Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Listat e Partisë Socialiste do jenë shprehje kuptimplotë e asaj që kemi thënë prej ditës së parë: qeverisjes me njerëzit e zakonshëm

Të reja

Listat e Partisë Socialiste do jenë shprehje kuptimplotë e asaj që kemi thënë prej ditës së parë: qeverisjes me njerëzit e zakonshëm

15 Feb 2021    

 Prononcimi për median i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Dua ta filloj me një urim për Kosovën, për mbajtjen e zgjedhjeve me një standard shumë të lartë dhe t’i përgëzoj qytetarët e Kosovës për një pjesëmarrje të admirueshme në kushtet e Pandemisë dhe të një të ftohti ekstrem të këtyre ditëve.

Kemi diskutuar në mbledhjen tonë të përjavshme të Shtabit, mbi zgjedhjet në Kosovë. Konstatojmë me kënaqësi që këto zgjedhje vajtën shumë mirë. Gjej rastin të përgëzoj të gjitha partitë politike të Kosovës, për frymën dhe standardin e zgjedhjeve. Dua ta uroj me gjithë zemër Vetëvendosjen, mikun tonë Albin Kurtin për fitoren e këtyre zgjedhjeve. Uroj që procesi i konstituimit të Kuvendit të ri dhe krijimi i qeverisë së re, të marrin kohën sa më të shkurtër të mundshme. Mezi presim të punojmë me qeverinë e re dhe Parlamentin e ri, në funksion të integrimit europian të Shqipërisë dhe Kosovës.

Pyetje: Z.Balla, a do marrë mësim Shqipëria nga Kosova për mbajtjen e zgjedhjeve dhe nxjerrjen e shpejtë të rezultateve?

Përgjigje: Ne jemi motër e vëlla dhe sigurisht që marrim nga njëri-tjetri mësime dhe eksperienca. Ajo që për mua është me rëndësi dhe mesazhi që duhet të japim është se tashmë partitë politike duhet të pranojnë rezultatin. Uroj që dhe në Shqipëri pas 25 prillit, çdo parti politike të pranojë rezultatin. Ne e kemi thënë pozicionin tonë të qartë. Është me rëndësi që të hiqet dorë nga historitë e të kaluarës, sikurse janë bojkotet. Vota e popullit duhet respektuar. Ata që humbin zgjedhjet duhet të kuptojnë, se nuk është faji i qytetarëve, por është faji i tyre. Në këtë këndvështrim zgjedhjet në Kosovë ishin një festë e demokracisë. Kur populli merr pjesë masivisht, edhe në kushte të vështira sikurse është pandemia apo moti i keq, mesazhi është  tepër i qartë dhe duhet respektuar nga të gjithë.

Pyetje: Z.Balla, si po shkon procesi i propozimit të listave  nga ana e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 Prillit? Kanë mbetur edhe pak ditë nga afati për regjistrimin në KQZ.

Përgjigje: Ne respektojmë afatet e vendosura nga Kodi Zgjedhor. Vazhdojmë të bëjmë konsultime. E kemi thënë se Partia Socialiste në këto zgjedhje ka vetëm një aleat, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Në funksion të kësaj aleance me qytetarët, ne krijuam një instrument shumë domethënës, sikurse ishte platforma “Deputeti që Duam” , nga e cila kemi marrë mjaft impute shumë pozitive dhe të vyera.  Përmes saj do u jepet mundësia djemve e vajzave, grave dhe burrave profesionistë nga fusha të ndryshme. Në listat e Partisë Socialiste do të keni individë, të cilët kanë jetuar jashtë territorit të Shqipërisë që sot janë të gatshëm të japin kontributin e tyre dhe të përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë.

Është e pafalshme për politikën shqiptare në këto tridhjetë vite, që  nuk i ka krijuar mundësinë e përfaqësimit shqiptarëve që jetojnë dhe kanë jetuar jashtë territorit. Prandaj ne kemi marrë këtë iniciativë për t’u dhënë atyre mundësinë e zgjedhjes dhe përfaqësimit.

Për çfarë thashë më lart dua të ripërsëris apelin tim ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mundësuar domosdoshmërisht votën e shqiptarëve, që jetojnë jashtë territorit. Është e pafalshme që PD dhe LSI vazhdojnë ti kundërvihen domosdoshmërisë që shqiptarët që jetojnë jashtë ,që janë më shumë se 1/3-a, të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre. Në kushtet e Pandemisë lëvizja e shqiptarëve jashtë territorit për të ardhur në Shqipëri është thuajse e pamundur.

Koha në dispozicion për garantimin e votës së shqiptarëve, që jetojnë dhe punojnë jashtë territorit është e mundur. Ju e patë në Kosovë. Numri i shqiptarëve të Kosovës që votuan me postë ishte tepër i lartë.

Pyetje: Deputetë të opozitës parlamentare do të jenë në listat e Partisë Socialiste?

Përgjigje: Unë po ju them se kemi krijuar një instrument tepër të mirë për ti shndërruar ekipet fituese të Partisë Socialiste në një listë përfaqësimi për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Listat e Partisë Socialiste do të jenë risi dhe shprehje kuptimplotë e asaj që kemi thënë prej ditës së parë:qeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Do të vazhdojmë të bashkëqeverisim, sepse duam të çojmë përpara punët që janë ende në proces përfundimi.

Jo të gjitha punët kanë përfunduar! Rindërtimi është një proces shumë i rëndësishëm që do i shkojmë deri në fund.

Unë jam shumë krenar që Partia Socialiste e Shqipërisë i ka qëndruar besnike premtimit për rindërtimin duke mos lënë askënd vetëm.

Ne nuk kemi lënë askënd vetëm gjatë kësaj Pandemie, e cila ka shkatërruar ekonominë botërore. Të dhënat e muajit janar në aspektin ekonomik janë tepër të shkëlqyera për të krijuar besimin, se jo vetëm që kemi dritë në fund të tunelit, por po ecim me shpejtësinë e duhur për ta tejkaluar këtë situatë.

Për të gjithë skeptikët e mëdhenj që kanë vënë në dyshim suksesin e Reformës në Drejtësi dua të them se goditjet e njëpasnjëshme të SPAK, të mbështetura edhe nga institucionet e tjera të drejtësisë, kanë rritur dhe rrisin çdo ditë besimin e qytetarëve shqiptarë se çuarja përpara e Reformës në Drejtësi është një rrugë pa kthim.

Le të betohet dhe stërbetohet Sali Berisha dhe Ilir Meta në skutat e komunikimit me prokurorë apo gjyqtarë të korruptuar e shkarkuar nga Vettingu për zhbërjen e Reformës në Drejtësi.

Goditja e një gjyqtareve të korruptuar ishte një mesazh kuptimplotë për të gjithë ata që kanë veshë e sy, se Reforma në Drejtësi po ecën përpara. Goditja ndaj çdo strukture korruptive brenda sistemit të drejtësisë, edhe në të gjithë sistemin politik nëse doni, do të vazhdojë përpara.

Pyetje: Z.Balla, kur do prezantojë Partia Socialiste programin për zgjedhjet?

Përgjigje: Ky nuk është një program për zgjedhjet, ky është një program qeverisje.

Programi i PS është vazhdimi i reformave në dobi të vendit. Ju do të njiheni edhe me reforma të tjera të rëndësishme, të cilat duhet dhe do të implementohen nga Partia Socialiste,  qoftë në planin afatshkurtër 2021 – 2025, qoftë edhe në planin e një gjenerate.

Ajo që ne kemi konceptuar në draft-program që do të përmbyllet brenda kësaj jave dhe do të jetë gati.

Sikurse e thashë edhe më lart ne do të vijmë para shqiptarëve edhe me platformën me reforma të tjera të rëndësishme.

Kemi përmbyllur, në kuptimin e përgjegjësisë parlamentare, me sukses Reformën në Drejtësi, çuam përpara reformën e rëndësishme administrativo – territoriale, e cila ka përmirësuar shërbimet për qytetarët në çdo cep të territorit.

Nuk duhet të harrojmë se nëse nuk do të kishim ndërmarrë reformën në pensione në vitin 2014, sistemi i pensioneve në Shqipëri do të kishte kolapsuar.

E mbani mend Sali Berishën kur thoshte ditë pas dite që do të rrëzohet qeveria Rama për arsye se e kishte lënë ekonominë në pikën më të ulët.

Tashmë që kemi konsoliduar financat publike, tashmë që kemi konsoliduar procesin e rindërtimit dhe daljen nga kriza e shkaktuar nga Pandemia, duhet të shohim dhe të bëjmë gati reforma të tjera të rëndësishme,të cilat qytetarët shqiptarë i presin!

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm