Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › I pari program serioz për sportin prej 22 vjetësh

Të reja

I pari program serioz për sportin prej 22 vjetësh

01 Feb 2013    

Në një atmosferë fantastike dhe shumë entuziaste është hedhur shorti për kampionatin më të ri të të rinjve në futboll. Një garë e nisur nga të rinjtë e Partisë Socialiste të kryeqytetit që ka arritur një numër surprizues prej  176 skuadrash futbolli. 80 % e të rinjve pjesëmarrës në këtë kampionat shumë të veçantë nuk janë anëtarë të Partisë Socialiste. Ata u bashkuan të gjithë në ceremoninë e hedhjes së shortit në Teatrin e Operës dhe Baletit të enjten në mbrëmje për të festuar, për të brohoritur skuadrën e tyre, për të dëgjuar mesazhet lidhur me atë çka partia më e madhe në Shqipëri, kishte për t’u thënë sa i takon Programit për një Rilindje Shqiptare për Sportin. Deputeti socialist, njëherësh kryetar i grupit të punës për programin për sportin, Fidel Ylli teksa fliste dhe bisedonte shumë lirshëm me të rinjtë e mbledhur së bashku për të garuar u shpreh se “PS nuk do të sillet me sportin njësoj siç u soll partia që sot qeveris pa marrë mandatin e qytetarëve, duke shkrirë në hi një historinë e një klubi, siç ishte klubi Partizani, i ngritur në vite, thjesht dhe vetëm për interesa të dhëndrit të kryeministrit. Programi ynë për sportin është i shoqëruar edhe me faturën përkatëse financiare, është i menduar në çdo detaj. Nuk do të lejojmë në qeverisjen e Partisë Socialiste që të ikin nga Shqipëria talentet e vendit tonë. Përkundrazi!”
Ndërsa kryetari i Degës së Tiranës Saimir Tahiri në fjalën e tij tha ndër të tjera se PS e ka ekipin dhe liderin për të fituar garën e 23 qershorit. “Politika dhe sporti kanë shumë të përbashkëta. Në të dyja duhet një strategji dhe ne e kemi strategjinë për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit. Në të dyja duhet ekip dhe frymë ekipi dhe ne në Partinë Socialiste e kemi ekipin për të fituar zgjedhjet në 23 qershor. Në të dyja duhet një lider dhe ne e kemi liderin për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit, që është Edi Rama. Unë shpresoj që pas kësaj gare t’i bashkoheni garës së madhe të Partisë Socialiste për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit”, përfundoi fjalën kreu i Partisë Socialiste për Tiranën Tahiri. I gjithë aktiviteti është shoqëruar me batuta humor dhe brohoritje pafund të të rinjve që ishin gati për të nisur garën.


 


Më poshtë mund të lexoni të plotë fjalën e kreut të PS Edi Rama:  


 


Kujtoj që në fakt sportin e lashë kur më mori tërësisht mendjen politika. Jo politika si politikan apo si anëtar partie, se në atë kohë kishte vetëm një parti dhe unë vetë asaj partie i rrija larg. Por politika si një pasion i brendshëm i çdo njeriu që dëshiron të bëjë diçka që gjërat të ndryshojnë. Ishte pikërisht fundi i viteve ‘80 e vigjilja e viteve ’90 instinkti i ndryshimit, era e ndryshimit, sigurisht edhe dëshira për ndryshimin ishte në atë kohë shumë e fshehur brenda njeriut, por mua më rrëmbeu dhe kështu unë preferova që në vend se të merresha me sport çdo ditë, intensivisht, t’i dedikohesha tërësisht kësaj pjese që ishte komplementare dhe me aktivitetin artistik. Unë kam besuar dhe sot e besoj tërësisht që politika është mundësia që i jepet një njeriu të zakonshëm jo për t’u bërë politikan, por për të bërë të mundura bashkë me të tjerë gjëra që i vetëm nuk i bën dot kurrë të mundura. Një njeri i vetëm, sigurisht, mund të bëjë disa gjëra për veten e tij, por nuk mund të ndryshojë dot mjedisin ku jeton, nuk mund të ndryshojë dot as rrugën që i kanë përcaktuar të tjerët në punën që bën për t’ia dalë që të bëjë më shumë dhe të bëjë më mirë.


 


Ju të vetëm mund të bëni një ekip, mund të gjeni dhe një kënd për të luajtur me njëri-tjetrin, po nuk bëni dot as terrene sportive të denja, nuk bëni dot as një program shkollor që ta ketë të përfshirë dhe sportin si aktivitet që e rrit respektin e njeriut për veten dhe për tjetrin. Nuk bën dot vetëm as shumë çka tjetër. Sigurisht, s’bëni dot vetëm as këtë kampionat. Për të bërë këtë kampionat u desh që ju të bëheni bashkë. Ju bëri bashkë politika. Po jo politika në kuptimin e Partisë Socialiste, po politika si një mundësi që gjithë këta njerëz që jeni këtu sot, të jeni të pranishëm dhe të fillojë kampionati. Unë jam shumë i lumtur që mësova që 80% nga ju sot këtu nuk janë anëtarë të Partisë Socialiste.


 


Duke shkuar më tutje dua t’u tregoj se sa e thjeshtë është për të kuptuar që kush thotë s’merrem me politikë, nuk dua fare t’ia shoh bojën politikës në fakt vetëm e pëson nga politika dhe s’bën asgjë për ta bërë politikën më të mirë. Ai që rri në qoshe, në kafe dhe mallkon gjithë ditën “s’kemi drita, s’kemi punë, s’kemi lek, s’kemi rend, s’kemi siguri, s’kemi çfarë do qoftë dhe për këtë fajin e ka politika, s’bohet mo, ka marrë fund, të gjithë janë njësoj.” Në fakt është ai që është dorëzuar dhe ka pranuar që të marrë fund. Ndërkohë që kur njerëzit bëhen bashkë siç jeni bërë ju bashkë, jo për të bërë karrierë politike, po për të bërë një kampionat në të njëjtën kohë për të qenë së bashku dhe për të dëshmuar pasionin për sportin duke pranuar që të dëgjoni edhe ne që jemi përfshirë ‘kokë e këmbë’ në politikë. Atëherë sigurisht këtu lind një energji dhe është një energji që është e mjaftueshme jo vetëm për t’i dhënë fund me sukses kampionatit, por edhe për të ndërtuar me njëri-tjetrin një marrëdhënie përmes të cilës ne t’i japim mundësi që të realizohen gjëra që pa ju nuk realizohen. Pse?! Sepse duhet shtytja juaj, duhet energjia juaj, duhet forca e pranisë dhe e kërkesës për përmirësimin e cilësisë së jetës që edhe ne të jemi të vetëdijshëm se po nuk iu përmirësuam cilësinë e jetës nuk kemi mbështetjen tuaj.
Këtu është thelbi i marrëdhënies së njeriut të zakonshëm, të qytetarit, me politikën. Me politikën si mundësi për të bërë të mundura gjëra që duken të pamundura. Me politikën si mundësi për t’i hapur rrugë bashkë me të tjerë gjërave që duket se s’do marrin rrugë asnjëherë. Për t’i hapur rrugë shpresave që duken sikur janë në fakt të parealizueshme. Ëndrrave që duket sikur janë të papërmbushme, dhe për të krijuar kushtet që ne të mund të jetojmë në një vend ku asnjë ëndërr të mos jetë e pamundur dhe asnjë shpresë të mos jetë e parealizueshme.
Përkundrazi! Ku për të gjithë të ketë një mundësi dhe për të gjithë të ketë një rrugë. E, jo të gjitha rrugët të çojnë në të njëjtin drejtim, pas të njëjtit karvan, drejt  të njëjtës humnerë. Kjo nuk është as perspektiva e duhur, dhe padyshim edhe, as rruga  e duhur.


 


Ndjeva një lloj mos aprovimi në sallë kur Fideli tha ne duam që sporti të hyjnë nëpër shkolla në mënyrë që njerëzit të largohen nga droga dhe nga alkooli, te pjesa alkoolit ndjeva që pati një lloj mosaprovimi. Problemi është të dashur miq që sporti për ne ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse jo vetëm ndryshon cilësinë e jetës në kuptimin e mënyrës sesi t’i zgjohesh, sesi t’i kalon ditën dhe mënyrën sesi t’i je fizikisht. Por edhe sepse ndryshon marrëdhëniet e tua me veten, me njerëzit përreth dhe me shoqërinë. Unë nuk do të mbaroj asnjëherë së falenderuari me vete të gjithë ata njerëz që ma bën mua jetën shumë të bukur në sport, jo sepse bëra një karrierë sportive. Kjo kur karriera mbaron, është gjeja më e fundit që ka rëndësi, por sepse në sport mësova gjëra që jashtë sportit është shumë e vështirë në mos e  pamundur që t’i mësosh. Ky kampionat që ju do të filloni dhe ky mjedis, kjo hapësirë që ju krijoni duke u takuar me njëri tjetrin dhe duke u njohur me njëri tjetrin përmes garës, por dhe përmes orëve që do të kaloni para dhe pas garës, sidomos ato pas garës, do t’i japë një vlerë të shtuar brenda vetes, do t’i japë një kuptim shumë të mirë për bashkëjetesën në një komunitet që është i lidhur me një pasion, që është sporti.


 


Mbase nga ky aktivitet do të shquhen edhe “Fidelët” e gjeneratës suaj, por kjo është gjëja e fundit që ka rëndësi për ne. Ne, sigurisht, duam që Shqipëria të ketë sport elitar, ne sigurisht duam që Shqipëria të ketë kampionë të cilët arrin t’i mbajë në gjirin e vet dhe i mbështet që flamurin tonë kombëtar ta ngrenë në kampionate botërore, në olimpiada, në kampionate europiane apo ballkanike. Ne, sigurisht, duan që skuadrat tona të futbollit, të basketbollit, të volejbollit, të volejbollit të femrave të mund të shkëlqejnë dhe të arrijnë rezultate, por ne duam në radhë të parë që të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi të mund të ushtrojnë aktivitete sportive, jo për t’u bërë sportistë, por për ta pasur sportin pjesë të kulturës së tyre, të kulturës së tyre qytetare, të kulturës së tyre familjare dhe kështu për ta bërë sportin pjesë të kulturës komunitare. Një komunitet që e ka sportin pjesë të kulturës së vet është një komunitet qytetërisht shumë më i zhvilluar sesa një komunitet që e ndjek sportin vetëm nga ato auditoret e llotove. Një komunitet ku vajzat dhe djemtë vrapojnë, luajnë, bëjnë gara, ndeshen në disiplina të ndryshme, është një komunitet shumë më i emancipuar dhe shumë më i gatshëm të zhvillohet ekonomikisht, të zhvillohet shoqërisht sesa një komunitet ku vajzat dhe djemtë dalin nga shkolla dhe stacionin e parë kanë kafenenë apo diskotekën gjatë paradites. Mos keqkuptohemi unë nuk jam kundër diskotekës, por në ditën e duhur, në vendin e duhur me njerëzit e duhur. Ashtu po.


 


Së fundi, do doja shumë që të gjithë ju të regjistronit një numër telefoni ku të më çoni emrin, mbiemrin dhe adresën tuaj të kontaktit. Unë kam shumë dëshirë që të rri në kontakt edhe me ju.


 


Ju e dini që ne jemi në një rrugëtim drejt një dite që është një ditë e shënuar, besoj, për çdo shqiptar që kërkon që ta ndalë këtë rrënim të vazhdueshëm dhe t’i hapë rrugë një Rilindje Shqiptare në 23 qershor. Unë kam shumë dëshirë që në këtë rrugëtim të ketë sa më shumë vajza dhe djem si ju, që përveç garës sportive me njëri tjetrin  të përfshihen në këtë garë mes të shkuarës dhe të ardhmes. Në këtë garë mes disave që thonë jetoni për të votuar si të duam ne dhe neve që themi votoni për të jetuar siç doni ju.


 


Numri im i telefonit është 0662030272.


 


Të gjithë ju që jeni këtu sot keni bërë zgjedhjen e duhur duke u bërë pjesë e një projekti që në pamje të parë duket një projekt i vogël i disa qindra vajzash dhe djemsh, por që në fakt është një projekt të cilin të gjithë së bashku do ta kujtojmë pas katër vjetësh, sepse do themi sporti në shkolla është sot i pranishëm kudo, por filloj një pasdite me një kampionat ku unë isha pjesë. Kjo është një arsye për të cilën ju sot jeni këtu dhe për të cilën do jeni krenar pas katër vjetësh që ishit këtu. Nga një gjë e vogël fillon në fakt rrugëtimi ynë i realizimit të një programi, që është programi i parë serioz që një parti shqiptare ka patur për sportin në Shqipëri prej 22 vjetësh.  
 


Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm