Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › E kemi për detyrë ti japim vendit një President që mishëron unitetin e kombit

Të reja

E kemi për detyrë ti japim vendit një President që mishëron unitetin e kombit

18 May 2022    

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri në takimin me përfaqësues të Grupeve Parlamentare për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës:

Të them të drejtën kjo seancë transparence e gjatë, që më duket përsëritje e disa debateve të tjera që janë zhvilluar në Konferencën e Kryetarëve, të paktën iu lë të kuptojnë njerëzve dhe të thonë: ore këta kaq të vështirë e kanë të ulen dhe të komunikojnë me njëri-tjetrin në një mënyrë normale; mazhorancë dhe opozitë me ato numra që kanë, të diktuar nga një proces kushtetues, për të dëgjuar emra. Në fund të fundit ky proces  materializohet tek emrat.

Ne durimin dhe dakordësinë tonë; edhe ajo djegia e seancës së para disa ditëve, është shprehje e një vullneti të mirë. Pra, ne nuk po iniciojmë një proces, megjithëse votat mund ti kemi, përkundrazi dëshira jonë është që ne të dialogojmë. Maturimi i politikës duket kur palët edhe me ide të kundërta, ulen dhe merren vesh. Nuk ka ndonjë gjë që ne të merremi vesh para kamerave. Transparenca është e mirë për të vendosur disa parime. Por fuqia e liderit apo atij që do të bëhet lider është të ulet të dialogojë dhe të mos ketë frikë. Pra, ka ardhur momenti të respektojmë ato raunde, që na ka dhënë Kushtetuta, duke u dhënë juve të gjithë të drejtën e propozimeve.

Ju bëtë një pyetje në fund dhe unë po i përgjigjem: ne jemi gati. Jemi gati që ju katër emra ti sillni në një tavolinë negociatash, pasi të konsultoheni dhe me kolegët tuaj. Katër emrat që ju e mendoni se mund të jenë shumë më atraktivë, brenda këtyre kritereve që ju keni vendosur. Nëse ju mendoni se këto janë kriteret që respektojnë filozofinë dhe atë çka presin shqiptarët, pavarësisht se unë mund të kem ndonjë kundërshtim, këto katër emra ti konsultoni dhe hajde ulemi pasdite, që sot.

Na provoni, na vini në provë për sinqeritetin e bashkëpunimit. Nëse nuk jeni në gjendje të nxirrni katër emra, nxirrni një emër me firmat tuaja dhe silleni në seancë. Është e drejta juaj për të propozuar. Këtë po e themi shumë miqësisht, në mënyrë shumë transparente dhe me një gatishmëri e vullnet politik. Këtë vendim e kemi marrë me njëri-tjetrin. Sillni kandidaturën tuaj. Sillni katër emra po të doni nëse i bëni firmat. Sillni katër emra në tavolinë negociatash. Njerëzit duhet të dialogojnë. Nuk është normale të rrimë para kamerave e të flasim me orë të tëra sofizma. Unë ju respektoj të gjithëve si kolegë.

Kemi diskutuar edhe më para edhe për reforma të tjera. Ka një eksperiencë ka një traditë ky vend. Unë kam qenë pjesë e grupit negociator të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008. Ky ishte qëllimi i ndryshimeve kushtetuese që të shmangej kriza e shpërndarjes së Parlamentit dhe vajtja në zgjedhje të parakohshme. Të mos harrojmë se ato ndryshime kushtetuese u shoqëruan me ndryshim të sistemit zgjedhor, u shoqërua me ndryshim të kompetencave të Presidentit, të mocionit të besimit dhe mosbesimit për mazhorancën dhe Kryeministrin. Pra, qe një paketë e tërë.

Kush ishte qëllimi? Në tre raundet e para të tentohet konsensusi. Ne po e shprehim këtë. Në momentin kur unë i mohoj vetes sime për të sjellë emra në tre raundet e para, unë të kam krijuar mundësinë më të madhe për konsensus dhe dialog. Ky do të ishte maturimi i opozitës që të vinte të ulej pa komplekse me mazhorancën dhe të sillte emrat, që gjykon se plotësojnë këto kritere, që ju në fund të fundit i keni vendosur me njëri-tjetrin. Nuk ka asgjë të keqe.

Nëse këto kritere që ju mendoni se mishërojnë figurën, që ju keni në mendje për Presidentin, ne jemi dakord. Sillni një emër që përmbledh këto kritere, një, dy, tre apo katër emra që përmbushin kriteret që ju keni sjellë në tavolinë.

Hajdeni në tavolinë negociatash. Nuk ka nevojë për shfaqje, ka nevojë për dialog. Uluni me grupet me njëri tjetrin dhe hajdeni me dy apo tre emra. Na jepni shansin edhe ne dhe mos na paragjykoni. Nuk keni të drejtë të na paragjykoni.  Po qe për paragjykim e ka zgjidhur Kushtetuta.

Natyrshëm që asnjë nga ne nuk ka kompleks ta thotë, se ne nuk do ta lëmë vendin pa President. Nëse raundet digjen, mazhoranca ka detyrim kushtetues dhe ligjor dhe ka marrë mandatin nga qytetarët shqiptarë, që në dy raundet e fundit vendin ta pajisë me një President, që sipas konceptit tonë dhe parashikimeve të Kushtetues, që mishëron unitetin e kombit.

Kështu që z. Alibeaj, jam dakord me atë që ju thatë. Sillni katër emra sipas kritereve që ju keni vendosur dhe hajde ti negociojmë. Që sot pasdite lini një orar, diskutoni me grupin tuaj dhe hajdeni  të dialogojmë. Unë kështu e shoh. Na dëgjojnë njerëzit para kamerave, ne nuk jemi studio televizive! Qytetarët presin produktin.

Ose rrimë para kamerave, flet njëri, flet tjetri, secili do i bëjë qejfin mbështetësve të vet.

Do jemi eficientë apo jo?! Ata njerëz më përpara kanë qenë eficientë kur kanë zgjedhur një President konsensual.

Unë mendoj se ju z. Alibeaj i keni mundësitë, e ke aftësinë e lidershipit që mos të kërkosh siguri nga kamerat, por të mbledhësh njerëzit e tu, si Kryetar i Grupit dhe si drejtues i Partisë Demokratike, të propozosh katër emra brenda kritereve që keni vendosur vetë.

Po e them publikisht, unë personalisht jam dakord të dëgjoj katër emrat që përmbushin këto kritere dhe jam i gatshëm të diskutoj me ju!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm