Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Drafti i propozuar nga Partia Socialiste mundëson ndarjen e mandateve mbi bazën e peshës elektorale që kanë kandidatët

Të reja

Drafti i propozuar nga Partia Socialiste mundëson ndarjen e mandateve mbi bazën e peshës elektorale që kanë kandidatët

18 Sep 2020    

Prononcimi për media i përfaqësuesit të Partisë Socialiste në Këshillin Politik z.Damian Gjiknuri në përfundim të mbledhjes së sotme: 
 
Besoj të gjithë e patë që fatkeqësisht Partia Demokratike bojkotoi Këshillin Politik. E bojkotoi edhe pse ishte edhe ajo kërkuese që kjo mbledhje të zhvillohej. E bojkotoi me të njëjtat qëndrime që tashmë janë bërë publike por që për mendimin tim kanë vetëm një synim, të hedhin në erë këtë proces, të mbajnë peng ndryshimet kushtetuese dhe të krijojnë një krizë artificiale vetëm e vetëm që të justifikojnë qëndrimet e tyre politike të mëtejshme. 
Nga ana tjetër, stiset një debat i kotë. Pse? Duhet ta kuptojë publiku se po bëhet sikur po zihen për procedurë, pra a duhet ODIHR-i tani apo duhet më vonë! Ju i mbani mend shumë mirë, qoftë edhe ato marrëveshjet të cilave ata ju referohen, ODIHR është një organizatë e specializuar. Po tu ktheheni edhe deklaratave të vazhdueshme të opozitës shqiptare, ODIHR është një organizatë e specializuar për të dhënë mendim juridik mbi produkte konkrete. Sot ne sollëm një produkt konkret. Ai mund të mos jetë perfekt, është një draft që kërkon inputin e të gjitha palëve. Në atë draft parashikohet koalicioni zgjedhor dhe nuk është fare e vërtetë se nuk u parashikoka koalicioni pasi publiku është njohur me këtë fakt. Parashikohet vota parapëlqyese për çdo kandidat dhe natyrisht mekanizmat që mundësojnë realisht ndarjen e mandateve mbi bazën e peshës elektorale që kanë kandidatët. Zgjedhësi voton edhe për partinë politike, edhe për individët e veçantë. 
Konflikti është i stisur për arsye se ODIHR-i gjithmonë shprehet mbi drafte, nuk i shkohet ODIHR-it me pretendimin se kemi ne një sherr teorik këtu se si do ta zbatojmë Kushtetutën dhe hajdeni ju! Ka qenë Partia Demokratike ajo e cila në vazhdimësi ka kundërshtuar edhe për rekomandime të ODIHR-it. Nuk ka rekomandim se si të zbatohen ndryshimet Kushtetuese, nëse ju gjeni një rekomandim që të thuhet se si duhet të zbatohen ndryshimet e reja kushtetuese ma tregoni. Nuk ka rekomandim të tillë sepse nuk e ka shqyrtuar ODIHR-i këtë dhe nuk është në tagrin e ODIHR-it të merret me çështje të karakterit kushtetues. Ajo që po themi është hajde të punojmë mbi një draft. Koha nuk pret, nuk mund të zvarritet ky proces përtej Shtatorit për arsyen shumë të thjeshtë se në Tetor fillon KQZ-ja e re dhe nis përgatitja e akteve dhe elementëve logjistik për të bërë të mundur zgjedhjet. Le ta shfrytëzojmë këtë kohë, të mos e bojkotojmë Këshillin. Duhet të vihet me propozime konkrete. Ne kemi një definicion për koalicionet aty dhe nuk është fare e vërtetë se çështja e koalicioneve ka qenë në Marrëveshjen e 5 Qershorit. Më gjeni një pikë të 5 Qershorit ku ka qenë e debatueshme çështja e koalicioneve. Ndryshimet Kushtetuese hoqën fjalën koalicion dhe diktojnë adresimin në Kodin Zgjedhor. Ne kemi sjellë një variant dhe është variant që e gjen në çdo legjislacion evropian. Le ti thonë ODIHR-it nesër që ky version që kanë sjellë këta është në kundërshtim me parimet demokratike të OSBE/ODIHR-it. Po ta thotë dikush këtë dakord por se ka thënë njeri! 
Për ta kuptuar mirë shqiptarët, Partia Demokratike nuk do vazhdimin e kësaj tryeze, do krizë artificiale, do që të mos marrë pjesë në këtë proces dhe ti quajë më pas ndryshime të njëanshme. Ata kanë një tjetër hall të vërtetë. Unë e kam thënë, nëse e ndjejnë veten të fortë elektoralisht dhe i kanë votat mund të fitojnë. Këto që bëjnë janë sebepe për të justifikuar krizën e tyre të brendshme apo situatat e tyre politike që unë nuk dua ti komentoj. Unë po them hajdeni të kontribuojmë me produktin konkret, aty ka një draft, nuk jam i dashuruar me ato çka kemi sjellë se mund të ketë edhe defekte në ato çka kemi shkruar aty por hajdeni ti diskutojmë. Nëse më pas ka pretendim se shkelet parimi demokratik, mund të lindë debati se kujt duhet ti drejtohemi. Ky është qëndrimi i Partisë Socialiste dhe më vjen keq për kolegët e Partisë Demokratike. Unë i pres prapë në mbledhje por ata kërkojnë siç thotë populli “qiqrra në hell”. Nuk mund të kërkojë ekspertizë kur akoma nuk kemi një produkt mbi të cilin ekspertiza duhet të jepet.

 Z.Gjiknuri pse nuk i nisni një kërkesë ODIHR-it për atë të Partisë Demokratike bashkë me draftin dhe merrni një përgjigje?
 
Së pari njëherë, Partia Demokratike duhet të bëjë komente mbi draftin. Partia Demokratike nuk ka shprehur një pikëpamje por ka përgatitur një dacibao politike ku flet për Kushtetutën, marrëveshjen etj. Po eksperti i ODIHR-it mbi çfarë do të gjykojë? Ai ose do gjykojë mbi draftin tim por ai është një draft i njëanshëm dhe unë dua ta diskutoj me këta njëherë. Nuk pranon ODIHR-i drafte të njëanshme. ODIHR-i thotë nëse keni një problem mbi një draft konkret, me ndonjë formulim konkret që bie në kundërshtim me ndonjë rekomandim jap opinion. Nuk është ODIHR-i si këshillat e burrave të moçëm që shkojnë dy-tre njerëz që zihen e u thonë si ta zgjidhim këtë problem. ODIHR-it i shkohet me një produkt konkret.
 
 Z.Gjiknuri, pse nuk ja lini ODIHR-it ta thotë këtë gjë? 

Po nuk mund ti shkosh një organizmi pa diçka konkrete dhe ti thuash si ta zgjidh unë. Ai do të thotë cili është halli ma përshkruar çfarë halli keni. A shkohet në gjykatë me ide? A shkohe tek një trupë e pavarur duke thënë kam një ide teorike unë po si ta zgjidh?! Shkohet me gjëra konkrete dhe gjërat konkrete janë draftet ligjore.
 
 Z.Gjiknuri, referuar draftit që ju propozoni, lista e kandidatëve praktikisht mund të cilësohet e mbyllur. Së dyti, propozoni koalicione me listë unike të cilën e dini mirë që PD nuk e pranon…   

Partia Demokratike le ta shpresë kundërshtinë apo moskundërshtinë e saj në mbledhje. Propozimi ynë për koalicionet është propozimi që e gjen në çdo legjislacion që ka sistem proporcional rajonal me lista të hapura. Aty përcaktohet shumë qartë se partitë vendosin kandidatët e tyre, bien dakord se cilët janë kandidatët, pra Damian Gjiknuri i PS, Monika Kryemadhi e LSI etj me rradhë. Elektorati e di vetë se për kë do të votojë por këta janë në një listë. Çfarë problemi ka këtu? Kështu e kanë të gjitha vendet e tjera. Ky është modeli që njohin të gjitha vendet demokratike që kanë sistem proporcional rajonal me lista të hapura. Nuk ka sistem që favorizon njërën palë. Nëse Partia Socialiste është shumica e shqiptarëve dhe këta duan të gjejnë një skemë se si ta bëjnë pakicë, nuk i ndihmoj dot me skema vetasgjesimi. 
Ndërkaq, përsa i takon listës, modelet që kemi zgjedhur janë madje modele të propozuara në mos gaboj edhe gjatë prezantimeve të zonjës Hajdari ku është marrë modeli danez. Modeli që kemi propozuar është se çdo kandidat votohet me emrin e tij, renditja ndryshohet pasi kandidati të ketë marrë një sasi të caktuar votash. Kjo i jep edhe stabilitet listës së partisë por edhe nga ana tjetër vlerëson mbi peshën elektorale çdo kandidat. Me këtë parim e ka Kroacia, e ka Austria, e ka Sllovenia e Suedia. Pra, janë një sër shtetesh që e zbatojnë këtë. Kemi listën plotësisht të hapur e brenda parimit kushtetues, votuesi zgjedh vet atje. Nëse ti ke peshë të caktuar ndryshon renditjen e listës. Nuk mund të thuash thjesht kam 100 vota unë dhe dua të zgjidhem deputet. Në momentin që tregon se ke peshë të caktuar natyrshëm që e thyen rënditjen dhe bëhesh deputet. Nga ana tjetër, kjo është një formulë e cila garanton edhe kuotat gjinore. Detyrimi i partive për të vendosur një në tre emra qëndron dhe natyrshëm edhe ata që janë sipër në listë edhe nga kuota gjinore duhet të punojnë pasi nuk e kanë më të sigurtë. Ata që janë poshtë në listë mund ti thyejnë renditjen e listës.
 
 Z.Gjiknuri, kjo duket praktikisht e pamundur! 

Unë nuk e di se si do sillet elektorati se kjo është e pamundur. Nuk e di nga e dini ju. Kjo metodë është për herë të parë në Shqipëri, ku e dini ju se si do të sillet elektorati? Si mund të marrim ne përsipër të flasim për variabla të panjohura. Unë nuk e marr dot përsipër këtë. Gjithmonë njerëzit kujtojnë se i dinë gjërat e panjohura por realiteti sjell të reja që askush si parashikon.
 
Rrezikohet stabiliteti i partive me këtë skemë z.Gjiknuri sepse një emër mund të marrë shumë vota? 

Këto janë tensionet që sjell lista e hapur por do të jetojmë me këtë. Unë personalisht e kam thënë që listat e hapura mund të sjellin tensione, mund të sjellin fragmentime por ky do jetë një tension me të cilin do të jetojmë në vijim.
 
Z.Gjiknuri nëse opozita jashtëparlamentare nuk vjen më në tryezën e Këshillit do ta vazhdoni ju miratimin e draftit në Kuvend? 

Këshilli Politik është bërë për tu këshilluar me opozitën jashtëparlamentare. Nëse ata nuk do të vijnë, natyrshëm që Kuvendi ka një detyrë. Unë jam i ngarkuar nga Kuvendi që deri në 30 Shtator të propozoj draftin në Parlament, në Komisionin Parlamentar të Ligjeve pasi vendi nuk mund të rrijë në krizë kushtetuese. Unë nuk mund të lë vendin në krizë kushtetuese. Qëllimi i vetëm i tyre është politik dhe mos bëni sikur nuk e kuptoni. Duan të krijojnë një krizë artificiale, të thonë po shkel mazhoranca në mënyrë të njëanshme marrëveshjet etj etj, dhe të justifikojnë ndonjë qëndrim radikal të cilin se di se cili mund të jetë. Do fillojnë të përsërisin të njëjtat histori të humbësit, jo unë nuk hyj, nuk do Edi Rama të lëshojë pushtetin e histori të tilla.


 Z.Gjiknuri, kundër draftit të propozuar është shfaqur edhe zonja Hajdari… 

Në ndërtimin e një formule të votimit të hapur ka shumë pikëpamje, nuk ka formulë përfekte. Ju kujtoni se në botë nuk ka debate për këto? Shikoni edhe Shtetet e Bashkuara sa debate ka për sistemin e votimit, që nga vota në distancë etj. Pra, këto janë çështje për të cilat partitë kanë pikëpamjet e tyre. Ne kemi propozuar një variant. Le të thonë të tjerët se çfarë nuk shkon me këtë variant dhe pse ky variant nuk është i pranueshëm. Këto nuk thuhen me deklarata por me produkt dhe këtë prisja nga Partia Demokratike. Edhe nëse nuk të pëlqen formulimi i koalicionit, ulu dhe më thuaj çfarë nuk shkon me këtë. Prandaj dhe debati në lidhje me ODIHR-in është një debat i kotë politik. Ne mendojmë se ajo është zgjidhja më e mirë që i duhet vendit për të mbajtur stabilitetin e partive politike por njëkohësisht për ti dhënë të drejtën elektoratit të votojë njerëzit me peshë. Njëkohësisht siguron pjesëmarrjen e grave dhe të mos kthehen krahinarizmat që na çojnë në drejtime të tjera më pas. Kjo është një formulë që e kanë edhe vende të tjera evropiane. Sistemet proporcionale rajonale me lista të hapura kanë pak a shumë të njëjtat rregulla kudo.

 Z.Gjiknuri, Euronews Albania ju drejtua zyrtarisht ODIHR-it nëse është i gatshëm të ndihmojë palët. Ata shprehen se janë të gatshëm të ndihmojnë palët edhe pa u dërguar drafte konkrete… 

Këtë e thua ti. Ti nuk je ODIHR-i por në këtë rast je një person i tretë. Megjithatë po ju them se standardi i këtij Këshilli dhe siç unë e di që vepron ODIHR-i, kur ka patur probleme konkrete mbi draftet kërkohet këshilla. Ky ka qenë standardi procedurial. Realiteti i këtij Këshilli ishte që edhe kur ODIHR-i kishte propozime konkrete dhe rekomandime ky Këshill i shkeli. Këtu jam edhe unë fajtor por e gjitha u bë për interes të Partisë Demokratike. I tillë ishte depolitizimi dhe të tjera. Po të shikoni fjalimet e eksponentëve të Partisë Demokratike apo opozitës jashtëparlamentare në këtë Këshill kanë thënë “ne nuk na duhet çfarë thotë ODIHR, standardet i dimë vet dhe në fund të fundit Kodi Zgjedhor është proces politik ku me interes është konsensusi mes palëve se sa standardi”. Të lutem tani, të mos e përmendim ODIHR-in vend e pa vend. Kur e duam na pëlqen dhe kur se duam se zëmë në gojë se i bëjmë vet. Unë do ti rri standardit për propozime konkrete, drafte konkrete, debat konkret dhe natyrshëm i shkohet me pyetje jo me teori.
 
Faleminderit,  

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm