Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 prill Shqipëria do tregojë se është gati të vazhdojë ngjitjen dhe të arrijë në majë

Të reja

Në 25 prill Shqipëria do tregojë se është gati të vazhdojë ngjitjen dhe të arrijë në majë

17 Apr 2021    

Takim përmbyllës në Gjirokastër - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Shumë faleminderit për këtë mikpritje fantastike. Shumë faleminderit edhe për gatishmërinë për të respektuar rregullin që na pengon që të jemi më afër njëri -tjetrit. Kur po vija këtu, më erdhi një mesazh nga një mikeshë që banon këtu në Gjirokastër. Është një zonjë në moshë goxha të avancuar. Më shkruante nuk vij dot o xhan, por na ka sfiduar Luli. Unë e mora në telefon dhe i thashë s’ka problem, por çfarë sfide. Nuk e dëgjon, tha, na ka sfiduar, ka thënë që për nëntë ditë e fundit do të bëjë 9 takime, nga Tropoja në Sarandë. Po ç’është ky, tha, fle 9 vjet, zgjohet 9 ditë dhe na sfidon më 9 orë punë.

Kështu janë ndarë, disa me punë e disa me sfida e llafe. Ajo që ka rëndësi sot është që në fund të një rrugëtimi që kemi bërë sëbashku dhe në fillim të një rrugëtimi që do vazhdojmë sëbashku, unë jam këtu, bashkë me Mirelën, Bledin, Laertin, Kjarën e miqtë e tjerë, me kokën lart. Pavarësisht se kemi patur pothuajse katër vite shumë të jashtëzakonshme, sot, Gjirokastra, Tepelena, Libohova, Dropulli, Memaliaj janë shumë më mirë seç ishin katër vite më parë.

Sot, Përmeti, ku në hyrje ka një tabelë “në Përmet gjen çdo gjë, përveç detit” është pak hapa larg lidhjes edhe me detin.

 Sot, falë punës së jashtëzakonshme që kemi bërë sëbashku, Tepelena nuk është një xhep, të cilit gjithmonë i kalonim anash, por nuk është më as thjesht e vetëm një ndalesë e bukur, siç u bë gjatë mandatit të parë. Sot, Tepelena është udhëkryqi ku kalojnë të gjitha rrugët që të çojnë në bregun e Jonit dhe të tëra rrugët që të çojnë në Gjirokastër nga bregu i Jonit dhe shumë shpejt, edhe në Korçë nga bregu i Jonit.

Sot, fale investimeve që kemi bërë, kemi një pellg shumë më të madh të lidhur në gjithë diversitetin e vet me të gjitha relievet e natyrës së mrekullueshme shqiptare, nga kaltërsia e detit e deri në bardhësinë e majës së maleve, për t’iu ofruar njerëzve të gjithë kësaj zone mundësi të reja, shanse e perspektiva të reja, tanimë kur po dalim njëherë e mirë nga tuneli i mallkuar i pandemisë.

Sot, ne mund ta themi me plot gojën se Shqipëria është gati të vazhdojë ngjitjen dhe të arrijë në majë, për t’u bërë kampione e Ballkanit në turizëm, kampione e Ballkanin në agroturizëm, kampione e Ballkanin në eksporte bujqësore, kampione e Ballkanit në energji, kampione e Ballkanin edhe në shoqërinë digjitale.

Të gjitha këto janë rrugë të nisura, të gjitha këto janë kantiere të hapura. Të gjitha këto nuk janë një program elektoral, të gjitha këto janë një plan i financuar qeverisës.

Ne mbrëmë zyrtarizuam nisjen e punës konkrete në kantierin më të madh që Shqipëria do të ketë në 4-5 vitet e ardhshme, kantierin e ndërtimit të Portit më të madh Turistik të Mesdheut në Durrës, i cili bashkë me Portin Turistik të Vlorës, Portin Turistik të Sarandës që sapo ka nisur nga puna, me Portin Turistik të Shëngjinit që do të nisë nga puna në 2023-in, do të jenë katër porta të reja hyrëse për të shumëfishuar numrin e turistëve e të vizitorëve, numrin e miqve të Shqipërisë. Numrin e njerëzve që do të hyjnë në këtë vend dhe që si gjithmonë, do të bien në dashuri me këtë vend dhe do të duan të rikthehen në këtu.

Jo vetëm katër porta të reja nga deti, por dhe katër porta të reja nga qielli. Nesër, në Kukës hapet një portë e dytë, ndërkohë që portën e madhe të Tiranës do ta zgjerojmë me terminalin e ri dhe pistën e re, për të mundësuar që shqiptarët që jetojnë në Amerikë apo ata që duan të shkojnë në Amerikë të bëjnë fluturime direkt, mos të kenë nevojë të ndalojnë diku.

 Do të hapim një tjetër portë të re nga qielli, në Vlorë. E një tjetër më të vogël, por shumë të rëndësishme në Sarandë. Janë tetë porta që do të shumëfishojnë jo vetëm njerëzit, por do të shumëfishojnë të ardhurat që do të krijohen nga turizmi. E keni dëgjuar që kur unë flas për aeroporte apo porte, cinikët, të paditurit...

Ja doli njëri andej thotë “Rama ik”. Gjithmonë, aty ku ka një popull ku mblidhet për parë të ardhëm, ka dhe një zë që thërret “Rama ik”. Vazhdon koncerti i vitit 1936. Është i njëjti koncert që vazhdon dhe ai ditëziu, plaku i vrerosur i vitit 1936 vazhdon të jetojë si shpirt brenda atyre të cilët nuk e durojnë dot, nuk e shikojnë dot, nuk e përtypin dot simfoninë e punës sonë në të gjitha drejtimet.

Simfoninë punës sonë që po vazhdojmë ta shkruajmë dhe që do të mbetet në historinë e këtij vendi si muzika e punës së një kohë kur shqiptarët vendosën që do të ngjiten në majë dhe nuk ranë pre e sirenave joshëse që u thoshin “ndaloni, pushoni, kthehuni mbrapa, bjerini shkurt”. Siç i kanë rënë shkurt në të shkuarën dhe e kanë paguar shumë shtrenjtë.

 Ne nuk jemi këtu për të ndarë, ne nuk duam ta vazhdojmë rrugën vetëm. Ne duam që të gjithë shqiptarët të ndihen pjesë e kësaj rruge. Duam që të gjithë, pa asnjë dallim, të jenë pjesë e fuqisë së madhe që na duhet për t’u ngjitur në majë. Ne na duhet çdo shqiptar, çdo vajzë, çdo djalë, çdo grua, çdo burrë dhe nëse ne nuk do ta harrojmë mësimin e madh që na dha tërmeti, nëse ne nuk do ta harrojmë mësimin e madh që na dha lufta me armikun e padukshëm, ne jo vetëm do të kuptojmë, por do të besojmë fort se përderisa nuk ka gjunjëzoi tërmeti, përderisa nuk na gjunjëzoi virusi që sulmoi gjithë botën, nuk ka asgjë që na pengon sëbashku, për të arritur majën.

Sot, dielli nuk është prezent. Janë disa ditë me shi, por është një shi që më shumë i ngjan paralajmërimit për breshërin e votave për Partinë Socialiste në të gjitha kutitë e votimit nga veriu në jug, që do sjellë jo vetëm fitoren tone, por edhe fundin e këtij shiu  paralajmërues për të na lënë më pas barrën e madhe të përgjegjësisë që diellin e mrekullueshëm të Shqipërisë, që shkëlqen aq magjishëm për turistët apo për ata që kanë mundësi, ta bëjmë të ngrohtë çdo shtëpi shqiptare nga qyteti në fshat, nga bregu i detit në majë të malit.

Sot, kjo është e mundur sepse Shqipëria po lidhen me gjithë territorin e vet me një infrastrukturë shumë më të fuqishme, jo vetëm rrugore, por dhe portuale dhe aeroportuale. Me siguri e keni dëgjuar kur më thoni “ç’janë këto aeroporte dhe porte, ne duam bukë, çfarë i duhet Shqipërisë 4 aeroporte”.

Kroacia ka 4 milionë banorë dhe ka 9 aeroporte dhe Kroaica është vendi i 7-të në botë për të ardhurat që siguron nga turizmi. Ne nuk duam të jemi dhe nuk ka nevojë të jemi mes 10 më të mëdhenjve të botës, por mjafton të jemi kampionë në rajonin tonë, këtu në Ballkanin Perëndimor, për të siguruar nga vënia në punë e gjithë kësaj natyre fantastike, nga vënia në punë e të gjitha shtëpive të vjetra, e të gjitha dijeve të trashëguara nga nënat, gjyshet, stërgjyshet për të gatuar, nga vënia në punë e të gjithë dijes së trashëguar në punën me token, për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë, për ta bërë Shqipërinë të ardhmen e çdo familjeje, të çdo djali dhe vajze, me një kusht, që të ndajë mirë këtë gjë.

Të gjithë atyre shqiptarëve dhe fatmirësisht janë shumica dërrmuese që besojnë tek puna, me punë arrijnë të ngjiten, që nuk dorëzohen kurrë përpara lodhjes dhe stresit që shkakton puna dhe këtu mbaron kushti, që të mos bien më pre e sirenave joshëse që e kanë çuar teposhtë dhe gremisur, plagosur dhe rrezikuar ta mbysin fare Shqipërinë.

Nuk ka diskutim që sot, në të gjitha familjet, ndërkohë që ka filluar lehtësimi nga ankthi i virusit, një tjetër shqetësim ka filluar të marrë formë. Falë lidershipit tonë, falë këmbënguljes sonë, durimit tonë, angazhimit tonë dhe vendosmërisë sonë, sot janë mbi 300 mijë të vaksinuar në Shqipëri dhe sot, gjyshet dhe gjyshërit e të gjithëve, qofshin këta demokratë apo socialistë, buzëqeshin. Pra, rreziku i jetës sot nuk është më i pranishëm, por shqetësimi tjetër, më i natyrshëm, më i kuptueshëm i njerëzve kur rreziku i jetës është larguar, është e nesërmja dhe mirëqenia, si do jem nesër, si do jetë familja ime nesër.

Bukur fort, një mrekulli, jeta tanimë nuk është më në rrezik, edhe pse duhet të vazhdojmë të ruajmë akoma distancat, të jemi të vëmendshëm sepse shikoni ç’po ndodh në Greqi, Maqedoni, Kosovë. Numrat po rriten në mënyrë marramendëse, humbjet e jetës fatkeqësisht po ashtu dhe kjo situatë mund të ndryshojë. Për fat të keq, edhe për shkak të atyre grumbullimeve që nxisin infektimin dhe nuk mbrojnë vaksinimin.

Sidoqoftë, ajo që sot unë dua t’iu them të gjithë atyre që e kanë këtë shqetësim, që shqetësimin të mos e lejojnë t’i pengojë për ta parë të ardhmen me shumë shpresë. Shqetësimin të mos lejojnë t’i pengojë për t’u çuar nga vendi, për të hapur derën, për të dalë, për të marrë rrugën dhe për të votuar më 25 prill, Partinë Socialiste të Shqipërisë. Shqetësimin mos e lejoni t’ju kthehet në pakënaqësi, mërzi dhe sidomos, në indifference. Do të ishte vërtetë mëkat, që ndërkohë që ne ia dolëm aty ku shumë të tjerë akoma nuk po ia dalin dot, ndërkohë që ne sot jemi në krye, në fashën më të lartë, në shoqërinë më të papritur me vendet super të zhvilluara për ritmin e vaksinimit, si nuk ia dilkemi dot ne të ngjitemi në majën ku është misioni i gjeneratës sonë, për ta ngjitur Shqipërinë? Si nuk ia dilkemi ne, që t’ia dalim aty ku gjenerata të tëra nuk ia dolën dot? Si nuk ia dilkemi ne, që t’ia dalim aty ku politika e shumë e shumë dekadave nuk ia doli dot?

Patjetër që ne mundemi sepse politika e shumë e shumë dekadave, po të ishte akoma e ulur këmbëkryq në krye të vendit, Shqipëria nuk do ishte duke e lënë pas tunelin e pandemisë, por do ishte njësoj si ato vendet e tjera rrotull nesh që nuk arrijnë dot të futen në procesin e vaksinimit. Nëse politika e shumë e shumë dekadave, po të ishte akoma e ulur këmbëkryq në krye të vendit, Shqipëria nuk do ia dilte dot të reagonte siç reagoi ndaj plagëve të tmerrshme të tërmetit. Këtë e bëri fakti që ne, familja jonë e madhe, socialistët dhe progresistët, i dhamë jetë një politikë që arrin të bëjë sukses edhe aty ku suksesi duket i pamundur. I dhamë jetë një politike që është me njerëzit dhe për njerëzit dhe që kurrë nuk i lë njerëzit vetëm. I dhamë jetë një politike që sot ka shumë më tepër eksperiencë, sot ka nxjerrë shumë më tepër mësime seç kishte, që sot ka shumë më tepër arsye që të ketë bindjen e madhe se ky vend jo vetëm bëhet, se kjo ka qenë një bindje që e kemi pasur edhe më parë, por se këtë vend mundet dhe do ta bëjmë ne që jemi këtu, ata që po na ndjekin tani dhe të gjithë të tjerët që janë njësoj si ne dhe që janë bashkë me ne në tërë Shqipërinë dhe matanë Shqipërisë.

Megjithatë, është momenti për ta përsëritur papushim se shqetësimi për të cilin fola mundet t’ia humbasë vëmendjen, vigjilencën, fokusin shumëkujt. Zëri i brendshëm që e ka çdo njeri, çdo njeri e ka një të tillë që i thotë “ulu” kur ndjen lodhje, që i thotë “ndalo” kur ndjen se po i merret fryma, që i thotë “pusho” kur ndjen se po i mjegullohet mendja për shkak se po ecën, është një zë që shqiptarët e kanë brenda dhe është një zë, i cili në momente të ndryshme të historisë merr formën e dikujt, merr formën e disave dhe iu del përpara njerëzve kudo, në çdo shoqëri. Iu ka dalë përpara shqiptarëve, iu ka dalë në formën e Haxhi Qamilit, i cili në një moment shqetësimi të madh, turbullie të madhe, stresi, i ofroi shqiptarëve një rrugë të shkurtër e i tha hajde nisemi se këtej nga kjo rruga e shkurtër është fusha me lule. E shqiptarët u nisën dhe në fund të asaj rruge të shkurtër, jo vetëm nuk gjetën rrugën e shkurtër, por u gremisën në një hon thellë prej ku iu deshën shumë e shumë vite për t’u ngjitur përsëri.

Po pse të shkojmë deri tek Haxhi Qamili! Këtu ka plot vajza e djem që janë shumë të rinj, por këtu ka plot të tjerë që kanë njohur gjeneral Rrapush Xhaferrin, i cili iu shfaq si një formë tjetër e të njëjtit zë. E zërit që i tërheq shqiptarët nga mbrapa dhe u thotë “mos u lodh, është e kotë, nuk ia vlen, shiko se çfarë fiton ky, ai, është e kotë”. Dhe u ofron prapë një rrugë të shkurtër. Rrapush Xhaferri mori Shqipërinë mbarë, kuptohet nën bekimin dhe mbështetjen e atij që ju e mbani mend mirë, që këtu në Gjirokastër, me thënë të drejtën nuk duhet t’i përmend as emrin se nuk ja vlen dhe që sot e gjithë ditën është aty, në përpjekjen për t’i dhënë përsëri një tjetër formë atij zëri. Rrapush Xhaferri me makina, bori e njerëz pritej kudo me këngë e valle. I shtronin edhe rrugët me sheqer. E çfarë iu thoshte Rrapush Xhaferri shqiptarëve? Pse duhet të lodheni, erdha unë shpëtimtari, ju më jepni një, unë ju jap dy, më jep 1000 lekë sot, javën tjetër të jap 2000, më dhe 2000 javën tjetër, 4000 do të jap javën pasardhëse.

E kështu Rrapushi, Sudja, Vehbiu, Saliu patjetër në krye të tyre, i futën shqiptarët në marrëzinë e madhe të një jete qejfi, ulur në kafene, duke shitur dhenë e dhi, duke lënë rrugëve bagëti, duke nxjerrë në treg shtëpi e duke marrë 2, pasi jepnin vetëm 1.

Sa zgjati dhe si mbaroi?

Ato 2 që duheshin marrë atëherë kur deti u bë kos, u kthyen në 2 gishta në sy që ju futën shqiptarëve dhe i qorruan komplet dhe u bënë si pula qorre që hidheshin përpjetë, rrethuar nga një zjarr i madh që e përvëloi Shqipërinë. E Shqipëria për shkak të asaj marrëzie humbi mijëra jetë. Ekonomia u shkatërrua, e vendi u rigremis prapë poshtë, e prapë u deshën vite për tu ngjitur lart.

Tani, po dal te Rapushi i ri, Luli. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Vetëm forma ndryshon. Por ai që e bekon është i njëjti njeri. Gjuha që flet është e njëjta gjuhë. Forma ndryshon. E po ta shihni, karvanët me vetura e me makina në formë ndryshojnë se janë shumë të shtrenjta se sa veturat e fuoristradat që ndiqnin Rapush Xhaferin. E duke i parë ato karvanë me makina, me autostrada, nuk është e vështirë ta përfytyrosh kush është brenda aty. Aty brenda janë ata që duan të rimarin doganat, të rimarrin tatimet, të rimarin drejtoritë e shëndetësisë e drejtoritë e arsimit, janë ata që duan të rimarrin kudo plaçkën. Plaçkën e humbur. Plaçkën që hap pas hapi ne po ja kthejmë Shqipërisë, duke ndërtuar hap pas hapi një shtet të barabartë për shqiptarët. E kur them shtet të barabartë për shqiptarët, le të çohet një mësuese, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim dhe të thotë se e ka merituar vendin e punës dhe ka ardhur deputeti, apo ka ardhur ministri, apo ka ardhur partia tjetër dhe e ka larguar.

Le të çohet një infermiere dhe të thotë se po pret të hyjë në punë, ndërkohë që spitali i Gjirokastrës është mbushur me bluza të bardha që nuk dinë të bëjnë as gjilpëra.

Le të çohet një prind qoftë çoban, e qoftë arsimtar, e qoftë kamarier, e qoftë sanitare dhe të thotë djali dhe vajza ime meritonte të hynte në universitet, po ja zuri rrugën djali i një ministri, vajza e një deputeti. Askush nuk mund të çohet! Sepse ne bëmë që mësuesit, infermierët, nxënësit që shkojnë në universitet të mos mundet dot t’i prekë kush në dinjitetin e tyre dhe sot unë jam shumë krenar që falë PS vajza dhe djali i një fermeri në fund të Dropullit, nëse e meriton shkon me kokën lart dhe ulet aty, në auditorin e mjekësisë dhe nuk ka djalë të pasuri e djalë politikani që i zë vendin.

Këta, të atij karvanit duan ta kthejnë botën përmbys, ndërkohë që Luli i ofron të tërëve zgjidhje magjike. Je një nënë e re dhe ke problem ekonominë, ska problem ta mban Luli fëmijën. Je një djalë i ri, ke rënë në dashuri, po sdi tja bësh, ta marrësh apo Dylqinjën... Luli thotë “merre menjëherë, martohuni se lekët jua jap unë. Për çiftet e reja kam program”. Po jo se skemi shpi... Shpi? “Po ne i japim shpi të gjitha çifteve të reja dhe kredinë do jua paguajmë ne”. “Prandaj jepini! Martohuni! Bëhuni prindër dhe ju pret shtëpia”! “Je dikush që je në punë? Si e ke hallin?” Jo po këto sigurimet shoqërore janë shumë të larta. Po çfarë problemi ka? “Voto numrin 9, e sigurimet shoqërore ulen 9 herë”.

Pastaj ngrihet pensionisti e i thotë “shiko se unë pensionin e kam të ulët”. Dhe i thotë, po cke ti. Ti voto numrin 9, dhe 9 herë do ngrihet pensioni. D.m.th. do ulet prodhimi i qumështit, ama prodhimi i djathit do rritet.

Luli ishte kandidat për kryetar bashkie dhe  nuk do e harroj kurrë momentin kur  hynte në furrat e bukës, kapte bukën, i thoshte atij shitësit ‘më shiko në sy, më shiko në sy se unë do vij prapë këtu”. “Kjo bukë do shitet më lirë, ti do fitosh më shumë”! Unë do ta ul çmimin e bukës! Ndërkohë që atij që do të blinte bukë i thoshte më shiko në sy! Ti do e blesh më lirë bukë, po ky do fitojë më shumë ama. E dini ju si del kjo llogari? Ka vetëm një mënyrë për ta ulur prodhimin e qumështit dhe për të rritur prodhimin e djathit. Duke ju dhënë njerëzve sapun që ta hanë për djathë. Dhe ngrënia për sapunit për djathë e ka marrë në qafë këtë vend disa herë.

në 25 prill Shqipëria nuk do ta hajë sapunin për djathë. Shqiptarët nuk do hanë sapun! E të kënaqen se hëngrën djathë. Në 25 prill, shqiptarët do të vendosin që të vazhdojnë të ngjitemi. Në 25 prill do të testohet karakteri ynë

Më besoni, është hera e fundit që ai zëri për të cilën ju fola do të ketë kurajon të rishfaqet në këtë formë kaq vulgare, Në këtë formë kaq fyese për inteligjencën e njerëzve normal, Në këtë formë kaq turpëruese për një popull të tërë që nuk e ka absolutisht për borxh që sot e tërë ditën si alternativë të ketë një konglomerat njerëzish, kartash të djegura që i shfaqen e i premtojnë qiqra në hell.

Për këtë arsye, pikërisht sepse është hera e fundit, do shfaqet më vonë në forma të tjera, por jo në këtë formë më, shqiptarët duhet ta refuzojnë fort!

Prindërit e këtij vendi duhet ta refuzojnë fort!

Gratë e këtij vendi duhet ta refuzojnë fort!

Nënat e këtij vendi duhet ta refuzojnë fort

Fermerët e këtij vendi duhet ta refuzojnë fort!

Sipërmarrësit e vegjël, ata që cohen në mëngjes, në pikë ta sabahut venë hapin dyqanin, duhet ta refuzojnë fort!

Sepse ata e kanë taksën 0 dhe 0 do ta kenë me PS deri në vitin 2029. Dhe këto lojërat, jo po do t’jua bëjmë 0.5, jo po t’ju vejmë pullën tek xhami, jo po do t’ju vejmë këtë e atë duhet t’i refuzojnë fort. Duhet t’i refuzojnë fort të gjitha këto, edhe sipërmarrësit e mëdhenj, të cilët ne nuk do tjua ulim taksat, të cilëve ne do të vazhdojmë t’ju themi “fitoni më shumë, patjetër që do të paguani më shumë”. Por sidoqoftë, në këtë vend do të ndjeheni shumë më mirë. Sepse nuk mund të ndjehesh mirë sado të fitosh zotrote, nëse rreth e rrotull të tjerët ndjehen keq!

Miqtë e mi, mos e harroni për asnjë moment, se sot, ne jemi shumë më të fortë se çdo herë tjetër. Edhe kur nuk e ndjeni këtë, edhe kur jeni të tërhequr poshtë nga lodhja dhe stresi i gjithë kësaj periudhe tmerrësisht të vështirë, mos e harroni, mjafton ta kërkoni brenda vetes dhe do ta gjeni forcën e shtuar, vlerën e shtuar të karakterit që na ka dhënë përballja në këto dy fronte të kësaj lufte të jashtëzakonshme. Ne po fitojmë një luftë që do kishte gjunjëzuar një elefant dhe ne i kemi tani të gjitha arsyet që të nxjerrim nga brenda nesh më të mirën dhe të ngjitemi.

Të ngjitemi me besimin e plotë se në një vend, ku dikush thotë “do të jap lekë ty, edhe ty” dhe askush nuk do punojë e kur dikush tjetër të thotë “punë, punë, punë” është puna që duhet të zgjedhim.

Sot, në darkë do më shikoni tek Fevziu i vërtetë, është djali i xhaxhait të tij, por ky tjetri i ka marrë studion, por i vërteti është ky sonte dhe aty takova një fallxhore. Mbas emisionit, fallxhorja tha, ngele duke i thënë Lulit ndau, po jua ke parë numrat ti?

Çfarë numash? - i thashë.

Dhe më dha letrat. Ҫfarë numri është ky, 6?

Kështu - i thashë edhe unë.

Jo - tha, - është 9. Nuk ke faj, - tha, edhe ty të kuptoj. Prandaj, edhe ngaqë nuk i ka dhënë dum kësaj pune, njerëzimi ka rënë dakord, - tha, - që ky është numri i djallit, 69. Vajte tek 6? 9 ke. Vajte tek 9? 6 ke. More 69? Të mori djalli dhe të çoi në djall.

Unë jam i bindur, jam i sigurt, nuk e diskutoj fare, ju që jeni aty keni ardhur nga Kuçi dhe unë ju dua kaq shumë juve kuçiotëve, ju dua kaq shumë juve tepelenasve, kurveleshasve, lebërve dhe e dini pse ju? Se ju i bini shkurt fare. Ju i fusni 12 dhe nuk merreni as me 6, as me 9. Ju e keni numërimin të thjeshtë, nuk e keni 1,2,3,4,5,6. Ju e keni 1,2, 12 e mirupafshim.

Më tha, prit ta mbaroj, pasi i thashë dakord, e bukur është kjo si lojë fjalësh. Kështu mund të kujtoni dhe ju, - tha, - por unë jua bëra pikërisht se nuk është lojë fjalësh.

Po çlidhje ka shorti? -  i thashë.

Shorti, - tha, - nuk është as 6, as 9, janë ata të dy, e thua vetë. Ja derri maç, njëri me kokë lartë, tjetri me kokë poshtë, por i kthen kështu, Iliri lart, Saliu poshtë; Iliri poshtë, Saliu lart.

Kështu vajti kjo punë. Njëri del thotë presidenti, tjetri thotë doktori. Kështu që kush voton 6 dhe 9, derrin maç ka.

Të gjithë atyre që po na ndjekin, se janë shumë që na ndjekin nga i gjithë qarku dhe jashtë qarkut dhe i bëj thirrje të gjithë socialistëve që në këto kushte të jenë prezent në këto takime, jo fizikisht, por përmes Facebook-ut, duke filluar nga atyre në Shkodër, demokratëve të Shkodrës i them, derrin maç keni pasur 30 vjet, derrin maç do keni po nuk votuat Partinë Socialiste. Të gjithë ata që besojnë, nuk janë shumë e të gjithë ata që do votojnë për premtimet e Lulit, mbas zgjedhjeve derrin maç do kenë.

U them sipërmarrësve, biznesmenëve të vegjël, doni taksa zero apo doni derrin maç?

U them atyre që e kanë pagën deri në 400 mijë lekë, doni që në 1 janar të 2022-it pagat deri në 400 mijë lekë të kenë zero takes, apo doni derrin maç deri në 2025-ën?

Atyre që e kanë pagën minimale 300 mijë lekë, u them, e doni 400 mijë deri në 2025-ën, apo deri në 2025 do mbani derrin maç?

Atyre që kanë fëmijët për të rritur dhe duan t’i çojnë në shkollë, u them, doni të vazhdojmë që fëmijët t’i mësojmë me librat e Oxford, Cambridge, Pearson, që i futëm në arsim, duke hequr ato paçavuret e derrave maç, apo doni prap derrin maç për fëmijët tuaj?

Atyre që i kanë fëmijët ekselentë, u them, doni që fëmijët të venë në universitet dhe të ulen aty ku u takon pavarësisht se juve nuk ju njeh njeri, apo do jua lini fëmijëve derrin maç, kur të shkojnë të trokasin në dyert e universitetit?

Atyre që duan të ikin, ju them, doni që universiteti i Gjirokastrës, universiteti i Shkodrës, universiteti i Korçës, i Durrësit, Elbasanit, Vlorës, t’i bashkojmë me universitetet të huaja, të fusim programet e të vëmë diplomën e atyre universiteteve dhe ju të studioni këtu me shumë më pak shpenzime e të merrni atë diplomë dhe të keni po aq aksione sa kanë bashkëmoshatarët tuaj, apo doni derrin maç?

Kishte vajtur Luli në Peshkopi dhe u kishte thënë, do ju hap universitetin në datë 26 prill. E kuptoni, universitetin në Peshkopi që mezi e mbyllëm. Unë shkova e ju thashë se ne nuk do t’ju hapim universitetin në Peshkopi. Kush do universitet në Peshkopi të votojë për Lulin dhe derrin maç do marri.

Kush do derrin maç nuk e pengojmë dot, se ka edhe njerëz që e duan derrin maç. Shikojeni, goxha burrë, në letër duket dhe goxha i urtë, por, po e pe në ekran, kuptohet që është i çmendur, por derrin maç.

Miqtë e mi, me gjithë zemër ju them se e shoh siç ju shoh juve këtu, se sa lart do ngjitemi në këtë dekadë dhe se në çfarë pike tjetër do të jemi në 2025-ën. Ju them që unë dua të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve, i të gjithë njerëzve që besojnë tek puna, i të gjithë njerëzve që besojnë se ky vend ka një arsye, pse Zoti e ka qëndisur kaq bukur. Duket sikur e ka bërë ditën e diel që e ka pushim, e ka marrë avash-avash, që nga Alpet deri poshtë në Jon. Por ka edhe një arsye që mbi gjithë këtë qëndisje të perëndisë, ky vend është bombarduar nga kakërdhitë e politikës me shekuj e me dekada; E ka bërë Zoti, nuk e ka lënë robi.

Tani ne duhet ta ndajmë mendjen. Do bëjmë atë që Zoti ka parë kur ka qëndisur këtë vend, apo do vazhdojmë të bëjmë atë që robi ka bërë sa herë e ka marrë besimin nga ky vend. Unë them të bëjmë të parën dhe ju siguroj se ne jemi mjaftueshmërisht të fortë për ta bërë të parën e ne do ta bëjmë të parën, siç thonë djemtë e Labërisë, 1, 2, 12, nuk ka numra të tjerë në mes.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm