Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › “Deputeti që duam”, takim me disa prej finalistëve që do të jenë pjesë e Skuadrës Kombëtare të 25 prillit

Të reja

“Deputeti që duam”, takim me disa prej finalistëve që do të jenë pjesë e Skuadrës Kombëtare të 25 prillit

28 Feb 2021    

Fjala e kryeministrit dhe njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama në nisje të takimit me disa prej finalistëve që do të jenë pjesë e Skuadrës Kombëtare të 25 prillit:

“Edhe pak ditë na ndajnë nga zbritja në fushë e skuadrës tonë kombëtare për ndeshjen e 25 prillit.

Është një ndeshje vendimtare për Shqipërinë mu në mes të një lufte botërore që vazhdon me armikun e padukshëm dhe në kulmin e punës për zhdukjen e pasojave të tërmeti tragjik të 15 muajve më parë.

Është një ndeshje ku do të vendoset nëse Shqipëria do të vazhdojë përpara për t’u bërë ajo që duam apo do të kthehet mbrapa për t’u ribërë ajo që largqoftë ishim.

Në 25 prill do të vendoset nëse do të dalim shpejt nga kthetrat e pandemisë, duke siguruar në kohë të gjitha dozat e vaksinave për të ecur shpejt përpara me këputjen jave pas jave, muaj pas muaji të zinxhirit të infektimeve apo do të humbasim kohe të çmuar duke rënë në kthetrat e politikës së vjetër.

Kjo ndeshje do të vendosë nëse do të vazhdojmë përpara punët e nisura nga të katër anët, në çdo drejtim, nga drejtësia tek shëndetsia, nga ekonomia tek arsimi, infrastruktura  bujqësia e me radhë apo nëse do të ngecim dhe të zhytemi përsëri në gropën e asaj politike, e cila na çoi deri në buzën e humnerës së 7 viteve e ca më parë.

Ne kemi bërë absolutisht më shumë se të gjithë ata që e kishin këtë detyrë përpara nesh, por pa diskutim nuk i kemi bërë mirë të gjitha dhe nuk kemi bërë aq sa do mund të bënim, nëse ky mandat nuk do të ishte thyer në mes nga tërmeti dhe nga pandemia.

Ama besoj se kush arsyeton me mendje të kthjellët nuk e diskuton që nuk jemi kursyer në përpjekjet tona asnjë ditë. Unë vetë si i pari i familjes sonë të madhe kam bërë çmosin në krye të të gjitha përpjekjeve duke vënë çdo ditë mishin dhe shpirtitn në krye të detyrës për ta merituar çdo ditë nderin e jashtëzakonshëm që më keni bërë me besimin që më keni dhënë.

Skuadra jonë kombëtare po bëhet gati.

Fatmirësisht, ne ndryshe nga të thjerët nuk kemi mungesë zgjedhjesh. Kemi më shumë lojtarë të aftë për të mbuluar të gjitha rolet se sa vende në skuadër. Grupi ynë parlamentar ka shumë profile të përshtatshme për çdo rol dhe gjatë këtyre viteve ka krijuar një bagazh experience të vyer që asesi nuk mund të neglizohet. Është një grup që ka mbajtur ngarkesa të mëdha në momente të caktuara krejt të pazakonshme për vete dinamikën e jashtëzakonshme të jetës parlamentare ku momentet e tensionit kanë qenë të rënda dhe të gjata.

Grupi ka qenë vijimisht solid dhe mbështetës për reformat, për vendimarrjet e vështira dhe për çuarjen përpara të punës sonë për Shqipërinë.

Kështu që natyrshëm ky grup do të jetë boshti i skuadrës sonë kombëtare të 25 prillit.

Por, njëkohësisht skuadra duhet të jetë në lartësinë e sfidës së madhe, kaq të madhe të ripërtëritjes me anëtarë të rinj, djem e vajza, gra e burra që sjellin profile të reja përfaqësues të një shoqërie që ndryshon me shpejtësi.

Gjithashtu formacioni i skuadrës sonë kombëtare duhet t’u japë mesazhe të reja, grupmoshave, më të rinjve, grave në mënyrë të veçantë, kategorive të ndryshme sociale. Kjo në fakt ka qënë prirja e kahershme e PS.

E unë besoj se gjatë periudhës së drejtimit tim, Partia Socialiste e ka konsoliduar këtë prirje. Në partinë tonë nuk ka vend për kasta të pandryshueshme drejtuese, as për piedestale që nuk lëvizin nga pozicionet dhe i përkasin një të shkuare tanimë të largët, sherresh e konfliktesh për “kush jam unë e kush je ti”. Ne na duhen deputetë e deputete që ambicien më të lartë ta kenë qëndrimin sa më pranë njerëzve, zgjidhjen sa më mirë dhe sa më shpejt të halleve dhe problemeve në komunitet, pjesëmarrjen sa më të frytshme në parlament, por shumë e rëndësime kontributin pozitiv në frymën e skuadrës.

Skuadra është mbi të gjithë dhe mbi të gjitha egot dhe interesat personale dhe harmonizmi i gjeneratave, aspiratave, egove dhe interesave të përveçme është A-ja në alfabetin e çdo skuadre fituese.

Për ndeshjen e 25 prillit ne kemi ndërtuar një process të ri, inovativ, me sytë nga çdo komunitet dhe kategori shoqërore, duke hapur derën për të gjithë ata që kanë ambicien kurajën, vullnetin të bëhen pjesë e skuadrës sonë.

E kemi quajtur këtë proces “Deputeti që duam” dhe kemi pritur plot 1581 shprehje interesi nga vajza e djem, gra e burra, nga qyteti e fshati, brenda dhe jashtë vendit, nga të gjitha rrugët e jetës.

I falendedroj sot që të gjitha pa asnjë perjashtim. Ka qenë nder për ne që aq shumë individë, anëtarë, simpatizantë apo thjeshtë qytetarë me bindje të ngjashme me tonat dhe me qëllime qartësisht të ngjashme me tonat na kanë ofruar gatishmërinë  e tyre për t’u bërë pjesë.

Procesi ka kaluar në disa etapa dhe më vjen shumë mirë sot, që të takohem me disa prej atyre, të cilët janë seleksionuar për skuadrën tonë kombëtare.

Për kushte specifike të imponuara nga rregulla të caktuara kundër armikut të padukshëm ky është një format i mbyllur me një numër të kufizuar pjesëmarrësisht nga kjo kategori e re e listave tona, si dhe me një program ndryshe nga zakonisht.

Këtu bashkë me mua janë dy kolegë që kur ishin fare të rinj në dy faza krejt të ndryshme të PS u bënë pjesë  e skuadrës kombëtare. Erdhën nga dy rrugë krejt të ndryshme, por njësoj si ata, që sot vijnë nga rrugë krejt të ndryshme për t’u bërë pjesë e rrugës sonë të përbashkët, ishin, ndanin, bashkoheshin, pa u njohur me njëri- tjetrin, tek ambicia për të bërë më shumë për të qënë të dobishëm dhe natyrisht për të punuar, kontribuar, mbështetur të tjerë dhe përmes të tjerëve vetvetën për një qëllim të madh dhe të përbashkët.

Taulant Balla dhe Erion Veliaj, janë këtu me mua. 

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Teksa i afrohemi 25 Prillit, mua më kujtohet beteja ime e parë elektorale. Kam qenë një prej djemve dhe vajzave që iu bashkuam Partisë Socialiste 27 vite më parë, në betejën e parë që ky subjekt politik fitoi, që prej vitit 1991.

Prej atij momenti kam qenë, hap pas hapi, në të gjitha nivelet e përfaqësimit për të arritur e për t’u përzgjedhur, njësoj si djemtë e vajzat që janë sot këtu, pjesë e ekipit kombëtar të Partisë Socialiste. Prej vitit 2005 kam pasur nderin si pjesëtar i Partisë Socialiste, të jem përfaqësues i një zone të Shqipërisë, për të cilën gjithmonë ruaj mirënjohjen. Këshilla më e mirë që do të doja ti jepja djemve dhe vajzave, që sot do të bëhen pjesë e ekipit tonë është: ruajeni marrëdhënien e ngushtë me zgjedhësit tuaj. Asnjëherë mos e ndërprisni komunikimin me zgjedhësit dhe asnjëherë mos harroni se janë ata, të cilët ju kanë mbështetur dhe ju vëzhgojnë.

Dallimi i kandidimit për herë të parë dhe herëve të tjera është se: herën e parë qytetarët të japin besimin, herën e dytë apo të tretë apo të katërt është detyra jote, që besimin t’u shpërblesh me punë.

Bashkë me Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kolegë të tjerë të Kryesisë së Partisë Socialiste iniciuam këtë proces, i cili është historik dhe lidhet në fakt edhe me ndryshimet Kushtetuese që ne bëmë vitin e kaluar, sikurse ishte hapja e listave.

Hapja e listave të Partive, që qytetarët të zgjedhin njerëzit që duan, është sot një mekanizëm që do të përmirësojë cilësinë e ekipeve.

Ne nuk u mjaftuam vetëm me gjithçka që kemi brenda familjes sonë politike. Ne hapëm një dritare për të cilën interesi ishte aq i lartë sa nuk imagjinohej nga unë personalisht. Nuk e mendoja se do të kishte aq djem e vajza, mbi të gjitha që një pjesë e konsiderueshme vinin nga jashtë Shqipërisë, të cilët aplikuan me besimin se secili prej tyre do të vlerësohej.

Dua ti garantoj të gjithë se ne i kemi studiuar me shumë vëmendje të gjithë aplikimet tuaja, megjithëse ishte e pamundur që 1581 aplikantët të ishin pjesë e ekipit. Unë dua t’ju garantoj sot, se ne do të vazhdojmë të jemi me njëri-tjetrin në komunikim, sepse kontributi juaj do të vazhdojë edhe më tej. Ne ju konsiderojmë të gjithëve ju, si pjesë të rëndësishme të  fitores sonë më 25 prill.

Në fazën e dytë erdhëm me një grup më të reduktuar, me të cilët na u desh të punonim edhe në një aspekt tjetër, aspektin e përgatitjes: sesi bëhet një fushatë elektorale, sesi mbahet një fjalim publik, sesi mund të komunikosh më mirë me zgjedhësit.

Të gjitha këto na kanë bërë që të bëjmë një ekip që na bën krenar.

Jemi munduar të ruajmë ndarjen gjeografike, ku të jenë të përfaqësuara të gjitha qarqet.

Unë jam shumë krenar që sot ne kemi mundësi që të bëjmë një ndërthurje shumë të mirë mes eksperiencave shumë të vyera që ka Partia Socialiste dhe djemve e vajzave të rinj, që do të japin kontributin e tyre në familjen tonë.

“Deputeti që Duam”, fjala e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:

Unë kam lindur në fund të vitit ’79 dhe kur nisën të ndryshonin gjërat kam qenë 10 vjeç. Më kujtohen mirë ato ngjarje të Tiranës kur ra busti i Enverit, dhe si fëmijë e kupton se diçka po lëvizte. Po atë vit, më ndodhi një fatkeqësi në familje: humba babain. Mbaj mend se në atë kohë, nëpër markata kishte vetëm qepujka, ishin e vetmja gjë në shitje.

Në pamundësi për të jetuar, në kushtet kur shteti falimentoi, çdo gjë u shpërbë, ushtria ku punonte nëna ime nuk kishte më nevojë për 200 mijë ushtarakë, secili prej nesh duhet të bënte diçka për të mbijetuar. Shikoja politikën se si ca njerëz të mëdhenj, ca në të majtë, ca në të djathtë, kishin trashëguar diçka të dhuruar dhe jo diçka e fituar.

Pas shumë ecejakesh në jetë pata një mundësinë të shkoja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj pas vitit të parë, lashë shkollën për të shkuar në Kosovë, si një mundësi fantastike për të shërbyer në atë transformim që po ndodhte pas luftës. Më pas u riktheva të mbaroja shkollën, por një pyetje i bëja vetes: Të rri këtu në Amerikë, që funksionon relativisht mirë, apo të kthehem në Shqipëri, e cila mund të duket si një papaq i vogël, por kur je motori i një vendi të vogël mund të bësh gjëra që e çojnë vendin përpara, të japësh një kontribut.

Të jem i sinqertë, e fillova duke protestuar ndaj Partisë Socialiste. Atëherë kisha shumë vërejtje, të tipit a është kjo e majta, a mund të jetë e majta më solidare, a mund të përgjigjet pak më shpejt kur ka nevoja, a e mban dot ritmin ku ka shkuar bota sot, dhe isha i frustruar se vija nga e majta, vija si një aktivist i majtë në Amerikë, por ndërkohë më frustronte fakti që e majta nuk po mbante dot ritmin.

MJAFT-i që unë themelova në 2003, përkon me vitin kur kanë lindur ata që do të votojnë për herë të parë në 2021. Atëherë patëm një komunikim, madje tentova edhe të filloja një listë timen, dhe thashë sa të protestoj, ndoshta ia vlen të kandidojmë në Parlament, se ndoshta e bëjmë më mirë, se sa të rrimë nëpër dyer duke protestuar.

Asokohe më erdhi një ftesë nga Edi, që më pyeti: Do vazhdojmë copa-copa, me njerëz që mendojnë për progresin, ku secili këtu me ambicien e tij fillon nismën e tij, apo ndoshta bashkimi bën fuqinë? Edi më hapi derën për t’u futur në PS. Partia jonë nuk është perfekte, por kur te partia jonë thua “dhëndri, kunati, djali, vajza”, njerëzit kthejnë kokën dhe thonë: Dhëndri i kujt? Kunati i kujt? Djali dhe vajza e kujt? Në një parti tjetër, po përmende kunati, djali, vajza, merret vesh për kë e ke, dihet si bëhet hajër për të ecur në atë parti.

Në partinë tonë po the burri dhe gruaja, ne kthejmë kokën dhe pyesim: Burri dhe gruaja e kujt? Në një parti tjetër po the burri, gruaja - gruaja, burri, merret vesh për kë e ke, kuptohet si bëhet karrierë në atë parti.

Jua thashë në 2 minuta historinë e jetës sime, për t’ju thënë se keni ardhur në një familje ku nuk pyet njeri i kujt je. Jemi si një familje, por e vetmja gjë që na bën familje është parimi “një për të gjithë, të gjithë për një”, jo gjaku, jo gruaja, jo burri.

 

Mirë se erdhët!

                                                                                                  ***

Njihuni me një pjesë të finalistëve të përzgjedhur përmes platformës “Deputeti që duam” në Partinë Socialiste: 

Në kuadër të platformës “Deputeti që Duam”, Kryeministri Edi Rama, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Taulant Balla, i deleguari politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj zhvilluan një takim me një pjesë të finalistëve, të cilët pritet të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
Dhora Dajko, Kabir Fishta, Albana Hasa, Bardhyl Kollçaku, Alfred Muharremi, Erjola Hoxha, Shpresa Marnoj, Gerta Duraku, Jona Liqezja, Shkëlqim Bullari, Keida Ferra, ndanë me të pranishmit rrugëtimin e tyre përmes platformës “Deputeti që Duam”, arsyet që i çuan drejt vendimit për të qenë pjesë e politikës aktive, çfarë i bashkon dhe pse zgjodhën të garojnë nën siglën e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Njëra prej finalisteve, Dhora Dajko, e cila vjen nga Maliqi, e diplomuar në degën e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, u shpreh ndër të tjera se: “Unë mendoj se Partia Socialiste e ka pasur, por edhe e ka vizionin e qartë për ta transformuar Shqipërinë. Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që i ka dhënë përfaqësimin gruas në politikë duke vendosur gra në poste të mbajtura historikisht nga burrat”.
Një tjetër finalist, Kabir Fishta nga qyteti i Shkodrës i diplomuar në Zvicër u shpreh se prioritet i tij do të jetë kërkesa ndaj qeverisë për të shtuar vëmendjen edhe më shumë ndaj qytetit të tij të lindjes.
“Kam përfunduar studimet në Zvicër. Një nga prioritetet kryesore të miat është kërkesa ndaj qeverisë për të shtuar vëmendjen ndaj qytetit të Shkodrës, sepse ka një potencial të jashtëzakonshëm”, u shpreh Fishta. 
Albana Hana nga qyteti i Elbasanit, një tjetër finaliste, e cila ka studiuar për Shkenca Sociale dhe Drejtësi në Universitetin e Tiranës, doktorante në fushën e drejtësisë në Universitetin e Hamburgut ndër të tjera u shpreh se  do ti bashkohet skuadrës së Partisë Socialiste, sepse beson se kjo forcë politike ka vullnetin e duhur për ta çuar përpara vendin. 
Alfred Muharremi nga qyteti i Tiranës, i cili ka përfunduar studimet për Menaxhim Bankar nënvizoi se: “angazhimi im politik është të jap kontributin tim përmes politikave sociale.” 
Erjola Hoxha nga qyteti i Patosit, e diplomuar për Financë-Kontabilitet, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe e Drejtë Publike në Universitetin e Tiranës u shpreh optimiste dhe shpresëplotë për të ardhmen, andaj zgjodhi të jetë pjesë e Partisë Socialiste dhe të kontribuojë për të mirën e  Shqipërisë.
Bardhyl Kollçaku,  ish- Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura u shpreh: “Vij në Partinë Socialiste për ti dhënë zë çdo qytetari të Beratit për të materializuar projekte nga më të ndryshmet.”
Shpresa Marnoj nga Kurbini, e diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë gjatë fjalës së saj u shpreh se dëshiron të jap kontributin e saj personal në politikë, përmes Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Greta Duraku nga qyteti i Kukësit, një tjetër e përzgjedhur përmes platformës “Deputeti që duam” u shpreh se: “synimi im kryesor është ti jepet përparësi sektorit të turizmit në Kukës falë pasurive dhe bukurive të tij natyrore.”
Ndërsa Jona Liqejza nga qyteti i Shkodrës, diplomuar në Vjenë për Ekonomi, u shpreh se: “angazhimi në politikë është një hap, të cilin e hedh për ti dhënë zë qytetarëve të mi dhe ti jap zgjidhje problemeve të tyre. Besoj se jam në një forcë politike si Partia Socialiste që ka vizionin e duhur për ti realizuar.”
Keida Ferra nga qyteti i Durrësit, e diplomuar në Universitetin e Shkencave të Natyrës, dega Matematikë theksoi se: “Partia Socialiste përmes platformës ‘Deputeti që Duam’ më dha mundësinë të bëhem pjesë e politikës përmes të cilës dua të kontribuoj sa më shumë për qytetin tim”.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm