Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Kriza energjitike, sfidë që do e përballojmë me vendosmëri

Të reja

Kriza energjitike, sfidë që do e përballojmë me vendosmëri

07 Oct 2021    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:

Të përsërisësh të njëjtën gjë e të presësh një rezultat tjetër, është tipari karakteristik i mendjelehtësisë. U bënë tetë vjet që përsërisni të njëjtën gjë, merrni të njëjtin rezultat dhe prapë përsërisni të njëjtën gjë, e prapë merrni të njëjtin rezultat. Natyrisht, duke përsëritur përsëri të njëjtën gjë, të njëjtin rezultat do merrni prapë dhe nuk ju shpëton transferimi i përgjegjësisë përmes fantazive dhe sajesave për masakrat elektorale se aty ju kam gjetur, aty do ju lë, nëse do vazhdoni të përsërisni të njëjtën gjë pa pushim, duke i marrë shqiptarët për budallenj.

Por, natyrisht, kjo është zgjedhje e juaja e nuk jam unë që duhet t’ju inkurajoj të rishikoni zgjedhjen tuaj. Aq më pak tani, në këto kushte kur jeni në një garë, kush është kukulla, kush është pengu e kush shpif e shan më shumë për të treguar që nuk është as kukull e as peng.

Faktet janë fakte. Ju mund t’u thoni shqiptarëve çfarë të doni, por urtësia dhe mençuria e një populli ka një barometër, ditën e gjykimit. U bënë 5 ditë gjykimi rresht ku populli ju thotë, “hej, këta nuk janë më të mirët, por ju ta harroni me këto mend që keni”.

Dje, në Samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, të gjithë, ata të vendeve më të pasura, ata të vendeve më pak të pasura, ata të Bashkimit Europian, ata të Ballkanit Perëndimor, kryefjalën e shqetësimit kishin çfarë mund të bëjmë së bashku, siç bëmë me pandeminë, për të përballuar furtunën e krizës energjetike. Ju, të dyja palët, si pengu, si pengmarrësi u thoni shqiptarëve, “Shqipëria nuk ka lidhje me tregun ndërkombëtar, Shqipëria nuk ka lidhje me çmimet e bursës, Shqipëria ka ujë”.

Po thatësirë ka Shqipëria?

Del Shqipëria në treg për të blerë energji apo nuk del?

Kur qeverisnit ju, dilnit ju në treg për të blerë energji apo nuk dilnit?

Ju u thoni shqiptarëve se fatura e energjisë në Shqipëri është më e larta në rajon. Është e pavërtetë!

Është thjesht e pavërtetë, siç është e pavërtetë diçka tjetër. Fatura e energjisë dhe të gjitha faturat në sistemin që kemi zgjedhur dhe për të cilin ju me të drejtë jeni krenarë që ishit pararoja, si mishërimi i lëvizjes antikomuniste, kemi vendosur që të kalojmë nga ekonomia komuniste e centralizuar, e cila vendoste çmimet me urdhër nga lart, në lirinë e tregut kapitalist dhe rritja e çmimit në bursë të një malli, qoftë energji, qoftë naftë, miell apo çfarëdo qoftë, nuk pyet as se Spanja ka më shumë, as se Shqipëria ka më pak. Ju, partia e qendrës së djathtë, ju, partia e liberalizimit të tregut, kur ju dëgjon të flisni, po të mos t’ju njohësh e po të mos ta dish nga vini, mendon që jeni  mbeturina të Partisë së Punës nga mënyra si flisni. Konceptet tuaja janë mbeturina të sistemit të vjetër.

(Nuk është argument as e shara, as e bërtitura nga vendi. Unë nuk ofendoj askënd, ndërkohë që këtu, me respekt dëgjojmë të shara para e mbrapa, që nga sharjet për zonjën atje e tek sharjet për të tjerët rreth e rrotull, por ju nuk e bëni dot dallimin, nuk ka problem. Nuk dua të merrem me ju. Ju jeni në një hall që unë nuk jua zgjidh dot).

Me gjithë taksën e karbonit brenda, a është e vërtetë që sot, nafta është më lirë sesa ishte ditën kur ju latë qeverinë?

Unë po ju jap tabelën.

Në vitin 2013, nafta ishte 182 lekë, benzina 186 lekë. Shikoni tabelën, sa e blinin shqiptarët në momentin kur ju ishit ende në qeveri naftën?

(Do ta bëjmë këtë marrëveshje që kur flet njëri, të tjerët dëgjojnë siç dëgjojmë ne kur flisni ju, pavarësisht se nuk thoni asgjë për të pasur...? Unë e kam fare të lehtë, ju lë të vazhdoni të flisni e shkoj se kam plot punë të tjera. Unë vij këtu në respektin tuaj, në respekt të Parlamentit dhe në respekt të atyre që ju kanë votuar ju. Nuk e kam për detyrë, fare, e kam për respekt dhe a ka mundësi ta bëjmë këtë marrëveshje që kur flasin, dëgjojmë, na pëlqen apo nuk na pëlqen?)

Unë po ju jap shifra. Tabelat janë atje.

Sa lekë nxirrte nga xhepi, një drejtues automjeti në Shqipërinë që qeverisnit ju, për të blerë naftën dhe benzinën dhe sa nxjerr sot?

Sot, dieseli është 177 tani që flasim; dje ishte 182. Në ndërkohë që brenda çmimit të naftës e të benzinës që dje ishte 186, sot është 179, është edhe detyrimi për të gjithë ata që djegin naftë e benzinë t’ia kthejnë shoqërisë me taksën e karbonit.

E kjo nuk ka lidhje me çmimin e bukës, që po ju njoftoj që sot e gjithë ditën, furrat e bukës, që kur ne kemi ardhur në qeveri, energjinë e marrin me çmim preferencial. Rritja e çmimit të bukës nuk ka lidhje fare me asgjë tjetër, përveçse përsëri me konjukturën ndërkombëtare e me bursën. Kemi zgjedhur - ju keni qenë pjesë dhe u bëtë pastaj dhe mishërimi politik i asaj lëvizjeje, - ekonominë e lirë të tregut dhe kemi zgjedhur të jetojmë në një vend të hapur. Vend i hapur do të thotë të përfitosh nga të gjitha të mirat e të marrim dhe goditjet që sjell të qenit vend i hapur. Mbase po të ishim në kohën e vendit të mbyllur, as virusi nuk do hynte dot këtu brenda, se as dilte njeri jashtë, as vinte njeri nga jashtë. Por këto shkojnë bashkë.

Ndërsa për krizën energjetike, ne nuk kemi sot një kapacitet të atillë prodhues që të sigurojmë sovranitetin e plotë dhe për këtë po punojmë, për këtë po i diversifikojmë burimet se nuk mund të varemi vetëm nga uji. Kur ka shumë shi, ne, jo vetëm që nuk arrijmë dot të mbledhim rezerva, por, siç bënit ju në të shkuarën e për fat të keq duhet të bëjmë edhe ne për shkak se nuk bëtë asgjë për të bërë atë që po bëjmë ne, për të ndërtuar Skavicën, jemi të detyruar që kur ka reshje përtej normës, hapim portat e t’i hedhim jo në lumë, por mbi fusha të prodhimit, ato të ardhura që normalisht duhet t’i rentabilizonim e t’i kishim për ditë të vështira.

Ne kemi sot në kantier, dy parqet me energji diellore. Po hapim edhe kantierin e energjisë së erës. Po ashtu jemi në diskutime jo vetëm për Skavicën që ka filluar puna, por dhe për TEC-in e Vlorës që e latë gërmadhë, për ta kthyer në portë të hyrjes së gazit të lëngshëm nga SHBA-ja. Të gjitha këto do të bëjnë atë që kemi thënë, që brenda kësaj dekade, ne do të jemi eksportues neto të energjisë. Atëherë po, nuk do jemi më të varur se çfarë ndodh lartë e poshtë, por sot jemi të varur.

Megjithatë, siç e kam thënë gjithnjë, zgjedhja ime është të respektoj inteligjencën e këtij populli, zgjedhja juaj është të talleni me inteligjencën e këtij populli dhe rezultati duket në fund. Zgjedhja ime është ta respektoj e t’i them, kjo është situata, kjo është përballja dhe siç nuk e kemi lënë këtë popull vetëm, as për tërmetin, as për pandeminë, nuk do e lëmë as tani. Mos u ngusni t’i thoni do t’ju rrisë çmimin e energjisë gogoli se do dilni shumë keq.

Mohimi i krizave dhe aleanca me virusin, aleanca me tërmetin, aleanca me përmbytjet, aleanca dhe me krizën energjetike, nuk ju bën alternativë, se do ju kishte bërë e po të ishit alternativë, do ishit një zgjedhje e mundshme. Nuk zgjidheni dot, sepse shqiptarët nuk janë budallenj, siç i trajtoni ju kur flisni këtu, a thua se keni ardhur nga hëna! A thua se nuk keni qeverisur! A thua se nuk keni mbajtur mbi kurriz lloj-lloj barrësh e lloj-lloj vështirësish, pavarësisht sesi i keni menaxhuar e si i keni trajtuar!

Flisni për reforma strukturore, po për cilat reforma strukturore? Flisni për energjinë, po vetëm për energjinë, ju duhet të bëni moratorium heshtjeje për një gjeneratë, sepse një gjeneratë e futët në gropë me politikën energjetike dhe me gjithë atë çorganizim të organizuar ku për vota, mbyllnit sytë e gjysma vidhte gjysmën tjetër. Keni lënë gropën më të madhe, jo në historinë e Shqipërisë, në historinë e planetit, në sektorin elektro-energjetik.

Si u bëka një kapërcim epokal sa hap e mbyll sytë?! Duke ju pasur edhe ju në kurriz, që edhe reformën për të ndaluar vjedhjet nuk mbështetët dhe e mbushët miletin me llafe, “të fusin në burg, kush nuk paguan”. Asnjë njeri nuk është futur në burg kur nuk paguan. Mospagesa e energjisë sjell këputjen. Vjedhja të çon në burg patjetër, sepse është mall dhe si të gjithë mallrat nuk është nga perëndia, është nga puna, është nga kostoja, është nga prodhimi i dikujt tjetër dhe duhet ta paguash. E sigurisht po nuk e pagove, do shkosh në burg, por jo sepse nuk paguan dritat. Kush nuk paguan dritat, - kush nuk paguante më saktë, - i këputej dhe kaq. Të gjitha këto janë shumë të thjeshta.

Natyrisht, ju kërkoni që me faktet të bëni lojën sikur bëhet me opinione. Opinioni është opinion, fakti është fakt, shifrat janë shifra. Shikoni rajonin, shikoni tabelat e çmimeve, shikoni dhe tabelat e pagave. Jam shumë dakord që të ardhurat janë ende të ulëta në raport me sfidat. Jam shumë dakord që të ardhurat gjetkë janë më të larta, po sa paguajnë ata andej?

Atyre që më thonë “dakord, po ata në Gjermani e kanë pensionin kaq dhe rrogën aq”, ju them, pyetni, nga ajo rrogë dhe nga ai pension sa taksa paguajnë, sa sigurime, sa nga ajo që ata marrin, i kthehet përsëri shoqërisë?

Pikërisht, për të mos rënduar në atë fazë njerëzit dhe ata që kanë nevojë për më shumë mbështetje, jemi i vetmi vend në rajon, në Europë, me biznesin e vogël me taksën zero, - ma gjeni kush e ka taksën zero? - me TVSH zero deri në 100 milionë xhiro. Të gjitha këto janë para që ne i kemi hequr nga mundësia për t’i patur në arkën e shtetit. Dhe historitë me subvencionime, historitë me ulje TVSH-je këtu e ulje TVSH-je atje, çfarë duan të thonë në fund të fundit, se dikush duhet t’i paguajë ato.

Ju e keni gjetur zgjidhjen, “hajdutët, oligarkët, koncesionet”, por këto vlejnë për veshët e atyre që ju besojnë pa mendje, por ata nuk janë shumicë dhe nuk kanë për t’u bërë shumicë. Shumica dëgjon me mendjen e vet, nuk dëgjon se kështu tha pengu apo kështu tha pengmarrësi.

Shumicën mos e tallni në inteligjencën e vet. Sepse unë jam i bindur që ju habiteni në mënyrë genuine, se si zgjoheni gjithmonë, ditën e nesërme të zgjedhjeve dhe jeni prapë të mundur dhe e kërkoni arsyen në forca mbinatyrale, në forca nëntokësore. Jo, arsyeja është këtu. Çfarë mbillni ju këtu, 4 vjet, shkoni e korrni atje. Çdo pështymë që hidhni këtu, çdo tallje që i bëni inteligjencës së këtij populli, e mbillni e shkoni korreni atje.

Ky është thelbi.

Do ju lutesha shumë, edhe njëherë tjetër, ne këtu jemi me shumë vullnet për të bërë debat, patjetër, të zjarrtë sa të doni,  por mos u merrni me persona, qepju njërit e kap tjetrin, shaj e ul e ngri. Sa më shumë të merreni me persona, aq më pak do korrni atje. Kur të mblidhen të gjithë personat atje jashtë, do thonë, kush do na drejtojë ne, ju s’drejtoni dot veten tuaj, do drejtoni Shqipërinë. 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm