Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Fokusi i Reformës Zgjedhore do jetë te adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR

Të reja

Fokusi i Reformës Zgjedhore do jetë te adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR

21 Jul 2022    

Fjala në Parlament e Sekretarit të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri:

Faleminderit znj. drejtuese e seancës, 


Në fakt, një nga elementët kur konstatohet progresi është kur një çështje e madhe kthehet në një çështje rutinore. Problemet që vinin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në shumë zgjedhje të kaluara kanë qenë problem themelor. Fakti që tashmë ne e quajmë rutinë burokratike, është një sukses për mbajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri dhe sukses për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.


Problemi më i madh në Shqipëri për zgjedhjet ka qenë jo-kultura demokratike e pranimit të humbjes. Për shpëtimin e liderit kur humbet zgjedhjet, shpiket fabula e vjedhjes së zgjedhjeve, që fatkeqësisht e kanë futur Shqipërinë në cikle krizash të pamerituara. Madje duke u bërë shpesh herë dhe kusht nga ndërkombëtarët, diktuar nga politika e brendshme. Kushtet gjithmonë vijnë nga politika e brendshme. Ne shqiptarët ngremë probleme që nuk ekzistojnë ose probleme që justifikojnë veprimet tona politike. Në këtë rast evidente kanë qenë veprimet e vazhdueshme të opozitës për të justifikuar humbjen e saj. Megjithatë, unë personalisht kam kënaqësi që kam drejtuar një proces, në një klimë të vështirë politike të vitit 2020, një Reformë Zgjedhore që u shkrua nga ‘A-ja’ tek ‘ZH-ja’ nga opozita shqiptare. Madje u investuan miliona euro për të kuruar frikërat e opozitës. Pra, ky vend në kulmin e Pandemisë shpenzoi 16 milionë euro, vetëm e vetëm për të kuruar frikërat e një njeriu, që edhe i bojkotoi zgjedhjet e vitit 2019 nga frika se nuk të donte të ballafaqohej nga njerëzit e tij pasi të dilte rezultati zgjedhor.


Procesi i administrimit zgjedhor nuk pati asnjë problem dhe për herë të parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka marrë asnjë akuzë për administrimin e zgjedhjeve. Patjetër, merita u shkon atyre që e drejtojnë, por nga ana tjetër edhe e klimës politike, legjislacionit të krijuar dhe besimit që i dhanë palët një administrate të pavarur zgjedhore. 


Ky investim i bërë me miliona euro jam i bindur që duhet të na çojë në një hap tjetër të reformës zgjedhore, pasi ne jemi në këtë proces dhe unë mendoj se ka ardhur koha.


Nuk dua që fjalët e mia të merren si diktim i mazhorancës, sepse në fund të fundit ajo mbetet një reformë konsensuale dhe kësaj qasje do i qëndrojmë deri në fund. 
Ne mund të adresojmë shumë çështje. Ne mund të adresojmë çështjen e komisioneve zgjedhore. Nuk kemi përse të kemi më përfaqësues politikë. Në zgjedhjet e 6 Marsit Partia Demokratike nuk gjente komisionerë. Përse mos heqim dorë nga komisionerët politikë dhe të vendosim zyrtarë të zgjedhur me short, ashtu siç u ra dakord kur bëmë marrëveshjen e 5 qershorit, por që fatkeqësisht në minutat e fundit u hoq dorë. 


Pra, ne e kemi një model gati të shkruar nga ekspertë të opozitës dhe kemi momentin e mirë që të miratojmë në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Pse mos heqim dorë nga numërimi i përqendruar?!


Unë mendoj se ka ardhur momenti, sidomos tanimë me përfshirjen e teknologjisë, të heqim dorë nga numërimi i përqendruar i votës. Është një torturë e vërtetë. Të gjithë kur flasim me kolegë të ulur në tavolina jashtë kësaj salle, biem dakord për këtë. 


Përse del më shpejt rezultati në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut? Jo se ata janë më të zotë se ne, por sepse i numërojnë votat në qendrat e votimit.
Pra, nëse vëmë zyrtarë, që nuk janë të partive politike, me teknologjinë që bën identifikimin e zgjedhësve. Të kryejmë numërimin në qendrën e votimit dhe rezultati del në kohë.  Edhe këtë ne mund ta bëjmë, po të kemi vullnet politik.


Ju lutem, nuk dua të ‘vriten’ këto propozime, sepse i dëgjoni nga goja ime. Janë propozime të arsyeshme dhe që duhen marrë parasysh.
Unë mendoj se ajo që ne duhet të bëjmë, nisur edhe nga pranimi se kemi një administrim të rregullt zgjedhor, të heqim dorë nga kontestimi idiot i humbjes kur ajo është evidente. Nuk të bën fitues as administrata, as përdorimi i pushtetit, të bën fitues vota e popullit dhe aftësia jote e përgatitjes. Nuk ka fitore që vjen vetë.
Ju jeni ata që ngrini akuza kur humbisni zgjedhjet, duke thënë se na vodhën zgjedhjet. Më pas del fraksioni i ‘foltores’ dhe thotë se nuk u vodhën zgjedhjet, por i humbi Lulzim Basha. Në momentin që ‘foltorja’ merr pushtetin brenda Partisë Demokratike  thotë: unë do e bëj armik Edi Ramën, sepse ka vjedhur zgjedhjet. 
Gjejeni me njëri-tjetrin njëherë a janë vjedhur zgjedhjet apo jo?


Realiteti është i tillë që zgjedhjet në Shqipëri mund të kenë probleme si çdo vend tjetër që kalon tranzicionin demokratik, por raporti i ODIHR ka një fjali ku shkruhet: Nuk ka pasur prova asnjëherë që një mandat të jetë tjetërsuar apo një forcë politike të ketë fituar mandat për shkak të shkeljeve zgjedhore.
Në raport thuhet se zgjedhjet kanë bërë progres, zgjedhjet janë përmirësuar. Ka probleme për t’u përmirësuar, patjetër.


Nga ana tjetër dua të them që le ta hapim këtë debat, duke u nisur nga një premisë e mirë për të zgjidhur dhe problemet që kanë mbetur. Vota e diasporës është diçka që duhet adresuar.  Shpresojmë që edhe aty të ketë dakordësi opozita brenda vetes. Unë nuk dua ti hyj kush është modeli më i mirë. Ka modele për tu studiuar, por ne duhet të heqim nga fjalori ynë politik manipulimin e zgjedhjeve. Duhet të integrojmë kulturën e pranimit të rezultatit dhe bashkëpunimin. Unë e kam bindje këtë. 


Nëse palët nuk do dialogojnë, nuk do kenë besim tek njëri-tjetri, nuk do ulin gjuhën e tensionit, jo vetëm integrimi europian do jetë i largët, por çdo gjë tjetër do jetë e largët. Opozita këtu ka një rol domethënës. Në fund të fundit është ajo që duhet të pranojë humbjen dhe ofrojë bashkëpunimin me mazhorancën. Mazhorancat krijohen prej vullnetit të shqiptarëve jo si pushtues.


U pranua nga ju ecuria e reformës, ecuria e implementimit të ligjit nga KQZ. Le të shërbejë ky produkt konsensual për të dhënë mesazhin se ku ka bashkëpunim ne krijojmë edhe besim ndaj njëri-tjetrit. Ato dy- tre pika që i përmenda më lart mund të jenë model i mirë i bashkëpunimit për zgjedhjet e ardhshme. 
Unë si bashkëdrejtues i Komisionit të Reformës Zgjedhore do të bëj çmos që të akomodoj çdo kërkesë të arsyeshme të opozitës, gjithmonë me fokus adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.


Primare ka qenë depolitizimi i  administratës zgjedhore. Hidheni edhe këtë hap! Le ti çlirojmë zgjedhjet nga politika, le të pranojmë rezultatin, le të punojmë për të mirën e Shqipërisë.


Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm