Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ersekë, në takimin me qytetarët për bilancin e punëve të kryera të bashkisë

Të reja

Ersekë, në takimin me qytetarët për bilancin e punëve të kryera të bashkisë

31 Oct 2022    

Ersekë, në takimin me qytetarët për bilancin e punëve të kryera të bashkisë

Takimi i hapur me banorët për bilancin e punëve të kryera të bashkisë Kolonjë vijoi këtë pasdite në pedonalen që kalon përmes Ersekës dhe ndahet në mes nga vija ujore që rrjedh nga ujëvarat e malit të Gramozit, vepër e Rilindjes Urbane.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Kolonja ka regjistruar  rreth 20 mijë vizitorë, vendas e të huaj, të cilët kanë qëndruar të paktën 1 natë! Kush do imagjinonte këtë disa vite më parë? Ku kishte turistë apo vizitorë vendas që të dyndeshin në Kolonjë siç ka filluar? Por nëse sot kjo shifër, 20 000 bën përshtypje, unë ju them me bindjen më të plotë se nuk do të duhen shumë vite që të shkojë në 200 mijë! Në 200 mijë turistë, vizitorë, vendas dhe të huaj, që do të vijnë në këtë vend të bekuar për të qëndruar të paktën një natë dhe kjo do të thotë transformim i të gjithë ekonomive familjare këtu në Kolonjë.

Sot dhe ky është një fakt tjetër i thjeshtë, po sipas meje domethënës, ne ishim bashkë me Nikon, me Oltën, me Erionin në një bujtinë në Rehovë. Një shtëpi e thjeshtë e Rehovës, me një kat ku një zonjë, e cila kishte punuar për një kohë të gjatë në bankë dhe kishte qenë edhe drejtore banke në Tiranë ishte kthyer këtu bashkë me burrin dhe kishin hapur një bujtinë.

Natyrisht një drejtore banke në moshë ende vitale dhe aspak në perëndimin e moshës së ve, nuk e lë bankën për të ardhur këtu edhe për të dalë me humbje. Sigurisht që me bujtinën ajo dhe familja e saj nxjerrin më shumë se sa me rrogën si drejtore banke dhe unë jam i bindur që kjo do të jetë e ardhmja e afërt për të gjithë zonën tuaj që është një zonë me bukuri përrallore dhe është një zonë së cilës i mungon vetëm një gjë, për t’u bërë një zonë shumë më e frekuentuar për shkak të këtyre bukurive dhe të klimës, dhe të traditës, të njerëzve dhe të historisë, që është pikërisht ajo që po bëjmë, një lidhje shumë më e shpejtë me Korçën. Kolonja deri para pak kohësh e ka vuajtur ndarjen dhe largësinë e imponuar për shkak të mungesës së kësaj lidhjeje me Korçën, ndërkohë që Korça do të përfitojë nga lidhja më e afërt me Kolonjën sepse Kolonja do të jetë një arsye më shumë dhe një arsye e madhe më shumë për shumëkënd që të rikthehet në Korçë apo të vizitojë Korçën. Fakti i tretë është që në Kolonjë, jo larg nga këtu po zhvillohet një nga investimet më të rëndësishme strategjike në fushën e energjisë, për vendin, jo vetëm për zonën. Një investim në një park të madh me energji diellore, 40 MËh është një park i madh me energji diellore dhe investimi i bërë nga një familje , babai së bashku më dy djemtë që pasi kishin studiuar në Angli, ishin kthyer këtu për t’i dhënë jetë kësaj sipërmarrjeje.

Kjo është një shenjë tjetër e rëndësishme për atë që Kolonja ka si potencial të fshehur, së bashku me bimët medicinale për të cilat unë besoj që së shpejti, Erioni do të ndërtojë një pikë moderne grumbullimi dhe përpunimi dhe të cilat janë një ekonomi e madhe më vete, një ekonomi e pashfrytëzuar, por që sot i ka ardhur koha të hyjë në shfrytëzim dhe të bëhet një ekonomi komplementare për shumë familje të zonë. Para ca ditësh ne ishim në Bulqizë dhe aty pamë një pikë grumbullimi të bimëve medicinale të cilën e kishte ndërtuar një djalë i ri, i cili dhe ai ishte kthyer në vendlindje dhe sapo ishte hapur dhe në cep aty kishte rreth 4-5 metra katrorë, një pirg me bimë medicinale dhe tha: “ajo është mbledhja e një dite nga një familje e cila erdhi, I dorëzoi këtu dhe mori 35 mijë lekë të reja”. 35 mijë lekë të reja për mbledhjen e një dite nuk janë pak. Natyrisht ajo nuk është një punë që mund të bëhet për një ditë mbase, se është një punë e lodhshme, por ama ajo mund të bëhet majftueshmërisht sa për të pasur të ardhura të larta. Të ardhura të larta nga një segment i zhvillimit të natyrës që nuk kërkon absolutisht asgjë nga ato që kërkojnë zhvillimet bujqësore. Nuk kërkon ujitje, nuk kërkon prashitje, nuk kërkon asnjë kujdes, nuk është e kërcënuar  nga breshëri, nuk varet fare nga asgjë, thjeshtë është aty për t’u mbledhur dhe Kolonja ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe e fundit që dua të them, është se ka shumë aktivitete brenda ‘’kësaj bote’’ të sapoçelur të turizmit dhe të agroturizmit këtu në këtë zonë.

Nëse unë do t’ju them që aktivitetet me kuaj janë një e ardhur e jashtëzakonshme, mbase kjo tingëllon, do të tingëllonte si qesharake po të mos ishin shembujt në Shqipëri nisur prej kohësh dhe tanimë shumë kuptimplotë, se çfarë turizmi dhe se çfarë atraksioni sjellin. Solla një shembull, ndër shumë të tjerë. Shkurt fjala, unë besoj se Kolonja është në rrugë të mbarë ashtu sikundër jam këtu për t’iu thënë që nuk jetojmë në kohët më të mira dhe duhet shumë mund , duhet dhe shumë durim, por nga ana tjetër duhet dhe shumë rezistencë sepse situata që kalojmë nuk është një situatë e lehtë.

Ju keni dëgjuar shpesh njerëz që thonë, “ça është kjo luftë, luftë nuk ka, çlidhje kemi ne me luftën, ne kemi ujë, ne kemi lumenj, ne s’kemi gaz”. Në fakt e vërteta është që lufta në Ukrainë është sebep. Qëllimi madhor nuk është aneksimi i disa territoreve të Ukrainës nga Vladimir Putini dhe kasta e Kremlinit. Qëllimi kryesor është gjunjëzimi i gjithë botës në perëndim të Rusisë. Ne jemi pjesë e kësaj bote në perëndim të Rusisë dhe sot, për ta gjunjëzuar këtë botë në perëndim të Rusisë dhe për ta rindërtuar tërësisht arkitekturën e marrëdhënieve ndërshtetërore, Putini ka kthyer energjinë në armë kundër Perëndimit, i cili në një masë shumë të madhe varet nga gazi rus, ku ne pavarësisht se nuk kemi asnjë varësi nga gazi rus, prekemi për shkak se edhe si pasojë e uljes së furnizimit dhe rritjes eksponenciale të çmimit të gazit rus, ka një rritje shumë të madhe të çmimit të energjisë elektrike. E dyta, me inflacionin, i cili është një virus i lëshuar në të gjithë botën perëndimore për të sfilitur popujt dhe për të krijuar tension, sherr, konflikt dhe përmbysje kudo nëpër këtë zonë ku ne jemi të përfshirë dhe inflacioni është një e keqe që ndryshe nga pandemia, të kap kudo që të jesh sepse në çdo transaksion, në çdo futje të dorës në xhep për të blerë diçka, inflacioni vlen aty prezent dhe kërkon pjesën e tij.

Thënë këtë, unë besoj që ne jemi duke bërë më të mirën e mundshme sepse së pari, ne kemi vendosur një mburojë financiare mbi të gjitha familjet shqiptare dhe mbi të gjitha bizneset e vogla të cilat paguajnë ekzaktësisht të njëjtin çmim energjie që paguanin përpara se të fillonte kriza e energjisë, e cila filloi përpara se të vinte agresioni i Ukrainës.

Mbase ju kujtohet, mbase jo, që kur unë dola shtatorin e shkuar dhe fola për fillimin e një krize energjetike, shumëkush filloi të përqeshte dhe të fliste me përçmim për një sajesë, “Ky nuk jeton dot pa kriza”. Ndërkohë, ja ku jemi sot kur ajo që ju dhe familjet shqiptare paguajnë për energjinë elektrike, është 20% e çmimit, 80% të çmimit i paguan qeveria përmes buxhetit të shtetit. Duke paguar këtë 80% për të gjitha familjet dhe duke paguar dhe një përqindje tjetër të konsiderueshme për të gjitha bizneset e vogla, ne në fakt pengojmë edhe rritjen e papërmbajtur të inflacionit. Ne nuk mund ta zhbëjmë inflacionin, por arsyeja pse ne në Shqipëri kemi inflacionin më të ulët në të gjithë rajonin tonë është sepse në radhë të parë, ne nuk kemi rritur çmimin e energjisë për të gjitha këto dyqanet që shikoni këtu rreth e rrotull, të cilat e paguajnë njësoj energjinë dhe ju shërbejnë juve pa e pasur barrën e rritjes së çmimit të energjisë. Nëse ne do të rrisnim çmimin e energjisë për bizneset e vogla, që janë motori i jetës së përditshme ekonomike të familjeve, atëherë detyrimisht bizneset e vogla do të shkarkonin një pjesë të asaj rritjeje drejtpërdrejtë tek ushqimet tuaja, drejtpërdrejtë tek të gjithë mallrat që ju blini prej tyre.

Natyrisht që pavarësisht këtyre përpjekjeve, situata nuk është e lehtë, ne e dimë këtë shumë mirë dhe po ashtu, ne dimë shumë mirë atë që kemi kohë që e dimë, por që shumëkush nuk e besonte kur ne e thamë; kemi përballë një aleancë politike e cila është në shërbim të parave ruse. Kur ne dolëm dhe thamë disa kohë përpara që Partia Demokratike financohet, u financua më saktë, nga para ruse për të rrëzuar qeverinë tonë në zgjedhjet e shkuara, shumëkush filloi të përqeshte, ndërkohë që të tjerë që ju i ndiqni, për fat të keq, se nuk ka të tjerë nëpër këto klubet e mbrëmjeve të komenteve të televizioneve, së bashku me ata të cilët i morën ato para, thanë që, “Kjo është një sajesë e Edi Ramës dhe e Soros-it”. Mirëpo, çfarë na doli? Na doli nga raporti i CIA-a  që Partia Demokratike është financuar nga paratë ruse për të rrëzuar qeverinë tonë dhe për të fituar zgjedhjet, por për çfarë duhet ta financojë Rusia Partinë Demokratike? Për çfarë arsye? Për arsye që janë të mirë kuptueshme, për të njëjtat arsye që sot ata, se tani nuk mund të flasim më për Parti Demokratike se nuk dimë se ç’është më, por një gjë është e sigurt; ajo aleanca për të cilën deri dje më thoshin “Po çke me ata? Njëri është plak në pension, tjetri në Presidencë, pse i thua Lulit, Lulëzim ndahu nga ata të dy”?

Ja pra që edhe këtu nuk paska qenë kaq e thjeshtë. Ajo është një aleancë rublash e cila synon të arrijë aty ku u synua edhe më parë me financimin rus, në krijimin e një konflikti social për të realizuar atë që ata nuk kanë ngurruar ta thonë asnjëherë; ndryshimin e pushtetit jo me votë, por me dhunë, me presion, me detyrim për ndryshim të rregullave dhe të qeverisë në tavolinë.

Këtu sot lidhet dhe historia e thikës së ngulur në shpinën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si shpjegohet që përfaqësuesit e Partisë Demokratike në qeveri në atë kohë bashkohen me delegacionin rus në Këshillin e Europës dhe votojnë sëbashku një rezolutë ku akuzohet Shqipëria si vendi ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës shkulte organe njerëzish, i paketonte dhe i trafikonte për të fituar para? Si shpjegohet kjo? Se një herë mirë, por këto janë dy dhe ka akoma, të jeni të bindur që ka akoma se nuk shpjegohet dhe kjo sot. Kur e gjithë bota e di shumë mirë se nga vjen e keqja, që vjen drejtpërdrejtë nga Kremlini, këta çdo orë e minutë i thonë shqiptarëve që e keqja nuk vjen nga Kremlini, vjen nga Edvini.

Ashtu sikundër orë e minutë gënjejnë, shpifin, sajojnë edhe me ndihmën e disa ekraneve, disa kanaleve, disa portaleve të cilat i bashkon interesi i parasë, interesi i fitimeve të pamerituara, interesi i interesave të prekura nga fakti që nuk çajnë dot për të marrë përfitime të paligjshme, nuk është një, janë disa. Nuk çajnë dot për të marrë përfitime të paligjshme dhe mbushin veshët, mbushin sytë, mbushin shtëpitë e njerëzve që hapin televizorin, që hapin kompjuterët për të parë faqet e para me gjithfarë lloj fabrikimesh dhe shpifjesh. A thua se dikush i ka vënë aty për të propaganduar orë e çast që duhet ikur nga Shqipëria, që Shqipëria është vetëm llum, që Shqipëria është vetëm korrupsion, që Shqipëria është vetëm pisllëk, që në Shqipëri nuk hahet se helmohesh, që në Shqipëri nuk pihet ujë se helmohesh, që në Shqipëri nuk ka asgjë e të të tjera e të tjera.

Ata të cilët shkojnë dhe i fusin sytë dhe i fusin kamerat në çdo zgëq ku mund të gjejnë, si në çdo vend tjetër pamje, ngjarje, situata të cilat mund të jenë tërësisht të dëshpëruara, por që nuk kanë sy, nuk kanë kamera, nuk kanë veshë për të parë dhe për të dëgjuar se çfarë ndodh në pjesë të tjera të vendit sepse Shqipëria sot punon dyfishin e tokës bujqësore që punonte deri 6-7 vite më parë. Shqipëria sot po i afrohet dhe mbase që këtë vit, shifrës së gjysmë miliardi euro eksporte bujqësore ndërkohë që eksportonte vetëm 120milionë euro pak a shumë në vit. Shqipëria sot regjistron deri në shtator thuajse 7 milionë vizitorë vendas dhe të huaj, shifër e paimagjinueshme, 2 milionë e pak më shumë sesa më parë. Të gjitha këto çfarë tregojnë? Tregojnë që këtu është një vend që nuk jetohet? Këtu është një vend që të gjithë helmohen? Këtu është një vend ku vriten të gjithë rrugëve? Jo, sepse vërtet ne Shqipëri ka vrasje, por Shqipëria sot e këtij viti ka numrin më të ulët të vrasjeve në 31 vjet dhe në këto vite mesatarja e vrasjeve është sa gjysma e vrasjeve të viteve te fundit para sesa ne të merrnim detyrën. Unë e kuptoj shumë mirë që e keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund.

Ne kemi shumë për të bërë sepse i kemi rritur mundësitë, e kemi rritur ekonominë, i kemi rritur dhe pagat, por dhe të tjerët rriten, nuk rrinë në vend. Dhe patjetër që jo çdo gjë e kemi bërë më së miri, patjetër kemi bërë dhe ne gabime, por ama që ta krahasosh Shqipërinë sot me Shqipërinë e para disa viteve dhe të thuash që gjërat këtu kanë shkuar keq e më keq, do të thotë që ose të jesh totalisht i verbuar nga urrejtja ose të jesh totalisht i padëshiruar për të kuptuar të vërteten.

Sot Shqipëria nuk ka asnjë krahasim me dje dhe kur them dje them deri disa vite më parë. 

Flasim për korrupsion, patjetër që ka korrupsion në Shqipëri, por nuk ishte para 100 viteve, ishte deri përpara 5-6 vitesh, ndoshta dhe më pak, ku ju të gjithë duhet të shkonit të mbanit radhë në shi, në diell, për të paguar faturën e energjisë, ku ju të gjithë duhet të shkonit të rrinit nëpër sportele për të marrë një certifikatë, certifikatë ku shkruhet që ke lindur në filan datë, quhesh filan fisteku, babain dhe nënë tënde e quajnë kështu dhe kështu. Lerë më për dokumenta të tjera. Ndërsa sot, Shqipëria, jo duke e thënë unë, por me atë që thotë raporti i zhvillimit të shërbimeve publike digjitale është vendi i 8-të në Europë për shërbimet publike digjitale sepse 95% e shërbimeve, sot qytetari shqiptar i merr pa lëvizur fare nga vendi, thjesht duke shkruar atje E - Albania dhe duke marrë shërbimin që i takon, pa pasur nevojë të njohë njeri, pa pasur nevojë të bëjë asnjë hap, pa pasur nevojë të ketë asnjë parti dhe pa diskutim pa pasur nevojë të paguajë asgjë.

Patjetër që, krahasuar me ku duam të shkojmë jemi ende larg, patjetër që nëse sot jemi dita me natën dje, krahasuar me ku do duam të jemi nesër, jemi ende në të gdhirë, por kjo vjen vetëm me punë, kjo vjen vetëm me mund, me djersë dhe me sakrifica sepse nuk na i la kush dhe nuk e bëri kush për ne. Më thonë që “pse akoma flisni për ujin, s’keni turp, ju njësoj PD PS”, si njësoj? Po pse ujin këtu 24 orë që ju e keni sot në çezmat tuaja, duhet të na vijë turp ne që e sollëm dhe është faji ynë që të tjerët para nesh ju lanë pa ujë me dekada e me dekada të tëra? Çdomethënë kjo gjë, “sot bota ka shkuar në hënë, ju merreni akoma me ujin”, po me se të merremi ne?

T’i lëmë njerëzit pa ujë meqë të tjerët nuk menduam përpara që të sjellin ujin. Patjetër që do ishte shumë mirë që të mos kishim ujin problem në dekadën e dytë të shekullit 21, por si t’ia bëjmë ne që të tjerët nuk e bënë? Si tja bëjmë ne që sa herë erdhën këtu tek ju, që nga ‘91 ua u premtuan ujin 24 orë dhe gjithmonë e më pak ujë ju erdhi juve në çezmë. Është përgjegjësia jonë kjo? Jo, përgjegjësia jonë është ajo që morëm dhe që mbajmë. Ju thamë do t’ju sjellim ujë 24 orë dhe sot jo vetëm këtu në qytetin e Ersekës, por në të gjithë zonën, uji është 24 orë, se këta të bëjnë të vdekur kur i thonë fjalët: jeni të gjithë njësoj. Si qenkemi të gjithë njësoj? Erdhën na u futën në sistemet tona hakerat e një vendi armiqësor ndaj nesh, po erdhën u futën sistemeve tona sepse kishim sisteme ku mund të futeshin, nuk kishim akoma radha nëpër sportele. Ama nuk ia arritën dot qëllimit për të na i shkatërruar sistemet. Na morën disa të dhëna, po na i morën. Jemi vallë vendi i parë në botë që ndodh kjo? Unë isha në Izrael që është vendi më i përparuar në këtë fushë, në botë, dhe i kishin marrë tre javë peng një spital, ia kishin bllokuar komplet të gjitha llojet e aparaturave, një nga spitalet më të rëndësishme të Izraelit, kjo është lufta e re sot.

Sigurisht që, edhe do goditesh, sigurisht që edhe do plagosesh, por për fat të mirë ama, sistemin e kemi, e kemi në punë përsëri nxjerrim mësimet tona dhe vazhdojmë. Por ç’domethënë kjo, që nxjerrin ata një listë të udhëtimeve të mia a thua se unë jam njeri ilegal dhe pastaj menjëherë çohen rublat dhe flasin për 22 milionë euro udhëtime me taksi fluturuese. Jo, e vërteta është ndryshe, e vërteta është që faturat e udhëtimeve të mia janë më pak sesa gjysma e faturave të udhëtimeve të atij që s’dua t’ia përmend emrin këtu - se është gjithë ky ujë i pastër, i bukur, dhe kam frikë se mos mban erë pastaj, - kur ishte kryeministër.

Këtë shembull e sjell për t’ju thënë shikoni se me çfarë pafytyrësie tallen me njerëzit, tallen jo me ju, se me ju nuk tallen dot, por tallen me ata që ju besojnë, me ata të cilët i ndjekin nga pas, me ata të cilët verbërisht vazhdojnë dhe gënjehen nga gënjeshtra pas gënjeshtrash. Me ata të cilët në mënyrën më të turpshme e harrojnë që ky vend është këtu, ku është, jo vetëm për arsye të atyre që ka bërë ky popull, por edhe për arsye se sot, ky vend ka fatin më në fund të ketë miqtë e duhur dhe si mundet ky vend të verë në diskutim një zgjedhje midis dikujt që nuk ka lënë të keqe pa i bërë këtij vendi, që fatkeqësisht është pjellë e këtij vendi, dhe miqve tanë më të mëdhenj të cilët thonë që me këtë lloj personazhi ne nuk duam të kemi të bëjmë sepse është i korruptuar dhe është i inkriminuar, çfarë duhet më shumë? 

Si mund të mos mjaftojnë gjithë këto gjëra që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin për t’u distancuar përfundimisht nga, jo vetëm thjeshtë një person, por nga një grup personash që fytyrën e kanë prej njeriu, por në vend të gjuhës kanë bisht, njerëz me bisht në vend të gjuhës që janë gati të kafshojnë përditë deri dhe kufoma nga mëngjesi deri në darkë përpara kamerave edhe me ndihmën e shumëkujt që bën punën e informimit të publikut, por që në fakt është aty si ato maskat që i dilnin autobusëve rrugës në 97-ën, jo për ta informuar, por për ta dezinformuar publikun. Dhe për çfarë shqyhet një kufomë duke thënë: e vrau policia, e vrau shteti? Për t’i ngritur njerëzit kundër shtetit. Për ti nxitur njerëzit kundër vetvetes. Për të bërë shërbimin e atyre të rublave. Megjithatë, që mos ju mbaj më gjatë se boll qendruat bashkë me mua këtu dhe mua prapë më keni në televizor, edhe në frigorifer mund t’ju dal. Bëni kujdes. Dua t’iu them që ne do vazhdojmë vendosmërisht të mbështetemi te ju, te njerëzit e punës në radhë të parë në këtë vend dhe kujt më thotë që në Shqipëri nuk punohet, i them ti nuk e njeh Shqipërinë, sepse është puna që e mban Shqipërinë.

Nuk është krimi, nuk janë kriminelët,  Shqipëria dhe shqiptarët. Kush ia ka vënë Shqipërisë këtë damkë, janë ata. Ata të cilët arritën deri aty sa mandatin e marrë nga shqiptarët për të qeverisur ta përdorin për të bashkuar votat me delegacionin e partisë së Putinit kundër Shqipërisë, jo thjeshtë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rruga jonë është e drejtë. Rruga jonë është e qartë. Të bashkuar dhe të bashkuar, jo thjesht ë të bashkuar mes gjithë atyre që na besojnë, por të bashkuar sa më shumë edhe me të tjerët që jo domosdoshmërisht na votojnë, po që s’mund të ndahen te fakti i thjeshtë dhe kuptimplotë që ne sot jemi në një situatë kur jemi në presionin e një lufte. Siç e kemi kaluar, duke dalë më të forte, tërmetin, pastaj pandeminë, patjetër do ta kalojmë dhe këtë, duke dalë më të fortë edhe pse kjo është më e vështira nga të treja.

Shumë faleminderit! Shumë respekte! Shumë mirënjohje për të gjithë ju!

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm