Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Korçë, takim me qytetarët për të folur rreth punëve të kryera të bashkisë

Të reja

Korçë, takim me qytetarët për të folur rreth punëve të kryera të bashkisë

01 Nov 2022    

Korçë, takim me qytetarët për të folur rreth punëve të kryera të bashkisë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Korçë, në takimin e hapur me banorët për bilancin e punëve të kryera të bashkisë:

Mirëmbrëma të gjithëve dhe realisht faleminderit shumë për këtë prani kaq të madhe, besoj edhe të merituar për punën kaq të jashtëzakonshme që është bërë në këtë bashki, por edhe të vlefshme sepse jam i bindur që jo të gjitha gjërat të cilat ju patë sot, edhe pse jetoni në këtë qytet, i dini që janë bërë, pasi bashkia tani është shumë më e madhe se ç’ka qenë diku. Territoret e saj janë shumë më të mëdha, fushat e përgjegjësisë më të gjera dhe veprimtaria e saj e shtrirë përtej asaj vëmendjes së vogël të gjithsecilit.

Por jo vetëm për këtë arsye, por edhe për një arsye tjetër. Me thoni sa herë e keni parë në televizionet kombëtare apo në portalet Korçën dhe për çfarë e keni parë? Mbase ju jeni më të vëmendshëm dhe me siguri jeni më të vëmendshëm sesa unë kur vjen puna te Korça dhe mbase unë nuk i kam parë të gjitha ato që janë treguar në publikun e gjerë kombëtar për Korçën, por unë di që ato herë që unë kam mundur ta shikoj Korçën në ekranet kombëtare, kanalet dhe portalet që komunikojmë me audiencën e të gjithë vendit, ka qenë vetëm për rastet kur disa fermerë kanë dalë për të hedhur mollët apo për të hedhur qershitë në rrugë dhe për t’u ankuar që janë të braktisur, që shteti nuk bën asgjë për ta dhe që s’kanë asnjë mundësi për të jetuar. Ky është realiteti i pasqyrave mediatike shqiptare.

Një realitet gjithmonë e më problematik për shumë arsye. Po unë besoj, sot problematik për një arsye të madhe kryesore që është bashkimi i shumë forcave dhe elementëve në një aleancë kundër nesh, kundër qeverisë dhe kundër shumicës sot. Sot është botërisht e ditur që jemi në një luftë sepse jemi në një hapësirë gjeografike dhe jemi të rreshtuar në një krah të botës që është përfshirë në këtë luftë. Jo për shkakun tonë, të ishte për ne, për Shqipërinë, s’do kishte pasur luftë, në sensin që lufta e nisur nga Vladimir Putini në Ukrainë, nuk është një luftë që lidhet thjesht me Ukrainën. Ukraina është një sebep. Qëllimi është gjunjëzimi i të gjithë krahut perëndimor të hartës së Rusisë, që do të thotë, i të gjithë bashkësisë euroatlantike, i të gjitha vendeve që janë pjesë e një aleance bazuar në disa parime dhe vlera dhe të pozicionuar qartësisht në një qëndrim që shkon kundër idesë, vizionit, planit hegjemonik, imperialist të diktatorit të Kremlinit dhe faktikisht kush thotë sot se nuk ka luftë, se lufta është një propagandë e Edi Ramës, e kësaj qeverie, e këtij regjimi të korruptuar, thotë ekzaktësisht atë që duhet të thonë forcat që i shërbejnë Rusisë. Këtë thotë çdo forcë që i shërben luftës së Vladimir Putinit. Këtë thotë: “s’ka luftë”. Këtë thotë dhe ai vetë, “më vjen keq”, - thotë edhe ai vetë, “më vjen shumë keq që propagandojnë një luftë që s’është fare e vërtetë. S’ka luftë. Ka vetëm një operacion special kundër ca neonazistëve atje për të mbrojtur nga gjenocide rusët”.

Kjo është shumë e rëndësishme sepse kjo është arsyeja që ne sot jemi në një situatë jo të lehtë pasi bombat bien në Ukrainë, pasi plagët fizike hapen në Ukrainë, pasi shkatërrimet ndodhin në Ukrainë, por lufta ka prekur drejtpërdrejtë çdonjërin prej nesh, çdonjërën prej familjeve tona, çdo biznes në Republikën e Shqipërisë, ashtu sikundër çdonjërin e çdo biznes në këtë krah të botës sepse Putini e ka kthyer energjinë në armë kundër nesh, duke qenë furnizuesi kryesor me gaz i Europës. Ne nuk kemi lidhje drejtpërdrejtë me gaz, por ne kemi lidhje me çmimin e energjisë elektrike, i cili detyrimisht është influencuar edhe nga rritja marramendëse e çmimit të gazit dhe nga ana tjetër, përveç energjisë edhe inflacionin e luftës. Inflacioni i luftës është një virus që i prek që të gjithë në jetën e tyre të përditshme, pasi sa herë do të fusin dorën në xhep për të blerë diçka, tak, do na e kapë dorën dhe do na kërkojë pjesën. Ky është fakt!

U bënë shumë për hir të së vërtetës për shoqërinë tonë, u bënë shumë sepse ra një tërmet që krijoi një traumë jo të vogël, por sidoqoftë tërmeti mori fatkeqësisht disa jetë dhe shkatërroi shtëpitë e disa mijëra familjeve, por nuk i preku të tjerët, përveçse psikologjikisht. Pastaj na erdhi pandemia që sidoqoftë preku drejtpërdrejtë një pjesë, por na rëndoi psikologjikisht dhe tani na erdhi kjo luftë me inflacionin e saj që iprek të gjithë pa përjashtim dhe këtu është momenti për t’u kuptuar dhe për t’u mirëkuptuar. Jo për t’u bashkuar në një parti, as për të rënë dakord me patjetër me mënyrën se si ne shikojmë zgjidhjen ose adresimin e këtij problemi, por ne nuk mund të ndahemi me faktin se këtu jemi nën presionin e një lufte dhe që kjo i kalon fuqitë tona dhe që inflacionin e luftës nuk e zhduk dot askush, se po ta zhduknin, do ta zhduknin vende shumë më të zhvilluara se ne, që po e vuajnë shumë më tepër sesa ne për hir të së vërtetës. Ashtu sikundër çmimin e energjisë e vuajnë shumë më tepër sesa ne familjet, bizneset, në vende shumë më të zhvilluara sesa ne dhe mos të thonë që i kanë rrogat më të larta, sepse është e vërtetë që i kanë rrogat më të larta, nuk diskutohet, por i kanë edhe shpenzimet më të mëdha dhe ndërkohë raporti i sotëm i këtyre vendeve mes faturës së energjisë dhe pagës, është bërë i tillë që po kërcënon stabilitetin e tyre, sepse ky është basti që ka vënë Putini, të gjunjëzojë Europën duke ngritur në këmbë njerëzit për arsye ekonomike, por në fakt duke shfrytëzuar arsyen ekonomike, duke futur në çorbën ruse të ardhmen e tyre dhe këtu më vjen shumë keq, por ne jemi të ekspozuar sepse ajo që quhet opozita e Shqipërisë është e zhytur në thesin e rublave ruse.

E për këtë ne nuk kemi nevojë të fantazojmë, as të bëjmë analiza të thella sepse kemi faktin. Një fakt botërisht tanimë të konfirmuar. E kishim faktin përpara zgjedhjeve që rusët kanë paguar Partinë Demokratike me gjysmë milioni dollarë, për të rrëzuar Partinë Socialiste nga qeveria. Doli, dhe çfarë u tha? U tha që kjo është një përrallë e Edvinit me Sorosin. Mirëpo, çfarë rezultoi përpara pak muajsh? Që na paska qenë e vërtetë dhe paska qenë aq e vërtetë saqë figuron e shkruar e zeza në të bardhë në raportin e Shërbimit Sekret Amerikan, CIA-s. Po për çfarë arsye Rusia, rusët dhe kur paratë ruse paguajnë parti politike jashtë Rusisë, kjo nuk ndodh kurrë pa bekimin e atij që ka lëshuar gjithë arsenalin ushtarak kundër Ukrainës. Po për çfarë arsye duhet të paguajnë gjysmë milioni dollarë për Partinë Demokratike? Për çfarë? Ju lindi në zemër që të ndihmojnë Lulin? Për çfarë? Për inatin tim? Po pse?

E këtu tani, shumë natyrshëm nuk kemi sesi të mos shikojmë që ato para nuk janë një rrufe në qiell të pastër, por janë një vazhdimësi e një kohe kur Paria Demokratike në pushtet dërgon njerëz në Këshillin e Europës për të bashkuar votat me delegacionin e partisë së Vladimir Putinit për të aprovuar një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës ku turpëron Shqipërinë duke e konsideruar vendin ku organizohej trafiku i organeve njerëzore nga ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si mund ta bëjë këtë një parti shqiptare? Si mund ta bëjnë këtë përfaqësuesit e një qeverie në Shqipëri?  Pse s’e bëmë ne? Ne e kishim përfaqësuesin tonë atje. Pse nuk e bëri Shpëtim Idrizi, i cili nuk ishte më në partinë tonë, kishte dalë në vete për të krijuar atë partinë e tij. Pse nuk e bëri? Pse e bëri Partia Demokratike? E sot që vijmë në këtë situatë, si shpjegohet gjithë ky angazhim dhe si shpjegohet edhe damkosja si nongrata për Shtetet e Bashkuara e një ish-presidenti i cili është takuar, respektuar nga presidentët amerikanë, i një ish-kryeministri për kaq vite, i një vendi të NATO-s, nëse nuk ka lidhje me këtë që po them unë? Patjetër që ka lidhje edhe me këtë. Nuk ka as më të voglin diskutim e shikoni tani sesi gjithë propaganda sot zhvillohet në këtë linjë dhe sesi njerëzve të cilët me plot të drejtë janë të shqetësuar për shkakun e presionit financiar, se nuk është e lehtë, s’është fare e lehtë pavarësisht se ne e kemi neutralizuar deri tani goditjen në çmimin e energjisë dhe pavarësisht se për shkak të saj, ne e kemi mbajtur inflacionin më ulët sesa të gjitha vendet e rajonit.

Inflacioni është inflacion, nuk diskutohet. E po thoja, si shpjegohet që kjo tani përdoret kaq egërsisht duke u shoqëruar me shpifje nga më ekstremet për të shfrytëzuar një moment të vështirë psikologjik, i treti në radhë në këto vite, dhe për t’i nxitur njerëzit që të dalin e të shkatërrojnë çdo gjë. Po më falni, a ka nevojë për shumë fjalë e argumente ajo që u kujtua këtu para se të dilja unë dhe që ju që jeni këtu, e keni pasur realitetin e jetës suaj të përditshme në një qytet ku kur unë vija, kishte vetëm një vend, vetëm një për të fjetur dhe nuk kishte ku të dilje natën se mund të humbisje në gropë.

Ndërkohë që sot, këtë vit bashkia e Korçës regjistron 500 mijë fjetje në një vit që s’ka mbaruar akoma. Njerëz që kanë ardhur dhe kanë fjetur një, dy ose tre netë nuk ka rëndësi, po të regjistruara si netë të paguara. Padiskutuar se çfarë kanë ardhur të tjerë me ato “Airbnb”, që mund të kenë fjetur nëpër shtëpi e të tjerë. Ne flasim për kapacitet. 500 mijë. Po mirë, këta 500 mijë që vijnë kanë paguar mesatarisht sa për të fjetur, po për të ngrënë e për të pirë, po diçka për të blerë e të tjera. Kjo është një ekonomi që nuk është gjithçka, por është diçka shumë më e rëndësishme sesa çfarë kishim më parë.

Për të mos folur për të gjitha ato që u paraqitën këtu e për të mos ju lodhur me këtë pjesë, sepse e rëndësishme në këtë moment është të kuptojmë që jemi në një periudhë kur sfidohemi nga një gjë shumë më e madhe sesa ne, që është një presion i inflacionit të luftës. Ne kemi vendosur që të bëjmë çmos dhe ky çmosi është një sforco jo e vogël për të mos lejuar që goditja e çmimit të energjisë të vijë te ju. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që në faturën e energjisë, 20% i paguajnë familjarët dhe 80% i paguan shteti. Po të llogarisim për një moment që një pjesë e këtij 80% të vijë te familjarët, atëherë është marrje fryme serioze. Po ne nuk mundet dot ta zhbëjmë komplet këtë gjë. Ashtu sikundër ne i kemi rritur dhe do vazhdojmë të rrisim pagat, ne i kemi indeksuar dy herë pensionet, por mundësitë nuk i kemi të pafundme për të neutralizuar komplet atë çka është një distancë shumë e madhe e trashëguar mes nesh dhe vendeve të zhvilluar. Distancë që nuk mund të zvogëlohet sa hap e mbyll sytë dhe 10 vjet në krahasim me historinë janë 10 minuta.

Për më tepër, duke u kthyer tek ajo që thashë në fillim, ka një element tjetër që nuk e përmendi kryetari i bashkisë, po që unë dua ta përmend. Korça është një zonë në të cilën sot ne kemi një zhvillim të bujqësisë dhe blegtorisë me një kontribut shumë të rëndësishëm në gjithë prodhimin e përgjithshëm bujqësor të vendit, i cili ka shumë gjasë dhe ne jemi duke e ndjekur javë pas jave, që në fund të këtij viti të arrijë të përkthehet në gjysmë miliardi eksporte.

Ndërkohë që kur ne morëm detyrën, eksportet ishin 120 milionë euro, një gjë e tmerrshme, por sigurisht që ky objektiv nuk është gjysmë miliardëshi. Objektivi ynë është të arrijmë në 1 miliadë euro eksporte, që janë drejtpërdrejtë shëmbëlltyra e një vendi që shkon aty ku e meriton, ne nuk jemi akoma aty, kjo nuk ka asnjë diskutim. Por që ne nuk jemi absolutisht vendi që kush prodhon del dhe i heq prodhimet sepse nuk ka çfarë bën me to, por përkundrazi jemi një vend, i cili sot punon dyfishin e tokës së bukës që punonte kur ne morëm detyrën. I patë qindra kilometra kanale ujitëse dhe kulluese, është një realitet në të gjithë bashkitë tona dhe është falë këtij realiteti të ri që është dyfishuar toka që punohet, sipërfaqja e tokës që punohet në Shqipëri se deri dje ishte e pamundur se nuk kishte kanale ujitëse, ishin të pahapura prej 30 vitesh.

 Ashtu sikundër, për të ardhur tek tjetra që ne jemi sot në një pozicion komplet tjetër ndërkombëtar.

Pse jemi një pozicion komplet tjetër ndërkombëtar? Sepse jemi i vendi i krimit dhe jemi vendi i mafies, dhe jemi vendi i korrupsionit? Jo, jemi në një pozicion tjetër ndërkombëtar sepse sot na shikojnë dhe na marrin shumë më seriozisht.

Po pse na shikojnë dhe na marrin shumë më seriozisht? Sepse kemi bërë reforma dhe ndryshime të cilat përkthehen në një imazh shumë më të mirë të vendit tonë se po të mos ishte vendi ynë një vend me një imazh shumë më të mirë nuk do ishim në statistikat e turizmit dhe jo të tonat, por të organizatave ndërkombëtare dhe statistikat e ardhjeve në vendin tonë ndër të parët, në raport me veten kuptohet, por krahasuar me vitin përpara pandemisë. Dhe nga ana tjetër, nuk do na merrnin seriozisht nëse nuk do kishim guxuar të hidhnin disa baza të reja për ta bërë këtë vend një vend me drejtësi, për ta bërë kë vend një vend, i cili jep besim, jo vetëm tek njerëzit e vet, por tek të gjithë ata që duan të kenë të bëjnë me të.

Sigurisht që, edhe në aspektin e drejtësisë ka shumë për të bërë, edhe në aspektin e luftës kundër krimit ka shumë për të bërë, por sot Shqipëria, këtë vit që është viti që po të shikosh ekranet, kanalet, portalet dhe po të shikosh aleancën e rublave është i dominuar nga krimi, kurse po të shikosh faktet, kemi numrin më të ulët të vrasjeve qysh prej vitit 1991.

Këtë vit, ky është fakt. Por ka shumë rëndësi se ku shkon vëmendja e kamerës, ka shumë rëndësi se si interpretohet një fakt apo një fakt tjetër. Sepse nëse një ekran apo një tjetër, se nuk është një, janë shumë, përdoret si maskë, si ato maskat që i zinin rrugën autobusëve për t’iu marrë të gjithëve leket dhe medemek informon publikun, por në fakt shantazhon qeverinë për përfitime të paligjshme, atëherë sigurisht që 700 mijë leje qëndrimi në BE bëhen 700 mijë të ikur nga Shqipëria nga 2008-ta në 2020-ën, por ne të gjithë e dimë që leja e qëndrimit është një dokument, i cili nuk përkon me momentin e ikjes nga vendi yt, por përkon me procedura, të cilat janë procedura që marrin kohë, e para, dhe e dyta përkon me një praktikë, që është dhënie, që është rinovim dhe kështu me radhë.

Mirëpo është e gjitha pjesë e një përpjekjeje për të rrëzuar qeverinë dhe për të rrëzuar shumicën tonë qeverisëse.

Kjo është e qartë për të gjithë ata që duan ta shikojnë dhe për të gjithë ata që duan ta kuptojnë.

Është një përpjekje për të shfrytëzuar maksimalisht këtë mundësi që Vladimir Putini ua krijon të gjitha llojeve të forcave të angazhuara për 1001 arsye, nuk ka rëndësi se për çfarë arsyesh, në një proces brenda vendeve të tyre ku nuk e kanë problem fare që të vihen në shërbim të kauzës së tij.

Ky është realiteti i sotëm. Ajo që unë dua t’ju them, duke u kthyer këtu ku jemi në Korçë, është që ky transformim i Korçës është një transformim që ne duhet të bëjmë çmos që të vazhdojë dhe për këtë nuk diskutohet që garancia është këtu, është në Korçë, është tek ju, është tek njerëzit e punës këtu, është tek ata që investojnë. Ishim sot në Voskopojë, ishte për mua e jashtëzakonshme. Kisha 2 apo 3 vjet që nuk kisha shkuar në Voskopojë dhe ishte e jashtëzakonshme. Të bën shumë përshtypje sepse magjepsesh nga gjera të bëra nga njerëzit, njerëz të kthyer nga emigracioni, njerëz të ardhur nga Tirana, njerëz të vendosur aty, njerëz të angazhuar familjarisht që kanë marrë dhe mbështetje nga programet e agroturizmit të qeverisë apo të BE përmes AZHBR dhe poston një pamje që është një pamje që mund të ishte fare mirë në Austri, që mund të ishte në Zvicër. E shikoj sesi ka një kategori njerëzit që shqetësohen kaq shumë nga gjëja e bukur, që mërziten kaq shumë nga gjëja e mirë, që dëshpërohen kaq shumë nga një ndryshim në vendin e tyre sa hidhen menjëherë përpjetë. “Po kush do i mirëmbajë këto se s’ka njerëz atje”. Po mirë, kush i bëri këto, i bënë fantazmat? I bënë UFO-t? I bën disa të marrë që kishin lek tepër dhe thanë “hajde se po shkojmë t’i hedhim atje dhe pastaj po ikim”? Kush i bëri? Si mund të jemi ne kaq pak të ndjeshëm karshi atdheut tonë, karshi ndryshimeve dhe punëve të mira në Atdheun tonë, ku ka 1000 gjëra për të kritikuar s’diskutohet fare, por ku nuk mundet dot të thuash: Këtu gjithçka ka shkuar si s’ka më keq, se nëqoftëse sot do të ishte kështu, atëherë ç’mund të themi për atë që ishte këtu ku jemi tani që është një fushë e gjelbër futbolli, që ishte një tmerr, një fushë me plehra dhe me ferra deri para 4-5 vitesh. Prandaj, unë ju them që ne do të vazhdojmë punën me shumë mund, për të bërë çmos që në radhë të parë t’i mbrojmë familjet, t’i mbrojmë bizneset e vogla në radhë të parë se në rast se ne do të lejonim të prekej fatura e energjisë së bizneseve të vogla, atëherë të gjitha dyqanet ku ju shkoni dhe bëni pazarin e përditshëm do t’i rrisnin menjëherë çmimet dhe do tua u kalonin juve një pjesë ose të gjithën, ne s’mund ta bëjmë dot këtë, ne duhet ta mbrojmë deri në fund çdo familje dhe çdo biznes të vogël nga kjo goditje që është një goditje që po merr përpara ekonomi shumë më të mëdha se e jona. Sot diskutonim me Nikon për të vazhduar më tutje projektet, për pishinën, për Pallatin e Sportit, për stadiumin dhe kështu më radhe dhe për të vazhduar dhe shumë projekte të tjera, të cilat nuk është çështja se i bëjnë mirë Korçës por është çështja që i bëjnë mirë dhe Shqipërisë.

Një ambicie që është në rrugën e realizimit është që në atë sensin e dhënies Korçës një përmase ku të rinjtë të mund të drejtohen shumë më tepër nga teknologjia dhe të mund të kenë aftësi të tilla që të punësohen në tregun global pa lëvizur nga Korça apo nga Shqipëria, ne jemi duke avancuar, qoftë për të hapur këtu një degë studimesh të larta shumë të specializuara për teknologjinë, qoftë dhe për të sjellë këtu një degë të Universitetit Teknik të Stambollit, në mënyrë që të kemi në Korçë një destinacion për të rinjtë tanë nga e gjithë Shqipëria por jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga zona të tjera ku të mund të pajisen me këtë gjuhë të re të huaj të këtij shekulli që është teknologjia.

Mund të flisja dhe shumë e shumë më gjatë, por ju jeni shumë rezistentë ndaj këtij të ftohtit, por jeni ulur, unë jam në këmbë dhe mund të rri më gjatë, por e kuptoj shumë mirë që është momenti për ta mbyllur. Dua të shpreh gjithë mirënjohjen, edhe njëherë, për këtë prani kaq të madhe dhe këtë durim kaq heroik deri tani dhe dua t’iu garantoj padiskutim që të gjithë që ne do të vazhdojmë me edhe më shumë vendosmëri t’i çojmë punët përpara sepse ka një kohë për të ikur dhe ka një kohë për të ardhur. Ideja që të gjithë po ikin është një ide, të cilën e përsërisin në mënyrë të pafundme ata, që vërtetë duan që kështu të ndodhë. Sigurisht që ne jemi në një periudhë historike që të gjitha vendet e kanë kaluar; ne na takon që shumë gjëra t’i kalojmë të fundit sepse të fundit kemi dalë edhe nga honi i historisë sonë përpara se të hynim në këtë rrugë mirëpo ka edhe njerëz që kthehen. Janë ende më shumë ata që ikin sesa ata që kthehen, por të jini të bindur që saç është e vërtetë kjo fushë e bukur këtu, saç është i vërtetë ky qiell në një natë korçare, aq është e vërtetë që e ardhmja e Shqipërisë dhe e ardhmja e shqiptarëve është në Shqipëri dhe kjo na takon ne që ta bëjmë realitet dhe na duhen  këto vite për të garantuar që atë vizionin e Shqipërisë 2030 ta kthejmë nga një vizion në një punë të bërë, siç në Korçë këtu një vizion për të rilindur Parisin e vogël sot nuk është më një fjalë e bukur, por një realitet i prekshëm jo në sensin që e kemi rilindur Parisin e vogël, por në sensin që trajtat e Parisit të vogël duken ngado që të hedhësh sytë.

 Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm