Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Deputeti që duam, një ftesë e hapur për këdo që ka ambicien e kurajon për ta provuar veten

Të reja

Deputeti që duam, një ftesë e hapur për këdo që ka ambicien e kurajon për ta provuar veten

15 Oct 2020    

“DEPUTETI QË DUAM"

Kryeministri Rama me gazetarët për platformën “Deputeti që Duam”, një ftesë e hapur për këdo që ka ambicien e kurajon për ta provuar veten në të përpjetën e politikës, me mua dhe Partinë Socialiste:

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë për praninë tuaj! Siç lajmëruam pak ditë më parë, në të njëjtën tryezë, sot jemi gati për të lançuar pjesën e tretë të mozaikut që lidhet me përfaqësuesit e popullit. Kemi nisur me pjesën e parë, vlerësimin e të gjithë deputetëve qark më qark nga anëtarësia e partisë. Është një proces që, siç e thashë herën e shkuar, do të mbyllet për ciklin e parë të vlerësimin në nëntor. Do të kemi edhe dy cikle të tjera vlerësimesh, një në fund të dhjetorit-fillim të janarit dhe një në fund janarit-fillim shkurtit, për të parë dhe dinamikën e vlerësimit të anëtarësisë në prag të uljes në tryezë për të bërë përzgjedhjen e skuadrës që do të zbresë në fushën e ndeshjes së bukur të 25 prillit.

Pjesa ë dytë, edhe kjo tanimë në proces, vlerësimi i qeverisë nga gjithë anëtarësia, që nga unë e deri tek të gjithë ministrat. Edhe ky vlerësim do të bëhet në 3 cikle.

Sot është pjesa e tretë, që është ftesa e hapur për të gjithë ata që kanë dëshirë, ambicie, kurajo të angazhohen me ne, me mua, me Partinë Socialiste, për të hyrë në fushën e ndeshjes se 25 prillit si pjesëtarë të skuadrës sonë. Ne i kemi miratuar kriteret e kësaj ftese në Asamblenë Kombëtare. Do të kenë në dispozicion të gjithë një adresë online ku do të duhet të çojnë një video në të cilën do të shprehin interesin dhe do të japin arsyet, pse besojnë që janë zgjedhja e duhur, sipas tyre, për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë dhe pak dokumente të tjera, një CV të jetës profesionale dhe në mos gaboj, edhe një letër angazhuese. Gjëra minimale për këtë sfidë.

Ne do të mbledhim të gjitha shprehjet e interesit që mund të vinë nga të gjitha rrugët e jetës, do të mirëpresim të rinj dhe të reja, jo vetëm në moshë, por dhe në mendje, në ide, energji dhe dëshirë. Jemi shumë të lumtur që të ndajmë këtë eksperiencë tonën me njerëz që ndajnë me ne të njëjtën dëshirë dhe të njëjtin angazhim për të çuar përpara punët e vendit, për të qenë pranë njerëzve, për të bërë sa më shumë dhe sa më mirë shërbimin ndaj vendit dhe qytetarëve.

Dua t’ju them të gjithëve, që nga të reja dhe të rinj me moshë, që mund të jenë sapo kanë mbaruar shkollën me rezultate të mira, që mund të jenë të reja dhe të rinj që punojnë në një sipërmarrje të vogël private, që punojnë në shtet, që punojnë në fermë me prindërit e tyre, që punojnë në emigracion, që janë të mirëseardhur të shprehin interesin e tyre. Po ashtu gra dhe burra në moshë të re, apo me ide të reja, në moshë të re, apo me energji të reja, që vijnë nga eksperienca si mësues apo mësuese, si shërbëtorë publikë, ekspertë në çfarëdolloj fushë, që punojnë në hapësirën e sipërmarrjes, që punojnë në media, apo që punojnë në fermë, kudoqoftë, nuk ka asnjë kufizim, që janë aktivë dhe kanë talent për ta përkthyer aktivizimin e tyre në audienca të respektueshme dhe të konsiderueshme në rrjetet sociale.

Kushdo shqiptar dhe shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që mendon se ka një zë që shqiptarët meritojnë ta dëgjojnë, që ka një ide që shqiptarët meritojnë ta vlerësojnë dhe që ka vullnetin, që ka pasionin tim, pasionin tonë për të kaluar nga fjalët në vepra, është absolutisht i mirëpritur. Kjo është arsyeja, pse jeni të ftuar këtu sot dhe ky është mesazhi që dua t’i përcjell sot, përmes këtij komunikimi, të gjithëve.

-Zoti kryeministër, ju thatë që dhe gjithë kabineti qeveritar duke nisur nga ju do t’i nënshtrohet vlerësimit. Në kushtet ku ministra të caktuar, që mund të kenë një vlerësim jo të kënaqshëm, a do të shërbejë kjo për ju për të ndryshuar kabinetin qeveritar në mënyrë që në zgjedhje të shkoni me një ekip ministrash të mirë?

Kryeministri Edi Rama: Ekipin e ministrave ne e kemi të mirë, por patjetër që e mira nuk ka fund dhe patjetër që secili, unë i pari, ka mundësi të bëjë më shumë dhe duhet të kërkojë nga vetja çdo ditë e më shumë. Në kërkim të përditshëm për ta bërë më mirë punën dhe për të dhënë më shumë për punën, ka një vlerë të madhe dhe dëgjimi i njerëzve, në këtë punë që bëjmë ne. Unë e kam një sistem të konsoliduar dëgjimi, që edhe si pasojë e eksperiencës e kam arritur ta kem më shumë funksional, të kombinuar mes dëgjimit aktiv të atyre që mund t’i dëgjoj drejtpërdrejtë, dëgjimit aktiv të atyre që ndërveprojnë me mua në Facebook, në Twitter, në Instagram më pak sepse kryesisht është Facebook-u pasqyra kryesore e këtyre ndërveprimeve, në Whats’app tim që është një hapësirë e jashtëzakonshme mesazhesh dhe për rrjedhojë, gjithëfarë mendjesh e mendimesh, në anketimet e përmuajshme që bëjmë të opinionit publik me entitete autonome, të cilat na japin mundësinë të kemi një pasqyrë të situatës në të gjitha aspektet çdo muaj dhe ky dëgjim specifik i anëtarësisë të partisë është një vlerë e shtuar në të gjithë këtë.

Është një vlerë e shtuar për të kuptuar individualisht se cila është marrëdhënia, ndjesia, shkallja e lidhjes mes anëtarëve të familjes sonë politike dhe përfaqësuesve të tyre në çdo qark, cili është opinioni dhe vlerësimi për përfaqësuesit tanë në qeveri dhe mbasi të bëjmë këtë në cikël të parë, në ciklin tjetër ne do të mundohemi të hyjmë pak më thellë duke bërë dhe pyetje specifike për anëtarët, por kjo fazë është dhe një fazë kolaudimi i një procesi krejtësisht të ri, dhe prandaj duhet pak kohë. Të gjitha kodet personale të hyrjes në platformën tonë i kemi dërguar me postë. Janë shpërndarë pjesa më e madhe të tyre, kanë filluar të ndërveprojnë një pjesë e vogël ende, por e kuptueshme e anëtarëve dhe për këtë arsye i kemi lënë vetes edhe 45 ditë për këtë cikël të parë. Pastaj do të hyjmë në detaje të tjera për të pasur një vlerësim të parë. Ndërkohë, kjo do të shërbejë dhe për të rritur intensivisht ndërveprimin online mes anëtarëve dhe deputetëve, anëtarëve dhe përfaqësuesve në qeveri për çështje specifike të zonave, të komuniteteve dhe vendit në përgjithësi.

-Zoti kryeministër, që kur ka filluar pandemia, ka patur dy kategori njerëzish; pjesa më e madhe e atyre që i kanë zbatuar rregullat dhe një pjesë e kufizuar e tyre që e kanë thyer ato, që nga thyerja e karantinës, deri tek organizimi i paligjshëm i dasmave duke fituar edhe para. Këtyre të fundit së fundmi u janë falur edhe gjobat. Sot që gjobat janë riaktivizuar, çfarë mesazhi keni ju për ata qytetarë që respektojnë masat se në fund nuk do të pasohet me një tjetër  falje të gjobave?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, kjo jetë është zgjedhje. Kur zgjedhim të respektojmë ligjet dhe rregullat, nuk e bëjmë se përndryshe mund përfundojmë keq. Unë personalisht nuk respektoj ligjet dhe rregullat se “kam dëshirë që ti shkel, por meqë mund të më kapin, po i respektoj”. Në rastin konkret, për rregullat që lidhen me situatën konkrete, vlen e njëjta gjë. Kush i respekton rregullat mbron veten e tij, mbron familjen e tij, kontribuon në këtë komunitet të madh, në këtë bashkësi për të fituar një betejë kaq të ndërlikuar dhe kaq sfilitëse.

Atyre që respektojnë rregullat, nuk ka nevojë që t’i ngushëllojmë pse duke respektuar rregullat nuk morën një gjobë, në mënyrë që gjoba t’u falej.

Kjo vlen për të gjitha. Nëse dikush zgjedh të jetojë me punën e tij, të zhvillojë karrierën e tij, të rrisë cilësinë e jetës së tij bazuar në disa parime, e dikush tjetër fqinji apo në të njëjtën fushë zgjedh që të pasurohet në kurriz të tjerëve, këto janë zgjedhje që nuk e bëjnë atë që e bën zgjedhjen e duhur, të ndjehet keq pse ai tjetri po fiton, duke bërë zgjedhjen e gabuar. Natyrisht që, ka gjithmonë një kohë kur kush gabon, paguan, por ka dhe raste kur kush gabon, nuk paguan, në sensin e ndëshkimit në përgjithësi.  Kjo nuk do të thotë që ai që respekton rregullat duhet të ndjehet keq.

Kjo është një betejë jashtëzakonisht e komplikuar. Është një luftë, pavarësisht se disave nuk i pëlqen përdorimi i këtij termi. Është një luftë e gjatë, e vështirë, luftë nervash që duhet ta përballojmë të gjithë së bashku dhe për hir të vërtetës, sjellja e shumicës dërrmuese të shqiptarëve ka qenë jashtëzakonisht pozitive, edhe sot faktikisht, ka qenë mbresëlënëse. Kam vënë re madje sot me vëmendje personalisht gjatë gjithë lëvizjeve, që mbajtja e maskave sot është 99% me një sy të parë.

Ndërkohë që, gjobat që janë vënë, janë amnistuar në një moment të caktuar për të dhënë edhe një mesazh tjetër, që këtu nuk është çështja e frikës, këtu nuk është çështja e ndonjë dëshirë apo e ndonjë nevoje që ne të fusim duart në arkën  familjeve dhe të marrim përmes gjobave para, që hyjnë në shtëpi nga një punë, që në këto kushte është më e vështirë seç është zakonisht. Këtu çështja është që të kuptojmë mirë që duhet të kontribuojmë të gjithë. E nga ana tjetër, për hir të vërtetës, në faljen që bëmë, kemi vlerësuar edhe një fakt tjetër, ata të cilët nuk kishin paguar ende apo ata të cilët kishin ende makinat të bllokuara si rezultat i shkeljes së rregullave në atë kohë, meritonin një mirëkuptim, pasi sidoqoftë, një periudhë jo e vogël kaloi.

Përsa i përket gjobave tani për maskën, sigurisht që nuk është ky qëllimi.  Nuk është kjo dëshira të vëmë gjoba.

Ju e dini shumë mirë që unë me gjobën kam një raport shumë strikt dhe asnjëherë nuk i kuptoj ata që thonë që gjobat janë të larta. Për mua, gjobat në Shqipëri janë shumë të ulëta, duhet të jenë më të larta. Sepse gjoba nuk është taksë. Gjoba është ndëshkim për një shkelje që ti ke në dorë të mos ta bësh.

Ama, në rastin e gjobave për shkeljet e rregullave në këtë situatë, duhet ta shohim në një mënyrë më komplekse. Dhe unë besoj, mbase e kam gabim dhe koha do ta tregojë, por unë besoj që, edhe kjo që ndodh sot është rezultat i efektit që kanë bërë edhe gjobat e vëna, pavarësisht se pastaj ne kemi zgjedhur që të jemi tolerant me njerëzit.

Kështu që, nuk shoh arsye pse kush ka zbatuar rregullin duhet të ndihet keq pse dikush tjetër nuk është ndëshkuar deri në fund për moszbatim të rregullit. Pjesërisht janë ndëshkuar. Siç e thashë kanë lënë makinat nëpër parkimet e policisë me muaj dhe muaj të tërë dhe kjo nuk është pak. E jam i bindur se atyre që gjoba iu është falur, kurrë nuk do ta përsërisin këtë sepse realisht kanë hequr picirr dhe realisht unë kam patur çdo ditë mesazhe, të cilat kanë patur një karakteristikë jo karakteristike, për mesazhet që në përgjithësi shkruajnë shqiptarët kur bëjnë gabim.

Shqiptarët kur bëjnë gabim përgjithësisht janë të prirur t’ia hedhin tjetrit dhe të thonë pastaj se “nuk e kisha unë fajin, kishte ai”, “më kërkoi lekë ai”, etj. Në këtë rast, mesazhet në përgjithësi kanë qenë në kërkim të mirëkuptimit, nuk kanë qenë fajësuese për ata që u kanë vënë gjobën, por justifikime të arsyeshme, si p.sh. “kisha një urgjencë”, “u gjenda keq”, etj, pavarësisht se sa të vërteta mund të jenë, por një frustrim e kanë patur njerëzit.

Unë i mirëkuptoj të gjithë.

Sot, që e kam mbajtur këtë gjatë gjithë kohës nuk jam ndjerë aq mirë sa çdo ditë tjetër derisa të mësohem. Por duhet bërë dhe kaq. Duhet të mirëkuptohen edhe vështirësia e njerëzve për tu adoptuar në këto kushte sepse rëndesa psikologjike është e madhe në të gjitha anët, kështu që është një marrëdhënie më fleksibël sesa zakonisht.

Në këtë rast, ka një problem të vetëm që duhet pasur parasysh dhe nuk duhet të niset njeri me idenë se “po ma falin”. Problemi është se këto do t’i mbajmë pak si gjatë kam përshtypjen , për shkak të dimrit për shkak të rrezikut të shtuar që vjen nga përzjerja gripit të stinës me dobësitë e organizmave që preken nga gripi dhe pastaj nëse marrin dhe Covidin gjëja shkon shumë keq. E ndërkohë që gjobat do të vijnë tek faturat e dritave. Kush e ka parasysh këtë e kupton shumë mirë dhe mbi të gjitha ajo që është e rëndësishme, është se nuk duhet ta refuzojmë këtë, nuk duhet ta vëmë këtë, (maskën) me idenë që do të marrim gjobë.

Unë i kam kërkuar policisë së shtetit që të jetë shumë e vëmendshme dhe vëmendjen e vet ta ketë duke filluar nga parlamenti i Shqipërisë, nga institucionet qendrore.

E pavarësisht se, teorikisht mund të jetë shumë ë vështirë ose e pamundur që makina ime të ndalohet nga policia të më hapin derën dhe të thonë “e ke maskën apo nuk e ke maskën” unë e kam mbajtur sot maskën edhe  në makinë, edhe njerëzit e mi po ashtu, për një arsye shumë të thjeshtë sepse nuk e mbajmë nga frika se do na vënë gjobë, por e mbaj për një arsye shumë të thjeshtë se e mbajnë të gjithë. Gjermania mesa pashë sot e vuri në mjediset publike. Ishim në Gjermani përpara pak ditësh nuk pashë maskë asgjëkundi jashtë. Ishim në Austri, as brenda, as jashtë, të gjithë po e vënë dhe brenda dhe jashtë tani. Italia e ka vënë prej ditësh. Maqedonia e Veriut e ka vënë dje ose pardje. Është për veten, për familjen dhe për njëri-tjetrin. Nuk është se po na vënë gjobë. Se pashë nga këto informacionet që mora për tituj mediash: “Qytetarët: E vëmë nga frika e gjobës së kjo është kot”. Jo, nuk është kështu se po të ishte kot nuk do ta vinte gjithë bota, se mirë diktatura gjakatare në Shqipëri po imponon maskën që t’u mbyllë gojën shpirtrave të lirë që mos flasin, por po e vë e gjithë bota.

Përjashtimin për maskën e bëra sepse është sot dita dhe është aktuale. Këtu jemi për Partinë Socilaliste, për procesin e një hapjeje të pandodhur asnjëherë më parë, as në Partinë Socialiste dhe as në asnjë parti tjetër, ndaj të gjithë atyre që kanë dëshirën, ambicien, vullnetin që të pranojnë sfidën e nje ftese për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë. Pyetjet e tjera sonte tek Fevziu.

-Ndryshimet në qeveri janë kushtëzuar për shkak se mungon një ligj për presidentin, siç ju i keni kërkuar edhe grupit parlamentar që të nxitojë për të hartuar këtë draftin. Kur do të jetë gati programi elektoral i PS për këto zgjedhje apo do të ketë një fushatë të ngjashme me atë të zgjedhjeve lokale, vetëm me batuta, akuza.

Kryeministri Edi Rama: Fakti që ju dëgjoni vetëm batutat është puna juaj se mund të mbash një fjalim një orë, dy orë siç e mbajta unë herës tjetër dhe ju batutat i keni për lajme. Fol për ekonominë, fol për punën, fol për taksat , fol për çfarë të duash, por po të rrëshqiti goja siç më rrëshqet mua ndonjëherë për fat të mirë ose të keq, që t’i japësh ndonjë “ngjyrë” bisedës, ajo “ngjyra” del në televizor. Kështu që kjo është pjesë e juaja, nuk është e imja dhe nuk është faji im pastaj që ju duke u marrë me batutat harroni të tjerat. Por, programi ynë është një kantier që vazhdon, kështu që kemi atë që kemi premtuar që është “Shqipëria 2030” dhe kur ta kemi gati do ta bëjmë publike.

Përsa i përket pyetjes tjetër nuk ka lidhje. Nëse ju doni të dini më shumë për punët e qeverisë urdhëroni, por, nëse ekranet kanë më shumë vend për Çimin që i ra me tullë Gimit dhe e plagosi apo për Hasonin që u përplas me motor dhe çau kokën, atëherë nuk mbetet shumë për pjesën tjetër, por kjo është pjesa juaj prapë. 

Së pari, lidhur me vetë temën, a do të bëhen publike rezultatet për deputetët, apo vetëm anëtarësia do të jetë në dijeni se çfarë vlerësimi ka marrë secili deputet në secilin qark?

Së dyti, nëse më lejoni, a do të jetë nesër vizita juaj në Gjermani për të lobuar për uljen e Shqipërisë në një tryezë me BE-në brenda Presidencës Gjermane dhe a do të ketë një takim me Kancelaren Merkel për këtë çështje?

Kryeministri Edi Rama: Ju kam thënë rrini larg pusetës dixhitale të Saliut, por ju nuk dëgjoni. Se aty ka shumë lëndë helmuese luftarake dhe ju çorientojnë. Me Kancelaren jam takuar, siç Kancelarja takohet në këtë periudhë, përmes kompjuterit. Kemi qenë rreth një orë bashkë, kemi diskutuar për të gjithë ato që mund të diskutonim dhe nuk kuptoj, cila do ishte arsyeja që unë të shkoja në Gjermani nesër e të takoja prapë Kancelaren. Me Kancelaren jam në komunikim të vazhdueshëm, flasim edhe telefonikisht dhe nuk është se gjithmonë duhen bërë publike, s’është pjesë e punës kështu që nuk ka lidhje kjo. Por nuk do takoj Kancelaren, as herës tjetër nuk kisha takim me Kancelaren, por thashë, në pusetën dixhitale, po e fute hundën, të mbetën këmbët brenda.

Përsa i përket vlerësimit, në fund të tre cikleve do bëjmë një vlerësim të përgjithshëm, i cili do të jetë i vlefshëm për ta ndarë brenda nesh, në funksion të arsyes, pse kjo bëhet. Kjo nuk bëhet për të bërë zhurma dhe për t’i dhënë ushqim tregut të llafeve dhe të lajmeve të rreme, kjo bëhet për të përzgjedhur sa më mirë skuadrën tonë. 

- Lidhur me apelin që bëtë në fillim, për të afruar të rinj shqiptarë brenda, ndoshta dhe jashtë vendit për Partinë Socialiste, si mendoni se mund të integrohet një i ri, sidomos i ardhur nga jashtë në Partinë Socialiste, kur ka tetë vite pa u bërë zgjedhje për kryetar partie?

Kryeministri Edi Rama: Unë po ftoj që të vijnë të bëhen pjesë e skuadrës, nuk po ftoj që të vijnë e të bëhen kryetar partie, se Partia Socialiste nuk ka këtë problem sot dhe që ju duhet me këtë rast ta merrni një informacion, se ndoshta keni qenë akoma në shkollë kur është vendosur kjo, ne kemi të njëjtin sistem si shumë parti. Nuk bëhen zgjedhje për kryetarin kur zgjedh populli me votë. Shikoni Britaninë e Madhe, shikoni të tjera vende që konfirmimi i lidershipit në popull është i mjaftueshëm. Për çfarë duhen bërë ato farsat me kandidatura të sajuara, që medemek kemi zgjedhje për kryetarin, pasi partia fiton zgjedhjet në popull? Është një farsë, nuk ka asnjë vlerë. Kështu që ne menduam të heqim dorë nga ajo farsë dhe hoqëm dorë nga ajo farsë. Është me gjithë respektin, por ju keni parë që kemi bërë dhe gara të tilla më parë, s’kanë qenë gara realisht, kanë qenë bëj adetin, sepse kështu është shkruar në statut. Për çfarë duhet ta bëjmë këtë adet? Është e thjeshtë.

Të rejat e të rinjtë kanë 1001 arsye, kur kanë dëshirë sigurisht për t’u aktivizuar, që të vijnë e të bëhen pjesë e jona, siç janë bërë faktikisht, sepse juve ju mjaftojnë 2-3 persona me problematika të caktuara për ta bërë gjithë pikturën sikur është problematike. Shikojeni pak Partinë Socialiste, shikojeni grupin parlamentar të Partisë Socialiste, shikojini qeveritë e Partisë Socialiste dhe do shikoni që ka ndodhur një transformim i thellë brezash, eksperiencash. Kështu që patjetër që kanë arsye, por sigurisht që kjo është sfidë e askush nuk të shtron tapetin e kuq për të të thënë që meqë ti je i ri, hajde se erdhi dita jote. 

- Zoti Rama, meqë Partia Socialiste është në proces rivlerësimi nga anëtarësia, në ndryshimet e fundit që keni bërë në kabinetin qeveritar ka pasur pakënaqësi të mëdha nga brenda PS-së për disa emra të vendosur në ministri për shkak të mungesës së kontributit të tyre në këtë parti. Nëse do fitoi një mandat të tretë, a do e rishikoni këtë pikë që të vendosni sërish emra të rinj që nuk kanë një kontribut në këtë parti?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk e di ku i keni parë këto pakënaqësi të mëdha. Që të ketë pakënaqësi brenda PS-së, lidhur me emra, kjo është gjëja më normale. Çdo skuadër, që nga Reali i Madridit dhe Barcelona deri tek Laçi dhe Delvina ka një pjesë që hyjnë në fushë, ka një pjesë që rrinë në stol. E natyrisht, skuadrat që fitojnë janë skuadrat që garantojnë harmoni mes atyre që janë në fushë dhe atyre që janë në stol. Skuadrat që humbasin janë skuadra që mund të kenë yje, por po nuk patën këtë harmoni, nuk fitojnë. Por ajo që është çudia në këtë mes është me ju, nuk është me ata që janë brenda PS-ë e që kanë ambiciet e tyre. Është me ju që shikoni ndeshjen si informues të opinionit publik, si analistë të ndeshjes, si ekspertë që nuk i kanë rënë një herë topit dhe tregojnë se si mund ta mundi Shqipëria, Kazakistanin në Kazakistan.

Kur ke një qeveri me njerëz, të cilat janë aty prej kohësh, ata janë të konsumuar, janë të lodhur, janë partiak, qeveria është e të gjithëve e të tjera e të tjera. Kur ke një qeveri ku vijnë njerëz, të cilët nuk janë nga profili i tyre, me të njëjtin background në pikëpamje të eksperiencës partiake, ose të niveleve të kontributit partiak, atëherë kjo është një qeveri teknike. Kjo nuk është një qeveri politike, duhet një qeveri me pesha të rënda, duhet një qeveri me luanë. Më falni. por kjo është qesharake.

Qeveria e Shqipërisë është qeveria e shumicës. Shumica nuk është anëtarësia e PS-së, është mbështetja elektorale e PS-së. PS-ja ka 100.000 anëtarë, ka 800.000 vota. 700 e kusur mijë se 800 do ketë më 25 prill. Atëherë, ata, të cilët e mbështesin PS-së, ata të cilët i japin PS-së mandatin që të qeverisë e që nuk janë anëtarë të PS-së, nuk kanë ata asnjë të drejtë që ngjyrën e tyre, kategorinë e tyre, moshën e tyre e të tjera t’i shohin diku të ndërlidhura me skuadrën?

Ju thoni, ku janë të rinjtë. Pastaj, kur vijnë të rinjtë, thoni jo, këta nuk janë të rinjtë që duhen se këta nuk janë me eksperiencë. Si bashkohen këto të dyja? Meqë jeni kaq shumë të interesuar për PS-në e meqë u ankua Luli që pse nuk i sheh ky konferencat e mia, e ndoqa sot, pak konferencën, që meqë ra fjala ishte një hata e madhe se nuk kisha parë ndonjëherë atë sallën e konferencave si një sallë dasmash nga këto dasmat që bëhen në autostradë, habi e madhe. Nuk dëgjova ndonjë aty t’i thotë, si është puna me këto votimet që bëni ju në parti?

E imagjinoni ju, çfarë do kishit bërë ju, sikur të kishte bërë Partia Socialiste një votim ku voton atë që nuk do?

Do ishit mbledhur tek Fevziu, do ishit mbledhur tek Syri,  do ishit mbledhur tek veshi, tek hunda e tek flokët e do kishin filluar analizat, do kishin vazhduar dializat, ç’po ndodh?

Po sikur në Partinë Socialiste të ishin bërë nga ato votimet që janë 600 votues në 400 veta, çfarë do kishit bërë ju? 600 votues në 400 veta!

Po sikur në votimet e Partisë Socialiste të kishin marrë mbarë kutitë e votimit e të kishin votuar nga 46 herë në 32 kuti? Çfarë do kishit bërë ju? Aty asgjë fare.

Cili është plani juaj me 5 pika? Pyetje konceptuale me këndvështrim strategjik. Pastaj më thotë Elja, pse bën batuta. Po çfarë të bësh se këtu duhet të qash normalisht. Këtu është për të qarë faktikisht, sa herë dalin këta. Po të mos kuptosh që këta sidoqoftë nuk kanë gjë në dorë, këtu është për të qarë. Prandaj ta kalojmë me të qeshur këtë punë, se si t’ia bëjmë.

Çfarë mbjell në opozitë, korr në qeveri. Kur ti voton në partinë tënde për deputetët e tu, i thua anëtarësisë kë nuk do dhe i vë 50 veta dhe me porosi heq 7 veta e votojnë pastaj 700 veta në 500 zgjedhës, atëherë kjo është një problem i madh për të ardhmen.

Z. Balla, çfarë vlerësimi ka Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste për kabinetin qeveritar?

Taulant Balla: Së pari, do t’i përgjigjem pyetjes së Ambrozias si gazetare, por jo televizionit në fjalë, për arsye të cilat i kam thënë shpesh.

Në demokraci, një grup parlamentar vlerëson qeverinë e vet me votëbësimin që i ka dhënë. Grupi jonë Parlamentar, qoftë kur është dashur të zëvendësohet një ministër i veçantë, qoftë kur i është dhënë votëbesimi qeverisë, ka qenë dhe mbetet një grup parlamentar që i ka mbështetur dhe i mbështet.

Vlerësimi për ministrat nga një Grup Parlamentar jepet edhe për legjislacionin që ata sjellin në Kuvend. Grupi Parlamentar punon çdo ditë bashkë me qeverinë për shumë akte, të cilat kalojnë në Kuvend.

Sot kemi miratuar në Kuvend një sërë ligjesh, që kanë të bëjnë me aspekte shumë të rëndësishme dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të njerëzve në kushtet e kësaj pandemie të pashembullt. Por këto vendime fatkeqësisht nuk marrin kurrë akses në media.

Meqenëse mora fjalën dua të them edhe diçka që lidhet me këtë proces të rëndësishëm që ne kemi nisur. Ky është një proces që shumë pak parti në botë e kanë realizuar. Është një hapje reale e një partie politike përkundrejt kontributeve të atyre njerëzve që duan të hyjnë në politikë dhe duan të kontribuojnë për vendin e tyre.

Deputetiqëduam.ps.al është portali ku jo vetëm të rinj e të reja në moshë, por edhe në energji, që duan të marrin pjesë, janë të ftuar.

Procesi i aplikimit zgjat deri në 25 nëntor dhe është një proces shumë i thjeshtë. Teknologjia ka mundësuar që në dy-tre minuta të përmbledhësh arsyet: përse ke nevojë të kandidosh? Çfarë përvoje profesionale ke? Përse ke vendosur të përfaqësosh komunitetin tënd?

Pas 25 nëntorit ne do të kemi një proces të shkurtër 5 ditor përmes një sekretarie, që do të jetë juria, e cila do të përzgjedhë aplikantët që do të hyjnë në një proces trajnimi intensiv në çështje që lidhen me legjislacionin, organizimin politik, sistemet politike, të folurit në publik dhe jurisprudencën.

Në përfundim të këtij procesi do të kemi edhe një përzgjedhje tjetër shumë më të imtësishme nga një juri me personalitetet vendas dhe të huaj, të cilët do t’i sugjerojnë Kryesisë së Partisë Socialiste një grup kandidatësh me profesione nga më të ndryshmet si për shembull: mësues, infermier/e, sipërmarrës apo edhe student madje. Këtë nuk e dimë paraprakisht, për aq kohë sa nuk dimë kush do të aplikojë.

Jam shumë i sigurt që do të jetë një proces shumë i suksesshëm.

Nuk duam të krahasohemi me farsat që keni parë. Faleminderit!

- A jeni ju i shqetësuar dhe a jeni në dijeni nëse ka pasur kërcënime për kryetaren në detyrë të Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako për çështjen e inceneratorëve?

Kryeministri Edi Rama: Ja si bëhet lajmi në Shqipëri. E thotë Luli, e publikon Çimi, e pyet Ambrozia dhe unë duhet të përgjigjem. Ndërkohë që pyetja është, të paktën, a ka ndonjë të vërtetë, në dijeninë tuaj, që atë e kanë kërcënuar? Jo, pyetja bëhet, a jeni i shqetësuar që e kanë kërcënuar.

Megjithatë nuk ka rëndësi. Po të jetë se ishte thjesht një problem i juaj  si fill që thashë, nuk do ishte problem, por kështu bëni të gjithë. E më thonë pastaj çfarë ke ti me mediat. Nuk kam asgjë me mediat, fare dhe aq më tepër me ju që jeni vija e parë dhe vrima e fundit e atij kavalli që e merr muzikën nga shumë lart, por realisht është problem. Më ndiqni sonte tek Fevizu lidhur me çështjen e plehrave. Përtej batutave dhe përtej shpjegimeve, më ndiqni se sot do t’ju ndriçoj me dokumente. Pse është i shqetësuar Luli dhe pse bërtet? Më vjen keq për Lulin, e dua shumë, por nga një shpullë një herë në muaj, kur e meriton, duhet t’ia japësh sepse është kusht i dashurisë, kush të rreh, të do. 

 

- Zoti Kryeministër, a do të mundet të votojnë emigrantët në zgjedhjet e 25 prillit dhe a ka menduar Partia Socialiste të lërë në dispozicion të tyre një kuotë për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, i takon kryekomisionerit dhe strukturës së sapo zgjedhur të administratës zgjedhore që të bëjë të gjitha vlerësimet, të gjykojë e të propozojë lidhur me çështjen e votës së emigrantëve, por në këndvështrimin tim, është humbur jashtëzakonisht shumë kohë për këtë, siç është humbur jashtëzakonisht shumë kohë për identifikimi biometrik, që unë shpresoj të realizohet, por eksperienca e mëparshme ka treguar që duhet kohë.

Përsa i përket mundësisë për t’u zgjedhur, e përsëris, në këtë platformë, në këtë kanal të hapur me këtë ftesë, ne mirëpresim me shumë kënaqësi të gjithë ata që janë në emigracion, vajza, djem, e kur them vajza, djem nuk vë kufi moshe, edhe gra e burra me moshë aktive që mendojnë se kanë diçka që mund ta ofrojnë. Patjetër që do ta konsiderojmë dhe objektivi është që ne të kemi në çdo njërën nga të 12 skuadrat të kemi  dikë që të përfaqësojë energjinë, të përfaqësojë freskinë, dëshirën e atyre që janë në emigracion. A do e realizojmë dot, nuk e di. Varet nga shprehja e interesit, nga kualiteti i kandidaturave, por jemi shumë të interesuar që ta bëjmë këtë gjë dhe atyre që mund ta shohin me mosbesim këtë proces u them, nuk humbni asgjë, thjesht na vini në provë. Një video për të shprehur interesin e për të treguar pse dëshiron të bëhesh pjesë e skuadrës tonë dhe çfarë mund të sjellësh t’i në skuadrën tonë. 2-3 dokumente fare të thjeshtë dhe kaq. 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm