Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Buxheti 2022 - Shëndetësia

Të reja

Buxheti 2022 - Shëndetësia

18 Nov 2021    

 

Buxheti 2022 për shëndetsinë

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me mjekë dhe infermierë mbi aspekte të buxhetit 2022 për Shëndetsinë

Mirëmbrëma të gjithëve dhe faleminderit shumë për mundimin për të qenë të pranishëm këtu në këtë salle.

Në kujtesën time, nuk është hera e parë që mblidhemi dhe mbase në kujtesën tuaj është shënuar që angazhimet e marra në këtë sallë, duke filluar nga angazhimet pagat tuaja, janë pasuar me fakte.

Faktikisht, sot, qysh prej hapit të parë që kemi hedhur pagat e mjekëve dhe infermierëve janë rritur 63 %. Natyrisht që, ne nuk jemi të vetëpërmbushur nga ky fakt dhe ambicia jonë është që pagat të vazhdojnë të rriten çdo vit me synimin për të kapur plus 40 % brenda këtij mandati të tretë, duke filluar nga një plus 6% e vitit të ardhshëm.

Kur e sheh sot panoramën e ndryshimeve në shëndetësi, të vjen, ose të paktën mua personalisht, më vjen gjithmonë parasysh ajo shprehja që, “E keqja harrohet shpejt, ndërsa e mira nuk ka asnjëherë fund” dhe natyrisht kjo është në natyrën njerëzore sepse nëse njeriu do ishte peng i të këqijave që kalon, do ta kishte të pamundur të aspironte për të mira shumë më të mëdha sepse do ishte i pafuqishëm.

Megjithatë, është sidoqoftë e rëndësishme që, ndërkohë që aspirojmë me shumë të drejtë për shumë më tepër dhe ndërkohë që patjetër, gjithçka është bërë dhe në fushën e shëndetësisë, si në të gjitha fushat e tjera, nuk le vend për asnjë moment vetëkënaqësie sepse ka akoma jo pak boshllëqe për të mbushur. 

Le të mos harrojmë nga jemi nisur dhe se çfarë situate e paimagjinueshme sot, për hir të vërtetës, ka qenë kur ne morëm detyrën, ndërkohë që për ju ka qenë jeta juaj e përditshme profesionale në një xhungël ku falë përpjekjeve të jashtëzakonshme të gjithë bluzave të bardha dhe një vetëmohimi që, për fat të keq, askush asnjëherë nuk e mban parasysh kur flet për mjekë e infermierë, të cilët gjëja më e kollajshme që shumëkujt u vjen në gojë është fjala e keqe.

Atëherë, vërtetë është shumë inkurajuese kjo që kemi bërë. Natyrisht, e tha dhe Ogerta, ne detyrën bëjmë sepse e dëgjoj dhe këtë shpesh për punët e mira që, kur punët janë vërtetë të mira dhe nuk ke çfarë thua në atë moment, atëherë janë disa që e gjejnë këtë fjalinë “Hë mo se detyrën bëtë”.  Patjetër! Ne për detyrën jemi zgjedhur, nuk jemi zgjedhur për të bërë magji dhe për detyrën zgjidhen të gjithë gjithmonë.

Të gjitha qeveritë për detyrën krijohen, nuk krijohen për të bërë mrekullira jashtëtokësore. Dallimin e bën fakti se si bëjnë detyrën dhe kur imagjinon që volumi i investimeve në letër për sistemin tonë shëndetësor i  25 viteve që e pararendën këtë periudhë transformimi është më i madh sesa volumi i investimeve të kryera në këto disa vite dhe kur krahason rezultatin e atij volumi investimesh dhe rezultatin e këtij volumi investimesh, atëherë është e pamundur të mos brengosesh nga sa shumë kohë është humbur, sa shumë dëme janë bërë dhe nga ana tjetër, nuk do jetë e vështirë të kuptosh që është shumë më e vështirë të rindërtosh diçka që është ndërtuar mbrapsht, sesa të ndërtosh diçka nga themelet, nga e para. E jo më pastaj të rindërtosh nga e para, pasi gjithçka që është aty është e pamundur të vazhdojë të mbahet. 

Kur mendon se me cfarë instrumentesh mjekësorë punonit ju deri para pak vitesh. Është e paimagjinueshme që në mes të Europës, në mes të Shqipërisë, në spitalin më të madh dhe më të rëndësishëm, në maternitete e për të mos folur pastaj për spitalet e tjera, mjekët hynin në salla operacionesh  si në salla tregimesh nga koha e luftës, në aspektin e instrumentave mjekësorë që kishin në dispozicion. Kjo nuk ndodhte dhjetëra vite përpara, por ndodhte vetëm deri pak vite më parë.

Sot është diçka absolutisht tjetër. Apo kur mendon çfarë bëhej në Qendrën Spitalore Universitare deri para disa vitesh. Një stacion i madh trenash që vinte nga të katërta anët, një zhurmë, një rrëmujë, një vështirësi e paimagjinueshme për personelin. Ndërkohë, sot, patjetër aty ende është kantier i hapur. E dimë shumë mirë dhe ju e dini edhe më mirë që çfarë akoma mungon për ta plotësuar të gjithë mozaikun, por nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm. Apo kur mendon për gjithë gamën e analizave dhe cilësinë e tyre. 

Është e padiskutueshme që sot, kushtet profesionale për mjekët dhe infermierët janë shumë më dinjitoze dhe krijojnë një bazë shumë solide për të marrë vendimet e duhura.

Apo kur kujton se sistemi i rimbursimit, deri para disa vitesh, linte jashtë afro 600 mijë njerëz të pasiguruar për shkak mundësish dhe sot nuk ka asnjë jashtë. Kur mendon që volumi financiar i rimbursimeve është më shumë sesa dyfishuar, pothuajse trefishuar, dhe mbulon çdokënd, pavarësisht se është i siguruar apo jo. Ndërkohë, deri dje, ju e dini shumë mirë se çfarë vuanin spitalet, edhe spitalet më kryesore në aspektin e medikamenteve që i duheshin spitaleve. 

Pastaj, nuk diskutohet që është e paimagjinueshme që në çfarë gjendjeje ishte infrastruktura e shërbimit parësor dhe qendra shëndetësore, të cilat nuk kryenin asnjë funksion tjetër përveç funksionit që vinte në dispozicion mjeku atje me dijeninë dhe përkushtimin e vet, pa qenë në gjendje t’iu ofrojë, jo njerëzve që qaseshin në ato karakatina, por as njerëzve të ekipit dhe as vetes së vet, kushte pune normale, nga pikëpamja fizike. 

Ndërkohë, sot, patjetër ka akoma qendra shëndetësore që janë si ato që sapo përmenda por janë 300 qendra në pika kyçe, të cilat nuk kanë të krahasuar për nga standartet që ofrojnë, qoftë për mjekët, qoftë për infermierët, qoftë për njerëzit në nevojë për një vizitë dhe ndërkohë, kanë kontribuar ndjeshëm në lehtësimin e presionit të jashtëzakonshëm mbi spitalet kryesore dhe sidomos mbi spitalin tonë kryesor, më të madhin këtu në Tiranë. 

Për të mos folur pastaj për atë që për mua mbetet një nga gjërat më të pashpjegueshme të historisë së gjithë këtyre viteve dhe me këdo që jam munduar ta gjej një opinion me njëfarë shpjegimi, nuk e kam gjetur dot nga gjithë mjekët që kam folur, ata që shërbejnë në Fakultetin e Mjekësisë, ndërprerja e specializimeve.

4 vjet, i vetmi vend në planet, pa asnjë specializim. Natyrisht, që u krijua një hendek 4-vjeçar që u përkthye pastaj në një mungesë dramatike specialistësh në sistemin shëndetësor. 

E pashpjegueshme, e pakuptueshme, por një shenjë kuptimplotë e faktit që sistemi nuk qeverisej, thjesht shpërdorohej, për ta thënë me fjalë të butë, sepse ka fjalë dhe më të rënda, ndoshta dhe më të merituara, por shpërdorohej.

Sot jam i bindur që shumëkush nga ata që kanë pasur mundësinë të dëgjojnë doktorin që hapi këtë takim, do kenë menduar gjithçka përveçse asaj që ai tha, që është një prej, nuk është i vetmi, është një prej mjekëve që ka bërë një rrugëtim të admirueshëm jashtë vendit dhe hyn në grupin e atyre që kanë vendosur të kthehen dhe të kontribuojnë këtu. Gjithçka mund ta mendojnë përveç kësaj sepse realiteti i vështirësive të jashtëzakonshme të mjekëve dhe infermierëve nuk kuptohet nga askush që nuk e njeh nga brenda. 

Nuk kam mundësi ta fsheh që edhe unë nuk kam qenë në gjendje ta kuptoj siç e kuptoj sot, për shkak të detyrës, se sa e vështirë është jeta e një mjeku dhe infermieri, aq më tepër në kushtet kur nuk ka kushte.

Jo vetëm kaq, por nuk kuptohet me dashje, as gjithë kontributi i jashtëzakonshëm i këtij sistemi sot, falë faktit që mjekëve dhe infermierëve u janë vënë në dispozicion kushte gjithnjë e më të mira, edhe pse jo kudo të mjaftueshme, që ta themi deri në fund. E sinqerisht, unë e kam diskutuar me disa nga kolegët tuaj, por unë nuk e  imagjinoj dot se çfarë do kishte ndodhur këtu nëse pandemia do kishte sulmuar përpara sesa ne të kishim ngritur një infrastrukturë. 

 Çfarë do kishte ndodhur këtu? Që nga infrastruktura kritike e sistemit, deri tek infrastruktura mbështetëse!

Sot paradite kishim një takim me një grup partnerësh të huaj, të cilët duan të kontribuojnë, më shumë financiarisht, për gjithë revolucionin tonë digjital dhe që ishin me ne për shkak të ndjekjes së ecurisë së transformimit digjital të Shqipërisë dhe kalimit të Shqipërisë nga vendi i fundit në rajonit tonë për shërbime digjitale në vendin e parë në rajonin tonë dhe mes vendeve të Europës, me një proces më të avancuar nga pikëpamja e shërbimeve digjitale. 

Kur fola për infrastrukturë mbështetëse, kisha parasysh pikërisht mendoni sikur pandemia të kishte sulmuar pak vite më parë sesa sulmoi dhe ne të mos kishim në dispozicion sistemin e dhënies së autorizimeve për të dalë nga shtëpia apo për të lëvizur online.

Cfarë do kishim bërë?

Si do mund të përballohej zinxhiri i infektimeve, nëse për të dalë nga shtëpia, njerëzit do shkonin për të marrë leje në sportele?

Është e rëndësishme t’i kemi parasysh këtu, të paktën kur jemi pjesë e kësaj përpjekjeje dhe pastaj ata që nuk duan t’i dëgjojnë dhe nuk duan t’i kuptojnë dhe me të drejtë duan më shumë, mund të mos i kenë parasysh. Por, për ne është absolutisht e nevojshme në mënyrë që të jemi të qartë se ku duam të shkojmë dhe nuk ka fjalë më të urtë sesa, për ata që duan të shkojnë larg, sesa ajo fjala që thotë “Sa më larg të shikosh mbrapa, aq më larg do shkosh përpara”.

Sot, ne jemi në kushtet ku po rindërtojmë dhe po zgjerojmë plus me një sistem pajisjesh të fjalës së fundit struktura shumë kritike të sistemit tonë, Spitalin Infektiv, Spitalin e Ri të Sëmundjeve të Brendshme, Spitalin e Pediatrisë, Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, Spitalin Pediatrik Elbasan, Spitalin Rajonal Kukës, së bashku me maternitetin atje.

Të gjitha këto kantiere që janë në proces ose drejt përfundimit do shtojnë një fuqi të re të sistemit dhe patjetër nuk do ta përmbushin të gjithë nevojën për fuqi të sistemit, sepse ka akoma pjesë të tjera për të shtuar, por do mbulojnë të gjithë infrastrukturën më kritike të sistemit.

A janë shumë 8 vjet për t’i bërë të gjitha këto? Varet se si e shohim, nëse 25 vjet nuk ishin shumë dhe në 25 vjet, jo që nuk u shtua gjë e qëndrueshme, por u shtua vit pas viti ndjesia e ecjes së mbyllur dhe degradimit, në 8 vjet vendosja e gjithë këtyre bazave të rëndësishme për sistemin, tregojnë për një maksimizim të kohës. 

Për të ardhur tek eksperienca e Spitalit Memorial të Fierit, një eksperiencë e re në të gjitha aspektet, por që është njëkohësisht një eksperiencë përtej Spitalit Memorial të Fierit sepse ai spital është i destinuar të jetë një pikë e patundshme referimi për cilësinë më të lartë shërbimi, por përtej shërbimit që do ofrojë, është hapi i parë për autonominë spitalore, për të kaluar në një fazë të re, duke i dhënë një energji më shumë gjithë sistemit dhe duke filluar të futemi në një rrugë ku performanca e çdo mjeku apo e çdo pjese tjetër të personelit, do jetë kriter bazë mbi rrogën bazë. Pra, për të shkuar në një fazë ku mjekët të mos paguhen të gjithë njësoj. Sado që të rriten pagat, kryeinfermierët të mos paguhen të gjithë njësoj, infermierët të mos paguhen të gjithë njësoj, por të fillojë një pjesë tjetër, që mbi rrogën bazë të fillojnë pagesa të ndryshme, sipas kontributit dhe performancës.

Natyrisht që është diçka që mund të ishte bërë shumë kohë më parë. Por pse nuk u bë shumë kohë më parë? 

Për të njëjtën arsye që shumë kohë më parë nuk u arrit as që të furnizoheshin spitalet me ilaçe. Për të njëjtën arsye që shumë kohë më parë nuk u arrit të ndërtohej një banjë e një pavioni, e denjë për një pavion spitalor. Të ndërtohej një dhomë mjekësh, një, jo shumë, jo me kontribute vullnetare të vetë mjekëve për ta sistemuar, por të ndërtohej një dhomë mjekësh me standarde profesionale dhe me të gjitha kriteret që tregojnë respektin për figurën e mjekut. Për të njëjtën arsye që mund t'i marrë me radhë e me radhë të gjitha dhe faktikisht u humb shumë kohë e nuk u bë një protokoll i unifikuar e jo më një sistem i tërë protokollesh sepse nuk mund të bësh dot protokollet dhe sistemin e protokolleve pa ndërtuar spitalin, që të quhet spital, jo stacion treni me dhoma ku rezistojnë heroikisht disa njerëz me bluza të bardha, të kërcënuar nga të katërt anët nga lloj-lloj pasigurish e lloj-lloj presionesh e të pambështetur nga askush.

Kalimi në këtë fazë do të jetë vendimtar për ta çuar pastaj mjekësinë tonë ose më saktë shërbimin tonë mjekësor në një nivel që të mos ketë asnjë problem cilësie në raport me vende të tjera, deri në pikën ku pastaj fillojnë ato ndërhyrjet e super specializuara e të tjera e të tjera, që janë një temë tjetër e të ardhmes.

Paralelisht me këtë ne po bëjmë një përpjekje të përbashkët me fakultetin e mjekësisë, me rektorin, ashtu si me gjithë rektorët e tjerë, për të ndërkombëtarizuar sistemin e arsimit të lartë dhe për të afruar në universitetet tona, forca të reja dije nga universitetet më të mira europiane në mënyrë që t'i ofrojmë studentëve tanë mundësi të reja, këtu në Shqipëri programesh të përbashkëta, deri dhe diplomash të njehsuara drejtpërdrejtë.

Unë jam shumë besimplotë që do t’ia dalim që në këtë mandat ta vendosim edhe një bazë inkurajuese të kësaj faze të re për sistemin e edukimit të mjekësisë, të infermierisë, që është një problem më vete, ju e dini shumë mirë, e pastaj të të tjerëve.

Ashtu sikundër me ministren kemi folur për të fuqizuar fakultetin e mjekësisë, Universitetin e Mjekësisë me teknologji. Për të krijuar mundësinë që universiteti të ketë shumë më tepër kapacitete teknologjike edhe të fjalës së fundit dhe përtej kapaciteteve teknologjike të avancuara që i ofron sot Qendra Spitalore Universitare e që do t'i ofrojë patjetër edhe më tutje me përmbylljen e këtyre projekteve të mëdha që janë në kantier.

Për të mos u zgjatur më tutje, dua të prek çështjen e ikjes dhe të ardhjes. Problemi i largimit të mjekëve dhe infermierëve është një problem që, më besoni, e kam hasur si problem në diskutime në pjesën më të madhe me kryeministrat e Bashkimit Europian. Jo me të gjithë, se nuk janë të gjithë që e kanë problem sepse jo të gjitha vendet e kanë këtë problem, por me pjesën më të madhe të kryeministrave të Bashkimit Europian, për shkak se destinacionet e mjekëve në Europë, ju e dini, edhe nga historitë tuaja personale dhe nga historitë e kolegëve tuaj, nuk janë gjithandej, janë vetëm disa. Ndërkohë që të gjitha vendet e tjera e kanë atë problem. Tani, kush është paradoksi këtu? Paradoksi këtu është që në ndërkohë çështja e mjekëve dhe infermierëve trajtohet në opinion në Shqipëri si një çështje e humbur, sikur këtu nuk ka mjekë, kanë ikur të gjithë, sikur këtu nuk ka infermierë, sikur këtu domethënë është një shoqatë kasapësh dhe berberësh që janë mbledhur bashkë e bëjnë sikur japin shërbim shëndetësor. E vërteta është që ne për fat të mirë, deri sot nuk e kemi këtë problem. Pra, ne nuk e kemi deri më sot problemin e vendeve të zbrazura që nuk ka kur t'i mbulojë. As për sa i përket mjekëve, as për sa i përket infermierëve. Ky është fakt! Për të mos thënë që ne kemi mjek të rinj të cilët konkurrojnë dhe infermierë të rinj, të cilët konkurrojnë për të mbuluar pozicione që hapen, për shkak se dikush ose largohet, pse del në pension dhe jo të gjithë mund të hyjnë në punë në sistem. Ky është fakt! Kemi një numër të konsiderueshëm infermierësh që janë në listë pritjeje dhe e them këtë, jo për ju, se ju e dini, se ju vini nga sistemi dhe ju e dini që nuk jeni atje njerëz pa njerëz dhe vendet janë bosh dhe kanë ikur të gjithë, se nuk ka asnjë vend bosh në fakt, por e them këtë për ata që na ndjekin.

Kriza që patëm në fazën e parë ishte pasoja e mbylljes së specializimeve. U mbyllën specializimet 4 vjet dhe filluan të krijohen boshllëqe për shkak të mungesës së specializantëve. Tani kjo është e tejkaluar, ashtu sikundër unë kam pasur mundësinë të bisedoj me disa syresh që janë kthyer siç është rasti i doktorit që hapi këtu takimin dhe është shumë e qartë se për çfarë kthehen, shumë e qartë. Kthehen për një ambicie profesionale, për një lidhje të caktuar me vendin, me familjen, por kthehen dhe për një arsye tjetër, sepse sot i shohin këtu kushtet e punës me të cilat mund të bëjnë punën e tyre, pra nuk ndihen që po ikin nga një klinikë apo nga një spital ku punohet me instrumente mjekësor të fjalës së fundit e po vijnë këtu të kapin ato pincat e dashurisë shqiptaro-kineze. Unë nuk e harroj, ishim bashkë me rektorin dhe me ministren kur kemi hyrë në sallën e parë aty të operacioneve, kur u hap kirurgjia e re, shprehjen e profesor Besim Elezit. "Kurrë - tha, - nuk e kam guxuar ta imagjinoj se do ndodhte të isha para asaj pamje në të gjallin tim", e pastaj filloi të tregonte se si operoheshin, se si bëheshin. Ju e dini, nuk diskutohet, por thashë nuk jemi vetëm këtu, na ndjekin dhe të tjerë e ndërkohë që ju po më ndiqni mua unë po shahem aty tek facebook-u, se ju kur shaheni, shaheni si kolektiv. "Ata, këta, rrit pagat e atyre hajdutëve, ata maskarenj, ata na rropën, ata na shkatërruan, pagat e atyre". Ajo që është e qartë është se ne i kemi ndarë punët. Edhe unë, edhe ju, edhe ata që na shajnë, kështu që deri më tani, më rezulton që të sharat na bëhen shëndet, deri më tani. Më tutje është për tu parë e duke qenë se mu kryqëzua vështrimi me profesor Skënderin, tani, a mund të ketë një forcë imagjinate që të krahasojë urgjencën e para disa viteve me urgjencën sot? Mund të ketë sot? Ne kemi një sistem urgjence kombëtare që është absolutisht i standardeve europiane, jo pothuajse por është i standardeve europiane. 

Sot ne marrim në kohë reale, jo vetëm të gjitha shërbimet që kryhen në urgjenca, por marrim në kohë reale dhe të gjitha telefonata që i bëhen urgjencës. Sot nuk del dot njeri të thotë, i telefonova urgjencës edhe nuk më erdhën. Nuk del dot, sepse po e tha emrin dhe mbiemrin, shkohet në kompjuter, gjendet telefonata e tij, nëse e ka bërë telefonatën dhe i tregohet po në kompjuter që i ka vajtur autoambulanca dhe i tregohet dhe në sa minuta e sa sekonda ka qenë tek dera e vetë. Nuk del dot domethënë. Kjo është diçka që të tjerët në shumë vende e kanë, por që për ne ishin diçka e paimagjinueshëm deri pak vite më parë dhe thënë të gjitha këto, nuk diskutohet që, se duhet përmendur dhe që mos marrim mësysh, që Tirja doli nga ky mjedis ashtu sikundër nuk diskutohet që Tirja nuk ishte meteor që ra nga qielli siç bien meteorët njëherë e nuk e di se sa qindra apo mijëra vjet, por i takon një kategorie të caktuar që është brenda sistemit, nuk diskutohet. Por ama, dy gjëra janë të sigurta, e para që shumica dërrmuese e mjekëve dhe e infermierëve nuk i përkasin asaj kategorie, e para. Dhe e dyta, ,që ajo kategori do të vijë vit pas viti duke u tkurrur, ama këtu duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë qytetarët që shajnë në bllok, “të gjithë janë njësoj”. Nuk janë të gjithë njësoj! Askund nuk janë të gjithë njësoj. As drurët e një pylli me pisha nuk janë të gjithë njësoj, asnjëri nuk i ngjan tjetrit. Në vend që të shajnë në bllok e në vend që të thonë pas pilafit, se unë i dhashë lekë këtij, i dhashë lekë atij, pa përmendur emra, të thonë unë nuk paguaj, e të rrinë aty, e të vënë kujën, e të sjellin aty dynjanë e tërë e të marrin aty dhe drejtuesin e spitalit dhe të shikojmë pastaj, fitojnë ata apo fiton Tirja? Por nuk mund të jetë kështu, që fenomeni i ryshfetit u luftoka vetëm nga lartë dhe për fenomenin e ryshfetit të Tires duhet të baltoset jo gjithë ushtria e mbrojtësve të jetës por bashkë me ta edhe gjithë çfarë janë deri tek unë apo deri tek më i fundit fare kudo që të jetë. Nuk shkon! Kjo ishte për të thënë jo se do ndryshojë gjë në këtë aspekt nga pikëpamja e atyre që do vazhdojnë ti thonë këto gjëra por unë dua t’ju siguroj që ne do vazhdojmë kokëfortësisht dhe vendosmërisht ta mbështesim punën tuaj, t’ju mbështesim ju me gjithçka mundemi, në të gjitha drejtimet dhe tek ajo pjesa se më kujtohet, jo vetëm herën e parë, por dhe herën e dytë, kur flisja unë për rritje pagash, se ju nuk para besonit, nuk kishit faj, ju kishin gënjyer shumë deri atëherë, por edhe tek ajo pjesë do ti bëjmë ekzatësith ato që kemi thënë dhe brenda këtij mandati të tretë, paga juaj do rritet edhe 40% plus në të gjitha shkallët, nga shefat e pavioneve deri tek infermierja më e thjeshtë.

Ndërkohë që, shpresoj, ministrja të arrijë të avancojë bashkë me gjithë ata që janë të përfshirë me autonominë spitalore në mënyrë që të hymë dhe në fazën e pagave plus, e pagave të rritura sipas performancës, mbi pagën bazë. Këtu unë flas për pagën bazë, që të mos kemi keqkuptime,  sepse jam i sigurt që nuk është aspak çudi që kur të dilni që këtu do hapni ndonjë portal ku do thuhet, ai tha do t’jua rrisim, pastaj tha që do ta merrni sipas perfomrancës, domethënë do t’ju ulet këtyre. këtu flasim për pagën bazë. Autonomia spitalore nuk është ulje nën pagën bazë, është mbi pagën bazë. Çfarë merr plus dhe sigurisht ajo del nga administrimi  ndryshe i të ardhurave që janë të destinuara për spitalet. Nga vetë administrimi i sistemit brenda për brenda spitaleve, kështu që ajo varet dhe ajo krijon sensin e bashkëpronësisë nëse mund ta quaj kështu të spitaleve, nuk është më spitali i atij shtetit të poshtër që të ka futur aty brenda por është spitali i atij kolektivi që punën në atë spital dhe shteti nga njëra anë ka detyrimin të garantojë bazën, për sa i përket pagave, të garantojë disa elementë bazë të funksionimit dhe pastaj të japi lirinë e administrimit administratës, bordit, atyre që janë përfaqësues të interesave të brendshme, të vendosin se çfarë do të bëjnë, që të mos vendoset siç bëhej dikur, shyqyr nuk bëhet sot ashtu por prap është ndryshe kur pastaj do të porositen ilaçet, sa na duhen, në të gjitha kategoritë e ilaçeve, se sa siç ndodhte që gjetëm depot plot me ilaçe që nuk përdoreshin, se ishin marrë me tepri ndërkohë që nuk kishte ilaçe nga ato që duheshin se nuk ishin marrë aq sa duheshin.

Faleminderit dhe shumë shëndet në radhë të parë për ju, se e keni detyrim që të jeni të shëndetshëm në mënyrë që të kujdeseni për shëndetin e të tjerëve dhe shumë respekt edhe shumë shëndet për familjet tuaja, sepse janë familjet tuaja ato që e dinë më mirë se të gjithë se çfarë do të thotë puna juaj. Një gjë e kam pak si ngushëllim në këto raste, për mësueset e për doktoreshat, që e bëjnë më të lehtë atë si të thuash, më të lehtë ndjenjën e keqardhjes për pjesën tjetër të çiftit se në rastin e doktoreshave dhe të mësuesve vuajnë pak më shumë burrat, që nuk është një gjë e keqe. Problemi është kur vuajnë gratë që janë dhe nëna, por burrat nuk është gjë e keqe që ta vuajnë pak presionin e punës suaj.

Shumë faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm