Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Kompleksi i ri i dijes në kryeqytet, hapësirë fantastike arsimimi dhe edukimi

Të reja

Kompleksi i ri i dijes në kryeqytet, hapësirë fantastike arsimimi dhe edukimi

16 Dec 2021    

 

Shkolla 9 vjeçare “Vaçe Zela” dhe Shkolla e mesme “Kristo Frashëri, janë shkollat më të reja të kryeqytetit, pjesë një kompleksi modern të projektuar nga arkitekti i mirënjohur italian Stefano Boeri,  i cili ofron një hapësirë fantastike arsimimi dhe edukimi për më shumë se 1350 fëmijë të Njësisë 9 dhe Njësisë 11 në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në ceremoninë e përurimit të kompleksit të ri të dijes, të cilin e vlerësoi për risitë arkitekturore që sjell, duke theksuar që sfida mbetet transformimi i hapësirave të tilla në pika të reja referimi, kulturore dhe sociale për komunitetin përreth.

* * *

Fjala e kryeministrit Edi Rama:

Përshëndetje të gjithëve!

Puna këtu flet vetë, më shumë se të gjitha fjalët që ne mund të rreshtojmë, por me siguri ky është rasti për të falënderuar Stefano Boerin, i cili ka defektin serioz që është me Interin, por megjithatë, e kompeson këtë defekt, duke bërë vepra jashtëzakonisht interesante në arkitekturën e sotme, jo vetën në Itali, por në mbarë botën. E patjetër, përsa na takon ne, këtu në Shqipëri, qofshin juventin, qofshim romanist, qofshim, larg qoftë, milanistë e me radhë, Stefano e ka shlyer me kohë mëkatin e interizmit sepse ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut fantastik me punë që fillojnë nga plani i përgjithshëm rregullues i Tiranës, një hartë e të ardhmes dhe një manual për të shkuar drejt të ardhmes, duke marrë në konsideratë pikat e referimit të vendosura prej tij dhe nga ana tjetër, qoftë me projekte private, qoftë dhe me projekte publike, siç janë dhe këto shkolla.

Sot është një ditë shumë e bukur për arsimin në Tiranë sepse ky kompleks, që për hir të vërtetës, ka qenë një nga arsyet për tallje dhe sulme kritike, nëse mund t’i quajmë të tilla në mënyrë bujare, duke na thënë se “këto janë manipulime kompjuterike, këto janë 3D, këto janë fantazira, këto kurrë nuk do bëhen realitet”, - është këtu një realitet edhe më i bukur sesa ai që ishte, për hir të vërtetës, në paraqitjen e projektit.

Sfida është që, jo thjeshtë të mbetemi me kënaqësinë që të jep një arkitekturë e tillë, që të jep një punë e tillë e bërë me shumë seriozitet edhe nga ata që e kanë realizuar, por të shkojmë më tutje për t’i  transformuar këto hapësira në hapësira që, jo vetëm krijojnë kushte optimale për të dhënë mësim dhe për të marrë mësim, por në hapësira që krijojnë mundësi të reja për nxënësit dhe mësuesit si komunitet më vete, i cili ka nevojë të jetojë dhe të ndërveprojë dhe përtej orëve të mësimit, por dhe për vetë komunitetin rreth e rrotull shkollës, i cili nëse ne jemi mjaftueshmërisht të aftë për ta bërë, mund të gjejnë në hapësirën e shkollës një pikë të re referimi kulturore dhe patjetër, sociale.

Unë dua të them disa fjalë së fundmi, të cilat janë të përsëritura, por besoj që duhen përsëritur për t’iu thënë të gjithë prindërve dhe gjithë nxënësve sot, se ne tanimë po hyjmë në një fazë të re me arsimin parauniversitar pikërisht për të mbushur cilësisht atë kohën midis orëve të mësimit dhe shtëpisë, që është një kohë, e cila nga mënyra se si shfrytëzohet, mund të krijojë probleme për fëmijët dhe shoqërinë ose mund të fuqizojë të ardhmen e fëmijëve dhe shoqërisë, duke u dhënë atyre mjete të reja për të transformuar kohën në një investim në dije, në një investim shpirtëror përmes aktiviteteve kulturore dhe artistike dhe patjetër dhe një investim në shëndet përmes aktivitetit fizik. 

Kemi disa elementë të rinj që do të bëhen pjesë e punës sonë me shkollat nga viti i ardhshëm, sepse kemi dhe një buxhet tanimë të vendosur për këtë punë, duke filluar nga programi i arteve dhe zjeve, që do të krijojë mundësi për shkollat, nxënësit, mësuesit, që të formësojnë në mënyrë të strukturuar rrethet e tyre artistike, të teatrit, të muzikës, të pikturës apo të punës me dorë, e kështu me radhë, gjë që do ta bëjmë në dy nivele. Një nivel do të jetë niveli i përgjithshëm, e një nivel tjetër do të jetë niveli, le të themi, më i sofistikuar për ata që janë më të talentuarit, duke krijuar në të gjithë hapësirat e qyteteve, pika ku ata të mund të marrin mësim të kualifikuar për talentet e tyre e për shembull kjo shkollë, është vendi ideal ku mund të ndërtohet një pikë e tillë ku rrethet e vizatimit, rrethet e muzikës, rrethet e teatrit, e kështu me radhë, të jenë, jo vetëm për nxënësit apo të nxënësve të kësaj shkolle, por dhe të një zone të tërë rreth e rrotull. Ky është një projekt.

Projekti tjetër është projekti që ka të bëjë me teknologjinë.

Ne po punojmë për një sistem të ri të dhënies së mësimit të informatikës nëpër shkolla, të vetëdijshëm që nuk mjafton të ndërtojmë hapësira laboratorësh të informatikës. Është absolutisht e pamjaftueshme që t’i furnizojmë ato me kompjutera sepse në radhë të parë duhet të garantojmë që mësimdhënia e informatikës është e cilësisë më të lartë. E këtu sfida është tek burimet njerëzore. Tek burimet e kualifikuara njerëzore. E dimë shumë mirë që në shumë shkolla mësimi i informatikës bëhet nga mësues që janë të lëndëve të tjera, të fizikës, të matematikës, natyrisht të shkencave ekzakte, por që nuk janë të diplomuar drejtpërdrejtë në informatikë e këtë ne duam ta ndryshojmë, ashtu sikundër duam të ndryshojmë cilësinë e laboratorëve të informatikës, e të gjithë laboratorëve të tjerë në fakt sepse jemi të gjithë të vetëdijshëm që laboratorët sot në shkollat tona janë shumë më mirë se sa ishin dje sepse dje nuk kishte fare, por nuk janë laboratorë cilësorë që të stimulojnë dëshirën e nxënësve për të eksperimentuar në orë laboratorike e pastaj për t’u thelluar falë kënaqësisë dhe falë dhe interesit që krijojnë eksperimentet.

Projekti tjetër brenda programit apo programi tjetër në këtë rast është programi i sportit. Ne do fillojmë që nga viti i ardhshëm, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Shqiptar të cilit do t’i dedikohet një buxhet i veçantë, organizimin e lëvizjes sportive në shkolla, duke ju dhënë mundësi të gjithë vajzave e djemve që kanë dëshirë të organizohen në këtë lëvizje që të krijojnë skuadrat e tyre e çdo shkollë të ketë skuadrat e veta e pastaj çdo bashki të ketë kampionatin e vet dhe pastaj të ketë edhe kampionatet kombëtare të nxënësve dhe të studentëve. Do ta fillojmë vitin e ardhshëm e jam i bindur që brenda këtij mandati, në të gjithë këto aspekte do të kemi ndryshime tejet të rëndësishme.

Elementi i fundit që nuk është program më vete, por që është pjesë e kësaj qasjeje të re ndaj shkollës është ajo që preku pak dhe kryetari i bashkisë, mbase dhe Stefano e tha këtu, por të paktën e biseduam përpara se sa të vinim këtu, ndërtimi i parcelave bujqësore në shkolla. Gjithë këto hapësira rreth e rrotull dhe brenda në këtë rast mureve të brendshëm të këtij kompleksi, nuk mund të jenë thjesht hapësira me bar. Bari është i bukur, por kërkon edhe mund të madh për mirëmbajtje të vazhdueshme, ndërkohë që po të jenë një pjesë e tyre, këtu, në këtë rast ka vend dhe për hapësira të tjera sportive jashtë, por një pjesë e tyre hapësirë për kultivimin e perimeve, për dhënien mundësi të nxënësve që të kenë një kontakt, të kenë një marrëdhënie, të kenë një dijeni fillestare për tokën, për vlerat e saj, për çka mund të dalë nga toka e pastaj pak nga pak të krijojnë edhe modestish sipërmarrjen bujqësore të shkollës, me ato produkte që do të nxjerrin në këto parcela, ku kjo të vlejë natyrisht, jo për të bërë biznes sepse bëhet fjalë për sasi të vogla, por për të mësuar edhe këtë pjesë të  tregtimit të produkteve, do të ishte një le të themi laborator natyror fantastik dhe do ishte edhe dhënia mundësi fëmijëve që përveç jetesës intensive me ato mrrokllat në dorë me iphone e me kompjuterë, të kenë edhe kontaktin e drejtpërdrejtë me natyrën dhe me tokën.

Fjalën e fundit e kam për ambasadorin e Italisë, romanist. Në këtë kampionat kemi një afrim bilateral për shkak të marrëdhënies time me trajnerin e Romës, por në këtë rast dua të them që nuk bëhet fjalë për një ambasador që vjen dhe është prezent sepse kjo ndodh rëndom me shumë ambasadorë dhe ne i falënderojmë të gjithë, por bëhet fjalë për përfaqësuesin e një vendi që është më shumë se sa një shtet tjetër apo se sa një vend tjetër për ne që është Italia.

Ne vërtetë jemi dy shtete të ndryshme, por me thënë të drejtën, jemi e njëjta racë, pavarësisht se historia na ka ndarë me një det dhe pastaj këtyre u ka dhënë bekimin me Leonardon, Mikelanxhelon e nuk e di, qindra e mijëra të tjerë e kështu me radhë, - në kohën që ne merreshim me çështje të një natyre tjetër, - por sot jemi vërtetë gjithmonë e më shumë të vetëdijshëm për bekimin që kemi që të jemi si të thuash porta e pasme e asaj shtëpie përrallore që është Italia në kopshtin e Europës. E çka e bën këtë edhe më të ndjeshme është fakti që Italia është gjithmonë e më e vëmendshme, gjithmonë e më e gatshme, gjithmonë e më e përfshirë në sfidat tona sepse tanimë të gjithë shqiptarët që janë në Itali e kanë konfirmuar plotësisht që janë një vlerë e shtuar për Italinë e nuk janë ai problemi i madh që dukej në fillim fare kur u shfaqën në brigjet e Italisë.

Duke e mbyllur me këtë moment sentimentalizmi për Italinë e për italianët. Duke falënderuar dhe Fabrizion, ambasadorin që është këtu me ne sot, dua t’ju uroj çdo të mirë të gjithë mësuesve, mësueseve, prindërve të nxënësve të kësaj shkolle, nxënësve patjetër dhe shpresoj që viti i ardhshëm të jetë një vit më i mirë për të gjithë, por sigurisht do të jetë një vit shumë më i mirë për të gjithë kolektivin e këtyre dy shkollave të lidhura në një, që tanimë janë një mjedis i standardeve më të larta e më të mira për të gjithë ata që punën e kanë të lidhur me këtë mjedis.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm