Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Buxheti 2022 – Rinia dhe Fëmijët

Të reja

Buxheti 2022 – Rinia dhe Fëmijët

19 Nov 2021    

Buxheti 2022 – Rinia dhe Fëmijët

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me nxënës mbi aspekte të buxhetit 2022 për Rininë dhe Fëmijët: 

Mirëmbrëma dhe shumë faleminderit për mundimin për të qenë të gjithë këtu së bashku!

Në mos gaboj, është takimi që ne bëjmë në ciklin e takimeve për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe për hir të së vërtetës, është takimi më i vecantë, jo thjeshtë për faktin se ju jeni një kategori e veçantë, por për faktin nëse për këtë kategori, buxheti i vitit të ardhshëm dhe buxhetet e viteve të ardhshme kanë pjesën e risive më të rëndësishme. Ndërkohë që, në kategoritë e tjera, gjërat janë pak a shumë në kuadrin e një vizioni dhe pune të bërë prej disa vitesh tanimë.

Këtu, sa i përket rinisë dhe fëmijëve, buxheti fillon të adresojë specifikisht disa çështje të përditshmërisë suaj, qoftë në shkolla dhe qoftë edhe pas shkolle. 

Për hir të së vërtetës, dua të përsëris atë që tha Bora, si një vlerë të shtuar të kontributit të drejtpërdrejtë të atyre ndër ju që kanë marrë pjesë në takimet e organizuara për Strategjinë e Rinisë, por edhe të gjithë atyre të tjerëve që kanë marrë pjesë dhe nuk janë këtu sot të pranishëm sepse na kanë ndihmuar shumë realisht, për të kuptuar se cilat janë pikat kyçe, mbi të cilat ne mund të fillojmë të ndërtojmë këtë hartë të re të angazhimeve dhe investimeve për kategorinë tuaj.

Faktikisht, ka qenë shumë interesante pjesëmarrja në ato takime që unë kam mundur të marr pjesë, Bora ka bërë shumë më tepër, për faktin se disa gjëra kanë qenë të përsëritura me këmbëngulje, pavarësisht se shkollat ku ne kemi qenë, kanë qenë njëra në veri e tjetra në jug të vendit dhe me siguri nuk kishte komunikim mes nxënësve nga një shkollë dhe një shkollë tjetër, por nevojat e identifikuara dhe shqetësimet e përbashkëta ishin realisht, në mënyrë mbresëlënëse, shumë të ngjashme. 

Kjo është dhe arsyeja pse, për shembull, ne për herë të parë kemi adresuar në mënyrë të vecantë, jo si zë të përfshirë në zërin e përgjithshëm të investimeve për shkollat, por në mënyrë të veçantë për nevojat për rritjen cilësore të nivelit të laboratorëve të shkollave.

E kemi vënë re në të gjitha takimet që laboratorët, të cilët ne kemi në inventarët e ndërtesave apo në të cilët nxënësit marrin mësim, nuk arrijnë dot të plotësojnë nevojën e tyre për të ofruar mjete dhe instrumente cilësore, në mënyrë që mësimi i teorisë të mund të kalojë në praktikë, duke pasur në dorë të gjithë instrumentat e nevojshëm. Laboratorët janë të varfër, puna në laborator shpeshherë vazhdon të bëhet me fjalë e jo me instrumenta në dispozicion dhe me eksperimente në potencialin e mundshëm të laboratorëve.

Ashtu sikundër, për laboratorët e informatikës mund të thuhet me plot gojën që janë larg së qeni në gjendje të plotësojnë nevojën e domosdoshme të mësimit të informatikës për të qenë mësim, i cili nuk mundet dot të jetë thjesht teorik, por për të qenë mësim aktiv dhe gjithëpërfshirës.

Ne do bëjmë një ndryshim rrënjësor të laboratorëve. Do fillojmë menjëherë qysh në fillim të vitit të ardhshëm me mirëpajisjen e tyre pjesë-pjesë dhe do bëjmë një ndryshim rrënjësor të mësimit të informatikës, duke përfituar dhe nga një mësim që na e dha pandemia, ku pamë dhe kuptuam që nuk ka nevojë të jemi të gjithë në një hapësirë të përbashkët fizike për të ndërvepruar bashkërisht. Këtë gjë, ju e provuat vetë në praktikën tuaj me mësimin online, ne e provuam në praktikën tonë me shumë aktivitete, qoftë aktivitete të brendshme të qeverisë, qoftë aktivitete me institucione të tjera, qoftë dhe aktivitete ndërkombëtare pa lëvizur fare nga zyra.

Kështu, ne jemi duke punuar për t’u bërë gati për vitin e ardhshëm shkollor sepse kjo do kërkojë një periudhë paraprake investimi, një sistem krejt të ri të mësimit në klasë në laboratorët e informatikës, duke iu vënë në dispozicion mësuesit më të mirë të informatikës, të cilët do jenë trupa udhëheqëse e të gjithë mësuesve të informatikës që pastaj janë të shtrirë nëpër klasa dhe duke organizuar orët e mësimit të informatikës me orare të njehsuara në një numër të caktuar shkollash në mënyrë që një mësues nga qendra e këtij sistemi të mund të komunikojë me shumë klasa në të njëjtën kohë dhe kjo do u shërbejë dhe mësuesve që janë në klasë që të rrisin kapacitetin e tyre në dhënien e mësimit të informatikës.

Nga ana tjetër, për ne është absolutisht e qartë që nëse duam të kemi në Shqipëri një treg që të ofrojë punë të shumë mirëpaguar për më të rinjtë dhe një fuqi të re në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, duhet të investojmë shumë në njohuritë kompjuterike, teknologjike të më të rinjve, duke filluar nga fëmijët e klasës së parë.

Është fjala për një gjuhë të re, që nuk është anglisht, nuk është frëngjisht, nuk është gjermanisht, por është një gjuhë që do bashkojë nesër të gjithë botën, ndërkohë që sot bashkon një numër shumë të konsiderueshëm njerëzish që punojnë aktualisht në një treg, i cili nuk ka kufi. 

Këtu kemi një prej tyre. Unë kam pasur fatin ta njoh në takimin që bëmë në Durrës. Banon në Durrës, është nga ajo zona rurale e Durrësit dhe prej dy vitesh punon në Amerikë dhe në Poloni pa lëvizur nga shtëpia. Nuk e kam pyetur dhe nuk do e pyes këtu se sa paguhet, por të jeni të bindur që paguhet më mirë se mësuesit që ka në shkollë, nuk diskutohet.

Kjo është e ardhmja. Por, për ta bërë të ardhmen të tashme, siç e ka bërë vajza pa asnjë ndihmë dhe për ta shtrirë kapacitetin e të rinjve në shumë më tepër sesa në grupin e atyre që këtë punë e bëjnë thjeshtë dhe vetëm me ambicien, talentin dhe vullnetin e tyre, na duhet që të bëhemi aleatët tuaj, partnerët tuaj, në një rrugë ku hap pas hapi, ju të keni hapësirat dhe mundësitë për të përvetësuar këtë gjuhë.

Kjo do të thotë që nga një anë, sistemi i ri të mësuarit të teknologjisë përmes mësimit të informatikës në shkollë që do ngrihet në një nivel të ri dhe këtë do ta bëjmë me siguri duke ndryshuar edhe kurrikulën e mësimit të informatikës, për të cilën kemi filluar punën, dhe nga ana tjetër, për t’u dhënë atyre që janë më të prirur sesa pjesa tjetër, kohë, hapësirë dhe mundësi që të zhvillojnë dijet e tyre edhe pas shkolle, duke pasur qendra apo njësi speciale në territor ku mund të marrin mësime intensive dhe falë të cilave mund të përfshihen, edhe pa e mbaruar akoma shkollën, në tregun global të punës online. 

Ka filluar një eksperiencë e parë, e cila tregon shumë qartë që është e pafundme mundësia në këtë fushë, por është njëkohësisht edhe e destinuar të rritet në mënyrë eksponenciale kërkesa. Është eksperienca me qendrën që është hapur tek Stadiumi, tek “Arena Kombëtare”, që do të zgjerohet me Piramidën dhe ndërkohë ne kemi filluar punën bashkë me Borën dhe drejtoren e Agjensisë Kombëtare të Teknologjisë, të AKSHI-it për të pasur edhe dy qendra të tjera, të paktën dy, ku të shtrihet eksperienca e këtyre qendrave, një në Vlorë dhe një në dy ndër qytetet që do jetë më shpejt gati, Durrësi ose Shkodra. 

Ambicia është që brenda këtij mandati, ne të kemi qendra të tilla në çdo bashki qendër qarku, minimalisht. 

Nuk mbaron këtu sepse këto qendra kryejnë një funksion të caktuar, ndërkohë që pjesa tjetër janë kurset intensive të kodimit, për të cilat ne duam të angazhojmë aktorë të certifikuar në treg, me certifikata ndërkombëtare, të cilët të jenë në dispozicion dhe të hyjnë në një ndërveprim intensiv me të gjithë djemtë dhe vajzat e shkollave që kanë dëshirë të thellojnë njohuritë e tyre dhe të kontribuojnë në këtë fushë. 

Këtu, buxheti i vënë në dispozicion është i konsiderueshëm vetëm për fazën e parë. Ne jemi të vetëdijshëm që kjo do kërkojë një buxhet në rritje eksponenciale, por ama çka do të marrim mbrapa dhe jo duke pritur shumë vite, por duke filluar nga 2-3 vite nga sot, do jetë eksponencialisht diçka fantastike për ekonominë kombëtare, por edhe për ekonominë familjare të gjithsekujt që do përfshihet në këtë proces.

Nga ana tjetër, dihet që teknologjia, kompjuterat, ato mrokllat që i keni të gjithë nëpër duar janë pjesë e pandashme e jetës së përditshme dhe gjithnjë e më shumë si një shqisë plus, por nuk duhet të harrojmë atë që është e pamundur të merret nga kompjuterat, nga teknologjia, që ka të bëjë me një sërë anësh të tjera të qenies njerëzore, që ka të bëjë me kulturën, me artin, që ka të bëjë me dijen, me historinë, shkencat humane, që ka të bëjë me shqisat, me fizikun, me duart, me sytë, me ato punë, të cilat kompjuterat nuk mund t’i bëjnë kurrë dhe në fund të ditës, kompjuterat gjithsesi do arrijnë të bëjnë aq shumë sa njerëzit do dinë.

Për këtë arsye, një aspekt tjetër që e kemi dëgjuar dhe më ka ardhur mirë me thënë të drejtën që ka qenë i përsëritur si shqetësim, është aspekti i mbushjes së boshllëkut mes shkollës dhe shtëpisë, që është një zonë bosh aty komplet, me mundësinë për të pasur biblioteka të pasura.

Bibliotekat e shkollave tona, fatmirësisht në shumë shkolla të rindërtuara, në të gjitha shkollat e reja që kemi ndërtuar pas tërmetit kemi hapësira fantastike, hapësira për biblioteka që nuk imagjinoheshin më përpara, por janë të varfra, shumë të varfra.

Për këtë arsye, kemi vendosur një fond të veçantë për të filluar pasurimin e bibliotekave të shkollave. Bibliotekat janë vetëm një nga elementët. 

Elementi tjetër është hapësira për ushtrimin dhe për zhvillimin e talenteve artistike, që nga piktura, vallëzimi, muzika, teatri dhe me radhë, për të cilën ne duam të organizojmë komplet një sistem të ri, duke krijuar një nivel të parë në shkolla, bazuar tek dëshira dhe një nivel të dytë, më të kualifikuar, bazuar tek seleksionimi i atyre që janë më të avancuar. 

Çfarë do të thotë kjo?

Kemi vendosur një fond në dispozicionin tuaj, që do vihet në lëvizje nga ju. Pra sot, nëse ka klube në shkolla, të krijuara nga vullnetarizmi i vetë nxënësve, bashkë me prindërit, bashkë me disa mësues, për zeje, pikturë e gjithfarë aktivitetesh, me këtë fond, këto klube mund të marrin mbështetje. Por dhe të tjerët që deri më sot nuk janë të përfshirë, nëse organizohen dhe nëse bëjnë një projekt të besueshëm mund të marrin mbështetje për atë klubin e tyre të shkollës. E njëjta gjë për vullnetarizmin, që Bora e tha. Ka qenë një kërkesë e përsëritur e shumë nxënësve që duam që vullnetarizmi të stimulohet, por dhe të certifikohet. Pra duam që kur marrim pjesë në aktivitete vullnetare, ta kemi një certifikatë e cila na duhet nesër, madje ka pasur nxënës që propozonin që kjo certifikatë duhet të arrijë të futet edhe në koeficientin e vlerësimit për të hyrë në universitet, si një nga elementët e vlerësimit të personit, por kjo mbase është shumë vizionare për momentin. Ajo që është e rëndësishme është që kjo certifikatë mund të vlejë nesër edhe për të kërkuar punë e për të marrë një punë dhe ne duam që tua japim mundësinë të gjithë atyre që duan të organizohen në klube vullnetare, që të kenë mbështetje financiare modeste, për të pasur një impakt minimal me aktivitetin e tyre kur dalin nga muret e shkollës e ju them që çdo iniciativë që do të jetë iniciativë vullnetare për të kontribuar për ta pasur Shqipërinë më të pastër, do të jetë një iniciativë prioritare për ne për ta mbështetur. Ne duam që të bëjmë çmos që bashkë me ju ta shtyjmë sa më përpara axhendën e Shqipërisë së gjelbër, e Shqipërisë së pastër.

Sot janë të moshës suaj protagonistët botërore të lëvizjes ekologjike, të lëvizjes për të mbrojtur planetin nga ndryshimet klimatike, por çka po flasim këtu  i përket një niveli elementar. Pastërtia në mjedis, në mjedisin ku jetojmë dhe kush tjetër më shumë dhe më shpejt se sa ju mund t’i bëhet krah kësaj përpjekjeje, duke filluar ndarjen e mbeturinave dhe përgatitjen e tyre për riciklim që nga shkolla, që nga të paktën çfarë mbeturinash prodhon shkolla, të ndahen e të bëhen gati për riciklim.

Kush më shpejt dhe më mirë nga ju mund ta kuptojë e mund ta bëjë edhe ndikimin e opinionit publik në komunitetet ku jeni, duke u organizuar vullnetarisht për jo kush e fut e kush nuk e fut shishen e birrës në kosh, duke ecur ndërkohë me makinë. Jo! Autostradat me plehra të hedhura nga njerëzit janë aty si shëmbëlltyra më kuptimplotë e faktit që ne marrim pjesë masivisht në ndotjen dhe në turpërimin e vendit tonë, atdheut tonë. Bëjmë në hapësirën tonë të përbashkët, në shtëpinë tonë të përbashkët atë që kurrën e kurrës jo nuk do ta bënim, por nuk do ta pranonim që ta shihnim në shtëpinë e dikujt, kur shkojmë për vizitë.

Shqiptarët kanë pasur periudha shumë të vështira, por kurrë nuk kam lexuar të paktën, në kujtimet e udhëtarëve që kanë kaluar nga ky vend në kohëra shumë më të largëta, që shqiptarët të kenë karakteristik pisllëkun, që shtëpitë shqiptare të jenë pis. Unë nuk e kam gjetur dhe niveli i jetesës nuk është një arsye. Niveli i jetesës, edhe varfëria po të doni, nuk është një arsye për të qenë pis.

Ndërkohë që, kam parë vende të pasura, që kanë pasur problem me pisllëkun, edhe Parisi ka pasur probleme të mëdha me pisllëkun, por vende të pista, që të pasurohen, nuk kam parë në histori, nuk mundet. Kështu që, këtu është një sfidë e madhe e përbashkët, por këtu shkolla, ju në shkollë, në atë hapësirën midis shkollës, mësimit dhe shtëpisë, mund të jepni një kontribut dhe ne duam që të jemi në mbështetje.

Vijmë tek pjesa tjetër që ka të bëjë me sportin. Jam dakord që dy orë fizkulturë në javë janë pak, por janë më shumë se sa fare dhe ju e dini shumë mirë, ose nëse nuk e dini, po jua them unë që kur ne e filluam punën, e kishin hequr fare fiskulturën prej shumë vitesh, nuk kishte fare fiskulturë.

Tani ka ardhur koha që ne ta çojmë në një nivel tjetër marrëdhënien e shkollës me sportin, duke ju dhënë mundësi të gjithë atyre që duan të bëjnë sport më shumë, që ta kenë hapësirën, t’i kenë kushtet për të bërë sport më shumë, përtej atyre dy orëve të fizkulturës që janë pjesë e procesit të zakonshëm mësimor.

Këtu ka shumë prindër në vendin tonë, në Tiranë sidomos, por dhe në qytete të tjera, që paguajnë shumë, janë me dhjetëra, mijëra, që paguajnë shumë për të ccuar fëmijët e tyre nëpër klube sportive të llojllojshme. Është shumë e nevojshme që ne ta sistemojmë gjithë këtë po themi mori klubesh sportive, por është e domosdoshme që ne t’u japim mundësi shkollave që të kenë skuadrat e tyre dhe jo vetëm të kenë skuadrat e tyre, por t’u japim nxënësve që merren me sport edhe pikë, siç janë në vendet e tjera, në funksion të ecurisë së tyre të mëtejshme.

Vitin e ardhshëm, Tirana është kryeqyteti europian i rinisë, i shpallur, jo nga ne, por i shpallur në kuadrin e programit të kryeqyteteve europiane të rinisë dhe për vitin e ardhshëm, Tirana ka fituar këtë mundësi të artë për të qenë kryeqyteti europian i rinisë e ne duam që vitin e ardhshëm të fillojmë punën për ta ringritur komplet sistemin e sportit në  shkollë e për të pasur një lëvizje sportive në të gjithë shkollat e vendit, që do të thotë, shkollat që kanë skuadrat e tyre, që janë skuadra që marrin pjesë në kompeticione midis shkollave të të njëjtës bashki e në kompeticione kombëtare. Besoj që është plotësisht e mundur.

Sot kemi mundësi ta bëjmë këtë sepse kemi shumë palestra. Kur ne luanim basketboll ose volejboll profesionist këtu, në gjithë Tiranën, palestrat numëroheshin me gishtat e dorës dhe ne bënim stërvitje tek palestra, që sot nuk ekziston më, e klubit “Studenti” që ishte aty, ku është sot Ministria e integrimit përballë stadiumit, pra në bulevard, aty në fund, përballë Akademisë së Arteve dhe nga ana tjetër e stadiumit dhe po ju them që ajo palestër ku stërviteshim ne që ishim ekip gjysmë profesionist dhe disa skuadra të tjera, sot nuk është në standardet e palestrave të shkollave të ndërtuara pas tërmetit.

Palestrat e shkollave të ndërtuara pas tërmetit janë palestra që në atë kohë as nuk mund të imagjinoheshin për sportistë gjysmë profesionist. Kështu që e kemi mundësinë me gjithë këto palestra dhe me ato të tjerat që do vazhdojnë të ndërtohen se ka akoma palestra për t’u ndërtuar, - edhe me gjithë ato terrenet sportive që janë, megjithëse ka shumë më tepër nevojë për t’u ndërtuar, - që të kemi një jetë, një lëvizje sportive në nivelin e shkollave nëntëvjeçare e të mesme, e cila të jetë mbështetje për shëndetit, të jetë mbështetje psikologjike për më të rinjtë e të jetë bazë për lëvizjen sportive të nivelit më të lartë të vendit tonë.

Nuk është një shpikje, është diçka që thjesht duhet ta bëjmë dhe kaq sepse jemi mbrapa në këtë drejtim, por nuk kemi pasur mundësi as ta konceptojmë një gjë të tillë në kushtet kur e kemi nisur punën me një infrastrukturë që ishte ku thërret qameti e ku mundësia për të organizuar skuadra e për të pasur stërvitje ishte realisht shumë e kufizuar.

Këto janë pak a shumë temat e buxhetit për rininë dhe për fëmijët.

Po flas këtu me ju që jeni në gjimnaze, por e njëjta gjë vlen kur është fjala për lëvizjet sportive edhe për universitetet. Të njëjtën gjë duam të bëjmë e për të njëjtën gjë do të shtyjmë përpara, por lajmi i mirë për të cilin mendoj që ju duhet të mendoni pozitivisht sot, është që një pjesë jo e vogël e atyre gjërave që ne i kemi dëgjuar prej jush, tani janë në rrugën e realizimit. Pra janë të financuara, janë në buxhetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe do të fillojnë menjëherë qysh nga janari, të zbatohen.

Nga ana tjetër, duhet të jeni ju që duhet të shtyni më shumë, duhet të jeni ju që duhet të organizoni veten në grupe të caktuara dhe që duhet të insistoni me projekte konkrete, me aplikime konkrete, natyrisht që sa më shumë aplikime të bëhen, aq më shumë do rritet numri i atyre që do zhgënjehen sepse nuk mund të plotësohet dëshira e të gjithëve në një fazë të caktuar, por për momentin besoj që nuk duhet që ne të mbetemi pa aplikime e që ato fonde pastaj që janë të dedikuara për ju, për aplikimet tuaja, të shkojnë për diçka tjetër.

Këtë nuk duhet ta lejojmë dhe nga ana tjetër, kjo do t’ju ndihmojë ju që të provoni në jetën tuaj të përditshme diçka shumë të thjeshtë. Kush rri dhe i kërkon të gjitha nga shteti dhe kush rri dhe pret punë shteti dhe kush rri dhe pret që të kalojë jetën nën sqetullën e shtetit, nuk është i gatshëm të përballojë sfidat për të bërë një kapërcim më të madh, ndërsa kush shkruan projekte, kush mëson se si të shkruajë projekte, fillon dhe sheh që mundësitë për të financuar idetë, për të financuar plane të caktuara e për të financuar patjetër edhe veten, janë shumë më të mëdha.

Mundësia për të pasur sot, pavarësisht moshës, një pagesë që i tejkalon të gjitha pagat e gjithë sistemit të pagave të Republikës së Shqipërisë, në tregun online janë reale. Ja ku e keni një shembull dhe nuk është i vetmi, ka qindra e qindra. Duhet të jenë dhjetëra e mijëra dhe është e mundur, por po ashtu, mundësitë për të pasur akses në fonde të caktuara të organizatave, të institucioneve, por edhe në fonde të caktuara të shtetit, flas këtu përshembull për fondin e kinemasë apo për fondet e projekteve të kulturës, janë aty, ama duhet të mësohemi me kulturën e projektit. Me fjalë mund të jesh idenë më fantastike, por ideja e folur nuk financohet dot. Financohet projekti! E mos e harroni atë që thoshte Walt Disney, diferencën midis ëndrrës dhe realitetit, e bën  projekti. Nëse ke një projekt, atëherë mund ta kthesh ëndrrën në realitet. Nëse sheh  ëndrrën dhe ndërkohë, flas për ëndrrat me sy hapur, atyre me sy mbyllur mos i besoni. Ato që shihen me sy hapur, atyre besojini, sepse përderisa i sheh, domethënë edhe që mund t’i realizosh, pastaj duhet llogaritur se sa je i gatshëm të sakrifikosh. Atëherë, projekti ta jep mundësinë dhe projekti është në një rast të caktuar plani yt për të arritur atje, do të shkosh dhe të shkëlqesh në fushat e Champions League apo do të shkëlqesh në teatrot më të mëdhenj të botës, të duhet një projekt, por në këtë rast është projekti yt personal, plani yt. Ndërkohë që, do të marrësh fonde për të bërë diçka që krijon një të mirë publike, të duhet një projekt, të duhet të trokasësh në institucione të caktuara e të thuash “unë kam këtë projekt, ne jemi 5 veta, vijmë nga shkolla filan dhe ne e kemi këtu projektin. E dimë se çfarë duam dhe e dimë se si bëhet. Ne nuk i kemi lekët dhe duhet të na ndihmoni e nëse nuk na ndihmoni dot për të gjitha lekët, na ndihmoni për një pjesë të tyre e na ndihmoni si të gjejmë të tjerat” dhe të jeni të bindur që funksionon. E pastaj gara bëhet se kush arrin të fitojë me projektin, patjetër se edhe aty është një garë, por ama duke ndenjur, duke pritur që kjo gjë të ndodhi, se do planifikohet nga ministria, do ta bëjë drejtoria, do shkojë tek drejtoria e shkollës, kjo mund të ndodhi e mund të mos ndodhi, por sado që të ndodhi do jetë shumë më pak, sesa ajo që duhet të ndodhi dhe në shumë raste do të ndodhi në një drejtim që nuk është interesi i një pjese. Një pjesë do që të merret me diçka krejt tjetër dhe për atë duhet që të bëjë projektin e të thotë ja kush është ideja, ja pse duhet financuar ky projekt, ja çfarë të mirash sjell ky projekt për shkollën apo për komunitetin ku ne jemi apo për gjithë shoqërinë dhe ja pse është mirë që edhe projekti ynë të merret në konsideratë, pavarësisht se mund të jetë komplet një gjë risi që nuk i ka shkuar mendja as qeverisë, as drejtorisë, as ministrisë.

Kështu që, mos kini asnjëherë frikë të shikoni ëndrra me sy hapur dhe duhet të gjeni vetë kurajon që t’i ndiqni ëndrrat tuaja, duke qenë në gjendje të mos dorëzoheni, t’i shkoni deri në fund. Besoj që viti i ardhshëm do të sjellë gjëra të reja për shkollën, në këto aspekte që folëm sot sepse sot ishim këtu me Borën për pjesën që ka të bëjë me atë hapësirën midis mësimit dhe shtëpisë dhe do të jetë shumë e rëndësishme, jo ajo që do bëjmë ne, por dhe ajo që do bëni ju, do jetë shumë e rëndësishme sepse ju keni shumë më tepër mundësi se sa ne, të kuptoni se çfarë janë gjërat më të rëndësishme e ato më pak të rëndësishme, në kushtet e procesit tuaj në shkollë dhe pas shkolle. E nëse sot, ne i kemi vënë në vijë disa prej gjërave, kjo është vetëm si rezultat i faktit që ju i keni ngritur në mënyrë të përsëritur dhe ne kemi pasur mençurinë që t’i dëgjojmë. Nuk kemi bërë sikur po ju dëgjojmë dhe hajde po mblidhemi dhe po bëjmë miting, por realisht kemi dëgjuar dhe realisht kemi kuptuar disa gjëra që nuk i kupton dot ndryshe.

Demokracia prandaj është më e mira nga të gjithë të këqijat, siç thoshte Churchill, sepse jep mundësinë të shkosh përpara duke pasur në themel parimin që shteti nuk i di të gjitha, qeveria nuk i di të gjitha, ekspertët nuk i dinë të gjitha dhe sinergjia e të gjitha forcave përfshirë dhe njerëzit e zakonshëm, kategoritë e caktuara, grupet e interesit, me ata që kanë detyrën dhe mundësinë që t’i shtyjnë gjërat përpara, bën që shumë gjëra që përndryshe do mbeteshin të pa adresuara, të adresohen. Duke pasur parasysh këtë, ju duhet të jeni këmbëngulës.

Unë di që këtu janë disa që vijnë nga senatet e gjimnazeve. Këto senatet nuk e di se me çfarë merren tjetër, do Zoti që nuk i ngjajnë Parlamentit tonë, shpresoj, uroj dhe besoj, por së paku në këto drejtime që folëm, mund të marrin përsipër diçka më shumë se sa deri tani. Mund të marrin përsipër që të jenë ura që lidhin bazën e nxënësve me institucionet, qoftë me drejtorinë e përgjithshme, qoftë me ministrinë, qoftë dhe me qeverinë.

Tani ju keni një ministre që është aty vetëm për këtë punë, për asgjë tjetër, vetëm për këtë punë dhe duhet ta shfrytëzoni këtë mundësi, duke mos e harruar kurrë që nëse fëmija nuk qan, edhe nëna që dihet që jep gjithçka për fëmijën, nuk i jep qumësht. Faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm