Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 prill marrim besimin e qytetarëve kuksianëdhe shqiptarëve për të vazhduar investime të tilla të mëdha

Të reja

Në 25 prill marrim besimin e qytetarëve kuksianëdhe shqiptarëve për të vazhduar investime të tilla të mëdha

18 Apr 2021    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Aeroportin e Ri Ndërkombëtar "Zayed, Flatrat e Veriut", Kukës:

Së pari, kush vjen vullnetar të vijë këtu?

Më prek, a jam real apo 3D?

Dakord, unë jam real.

Sapo kam pasur kënaqësinë e jashtëzakonshme të zbres nga një avion real, në këtë aeroport real, me një grup njerëzish realë, të cilët kisha shumë kohë që prisja t’i takoja se ma kanë lexuar librin e shtëpisë me më shumë pasion se të gjithë të tjerët, sa herë flisja për aeroportin e Kukësit. Dinë çdo faqe të librit të shtëpisë sime.

I takova atje dhe do t’iu flas për 3 prej tyre. Njëri quhet Edi Rama dhe ishte me PD-në, real edhe ai, jo 3D. Emrin e gjatë e kishte Eduard, por i thërrisnin Ed Rama.

Si e more mundimin ta hash këtë rrenë e të vish me aeroplan 3D, të shkosh në një aeroport 3D? – i thashë

Nuk kam ç’të them- më tha, - nuk e kisha besu por të shohim sa do e mbash fjalën.

Ma tha në ajër. I thashë, dy rrugë ka, o bashkë do ikim në botën tjetër e s’do e marrësh vesh në e mbajta fjalën, o unë do mbaj fjalën.

Ta shohim, - më tha, shumë i qetë.

Tjetri ishte më interesant, kuptohet demokrat, ishte veshur dhe me blu dhe më tha “e mbajte fjalën”.

I thashë ç’ishte ishte gjithë ai mosbesim?

Ne demokratët, - tha, - po nuk e pamë, nuk e besojmë.

Thashë me vete si ka mundësi. Këta u shaluan me rrena 30 vjet nga ata që udhëheqin dhe prapë po nuk e pane, nuk e besojmë.

I treti ishte edhe interesanti se tha a ka ndonjë vend për patronazhist tek PS-ja se unë nuk jam duke u kthyer më.

Sot është një ditë fantastike për Kukësin, Shqipërinë, Kosovën dhe për të gjithë shqiptarinë, për hir të vërtetës.

Në radhë të parë dua të jap një shpjegim, sepse kam parë që shumë njerëz pyesim çfarë është ky emër “Zayed”, pse quhet kështu.

Ky aeroport quhet Zayed-Flatrat e Veriut sepse ky aeroport nuk është thjesht një aeroport i ri. Ky aeroport është njëkohësisht dhe vend kujtese. Godina e këtij aeroporti është njëkohësisht edhe një tempull i kujtesës së kësaj tokë, të kësaj zone, por edhe i këtij komuniteti të madh shqiptarësh nga Prishtina në Tiranë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët. Pikërisht në këtë zonë u ngrit edhe kampi i madh i atyre që u shpërngulën nga shtëpitë me dhunë, viktimat e spastrimit etnik dhe u dyndën drejt Shqipërisë, ku Kukësi ishte stacioni më i populluar. Në atë kohë, këtu erdhën shumë njerëz nga e gjithë bota, por midis tyre erdhi dhe dikush që sot është Princi i Kurorës në Emiratet e Bashkuara, Mohammed bin Zayed, i biri i një prej burrave më të urtë që ka njohur kjo botë, sheikut Zayed që me mençurinë, largpamësinë e me një vizion gjenial arriti t’i japë jetë atyre që sot ne i njohim si Emiratet e Bashkuara Arabe.

I ati e nisi të birin, i cili shoqërohej nga ai që sot është Kryeministri i Dubait, nuk e di prej sa vitesh, sheiku Al Maktoum. Ishin të dy të rinj dhe erdhën për t’u kujdesur personalisht për refugjatët e luftës. Plaku i urtë kishte dhënë urdhër qysh në krye të herës, sapo kishte parë fillimin e valës së spastrimit etnik, që urgjentisht të hapej pista. Gjurma e kësaj piste është gjurma e kësaj historie të jashtëzakonshme solidariteti për ata të cilët kishin nevojë në atë moment për të gjithë forcën e vëllazërisë, dashurisë dhe përkujdesjes, për t’i mbijetuar barbarisë së pastrimit etnik.

Princi i Kurorës e kujton edhe sot e gjithë ditën që kur ai ishte këtu, i ati e merrte dy herë në ditë në telefon, paradite dhe në darkë dhe i përsëriste të njëjtën gjë. “Biri im të lutem, të gjithë ju që jeni aty bëni kujdes në shpërndarjen e ndihmave, bëni kujdes që asnjë familjeje të mos i mungojë ushqimi, të mos i mungojë uji dhe mbi të gjitha bëni shumë kujdes që në shpërndarjen e këtij solidariteti, të mos ndodhë që askush të ndjejë një dallim për arsye fetare, sepse të gjithë njerëzit dhe të gjithë ata që janë aty, Zoti i ka bërë motra dhe vëllezër”.

Kjo porosi e atij plaku të urtë mbeti dhe do mbetet përjetë në këtë truall, një pjesë e trashëgimisë sonë shpirtërore.

Nga ana tjetër, aeroporti është edhe aeroporti i flatrave të Veriut, sepse këtu, në veriun e Shqipërisë, këtu në Kukës ëshët Veriu i Shqipërisë, por nga Kukësi dhe matanë, prej andej ku erdhën motrat e vëllezërit tanë, është i gjithë veriu i shqiptarisë. E në këtë veri të shqiptarisë u shkrua një nga historitë më tragjike, por edhe me fundin më të lumtur, historia e spastrimit etnik, por dhe historia e Luftës Çlirimtare e Kosovës, që solli të paimagjinueshmen, lirinë dhe pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës.

E për këtë arsye, brenda në aeroport do gjeni jo vetëm një tribut për atë që ishte ideatori i pistës së solidaritetit, por edhe një tribut për ata që ishin në ato kohë shëmbëlltyra e dhimbjes, shëmbëlltyra e vuajtjes dhe e një tragjedie që nuk duhet ta harrojmë kurrë dhe njëkohësisht, edhe shëmbëlltyra e një rezistence, e cila është pjesë e karakterit të shqiptarëve që ne kurrë nuk duhet ta humbasim.

Aty Brenda, çdo i huaj, kushdo që do vijë nga çdo anë e botës, pa patur nevojë të dijë historinë, mjafton të bëjë rrugën nga hyrja në Check-in tek dalja e aeroportit dhe do e kuptojë nga gjithçka do shohë nëpër mure, do kuptojë se ka ardhur në një tokë ku është shkruar një faqe e shenjtë të historisë së shqiptarëve. 

Me këtë rast dua të ndaj me ju e që më mungon shumë sot, dikush që unë e konsideroj një prej shqiptarëve më të mëdhenj. Jam i bindur që historia të tillë do ta konsiderojë. Më mungon shumë dikush që është një prej shqiptarëve të mëdhenj jo se është vëllai im, po është vëllai im se është një prej shqiptarëve të mëdhenj, Hashim Thaçi.

Prej këtu, - nuk e di a më ndjek, nuk e di a do të më mund të më ndjekë,- por do dëshirojë t’i çoja një përqafim dhe do dëshiroja t’i thosha se në muret e këtij aeroporti gjendet edhe një moment i historisë së shqiptarëve. Momenti kur Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova, të ulur sëbashku i hapën rrugë procesit pa kthim të çlirimit përfundimtar të Kosovës.

 

Aeroporti i Kukësit është sot një motor i ri dhe shumë i fuqishëm për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social.

Sot, ne fluturuam nga Tirana për në Kukës, sepse, sipas gjithë rregullave të aviacionit ndërkombëtar, çdo aeroport nga momenti kur bëhet operacional fillon si një aeroport lokal. Ka një procedurë certifikimi për t’u bërë një aeroport ndërkombëtar, e cila zgjat rreth 50-60 ditë dhe mbasi bëhet certifikimi si aeroport ndërkombëtar dhe në ndërkohë, gjatë këtyre javëve do të bëhen edhe marrëveshjet me kompanitë ajrore që kanë shprehur një interes shumë të madh, me thënë të drejtën dhe që do t’i japi mundësi njerëzve të gjithë kësaj zone të të rajonit tonë, jo vetëm të Kukësit, po të Kosovës, Maqedonisë Veriut, Malit të Zi, të shkojnë në destinacione që nuk shkojnë dot nga Tirana në disa raste, atëherë menjëherë do të fillojë një lëvizje që do të shkojë duke u rritur. 

Shumë njerëz thonë ç’na duhen aeroportet, aeroportet janë për ata që bëjnë xhiro, janë për ata që kanë lekë.

Ndërkohë shqiptarët janë ndër popujt më të lëvizshëm, në aspektin e daljes dhe hyrjes për frymë. Dhe jo vetëm kaq, por ajo që duhet të mësojnë ata që flasin për aeroportet si për luks, është që aeroportet janë fabrika buke, siç nuk i imagjinojnë ata që thonë, “ne duam bukë, s’duam aeroport”.

Ka ca të tjerë që thonë “ç’i duhen Shqipërisë 4 aeroporte, Shqipëria është një vend i vogël”.

Kroacia është 4 milionë, ka 9 aeroporte. Dhe Kroacia është fuqia e 7-të e botës në turizëm. Sepse ka 9 porta nga qielli, shfrytëzon të gjithë territorin e vet për njerëzit që duan ta vizitojnë dhe ju plotëson një kusht shumë të rëndësishëm atyre turistëve, të cilët kur vijnë nga ajri, janë turistë që shpenzojnë më shumë, edhe kur zbresin në tokë, që të ndalojmë në një pikë jo më të largët se sa 40-45 minuta nga aeroporti. Turistët e ajrit nuk janë kategori turistësh që përgjithësisht zbresin këtu dhe nisen pastaj për në Sarandë me makinë.

Nga ana tjetër, ajo që ndodh është se rritja eksponenciale e numrit të atyre që hyjnë përmes shumë portave kërkon një rritje eksponenciale të numrit të atyre që i presin. Në kuptim të numrit të atyre që punojnë në këtë sektor të mikpritjes që quhet turizëm.

Aeroporti i Kukësit dhe do jemi këtu përsëri se në 25 prill, ne do të marrim besimin për të vazhduar të jemi këtu dhe do të jemi këtu dhe do ta shohim se si nga ky aeroport do të gjenerohen investime të tjera të njerëzve këtu, të emigrantëve, të çunave të Londrës, të të tjerëve për të garantuar që vizitorët të kenë kush t’i presë, kush t’i ushqejë, kush t’i krijojë mundësinë për të fjetur, kush t’i gjendet kur ka nevojë për një asistencë çfarëdo e me radhë. Ka një normë shumë të thjeshtë që është statistikisht e provuar. 1 euro që investon në një aeroport është mesatarisht 23 euro që merr mbrapsht në fazën e parë, për një periudhë kohe të arsyeshme. Jo më pas që vazhdon e vazhdon.

 Kam kënaqësinë e madhe që unë të jem sot me një mik shumë të çmuar, që mund ta them me plotë gojën që është mik i çmuar i imi, por edhe i Shqipërisë. Është një prej njerëzve më të afërt me Princin e Kurorës dhe si të thuash është këtu në këmbë të tij. Me të, ne do të bëjmë Portin e madh Turistik të Durrësit, i cili do të jetë porti turistik më i madh i Mesdheut. Një investim që nuk është një dëshirë apo një ide. Një investim që është një plan ndërtimi.

Një investim që nuk është një dëshirë apo një ide. Një investim që është një plan ndërtimi dhe që do të nisë në pak muajt e ardhshëm.

Ne besojmë që brenda muajit qershor do të jemi në kantier e pastaj investimi do të vazhdojë e janë 2 miliardë euro që do të investohen. Por nuk është vetëm porti turistik i Durrësit, është edhe porti turistik i Vlorës, ai i Sarandës që ka filluar dhe ai i Shëngjinit që ne besojmë që do të nisë brenda vitit 2023.

Pra Shqipëria me 4 porta nga qielli, sepse përveç Tiranës që do të jetë një portë e re sepse do të zgjerohet me terminalin e ri, - me pistën për të siguruar fluturimet për çunat e Amerikës së këta të Londrës i sollëm në Kukës, por u kemi thënë atyre të Amerikës që do ju sjellim në Tiranë me Fan Nolin e ne do ta bëjmë këtë, - porta e aeroportit të Vlorës dhe ajo e Sarandës dhe janë 8 porta. 4 porta nga qielli, 4 porta nga deti dhe dy porta të reja për tregti në Durrës dhe në Vlorë me portet.

E kuptoni se çfarë Shqipërie ne do të kemi në 4-5 apo 6 vitet e ardhshme? E kuptoni se çfarë transformimi është përgatitur dhe është tanimë rrugës dhe se çfarë ekonomie ne do të kemi? Një ekonomi shumë më gjithëpërfshirëse, një ekonomi me shumë më tepër punësim, por mbi të gjithë, siç thotë miku im Mohamed Alabbar me vende pune cilësore. 

Vetëm në portin e ri turistik të Durrësit janë 12 mijë vende pune nga fillimi deri kur të vijmë në proceset e menaxhimit. Llogariteni edhe pjesën tjetër të investimeve që nuk po i përmend të gjitha, është një paketë 10 miliardë euro për të investuar në Shqipëri, në 4,5,6 vitet e ardhshme dhe pse e them këtë 5, 6?

Sepse jo gjithmonë investimet shkojnë sipas kalendarit, ndodh diçka, ka një pengesë e të tjera e të tjera dhe kjo paketë do të thotë një transformim i madh.

Prandaj miqtë e mi, motra dhe vëllezër e të gjithë ata që na ndjekin, në patëm një periudhë të tmerrshme, me tërmetin e me pandeminë. Ne u përballëm me dy goditje që do kishin shtrirë përtokë një elefant.

Ne nuk u gjunjëzuam, ne rezistuam, ne duruam, ne rezistuam me vendosmëri dhe ne sot mund të themi që ne ia dolëm të shikojmë dritën të zmadhohet në fund të tunelit të pandemisë. E kur ja dolëm aty, ku të tjerë edhe më të fuqishëm se ne nuk ia kanë dalë dot akoma, si nuk ja dilkemi ne që diellin që po shkëlqen përsëri, ta bëjmë jo vetëm diellin e mrekullueshëm për turistët që vijnë apo për ata që kanë më shumë mundësi, por ta bëjmë edhe diellin që ngroh çdo shtëpi shqiptari në jug e në veri.

Patjetër që mund ta bëjmë e nuk diskutohet që ne do ta bëjmë.

Ne do ta bëjmë sepse ne kemi misionin ta ngjisim Shqipërinë në atë majë që fëmijët tanë meritojnë. Ne kemi misionin të jemi gjenerata që të realizojë atë amanet që e kemi nga gjenerata pas gjeneratash  e që është vonuar e stërvonuar, ndërkohë që Zoti shqiptarëve u ka dhënë gjithçka që i duhet një populli për të jetuar në paqe e për të pasur mirëqenie e normalitet. Në cilin vend mund t’i gjesh të gjitha këto mrekulli brenda një territori kaq të vogël, nga alpet në bregdetin e Jonit duke kaluar përmes shumë lumenjve, peizazhe nga më të ndryshmet që ndryshojnë, duke u kthyer majtas e djathtas. Zoti e ka bërë Shqipërinë për telha, duket sikur e ka bërë ditën e dielë, kur ka qenë pushim. E ka marrë me nge, e ka qëndisur në të gjithë trupin e saj.

Ka qenë robi, dora e mbrapshtë e robit që nuk e ka lënë Shqipërinë të ngrejë kokë apo që ka bërë që sa herë Shqipëria ka ngritur kokë, ia ka ulur kokën përsëri.

E pra, tani që Shqipëria po ngre kokë, ne nuk duhet të lejojmë që t’i ulet koka përsëri, por duhet të bëjmë që koka e Shqipërisë të ngrihet lart e më lartë e më lartë.

Kjo është koha jonë, ky është misioni ynë dhe patjetër ne sot, të gjithë si shqiptarë duhet që të shkojmë në 25 prill tamam si në një test të karakterit tonë që sprovohet kur lodhja të thotë ulu, pusho.

Të karakterit që sprovohet kur zemra të thotë të lutem, ndalo, të karakterit që sprovohet kur mendja të thotë mos vazhdo.

Ky është testi i karakterit të 25 pillit dhe në këtë test karakteri, shqiptarët duhet të vendosin, do të vazhdojmë të ngjitemi apo edhe një herë tjetër ne do të zhgënjejmë projektin që Zoti pati kur e qëndisi Shqipërinë.

 Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm