Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Buxheti i parë i mandatit të tretë është kapitulli i parë i planit për të jetësuar vizionin “Shqipëria 2030”

Të reja

Buxheti i parë i mandatit të tretë është kapitulli i parë i planit për të jetësuar vizionin “Shqipëria 2030”

15 Nov 2021    

Fjala e kryeministrit Edi Rama në seancën parlamentare për prezantimin e buxhetit 2022:

Ky është buxheti i parë i mandatit tonë të tretë dhe kapitulli parë i planit për të jetësuar vizionin “Shqipëria 2030”.

Është një buxhet i ndërmjetëm mes fazës së imponuar të emergjencës së shkaktuar nga dy fatkeqësi të mëdha natyrore dhe fazës së re të adresimit të ambicies për arritjen e një niveli të ri zhvillimi në dekadën ku sapo kemi hyrë.

Skema e këtij buxheti është dëshmi e një arritjeje domethënëse e këtyre dy viteve të vështira, për të mbetur ambiciozë për të nesërmen gjatë kurimit të dy plagëve të rënda të të sotmes.

Plagët e tërmetit po mbyllen, ato të pandemisë po trajtohen, ndërkohë që, siç flet qartë edhe ky buxhet, asnjë sektor apo reformë nuk është lënë pas dore dhe me këtë buxhet të ndërmjetëm, pavarësisht dhe krizës së energjisë, që na ka ardhur në derë së fundmi, rrisim financimin për të mbështetur njerëzit e këtij vendi, kategoritë më në nevojë, forcat e punës, fëmijët, nxënësit, të rejat dhe të rinjtë, shërbimet dhe investimet publike. Injektojmë financime të konsiderueshme në ekonominë kombëtare dhe familjare, duke garantuar një ekuilibër të domosdoshëm mes rritjes së shpenzimeve publike dhe mbajtjes së borxhit publik në parametra të sigurt për të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë të vendit.

Zerojmë taksën mbi pagat deri në 40mijë lekë, pra 400mijë lekë të vjetra, duke lehtësuar 87604 punonjës, të cilët i shtohen numrit të atyre që deri sot kanë pagën minimale 30 mijë lekë dhe që nuk paguajnë taksë mbi pagën.  

Përgjysmojmë taksën mbi pagat 400-500mijë lekë duke lehtësuar edhe 59 993 punonjës të tjerë. Lehtësojmë gjithashtu dhe thuajse përgjysmojmë taksën mbi pagën për forcat cilësisht të kualifikuara të punës që marrin nga 1,5 deri në 2 milionë të vjetra.

Rrisim pagat për mësuesit, mjekët, infermierët me 6% në bazë të planit të rritjes së tyre vit pas viti, deri në 40% në fund të mandatit të tretë.  

Rrisim pagat me një bonus të posaçëm deri në 150% për punonjësit dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit që shërbejnë larg vendbanimit.

 Rrisim pagat 30% për efektivët e Forcave të Armatosura. Nuk asnjë taksë mbi asnjë kategori.

 Trefishojmë ndihmën ekonomike për gratë e trafikuara dhe fëmijët jetimë nën 18 vjeç. Dyfishojmë ndihmën ekonomike për rreth 15 mijë familje që kanë tre apo më shumë fëmijë deri 18 vjeç. Rrisim 10% ndihmën ekonomike për pjesën tjetër të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike. 

Ligjërojmë në këtë buxhet pagën prej 30 mijë lekësh të reja në muaj për naftëtarët e Fierit për gjithë vitin 2022, ndërkohë që vazhdojmë në kërkim të një zgjidhjeje përfundimtare për rafinerinë.

Financojnë me 2,6 miliardë ose 26 milionë dollarë indeksimin e mëtejshëm të pensioneve si dhe bonusin e fundvitit 3,5 miliardë ose 36 milionë dollarë për pensionistët.

Financojmë lindjet e reja me 2,3 miliardë ose 23 milionë dollarë.

Financojmë rimbursimin e barnave për mbi 400 mijë qytetarë me 11,1miliardë ose 111 milionë dollarë. 

Financojmë vijimin e vaksinimit me 2,7miliardë ose 27milionë dollarë. 

Po ashtu, për herë të parë, fillojmë dhe me programet kombëtare të arteve dhe zejeve, ku hyn natyrisht dhe teknologjia, si dhe të sporteve, për fëmijët dhe nxënësit me një financim të posaçëm në buxhetin e shtetit.

Nga ana tjetër, sektor më sektor, duke nisur nga Reforma në Drejtësi, e cila në vitin 2016 filloi me një plan financiar 4,28 miliardë ose 42,8 milionë dollarë dhe me buxhetin e vitit 2022, financohet dyfish, 8,4 miliardë ose 84 milionë dollarë. 

Jemi në një fazë të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, ku vijon nga njëra anë pastrimi i llumit që nuk ka të mbaruar dhe nga ana tjetër, ngritja e institucioneve të drejtësisë. Për të gjithë ata, që me të drejtë, presin më shumë rezultate nga Reforma në Drejtësi dhe më shpejt, dua të them se duhet edhe më shumë durim.

Revolucioni digjital në shërbim të qytetarit, sipërmarrjes, zhvillimit ekonomik, të punësimit dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit, me buxhetin e vitit 2022, merr një shtysë të re. Sot ishte lajm në të gjitha mediat italiane vajtja e Presidentit të Republikës së Italisë për të tërhequr certifikatën online. Ndërkohë, debati sot po ashtu, ishte lidhur me faktin që ende shërbime të ndryshme nuk mund të ofrohen për shkak të mos sigurimit ende të ndërveprimit mes bazave të ndryshme të të dhënave. Për ne, tashmë kjo është histori. Jo vetëm certifikatat janë online prej disa vitesh, por me 31 dhjetorin e këtij viti, mbyllen online të gjitha shërbimet publike të dokumenteve që nuk kanë nevojë për praninë fizike, siç është në rastin e marrjes së gjurmës së gishtave për pasaportë apo shërbim tjetër shumë specifik.  Ndërkohë, hyjmë në fazën e mbylljes së ciklit, jo vetëm për aplikimet online dhe një pjesë të shërbimeve që mbyllen edhe me dhënien e dokumentit online me vulë elektronike pa pasur asnjë kontakt me zyrat e shtetit, por për të gjitha shërbimet. 

Platforma e bashkëqeverisjes ka kaluar në Kuvend dhe është ligj sot, duke e çuar në një nivel tjetër gjithë rrjetin tradicional të komunikimit të institucioneve me qytetarët, sepse ka shumë konfuzion dhe shumë teori, por thelbi është që çdo shtet, që nga shtetet më të zhvilluara, deri tek shtetet në zhvillim, kanë tradicionalisht, disa prej shekujsh e disa prej dekadash, zyrat e marrëdhënieve me publikun me qytetarët, të cilat janë zyra, që në pjesën më të madhe, siç kanë funksionuar edhe këtu deri përpara disa kohësh, funksionojnë me letra. Platforma i ka çuar këto marrëdhënie në nivelin e ndërveprimit online, duke siguruar edhe një monitorim të të gjithë procesit të ndërveprimit, duke siguruar një kontroll mbi të gjithë administratën në raport me ligjshmërinë në marrëdhënie me qytetarët që çojnë kërkesa, ankesa apo adresojnë shqetësime apo ide të tyre dhe duke garantuar një bazë mbi të cilën edhe njësia antikorrupsion e Ministrit të Drejtësisë ka hyrë tanimë në një fazë të re.

Ajo çka ne do të garantojmë në vijim dhe është ambicia e këtij mandati është që të sigurohet, jo vetëm mbyllja përfundimtare e të gjitha sporteleve në Republikën e Shqipërisë, të cilat ofrojnë shërbime me radha dhe kontakte të drejtpërdrejta me punonjësit e administratës, që pastaj rezultojnë shpeshherë në marrëdhënie ku futet ryshfeti apo ku karakteristika kryesore është vonesa, por edhe për të garantuar që përfundimisht, qytetari të bëjë kërkesën dhe i gjithë dokumentacioni mbështetës që duhet për të marrë një shërbim, një certifikatë, një leje, një autorizim, të garantohet brenda për brenda sistemit të digjitalizuar të shtetit dhe të mos ketë më qytetarë që duhet të shkojnë në 7 apo 17 dyer të tjera për të bërë gati dosjen në mënyrë që të marrin një autorizim apo certifikatë të çfarëdoshme.

Kadastra Digjitale, edhe ajo është në një proces të avancuar. E dimë shumë mirë se çfarë plage është në marrëdhëniet mes shtetit dhe qytetarit prej dekadash tanimë çështja e marrjes së letrave të pronësisë apo dokumenteve të legalizimit. Me digjitalizimin përfundimtar, edhe Kadastra do jetë një institucion i aksesueshëm përmes smartphone, përmes kompjuterit, pa sportele dhe do japë po në atë rrugë të gjitha dokumentet e kërkuara të pronësisë bazuar në vulat dhe nënshkrimet elektronike. 

Mbrojtja inteligjente e territorit dhe sigurisë publike. Edhe ajo hyn në një fazë tjetër falë buxhetit të vitit 2022, qoftë me sigurimin e satelitëve, të dronëve inteligjentë, që do na japë mundësi që të kemi në kohë reale një bazë shumë të besueshme të dhënash mbi të gjitha ngjarjet kriminale ndaj mjedisit në territor, qoftë nga vendndodhjet e paautorizuara dhe të paligjshme të mbetjeve, tek ndërtimet pa leje, deri tek aspekte që kanë të bëjnë me bujqësinë, me kulturat, me hektarët e kultivuar, me energjinë, me burimet hidrike, me lumenjtë, zjarret dhe pa lënë mënjanë, edhe luftën kundër krimit, në sensin e një potenciali krejt tjetër të identifikimit dhe të ndjekjes së elementëve kriminalë dhe veprimtarive të tyre. 

Qendra digjitale e qarkullimit rrugor është një projekt që është në proces.   Jemi sot në kushtet kur kemi gati njërën pjesë dhe tani duhet të kalojmë në pjesën tjetër, që është shtrirja e kamerave inteligjente, duke filluar nga akset kryesore kombëtare, për të monitoruar në kohë reale qarkullimin dhe për të pasur në kohë reale të dhëna mbi ligjshmërinë në qarkullim apo të dhëna të tjera që iu duhen institucioneve lidhur me sigurimin e makinave, me makinat, të cilat mund të jenë në kërkim, duke hequr përfundimisht dhe nga rrugët policinë dhe ato patrullat, trarët apo kontrollet në rrugë sy më sy e  vesh më vesh mes punonjësve të policisë dhe qytetarëve. 

Mbrojtja kibernetike do të hyjë edhe kjo tanimë në prioritetet tona dhe do financohet në mënyrë të posaçme, duke krijuar në Shqipëri një qendër të mbrojtjes kibernetike të të gjitha sistemeve tona të komunikimit teknologjik. Qendra e depozitimit të të dhënave digjitale, që do të thotë të gjitha të dhënat e shtetit, të cilat kanë nevojë sot për të pasur një depozitim për back-up, në mënyrë që çfarëdo që të ndodhë me një sistem apo një tjetër, të mos ketë asnjë humbje të të dhënave dhe asnjë humbje në kohë për t’i rifutur në përdorim të dhënat.  Edukimi teknologjik i fëmijëve dhe të rinjve, si dhe financim i drejtpërdrejtë i start-up përbën një paketë, që me buxhetin e vitit 2022, shton plus 6,5 miliardë ose 65 milionë dollarë nga çfarë kishim në dispozicion këtë vit lidhur me teknologjinë. Ndërkohë, me fonde të të tretëve, kjo shifër do arrijë të paktën në 100 milionë dollarë për vitin 2022. 

Këtu dua të theksoj rolin e ri të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila do kthehet në një qendër të re graviteti, për Shqipërinë digjitale, duke u bërë edhe një hapësirë e garantimit të të dhënave, edhe një llogore e mbrojtjes kibernetike, por edhe një tjetër hapësirë e kërkimit shkencor dhe inovacionit teknologjik.

Më tutje, shëndetësia, arsimi dhe mjedisi, pa hyrë në detaje, të cilat me siguri do t’i bëjnë me dije sipas sektorëve anëtarët e kabinetit, buxheti i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2022 në 91,3 miliardë ose 913 milionë dollarë, që përbën 4,89 të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, ndërkohë që buxheti për shëndetësinë financon 63,8 miliardë ose 3,6% të prodhimit të brendshëm nga 2,6 në vitin 2013, që të jemi të qartë.

Këtë e kam si paradhënie për ata që e di shumë mirë që do dalin këtu dhe do flasin për këtë pikë përqindje. 

Përsa i përket arsimit, janë disa hapa të rinj që hidhen dhe që financohen nga buxheti. Përfshirja e gjuhës angleze qysh në klasën e parë ka filluar të aplikohet që nga ky vit shkollor ku kemi hyrë, futja e mësimit të teknologjisë digjitale në ciklin e ulët dhe një riorientim korrikular drejt shkencës, teknologjisë, matematikës, i lidhur drejtpërdrejtë me këtë përfshirje në rrugën e edukimit digjital të më të vegjëlve.

Për laboratorët e shkollave nga njëra anë, si dhe për një sistem të ri të mësimit të informatikës që do hyjë në funksion në vitin e ardhshëm shkollor, por do fillojë hap pas hapi, pjesë-pjesë, qysh në fillim të vitit 2022, janë 1,9 miliardë ose 19 milionë dollarë.

Ndërkohë që siç e thashë, do të ketë një buxhet të veçantë për programin kombëtar të arteve dhe të zejeve, ku përfshihet edhe teknologjia, si dhe për programin kombëtar të sporteve në shkollë. Programet po detajohen dhe qysh prej fillimit të vitit të ardhshëm shkollor, do të jenë të shtrira në të gjithë shkollat, ndërkohë që njësoj si me mësimin e informatikës, disa hapa do të bëhen me muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Për sa i përket universiteteve, ne jemi shumë të vendosur të shtyjmë drejt ndërkombëtarizimit, është e vetmja rrugë. Kemi krijuar një sinergji pozitive me të gjitha universitetet, kemi një tryezë të përbashkët të qeverisë me rektorët e universiteteve. Po shikojmë zhvillime inkurajuese dhe ndërkohë nga buxheti për vitin e ardhshëm, duke qenë se është viti i parë në këtë drejtim dhe duam edhe të shikojmë e të mësojmë nga procesi, janë alokuar 7 milionë dollarë në nxitje të ndërkombëtarizimit, për ato universitete që do të ecin më shpejt për të krijuar raporte me universitete europiane apo më gjerë ndërkombëtare, që çojnë drejt programeve të përbashkëta dhe diplomave të përbashkëta.

Në këtë aspekt, sëbashku me ministren për Europën e Punët e Jashtme, po punojmë paralelisht, duke vazhduar një lobim intensiv pranë Komisionit Europian, por edhe pranë vendeve partnere, anëtare të Këshillit Europian, për të bërë një hap inovativ, në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor e posaçërisht në këtë rast me Shqipërinë, duke e hapur rrugën e integrimeve të shpejta të disa sistemeve ndër të cilave dhe të sistemit universitar, pa pritur që vendet të bëhen anëtare të Bashkimit Europian. Është një proces, i cili do të kërkojë pak kohë, por unë jam shumë besimplotë që do t’ia dalim të kemi disa shtigje të reja në këtë proces, pavarësisht ecurisë së procesit të integrimit në vetvete që është një ecuri e diktuar dhe nga faktorë të jashtëm që nuk kanë lidhje fare me ne apo me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Aspekti tjetër menjëherë pas shëndetësisë dhe arsimit, në këndvështrimin tim është pastërtia. Pastërtia e vendit, pastërtia e qyteteve, pastërtia e plazheve, pastërtia e zonave të trashëgimisë kulturore dhe pastërtia në tërësi. Këtu do të hymë edhe me një buxhet specifik të posaçëm, në funksion të një ndryshimi thelbësor të të gjithë qasjes ndaj territorit në aspektin e pastërtisë. Por ajo që dua ta ritheksoj sot, pasi e kam bërë me dije që në prezantimin e programit, është se pushteti vendor duhet të marrë mesazhin që pastërtia dhe garantimi i cilësisë së pastrimit në të gjithë perimetrin e bashkive, është për ne një kriter i patjetërsueshëm i përcaktimit të masës së mbështetjes së mëtejshëm të pushtetit vendor.

Siç kemi vendosur një fond të posaçëm për të inkurajuar e për të mbështetur ata, të cilët performojnë si duhet, do të marrim masa po të natyrës financiare dhe deri në masa drastike administrative, për ata që nuk arrijnë të performojnë dhe ndërkohë nuk do të kalojmë në prefektura, por duke filluar nga këshillat bashkiak, asnjë buxhet bashkiak që nuk do të ketë të garantuar financimin e pastrimit, bazuar në një metodologji të re të kostimit të pastrimit bashki për bashki, e cila është bërë dhe do të jetë në dispozicion të bashkive nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.

Vijmë tek bujqësia. Mendoj që buxheti i vitit 2022 është kuptimplotë edhe në funksion të mbështetjes së mëtejshme të bujqësisë, pavarësisht disa shprehjeve të pakënaqësisë apo edhe disa shprehjeve të refuzimit për të kuptuar se këtu kemi të bëjmë me një qasje, kemi të bëjmë me një filozofi, nuk kemi të bëjmë me asgjë tjetër e faktikisht një gjë dua t’ju them të gjithë atyre që ankohen për riorientimin e TVSH-së, se e gjitha ajo shumë, e cila faktikisht hiqej nga buxheti i shtetit në formën e uljes së TVSH-së, është dyfishuar dhe është rivënë në shërbim të bujqësisë. Pra, nuk kemi ulur fonde, por kemi rritur fonde dhe në një sektor, i cili ka një masë që shkon në afro 350 milionë, llogariteni tani se çfarë efekti ka një masë prej  7-8 milionësh. Një masë, e cila faktikisht është hequr nga buxheti i shtetit në formën e incentivës me TVSH-në e sot me këtë buxhet të ri dyfishohet, duke iu shtuar fondeve të financimit të drejtpërdrejtë të bujqësisë, të fermerëve, për të vazhduar të krijojmë modele dhe faktikisht, janë disa shifra kokëforta për bujqësinë që nuk janë opinione, janë shifra të nxjerra nga librat e shtetit.

Kemi sot, si 9 mujor, 323% më shumë eksporte se sa në 9 mujorin e 2013. 323% më shumë eksporte dhe ndërkohë, me buxhetin e 2022, duke i përmbledhur të gjitha fondet, shkojnë 12.7 miliardë për mbështetje. 127 milionë dollarë.

Buxheti 7.1 miliard është pjesë e programit të zhvillimit rural ku është dhe mbështetja e drejtpërdrejtë për fermerët, pastaj janë 3.2 miliardë mbështetje e drejtpërdrejtë për rreth 40-50 mijë fermerë që janë të përfshirë në regjistra, sepse këtu kemi dhe një gjë tjetër, ne nuk mund të vazhdojmë të financojmë informalitetin, ne nuk mund të vazhdojmë të hedhim para në sektor nëse një pjesë e atyre që jetojnë në sektor nuk formalizohen, nuk regjistrohen e duke mos u formalizuar, e duke mos u regjistruar, pavarësisht se nuk kanë asnjë pasojë në kuptimin administrativ, humbasin çdo akses në fonde, humbasin çdo akses në skemat e mbështetjes, humbasin çdo akses edhe në skemat që financohen nga Bashkimi Europian.

Janë 2.2 miliardë në programin e BE, për rreth 200 investime në agropërpunim apo në asetet fizike që nuk janë të aksesueshme dot nga ata që nuk janë të regjistruar, ashtu sikundër, është e rikonfirmuar dhe e shtuar edhe shuma për naftën pa taksa, për fermerët, por numri i fermerëve që mund të përfitojnë nga nafta pa taksa, lidhet me numrin e fermerëve të regjistruar, gjë që ka funksionuar më së miri në këtë fazë të parë e që do ta shtrijmë më tutje fazë pas faze.

Ashtu sikundër, janë dhe një pjesë tjetër prej 4 milionësh mbështetje për startup-et në bujqësi, ndërkohë që këtë herë kemi një shumë të konsiderueshëm për sigurinë ushqimore, që është 23 milionë dollarë apo 2.3 miliard lekë, sepse kemi shumë boshllëk për të mbushur ende në këtë drejtim.

Vazhdojmë me përmirësimin e infrastrukturës ujitëse, por këtu duke e mbyllur me bujqësinë, dy shifra kam. E para, që sot në Shqipëri punohet dyfishi i tokës që punohej në 2013, dyfishi, me fakte. E dyta, ndërkohë që në 2013, ne trashëguam një sistem ku pikat e grumbullimit apo të agropërpunimit numëroheshin me gishtat e duarve, sot janë 250 pika grumbullimi të shtrira në të gjithë vendin, me kapacitete ftohëse, ruajtëse, frigoriferike që do të vazhdojmë t’i financojmë e t’i shtojmë më tutje sepse nevoja vazhdon të jetë prezentë, sidomos në disa territore të caktuara.

Të gjitha këto sëbashku, sigurisht lidhen drejtpërdrejtë me atë që është edhe një shtyllë e paluajtshme e zhvillimit tonë ekonomik që është turizmi. Kemi të gjitha arsyet të besojmë që me turizmin do të vazhdojmë të kemi rritje, por kemi njëkohësisht sfidën që rritja të mos jetë thjesht një rritje në numër, por të jetë një rritje shumë më e lartë në të ardhura pavarësisht numrit, që do të thotë, sot ne kemi një turizëm, i cili bazën e ka tek turisti me të ardhura mesatare e të ulëta, ndërkohë që turisti me të ardhura të larta që është edhe konsumatori më i madh dhe që është dhe krijuesi më i madh i zinxhirit të vlerës për ekonominë e vendit, është ende shumë pak prezent. Për këtë, do të na vlejnë të gjitha projektet, të cilat tanimë janë në rrugën e nisjes.

Për pak ditë nisim aeroportin e Vlorës, më në fund, në datën 28 nëntor. Kështu që, i ftoj edhe deputetët e Vlorës që të na bashkohen në fillimin e punës, në hapjen e kantierit, pa dallim Partia Socialiste apo Partia Demokratike, sepse është një ngjarje e rëndësishme dhe mbi të gjitha është fundi i një kalvari të gjatë disa vjeçar për arsye që nuk vareshin nga ne.

Po ashtu, brenda pak javësh fillon puna për portin turistik të Vlorës, investim që do ta çojë në një nivel tjetër pikërisht këtë kuadër për të cilin fola, pra do të kemi, jo vetëm turistin me të ardhura të mesme e të ulta, por dhe turistin me të ardhura të larta dhe do të krijojë një zinxhir të ri vlere në ekonominë e qytetit të Vlorës por patjetër me impakt dhe në ekonominë kombëtare. Ashtu sikundër, uroj që ta përfundojmë edhe lidhjen e kontratës për portin turistik të Durrësit brenda vitit dhe, edhe aty të mund të ngrihet kantieri për fazën e parë.

Ashtu sikundër, në Sarandë, puna për portin e ri ka filluar, ndërkohë që gara ndërkombëtare për aeroportin turistik të Sarandës është e hapur dhe të gjitha këto që kanë të bëjnë me portat hyrëse nga deti apo nga ajri, janë të lidhura po ashtu edhe me investimet në infrastrukturë. Të gjitha investimet në infrastrukturë që janë në vazhdim janë investime që synojnë pikërisht këtë, jetësimin e të gjitha pikave, ku potenciali turistik është i lartë, qoftë në bregdet, qoftë në zonat malore dhe përtej edhe një aksi tjetër të rëndësishëm e të madh kryesor që do të bëjmë, që i shërben, jo vetëm turizmit, por i shërben çdo gjëje, nga Murriqani në Milot, në Kashar, në Rrogozhinë e në Fier, që do të nisë së shpejti patjetër “do të”, së shpejti, por që do të jetë aty siç kanë qenë aty shumë prej atyre që kanë filluar me “do të”, se fillon një herë ëndrra, pastaj është projekti, pastaj vjen dhe realizimi, por kush nuk ëndërron, nuk e kupton se si ndodh ky proces dhe kur sheh ëndrra vetëm në gjumë, nuk e kupton që realiteti dhe gjumi nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Dhe “do të” akoma, edhe një sërë projektesh të tjera në fushën e energjisë ku përfitoj nga rasti të them, se lidhet me buxhetin e vitit 2022, do të vazhdojmë t’i qëndrojmë fort bindjes se do të jemi mburojë për familjet e për biznesin e vogël, në raport me çmimin. Mbase shumëkush bën sikur nuk i sheh sepse kështu i intereson ato që po ndodhin me çmimin e energjisë elektrike përreth, mbase shumëkush nuk do që t’i shohë se çfarë po ndodh me konsumatorët familjarë, jo shumë larg, se nuk po shkoj deri në Amerikë, ku debati kryesor është pikërisht kostoja e stërngritur e ngrohjes për familjarët, por po ju them Greqinë, po ju them Italinë e po ju them dhe vende të tjera rreth e rrotull, të cilat faktikisht përballen me një rritje të lartë të çmimit të energjisë elektrike për familjarët e për bizneset e vogla.

Ne do të vazhdojmë të mbajmë çmimin aktual, duke sigurisht financuar për të kompensuar të gjithë atë kosto që është një kosto që patjetër i faturohet drejtpërdrejtë arkës së shtetit e duke shpresuar që siç janë parashikimet, në 6 mujorin e dytë të vitit të ardhshëm, vala e krizës do të zbutet.

Më tutje, për të mos u zgjatur më, dua të flas edhe për disa garanci sovrane që do të jenë përsëri në dispozicion për sektorë të ndryshëm, që nga garancia sovrane për manifakturën dhe sipërmarrjen, tek garancia sovrane për sektorin e turizmit dhe ndërkohë sot jemi ende në përgatitje, por me shumë gjasë përpara fundit të gjashtë mujorit të vitit të ardhshëm do të vijmë dhe me një tjetër garanci sovrane që lidhet me strehimin.

Këto janë pak a shumë ato që unë kisha për të thënë në vija të përgjithshme, për të mos e lodhur këtë parlament të nderuar me shumë shifra që me siguri do ti dëgjoni më tutje, por lajmi i mirë sot që flasim është se në janar të vitit 2021, me librat e shtetit flas, me çfarë është aty, janë rikuperuar të gjitha vendet e punës së humbura nga pandemia dhe se rritja ekonomike, e cila pa diskutim falë edhe gjithë këtyre injektimeve ku hyjnë dhe shumë vepra të infrastrukturës publike që nuk i numërova, do të vazhdojë duke bërë që të jemi absolutisht optimistë që norma e papunësisë nga 11.4% që është sot, që të jemi të qartë, të ulet në 10.3% dhe ndërkohë të bëjmë çmos që të rrisim hapësirën për vende pune të paguara më mirë patjetër dhe kjo është arsyeja pse do të vëmë shumë forca për teknologjinë, për startup-et, për kodimin, për mësimin e teknologjisë në shkollë dhe po ashtu për një rrjet të qendrave të teknologjisë për të rinjtë, që siç e kam thënë dhe siç e kemi thënë dhe gjatë fushatës, do të shtrihet në bashkitë kryesore, duke filluar nga Tirana ku do të përfundojë së shpejti, në Vlorë ku do të jetë gati së shpejti, sepse kemi mundësi aty të shfrytëzojmë atë infrastrukturën absurde të atij hotelit në sheshin e Flamurit që do ta kthejë të tërën në qendër të teknologjisë dhe zhvillimit rajonal, në Shkodër, në Durrës e kështu me radhë. Shumë faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm