Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Detyrimi jonë ndaj shqiptarëve është çlirimi i zyrës së Presidentit nga kthetrat e së shkuarës dhe normalizimi i raportit të tij me Kushtetutën

Të reja

Detyrimi jonë ndaj shqiptarëve është çlirimi i zyrës së Presidentit nga kthetrat e së shkuarës dhe normalizimi i raportit të tij me Kushtetutën

23 May 2022    

Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me gazetarët pas seancës parlamentare:

-Z Rama, dy raunde u dogjën pa asnjë kandidat. Keni vullnetin për një raund të tretë per një emer konsensual me opozitën? 

Kryeministri Rama: Tani, duhen dy për tango thonë, kështu që që nuk mund të bëjmë tango vetëm. S’kemi partnerë.

-Z. Kryeminister ditën e sotme ka patur një kercenim nga ministri i jashtëm grek, që nese Shqipëria hap cështjen e pronave të çamëve në Greqi, atëherë do ta bllokojë me anë të vetos integrimin europian. Kishit mundësi ta diskutonit këtë ceshtje me ministren e jashtme? 

Kryeministri Rama: Nuk dua të bëj deklarata që janë ushqim për median, dua thjesht të them që ne jemi në nje fazë të avancuar dialogu, bashkëpunimi, mirëkuptimi me fqinjët dhe jam i bindur që ne do tja dalim që të realizojmë atë që kemi qëllim që ta çojmë atë marrëdhenie në një nivel tjetër, duke i trajtuar me shumë respekt reciprok të gjitha çështjet e mbetura. 

-Z Rama nëqoftëse në raundin e tretë nuk do të ketë dakordësi mes palëve a do na tregoni të paktën si grup parlamentar i PS një profil më te qartë të kandidatit të ardhshëm të Presidentit të Republikës që mesa duket do të vijë nga pala juaj? 

Kryeministri Rama: Unë e kam shpjeguar disa herë këtë çështjen e profilit. Merren me profilin ata që nuk duan të merren me zgjidhjen. Zgjidhja është një njeri, i cili të përmbushë detyrimet që ne kemi karshi shqiptarëve për ta çliruar atë zyrë nga kthetrat e së shkuarës dhe për ta normalizuar raportin e Presidentit të Republikës në Kushtetutë. 

-z Rama e keni vendosur se kë do të votoni për president? 

Kryeministri Rama: Natyrisht po të kishim vendosur ne do ta kishim shpallur dhe do ishim këtu duke pritur që ta votonim, kështu që nuk kemi vendosur asgjë. E kemi ndjekur këtë proçes me durim të gjithë duke dëgjuar lloj-lloj çudirash, por jemi gjithmonë e më shumë të qartë që s’kemi partnerë. 

-Z Rama pse nuk bashkëpunoni me opozitën për të propozuar një emër konsensual edhe me firmat e deputetëve të PS? 

Kryeministri Rama: Ç’domethënë kjo? 

-Për ta bërë më të besueshëm edhe procesin pasi nga pala tjetër nuk ka besueshmëri për sinqeritetin tuaj në këtë proçes. 

Kryeministri Rama: Politika është ndërveprim, politika është dialog, politika është shah dhe në të gjithë atë që politika është fjala “nuk kam besim prandaj po iki në drejtim të paditur” nuk është politikë, nuk ka lidhje me politikën, është diçka tjetër, por s’është politikë.

Unë e kam sjellë disa herë shembullin tonë kur ne ishim në opozitë, kemi patur dy zgjedhje kur unë kam qënë në drejtimin e Partisë Socialiste, një zgjedhje kur ne nuk i kishim votat për të zgjedhur presidentin, por kishim mjaftueshmërisht vota për ta ulur në tryezë palën tjetër sepse në atë kohë ishte sistemi me 84 vota në të pestë raundet dhe një zgjedhje tjetër ku ne s’kishim vota dhe ishte sistemi siç është sot dhe ne përsëri u ulëm diskutuam, dhamë opsione, dëgjuam opsione, nuk ramë dakord në fund, ata votuan atë qe donin dhe mbaroi puna, por ne nuk humbëm në atë proçes. Humbi zyra e presidentit mund të them humbi institucioni, por nuk humbëm ne! Kështu që opozita nuk është aty për të imponuar o kështu siç them unë o s’ka, opozita është aty për të bërë përpjekjet e veta siç i kemi bërë ne. Nuk duan t’i bëjnë është punë e tyre, ne nuk i detyrojmë dot. 

Z Rama i qëndroni  faktit që Ilir Meta në datën 25 korrik do të pjesë e opozitës se të paktën kështu ka deklaruar, që në shtator në sezonin e ri do të keni dy kundershtarë? 

Kryeministri Rama: Nuk ka qënë asnjëhere asgjë tjetër perveçse pjesë e opozitës. 

-Në kaq pak ditë qe kane ngelur, si do ta identifikoni emrin e ri të Presidentit të Republikës duke qenë se ju thoni që nuk e keni një emër ? 

Kryeministri Rama: Nga zëri mu duk zë i njohur, por nuk të shoh se nuk të bie drita megjithatë pyetja është çuditërisht shumë korrekte. Ajo që ne do bëjmë është që të presim në raundin e tretë dhe pastaj nëse do të jetë i njëjti rezultat do mblidhemi dhe do flasim konkretisht më përfaqësuesit e PS në kryesinë e partisë pastaj do i drejtohemi grupit parlamentar, pastaj do vijmë në sallë. Sigurisht s’do e lëmë vendin pa president nuk diskutohet. 

-Do i merrni në konsideratë emrat që kanë dorëzuar në zarfe deputetet e  Ps? 

Kryeministri Rama: Lajm i mirë është që Ambrozia u riedukua përsëri.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm