Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Kongresi i Partisë Socialiste do adresojë të gjitha sfidat e përbashkëta të Partisë dhe qeverisë për katër vitet që vijnë

Të reja

Kongresi i Partisë Socialiste do adresojë të gjitha sfidat e përbashkëta të Partisë dhe qeverisë për katër vitet që vijnë

11 Jan 2022    

Prononcimi për media i Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama pas mbledhjes së Kryesisë së PS:

Pyetje: Cilat ishin vendimet e Kryesisë?

Përgjigje: Së pari, shumë faleminderit që jeni kaq të dashur, kaq të vëmendshëm dhe kaq të kujdesshëm që ndiqni të gjitha mbledhjet e Partisë Socialiste, të cilat janë shumë të rëndësishme për ne.

Në respektin tuaj unë do mundohem të them se çfarë mund të jetë me interes për publikun.

Ne kemi diskutuar për dy aktivitete të rëndësishme në vijim. Një aktivitet është më 15 janar, aktivitet i rinisë socialiste dhe progresiste në funksion të një ri-organizimi tërësor të të gjithë rrjetit rinor të Partisë Socialiste, por edhe përtej Partisë Socialiste, në kuptimin e një rrjeti aktivizmi, vullnetarizmi dhe qytetarie progresive në funksion të komunitetit dhe shoqërisë.

Ne dëshirojmë të ndërveprojmë me të rinjtë dhe t’u japim mundësinë që të kenë një mbështetje për çfarë ata mund të jenë të interesuar të bëjnë si qytetarë, si aktivistë, si njerëz të interesuar përtej punëve të veta.

E dyta, është ngjarja e Kongresit të Partisë Socialiste,  i cili do të adresojë sfidat e përbashkëta të Partisë dhe qeverisë si shprehje e kësaj shumice për katër vitet që vijnë.

Pyetje: A e ndjeni që Partia Socialiste është duke u plakur?

Përgjigje: Të gjithë jemi duke u plakur Muhamed. Në fund të ditës nuk ka rëndësi sesa të shkruhet mosha në certifikatë, por rëndësi ka sesa ndjehesh. Kështu që përtej kësaj, gjithmonë ripërtëritja, riorganizimi, të shkuarit përpara duke parë me sy kritik fitoret ka qenë karakteristikë e jona.

Pyetje: Z. Rama prisni shkarkime në Kryesi, duket se z. Basha është superior në këtë pikë pasi ka shkarkuar gati gjysmën e Partisë Demokratike?

Përgjigje: Kjo është për të qarë e për të qeshur, por unë nuk mund të qaj gjatë gjithë kohës për gjendjen dramatike në të cilën është opozita.

Nuk më rezulton që ka pasur anëtarë të Kryesisë së Partisë Socialiste që kanë synuar të marrin godinën me dhunë dhe nuk më rezulton që ne të kemi ndërtuar fortifikime për tu mbrojtur prej tyre.

Ne jemi të gjithë bashkë në një proces në shërbim të njerëzve. Nuk jemi këtu në asnjë proces kacafytje për interesa vetjake, sikurse janë të dyja kufomat e Partisë Demokratike që kanë marrë peng në fakt të gjithë demokratët, duke u kacafytur me njëri-tjetrin.  Është një kacafytje që paradoksalisht bën që asnjëri të mos e lëshojë tjetrin, sepse po ra njëri bie edhe tjetri.

Pyetje: A e çliruat ju selinë e Partisë Demokratike z. Kryeministër duke vendosur Policinë në PD? A i ka zgjidhur Partia Socialiste të gjitha problemet përderisa ju shqetësoheni për hallet e demokratëve?

Përgjigje: Asnjëherë, askund, për asnjë, nuk janë të zgjidhura të gjitha problemet në të gjitha familjet, në të gjitha organizatat, në të gjitha ndërmarrjet, në të gjithë hapësirat ku ka njerëz që ndërveprojnë, ka probleme për të zgjidhur.

Pak por e sigurt është që Partia Socialiste është në funksion të zgjidhjes së problemeve të njerëzve të njerëzve të vendit, ndërkohë që Partia Demokratike është në funksion të zgjidhjes së problemeve të pazgjidhshme të dy individëve: njëri kufomë politike me seli, tjetri kufomë politike pa seli, njëri i mbyllur në selinë blu, tjetri i kyçur në listën e zezë. Është moment shumë dramatik për demokratët. Unë uroj shumë që demokratët të dalin nga kjo situatë duke i kapërcyer të dyja këto kufoma dhe duke parë përpara.

Pyetje: Kryeministër, e shikoni të mundur bashkëpunimin me opozitën kur pritet të miratohet zgjatja e afateve të Vettingut ose reforma të tjera që kërkojnë edhe konsensusin e saj?

Përgjigje: Tani, është gjithçka për t’u parë, sepse nuk dimë më, se kush është kush në këtë histori dhe kush përfaqëson kë! Sigurisht, të dy këta përfaqësues të mbetur në këmbë nga e shkuara nuk kanë asnjë legjitimitet veç e veç. Sigurisht që deputetët e Partisë Demokratike, pavarësisht njërit apo tjetrit prijës, janë legjitimë, sepse janë aty me votën e popullit dhe natyrisht për sa kohë ne do të shohim se ka shanse për bashkëpunim dhe për bashkërendim të çfarëdolloj natyre, ne jemi aty për ta bërë këtë.

Situata është jashtëzakonisht e vështirë për momentin. Do shohim si do të zhvillohet.

Unë uroj që të jetë një proces që do të shkojë drejt një zgjidhje paqësore. Unë uroj që dhuna që pamë dhe fortifikimet nga ana tjetër, që janë dy anë të të njëjtës medalje për hir të së vërtetës, të mbeten mbrapa.

Për t’ju përgjigjur plotësisht pyetjes që bëri Ambrozia, Policia e Shtetit ishte në sfidën e vet më të vështirë të këtyre 30 viteve, sipas meje, sepse kurrë ndonjëherë më parë nuk e ka pasur sfidën të futet në oborrin e një partie për të ndarë dy palë që kacafyten në mënyrë që të mos shkojnë deri në gjakderdhje.

E ka trajtuar çështjen me një profesionalizëm, qetësi dhe kalkulim risku për t’u admiruar.

Gjithçka mund të evitohej. Nuk kishte nevojë të fortifikohej Partia Demokratike, lajmërohej Policia e Shtetit dhe të thirrej për ta mbrojtur dhe nuk do të kishte pasur asgjë të tillë: as dhunë, as kundërpërgjigje.

Pyetje: A është rastësi që Policia e Shtetit ndërhyri vetëm në pak minuta pasi Partia Demokratike kërkoi ndihmë nga Policia e Shtetit? Kush kanë qenë ata drejtues që kanë kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit? Lulzim Basha pretendon që është ndërhyrë me vonesë nga Policia e Shtetit.

Përgjigje: Faktikisht, Lulzim Basha disa herë në mënyrë të përsëritur, në vijim, bëri atë që nuk mund ta bëjë kurrë dikush që ka sensin e përgjegjësisë ndaj njerëzve, institucionit që përfaqëson, ndaj ligjeve të vendit, duke folur për fortifikime dhe duke bërë fortifikime në vend se të fliste për nevojën që ai institucion të mbrohej nga Policia e Shtetit.

Sjelljet dhe reagimet para dhe pas me Policinë e Shtetit janë të ngjashme si dy pika uji të të dy kufomave politike.

Prandaj unë po ju them që është e njëjta mbetje e ndarë përgjysëm. Nuk ke çfarë zgjedh, sepse është njëlloj.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm