Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 Prill ne marrim mandatin e tretë për të vazhduar punët së bashku

Të reja

Në 25 Prill ne marrim mandatin e tretë për të vazhduar punët së bashku

03 Apr 2021    

Këndi i fjalës Ballsh – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

 

Faleminderit për këtë kënaqësi të madhe të takohemi këtu në këtë shesh kaq të bukur dhe në mes të kësaj natyre kaq të mrekullueshme, për të komunikuar lidhur me këtë ndeshje kaq të rëndësishme të 25 prillit.

Në fakt, ne kërkojmë mandatin e tretë, por nuk vijmë nga dy mande, por nga një mandat dhe nga një luftë që akoma nuk ka mbaruar. I tillë ka qenë mandate ynë i dytë, një luftë që do të kishte gjunjëzuar shumëkënd, por që nuk mundi dhe nuk do të mundë ta gjunjëzojë Partinë Socialiste dhe qeverinë tonë në përballjen me dy fatkeqësi të jashtëzakonshme, një tërmet shkatërrimtar e pastaj një tjetër tërmet tronditës për gjithë botën, një pandemi që vjen një herë në 100 vjet.

Sot, ne jemi këtu 15 muaj pas tërmetit të parë dhe pak më shumë se 12 muaj pas tërmetit të dytë. Qoftë në raport me të parin dhe qoftë në raport me të dytin, ne tanimë jemi në avantazh, sepse po ndërtojmë dita-ditës shkollat e reja, po kthejmë dita-ditës në shtëpi familjet që humbën çatinë në pak sekonda, po ndërtojmë lagje të reja me kushte e cilësi siç nuk kanë qenë ndonjëherë më parë dhe po kryejmë vaksinimin masiv të popullit tonë, siç nuk po ndodh në vendet rrotull nesh. E jo vetëm kaq, por me organizimin që kemi bërë dhe ritmin që po ecim, shumë shpejt do të ngjitemi në pjesën e sipërme të klasifikimit të vendeve të Europës për nivelin e vaksinimit dhe shumë shpejt do të dalim përfundimisht nga ky tunel sfilitës i kësaj pandemie.

Manditi ynë i dytë ka qenë një mandat qeverisës i thyer në mes nga kjo luftë në dy fronte. E kur sheh që ata që duan të vijnë në krye të vendit flasin sikur as njëra e as tjetra nuk ka ekzistuar dhe nuk ekzistojnë, përkundrazi, edhe tërmetin, edhe COVID-in janë munduar t’i bëjnë aleatë, duke arritur deri në barbarinë e përhapjes së panikut për vaksinat, sigurisht, për çdo njeri të arsyeshëm, për çdo pridër, gjyshet e gjyshërit, të rinjtë e të rejat dhe çdo shqiptar të arsyeshëm, zgjedhja është ta çojmë deri në fund këtë luftë, ta fitojmë atë në të dyja fronte e të vazhdojmë të mbarojmë punët që kemi nisur, disa prej të cilave janë vonuar për shkak të kësaj luftë dhe ta ngremë Shqipërinë në një nivel tjerër. Në atë nivel ku e meritojnë të gjithë të rinjtë e të rejat dhe fëmijët e këtij vendi dhe në atë nivel ku askush nuk mund të na ngrejë dot, përveç nesh, Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Është vërtetë për të vënë duart në kokë që ata, të cilët pretendojnë të rikthehen në krye të vendit, nuk kanë bërë asnjë reflektim. Janë po ato fytyra, po ato fjalë, po ato programe, po ajo sjellje dhe po ajo papërgjegjshmëri dhe paaftësi që i ka karakterizuar historikisht. Ndërkohë që ne vaksinojmë e përpiqemi ditë-natë që nga një anë të sigurojmë të gjitha dozat e vaksinave që na duhen për ta mbyllur sa më parë këtë fazë finale të luftës me armikun e padukshëm, ata infektojnë çdo ditë dhe insistojnë në këtë faj, duke dhënë justifikime që janë të pakonceptueshme për dikë që kërkon të udhëheqë një popull të tërë; Ne u themi njerëzve të vënë maska, por ata i heqin maskat nga entuziazmi. Ne u themi të mbajnë distancë, por ata ngjiten me njëri-tjetrin nga enztuziazmi.

Këto nuk janë justifikime të një udhëheqjeje. Një udhëheqje nuk është për të shkuar mbrapa njerëzve, por për t’i drejtuar njerëzit në rrugën e duhur. Ndërkohë që udhëheqja e tyre, siç e kanë çuar Shqipërinë në qorrsokak, sa hërë që i është dhënë mundësia, po çon në qorrsokak njerëzit e vet më besnikë, më fanatikë, duke përfituar nga besnikëria, fanatizmi, verbëria e shurdhëria. Dhe në qorrsokakun e largqoftë, përballjes me plagë e mos e dhëntë Zoti, me humbje jete.

Kjo nuk është fantazi, është eksperiencë e hidhur vendeve të tjera. Nuk ka nevojë të shkojmë larg, mjafton të kujtojmë çfarë u ndodhi në Malin e Zi marshuesve elektoralë entuziastë, që dilnin ja ashtu, ngjitur njëri me tjetrin për të fituar një palë zgjedhje dhe që humbën jetë. Por nga ana tjetër ndikuan që infektimet në Malin e Zi të rriteshin në mënyrë marramendëse në një kohë shumë të shkurtër, ndërkohë që deri atëherë, Mali i Zi ishte ndër vendet më pak të prekura nga COVID-i e madje bënin edhe spote publicitare në televizionet e botës; ejani në Mal të Zi për pushime se s’ka COVID. Sot, Mali i Zi është bërë një vatër e nxehtë e COVID-it e po vazhdon të paguajë çmimin e lartë të etjes për vota dhe pushtet.

Ata janë ata që janë. Ne nuk i zgjedhim dot kundërshtarët, se kjo është demokracia. Përkundrazi duhet ta pranosh si realitet e të përballësh me të. Nga ana tjetër nuk mund t’ua plotësosh dëshirën të mos flasim për ta. Do të flasim edhe për ta patjetër, për sa kohë ka mundësi që njerëzit e arsyeshëm të dëgjojnë e të kuptojnë, edhe pse mund të kenë 1001 arsye të jenë të mërzitur e të pakënaqur me ne. Ne nuk jemi në këtë fushatë elektorale për të ofruar një menu dëshirash për të gjithëve e për t’u thënë të gjithëve atë që duan të dëgjojnë, siç bëjnë ata.

Disa na thonë mos u merrni me ata, ku e keni ju programin tuaj. Programi ynë është vizioni ynë, puna jonë, karakteri, vendosmëria e durimi ynë. Ndërkohë, ne kemi një plan veprimi me hapa të përcaktuar se çfarë do bëjmë në çdo sektor. Kush ka durim të dëgjojë kur flasim për të, të dëgjojë, kush ka durim të lexojë për të, le të lexojë,

 Ne kemi një plan veprimi për punët në vazhdim dhe mbështetjen që do t’u japim në vazhdim të gjithëve. Ne nuk kemi nevojë sot të themi do ulin taksat për biznesin e vogël se ne e kemi ulur dhe taksa është zero sot, bashkë me TVSH-në për të gjithë ata që merren me biznes të vogët në Shqipëri. Kemi tejkaluar premtimin që kemi dhënë. Ne nuk kemi thënë që do ta bëjmë zero, kemi thënë se do ta përgjysmojmë. E përgjysmuam mandatin e parë, por krijuam mundësitë për ta bërë zero dhe për t’ju dhënë të gjithë atyre që merren me biznes të vogël një frymëmarrje të thellë edhe në kushtet e shtrëngimit nga pandemia.

Për të gjithë ata që marrin n jë rrogë deri në 400 mijë lekë, në 1 janar të 2022-it, ne do ta heqim tatim-fitimin mbi pagën. Kështu mbi 60% e shqiptarëve nuk do të paguajnë taksë mbi pagën.

Ky nuk është një program elektoral, por një plan qeverisës që vazhdon.

Këtu lind e thjeshtë pyetja, për të gjithë ato që merren me një biznes të vogël dhe që ndjekin këtë përballje e që mund të kenë arsye plot që mund të jenë të pakënaqur dhe të mërzitur me ne; Ҫfarë kërkoni duke parë nga ata të tjerët?

Patjetër ka plot biznesmenë që janë demokratë, por kjo nuk duhet të jetë një arsye që me votën e tyre t’i bien vetes, t’u gjuajnë këmbëve tyre, të lidhin këmbët tyre. Partia Demokratike, një nga të paktat gjëra ku nuk gënjen, sepse e ka bërë në të shkuarën, është që do të vërë taksën e sheshtë 9%. Një biznes i vogël që sot e ka 0, do të shkojë të votojë t’i vërë vetes taksë 9%, për të çuar Lulin të flejë te Kryeministria?!

Luli mund të flejë në shtëpi të vet, mund të flejë te SHQUP-i, mund të flejë në makinë. SIkundër e kishin parë dje, në mes të rrugës duke fjetur. Habitem me ata që habiten, ai flen kudo. Unë e kam pasur përballë, kemi qenë bashkë. Kam përdorur të gjithë arsenalin e barsoletave të mia që mos të ma zinte gjumi në tavolinë, derisa bëmë marrëveshjen. Vajti vonë  dhe kisha hall mos ma zinte gjumi, thashë çdo bëj unë me këtë, do e pres deri nesër në mëngjes kur të zgjohet, por ai zgjohet dhe vonë.

Nëse nuk duan të shikojnë me sy Edi Ramën, s’ka problem, nuk e kanë fare për detyrë të më shikojnë, as të më dëgjojnë. Le të shkojnë tek emisioni ‘Përputhen’, le të përputhen atje. Por mos t’i vejnë vetës taksë për gjumin e Lulit. Të mbajnë taksen zero me ne dhe të vazhdojnë punën.

Është shumë e thjeshtë dhe nuk është aspak humor, është realiteti. Ky nuk është tifozllëk. Ka një kufi tifozllëku, deri tek futbolli, basketbolli, volejbolli, ja ta zëmë dhe pingpongu. Po jo tek zgjedhja që t’i bën për punën që të intereson. Nuk merret gomari për ta ngjitur malit për tifozllëk, se të pëlqen ngjyra e gomarit. Gomari merret për ngarkesën që mban.

Po kështu ata që duan të kenë pagë minimale më të lartë. Ne do ta çojmë pagën minimale në 400 mijë brenda mandatit dhe do ta rrisim çdo vit, gradualisht. Ky nuk është një premtim, është plan.

Ashtu sikundër nuk është një premtim më që ne do të ndërtojmë Aeroportin e Vlorës. Na është vonuar për shkak se na zuri lufta, na erdhi armiku i padukshëm dhe u bllokua procesi. Por për pak ditë lidhet kontrata pasi doli fituesi dhe fillon puna. Brenda këtij mandatit të tretë do të kemi Aeroportin e Vlorës. Ndërkohë që pa mbaruar mandati i dytë, mu në mes të luftës, brenda pak ditësh do të hapet ai i Kukësit. Sapo të lidhet kontrata për Vlorën, do të fillojë gara për Aeroportin e Sarandës.

Do ta bëjmë se s’bën Shqipërinë me 4 aeroporte. Edhe investimet në Aeroportin e Rinasit do të fillojnë e do të kryhen më në fund. Edhe çmimet do të ulen që të vijnë në normalitetin e mesatarës europiane, se është aeroporti më i shtrenjtë i Europës, mbase dhe i botës.

E për çfarë duhet votuar Partia Demokratike?

Ne jemi në fazën që mund ta themi me plot gojën që Shqipërinë do ta bëjmë kampione të Ballkanit për turizmin, për agroturizmin dhe për eksportet bujqësore. I kemi rritur eksportet bujqësore nga rreth 100 milionë që ishin në 2013-n, në 400 milionë. Do t’i çojmë në 1 miliardë dhe e kemi plotësisht të mundur dhe ky është një plan i kalkuluar, nuk është një ëndërr.

Ashtu sikundër, agroturizmi po rritet çdo ditë. Shih çfarë mrekullish janë rreth e rrotull dhe sesa potencial ka këtu për të zhvilluar agroturizmin, duke vazhduar t’i nxisim ato që janë në emigracion që t’i investojnë kursimet e tyre për të kthyer në bujtina dhe në pika mikpritjeje, me produktet e zonës, me traditat e zonës, shtëpitë e të parëve tyre. Siç e tregon dhe eksperienca e tyre që ndërkohë e kanë bërë ktë, fitimet që do të marrin do të jenë shumë më të mëdha sesa fitojnë nga puna në emigracion. Flas për ato që janë punëmarrës, nuk flas për ato emigrantë që mund të kenë bizneset e tyre atje.

Investimi i madh i portit turistik të Durrësit, me kompaninë e madhe të Dubaitn, nuk është vetëm për Durrësin, por është edhe një transformim komplet i pozicionit të Shqipërisë në Mesdhe dhe në të gjithë hartën e turizmit. Është një realitet, nuk është një dëshirë.

Porti turistik i Vlorës, aty ku deri sot është një port mallrash i vjetër si ai i Durrësit, që ka dalë nga koha, të dy portet kombëtare do të spostohen dhe do të ndërtohen të rinj. Qoftë ai në Durrës qoftë ai në Vlorë.

Po ashtu, porti turistik i Sarandës ka filluar.

Me turizmin, agroturizmin dhe eksportet bujqësore e çojmë Shqipërinë në një nivel tjetër.

Të mos harrojëm që ndërkohë është dhe arsimi që ka të bëjë me fëmijët tanë, me të ardhmen tonë. Ne do të fusim gjuhën angleze për të gjithë qysh në fillim dhe brenda kësaj dekade, ne duam që të gjithë ata që e bëjnë shkollën në Shqipëri, të flasin Anglisht.

Do t’i japim një prioritet të madh teknologjisë së re për të rinjtë e të rejat, që të synojmë sa më shumë vende pune, por vende pune të paguara sa më mirë.

Kërcënimi i madh është që ata, gjithçka mund ta kthejnë mbrapa, siç e kanë kthyer sa herë kanë marrë detyrën.

Ju patët këtu në Mallakastër një kryetar bashkie. 4 vite të humbura kot. Me ta është vetëm kohë e humbur dhe Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, për të ndaluar, për të pushuar e lërë pastaj për të fjetur gjumë. Shqipëria ka nevojë për më shumë punë. Ҫdo ditë e më shumë punë. Askush tjetër nuk e bën dot këtë, sepse janë dembelë, sepse janë gjumashë, sepse janë sherrxhinj, se kur fle shumë gjumë, bën shumë sherre se, sa herë të vjen ndonjëri e të kërkon më shumë punë, duket sikur të prish gjumin, edhe kur je zgjuar.

Infrastruktura që është përmirësuar jashtëzakonisht do të vazhdojë të përmirësohet me aksin e madh, që nuk kemi mundur ende ta kthejmë në kantier, nga Muriqani në Milot deri në Fier, për ta lidhur pastaj me Jugun, për arsye jo se nuk kemi dashur, por edhe për shkak të kësaj lufte ku u përfshimë nga tërmeti dhe pandemia.

Kontratat me kompanitë e mëdha me Shtetet e Bashkuara janë lidhur edhe për Skavicën në Veri, edhe për Vlorën në Jug, për t’i dhënë fund derdhjes së hidrocentraleve kur ka shumë reshje dhe për t’i dhënë fund importit të energjisë kur ka mungesë reshjesh.

Kontratat me kompanitë e mëdha me Shtetet e Bashkuara janë lidhur edhe për Skavicën në Veri, edhe për Vlorën në Jug, për t’i dhënë fund derdhjes së hidrocentraleve kur ka shumë reshje dhe për t’i dhënë fund importit të energjisë kur ka mungesë reshjesh e për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë.

Parqet voltaike janë në ndërtim e sipër. Njëri ka filluar në Karavasta dhe për të tjetrin sapo ka mbaruar gara e tani po punohet për kontratën në Spitallë të Durrësit.

Ngado që ta kthejmë kokën në çdo sektor jemi në kantier.

A mbyllen kantieret për të çuar Lulin të flejë atje?

Që Luli do flejë, kjo është e sigurtë. Në të gjitha rastet Luli do flejë, se në 25 prill do festojë humbjen që do thotë se do jetë një fitore më e madhe sesa humbja e herës tjetër. Sa herë humbet, thotë ne fituam më shumë se herës tjetër, jemi fitues, por këta i vodhën. Ai është i lindur për të festuar humbjet si fitore. Puna është që fle Luli, por nuk fle Saliu, nuk fle Iliri dhe edhe sikur këta të dy të fillojnë të dremisin, nuk fle Monika. Demokratët nuk e kuptojnë dot si mund ta bëjnë se kur voton Lulin, është njësoj sikur shkon blen një nga ato vezët çokollatë. E hap dhe brenda të del xhindi dhe nuk të del një, të dalin tre e të thyejnë dhëmbët komplet. Të rroftë lezeti i çokollatës në fillim, se në fund të ngec në fyt gjithë ai grupi i xhindeve.

Më thonë “pse i thua Lulit Gjino”? Se është Gjinoja realisht. Shikojeni si e nxjerrin nëpër ato dasmat nëpër rrugë. Është realisht Gjinua. Këta fshihen, nuk dalin. Saliu rri si gogol dhe fshihet mbrapa qytetarit digjital. Liri vjen vërdallë dhe nuk e di pse gjithmonë e më shumë thotë fjalën burg. Jua thotë të tjerëve, por duket sikur i nxjerr frikën vetes. Monika filxhan më filxhan.

Kjo histori nuk ka lidhje fare me ne, nuk ka lidhje fare me punët e këtij vendi, nuk ka lidhje fare me luftën që vazhdon qoftë për vaksinimin, qoftë për rindërtimin.

Në Vlorë kanë filluar nuk bëjnë fushatë, por bëjnë kallëzime për çdo punë që është bërë në Vlorë. Kudo ku shkojnë thonë këtë veprën do e çojmë në prokurori, këtë punën do e çojmë në prokurori, atë marrëveshjen do e çojmë në prokurori, aeroportin e Vlorës do e çojmë në prokurroi.

Le t’i çojnë, por ajo që njerëzit duhet të kuptojnë nga ky mesazh është që do bllokohet çdo gjë, edhe vaksinimi. Kush do t’i gjejë vaksinat, Luli? Si, duke fjetur?

Jua them unë, është një tmerr! Është t’i biesh botës 5 herë rrotull, të trokasësh derë më derë e të lypësh në çdo derë që të hapet e të bëhesh i padurueshëm, duke kërkuar që të arrish diçka të marrësh.

Lulin e zë gjumi duke ardhur nga Durrësi në Tiranë. Llogarit të marri botën. Do bëhet si sendet e humbura, do dali nëpër lajme se është njëri në gjum, të vijnë ta marrin se nuk dimë kush është e ku ta çojmë. Sidoqoftë ka të mirën që na bën dhe për të qeshur pak dhe duhet edhe të qeshim. Ndërkohë që nuk është për të qeshur fare, ajo që mund të ndodhë me drejtësinë, që është kyçi i të gjithë këtij procesi transformimi. Sigurisht sot nuk jemi në kushtet kur mund të themi që drejtësia po funksionon akoma ashtu siç e meritojnë shqiptarët e siç duhet për një vend dinjitoz, por ka filluar të japë shenja të funksionimit, të daljes nga kthetrat e malukatëve, të lehtësimit nga barra e llumit dhe e plehut që kishte mbi shpatulla, ndërkohë që pastrimi vazhdon e ndërkohë që institucionet e reja kanë filluar të veprojnë.  Duhet t’u japim kohë, duhet t’i mbështesim e mbi të gjitha duhet t’i mbrojmë nga rreziku.

Rreziku është ajo katërshe, ose më saktë, 3+1, - se Luli është dhe goxha, por gjysmë, se gjysma e kokës është në gjumë, gjysma tjetër zgjohet për të bërë makarona, - Saliu, Iliri dhe Monika! Këta janë kërcënimi dhe këta janë ata, të cilëve nuk mund t’u jepet një shans tjetër. I kanë pasur të gjitha shanset.

Në mes të luftës, kur je duke parë fitoren, kur je duke parë se po del nga tuneli i pandemisë; kur je duke parë që sezoni turistik mund të jetë një sezon i lehtësuar nga barra e shtrëngesave dhe e mungesave të vizitorëve e turistëve; kur je duke parë që gjyshërit dhe gjyshet po vaksinohen masivisht dhe po fillojë të buzëqeshin pas një viti ankth, pasiguri dhe mbyllje në shtëpi; kur je duke parë që zinxhiri i infektimeve po këputet; kur je duke parë që shkollat e reja që po ndërtohen janë më të bukurat që janë ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri dhe janë njësoj si në shkollat e bukura të vendeve të BE-së; kur je duke parë që spitalet po transformohen, kur qendrat shëndetësore nëpër fshatra po transformohen; kur je duke parë që familjet po kthehen nëpër shtëpia të reja, më të forta, më të bukura se më parë, kur lagje të tëra po rindërtohen; të ndalosh e të ndërrosh drejtim, duke dashur të shikosh ato gjëra që i ke parë jo një herë, që janë ëndrra të këqija të të shkuarës tanimë dhe t’i bësh prapë realitetin tënd, për çfarë?

Kjo nuk mund të ndodhë, kjo nuk duhet të ndodhë dhe më e bukura është që kjo nuk do të ndodhë.

Ne i kemi borxh Mallakastrës. Sot ishim në Roskovec, që është bërë realisht një vend ku duhet vizituar, një qendër urbane si në qytezat e vogla të Italisë, të Greqisë, të Mesdheut, me fshatra të tërë të lidhur me rrugë e me një natyrë fantastike, tamam si një toskanë e vogël.

Fierin e kanë parë të gjithë.

Divjaka është transformuar qenësishëm.

Po kështu është transformuar Patosi, Lushnja.

Mallakastra jo aq sa këto të tjerat e ky është borxhi ynë që të jeni të bindur do ta shlyejmë vetëm me punë, vetëm bashkë, natyrisht, ju duke na mbështetur dhe ne duke jua kthyer mbështetjen me shumë punë. Tani situata ka ndryshuar, ka disa kantiere të rëndësishme të hapura. Uji i pijshëm së shpejti do të jetë 24 orë sepse është në kantier, nuk është një premtim. Më thonë e ke thënë në 2013-ën. Po, e kam thënë në 2013-ën. Sigurisht kam thënë shumë gjëra në 2013-ën, por kur hymë në zyra e kur filluam pamë librat e shtetit, ishin shumë herë më zi sesa ne i mendonim dhe i parashikonim.

Me një mal me borxhe, që nuk na dhanë mundësinë të marrim frymë e të bëjë fillimisht asnjë investim të madh sepse duhet të lanim borxhet.

Me FMN-në që e kishim përballë e që thonin ulni rrogat, ulni pensionet. Imagjinoni të ulnim rrogat dhe pensionet pasi fituam zgjedhjet në 2013-ën, çfarë hataje do ishte për të gjithë!

Me sistemin elektroenergjitik që rrezikonte të na thithte brenda të gjithëve në gropën prej 1.2 miliardë borxh, në kolaps.

Dolëm nga ajo gropë, kemi filluar dhe duhet të vazhdojmë. Në Mallakastër do të vazhdojmë me një vëmendje të veçantë, në mënyrë që koha e humbur që kemi filluar ta fitojmë, të fitohet plotësisht.

Në Fier kemi një ambicie të fortë që të marrim 11 mandate, si objektiv maksimal. Është plotësisht e mundur duke krijuar të gjithë energjinë e nevojshme pozitive për të arritur rezultatin e për të arritur rezultatin për Qarkun e Fierit, për familjet tuaja, për fëmijët tuaj, për të ardhmen tuaj, jo për mua personalisht. Për mua personalisht është një nder dhe një privilegj i jashtëzakonshëm që të kem besimin tuaj, por mandati i tretë është mandati më i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për njerëzit e këtij vendi, sepse mandati i tretë është koha që na duhet për t’i bërë të gjitha proceset të pakthyeshme. Për t’i bërë të gjithë sektorët të papërmbytshëm, sepse ata po të rikthehen, do të bëjnë prapë atë që kanë bërë e do jetë si guri i Sizifit, ngjitu - ngjitu dhe shko prapë në fund.

Ne po ngjitemi drejt majës, jemi akoma në mes e duhet të vazhdojmë. Sa më lart të ngjitemi, aq më e vështirë bëhet rruga, aq më shumë kurajo, aq më shumë durim duhet, por ne këto nuk na mungojnë. Na duhet vetëm që në 25 prill të vendosim të vazhdojmë të ngjitemi apo ta lëmë veten në rënie të lirë nga e para. Nuk duhet ta bëjmë më këtë. Shqipëria e ka pësuar jo thjesht në vitet pas rënies së regjimit, por dhe në momente të tjera të historisë së vet, nga rendja pas berihait, nga rendja pas recetave çudibërëse, nga rendja pas haxhi qamilëve e pas vehbi xhaferrëve. Nuk duhet të ndodhë më kjo me Shqipërinë. Do të ishte një faj i madh i një gjenerate të tërë.

Kur ata thonë 8 vjet më parë ndodhi një aksident dhe Edi Rama fitoi, i kanë thënë të gjitha. 8 vjet më parë, populli ia futi kot sipas tyre, se duhet të mbante ata. Që do të thotë, ata mendojnë se çka kanë bërë deri 8 vjet më parë ka qenë shumë mire, por populli nuk ka kuptuar gjë dhe natyrisht do fillojnë prapë aty ku e lanë. Edhe më keq se aty, sepse historia përsëritet një herë si tragjedi, një herë si komedi, thonë e nëse me Saliun qe një tragjedi, me Lulin është një komedi, por fundi është po ai. Paguajnë njerëzit pasojat e tragjikomedive të këtyre lloj tipave që kërkojnë një punë që nuk dinë ta bëjnë, kërkojnë një punë që nuk e meritojnë dhe kërkojnë punën e punëve. Domethënë, Luli nuk punon për vete, do fusi të tjerët në punë. Ata nuk dinë punën e tyre, do krijojnë punë për të tjerët, do rrisin mundësitë e punës për të tjerët dhe përmes punës do ta çojnë Shqipërinë në një nivel tjetër! Do ta çojnë Shqipërinë ashtu siç çuan PD-në, në humnerë! Njësoj! E siç e kanë çuar Shqipërinë në të shkuarën.

Nuk do të ndodhë, nuk ka si të ndodhë, nuk do ta lëmë të ndodhë!

Do vazhdojmë përpara, do ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë, pavarësisht se ky është slogani ynë, por ky është në fund të ditës, qëllimi ynë i madh i përbashkët. Kjo është në fund të ditës, ambicia dhe ëndrra e gjithë prindërve të këtij vendi që fëmijët të mos ikin, por të qëndrojnë këtu. Shqipëria duhet të bëhet një shtëpi e të gjithëve, ku të rinjtë të jenë krenarë jo thjesht për historinë dhe për bukuritë e natyrës, por të jenë krenarë për gjendjen e shtëpisë. E që të bëhet kjo duhet shumë punë, duhet shumë besim, duhet shumë durim. Ne i kemi të gjitha këto. Në 25 prill, shumica do tregojë që i ka të gjitha këto.

Në Fier, ne do marrim 11 deputetë dhe në gjithë Shqipërinë, ne do marrim shumicën për të vazhduar të punojmë jo vetëm për shumicën, por për të gjithë sëbashku.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm