Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Kryeministri të vazhdojë kopjimin, të heqë taksën e biznesit të vogël

Të reja

Kryeministri të vazhdojë kopjimin, të heqë taksën e biznesit të vogël

30 Jan 2013    

8 vjet në qeveri dhe Sali Berisha flet për heqjen e tatimit mbi të ardhurat nga pagat nën 300 mijë lekë vetëm kur Partia Socialiste bën publik programin e saj për mënyrën e tatimit të ndershëm që do të zbatojë pas 23 qershorit. Partia Socialiste i ka kërkuar sot kryeministrit, që në vazhdën e kopjimit të Programit për një Rilindje Shqiptare, të heqë edhe taksën e biznesit të vogël. Anëtarja e grupit të punës për Programin e PS, Milena Harito, gjatë një konference për shtyp ka deklaruar se në 8 vitet e qeverisjes së saj kjo qeveri vetëm sa e ka rrënuar biznesin, prandaj në këto pak ditë që i kanë mbetur le të votojë propozimin e PS-së për ta bërë 0 taksën e biznesit të vogël, në mënyrë që të gjitha familjet shqiptare që janë të vetëpunësuar e rrojnë me punën e tyre të përditshme familjare, të mund të ngrenë pak kokën në këtë kohë krize. Harito ka folur edhe për çështjen e punësimit, ku me rreth 1 milionë të papunë sipas të dhënave të opozitës dhe me plot 51 mijë vende pune të humbura sipas të dhënave të qeverisë, situata jo vetëm nuk është përmirësuar, por është bërë edhe më keq. Anëtarja e grupit të punës për Programin e PS ka theksuar se kjo forcë politike përmes programit për Një Rilindje Shqiptare, do të zëvendësojë taksën e sheshtë me taksimin e ndershëm, duke lehtësuar nga taksat 95% të shqiptarëve dhe duke fuqizuar shtresën e mesme dhe të varfër.


 


Më poshtë mund të lexoni të plotë deklaratën e Milena Harito:


 


Kryeministri Berisha tha se shqiptarët që paguhen deri në 30 mijë lekë nuk do të paguajnë taksa. I kujtojmë Kryeministrit se ky është një nga premtimet e  programit të Partisë Socialiste për një Rilindje Shqiptare, të cilin si të tillë, opozita do e votojë. Por nga ana tjetër, pyetja që shqiptarët kanë për Sali Berishën është: Përse nuk e hoqe këtë taksë gjatë këtyre 8 viteve që qeveris, por u kujtove vetëm tani, në prag të fushatës, kur këtë nismë e propozoi opozita?


 


Dhe meqë kohët e fundit Kryeministri ka nisur të kopjojë shumë nga nismat tona, gjejmë rastin që t'i kërkojmë atij edhe heqjen e taksës së biznesit të vogël. Sali Berisha pretendon se qeveria e tij ka synim ta mbështesë biznesin, por në fakt këto 8 vjet e ka rrënuar atë. Pikërisht prandaj, në këto pak ditë që i kanë ngelur, le të votojë propozimin tonë për ta bërë 0 taksën e biznesit të vogël, në mënyrë që të gjitha familjet shqiptare që janë të vetëpunësuar e rrojnë me punën e tyre të përditshme familjare, të mund të ngrenë pak kokën në këtë kohë krize.


 


Kryeministri sot foli edhe për punësimin. Sipas të dhënave tona, sot në Shqipëri ka plot 1 milionë të papunë. Por edhe po t'i referoheshim të dhënave të vetë qeverisë, në këto ka vite janë humbur plot 51 mijë vende pune në Shqipëri. 4 vjet më parë, Berisha premtoi se do të hapte 160 mijë vende pune. Pas 4 vjetësh, jo vetëm premtimi nuk është mbajtur, por është bërë më keq se më parë.


 


Partia Socialiste përmes programit për Një Rilindje Shqiptare, do të zëvendësojë taksën e sheshtë me taksimin e ndershëm, duke lehtësuar nga taksat 95% të shqiptarëve dhe duke fuqizuar shtresën e mesme dhe të varfër. Do të heqim taksën e biznesit të vogël dhe do të mbështesim sipërmarrjen shqiptare, duke nxitur konkurrencën, shkatërruar monopolet dhe hequr taksën e korrupsionit, burokracisë, monopoleve dhe gjobat arbitrare.

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm