Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 prill shqiptarët votojnë për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë

Të reja

Në 25 prill shqiptarët votojnë për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë

16 Apr 2021    

Takim në Berat - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

E di që ishte e pamundur për punonjësit e Gardës, policisë të shmangnin një prurje shumë më të madhe sesa ajo që ne parashihnim për këtu dhe nuk më mbetet t’i falënderoj pa përjashtim. Shiu që ka nisur është paralajmërimi i gjithë breshërit të votave të PS-së që do të hyjë në të gjitha kutitë e votimit që nga Kuçova deri në Skrapar, nga Poliçani deri në Dimal. Në Berat ku disa vite më parë ishte vërtetë e lodhshme të vijë, ishte një rrugë plot gropa, një rrugë që nuk çonte drejt një qyteti historik, drejt vendit të krenarisë, një prej vendeve më të bukur të krenarinë shqiptare, por dukej sikur të çonte asgjëkund.

Të gjithë ju që e keni bërë atë rrugë, kujtesa do t’iu ndihmojë të sillni para syve sesi në anë të asaj rruge, si në të gjithë rrugët e Shqipërisë, ishin të rreshtuara tezgat me fruta e perime, tezgat e mbuluara e mbuluara me fier. Rrugët e Shqipërisë ishin si rrugët e një merkatoje kaotike, si rrugët e dëshpërimit dhe të mbijetesës për qindra mijëra njerëz që punonin tokën dhe detyroheshin t’i nxirrnin prodhimet e tyre rrugëve, me shpresën se do të shitnin diçka dhe do të vazhdonin të mbijetonin. Sot, kur vjen për në Berat, jo vetëm që nuk është më ajo rrugë, por nuk janë më as ato tezga. Nuk janë më në asnjë rrugë të Shqipërisë, duhet të mundohesh tek-tuk për të gjetur ndonjë. Ku janë ato prodhime sot?

Ato prodhime jo vetëm që nuk janë pakësuar, madje janë shumëfishuar, nuk dalin më rrugëve, por shkojnë në pikat moderne të grumbullimit që janë ndërtuar falë punës së jashtëzakonshme të njerëzve këtu, në Fier, në Vlorë, në Sarandë në Korçe e deri lart në Malësi të Madhe, në Dibër, patjetër falë mbështetjes që qeveria u ka dhënë njerëzve për tokën, njerëzve që bujqësinë shqiptare po e kthejnë në bujqësi të sipërmarrjes, njerëzve që po transformojnë gjithë panoramën e bujqësisë sonë, me punën e  tyre të jashtëzakonshme.

Në Berat, ju keni plot kampionë të admirueshëm të punës me tokën, të eksporteve bujqësore, kampion të admirueshëm të një transformimi që do të kishte i pamundur pa PS-në, por që me bashkimin e fuqive mes Partisë Socialiste dhe kampionëve të këtij vendi, ne do ta bëjmë Shqipërinë kampione të eksporteve bujqësore në të gjithë rajonin tonë. Sot, Shqipëria ka shkuar në vendin e parë për eksporte bujqësore, duke lënë pas Kroacinë, Serbinë, Maqedoninë e Bosnjën e Malin e zi në disa zëra. Ne jemi eksportuesit më të mëdhenj të domates, eksportuesit më të mëdhenj të perimeve, por kemi akoma kaq shumë mundësi, kaq shumë potenciale, kaq shumë rrugë për të bërë sëbashku dhe të bashkuar ne kemi mundësinë ta ngjisim Shqipërinë në atë majë ku e ëndërruan të gjithë ata që luftuan për të. Në atë majë ku e kanë lënë amanet, të gjithë ata që e kanë shkruar historinë e tyre në këtë vend me punë dhe me besnikëri ndaj punës.

Të jeni të bindur nëse përpara 6-7 vitesh eksportonin 100 milionë produkte bujqësore dhe sot eksportojmë rreth 400 milionë, brenda mandatit të tretë do t’i çojmë eksportet bujqësore mbi 1 miliardë. Nëse ne përpara 6-7 vjetësh arrinim të punonim rreth 12 mijë hektarë tokë buke dhe sot kemi shkuar në rreth 23 mijë, duke e dyfishuar sasinë e tokës që punohet, i kemi të gjitha mundësitë që të vazhdojmë ta zgjerojmë akoma më shumë këtë sasi. I kemi të gjitha mundësitë që nga kjo tokë të nxjerrim shumë më tepër prodhim. Të jeni të bindur se, nëse deri para 6-7 vitesh kishim një raport të përmbysur, një raport realisht për të ardhur turp, mes importeve dhe eksporteve bujqësore, eksportonim 1 importonin 7, sot e kemi përgjysmuar volumin e importeve dhe e kemi rritur volumin e eksporteve. Sot importojmë 1 eksportojmë 3. Patjetër do të rrisim shumë më tepër eksportin.

Të gjithën këtë do ta bëjmë me të njëjtin fuqi, me të njëjtin karakter, me të njëjtën vendosmëri me të cilën çdo burrë dhe grua në këtë zone dhe në të gjitha zonat ku toka prodhon, ku toka ushqen, ku toka eksporton, ku njerëzit dalin nga shtëpia në 4 të mëngjesit, puthin fëmijët në gjumë dhe kthehen në shtëpi vonë në darkë e përsëri fëmijët i gjen në gjumë dhe vazhdon pa u përkulur kurrë, pa u dorëzuar edhe kur një breshër ia hedh përtokë gjithçka ka ngritur dhe bërë gati për të mbledhur. Pa u dorëzuar, duke mos harrur për asnjë sekondë se dorëzimi nuk është alternativë.

Dorëzimi përpara lodhjes, përpara stresit, mërzisë, zhgënjimit nuk është alternativë. Ka vetëm një alternativë përpara gjithë këtyre ndjesive që sot janë ndjesitë më të kuptueshme mes gjithë njerëzve të këtij vendi për shkak të një përpëlitje të jashtëzakonshme në një tunel të pafundëm pandemie që futi ankthin në çdo familje. Kjo alternativë është të vazhdosh të ngjitesh edhe kur këmbët thënë ndalo, të vazhdosh të ngjitesh edhe kur zemra thotë po plas, të vazhdosh të ngjitesh edhe kur mendja të thotë pusho. Vetëm kështu ne mund ta bëjmë Shqipërinë vendin ku vajzat dhe djemtë, ku fëmijët tanë, ku Zaho dhe bashkëmoshatarët e tij të ndihen krenarë, jo thjesht për historinë e as për bukuritë e natyrës, as për kulturën, këngët e muzikën që na kanë lënë të parët tanë, as për rrënjët e familjes së vet, por të jenë krenarë për kushtet e shtëpisë së përbashkët që quhet Shqipëri

Sot, Berati është diçka krejt tjetër, një vend ku hapen dyer javë pas jave e muaj pas muaji e shtëpitë e vjetra, të mrekullueshme, që janë si xhevahire të mbledhura në piatancën e madhe të këtij thesari të trashëguar nga historia kthehen në bujtina, kthehen në forcë ekonomike për ata familje që punojnë në ato shtëpi. Kjo mjafton për të kuptuat sa shumë dyer akoma kemi për të  hapur dhe mund t’i hapim, por ama jemi të vetmit që do t’i hapim. Dyer për ekonominë familjare të njerëzve të zakonshëm. Dyer për ekonominë e atyre që për 1001 arsye e kanë lënë Beratin, kanë shkuar në Tiranë apo në emigracion. Sot jemi këtu, për t’i dhënë atyre fjalën se ne do t’i mbështesim. Ne do mbështesim çdo djalë, çdo vajzë që do të kthehet të hapë derën e shtëpisë së stërgjyshit. Do mbështesim çdo familje që do të hapë derën e shtëpisë të babës për ta kthyer në pjesë të rrjetit të turizmit dhe në pjesë të rrjetit të agroturizmit, në pjesë të një zinxhiri ekonomik që sapo ka filluar dhe që do të zgjatet në gjithë qarkun e Beratit dhe në të gjithë Shqipërinë, njësoj siç do të rriten mundësitë ekonomike.

Sot jemi fare afër tunelit të pandemisë. Kur drita në fund të tunelit zmadhohet çdo ditë e çdo ditë, ne mund ta shohim Shqipërinë pikërisht me dritën e diellit që po shkëlqen përsëri. Sot, ne mund të projektohemi në të ardhmen jo me dëshira, as me ide që duan kohën e tyre, por me të gjitha ato projekte dhe programe që tanimë kërkojnë vetëm kohën, vetëm punën e jashtëzakonshme dhe janë të gjitha të financuara.

Ne kemi sot gati paketën më të madhe të investimeve të huaja dhe publike për Shqipërinë. Janë rreth 10 miliardë që janë gati, për të filluar të financojnë ekonominë shqiptare. Porti i madh i turistik i Durrësit, i cili nuk është një plan, aq më pak një dëshirë. Është një projekt, me një kompani konkrete. Me një nga kompanitë më të mëdha të botës, që ka ndërtuar Dubain, që ka ndërtuar portin turistik të Dubait. Është një projekt që pret vetëm të fillojë, të kthehet në kantier. Projekti është bërë i gjithi, financimi është aty. Duhet vetëm puna dhe koha që puna do në dispozicion për të arritur.

Sëbashku me portin turistik të Vlorës, që është edhe ai një projekt që fillon punën, me portin turistik të Sarandës që ka filluar nga puna, me portin e Shëngjinit që është më mbrapa këtyre të triave, por që do të fillojë më pas nga puna, janë 4 porta të reja nga deti për Shqipërinë. Katër porta të reja që do të sjellin turistë të një kategorie tjetër të atyre që kanë ardhur deri më sot në Shqipëri. Turistë që vijnë me shumë para, që konsumojnë shumë gjatë pushimeve, të kamur dhe që eksplorojnë brigje e vende të Mesdheut dhe të vendeve të tjera matanë oqeanit. Turistë, të cilët do duan të rikthehen mbasi të kenë kontaktin e parë, të kenë përqafimin e parë me këtë vend të bekuar dhe do të duan të hyjnë më thellë, të shohin historinë, të shohin patjetër Beratin. Kush nuk sheh Beratin, nuk ka parë në fakt, zemrën e Shqipërisë kulturore, zemrën e Shqipërisë historike. Kush nuk sheh Gjirokastrën nuk ka parë zemrën, nuk ka parë realisht, thelbin e një historie të gjatë. E pra, gjithë këta njerëz kur të vijnë do duan të shërbehen, do duan të hanë, të flenë, të ngjiten, të shëtisin. E gjitha kjo do të bëjë që ekonomia e njerëzve të zakonshëm këtu të ndryshojë gjithnjë e më mirë, sepse Shqipëria është e bekuar në të katërt anët. Shqipërinë Zoti e ka bërë për telha, është dhe duket sikur e ka pikturuar ditën e diel, kur e ka pasur pushim. I ka të gjitha! Të gjitha ato që i duhen që populli i vetë të rrojë në paqe, të ketë mirëqenie.

Pse Zoti ka qenë kaq bujar me Shqipërinë dhe Shqipëria, sot nuk është dot aq bujare me vajzat dhe me djemtë?

E ka penguar mbrapshtia robit. E kanë penguar ata, të cilët e kanë udhëhequr në momente të ndryshme të historisë së saj dhe që u kanë ofruar njerëzve rrugët e shkurtra, por që e kanë nxjerr gjithmonë këtë popull gjatë. E kanë penguar në momentet kur shqiptarët të lodhur, të dërrmuar, të zhgënjyer, të pakënaqur kanë thënë varja, të shkojmë pas këtij që thotë dum babën.

Për të mos u zgjatur shumë me historinë këtu ka plot të rinj, vajza e djem që mbase kanë lindur në vitet 2000, kanë lindur në ato momente kur prindërit në mes të viteve ’90-të kanë përjetuar një nga tmerret më të mëdha që erdhi si pasojë e njërit prej gëzimeve më të mëdha. Gëzimi i daljes në rrugë, sëbashku me këngë e me valle për të pritur Rapush Xhaferin, që vinte me makina, me bori, me dasmorë e me para dhe të cilit njerëzit ja shtronin rrugët me sheqer. Zbriste gjenerali dhe i vinin rrotull me këngë e me valle dhe gjenerali ju thoshte “erdha t’ju sjell sihariqin e madh, nuk keni nevojë që të punoni më. Mjafton që të më jepni mua 1 dhe javën tjetër ju jap 2”. Dhe filluan njerëzit të marrosen, filluan të shesin bagëtitë, të shesin shtëpinë e vjetër me idenë që, duke i dhënë lekët e shtëpisë së vjetur, Rrapushi do t’i bënte shtëpinë e re. Filluan njerëzit të mbushin kafenetë e klubet dhe të shijojnë jetën në diell se jeta u bë qejf, jeta u bë fushore, jeta u bë fushë me lule. Papritur e pakujtuar, momenti kur po prisnin të merrni dy nga ato që kishin dhënë përsëri e përsëri, ju erdhën të dy gishtat mu në sy dhe i qëruan të gjithë. E të gjithë filluan të gjithë të ulërinin si të verbër që kishin humbur dritën e syve mes flakëve që i kishin vëne vetes, se shkuan për t’i rënë shkurt. Besuan që mund të ngjitesh në majë duke ndenjur ulur, duke ndenjur këmbë mbi këmbë apo mund të ngitesh në majë duke u shtrirë dhe fjetur gjumë e një çudie e madhe të ta sjelli majën tek krevati, tek klubi, tek kafeneja aty tek rruga, që ti të mos mundohesh fare. Kështu nuk ka!

Prandaj zgjedhja me 25 prill është kaq e rëndësishme.

Në ndërkohë pandemia na ka stresuar, tërmeti na ka tronditur. Tërmeti e pandemia bashkë patjetër që na kanë lodhur, na duket se gjithçka është e mbuluar nga një re gri, por ndërkohë reja është carë, dielli ka filluar të shkëlqejë, rrezet e dritës kanë filluar të hyjnë nëpër shumë shtëpi ku qindra, mijëra gjyshe e gjyshër, nëna e baballarë kanë filluar të buzëqeshin, të lehtësuar se e nxorën nga shtëpia ankthin e tmerrshëm që mund të binin në duart e armikut të padukshëm. Qindra e mijëra gjyshe e gjyshër kanë filluar përsëri të gatuajnë për nipërit e mbesat që nuk i takonin dot sepse rrinin mbyllur për shkak se larg qoftë, duke takuar nipërit dhe mbesat mund t’i merrte jetën dashuria.

Sot, kjo lodhje, kjo mërzi, kjo situatë kërkon përgjigje në 25 prill. Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët? Të bien pre e këtyre ndjenjave dhe kësaj ndjesie apo të ndihen vërtetë krenarë që me forcën e karakterit, me forcën e bashkimit, me forcën e durimit, me forcën e jashtëzakonshme të besimit ia dolëm aty ku shumë vende të tjera nuk po ia dalin dot. Ne ia dolëm të qëndrojmë përballë pasojave katastrofike të një tërmeti të jashtëzakonshëm. Ia dolëm që të qëndrojmë përballë sulmit të tmerrshëm të një virusi, duke qenë sot, ndër të parët në Europë për ritmin e vaksinimit e ndër të parët  në Europë ku buzëqeshja ka filluar të shpërndahet në fytyrat e njerëzve.

E pra, kur ne ia dolëm kundër pasojave të tërmetit, kundër armikut të padukshëm, si nuk ia dilkemi Shqipërisë, njëri-tjetrit, ekonomisë dhe zhvillimit?

Na duhet vetëm të rezistojmë, na duhet të tregojmë karakter, na duhet të mos biem pre e sirenave joshëse e atyre që thonë je e dashuruar me këtë djalin, por nuk keni të ardhura shumë e doni të krijojmë familje, martohuni se ju jap lekë unë. E keni dëgjuar kur thotë, kaq lekë për çiftet e reja, kaq lekë për çiftet në moshë mesatare, kaq lekë për bizneset e vogla. 1000 euro në muaj për çdo biznes të vogël. Nga do vijnë këto lekë?

Këto lekë, miqtë e mi, vijnë vetëm nga ai hon që bashkëjeton brenda shqiptarëve dhe nga ku zërat e të shkuarës, zërat e manipulatorëve, zërat e sharlatanëve, të haxhi qamilëve, të rrapush xhaferrëve rikthehen në forma të ndryshme, paraqiten si njerëz të ndryshëm, por janë po ato zëra që na kanë penguar që ne të ngjitemi aty ku e meritojmë. Janë po ata zëra që duan përsëri të na rikthejnë aty ku nuk e meritojmë.

Zgjedhja është shumë e qartë. Në 25 prill, ose për Shqipërinë aty ku të gjithë e meritojnë, ose kundër Shqipërisë aty ku ne nuk e meritojmë, populli nuk e meriton. Nesër do jetë shumë vonë.

Atyre që më thonë “çfarë keni bërë?”, se na tregoni Beratin, na tregoni Vlorën, Malësinë e Madhe, por njerëzit nuk hanë sheshe, t nuk hanë trotuare, drita, aeroporte, porte, njerëzit duan bukë.

Ne kemi filluar të bëjmë e po bëjmë përditë pikërisht atë që nuk është bërë kurrë më parë, sepse, nëse shumë vite më parë do të kishte filluar kështu, sot do ishim ku e ku. Të gjitha këto sjellin atë bukë, pra, mirëqenie që ne të gjithë kërkojmë. Nëse rruga do ishte po ajo, nëse Berati do ishte po ai, nuk do ishin shtuar gjithë ato hotele dhe sipërmarrje.

Të gjitha nuk janë aq shumë sa duhet të jenë e për t’i bërë aq shumë sa mund e duhen, duhet të vazhdojmë të punojmë. Unë nuk di një rrugë tjetër.

Unë nuk di të vij dhe t’ju them votoni për Partinë Socialiste e ne do t’i japim lekë kujtdo që do lekë. Unë di të them votoni për PS-në dhe ne do krijojmë punë, duke bërë gjithmonë e më shumë punë dhe duke e sjellë Shqipërinë në atë pozitë ku kushdo që do të fitojë përmes punës, të ketë mundësinë të fitojë përmes punës, duke i dhënë mundësinë të gjithë atyre që jetojnë në këtë qark të bekuar që, qofshin pranë tokës, qofshin pranë lumit, qofshin pranë qytetit apo brenda në qytet, të kenë mundësi që nga gjithë ky thesar që Zoti ia fali njerëzve të kësaj zone, të prodhojnë pasuri. Ndërsa pasuria që prodhohet ashtu sa hap e mbyll sytë, është një pasuri që në fund të përvëlon fytyrën dhe të përvëlon familjarisht. Ajo që prodhohet çdo ditë, me punë është ajo që i ngre lart popujt i ngre lart kombet, i ngre lart vendet.

Prandaj pa u lodhur, pa u mërzitur, pa u stresuar, ose duke u lodhur, duke u mërzitur, duke u stresuar dhe duke rezistuar, ne të vazhdojmë të ngjitemi sepse jemi duke u ngjitur. Ngjitja bëhet gjithmonë e më e vështirë, por është maja ajo që na takon të arrijmë e është maja ajo që kemi jo vetëm amanet nga të parët tanë, por që i kemi borxh të gjithë fëmijëve tanë.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm