Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Këshillimit Kombëtar i duhet kushtuar vëmendja e duhur për përmbushjen sa më të plotë të qëllimit që ka ky proces me interes qytetarët

Të reja

Këshillimit Kombëtar i duhet kushtuar vëmendja e duhur për përmbushjen sa më të plotë të qëllimit që ka ky proces me interes qytetarët

24 Jan 2022    

Fjala e kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PSSH, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste

Të dashur kolegë, kolege, deputete dhe deputetë të grupit parlamentar socialist!

Sapo kemi hyrë në një vit të ri të përpjekjes sonë për ta ngjitur më lart Shqipërinë.

Pikë së pari, dua t’iu uroj të gjithëve shëndet familjarisht, mbarësi për komunitetet tuaja dhe sukses në punën e përbashkët për të realizuar objektivat e këtij viti sfidues.

Pikërisht për objektivat dua të flas sot disa fjalë, duke nisur nga Këshillimi Kombëtar, praktika më e re e Bashkëqeverisjes, të cilën do ta kthejmë së bashku në një praktikë të përvitshme konsultimi popullor mbi vendimmarrje me rëndësi strategjike për shtëpinë tonë të përbashkët , Shqipërinë.

Ka pak ditë që ka nisur procesi i shpërndarjes me postë të pyetësorëve të Këshillimit Kombëtar. Pjesëmarrja përmes pyetësorëve online, në përmbledhjen ditore të orës 20 të mbrëmjes së djeshme ka arritur shifrën, shumë inkurajuese për kaq pak ditë, 23456 qytetarëve.

Do nisë këto ditë në çdo bashki vendosja e pikave publike të Këshillimit Kombëtar. Shpërndarja e plotë postare e pyetësorëve parashikohet të realizohet deri në 22 shkurt, me dërgimin në çdo familje shqiptare në territorin e Republikës së Shqipërisë një pyetësori, i cili është menduar se mund të lehtësojë pjesëmarrjen e personave më të moshuar. Ata mund ta mbushin dhe ta rikthejnë me postë, pa asnjë shpenzim. Ndërkohë, anëtarët e tjerë të familjeve mund të përdorin lehtësisht rrugën digjitale, siç dhe po ndodh, në një proces që është i bazuar tërësisht mbi anonimitetin e pjesëmarrësve, për të shmangur çdo lloj abuzimi dhe spekulimi të modës së fundit mbi të dhënat personale.

Ndaj dhe zarfet që shkojnë në çdo shtëpi janë pa emër ndërsa sistemi i mbledhjes në rrugë digjitale të pyetësorëve, nuk kërkon identifikim të pjesëmarrësve.

Dua të sqaroj këtu se në sistem ka algoritme, të cilat identifikojnë dhe skualifikojnë mbushjet abuzive të formularëve me të njëjtën prejardhje.

Nënvijëzoj, po ashtu, se ruajtja 100% e anonimitetit të çdo pjesëmarrësi në këtë praktikë të re demokratike të bashkëqeverisjes përtej partive politike, ka qenë prioriteti numër 1. Më tutje, kjo eksperiencë e parë do na mësojë se si të veprojmë në herët në vijim.

Dua të theksoj gjithashtu se hapja e këtij procesi kaq të gjerë, mbi çështje për të cilat na mjaftojnë kartonat në Kuvend apo kompetencat vendimmarrëse të qeverisë, ka një domethënie përveçse të qartë sipas meje, por dhe të madhe, se ky proces kërkon të dëshmojë vetëdijen tonë demokratike se për vendimet e hedhura për këshillim nuk mjafton vetëm bindja jonë, as mandati ynë krejt legjitim për të marrë vendime, por duhet edhe opinioni i publikut të gjerë.

Këtu vjen ana tjetër e medaljes së këtij procesi popullor, zgjerimi i harkut të dëgjimit tonë, matanë llogores sonë partiake, përtej kampit tonë politik, duke marrë opinionin e atyre që nuk janë votuesit tanë.

Si çdo gjë e re, ky proces mund të ketë pikëpyetjet dhe, me siguri dhe të metat e veta, ashtu sikundër padyshim do ketë dhe kundërshtitë përkatëse dhe do marrë racionin e vet të baltës, por unë besoj fort se asnjë pikëpyetje, as në të metat e natyrshme dhe as në kundërshtitë dhe baltën e pritshme, nuk e ul vlerën e këtij investimi, që është investim politik strategjik, në funksion të fuqizimit të lidhjes sonë të punës me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, si dhe të përpjekjes së domosdoshme për të kapërcyer një epokë të zymtë ndasish dhe sherresh partiake, të cilat kanë infektuar mbarë popullsinë.

Duke shkuar drejtpërdrejtë tek njerëzit, jo vetëm për fushata zgjedhore apo takime të njëanshme politike mes dy palë zgjedhjes, por për të diskutuar, pa dallime politike, vendime me rëndësi strategjike për vendin, duke i garantuar të gjithë, edhe ata të cilët për shkak të përkatësisë politike të ndryshme nga e jona kompleksohen apo ngurrojnë që përmes anonimitetit, të japin mendimin e tyre si qytetarë, ne japim një mesazh të ri shqiptarisë, qytetarisë, edhe njerëzillëkut për t’u ngritur mbi batakun e luftërave partiake, të pafundme dhe të padurueshme, që e kanë bërë politikën gogolin e njerëzve.

Ne i japim vetes, me këtë nismë, një mundësi të re për t’u  afruar më shumë me njerëzit pa i ndarë ata nëpër llogore, nëpër kampe, nëpër krahë, pa i dalluar si të majtë që duhen afruar dhe të djathtë që duhen larguar, por duke bashkuar zemrat, mendjet dhe forcat tona me të tyret si qytetarë, si shqiptarë, si njerëz. Po ashtu, i japim një shans të ri vetë politikës, e cila ka lindur si mundësia e vetme që kanë njerëzit për të diskutuar dhe për të zgjidhur probleme që përndryshe, të vetëm nuk i zgjidhin dot kurrë.

Për të gjitha këto, unë kërkoj nga ju sot që të angazhohemi shumë seriozisht në çdo komunitet, për ta inkurajuar sa më shumë përfshirjen e qytetarëve në Këshillimin Kombëtar dhe duke dalë nga rrathët e mbyllur të partisë sonë për të krijuar rrathë debati, sipas çështjeve, me palët, grupet e interesuara, një pas një, në të gjithë radhën e pyetësorit të Këshillimit Kombëtar.

Siç e thashë, shpërndarja e plotë e pyetësorit derë më derë parashihet deri në 22 shkurt, gjë që e bën realist objektivin e nxjerrjes së përfundimeve të tij mes javës së fundit të marsit dhe javës së parë të prillit, dhe kjo mund të përkojë me kohën kur do mbledhim Kongresin e partisë, të cilin, në mbledhjen e fundit të Kryesisë, edhe me nxitjen e ministres së Shëndetësisë, duke parë numrat e infektimeve, vendosëm ta spostojmë nga data e paracaktuar, 29 janar, pikërisht drejt një date mes fundit të marsit dhe fillimit të prillit. Nëse do mundemi të shpalosim në kongresin e partisë dhe përfundimet e Këshillimit Kombëtar, do jetë një vlerë e shtuar për punimet e Kongresit por padiskutim, nuk duhet dhe nuk do hedhim asnjë hap të nxituar në procesin e Këshillimit për këtë arsye.

Këshillimi Kombëtar do marrë gjithë kohën e vet, është hera e parë që e bëjmë dhe ne do mësojmë sa më shumë nga kjo herë e parë, në mënyrë që vitin e ardhshëm ta përgatisim më mirë dhe ta parashikojmë më lehtë, si kohë. Është një ndërmarrje jo e lehtë, por po t’i japim të gjithë vëmendjen dhe përkushtimin e duhur, pa e kushtëzuar me asgjë tjetër përveçse me përmbushjen sa më të plotë të qëllimit që ka ky proces, besoj se do marrim një rezultat të kënaqshëm për ne, edhe për pjesëmarrësit në të dhe bindës reciprokisht për dobinë e këtij ndërveprimi që tejkalon politikën banale të ditës.

Ndërkohë, një objektiv i ri afatshkurtër është shfaqur papritur përpara nesh, me nxjerrjet e dekreteve presidenciale për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki, pas një periudhe të gjatë shkeljeje dhe shtypje të Kushtetutës nga ana e zotërisë, i cili e mban institucionin e kreut të shtetit peng të hënës së tij, edhe për pak kohë fatmirësisht.

Sigurisht që ne do ta përmbushim me seriozitet detyrimin tonë për të garuar, për të bërë me përkushtim pjesën tonë që në 6 këto njësi vendore, të zgjidhen kandidatët e Partisë Socialiste. Për fushatën përkatëse të këtyre 6 zgjedhjeve do organizohemi sa më mirë, por pa lënë pas dore asnjë angazhim tjetër dhe mbi të gjitha, duke mos e humbur fokusin nga Këshillimi Kombëtar në të territorin e vendit sepse Këshillimi Kombëtar është dhe një shtysë që të gjithë deputetët dhe deputetet të kthehen tek njerëzit dhe të rrinë pranë njerëzve.

Forcat e angazhuara në këto 6 bashki do jenë thuajse tërësisht forcat vendore, pra deputetët dhe partia e këtyre njësive, së bashku me drejtuesin politik të qarkut, padiskutim. Mesazhet tona duhet të jenë thuajse tërësisht të lidhura me hallet, problemet dhe shpresat e komuniteteve vendore të këtyre bashkive. Ndërkohë, sa më pak politikë në këto zgjedhje aq më mirë pasi politikisht, panorama e këtyre zgjedhjeve është krejt e qartë për të gjithë. Nga njëra anë ne, me ofertën tonë të punës për komunitetin.

Nga ana tjetër, kundërshtarët tanë politikë, në 6 sheshe për 12 ose 18 përsheshe, varet si do rreshtohen, por 12 minimumi, 18 e mundshme edhe më shumë mbase.

Nga njëra anë ne, 6 kandidatë të cilët do ofrojnë një mundësi zgjedhjeje të bazuar tek puna konkrete, nga ana tjetër ata me 12, 18 apo më shumë kandidatë që luftojnë për mbijetesën politike të 2 apo 3 udhëheqësve partiakë këtu në Tiranë dhe nuk kanë asnjë lidhje me këto zgjedhje në vetvete.

Nga njëra anë ne, këta që jemi, me të mirat dhe të metat tona, në një garë për të punuar më shumë, më mirë, për Shkodrën, për Durrësin, për Dibrën, për Lushnjën, Vorën dhe Rrogozhinën dhe nga ana tjetër ata me bravat, varetë, trastat me dekorata, të gjithë kundër të gjithëve, për të provuar forcat mes tyre në kurriz të atyre bashkive dhe hipur mbi shpinën e anëtarësive të këtyre partive. Dy parti demokratike, njëra më e madhe se tjetra dhe një tjetër parti më e madhe se të dyja bashkë, ngjitur me të madhen e të trejave.

Tre liderë, njëri grata, tjetri nongrata, i treti të dyja bashkë, edhe grata, edhe nongrata.

Tre popuj nga mbrapa tyre, populli i 11 dhjetorit, populli i 18 dhjetorit, të dy në sherr për vulën e 8 janarit dhe populli i 2 marsit padyshim, i treti i vërteti, që merr jetë nga sherret mes të parti dhe të dytit.

Kjo është oferta për demokratët dhe demokratet dhe për të gjithë ata që ende fatkeqësisht dhe gabimisht e quajnë veten pjesë të këtyre tre popujve, ndërkohë që populli shqiptar është i qartë besoj për gjithçka sheh dhe në emër të këtyre tre popujve, do të thirren në gjashtë fushata, të gjithë bravaxhinjtë, qysqinxhinjtë e trastaxhinjtë për t’i kërcyer në kurriz njëri-tjetrit, tamam si në atë lojën e vjetër që besoj e mbajnë mend ata të gjeneratës sime, në oborret e shkollave në Tironë, “raqi raqi rikiko, sa gishta janë këto”.

 E teksa rraqet do të hidhen mbi njëra-tjetrën, duke i kthyer gjashtë bashki në rraqe, që duhen kapur e duhen marrë për të mos u ndarë, ne duhet të shikojmë punën tonë, derë më derë, nëpër të gjithë lagjet e këtyre gjashtë bashkive, me deputetët përkatës, me partinë në atë territor, me kujdesin më të madh për të mos promovuar turizmin elektoral, me deputetë që nisen atje për me demek mbështetje dhe pastaj bëjnë më shumë zhurmë se sa punë, dhe natyrisht me një program shumë të mirë përcaktuar se kur dhe për çfarë mund të shkojë në këto fushat edhe të tjerët, përfshirë edhe unë personalisht. Jo mitingje, jo grumbullime masive në salla të mbyllura, por punë kokë më kokë me njerëzit, për të treguar me kokën lartë e me gojën plot, çfarë kemi bërë e duam të bëjmë mirë e për të dëgjuar me kokën ulur e me veshët hapur çfarë nuk kemi bërë mirë e çfarë duhet të korrigjojmë dhe kjo e kokës ulur dhe veshëve hapur është këshilla ime vëllazërore për të gjithë deputetët në radhë të parë, të cilët do të duhet të përballen me ankesën e përhershme dhe legjitime të njerëzve, ku ishit qysh se mbaruan zgjedhjet. Jo të gjithë janë njësoj, një pjesë kanë vazhduar të mbajnë kontakte me njerëzit, por një pjesë tjetër duhet t’i shfrytëzojnë këto zgjedhje për t’i rivendosur kontaktet me njerëzit.

Ndërkohë, në harkun kohor të këtyre zhvillimeve, fare pak më tutje, në muajin prill, do na duhet të zgjedhim Presidentin e Republikës dhe do ta zgjedhë ky grup parlamentar në radhë të parë.

Komplikimi i skajshëm i situatës me krijimin e dy partive demokratike, na e bën të vështirë të gjejmë adresën se ku ta kërkojmë dialogun me opozitën parlamentare, por në ndërkohë, ne duhet të mendojmë për mënyrën se si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje. Në një mënyrë apo në një tjetër, duhet të gjejmë rrugën për të mbledhur opinionet e njerëzve lidhur me figurën e presidentit apo presidentes së re të republikës. Pas një serie personazhesh që e kanë degraduar figurën e presidentit në një prezencë minus për institucionin e kreut të shtetit, për të thënë më të paktën, ne kemi përgjegjësinë e madhe qytetare, politike dhe kushtetuese që t’i japim popullit shqiptar në krye të shtetit një njeri normal, në radhë të parë. Një kryetar dhe kryetare shteti që t’i kthejë normalitetin njerëzor, moral dhe institucional zyrës së Presidentit të Republikës. Nuk do të bjerë nga qielli, me siguri do të gjendet mes nesh, këtu në territorin e Republikës së Shqipërisë apo në territorin shpirtëror të kombit tonë, se mund të jetë edhe jashtë Republikës së Shqipërisë, por e kemi detyrim që t’i japim asaj zyre mundësinë që për pesë vitet e ardhshme, të ketë një njeri normal, një qytetar normal, një figurë moralisht dhe profesionalisht normale, prandaj unë do t’i lutesha të gjithëve që të mendojmë në këtë sens dhe cilido që ka një ide lidhur me se si mund të organizohemi në këtë drejtim, të ndajë me drejtuesit e grupit çdo ide, çdo sugjerim, çdo propozim e ndërkohë mund të organizojmë në vijim edhe një bashkëbisedim se si mund të ndërtojmë një proces përfshirës të opinionit publik në këtë vendimmarrje.

Në fund për të mos u zgjatur, dua me shpejtësi të them disa gjëra që lidhen me punën në vijim, duke në radhë të parë shprehur kënaqësinë dhe konsideratën për punën e bërë nga grupi, në sesionin e parë, deri në fund vitin e shkuar, në radhë të parë për qasjen dhe për gjuhën e komunikimit me opozitën, e cila është në këndvështrimin tim me një rëndësi shumë të veçantë, për të mos humbur fokusin nga punë reale dhe nga problemet reale për të cilat ne jemi zgjedhur, me një vërejtje që edhe pse e kuptoj vështirësinë, të gjithë duhet të përmbahen e duhet të përmbajnë njëri tjetrin në komisionet parlamentare, për të mos lejuar që puna në sy të publikut me orë të tëra e përballë provokatorësh dhe agjitatorësh të mirëstërvitur, por sëfundi edhe pak të lajthitur për shkak të shpërthimit të bravave dhe të vareve, të degradojë në “kush je ti, e kush jam unë”. Ka pasur dy apo tre raste, të cilat kanë qenë për të ardhur keq, të cilat nuk na ndihmojnë fare që ta përmirësojmë sado pak pozicionin e politikës në sytë e njerëzve.

Ajo çka është interesante në të gjithë eksperiencën time është se njësoj si në një skuadër sporti edhe në politikë, njerëz krejt të pjekur e të matur, kur futen bashkë në një fole, bëhen fëmijë. Duhet shmangur sa më shumë kalimi në situata fëmijërore përplasjesh të pakuptimta.

Aspekti tjetër që dua të prek është komuniteti dhe lidhja me komunitetin dhe puna e vazhdueshme në komunitet, e cila siç thashë, sipas raporteve që unë marr nga kryetari grupit, nga një pjesë bëhet, nga një pjesë nuk bëhet, por duhet të bëhet nga të gjithë sepse është detyrim shumë i rëndësishëm.

E fundit, dua që kryetari i grupit, sëbashku me sekretarin e përgjithshëm, të organizojnë, duke filluar nga java e parë e shkurtit, një cikël dëgjesash të ministrave me deputetët sipas komisioneve, natyrisht dëgjesa me dyer të mbyllura, ku ministrat t’ju përgjigjen deputetëve në komisione, për të gjitha pyetjet, shqetësimet, nevojat kërkesat, ankesat dhe nga ana tjetër, deputetët të dëgjojnë nga ministrat të gjithë planet për këtë vit dhe të njihen me të gjitha hapat që janë planifikuar të hidhen nga ana e ministrave dhe nga ana e qeverisë e që do të pasohen me hapa që duhet të hidhen në grupi parlamentar dhe në parlament, në mënyrë që agjenda e objektivave dhe e punës së çdo ministri dhe ministreje të jetë e qartë sot për komisionet përkatëse. Ndërkohë, duke qenë se mund të ketë deputetë të tjerë, jo të grupeve, jo të komisioneve, të cilët mund të kenë interes që të ballafaqohen me një ministre apo një tjetër, atëherë edhe këta mund të marrin pjesë në këto dëgjesa. Dëgjesat fare mirë mund të organizohen këtu e me radhë ministrat me komisionet, por dhe deputetë të tjerë që duan të marrin pjesë për t’ju drejtuar ministres së Arsimit apo të Shëndetësisë apo një ministri tjetër që nuk është si të thuash i lidhur drejtpërdrejtë me komisionin ku deputeti është, mund të jenë lehtësisht të pranishëm.

Shumë faleminderit për vëmendjen dhe durimin!

Uroj që të kemi një sesion të ri të mbarë të punës sonë të përbashkët këtu në Kuvend dhe edhe një herë me shumë mirënjohje për gjithë punën e bërë në sesionin e parë, mendoj që ka vend për përmirësime nga secili, nga secila dhe kur them përmirësime, nuk kam parasysh vetëm punën në këtë godinë apo në godinën e seancave, por kam parasysh në radhë të parë punën në terren me njerëzit. Faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm