Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Çdo parti politike duhet të lexojë me kujdes vullnetin e qytetarëve shqiptarë të shprehur përmes votës

Të reja

Çdo parti politike duhet të lexojë me kujdes vullnetin e qytetarëve shqiptarë të shprehur përmes votës

04 May 2021    

Fjala në Kuvend e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Shqipëria fitoi më 25 Prill falë qytetarëve të këtij vendi, të cilët në mënyrë masive morën pjesë në zgjedhje dhe me votën e tyre të lirë, i dhanë mandatet e përfaqësimit, atyre që garuan për të marrë besimin e shqiptarëve.

Thirrja ime sot nga foltorja e Kuvendit ndaj të gjithë aktorëve pjesëmarrës në këto zgjedhje është që secili prej nesh, ta lexojë me përgjegjësi votën e shqiptarëve.

Unë dua të nënvizoj atë që Departamenti Amerikan i Shtetit tha për zgjedhjet e 25 Prillit. Natyrshëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të vazhdojnë partneritetin e ngushtë dhe strategjik me Kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën e rikonfirmuar në këto zgjedhje. Departamenti Amerikan vlerëson edhe fushatën e opozitës.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve është tërësisht legjitim, Parlamenti i dalë nga këto zgjedhje është tërësisht legjitim ndaj është detyrë e ne të gjithëve, që ti lëmë pas debatet e vjetra dhe të punojmë të gjithë në funksion të një objektivi të përbashkët, sikurse është rruga europiane e Shqipërisë.

Të mos harrojmë që javët në vijim janë tepër të rëndësishme dhe lidhen tërësisht me suksesin e mbajtjes së Konferencës së parë ndërqeveritare mes BE dhe Shqipërisë.

Unë jam tejet i bindur, ne i kemi të gjitha shanset, që brenda Presidencës portugeze, Shqipëria do të fillojë hapjen e kapitujve me qëllim që brenda këtij mandati të ri të Kuvendit të Shqipërisë ne të mbyllim marrëveshjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ne politikanët e këtij vendi duhet të jemi të ndershëm para syve, veshëve dhe zemrave të shqiptarëve. Nuk është sinqeritet që natën e 25 prillit të dalësh para qytetarëve shqiptarë dhe të shpallësh fitoren dhe kur procesi i numërimit mbaroi, të rikthehesh përsëri tek avazi i vjetër, që humbësi nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve.

Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe Partia Socialiste deklaruan më 25 prill se brenda kutive të votimit është vullneti i qytetarëve shqiptarë.

Unë mendoj se shërbimi më i madh që mund ti bëjmë ne shqiptarëve sot është që ta lexojmë me kujdes vullnetin e tyre të shprehur përmes votës.

Në legjislaturën e re ne duhet të fillojmë një punë më intensive, për një reformë më të thellë zgjedhore. Besoj se kemi rënë të gjithë dakord që këto zgjedhje duhet të jenë të fundit, që u administruan nga komisionerë dhe numërues politikë.

Ua kam përmendur se ne nuk mund të vazhdojmë më me praktikën staliniste të komisionerëve dhe numëruesëve politikë.

Të mos harrojmë se marrëveshja e 5 qershorit ishte një kusht që Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vendosën. Natyrshëm ne bëmë gjithçka duke përmbushur çdo tekë të tyre.

Kemi plotësuar çdo tekë të opozitës së djeshme dhe opozitës së sotme, edhe pse LSI-ja shkoi për skrap.

Sot nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë si Kryetar i shumicës Parlamentare në këtë sallë, dua ti them Partisë Demokratike se rezultati i zgjedhjeve është ai që doli nga kutitë. Edhe ne si Parti Socialiste do ta shikojmë me vëmendje. Ne kemi marrë rezultatin tonë minimal nga pritshmëritë tona.

Në shumë pjesë të territorit ne kemi humbur mandate për shumë pak vota. Mandati jonë i 9 në Elbasan u nda vetëm për 66 vota.

Ne do vazhdojmë të vlerësojmë mundësitë tona, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar nga KQZ, për të parë nëse ekziston mundësia, që brenda votave të pavlefshme të jetë edhe numri i nevojshëm për të plotësuar këtë mandat.

Thirrja ime është që çdo lloj ankese ta ndjekim në rrugë institucionale. Pas shpalljes së rezultatit nga KQZ partitë politike kanë 5 ditë kohë për të dorëzuar çdo lloj ankese që mund të kenë.

Të dalësh para shqiptarëve, pa pasur burrërinë për të dalë vetë, me deklarata që ua dërgon gazetarëve për të thënë që nuk njoh zgjedhjet është akt i pandershëm politik në dëm të Shqipërisë.

Shqipëria dëmtohet rëndë, në rast se partitë politike ndjekin të njëjtën këngë të vjetër të pas çdo procesi zgjedhor.

Nuk dua sot të flas kurrësesi për procedurën e shkarkimit të Presidentit të Republikës, sepse procedura ka hyrë në hollinë institucionale. Megjithatë dua t’u them kolegëve deputetë se është në dinjitetin institucional të këtij Parlamenti, i cili mbyll punimet në 9 shtator, duhet të respektojmë vullnetin e çdo qytetari.

Demokratë të thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi janë ndjerë të fyer po aq sa ne që në krye të institucionit të Presidencës është një person, që ka përdhunuar institucionin në mënyrën më të turpshme.

Në dokumentin e paraqitur nga 50 deputetët firmëtarë gjendet çdo provë juridike që argumenton domosdoshmërinë e shkarkimit të Ilir Metës.

Kushdo që mendon se procedura e shkarkimit të Presidentit ka të bëjë me të ashtuquajturën dëshirë të mazhorancës  për të kapur institucionin e Presidentit e ka shumë gabim.  Ne nuk kemi asnjë lloj interesi për të marrë institucionin e Presidentit të Republikës.

Ne duam, sikurse e kemi thënë, që të gjithë së bashku të kemi një president mbi palët.

Një president që të përfaqësojë unitetin kombëtar dhe që të punojë çdo ditë me të gjitha forcat politike, në dobi të interesit kombëtar dhe çuarjes përpara të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Ne nuk duam një President që ditën të sillet si president dhe natën të kthehet në kryetar të shtabit eletoral të një partie politike, kushdo qoftë ajo.

Unë mendoj se Shqipëria meriton një hetim të plotë të sjelljes së Presidentit të Republikës, si Kryetar i Shtetit përpara dhe përgjatë fushatës zgjedhore duke nxjerrë në pah të gjitha problematikat që bien në kundërshtim me Kushtetutën.

Kuvendi i Shqipërisë do të shprehet me votë dhe natyrshëm do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vlerësojë nëse procedura dhe vendimi i Kuvendit për shkarkimin është kushtetues dhe ligjor ose jo.

Unë besoj se biem të gjithë dakord që Presidenti i Republikës duhet hetuar.

Kuvendi i Shqipërisë do i japë kohën e nevojshme një Komisioni Hetimor Parlamentar për të identifikuar të gjitha shkeljet.

Unë dua tu them me bindje të plotë që thirrjet për dhunë të Presidentit të Republikës ishin shkaku që çoi edhe në veprime tërësisht kriminale nga një pjesë e opozitës.

Unë jam dëshmitar, si deputet i Qarkut Elbasan, i një sjellje tërësisht kriminale të Partisë Demokratike, e cila krijoi grupe të armatosura që çuan në vrasjen e një qytetari autokton të Elbasanit.

Për mua vrasja e 21 Prillit duhet zbardhur deri në detaje. Jo vetëm atentatori, por edhe urdhëruesi i vrasjes duhet hetuar që trazoi zemrat e qytetarëve të Elbasanit.

Një parti politike që përgjatë fushatës zgjedhore organizon grupe të armatosura duhet hetuar deri në detaje. Ngritja e një strukture të armatosur nga një parti politike është një akt tejet i dënueshëm. Prokuroria duhet të bëjë detyrën jo vetëm ndaj atyre që shkrepën armët, por edhe ndaj atyre që urdhëruan ngritjen e strukturave të tilla.

Unë mendoj se Partia Demokratike ka gjithë kohën e nevojshme në dispozicion që të distancohet nga këto ngjarje. Të distancohet nga këta grupe kriminale me logon e Partisë Demokratike.

Partia Demokratike e 8 Dhjetorit 1990 nuk ka kurrësesi lidhje me Partinë e sotme Demokratike. Nëse i ka mbetur sadopak ADN nga idealet e Dhjetorit, Partia Demokratike duhet që sot të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, të pranojë ftesën tonë të sinqertë për të punuar në funksion të një reforme të thellë politike në vend.

Ne i kemi të gjitha mundësitë që të ecim përpara në një proces të rëndësishëm sikurse është integrimi europian i Shqipërisë.

Në këtë këndvështrim dua që sot të shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë punën, që kemi bërë si Parlament në këtë legjislaturë, sikurse është çuarja përpara e reformave të rëndësishme.

Sot është një ditë e madhe për Shqipërinë për shkak të stërvitjes më të madhe ushtarake të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri nga forcat aleate ‘Defender Europe 2021’. Kjo është edhe shprehja më kuptimplotë e rolit të Shqipërisë si eksportues i paqes dhe stabilitetit në rajonin e trazuar të trazuar të Ballkanit.

Roli i Shqipërisë është i pazëvendësueshëm për paqe afatgjatë, stabilitet dhe rrugën europiane të Shqipërisë.

Faleminderit të gjithëve!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm