Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Kodheli: Qeveria shqiptare vazhdon te beje demagogji per rritjen e produktit vendas

Të reja

Kodheli: Qeveria shqiptare vazhdon te beje demagogji per rritjen e produktit vendas

30 Aug 2008    
Ministri flet për skemën e mbështetjes së fermerëve me fonde për rritjen e sipërfaqeve me vreshta, pemëtore, ullinj, por të gjithë fermerët e dinë shumë mirë se ato investime, krejtësisht pa kritere dhe teknologji bashkohore, dhe të pa orjentuara mbi bazë rajonizimi në vend, natyrisht nuk përfaqësojnë eficensë dhe produktivitet, përkundrazi ato janë të orjentuara politikisht për militantët elektoralë dhe në shumë raste të manipuluara, ku ata që kanë përfituar lekë në dorë

Qeveria shqiptare vazhdon të bëjë demagogji qesharake për rritjen e produktit vendas bujqësor, për stimulim të fermerëve, për rritjen e sipërfaqes se punueshme. Mjafton t'i referohemi një të dhëne, se prodhimi i grurit na qenka rritur me 20%, një e dhënë e cila nuk konfirmohet as nga kryepleqtë dhe as nga burimet vendore të qeverisjes në komuna e fshatra, siç janë të pavërteta edhe të dhëna të tjera statistikore, të cilat PS i ka evidentuar në mënyrë permanente gjatë këtyre 3 vjetëve.

Për më tepër, ministri Gjana nuk ka se si të përdorë politikisht prodhimin e grurit në vend, kur për 2 vjet me rradhë, ka qenë i vetmi Ministër Bujqësie në vend, që iu kërkonte fermerëve të mos mbillnin drithëra pasi nuk kishte kuptim.

Më spektakolarja është shifra e prodhimit të qumështit në vend gjatë 1 viti - prej 1 100 000 tonësh. Një shifër e zmadhuar në mënyrë të paimagjinuar, e cila edhe pse brenda saj ministri përfshin edhe sasinë vjetore të qumështit që konsumohet për viça në vend, sërish mbetet e pavërtetë.

Këto fakte më shumë se kushdo evidentohen në treg, aty ku agroindustria përballet në mënyrë të përditshme me krizën e mos sigurimit të lëndës së parë në vend.

Ndërsa ministri përmend një numër të madh ligjesh dhe VKM, vendi ende pas 17 vjetësh tranzicion, nuk ka një kuadër të përshtatshëm ligjor që rregullon pronësinë e ligjshme të fermerëve mbi tokën bujqësore duke inkurajuar shitjen dhe qeradhënien e saj.

Ministri flet për skemën e mbështetjes së fermerëve me fonde për rritjen e sipërfaqeve me vreshta, pemëtore, ullinj, por të gjithë fermerët e dinë shumë mirë se ato investime, krejtësisht pa kritere dhe teknologji bashkohore, dhe të pa orjentuara mbi bazë rajonizimi në vend, natyrisht nuk përfaqësojnë eficensë dhe produktivitet, përkundrazi - ato janë të orjentuara politikisht për militantët elektoralë dhe në shumë raste të manipuluara, ku ata që kanë përfituar lekë në dorë (këto janë para publike !) - i kanë patur qysh më parë të mbjella fidanët, ndërkohë që kanë përdorur siç ka ndodhur dhe ndodh rëndom gjatë këtyre 17 vjetëve, teknologji dhe material mbjellës krejtësisht jashtë standartit.

Është gjithashtu zhgënjyes kryeministri kur thotë se në vend janë rritur me 6 herë sipërfaqet me sera. Ky fakt tregon në rastin më të mirë injorancën qeveritare për realitetin në fshat, aty ku bëhet bujqësia. Ndërkohë kur fermerët që ushtrojnë këtë aktivitet, po braktisin përditë e më shumë punën dhe vendin duke emigruar, për shkak të mospërballimit të rritjes së çmimit të naftës dhe imputeve bujqësore, duke bërë që niveli i teknologjise të bëjë hapa të dukshëm prapa, dhe duke kujtuar kohën e punimit të tokës, si para 70 vjetësh.

Kjo qeveri duhet t'ju kërkojë falje fermerëve për këto 3 vjet keqqeverisje.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm