Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Fitorja e Partisë Socialiste është një fitore historike për familjen tonë të madhe politike

Të reja

Fitorja e Partisë Socialiste është një fitore historike për familjen tonë të madhe politike

27 Apr 2021    

Fjala për median e zëdhënëses së Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi:

Fitorja e Partisë Socialiste është një fitore historike për familjen tonë të madhe politike për të cilën jemi krenarë që të gjithë ne.

Kjo fitore e qartë dhe e thellë duhet të shkëlqejë plotësisht edhe përmes procesit të numërimit që është pothuajse i mbyllur.

Ne po presim me durim përfundimin e procesit të numërimit në Durrës dhe Tiranë ku besojmë se kemi mundësinë reale të dy mandateve të tjerë.

Por përtej përfundimit të këtij procesi tani është koha për tu angazhuar me të njëjtën përgjegjësi qytetare dhe ligjore për numërimin e votave për kandidatët.

Vullneti i shqiptarëve që u shpreh përmes votës dhe angazhimit maksimal për 25 prillin duhet respektuar deri në fund me të gjithë shenjtësinë e vet.

Asnjë votë e anjë kandidati, qoftë ai socialist apo demokrat nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të lejohet të tjetërsohet.

Në emër të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj Edi Rama dua të bëj të qartë sa më poshtë:

Së pari, faleminderit dhe respekt për të gjithë numëruesit e këtij procesi vendimtar për demokracinë dhe shoqërinë tonë për të gjithë angazhimin e deritanishëm.

Së dyti, një falenderim i veçantë shkon për të gjithë numëruesit e Partisë Socialiste që pa u lodhur kanë punuar me respekt të qytetarëve dhe të votës së tyre deri tani.

Së treti, pa vënë në dyshim integritetin dhe përkushtimin e mëtejshëm të numëruesëve, dua që t’ju kujtoj, se çdo çedim, qoftë ai me qëllim apo mungesë vëmendje, që shkakton tjetërsimin e votës ose kalimin e saj nga një kandidat te tjetri brenda listës  së një partie është një krim zgjedhor.

Kryetari Edi Rama dhe Partia Socialiste janë të vendosur që mos të tolerojnë asnjë numërues apo grup numëruesish që me gjasa mund të shkelin ligjin apo që mund të bëhen bashkëpunëtorë në një krim të tillë.

Ky proces është i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.

Askush nuk do lejohet ta dëmtojë shkëlqimin e deritanishëm të procesit me njollosjen e transferimit apo tjetërsimit të votës së kandidatëve brenda listave.

Ne kemi besim se numëruesit janë të gjithë në lartësinë e kësaj prove në një proces që deri këtu i ka zbardhur faqen gjithë Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Forca, durim dhe korrektesë deri në fund!

Ju faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm