që ka shkelje është një ndërtim i paligjshëm. Nuk mund të ketë 4 kate me leje, 2 pa leje dhe tani duhet të angazhohet gjithë shtetit për të prishur dy katet lart dhe ky tjetri e tentoi njëherë. Jo.

E gjithë godina është e paligjshme dhe për këtë paligjshmëri subjekti merret dhe çohet përpara drejtësisë, ndërkohë që e gjithë prishet. Se kështu e ka ligji i ri.

Ashtu sikundër është e patolerueshme që ndërkohë që ju, Policia e Shtetit jeni përgjegjësit, dhe ndërkohë fajësoheni pafund dhe në shumicën e kohës, padrejtësisht edhe për ata që ngasin makinat papërgjegjshmërisht, dhe ndërkohë që infrastruktura e Shqipërisë ka nevojë akoma për investime që të standartizohet e gjitha. E për këtë arsye, në disa akse, ka pika të nxehta që vënë në rrezik sigurinë e drejtuesve të mjeteve, para syve tuaj të lejoni të krijoni pika të tjera me individë, subjekte që çajnë gardhet aty ku janë, hedhin zhavorr, bëjnë platformë dhe fillojnë e ngrenë një karburant. Këtë nuk e sheh Policia e Shtetit, por e sheh një qytetar që i bie në sy, ndërkohë që aty mund të kalojnë 100 qytetarë në minutë.

Çfarë bën Policia e Qarkullimit Rrugor në Republikën e Shqipërisë?

Me çfarë merret nëse atë që e ka korridorin e vet të punës, rrugën, ja cenojnë në mënyrë të paligjshme?

Është e patolerueshme që të vazhdojnë ato pikat e shitjeve së traktorëve dhe tullave në autostradë. Këto janë çështje që i kemi folur dhe folur.

Jam dakord me ministrin që nënvizoi se duke qenë se tradita e kahershme ka qenë që nuk merrej Policia e Shtetit  me këto punë, është e vështirë kulturalisht për t’u kthyer krejtësisht nga kjo anë, njësoj siç jeni me sytë 24h të fokusuar tek veprimtaria e paligjshme e personave, në raport me krimin, por nga disa vite tanimë. Tani është koha për t’i dhënë fund kësaj. Siç është koha për t’i dhënë fund mbylljes së syve kur kalojnë kamionë të tërë ngarkuar me drurë të prerë në mënyrë të paligjshme. Ndërkohë që Shqipëria është në Moratorium ende, të pyjeve. Siç është në Moratorium akoma të gjahut.

Për këtë arsye, drejtori i përgjithshëm dhe drejtuesit duhet ta ndjekin çdo ditë zbatimin e atij plani për mjedisin, për mbrojtjen e territorin, që është bërë mbi bazën e historisë së suksesit me mbrojtjen e vendit nga kultivimi i kanabisit.

Satelitët do ta bëjnë të pamundur, jo kultivimin e parcelave të tëra, por kultivimin përtej 70 cm, që është pika që sateliti nuk sheh më në mënyrë të detajuar. Pra, çdo ditë, në kohë reale, Policia e Shtetit do ketë para syve çfarë ndodh në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe nuk do jetë më e akuzuar pa lidhje, kur zbulohet një parcelë në majë mali sepse deri në majën e malit nuk ka se si të shkojë çdo ditë inspektori i policisë sepse nuk është vetëm një majë mali, por janë maja të tëra malesh. Kjo merr fund.

Po ashtu për lumenjtë, për mbrojtjen e shtretërve të lumenjve dhe të gjithë këta komponentë kthehen në komponentë të zotëruar plotësisht  nga syri i Policisë së Shtetit përmes një inspektori të vetëm, që është një sy në orbitë.

Nuk po zgjatem për të tjerat që lidhen me satelitët për institucionet e tjera se nuk ju interesojnë, por po kaloj tek një tjetër investim ,që është përsëri jo në buxhet, por është investimi që do përdoret edhe nga Policia e Shtetit për t’i gozhduar, jo vetëm parcelat me kanabis, por për të gozhduar dhe ata që punojnë, për të gozhduar dhe ata që janë të lidhur me ata që punojnë, apo për të gozhduar grupe kriminale, përsëri nga ajri, me dronet inteligjentë.

Dronët inteligjentë do jenë në dispozicion të shumë institucioneve, do jenë në dispozicion të  Policisë së Shtetit dhe do i japë mundësi Policisë së Shtetit, që në kohë reale të organizojë ndjekje personash në kërkim, identifikim personash, deri dhe kur fshihen në pyll, me temperaturën e trupit të tyre, të organizojë shpëtim personash, operacione shpëtimi, së bashku me emergjencat e me radhë, kur personat ngelin në dëborë apo në zgrip dhe nuk kanë qasje në rrjet për tu identifikuar.

Të gjitha këto janë investime masive që ndryshojnë komplet kapacitetin e mbledhjes së informacionit të Policisë së Shtetit, ndryshojnë komplet raportin e Policisë së Shtetit me njerëzit, sepse do ketë gjithmonë e më pak kontakt të drejtpërdrejtë. Kur ka  kontakt të drejtpërdrejtë, policia nuk është aty “Hajde se po kontrollojnë të gjejmë apo jo”, por do jetë aty për të ekzekutuar një vendim të marrë bazuar në një informacion të pakontestueshëm, që është marrë nga qielli. 

E fundit, por jo për nga rëndësia është domosdoshmëria për të vazhduar ngritjen e cilësisë në Akademinë e Sigurisë ku është bërë një punë e mirë, por ku ka ende shumë për t’u bërë sepse duke u kthyer në vitin 2013 ka një të dhënë që është shumë e rëndësishme.

Në vitin 2013 kishim dy të dhëna kuptimplota, lidhur me gjendjen e Policisë së Shtetit. Një e dhënë ishte se Policia e Shtetit kishte 70 % të mjeteve të saj motorike jashtë përdorimit, duke patur parasysh që  100% i mjeteve motorike të Policisë së Shtetit nuk ishte aspak i mjaftueshëm për gjithë veprimtarinë, por edhe 70 % që ishin jashtë përdorimit.

Ë dhëna tjetër ishte që kishte moshën me të lartë me diferencë në raport me ajonin dhe Europën nuk diskutohet dhe nivelin më të ulët të edukimit, shkollimit të trupës policore në rajon dhe me gjerë. Sot, e para është zgjidhur, jo se Policia e  Shtetit nuk ka nevojë për mjete të tjera, por sepse ka të gjithë flotën në funksion të plotë dhe komplet të modernizuar dhe vit pas viti mund të shtojë qetësisht mjete të tjera.

Ndërsa e dyta është në proces, është ulur mosha, por duhet ulur ende më shumë.

Për këtë arsye duhet ta rishikojmë edhe një herë raportin mes Policisë së Shtetit dhe Illyrian Guard.

Illyrian Guard duhet të jetë një shoqëri, e cila është në dispozicion të Policisë së Shtetit dhe të të gjithë atyre punonjësve të policisë që në një moment të caktuar pa e humbur statusin mund të spostohen për të bërë një punë më të lehtë. Nga ana tjetër Illyrian Guard bëhet një shoqëri, e cila rrit performancën, por të cilës  rritet pesha e përgjegjësisë. Duhet domosdoshmërish që edhe Akademinë e Sigurisë ta bëjmë edhe më atraktive, jo vetëm për vajzat dhe djemtë që vijnë edukohen aty për t’u futur në të gjitha ato nivele të punës në terren, por për krimin financiar, krimin kibernetik fusha që për hir të së vërtetës jemi shumë mbrapa.

Në këtë aspekt, një tjetër investim i rëndësishëm që përsëri do të përdoret në disa entitete ku policia dhe Ministria e Brendshme do të jetë një nga entitetet kryesore që do ta përdorin është qendra e re që do të ndërtohet nga Ministria e Mbrojtjes kundër krimit kibernetik një qendër e nivelit më të lartë e teknologjisë.

Të dashur miq dhe shumë të nderuar drejtues dhe punonjës të policisë!

Përpjekja jonë e vazhdueshme ka qenë që ju të ndiheni sa më të respektuar dhe sa më të mbështetur. Dua t’ju siguroj që deri në fund, ne do të bëjmë gjithçka mundemi që ju  të ndiheni edhe më të respektuar dhe më të mbështetur, që ju të jeni, jo vetëm të çmuar sepse bëni një punë të vështirë që në një farë mënyre është dhe vokacion individual, por të jeni edhe më të motivuar sepse në vijimësi e ndjeni dhe ta ndjeni se ky shtet ju çmon si një kapital shumë të rëndësishëm njerëzor, kapital të pazëvendësueshëm njerëzor dhe ne do të bëjmë çmos që vlera e këtij kapitali njerëzor të rritet. Padyshim për këtë, ne do të jemi pranë jush me të gjitha mjetet. Më vjen mirë që kemi arritur dy gjëra të rëndësishme. Së pari, kemi arritur që rekrutimi në Policinë e Shtetit duke filluar që nga rekrutimi në Akademinë e Sigurisë dhe pastaj në Policinë e Shtetit të mos kalojë përmes rrugëve që kalojnë përpara, por të kalojë përmes rrugës së meritës. Nuk mund të them që ka raste që rrugë anashkalohet, por në tërësinë e vet është qartë që partia në pushtet, deputetët e saj, ministrat e saj nuk kanë më asnjë fuqi që të fusin njeri në polici thjesht për hatër.

Këtu dua të bëj një vlerësim të veçantë për rritjen e cilësisë së punës të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme, i cili është kyç dhe me ligjin e ri që së shpejti kalojmë do të bëhet një agjenci jashtëzakonisht e rëndësishme për policinë e shtetit.

Unë kam shumë besim se puna e bërë sidomos në periudhën e fundit dhe rezultat e arritura dhe mesazhi i dhënë nga shërbim se këtu nuk ka ta paprekshëm dhe se këtu gjithkush që shkel uniformën përballet me ligjin, na e bëjnë të ardhmen e afërt shumë inkurajuese. Nga ana tjetër, përveç këtij aspekti është aspekti shumë i rëndësishëm i vlerësimit të vazhdueshëm të meritës edhe brendapërbrenda Policisë së Shtetit. Kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme, brenda Policisë së Shtetit e do vazhdojnë të ndodhin ndryshime të rëndësishme sepse askush nuk do të mundet të qëndrojë në një detyrë të lartë, nëse nuk është në lartësinë  e detyrës.

Gjithkush që ka më shumë për të dhënë do ta ndiejë se do t’i jepet mundësia të japë më shumë.

Ju falënderoj shumë dhe me shumë respekt përsëri edhe me urimet më të mira për ju dhe gjithë familjet tuaja, të cilat mbajnë një barrë shumë të veçantë ndryshe nga familjet e tjera në përgjithësi sepse  ju jeni në një front shumë më të vështirë dhe ata jetojnë me një stres shumë të posaçëm.

Zoti i bekoftë familjet tuaja dhe më e mira u bëftë për ta dhe ju të gjithë!

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm