Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Krenar për të gjithë ato vajza e djem që janë të angazhuar në familjen socialiste

Të reja

Krenar për të gjithë ato vajza e djem që janë të angazhuar në familjen socialiste

18 Apr 2021    

Me të rinjtë Tiranë - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Faleminderit shumë dhe nuk e di se si e bëtë, por sot vetëm për këtë takim e hodhët në erë atë app që tregon kohën, se kjo mrokulla këtu thoshte shi të madh. Ku është shiu? Se Lali është gjithmonë me diellin, nuk diskutohet. Lali, edhe kur shiu është duke vepruar, thotë “hë mo Lal, të pëlqejnë këto rrezet e diellit”? Është optimist i pashërueshëm.

Optimizmi që buron nga ëndrra e parë me sy hapur është energji e jashtëzakonshme dhe e domosdoshme. Sot, para meje folën të tjerë këtu dhe unë dua të bëj vetëm atë që nuk e bënë të tjerët, nuk e bëri as Romina, e as Bora. Është e rëndësishme që të gjithë ata që na ndjekin në rrugën tonë, në komunikimet tona të kuptojnë dhe të dinë se kush jemi ne, kush është Bora, kush është Romina, kush janë të tjerë të rinj e reja, ose jo dhe aq të rinj e të reja në moshë, por në energji.

Historia personale e Borës dhe Rominës është shumë e ngjashme me historinë tuaj dhe i vetmi ndryshim mes tyre dhe jush është se në këtë moment të jetës suaj, ju thjesht jeni në fillimet e rrugës që më pas i ka sjellë dhe Borën dhe Rominën këtu.

Bora dhe Romina nuk janë fëmijët e prindërve të famshëm, as fëmijë të prindërve të pasur. Janë dy studente që ia dolën në shkolla jashtë shtetit me rezultate të shkëlqyera. Dy vajza shqiptare që, pasi u shkolluan jashtë, vendosën të kthehen në Shqipëri për arsyet e tyre dhe për të vazhduar të besojnë tek ëndrra e tyre me sy hapur, për të qenë jo vetëm dy vajza, - më pas, Romina edhe një grua e nënë e re, - dy njerëz të mire, por për të qenë edhe qytetarë të mirë.

Ronald Regan thoshte një fjalë shumë të bukur: “Të jesh njeri i mirë nuk mjafton për të qenë një qytetar i mirë”.

Njeriu i mirë është ai që nuk i bie në qafë askujt. Njeri i mirë është ai që bën mirë detyrat e tij në raport me familjen, me fëmijët dhe prindërit. Por qytetar i mirë është ai që, kur kapërcen pragun e shtëpisë, e ndjen për detyrë të bëjë diçka, sado të vogël, që edhe ajo që është përtej pragut të shtëpisë të bëhet më mirë, që çdogjë që lidhet me hapësirën ku ai jeton të bëhet më e mire, që shkolla për fëmijët të bëhet më e mirë, kopshti dhe çerdhja të përmirësohet, shërbimi shëndetësor të përmirësohet, mjedisi të mbrohet, të moshuarit të ndihmon, ata që fatkeqësisht janë invalidë të mos jenë vetëm e që gratë dhe vajzat të mbështeten.

Përfshirja e njerëzve të mirë në një familje politike është shkalla më e lartë e qytetarisë, në kuptimin më të mirë të fjalës, e njerëzve aktivë në funksion të fateve dhe kushteve të vendit ku jetojnë. Shumë respekt  për të gjithë ju dhe për të gjithë ato vajza e djem që nuk e ndjejnë veten të përmbushur duke thjesht qenë njerëz të mirë, duke qenë thjesht fëmijë të mirë të prindërve, por e ndjejnë së brendshmi nevojën që sëbashku me të tjerë të përpiqen për të bërë të mundur gjëra që përndryshe janë të pamundura.

Romina, sot është zëvendësministre e Brendshme, por për të ardhur deri këtu, ka ngjitur hap pas hapi shkallët, duke besuar, duke punuar dhe duke u bërë e vlefshme për të tjerët.

Bora u kthye nga Anglia, pasi bëri një nga universitetet më prestigjiozë të Europës. Edhe pasi refuzoi, siç ndodh me të gjithë studentët e mirë të asaj shkolle, që marrin oferta të menjëhershme për punë në Londër apo në Britaninë e Madhe dhe mundësinë të qëndronte atje. U kthye dhe ja ku është sot.

Unë jam i bindur që këtu sot ka të tjerë Romina, të tjera Bora në vijim do t’i ngjisin shkallët.

Ogerta ka qenë vullnetare si ju, në garën për Bashkinë e Tiranës në vitin 2000. Rruga e aktivizmit qytetar është një rrugë me shumë korsi, nuk do të thotë domosdoshmërisht të përfshihesh në një parti politike, por përfshirja në parti politike, për të bërë rrugën tënde të aktivizmit, është sfida më e madhe që njeriu zgjedh në moshën tuaj, pasi aty janë edhe përballjet më të forta, më të drejtpërdrejta dhe më ndikuese për të nesërmen.

E tha Lali, ju jeni patronazhistë. Si ju ka plot të tjerë dhe në këto ditë, fjala patronazhist sigurisht është lakuar shumë, por prej disave përdoret si fjalë për të krijuar idenë e një gogoli që ka dalë nëpër Tiranë dhe që vëzhgon, monitoron, kontrollon njerëz. Patronazhisti nuk është një figurë që u shpik në Shqipëri, nuk është një figurë që e krijuam ne. Patronazhisti, i cili në anglisht quhet canvaser, është figura kyçe e historisë së zgjedhjeve dhe historisë së përballjeve mes dy partive më të mëdha të botës, Partisë Republikane dhe Partisë Demokratike në SHBA. Patronazhisti është ai që angazhohet që aty ku jeton, aty ku banon, aty ku i kërkohet, të trokasë në një numër të caktuar dyersh, të kontaktojë me një numër të caktuar familjesh, të komunikojë me kategori të ndryshme moshore dhe shoqërore, me një numër të caktuar e të mbajë shënim se çfarë perceptimi ka nga ata që kontakton, majtas, djathtas, të vendosur, të lëkundur, të papërcaktuar, të papërcaktueshëm e me radhë.

Le të thonë çfarë të duan ata se atë punë kanë, por patronazhimi është klasa e parë e shkollës së madhe politike, ku kush ka ambicien, dëshirën, vullnetin dhe këmbënguljen për të shkuar në klasa më të larta, fillon nga patronazhimi.

Nga ana tjetër, dikush tjetër si shumë të tjerë, mund të jetë dhe 60 vjeç dhe vazhdon të jetë patronazhist, si aktivist i familjes së vet politike.

Mesazhi im për ata që merren me patronazhistët, duke filluar nga Ilir Meta, është patronazhistëve t’ju merrni të keqen!

Edhe mos harroni asnjëherë, patroniazhistët ju njohin kush jeni. As mos ta çoni nëpër mend se patronazhistëve tanë ja u fshihni mendimet tuaja. Ne ju njohim kush jeni dhe po vijmë pas jush dhe në 25 prill, ju do ta shikoni sa mirë ju njohim ne juve. Edhe ju do habiteni. Sepse kur votat fillojnë të numërohen, ju do ta kuptoni se pse ne, juve ju kemi mundur, ju mundim dhe do t’ju mundim. Sepse Partia Socialiste, që ta merrni vesh mirë ju, nuk është Edi Rama. Edi Rama është vetëm patronazhisti më i gjatë.

Edhe ana tjetër e medaljes. Patronazhistët tanë nuk kanë makina të shtrenjta. Këtu nuk ka asnjë patronazhist me Hummer. Këtu s’ka e askund s’kemi patronazhist me Bentley, as me Ferrari, as me Range Rover, as me Toyota... - se unë s’di më shumë se kaq nga makinat - Lamborghini, po ke të drejtë, as me Lamborghini, as me Lamborgjini, as me Lamborluli, as me Lambormoni.

Ata kujtojnë se po ikin përpara, duke u futur në karvan me Lamborghini dhe duke bredhur nëpër Shqipëri. Patronazhistët tanë nuk bredhin, patronazhistët tanë ecin.

Ecin dhe ndalojnë sepse në çdo hap marrin shënime; Kush je? Si e ke emrin? Si të duket situata? Për kë ke votuar më përpara? Për kë do votosh tani? Po mami, babi ç’thotë?

Ndërkohë që ata kujtojnë se Shqipëria është rrugëve, duke pritur në çdo cep karvanët me Lambormoni. Kush janë - dhe kjo është serioze, - brenda atyre makinave që shoqërojnë Lulin në turin motociklistik me 4 rrota, nga një anë në një anë tjetër. E keni pyetur veten kush janë brenda në ato makina?

Janë vallë, ata shqiptarë që s’kanë bukë? Janë vallë, ata shqiptarë që s’kanë punë?

Janë vallë, ata shqiptarë që besojnë tek puna, besojnë tek sipërmarrja e tyre e vogël, tek shkolla e tyre, tek gjuhët e huaja, tek teknologjia digjitale, tek puna me tokën, tek eksportet bujqësore.

Kush janë në ato makina?

Patronazhistët e dijnë se kush janë aty brenda. Nuk ka xhama të zinj që ju fshehin, sepse sytë e patronazhistëve janë me rreze lazer. Edhe ai opsioni “face recognition” i iPhonet, që ti e e nxjerr... - jo unë se kam në fakt se ky s’me njeh mua, se ky nuk është patronazhist, këtë e patronazhoj vetë unë, - po ai opsioni me “face recoginition” që tak hapet, është në sytë e çdo patronazhisti.

Unë i them disa drejtuesve të SHIK-ut të kohës, i them disa drejtuesve të doganave dhe tatimeve të kohës, të asaj kohe që nuk ka për t’u kthyer më 25 prill, i them disa shefave të asaj policisë të kohës, që i lanë policët rrugëve duke ngrënë fara luledielli nëpër kryqëzime dhe që për vete e përdorën uniformën e policisë për grabitje, ne e dimë që ju jeni në ato makina!

I them edhe atij drejtorit të basteve të kohës, bashkë me vullnetarët që kanë humbur licencat e basteve, ne jua u dimë targën e makinës!

Dhe kur them ne, jo regjimi, po patronazhimi. Unë e di shumë mirë çfarë do ndodhi pas kësaj. Bastet janë ndaluar në Shqipëri, ne nuk vëmë dot bast, po mbajeni mend. Me të mbaruar kjo, do të vijë një klithmë nga Vlora. Vetë ai! Do thotë, po më detyroni të bëj atë që se kam menduar kurrë, që të përfshihem në fushatë, bashkë me doktorin e madh. 

Që ti je futur kokë e këmbë në fushatë, këtë e di çdo patronazhist. Po atë që ti nuk di dhe patronazhistët e dinë dhe s’ka patronazhist që nuk e di, është që ti do dalësh nga kjo fushatë i rruar e i qethur.

Ju që merreni me patronazhistët, sikojeni çfarë të bëjnë patronazhistët. Jo që nuk duan të dinë fare për atë google weather, jo që nuk e konsiderojnë fare, por tani, nga qejfi i muhabetit nuk lënë retë që të afrohen. Prandaj nuk kuptoni dhe prandaj nuk keni për ta marrë vesh ju çfarë do jetë gjithë ai breshër votash në 25 prill. 

Çuna dhe goca, goca dhe çuna, - është një çun aty që nuk çohet asnjëherë dhe rri gjithë kohës me telefon. Çfarë po bën ai tani? Ai po patronazhin sepse ka në telefon njërin, që i ka thënë jam zgjuar sot i lëkundur dhe ai tani e shkund me telefon. “Jam shumë i lëkundur, nuk di çfarë të bëj, nuk ja vlen fare, leje fare këtë muhabet plako. Nuk vi unë, jo nuk ja vlen me votu plako.” 

Dhe lajmi i mirë është që ai i lëkundur do vijë duke kërcyer se me atë që po i bën ai, unë nuk po e them këtu deri në fund, se e di që ai nuk është ai, por është ajo dhe ti prandaj e ke fiksimin që si mund të lëkundet ajo kur unë i them hajde. Por do vijë, ti vetëm rezisto dhe mos e bëj si ai që insistonte dhe në fund tha lëre. Të nesërmen e sheh atë me një tjetër. Ai tjetri i tha, po ti nuk ke kuptuar një gjë, se ti tek tulla e fundit e humbe durimin, erdhi tjetri, e vuri tullën e fundit. Kështu që deri tek tulla e fundit, 7 ditë, tullë më tullë, deri tek tulla e fundit. 

Këta që nuk duan patronazhist, e duan me mua drejtpërdrejtë, më futen mua aty në Facebook se i duken patornazhistat gjë e vogël por nuk e kuptojnë që patronazhisti është gjë e madhe shumë. Këta nuk e dinë që çdo patronazhist është aty bashkë me mua, në hijen time dhe vijnë tek unë direkt. Dhe u fut njëri sot tha, se kishte parë këtë Fevziun e vërtetë, për të qesh tha je njësh, na shkrive, për të fol për ata të tjerët... e la kshu, me një fjalë që mirë, po  si more burrë tha, nuk të dëgjova dy fije program? Se si dëgjohen fijet unë nuk e di, se fijet shihen por për të gjithë ata që mund të jenë si ai e që nuk kanë dëgjuar asnjë gjë nga programi apo kur më kanë parë, janë tërhequr më shumë nga kapelja, nga mjekra nga atletet, nga botoksi se unë kam bërë edhe botoks se këta nuk e dinë çfarë do të thotë të rrish pa gjumë. Do botoks? Rri pa gjumë tre ditë, dil para pasqyrës, nuk ka rrudha se të fryhet lëkura tamam sikur ke bërë botoks, është e thjeshtë fare, është shkencore por këta duan edhe gjumë, edhe mos bëjmë botoks. Jo, kush fle gjumë bën botoks. Kush rri pa gjumë nuk ka nevojë për botoks.

 Nga 25 prilli, deri në prillin e 2025, 4 porta të reja për Shqipërinë nga deti, 4 porta nga qielli. Për njerëz këto, për një numër njerëzish, vizitorësh, turistësh që sot është e paimagjinueshme me kaq porta sa kemi. Plus, dy porta të reja nga deti për mallrat, plus Skavicën në veri, TEC-in e Vlorës për gazin e lëngshëm në jug, dy parqet me energji diellore në Karavasta dhe në Spitallë. Plus, autostrada e re nga Murriqani në Milot e në Fier pa llogaritur të tjerat.

Por vetëm duke llogaritur një mesatare modeste investimesh të huaja vjetore që i ka Shqipëria, janë 10 miliard euro. Por janë 10 miliard euro që do të hapin perspektivën menjëherë të dhjetëra, mijëra vendeve të punës. Por janë 10 miliardë euro që do të investohen në projekte, të cilat kur të realizohen do të jenë projekte që do të kenë nevojë për vende pune cilësore dhe meqë këtu jeni ju patronazhistët e rinj e meqë ju doni që të shkoni më tutje në këtë punën e kontrollit me mrrokllat, ne do bëjmë rrjetin në Shqipëri që ka filluar me bërthamën e parë tek stadium, por ndërkohë me ndërtimin e piramidës do të jetë zemra e këtij rrjeti. Në bibliotekën e re të Korçës edhe aty ka filluar e në të gjithë qendrat ë mëdha urbane të Shqipërisë ne do të kemi pjesë të këtij rrjeti ku vajzave e djemve që nga mosha 14 vjecc dhe deri kur të jenë tek klasa e parë e patronazhimit, t’u japim gjuhën e kodimit, gjuhën e teknologjisë dixhitale e t’u japim mundësinë që këtu, këtu të kenë vendin e tyre të punës. Këtu të kenë biznesin e tyre, biznesin e tyre online, jo në tregun shqiptar, por në tregun shqiptar dhe në tregun e gjithë rruzullit. Këtu dhe në kompjuterin më të afërt, pa lëvizur nga vendi, të kenë mundësinë që të krijojnë punë për veten, të krijojnë punë për të tjerët, ata që janë dhe më të zotë e të kenë rroga që sot i kanë realisht, nuk janë shumë, mund të jenë 1000, 1500. Ne dimë disa qindra, por ata nuk dalin, nuk janë të shfaqur, vajza e djem që nga kuzhina, nga aneksi, nga telefoni fitojnë 1000, 2000, 3000, 5000 euro. 

Tani,  imagjinoni ju tani çfarë gallate e çfarë qejfi, këtu tek mrroklla juaj, edhe patronazhim, edhe punë. Edhe patronazhim, edhe biznes.

Prandaj qeshu patronazhist qeshu, se bota është e jotja.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm