Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Duke qenë bashkë mund të bëjmë maksimumin për t’i dhënë më shumë Beratit dhe gjithë Shqipërisë

Të reja

Duke qenë bashkë mund të bëjmë maksimumin për t’i dhënë më shumë Beratit dhe gjithë Shqipërisë

02 Apr 2021    

Këndi i fjalës Berat – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Shumë faleminderit për praninë tuaj dhe më vjen shumë mirë që na jepet mundësia që në këtë moment kaq të bukur të ditës të kemi mundësinë të jemi në këtë pikë kaq të bukur, jo vetëm të Beratit, por dhe të gjithë Shqipërisë. Kur hymë këtu mu kujtua sesa keq ndihesha dikur, kur kjo mrekulli e trashëgimisë tonë kulturore ishte e mbuluar nga ferrat. Dhe ky “dikur” nuk ishte shumë vite më pare, por ishte pikërisht në momentin kur qytetarët e Beratit i dhanë Ervinit mundësinë dhe i bënë nderin e madh të jetës që të jetë qytetari i parë këtu.

 E kujtoj fare mirë nga fotografitë që merrja në ato ditë, jo vetëm nga Berati, por dhe nga bashki të tjera që u angazhuan për të bërë një pastrim plehrash, mbetjesh e llozhrash lart e poshtë dhe një pastrim ferrash. Në një periudhë kohe të shkurtër, kjo Kala u mbulua me ferra, u mbyt nga plehrat. Njësoj si kjo Kala mund t’i ndodhë çdo pike të këtij vendi kur nuk drejton Partia Socialiste. Është një histori tanimë e mjaftueshme për të kuptuar dallimin e madh mes nesh dhe atyre.

 Ne nuk jemi të rënë nga qielli, nuk jemi pa të meta dhe padiskutim që, për shkak se kemi patur barrën të drejtojmë dhe barrën të bëjmë shumë punë, kemi bërë edhe gabime. Kemi bërë gabime që i dimë, gabime për të cilat kemi kërkuar edhe ndjësë publike, por me siguri kemi bërë plot gabime që as nuk i dimë. E këto janë të lidhura me me jetën e përditshme të njerëzve, sepse unë mendoj se kudo, kur dikush ndeshet me shtetin dhe përballë gjen dikë që është i pashpirt, lëndohet dhe për çdo lëndim, ne mbajmë përgjegjësi. Për çdo rast kur gjërat nuk shkojnë si duhet në marrëdhëniet mes qytetarëve të zakonshëm dhe institucioneve, ne mbajmë përgjegjësi.

 Ne nuk jemi këtu as për të thënë se çfarë kemi bërë ne, është një mrekulli dhe as për të pretenduar se ne nuk do bëjmë gabime. Gabimet janë të pashmangshme kur njeriu punon, kur një grup njerëzish punojnë, kur një shtet i tërë punon.

E rëndësishme është të mos përsërisim të njëjtat gabime, që në çdo hap gjërat e mira, gjërat e bukura, gjërat e dobishme të jenë shumë më të tepër sesa ato që do, s’do, ndodhin.

Nasipi tha se ka ardhur sepse ndjehet sikur është pjesë e një borxh, pasi na kanë marrë shumë vota. Në fakt, kjo është vetëm gjysma e të vërtetës. Gjysma tjetër është që pjesë e këtij borxhi jemi edhe ne, pjesa tjetër. Në fund të ditës, për atë ndarje janë njerëzit e zakonshëm, janë shumica e këtij populli këtu që e ka zemrën majtas dhe zemra i rreh majtas që kanë paguar kosto. Ne së bashku në të shkuarën kemi bërë së bashku dhe gjëra të mira, madje gjëra shumë të mira. Por në fund, kur bën bilancin, më shumë kemi krijuar kosto nga ajo ndarje, ajo përçarje, ajo luftë e brendshme, sesa kemi bërë aq sa shumë mund të bënim për njerëzit, nëse do ishim jo vetëm të bashkuar, por edhe të vendosur në të njëjtat qëllime.

E solla shembullin duke iu referuar Nasipit, për të thënë që për mua, ky është një moment jo thjesht i rëndësishëm nga pikëpamja e një palë zgjedhje. Ky moment është i rëndësishëm nga pikëpamja e historisë sonë të përbashkët, sepse është momenti kur ne e riunifikojmë të majtën, e riunufikojmë gjithë këtë popull këtu që e ka zemrën majtas dhe që zemra i rreh majtas kur vjen puna tek zgjedhjet që duhet të bëjë gjatë procesit demokratik dhe e riunifikojmë në qëllime dhe në veprime një forcë të tërë që krijohet nga përfaqësimi i këtyre njerëzve. Kjo për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme jo vetëm për të sotmen, por edhe për të nesërmen e PS-së dhe duhet ta fusni mirë në kokë, e nesërmja e PS-së është e nesërmja e Shqipërisë. Partia Socialiste, me të gjitha gabimet që ka bërë në historinë e saj, duan apo s’duan, është e vetmja forcë që në historinë e saj nuk është lëkundur në raport me interesin kombëtar dhe që në historinë e saj është thirrur gjithmonë të marrë në dorë fatet e vendit, kur vendi ka qenë i gjunjëzuar nga keqqeverisja, nga paaftësia dhe pabesitë e njëpasnjëshme të atyre që sot përsëri duan të kthehen në krye të vendit.

Në një farë mënyre janë shkaktisur letrat, nëse do flisnim me këtë gjuhë dhe njerëzit kanë vajtur në vendin e tyre përfundimisht. Nasipi këtu dhe të gjithë ata që i përkasin atij komuniteti të madh që ishte komuniteti dje i LSI-së në Berat kanë gjetur vendin e tyre. Ilir Meta, Monika dhe tërë mbetjet e asaj partie këtu kanë gjetur vendin e tyre me Saliun dhe me atë taborr krushqish, që kërkojnë përsëri të marrin plaçkë në shqipëri. Është bërë ndarja përfundimtare dhe gjërat kanë shkuar në vendin e tyre. Kjo është sot, jo më një situatë ku ne jemi në një aleancë, por kjo është situatë ku ne jemi e njëjta gjë.

Të gjithë ata që deri dje kanë qenë në njërën apo në tjetrën anë të së majtë, sot janë e njëjta gjë dhe kanë vetëm një emër, Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Është shumë e rëndësishme kjo për të kuptuar se duke qenë një, duke qenë bashkë, të gjithë kanë mundësi të bëjnë maksimumin për të njëjtin qëllim, të ecin në të njëjtin drejtim, të jenë të vendosur dhe të harmonizuar në veprime.

Duke qenë një, duke qenë bashkë, të gjithë kanë mundësi të bëjnë maksimumin për të njëjtin qëllim, të ecin në të njëjtin drejtim, të jenë të vendosur e të harmonizuar në veprime dhe t’i japin më shumë Beratit dhe të gjithë Shqipërinë.

 Sot, ne jemi në një moment të jashtëzakonshëm të një lufte të jashtëzakonshme që na qëllon një herë në jetë, lufta me një pandemi dhe është e habitshme kur dëgjon njerëz që flasin sikur ne jemi në një  ditë të zakonshme, sikur këtu nuk ka një armik të padukshëm vërdallë dhe sikur e gjithë jeta jonë nuk është kushtëzuar, që nga kontaktet njerëzore dhe deri tek ndërveprimet e jetës së përditshme të natyrës ekonomike, të ekonomisë familjare, të ekonomisë kombëtare. Sikur këtu jemi në kushtet e një situate që hajde flasim. E habitshme mbrëmë në emision, njëri thoshte ka rënë konsumi vjet. Domethënë, këtu ka ndodhur një rënie e konsumit vjet për shkak të qeverisë apo për shkak të bashkive dhe jo për shkak të një goditje që mori e gjithë bota dhe e të mbylljes dhe pengimit të shumë aktiviteteve ekonomike, që nga ato më të thjeshtat, deri tek ato më komplekset.

 Sot e them këtë sepse nga njëra anë kemi një grup, një bashkim forcash reaksionare, në kuptimin më të plotë të fjalës. Forca regressive, në kuptimin më të plotë të fjalës, që pretendojnë të sjellin ndryshimin dhe që sillen sikur këtu jemi në një situatë normale. Mblidhen përsëri sot, e njëjta gjë dhe krijojnë vatra infektimi. Del i pari i tyre, ai në fakt nuk është i pari, ai është i katërti, se i pari është Saliu, i dyti është Iliri, e treta është Monika. I katërti në bronz. Del dhe thotë pse merret me mua. Me kë të merrem?

 Unë i them njerëzve që mos u afroni me njëri-tjetrin, po ata afrohen se më duan. Unë i them njerëzve vini maska, po ata nuk i mbajnë maskat se duan të puthen me COVID-in në syrin tim, që të tregojnë që janë gati të vdesin për mua. Si mund të pretendohet të merret drejtimi i vendit me këtë nivel papërgjegjshmërie, me këtë nivel paturpësie dhe me këtë nivel karakteri!

Kur sot mbrojtja e shëndetit, mbrojtja e jetës, unifikimi në këtë luftë të përbashkët është mbi të gjitha partitë, është mbi të gjitha qëllimet e tjera. E ç’na duhen votat, ç’na duhet rezultati i zgjedhjeve, nëse ne bëhemi shkaktarë për të plagosur njerëz e larg qoftë, për të humbur njerëz!

Në Malin e Zi, marshimet elektorale të kësaj natyre sollën transformimin shumë të shpejtë të Malit të Zi. Nga një prej vendeve më të paprekur nga COVID-i, ku bënin dhe reklama nëpër televizionet e botës, ejani bëni turizëm në Mal të Zi se nuk ka COVID, u bë një nga vendet më të prekura dhe plot nga ata njerëz që merrnin pjesë në ato marshime ndërruan jetë.

 Si mundet një parti politike, partia alternativë qeverisëse që do të marrë drejtimin e vendit, bën deklarata që Edi Rama ka frikë përballë urganit! Cilit uragan? Uraganit të ndryshimit nga jeta në botën tjetër?

Po, unë kam shumë frikë. Kam shumë frikë për jetën e atyre njerëzve e kam shumë frikë për dëmin që ajo sjellje mund të bëjë në jetën e të tjerëve që nuk janë aty fare, në jetën e gjyshërve, gjysheve, prindërve të atyre që dalin aty qorrazi me dy gishta, me flamuj, me britma, njësoj sikur Shqipëria ka mbetur 30 vjet prapa, sepse ora e tyre aty ka mbetur. E nuk është rastësi që kur ata drejtonin Tiranën, ngeli, nuk punonte sahati i Tiranës.

 E më e bukura shkojmë në Cërrik, kishte mbetur sahati i Cërrikut. Ishte njëri nga këta. Nuk është rastësi, ata kanë po atë orë.

 Votoni për PD-në, u thotë në Kukës, që të hiqet trau. Të hiqet trau e të fillojë prapë nga e para rënia e gurëve, rënia e dheut, bllokimi i rrugës nga bora, rrëshqitja e makinave, thyerja e qafës. Çfarë alternative është kjo?

 Ne nuk mund të rrimë pa folur, sepse, në fund të fundit, ne nuk jemi këtu në një paradë bukurie. Ata janë nisur për një dasmë. Ne nuk po shkojmë në dasmë, ne jemi në një ndeshje dhe sigurisht, kjo ndeshje është një ndeshje midis zgjedhjesh të ndryshme për njerëzit. Ne do i bëjmë të qarta këto zgjedhje.

 Bërtasi “Rama ik”. Rama ik se nuk të mundim dot. Unë i kuptoj kalamajtë se ka kudo ku shkoj, është ndonjë shkollë, më shohin mua dhe thërret ndonjë fëmijë i vogël “Rama ik”. Atë e kuptoj unë, është i stresuar më mësuesen, nuk ia thotë dot mësueses dhe ma thotë mua. Unë e kuptoj atë dhe madje, shyqyr që ka sensin e rebelizmit. Po këta, si kalamajtë rrugëve, goxha burra!

 Thonë ne kemi program serioz, ne nuk merremi me batuta. Program serioz në fakt, do ulim sigurimet shoqërore, do rrisim pensionin. Do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit. Ky është programi i tyre, sepse duhet t’i bëjnë qejfin edhe atyre që janë në punë, duke ju thënë do t’jua ulim sigurimet shoqërore. Por duan t’i bëjnë qejfin edhe pensionistëve, ndaj ju thonë do jua rrisim pensionin. Si mund të rritet prodhimi i djathit, po të ulësh prodhimin e qumështit?! Me sapun! Jep sapun për djath dhe nëse njeriu shkon për të pritur Lulin e për t’u përqafuar me COVID-in, sapunin për djath nuk e ka problem fare. Po u nis për të përfunduar në reanimacion, nuk ka problem të përfundojë me një gargar me ujë të nxehtë, pasi të hajë sapunin e programit.

 Thotë merret gjithë kohës me mua. Jo, gjithë kohës ne merremi me punë. Me Gjinon merremi vetëm në një pjesë të kohës, kur duhet të flasim në fund të ditës e duhet t’u themi njerëzve se këtu është një zgjedhje shumë e qartë;

Ose do shkojë edhe njëherë rrokapjekthi, siç kemi shkuar sa herë u kemi lënë atyre diçka në dorë, ose do ngjitemi me vështirësi drjet asaj maje ku ne duam ta çojmë Shqipërinë.

 Ngjitja është shumë e vështirë. Unë di që me parashutë mund të zbresësh, por nuk di që me parashutë mund të të hedhin lart. Këta ofrojnë nga këto parashutat që të hidhesh lart e pastaj thyhen hundën poshtë.

Shikoja një video që ma nisi dikush. Rrapush Xhaferri që i mblidheshin njerëzit njësoj, rreth e rrotull veturës dhe këndonin. Këta nuk këndojnë, këta bërtasin “Rama ik”. E kanë këngë me dy rrokje.

 Ndërkohë njerëzit duhet të dinë mirë arsyet, pse na duhet neve mandati i tretë.

 Mandati i tretë nuk është për mua personalisht. Mandati i tretë është që Shqipëria të konsolidojë pozicionin që ka fituar në çdo sektor me këto ndryshime dhe që ky pozicion të mos jetë më i kthyeshëm përmbys. që nga drejtësia, e cila sot ka filluar të çelë embrionin e ri, por është ende larg së qeni një trung i fortë që i reziston furtunës. Nëse vjen Saliu me Ilirin, se këtu Luli nuk hyn fare, aq sa hynte Gjinua tek ajo martesa e Çajupit, aq hyn edhe Luli në këtë histori. Gjinua duhej deri në momentin e dasmës, pastaj këtu e marrin shkesët në dorë, Saliu me Ilirin dhe hallin kryesor ata kanë drejtësinë. E keni dëgjuar Ilir Metën, i vjen fjala burg si fjala bukë gjithë kohës. Do fusim në burg këtë, do fusim në burg atë. Një president republike që flet për burgun sikur vë shenja pikësimi gjatë fjalisë. Është në hall, është në stres dhe problemi i tij kryesor është si ta frenojë këtë proces.

 Drejtësia po pastrohet nga llumi, por ka pasur kaq shumë llum saqë kjo punë nuk mund të bëhej sa hap e mbyll sytë. Institucionet e reja të drejtësisë po ngrihen. Goditjet e SPAK-ut kanë filluar e natyrisht do të vazhdojnë. E vazhdimi i goditjeve të SPAK-ut mund të lëndojnë politikanë majtas e djathtas, por sigurisht që shkon në drejtim të duhur për të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që kushdo këtu të ndihet i barabartë përpara ligjit e që kush merr një përgjegjësi të mos ndihet mbi ligjin.

Më tutje akoma, bujqësia, arsimi, energjia, infrastruktura, të gjitha janë në një procese që nuk kanë shans të mendosh se duke sjellë ata mund të përshpejtohet. Thjesht do të kthehet mbrapsht.

 Në Vlorë, në vend që të bëjnë atje fushatë, bëjnë letra për të çuar çdo punë publike në prokurori. Andej thonë do prishim këtë, këtu do prishim atë, ndërkohë dy gjëra do prishin ata që në fillim, nëse imagjinojmë për një momente se ata do kenë gjë në dorë.

 E para, do prishin gjithë këtë proces vaksinimi, të jeni të sigurt. Do marr thotë, katër shkencëtarë të huaj për vaksinimin. Se çfarë do bëjnë shkencëtarët e huaj këtu për procesin e vaksinimit, hajde gjeje. Ndërkohë që shkencëtarët shpikin vaksina, por nuk bëjnë gjilpëra.

 E dyta, ajo që do të mbetet menjëherë pezull është rindërtimi nga pasojat e tërmetit.

 Kemi një opozitë që del dhe këto dy gjëra nuk i ka fare në horizont. Se po luftohet këtu për jetë a vdekje çdo ditë, ata nuk duan t’ia dinë fare. Ata vazhdojnë merren me rritjen e prodhimit të djathit, duke përfituar nga ulja e prodhimit të qumështit.

Se këtu luftohet përditë për të kthyer në shtëpi njerëz që për pak sekonda humbën çatinë, nuk duan t’ia dinë fare.

Se këtu është një vend i tërë dhe një qeveri që u goditën mu në mes të një mandati dhe se ne po qeverisim një mandat të thyer mu në mes nga dy goditje që do kishin shtrirë përtokë dhe një elefant, jo Shqipërinë që nuk është as Amerika, nuk është as Franca, as Gjermania, këta nuk duan t’ia dinë fare.

Ata thonë do ju japim 1000 euro fëmijëve kur të lindin, do ju japim 5000 euro çifteve kur të martohen, 10 000 euro vjehrrave kur të bashkohen. Vetëm euro nga të katërt anët, Rrapush Xhaferri.

 Ne ndërkohë jemi në një proces transformimi që unë ju siguroj, duke vazhduar do bëjë Shqipërinë kampione të Ballkanit në këtë dekadë në turizëm, në agroturizëm dhe në eksporte bujqësore.

 Këtu në Berat janë të treja bashkë. Berati është një vend që na e ka falur historia jonë si një motor ekonomie, falë pikërisht trashëgimisë së vet kulturore, falë bukurive të veta. Berati është një vend që e ka bekuar Zoti me gjithë ato potenciale për zhvillimin e agroturizmit, është një vend si nuk ka më mirë për të rritur eksportet bujqësore. Paradite, ne ishim pikërisht tek disa prej protagonistëve të kësaj rritjeje. Nuk ka si të shikohet e të kuptohet nga televizori, nga klubet e natës së atyre muhabeteve pa lidhje të analistëve, të moderatorëve, se çfarë ndodh në realitetin e përditshëm. Për fat, Blendi Fevziu doli nga studio dhe e zbuloi Shqipërinë dhe më shkruante, e ke parë Beratin, është bërë fantastik. Jo, nuk kam qenë, i thoja, do kaloj ta shoh. Pastaj e ke parë Gjirokastrën, Vlorën?

E dha një kontribut të madh që njerëzit ta shikonin se çfarë transformimi ka ndodhur. Në Berat nuk vije dot para 7 vitesh. Rruga Lushnje – Berat ishte shteg lufte, lëre më pastaj këtu brenda se çfarë bëhej. Një tmerr! Shikoni ku jemi sot. Por nuk jemi akoma gjëkundi, në raport me atë ku duhet të shkojmë e ku mund të shkojmë.  Shumëfishimi i strukturave të mikpritjes këtu në Berat, transformimi i kaq shumë objekteve të trashëgimisë në bujtina është vetëm në fillimet e veta akoma. Të jeni të bindur për këtë. Agroturizmi, prodhimi i verës, mundësia për të ardhur e për të kaluar këtu një fundjavë, jo vetëm nga Tirana e nga e gjithë Shqipëria, por dhe nga turistët e huaj është vetëm në fillimet e veta.

 Eksportet bujqësore i kemi rritur në 400 milionë dollarë, ishin rreth 100 milionë. Do t’i çojmë mbi 1 miliardë. Ky është objektivi dhe është plotësisht e mundur, është e kalkuluar.

 Ne nuk kemi një program elektoral për t’i thënë të gjithëve ja ku është menuja, çfarë dëshironi e gjeni këtu dhe pastaj pasi të votoni, kapni tramvajin e Tiranës. Ne kemi një plan veprimi ku i kemi të kalkuluara të gjitha gjërat që do të bëjmë. Sigurisht, tanimë e kemi mësuar që planet shkruhen, por jeta është ajo që ndodh kur ne jemi duke zbatuar plane të tjera, sepse vjen një tërmet, të bie dhe një pandemi dhe ti je i detyruar të ndryshosh komplet prioritetet, ti je i detyruar të spostosh masivisht buxhetin. Sot flisja me disa mësues këtu, për një shkollë me shumë traditë. Ajo ishte në plan për t’u financuar, por u bllokua financimi menjëherë sepse duhej të çonim gjithë financimet për të rindërtuar shkollat e rrënuara komplet nga tërmeti. Këto gjëra ndodhin dhe këto gjëra provojnë karakterin e një vendi. Këto gjëra provojnë karakterin e një qeverisjeje. Këto gjëra provojnë karakterin e një lidershipi. Programi ynë është vizioni, është karakteri, është puna, është këmbëngulja, është edhe durimi.

Cilën nga këto të pesta kanë ata?

Kanë vizion? Çfarë vizioni kanë, unë e di se si futesh në NATO, unë e di se si liberalizohen vizat dhe unë e di se si futesh në Europë, unë di po s’jua them dot. Futesh me tramvajin e Tiranës, me një linjë nënujore, del në Itali, pastaj kalon në tunel tek Alpet dhe shkon në Bruksel.

Kanë karakterin? Kanë punën? Qeshnim pak më parë se më çuan një video dhe flinte gjumë Luli tek ajo hyrja e re e Tiranës. Të gjithë vonohen nga pak aty dhe atë e kishte zënë gjumi në makinë. Nuk ishte mbajtur dot. Fle në drekë, nuk ke çfarë i bën dhe thotë “monitoron gjumin tim.” Ai fle gjumë rrugëve ku e sheh gjithë Shqipëria. Unë, kur fle gjumë, jam i qetë se të paktën je dhe ti rehat. Nuk të ngacmon Monika, nuk të vjen Saliu, nuk e ke Ilirin mbi kokë, se ai është histori tjetër, është hata më vete.

Ne sot jemi në një moment, kur realisht kemi të gjitha arsyet që të jemi krenarë sepse po ja dalim të bëjmë vaksinimin masiv. Të gjitha të tjerat kalojnë, nuk ka problem. E zuri gjumi Lulin, nuk ka problem, do zgjodhet, do fle prapë. Çmendet Ilir Meta nuk ka problem, është hëna që rrotullohet një herë në kaq kohë, i ikën truri komplet, kjo kur vinë zgjedhjet, Berati  e shqetëson shumë. Objektivin e ka të marrë 7 deputetë nga 6 që janë këtu. Nuk ka problem, të gjitha këto kalojnë dhe harrohen.

Ajo që nuk mundet të kalojë si këto biseda, është pikërisht minuta e kësaj lufte, çdo minut për të vaksinuar njerëz për të shpëtuar njerëz dhe së bashku për të çliruar energjinë e sezonit të ardhshëm turistik.

Në verën që po afron, Berati do të ketë përsëri frymëmarrjen e sezonit turistik. Do të vijnë jo vetëm vizitorë nga brenda që ata gjithsesi vijnë, por do të vijnë edhe turistë të huaj dhe gjithë ajo ekonomi, e cila ka patur një moment frenimi, pasi janë bërë gjithë ato investime dhe nuk arrijnë njerëzit të bëjnë atë aktivitet që kanë ëndërruar do të vihen në lëvizje përsëri. Do të vihet në lëvizje kjo ekonomi, patjetër që do të vihet në lëvizje gjithë sistemi i punësimit, patjetër që do të vihet në lëvizje biznesi i vogël. E meqë ra fjala, unë do ta përsëris vazhdimisht, në planin tonë ka një gjë shumë të qartë dhe shumë të thjeshtë për çdo kategori dhe lufta dhe fitorja e luftës me Covidin nga njëra anë, taksa zero në çdo dyqan dhe në çdo lokal që është biznes i vogël, me tvsh zero. Po çfarë tjetër u mungon atyre që kanë një pikë shërbimi këtu në Berat për të energjizuar maksimalisht ekonominë e tyre sepse punën e kanë vetë, e bëjnë vetë, dëshirën për punë e kanë vetë, vullnetin për punë e kanë vetë, vendin ku bëjnë aktivitetin jua ka dhuruar Zoti dhe në këto kushte të shkosh dhe të ndryshosh rrugën se PD thotë do sjellim taksën e sheshtë 9 %.

Tani ja vlen të zgjedhesh Lulin dhe të paguash edhe takes? Ja vlen të thuash që po marr Gjinon dhëndër dhe të paguash edhe taksë? Kjo nuk është çështje pëlqimi këtu. Nuk është çështje tifozllëku. Nuk të pëlqen Edi Rama, kjo s’duhet të jetë problem fare, një klik tek telekomanda, e heq nga Tv, fshihet. Mos u kruaj të futesh në FB sepse futen në FB tim dhe thonë “na lodhe”. Po pse futesh aty? Të kam futur me zor? Pra është shumë e thjeshtë. Nuk të pëlqejnë shallavaret e Edi Ramës? Ç’problem ke? Vish fustan dhe je rehat. Vish pantallona doku, teritali, stofi si të duash ti. Unë nuk kam  dalë as të shes çitjane, as të gjej nuse, as të marr një çmim bukurie apo mode, as të bëj krushqi. Nuk i kam këto kërkesa fare. Nga ana tjetër, të pëlqen Luli? Shumë mirë, merre në shtëpi, merre dhe bashkë me Saliun, merre dhe Ilirin dhe Monikën dhe të mbushet shtëpia plot me engjëj e s’ka xhind dhe vampir që të afrohet aty. Është njësoj si të marrësh 20 mijë ton hudhra dhe të mbulosh çatinë. Syri i keq aty ikën, thyhet, tmerrohet. Nuk vijnë ata në shtëpi aty? Ke fotografitë. Saliun vëre tek dhoma e vjerrës, Lulin tek dhoma e kalamajve, Ilirin në korridor që kur të vijnë miqtë të mos guxojnë të mendojnë se do t’i mbash për të fjetur. Monika kuptohet tek njëra nga banjot, ose tek banjo jashtë ose tek banjo brenda se Monika është shumë e dhënë pas banjove për mace, për qen, për njerez, për miq, për shokë dhe e zgjidhe problemin. Por t’i marrësh dhe t’i vesh në qeveri dhe të paguash taksë pastaj çdo muaj 9 %, ndërkohë që sot paguan 0 % sepse të pëlqejnë ata? Ka kuptim kjo? Unë nuk besoj që ka kuptim. Po ashtu Kjo taksë (taksa zero) është tani, nuk themi “do ta bëjmë”. Kjo është e bërë, e dinë të gjitha bizneset e vogla të Shqipërisë që e kanë zero.

Të shkosh në zgjedhje që të vesh taksë për veten tënde, kjo nuk është dëgjuar ndonjëherë. Ndërkohë që, paga deri në 400 mijë lekë do të bëhet në janar të 2022, që të mos ketë tatim. Sot e ka paga minimale këtë. Janë 60 % që kanë pagë minimale deri në 400 mijë lekë. Tani nga këta sigurisht ka plotë demokratikas. Tani unë bëj një pyetje të thjeshtë, çfarë doni ju?

Ju doni që t’i gjeni punë Lulit apo doni që të merrni më shumë nga paga juaj në shtëpi se sa t’u marri shteti në pagën tuaj.

Luli do t’ju marri 9 % , ne ju themi zero. Nuk është puna se e merr në punë, por Luli nuk punon. Ai fle. Ai do rri shtrirë atje në Kryeministri dhe do bëjë gropë divanin, siç e bënte gropë divanin në bashkinë e Tiranës. E keni dëgjuar ndonjëherë të thotë kam qenë kryetar i bashkisë së Tiranës? Nuk e thotë atë, se në momentin që do të thotë ashtu njerëzit do të kujtohen dhe do thonë “obobo ëshstë ai” dhe nuk e voton më njeri pastaj.

Po ashtu mësuesit, mjekët dhe inferemierët e dinë shumë mirë që ne u kemi rritur pagën. Rritja e pagës për mjekët dhe infermierët ka qenë shumë e konsiderueshme dhe do ta rrisim 40% përsëri. Dhe ne nuk i kemi këto premtime, siç mund t’i bënim kur ishim dhe ne në opozitë, kur nuk e dinim tamam se si funksionon nga brenda.

Këto janë plan veprimi.

Berja e Shqipërisë me 4 aeroporte nuk është një program si tramvaji i Tiranës.

Për pak ditë hapim aeroportin e Kukësit.

Aeroporti i Vlorës, - më në fund dolëm nga pengesa e tmerrshme e pandemisë që na bllokoi gjithë proceset, - kemi fituesin, po negociohet kontrata, do firmoset kontrata dhe do fillojë puna.

Menjëherë do shpallet aeroporti i Sarandës.

Në aeroportin e Tiranës fillon puna tani për pistën. Isha në Turqi për vaksinat dhe nuk vinte dot avioni ushtarak që do të sillte vaksinat se pista nuk është e përshtatshme për avionë të asaj madhësie. Ndërkohë që ne duam që Air Albanian ta çojmë në Amerikë, por me atë pistë nuk e çon dot se nuk mban mbi një nivel të caktuar avionësh. Gjithashtu terminali i ri fillon tani.

Janë të gjitha punë që janë rrugës.

Ashtu sikundër, ardhja e Exon Mobile për TEC-in e Vlorës, për të sjellë gazin e lëngshëm në Shqipëri dhe Skavica nga ana tjetër, që bëjnë të dyja bashkë që Shqipëria të bëhet eksportuese neto e energjisë dhe gjithë ajo që ne paguajmë për të importuar energji të mbetet këtu, nuk është një plan për një tramvaj energjetik, por janë procese që kanë nisur.

Sikundër porti i madh turistik i Durrësit është proces që ka nisur konkretizimit dhe kompania e madhe e Dubait ka sjellë edhe projektin për fazën e parë dhe tani është çështje e pak kohe që të shihni aty fillimin e punës.

Ne, Shqipërinë do ta bëjmë kampione të turizmit në Ballkan.

Porti turitik i Vlorës u mbyll si proces. Dy portet e reja tregtare që do të duhet të ndërtohen që këto dy ekzistueset të kthehen në porte turistike do të fillojnë po ashtu.

Gjithë këto punë të mëdha tani e ndërkohë, nevoja për të mundur përfundimisht COVID-in dhe për të rindërtuar të gjitha shtëpitë, apartamentet, që deri në pranverën e ardhshme të mos ketë më gjurmë të tërmerit, vjen fanti spathi në mes e thotë “Shqipëria fiton”. Ҫfarë fiton Shqipëria?

Fiton një gërhitje që t’i dëgjohet zhurma me vite. Asgjë tjetër.

Ndërsa ne jemi në rrugën e duhur për ta bërë Shqiqërinë të ardhmen tonë, në sensin që brenda kësaj dekade të ndryshojë trendi, mos të jenë më shumë ata që ikin, por të jetë më shumë ata që rrinë. Që do ikin, do ikin siç kanë ikur dhe që edhe do kthehen, por të kthehen më shumë sesa ikin.

Kjo mund të bëhet duke krijuar këtu të gjitha këto mundësi që jemi duke i krijuar. Është rrugë e gjatë, është e përpjektë e lartë dhe e vështirë, por nuk duhet të bëjmë më gabimin që kemi bërë shpeshherë në histori ne, që duke synuar të bëjmë beteja të mëdha, kemi humbur ato beteja të vogla që bëhen çdo ditë, beteja që çdo komb i madh i fiton si bukën që ha.

Durimi dhe puna janë dy element që nuk mund të anshkalohen dhe nuk mund të zëvendësohen nga gjumi dhe ëndrrat me sy mbyllur. Se ëndërr me sy hapur mund të shikosh e ta realizosh, por duhet të kesh të gjithë këmbënguljen, aftësinë dhe durimin për t’i shkuar deri në fund detit që është për t’u kaluar në këmbë nga e thëna në të bërë.

Ne këtu kemi një skuadër që është shumë e denjë për Beratin. Është skuadra e unitetit, është skuadra e diversitetit, është skuadra e përkushtimit.  Ajo që ju kërkoj është të jeni të bashkuar.

Secili mund të ketë preferencat e veta, por preferenca e preferencave është Partia Socialiste, është numri 12.

4 x 3 bëjnë 12. Sikundër 7 x 7 nuk bëjnë 42. Tre mandate nga 4 bëjnë 12. Kush do mandatin e tretë duhet të votojë 12-ën.

 

 

 

 

 

 

           

           

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm