Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në 25 prill Skrapari voton me referendum për të çuar deri në fund punët e nisura

Të reja

Në 25 prill Skrapari voton me referendum për të çuar deri në fund punët e nisura

16 Apr 2021    

Këndi i fjalës në Skrapar - Rruga drejt 25 prillit -

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Programi ishte për të ardhur në Berat, për arsye të nevojë për të qenë më pas në Durrës, ndërkohë ishin disa takime dhe intervista në Tiranë. Mbrëmë në 10 të darkës, Nasipi më tha po nuk ndalove në Skrapar, s’ke ardhur as në Berat. Me shumë kënaqësi erdha, sepse këtu është vendi i duhur dhe koha e duhur për të folur pak më gjatë për Ilir Metën.

Ilir Metës, unë i jam falënderues sepse më ka bërë të njihem me një nga eksperiencat më të bukura që njeriu mund të ketë në gjithë Shqipërinë, me kanionet. I jam falënderues sepse ka qenë ai që më ka futur në shtëpitë tuaja. Nuk do doja kurrë që gjërat mes Ilir Metës dhe familjes së madhe socialiste dhe progresiste të kishin arritur në këtë pikë. Në këtë pikë ku s’ka kthim mbrapa.

Në vitin 2009, Skrapari nuk e votoi, Skrapari e bekoi Ilir Metën. Skrapari i dha Ilir Metës një bekim shumë të madh në një betejë, të cilën ai e nisi për arsye të asaj kohe, në një betejë ku u duk sikur partia që ai krijoi ishte aty, për t’iu dhënë hapësirë dhe vend shumë njerëzve të mirë, të ndershëm, punëtorë e shumë të rinjve që nuk ndiheshin mirë, që nuk ndiheshin të përfshirë, që nuk ndiheshin në shtëpinë e tyre më, në Patinë Socialiste, që pas shumë vitesh ishte mbyllur e që kishte hyrë në një proces, le ta themi hapur, plakjeje dhe lodhjeje.

 Në atë kohë, sfida që bëri Ilir Meta ishte një sfidë shumë e madhe dhe në atë sfidë ishte Skrapari, fuqia që i dha atij një shtytje shumë të rëndësishme për të mos e humbur sfidën. Bashkë me të ishte edhe Spartaku në 2005-ën. Ishin dhe shumë të tjerë. Pastaj gjërat ndryshuan me ndikimin e Spartakut, me ndikim e shumë miqve të tjerë, por edhe timen, për t’i dhënë të majtës shqiptare, për t’i dhënë gjithë komunitetit socialist dhe progresist një mundësi të re. Ne u bashkuam dhe fituam.

Përsëri u ndamë dhe kthehem prapë tek viti 2009, aty ku e nisa. Ishte Skrapari që qëndroi dhe i tha  vazhdo. E çfarë bëri Ilir Meta?

Bëri të pabëshmën për Skraparin, në radhë të parë. Shkoi dhe u bashkua me Saliun. U bashkua me një forcë, e cila me Skraparin s’ka pasur, s’ka dhe s’ka për të pasur kurrë asnjë lidhje të brendshme, asnjë lidhje shpirtërore, asnjë lidhje të asnjë lloji forme, përveç asaj lidhjeje që krijohet natyrshëm në një shoqëri pluraliste, ku ka gjithmonë një pjesë shumë të vogël që shkon në anën tjetër.

Ilir Meta ktheu Skraparin në një zonë ku peshorja u përmbys. Gjërat shkuan si shkuan. Përsëri, me vullnet të mirë, me dëshirë të mirë, me bindjen që në fund të ditës, gjërat personale, mosmarrëveshjet apo përplasjet personale janë shumë të vogla përballe interesave të mëdha të vendit, u realizua një tjetër bashkim dhe dihet si shkoi rezultati. Në atë bashkim, ne krijuam një qeveri shumë të fortë, me një mbështetje shumë të fortë në parlament. Në atë qeveri, unë kam pasur mundësinë që të punoj me Nasipin, të cilin më parë nuk e njihja.

Koha e deshi që në atë qeveri ne të ndërmerrnim reformën më të vështirë, reformën e reformave që më parë askush s’kishte guxuar ta imagjinonte e jo më ta ndërmerrte dhe t’i shkonin deri në fund. Nasipi e di shumë mirë sesa e  vështire ka qenë. Ai ka qenë dëshmitari sesa shumë lëvizte toka nën këmbët e asaj mazhoranca, sa më shumë ne shkonim drejt përfundimit të paketës së reformës. Kur paketa e reformës mori  trajtën thuajse përfundimtare, filloi krisja. Unë i jam shumë mirënjohës Nasipit, i cili në asnjë moment nuk e reflektoi në punën e tij si ministër Drejtësie, krisjen që ndërkohë kishte filluar mes meje dhe Ilir Metës. Në fakt, mes Ilir Metës dhe reformës në drejtësi. U arrit në pikën ku gjërat u ndanë shumë qartë, o Ilir Meta do votonte, o do prishej maxhoranca. Nuk kishte asnjë mundësi për mua  dhe për pjesën tonë të maxhorancës që ne të bënim kompromis në dëm të reformës. Ilir Meta më ka thënë duke parë detin atje në Lalëz. E shikon detin? Sikur Flota e 6-të amerikane të vijë këtu, - tha - dhe t’i drejtojë të gjithë tytat nga shtëpia ime, ajo reformë nuk kalon. Unë i thashë që Flota nuk do vijë dhe në fund fare, ti do shkosh ta votosh reformën. Më mirë bëhu pjesë dhe mos shit dëngla lart e poshtë dhe mos u identifiko si personi që je problemi sesa edhe identifikohesh si personi që je problemi, edhe duhet të vish ta votosh se s’ke ku shkon. Cila flotë do vijë për ty?

Në fakt nuk pati nevojë as për flota e as për helikopterë. Iliri e ka këtë, që kur i nxehet gjaku, imagjinon vetëm forca ushtarake që lëvizin rreth e rrotull dhe heronj që ngrihen nga varri dhe aeroplanë që vijnë për të sulmuar.

Ju e mbani mend. Ka qenë një ditë e shënuar në historinë e demokracisë shqiptare dhe pavarësisht se procesi i transformimit të asaj që ne kemi miratuar në ligj, në një sistem drejtësie që jep drejtësi, është një proces më i gjatë nuk diskutohet, por ka qenë një ditë historike dhe në atë ditë ka qenë një pamje e paharrueshme për mua. Unë nuk kam parë në Parlamentin e Shqipërisë, as më parë e as më pas, deputetë që të ngrënë kartonin jeshil lart dhe kokën ta mbajnë poshtë.

Domethënë, një votim nga një hall i madh që nuk e kishte krijuar Flota e 6-të amerikane. Vetëm një mesazh shumë i qartë, ose me ne, ose kundër nesh.

Megjithatë, reforma kaloi, erdhi momenti për të zgjedhur presidentin. Unë dua ta sqaroj këtu, se është vendi për ta thënë qetësisht dhe qartësisht. Shumëkush sot më thotë “ti e zgjodhe Ilir Metën president, nga ty e kemi këtë peshqesh”.

Madje edhe kur Ilir Meta imiton Vojo Kushin në konferencë shtypi, njerëzit thonë Edi Rama është autori i kësaj shfaqjeje. Ai nxjerr edhe Vojo Kushin mbrapa, pikturën e Sali Shijakut dhe njerëzve u duket se Vojo Kushin  mbrapa e ka bërë Sali Shijaku, kurse Vojo Kushin president e ka bërë Edi Rama.

Jo, nuk është e vërtetë! E vërteta është shumë e thjeshtë. Në atë moment, ne duhet të zgjidhnim presidentin. Ju e dini si ishte situata, Lulin e kishim në çadër, bashkë me tërë atë dynjallëkun e tij. Luli në çadër thoshte “Rama ik” se unë nuk dal. Është e vjetër kjo histori. Aman ik se unë nuk dal. Ilirin kishim brenda, nuk kishim njeri tjetër dhe Iliri kishte votat. Pa votat e Ilirit nuk bëhej presidenti.  Nuk është se ne kishim votat dhe unë thashë të çojmë Vojo Kushin ta bëjmë president. Unë e di që ai nuk është Vojo Kushi, në radhë të parë dhe ai e di që nuk është Vojo Kushi, prandaj i është qepur Vojo Kushit të shkretë, që shqiptarët të kujtojnë se ky është Vojo Kushi.

E imagjinoni dot të dekorosh Heroin e Popullit! Heronjtë e popullit janë perëndia në tokë për një komb. Si mund të dalë një president që është aty 5 vjet dhe i jep Heroit të Popullit dekoratë! Heroi i popullit është në Varrezat e Dëshmorëve, ky i jep dekoratë. Çfarë e bën, Mjeshtër Sporti, meqë Vojo Kush ishte sportist? Apo Mjeshtër të Punës? Është njësoj si një prift të dekorojë Zotin, sepse do të identifikohet me ta. Sa herë e kap ankthi shpërndan dekorata për heronjtë e popullit. I duket sikur do vijnë heronjtë dhe ky do t’ju prijë. Kjo është tragjedia e Ilir Metës.

Ajo që vlen për historinë që po tregoj është që Ilir Meta ishte aty me votat e tij dhe ishte kandidati më i mirë. Unë e kam thënë në atë kohë,  për t’i dhënë opozitës presidentin. Ne nuk mund të gjenim  një kandidat më të mirë për opozitën sesa Ilir Metën. Opozita ishte në çadër, presidentin e mori në sallë.

Natyrisht nuk e imagjinoja, t’ju them të drejtën, deri tek Vojo Kushi. Nuk e imagjinoja që Ilir Meta do katandisej në pikën që do shëtiste Shqipërinë duke mbajtur torba me dekorata në bagazh. Kurrë nuk e kam imagjinuar! Sidoqoftë ishte e qartë që ishte një president për opozitën.

Historia më pas dihet si ka rrjedhur. Çështja është, çfarë duhet të bëj më shumë Skrapari për Ilir Metën? Pa Skraparin Ilir Meta do ishte askushi, pa skraparllinjtë Ilir Metën nuk do e njihte njeri. Ishte ky vend që e bëri Ilir Metën, Ilir Meta. Por sot është po ky vend që duhet t’i thotë Ilir Metës e ke tepruar. Është koha të shikosh punët e tua, se me punët e vendit më nuk duhet të përzihesh sepse është i vetmi në historinë e Shqipërisë, në dijeninë time dhe në historinë e Ballkanit, 30 vjeç kryeministër, 40 vjeç Kryetar Kuvendi, 50 vjeç President i Republikës. Të tria!

Këto janë tre institucionet, rolet, figurat më të larta të shtetit në Kushtetutën e Shqipërisë. Kryetar i pushtetit ekzekutiv, kryetar i pushtetit legjislativ dhe kryetar i popullit shqiptar. Simboli i unitetit, garanti i të gjithëve, babai i kombit. Por një shtëpi nga ku babai del në lagje dhe çmend lagjen, merr masa për babain. Nuk lihet babai të bëhet loloja i lagjes, çdo ditë. Mblidheni në shtëpinë e tij, në sensin e shtëpisë në lidhje me atë që ju keni në dorë, sepse ju e keni çuar Ilir Metën atje. Ilir Meta pa ju do ishte askushi. Ju e keni çuar atje, tani e ngjitët në një majë, e ngjitët dhe në majën tjetër, e ngjitët dhe në majën më të lartë, tani atje lart ka vënë ulërimën. Tani zbriteni nga ajo majë, komplet.

Ai në fakt ka kohë që flet për një referendum të madh. Tani është gjetur edhe vendi i referendumit. Do bëhet në Vlorë. Lërjani Vlorës referendumin, por këtu, kush ju vjen e ju thotë voto LSI-në, thuajini, për çfarë ta votojmë LSI-në? Ne nuk njohim LSI-në, ne njohim Ilir Metën dhe kush vjen këtu në emër të LSI-së duhet të shkojë të na ndihmojë ne, që Ilir Meta të zbresë nga maja e të shkojë në shtëpi.

Nëse ka akoma një afeksion për të, unë jam i bindur që shumë nga ju këtu ndjeni keqardhje. Jam i bindur që shumë nga ju sot do donit që filmi të kthehej mbrapa, do donit të më shikonit mua këtu, bashkë me Ilir Metën. Jam i bindur që shumë nga ju që jeni këtu jeni në vështirësi, sepse ju ka vënë në pozitë të vështirë. Është njësoj si ajo familja që babai del rrugëve dhe njerëzit thonë, po mirë ky i shkreti iku, po këta pse nuk e marrin ta tërheqin këtë.

Ju keni në dorë një gjë shumë të rëndësishme, që ta ndihmoni Ilir Metën, ta ndihmoni realisht sepse në fund të fundit, politika shkon e vjen  dhe ka një fjalë shumë të bukur, politikanët mendojnë për zgjedhjet e ardhshme, burrat e shtetit mendojnë për gjeneratën e ardhshme dhe politikanët që mendojnë për zgjedhjet e ardhshme janë si Ilir Meta. Ai është më i miri ndër politikanët që e kanë mendjen tek zgjedhjet e ardhshme, sepse nga një farë që e hodhi këtu, me emrin LSI, ngriti një rrap të madh, për hir të vërtetës dhe LSI-ja u bë një forcë që vetëm rritej e rritej, duke u ngjitur mbas partisë më të madhe dhe duke marrë copa-copa nga trupi i partisë së madhe. E kanë provuar të dyja partitë e mëdha këtë. Është një peshk që quhet peshku pilot. Është peshku më i shpejtë sepse ka buzë shumë të trasha. I ngjitet një anijeje dhe anija e çon matanë dhe i lë mbrapa gjithë peshqit e tjerë.

Partia Socialiste, anije për peshkun pilot të LSI-së nuk bëhet më, por nuk është ky problemi se nuk kemi ardhur këtu të diskutojmë këtë. Problemi është që LSI-ja nga një risi në politikën shqiptare, nga një forcë që ju dha shumë shpresë, shumë mundësi shumë të rinjve, shumë socialistëve të zhgënjyer me partinë e tyre, shumë njerëzve që meritonin të kishin më shumë vëmendje, të kishin më shumë respekt nga Partia Socialiste dhe nuk e kishin, në mollën e kalbur që kalb gjithë arkën se u çmendën të tërë.

Më vinin njerëzit e Partisë Socialiste e më thonin, ta bëjmë si ata të LSI-së, vende pune këtu, vende pune atje. U çmend dhe Partia Socialiste, duke u futur për vende pune. Edhe ata të PD-së u çmendën fare. Partitë e mëdha, kur imitojnë partitë e vogla, ose partitë le të themi të mesme se ajo u bë parti e mesme. Ilir Meta u çmend dhe thoshte do bëhej forcë e parë. Tani thotë Monika do marrim 40 deputetë. Do i marri 40 se mund të merrte dhe 60, por do i lëri edhe Lulit ca deputetë. U bë molla që kalb gjithë arkën dhe sot Partia Demokratike, krahasuar me 2017-ën, është rritur sepse shumë nga demokratët që vajtën pas peshkut pilot, po kthehen në anije, por ama, largimi i kësaj molle nga arka është misioni i të gjithë atyre që votojnë më 25 prill, është mision.

Më besoni, kjo nuk ka lidhje me numrat. Partia Socialiste do t’i fitojë zgjedhjet, do ketë shumicën absolute, do vazhdojë të qeverisi Shqipërinë e kjo nuk diskutohet. Por kjo mollë e kalbur përfundimisht duhet flakur jashtë nga arka, sepse i ka prekur edhe mollët e tjera.

Sëmundja e madhe që LSI-ja futi në politikën shqiptare është prezentë edhe tek PS-ja. Ata të PD-së janë histori më vete, duan makina, flamuj, me dy gishta, shtrojnë rrugët me sheqer, vjen Luli e janë në rregull.

Është një sëmundje që ka prekur jo vetëm politikën, por edhe shumë njerëz që meritojnë shansin të punojnë për shtetin të mos munden, sepse duhet të kalojnë nga partia. Shumë të rinj që duan të kontribuojnë në Shqipëri e për Shqipërinë, që i kanë aftësitë janë tërhequr, ose ikin fare, ose s’dinë nga të shkojnë sepse nuk duan të futen në atë kanalin e tmerrshëm që hap Ilir Meta. Nëse ne duam të ndërtojmë dhe duam ta ndërtojmë një administratë serioze që ti shërbejë të gjithë shqiptarëve, që të ketë njerëz të zgjedhur të këtij vendi, jo nga partitë. Kjo mollë e kalbur përfundimisht duhet flakur.

Kemi bërë punë të mira me LSI, në bashkëqeverisjen e 2013-s, por unë e di si e kemi bërë. Ne reformat, ata trupin tonë. Edhe rriten patjetër. Në LSI, unë kam parë jashtëzakonisht shumë njerëz të vlefshëm, kam parë plot njerëz me zemër dhe me shpirt aty, jo njerëz të futur e të rekrutuar sepse besuan shumë dhe arsyeja se pse ne sot në Berat jemi kaq shumë këtu dhe do jemi shumë më tepër atje, sepse natyrisht është një vend me më shumë njerëz afër vendit ku do bëjmë takimin është sepse po kryhet më në fund atë proces përfundimtar i bashkimit të familjes sonë se u bëmë si shtëpi të çmendurish, bashko ndahu, bashkohu çohu në mëngjes, iku ku iku? Ka ikur te komshiu. Bashkohu ha darkë festo, çohu në mëngjes, iku te mullixhiu. Po prit se u bëmë shtëpi e marrë. Dhe nga kjo përfitonte gjithmonë Saliu. Thotë Saliu kemi fituar. Çfarë ka fituar  Saliu? Saliu ka fituar vetëm njëherë Partia Demokratike në historinë e vet në ’92-in. Ka fituar në 2005 sepse u nda kjo familje. Fitoi në 2009-ën se kjo familje na iku tek mullixhiu prapë. Për sa kohë kjo familje rri e bashkuar, për aq kohë Shqipëria është në duar të sigurta dhe nuk ka forcë që e përmbys fuqinë e bashkimit të kësaj familje.

 Kjo është fare e qartë. Tani arriti në fazën e degradimit përfundimtar. Shikoni çfarë ndodh. Është ngushtuar rrethi i kandidatëve dhe përfaqësuesve të asaj partie tek krushqia, tek barku i shtëpisë. E pushkatuan Luan Ramën në mes të Vlorës. Luan Rama është dhe i veteranëve të luftës. Luan Rama u bë simbol i gjallë i asaj këngës “Mora pushkën dola malit, të luftoja për atdhe Ku ta dija unë i shkreti se armiku ishim ne”.

Iku, e pushkatoi në mes të Vlorës, me ferman të Peço Vasilit. Për çfarë e pushkatoi? Tradhtar.

Tani është koha që në 25 prill, sepse këtu ku jemi sot, jemi falë punës që kemi bërë se nuk ishte kështu këtu kur vije. Ka plot vende të tjera që kanë ndryshuar, por që duhet të ndryshohen edhe më shumë sepse unë mendoj që ky vend, ia kam thënë dhe Ilirit atëherë kur pashë kanionet, ky vend është bërë nga Zoti për të qenë një vend ku njeriu të jetojë në paqe dhe mirëqenie bashkë me fëmijët e tij sepse Zoti ia ka dhënë të gjitha, por robi nuk e ka lënë. Me gjithë këtë transformim që vjen menjëherë pas daljes nga tuneli i pandemisë, me gjithë ato porta që do i hapim Shqipërisë nga deti dhe nga qielli, porte të reja turistike, aeroporte të reja, numri i turistëve në Shqipëri do rritet në mënyrë marramendëse dhe turistët jo vijnë, jo thjeshtë për tu larë në det, por do vijnë, do shkojnë më thellë e do kërkojnë dhe këtu është një vend i bekuar qoftë për kanionet, qoftë edhe për agroturizmin. Këtu është vendi për t’u thënë të gjithë atyre që kanë ikur a në Tiranë a në emigracion që të hapin shtëpinë e gjyshërve për ta bërë bujtinë, për të mikpritur njerëz, për të pasur të ardhura.

Sa vende të mrekullueshme janë në thellësi të Italisë? Italia njihet për plazhet, por në thellësi të Italisë janë vende të mrekullueshme që jetojnë me agro-turizëm, me mikpritje, që jetojnë me bukuritë e natyrës që u ofrojnë turistëve që vijnë, me ajrin e mrekullueshëm, me historinë. Çfarë na mungon këtu? Asgjë tjetër përveç bashkimit dhe ecjes përpara. Të bashkuar dhe përpara.

Në mbyllje, se do doja të flisnim pak më gjatë por po të kisha një gotë rakie këtu do e ngrija me shumë sinqeritet për shëndetin e Ilir Metës dhe të familjes së tij.

Kam ngrënë bukë me këta, nuk dua t’i shoh keq. Dollinë e dytë do e ngrija për referendumin e Vlorës dhe për votën 25 prill të Skraparit që të jenë një referendum dhe një votë që t’i thonë Ilirit “Boll se na turpërove, zbrit nga maja”.  Ndërkohë, keni dëgjuar se ju këtu merreni me politikë. Jeni një nga komunitetet më politikanë të Shqipërisë, e njihni mirë politikën, prandaj e çmendët gjithë dynjanë me Ilir Metën dhe mbajtët gjithë politikën në vorbull atje në Tiranë. Atje në Tiranë kujtojnë se i kanë ata në dorë, por jo është këtu. Çoje Ilir Metën atje dhe bëje çorap 20 vjet. Si popull politikan që jeni, me siguri e keni dëgjuar këtë të fundit që unë jam gati të bashkëpunoj miqësisht me Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike, me kusht që të ndahej nga Berisha dhe Meta. Ky është kusht. Natyrisht që ai nuk ndahet dot nga ata, por ajo që unë dua të them këtu dhe ta dëgjojnë të gjithë është se unë dua pas 25 prillit të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve jo thjeshtë tek puna, sepse tek puna, i gjithë shqiptarëve kam qenë se qeveria për të gjithë shqiptarët punon, por të jem kryeministër i të gjithë shqiptarëve edhe tek goja. Do më duhet punë me veten por është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë çmos që politika të mos i shqetësojë kaq shumë sa i shqetëson deri në fund nënat dhe gjyshet e këtij vendi. Se ato janë të parat që e ndjejnë shqetësimin kur iu futet nga televizori gjithë ajo dyndje burrash që kacafyten me njëri-tjetrin dhe që politika të fokusohet tek maja ku duhet të ngjitemi të gjithë bashkë për ta bërë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm, kampione të Ballkanit në agro-turizëm, kampione të Ballkanit në energji e bujqësi, është plotësisht e mundur.

Nuk është një ëndërr e parë në gjumë se unë ëndrrat në gjumë nuk i besoj. Unë besoj ëndrrat që shoh me sy hapur.

Shumë faleminderit dhe do kthehem shumë shpejt këtu përsëri bashkë me Nasipin dhe Baba Takon  dhe Blendin patjetër, por amanet shokun tim dhe djalin e vëllain tuaj Ilir Metën. Është rasti i fundit për ta shpëtuar dhe për ta kthyer nga Vlora në Tiranë e për mos ta lënë të përfundojë tek çmendina e Vlorës.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm