Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Në mandatin e tretë ndahet përfundmisht e ardhmja nga e shkuara

Të reja

Në mandatin e tretë ndahet përfundmisht e ardhmja nga e shkuara

04 Apr 2021    

Këndi i fjalës Fier – Rruga drejt 25 Prillit –

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Më kujtohet që këtu, në këtë platformë kemi kërcyer dhe kënduar, kemi qënë shumë më tepër se sa ç’jemi sot.

Sot jemi në një moment të jetës sonë kur duhet të mbarojmë një luftë në frontin e përballjes me armikun e padukshëm që të kthehemi përsëri në jetën e dëshiruar dhe që përsëri të kërcejmë dhe të këndojmë këtu dhe kudo nëpër Shqipëri dhe sigurisht edhe një luftë me përballjen e pasojat e tmerrshme të tërmetit që së bashku me pandeminë, na e kthyen mandatin e dytë qeverisës në një front lufte.

Shumëkush numëron dhe thotë mandati i parë, mandati i dytë, mandati i tretë. Jo, ne kemi patur një mandat qeverisës dhe pastaj kemi hyrë në një luftë, një luftë, e cila vazhdon dhe ne nuk e kemi lënë në mes, pasi ta lëme në mes do të thotë ta humbasësh.

Është shumë e rëndësishme që, ndërkohë që njerëzit tanë, njerëzit e këtij vendi kanë të gjitha arsyet për të qenë të mërzitur, për të qenë të pakënaqur për të kërkuar më shumë, të mos harrojmë se jemi në luftë dhe në 25 prill ndahet qartësisht nëse ne shqiptarët kemi vullnetin për t’i shkuar deri në fund kësaj lufte, në të dyja frontet, për të çuar përpara përpjekjen në të gjitha frontet e tjera apo nëse ne do të bëjmë, çka e kemi bërë jo njëherë në historinë tonë, duke shkuar pas berihait dhe duke e kthyer Shqipërinë me duart tona në atë gurin e Sizifit që ngjitej e ngjitej, shkonte në fund dhe fillonte nga e para.

Jo njëherë në historinë tonë jemi tërhequr nga ato sirenat joshëse të zgjidhjeve çudibërëse duke shkuar pas “haxhi qamilëve” apo “sudeve” dhe  e kemi paguar shumë shtrenjtë koston e rendjes pas berihait apo koston e padurimit për të fituar çdo ditë ato beteja të vogla që çdo komb i madh i fiton si bukën që ha çdo ditë.

Ne sot kemi të gjitha arsyet që të ndjehemi shumë të fortë përballë armikut të padukshëm. Do të vaksinojmë çdo ditë, do të vaksinojmë masivisht, do të këpusim zinxhirin e infektimeve për të lehtësuar sezonin turistik si preludin e daljes përfundimisht nga tuneli dhe për ta kthyer këtë moment të jetës sonë në një kujtim deri në vitin e ardhshëm. Por kjo kërkon këmbëngulje, kjo kërkon durim të madh. Nga ana tjetër, është shumë e qartë se ne në këtë përballje jemi në radhë të parë shumë të vëmendshëm për të vazhduar luftën edhe me shembullin tonë, edhe me kontributin tonë.

Vaksinimi pa distancimin është i pamjaftueshëm për të marrë frytet e kësaj përpjekje në një kohë sa më të shpejtë. Sepse mungesa e distancimit rrit infektimet dhe rritja e infektimeve rrit shkallën e vështirësisë dhe e zgjat në kohë fitoren e kësaj lufte. Prandaj ne jemi këtu sot, jo si çdo donim të ishim. Prandaj ne jemi këtu sot pas një vonese prej rreth gjysëm ore për të sqaruar dhe për të larguar një pjesë të atyre që ishin duke ardhur këtu, sepse me keqqardhje ne duhet të mos biem në tundimin e krijimit të vatrave të infektimit. Është papërgjegjshmëri e madhe ndaj njerëzve që për disa vota, që për pushtet që për një ambicie të sëmurë të tërheqësh ata që janë të gatshëm të vijnë dhe të qëndrojnë pranë në një rrugë ku mund të plagosen rëndë e largqoftë mund të humbasin jetën. E këto nuk janë as përralla dhe nuk janë as fantazi e shfrenuar, as shprehje e një frike irracionale, por këto janë gjëra që kanë ndodhur në fushatat elektorale të vendeve të tjera, jo shumë larg, por këtu afër në Malin e Zi.

Mali i Zi nëse ju kujtohet ishte një nga vendet më pak të prekur nga Covidi, madje ata bënin dhe reklama televizive në kanalet më të mëdha në botë, “hajdeni në Malin e zi sepse Mali i Zi s’ka  covid”.

U desh një fushatë elektorale, u desh një periudhë e shkurtër grumbullimesh dhe marshimesh absurde në rrugë për të treguar forcën, që të merrte jo vetëm jetën e atyre që marshonin, jo vetëm të çonte në spital, plot nga ata që marshonin, por edhe të rriste eksponencialisht infektimet në Malin e Zi, duke e futur vendin në një qorrsokak. Si mund ta bëjmë ne këtë?

Si mund t’u besohet më shumë atyre që e bëjnë këtë? Bëjnë deklarata “Edi Rama ka frikë kur shikon këto shfaqe masiviteti që tregojnë se ka një uragan fitoreje”. Unë kam vërtetë frikë kur i shoh ato grumbullime, por kam frikë për shëndetin e atyre njeerzve. Disa prej tyre që i kanë prirë atyre grumbullimeve, fatkeqësisht janë infektuar por dy apo tre javë i duhen armikut të padukshëm që të të kapë fytin, të marrë frymën dhe të çojë në spital. E sinqerisht uroj shumë që të mos ndodhë atyre që shkojnë pas berihait. Ndërsa për frikë tjetër s’kam as unë dhe s’ka askush se çfarë të ketë sepse është shumë e qartë ajo që po vjen në 25 prill.

Ne jemi shumica dhe ne do të jemi shumica.

Jo sepse ne jemi të rënë nga qelli, as sepse ne jemi të pagabueshëm, as sepse gjërat i kemi bërë mirë, as sepse kemi bërë çdo gjë që kemi dashur të bëjmë. Por ne jemi shumica dhe do të jemi shumica sepe ne përpiqemi, ne luftojmë, ne nuk flemë gjumë, ne nuk ndalojmë. Në këto vite kaq të vështira, ne kemi arritur të fusim çdo sektor tjetër të vendit tonë në drejtimin e duhur dhe të bëjmë të mundur një kthesë të madhe që vazhdon duke e ndarë Shqipërinë nga e shkuara e rrumpallës, e papërgjegjshëmrisë e paligjshmërisë, e “o mete për vete”-s dhe këtë e tregon çdo sektor, çdo qytet.

Shikoni Fierin, ku krahasohet Fieri sot me Fierin dje, në cilën pjesë? Por kjo nuk do të thotë që Fieri sot kudo është bërë po aq i bukur dhe po aq i jetushëm sa c’është bërë aty ku Rilindja Urbane ka bërë ndyshimin.

Shikoni Fierin, ku krahasohet fieri sot me Fierin dje? Ku krahasohet? Në cilën pjesë të vetën? Por kjo nuk do të thotë që fieri sot kudo është bërë po aq i bukur dhe po aq i jetueshëm sa është bërë aty ku rilindja urbane ka bërë ndryshimin. Ka akoma plot pika ku ne duhet të ndërhymë dhe për këtë arsye jemi këtu. për këtë arsye duhet mandati i tretë.  Për këtë arsye ne insistojmë që të vazhdojmë përpara e jo të ndalojmë e të kthehemi mbrapa nga e para sepse ende Shqipëria, ashtu si dhe Fieri nuk kanë arritur në pikën e pathyeshmërisë së tyre. Drejtësia nuk ka arritur në pikën e pathyeshmërisë së vetë. Mjafton një lëkundje e fortë në 25 prill për ta kthyer drejtësinë në pikën zero, për ta rikthyer gjithë atë që është bërë me kaq shumë mund e që nuk mjafton sigurisht sepse drejtësia që duam, drejtësia që meritojnë shqiptarët nuk është ende aty para syve tanë dhe para syve të tyre, por e kundërta është shumë më shqetësuese. E kundërta është e tmerrshme, që të humbasim dekada të tëra akoma duke ia rikthyer çelësat e drejtësisë në dorë Saliut, Ilirit, Monikës dhe gjithë atij tabori krushqish gjysmë të dehur që duan të rikthehen në pushtet duke thënë një fjalë që i thotë të gjitha, ata thonë se para 8 vitesh ndodhi një aksident. Fitoi PS me Edi Ramën. Do me thënë, para 8 vitesh sipas tyre populli bëri një gafë të madhe, çka tregon se ata jo vetëm nuk kanë nxjerrë mësime, jo vetëm nuk janë reformuar dhe nuk janë përgatitur për tu rikthyer mbi bazën e mësimeve të nxjerra por ata duan të kthehen për të na kthyer të gjithëve po atje, tek momenti kur ndodhi aksidenti dhe nuk është e rastit që atje vazhdon mbretëron Saliu. Ai ishte, ,ai është dhe ai do të jetë deri sa të ketë ymër në atë parti.

Më thonë, ose më thotë Luli, pse merresh me mua? Po me kë të merrem unë? Normalisht me Lulin nuk duhet të merreshim fare, sepse Luli është thejsht një kukull, është thjesht Gjinua që është vënë përpara për të krijuar idenë që ka një dasmë dhe ka një dhëndër të ri. Ndërsa ai trimi që gjuan me gurë atje tek tregimi, dihet që është Iliri. Ashtu sikundër dihet shumë mirë pse i ati i Gjinos kërkon Marigonë. Po Marigoja është Shqipëria. Shqipëria nuk mund të bëhet më plaçkë në duart e atyre që e bënë copash dhe nuk ka për tu bërë dot më plaçkë sepse Shqipëria sot ka hyrë në një fazë të re dhe Shqipërinë ne do ta ngremë në një nivel tjetër por për ta ngritur në një nivel tjetër për ta bërë të pakthyeshme jetën e vendit, duhet mandati i tretë. Mandati i tretë është një mandat për të garantuara çka kemi arritur dhe për të krijuar kushtet që të kemi arritjet që duam në të gjitha fushat.

Para se të vinim këtu, ishim me Gramozin, takuam një përfaqësi të biznesit të vogël, që është interesant, se më thonë, lëri mos u merr me ata, na thuaj planin. Plani ynë është shumë i qartë. Plani ynë nuk është një program elektoral për ti thënë njerëzve çfarë duan të dëgjojnë. Çfarë je ti? Je punëtor? Do të ulim sigurimet. Po ti carë je? Pensionit? Do të rrisim pensionin. Do ulim sigurimet, do rrisim pensionin. Do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit. Bëhet kjo? Do ulim prodhimin e domateve do rrisim prodhimin e salcës së domateve. Bëhet dot kjo? Kjo bëhet vetëm në botën e një politike që nuk ka din dhe nuk ka iman e do që të përfitojë sa më shumë nga mërzia, nga pakënaqësia por edhe nga padija. Të mërziturve e të pakënaqurve unë i them keni të drejtë, nuk diskutohet. Keni dhe të drejtë të kërkoni shumë më tepër. Keni të drejtë, sepse jo gjithçka ne e kemi bërë si duhet. Keni të drejtë sepse ndryshimi që ne kemi sjellë e po sjellim përditë nuk ka shkuar e nuk i ka prekur të gjithë. Keni të drejtë sepse vërtetë ne po transformojmë në mënyrë marramendëse një pjesë të vendit por në një pjesë tjetër akoma nuk ka rrugë. Keni të drejtë sepse vërtetë ne kemi hyrë në një transformim përfundimtar të sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm por akoma në shumë pjesë të vendit, uji i pijshëm nuk vjen 24 orë. Keni të drejtë sepse vërtetë ne e kemi çliruar një pjesë të madhe të vendit nga plehrat. Edhe këtu në Fier pas pak do të shkojmë të shohim se si është vënë në punë impianti i madh, ultramodern, i përpunimit të  mbetjeve, por jo kudo çështja e plehrave është zgjidhur. Keni të drejtë sepse vërtetë ne e kemi transformuar ndjeshëm sistemin tonë të shërbimeve duke dixhitalizuar një pjesë të madhe të tyre, duke bërë që miliona shërbime të mund të merren direkt online pa dalë nga shtëpia fare, pa shkuar nëpër radha, pa qenë të detyruar që të përballemi me lloj – lloj zyrtarucësh por ende ka një pjesë të shërbimeve që nuk janë të tilla dhe prandaj ka edhe zvarritje. Keni të drejtë sepse ne vërtetë e kemi transformuar si asnjëherë në imagjinatën më të bukur sistemin tonë shëndetësor, spitalet tona, qendrat tona shëndetësore, por për fat të keq në sistemin tonë shëndetësor nuk është një Tire që u kap por ka plot Tire që duhen nxjerrë jashtë sistemit. Keni të drejtë sepse vërtetë lufta kundër kriminalitetit dhe shifrat flasin ën mënyrë ulëritëse për më shumë se sa përgjysmimin e vrasjeve, për uljen e numrit të aksidenteve dhe për përparim në të gjithë ato zëra me të cilat matet niveli i rendit publik në një vend por ende nuk jemi në atë situatë ku njerëzit të jenë të qetësuar përfundimisht nga ato lajme që sigurisht nuk janë të mira. Keni të drejtë sepse vërtetë ne e kemi transformuar nivelin e parë të sistemit tonë arsimor. Fëmijët tanë sot nuk janë më të detyruar të marrin mësim me lloj – lloj librash, të prodhuar nga lloj – lloj sharlatanësh dhe të botuar nga lloj – lloj zinxhirësh korrupsioni të lidhur me qeverinë apo sot fëmijët kur shkojnë në maturë e kanë të qartë që do të hyjnë aty ku meritojë por ama, ka akoma punë për të bërë që sistemi ynë arsimor të jetë në të gjitha pjesët e veta një sistem arsimor i njëjtë, me sistemin arsimor që kanë vendet europiane. Nuk po them më të zhvilluarat europiane por po them mesatarja europiane. Keni të drejtë sepse vërtetë ne mbyllëm universitetet. Universitete fantazmë që prodhonin diploma fallco e nxirrnin mijëra të rinj në rrugët e papunësisë dhe të mungesës së shpresës por ende universiteti ynë nuk është universiteti i cili i mban këtu më të mirët dhe nuk i detyron prindërit që të gjej rrugën për ti çuar ata në universitete jashtë vendit dhe kjo është arsyeja pse ne e duam mandatin e tretë, që ne të sjellim këtu universitete të huaja, që ne ta rrisim nivelin e universiteteve tona duke nxitur integrimin e tyre me universitetet e huaja, universitete ekselence. Keni të drejtë, patjetër, që edhe këtu në Fier vërtetë ne sot po e shohim me sytë tanë një spital ekselence, që do ti shërbejë jo vetëm fierit por gjithë jugut të vendit dhe më gjerë por nga ana tjetër, të rinjve që duan të studiojnë mjekësi, më të mirëve që dalin nga gjimnazet e Fierit. Ne i dëgjojmë dhe duam tu japim një alternativë mundësish këtu, pse mos ndërtojmë këtu në Fier një universitet të dedikuar për mjekësinë dhe për infermierinë, por një universitet ekselence. Një universitet të lidhur me spitalin, një universitet të lidhur me sistemin universitar ndërkombëtar, me Turqinë pse jo? Ashtu sikundër pse jo në Shkodër, universiteti Luigj Gurakuqi të mos jetë një universitet i lidhur me një universitet ekselence në Itali? Pse jo universitet i Vlorës po ashtu? Pse jo universiteti i Gjirokastrës po ashtu? Pse jo të gjitha këto ? përgjigjen e kanë të thjeshtë. Patjetër që po, por si bëhet kjo? Kjo bëhet duke vazhduar rrugën që kemi nisur kjo bëhet duke vazhduar punën që kemi nisur, ,kjo bëhet duke vazhduar të luftojmë dhe mbi të gjitha kjo bëhet duke u siguruar që armiku i padukshëm është mundur që pasojat e tërmetit janë neutralizuar të gjitha, që të gjitha ato familje që akoma presin të hyjnë në shtëpi, në një apartament, ,në ato lagje të reja që po ndërtojmë, të kthehen në shtëpi. Kush do ti bëjë këto? Kush do vazhdojë ta vaksinojë popullin shqiptar? Ne kemi siguruar doza vaksinash të konsiderueshme por nuk kemi siguruar të gjitha vaksinat. Kush mendoni ju se do ti sigurojë të gjitha vaksinat? Ata që kanë në krye dikë që përditë nga ajo gropa e tij dixhitale ju bën thirrje të mos vaksinoheni se vaksina do vdesi njerëz? Ata? Harrojeni! Me ata, edhe procesi i vaksinimit që është një proces i fituar tanimë, do kthehet në një humbje. Ata do ti kthejnë në shtëpi të gjithë njerëzit në lagjet e reja që po ndërtohen? Harrojeni! Me ata, procesi i rindërtimit do kthehet në një torturë dhe në një zvarritje. Sikundër i kanë zvarritur tërë jetën e tyre sa herë kanë pasur një detyrë, të gjitha punët që kanë marrë përsipër. Me ata sezoni turistik nuk lehtësohet, jo se parafytyrojmë për një moment atë që nuk do të ndodhë, që në 25 prill ata të marrin mbështetje për tu kthyer prapë në krye, nuk mund të ndodhë por që të jemi shumë të qartë e ky mesazh i imi është për ata shqiptar që akoma ju shkojnë nga mbrapa, për ata shqiptarë që inatin për vjehrrën duan ta shfryjnë me mullixhiun. Vjehrra mund të ketë arsye për ta pasur inat por deri tek mullixhiu është pak si tepër. Kështu është edhe kjo puna jonë. Ata mund të kenë arsye që të mos ta shohin me sy Gramoz Ruçin ose mua ose Partinë Socialiste por kjo nuk ka lidhje me syrin. Kjo ka lidhje me interesin e përditshëm të tyre vetë. Është gjëja më e kollajshme për syrin, hiqe televizorin nga fytyra ime apo nga fytyra e Gramozit, shko tek ajo Përputhen dhe rri atje por ndërkohë taksën vazhdoje ta mbash zero, TVSH-në vazhdojë ta mbash zero, fëmijët tënd vazhdo ta garantosh që kur të mbarojë maturën do shkojë në universitet në bazë të meritës së tij e nuk do ti dali përpara as djali i djalit të babës, as vajza e deputetit, siç nuk i del dot sot. Qëndro atje tek ajo Përputhen e nëse nuk bën dot pa Lulin, merrja fotografinë dhe vërja në mur. Merre po të duash dhe në murin e dhomës së gjumit, që ta bësh gjumin top. Vëre Lulin atje dhe nuk zgjohesh më. Zgjohesh pasdite, por të votosh që ti të paguash si biznes i vogël taksë ndërkohë që e ke zero dhe ta paguash 9% që Luli të flejë në Kryeministri? Po carë logjike është kjo? Ngaqë të pëlqen Luli? Po kjo, të pëlqen që të paguash taksë? Kaq shumë të pëlqen Luli që je gati çdo muaj të paguash taksë për 4 vjet? Kaq shumë të pëlqen PD-ja sa je gati të shikosh të ndalen të gjitha punët? E të ndalen të gjitha, sepse ata e thonë, kudo ku shkojnë, këtu do ta ndalim, këtu do ta rishikojmë, këtu do ta përmbysim këtu do ta shkatërrojmë, këtu do ta fillojmë nga e para. A ka më kohë Shqipëria për tu marrë me këta? Po ka më sens që pas 30 vitesh të hyhet prapë në dasmë si në kohën e Sudes e të Vebihut e të atij Xhaferrit? Unë besoj që nuk ka dhe nuk do të ketë sepse ndërkohë ne duam të vazhdojmë të ndërtojë aeroportet. Aeroporti i Kukësit për pak ditë do presë grupin e çunave të Londrës që nuk kanë lënë gjë pa më thënë mua sa herë thoja do bëj aeroportin në Kukës, u kam thënë do ju sjell atje, të vijnë, të votojnë dhe PD-në me detyrim. Të mos ta ndërrojnë votën por të zbresin atje.

Aeroporti i Vlorës, më në fund kemi fituesin, pas gjithë asaj torture për shkak të pandemisë që shty e shty, për pak ditë firmosim kontratën, sipas ligjit pas përfundimit dhe daljes së fituesit negociohet kontrata dhe fillon puna. Menjëherë me fillimin e punës së aeroporti të Vlorës do hapim garën ndërkombëtare për aeroportin e Sarandës e do kemi katër aeroporte e atyre që thonë nuk na duhen aeroportet, na duhet bukë, ju them që aeroportet janë fabrika buke, nuk janë stacione autobusi, sepse sjellin njerëz, njerëzit janë konsumator e kështu rritet numri i shërbimeve, për shkak të aeroportit. Është botërisht e njohur që një euro që ti investon kthehet në 23 euro minimalisht në ekonomi.

Po portet? Porti turistik i Durrësit, një investim më i madhi në historinë tonë, i huaj, nga kompania e famshëm që ka dhe portin e Dubait. Po porti turistik i Vlorës? Po të dyja këto do të bëjnë që dy portet e reja tregtare të ndërtohen në periferi të të dyja qyteteve. Duhen ndaluar këto për të çuar Lulin që të flejë në kryeministri? Duhen ndaluar këto për ti dhënë Saliut dhe Ilirit në dorë çelësat e drejtësisë nga e para? Duhen ndaluar këto për t’ia lënë portofolin peng Monikës? Për çfarë arsye? Apo duhen ndaluar për të sjellë në qeveri Agron Dukën tek pulat? Fatmir Mediun tek kapsollat e me radhë që të mos i numëroj të tërë, deri tek Shpëtim Idrizi, i cili është gati të japi jetën për Çamërinë kur del në televizor por kur fiken kamerat, të merr shpirtin nëse të çon në një punë në emër të Çamërisë si pastruese se duhet ti japësh rentën. Apo për Vangjel Dulen me vetullat e ngrysura? Për kë duhet bërë ky kthim i madh mbrapa? Për kë duhen ndalur punët e vendit? Për kë duhet kthyer dhe një herë vendi poshtë dhe përsëritur një gabim që e kemi bërë shpesh në të shkuarën? Ndërkohë që ne jemi në marrëveshje të lidhur dhe ka filluar puna me projektet për Skavicën në veri, për TEC-in e Vlorës në jug, investime që do ta çojnë sistemin tonë elektroenergjitik në një nivel tjetër sëbashku me dy parqet fotovoltaike. Ai i Karavastasë ku ka filluar puna me 100 megavat, ai i Spitallës ku mbaroi gara dhe kompania e madhe franceze do fillojë punën me 100 megavat të tjera, dhe Shqipëria në këtë mandat të tretë tonin do bëhet eksportues neto, që do të thotë nuk do vlejë më energji nga importi duke paguar para kur është thatësirë dhe nuk ka ujë lart dhe nuk do të hedhë më ujë për të përmbytur edhe njerëz kur uji është me tepri, sepse do të kemi Skavicën që do të mbajë sistemin në këmbë duke e mbledhur të gjithë ujin për ditët kur do duhet e nuk do ketë shi.

Këto duhet të ndalojnë se do vijnë këta? Që ti rishikojnë të gjitha këta? Çfarë do rishikojnë këta? Siç i kanë rishikuar gjithmonë. Shikojeni në Tiranë, po jua rikujtoj sot sepse sot po më kujtohej në fakt.

Çfarë bënë në Tiranë sa erdhën?

Shkatërruan investimin për hyrjen tek Zogu i Zi dhe sot është një na nyjet problematike.

Tani po bëjmë hyrjen tek ish Shqiponja, që është vepra më e madhe dhe më komplekse inxhinierike që është ndërtuar ndonjëherë në zonat urbane të Shqipërisë. A e përfytyroni që vijnë ata dhe e prishin nga e para.

Kujtoni se nuk ndodh?

Pse nuk ndodh, kur herën tjetër ishin po këta?

Pse nuk ndodh kur sa herë që këta kanë ardhur, nuk kanë bërë gjë tjerë veçse kanë provuar se janë po ata. Nuk janë të ndryshëm e nuk dijnë të bëjnë ndryshe. Më tregoni një punë që kanë bërë.

“Kemi futur Shqipërinë në NATO”, thonë.

Shqipërinë në NATO e kanë future Shtetet e Bashkuara. Që të jemi shumë të qartë. Ushtria jonë ka qenë, është e do të jetë një funksion i Shteteve të Bashkuara, në radhë të parë. E pastaj, sigurisht, duke qenë në NATO, edhe i gjithë NATO-s. Ky vend ka qenë, është e do të jetë një vend që do të shkojë në luftë me Shtetet e Bashkuara dhe me NATO-n si vend i NATO-s. Për gjithë modernizimin që i ka ndodhur Shqipërisë në gjithë këto vite, që është periudha më domethënëse e modernizimit, është njësoj si të dal unë tani e të them këtë gjë e bëra unë. Sigurisht, ne bëmë tonën, por këtë gjë e bën partneriteti me Shtetet e Bashkuara.

Ja ta zëmë se e po pastaj, gjithë pjesët e tjera, shëndetësia dhe arsimi, dy pika kyçe në jetën e njerëzve e të familjeve, qoftë për jetë e prindërve, qoftë për jetën e fëmijëve të tyre. A e mendoni sikur të kishte ardhur COVID-i e të na kishte gjetur me spitalet e tyre.

Guxojnë ata e flasin për spitale dhe shëndetësi!

Guxojnë vënë në pikëpyetje heroizmin e trupës sonë mjekësore, apo përgatitjen tonë për këtë ditë!

Ne do të ishim bërë jo gazi i botës, por parodia e kontinentit, si ato filmat bardhezi kur ishim të vegjël nga frika. Atëherë do shihnim çdo të thoshte të vdesin njerëzit rrugëve. Nuk kishin një autoambulancë, ndërsa sot kemi Urgjencë Kombëtare që shkon në gjithë Shqipërinë. Ky është fakt!

Do të vazhdojmë punën për t’i ngritur në një nivel tjetër, duke e marrë të mirëqenë dhe jam unë i pari që e them se nuk jemi ende në atë nivel. Apo do kthehemi prapë në kohën kur e shtynin ambulancën. Ju duket çudi të shtyhen prapë ambulancat me krahë; të fillojë prapë nga vjedhjet e naftës së makinave të policisë dhe ambulancave; të shfaqen prapë policët nëpër rrugë duke ngrënë fara; të fillojë perskutimi i mësuesve, vënia e tyre prapë në rresht për të dalë në mitingje, apo të fillojë historia “ik ti se do të vijë ky”, me mësues që pushoheshin nga puna sa hap e mbyllë sytë apo të nesërmen u thuhej do ikësh nga shkollë ku ke 10 vjet në një shkollë mbrapa diellit. Apo ju duket çudi që të fillojë prapë rekrutimi I infermiereve që nuk dijnë të bëjnë një gjilpërë.

Asgjë nga këto mos t’ju duket çudi se këta janë ata. Mos harroni, Luli dhe Partia Demokratike nuk janë të lirë, janë të kapur, të lidhur prej këmbësh nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Këtu në Fier e keni parë se ç’keni hequr. Flasim për titujt e pronësisë, kemi humbur vite me hipotekat që drejtoheshin nga ata. E pamundur! Sigurisht në kohën kur ishim me ta në koalicion janë bërë plot gjëra të mira, por e di unë si i kemi bërë, çfarë kosto kemi paguar. Ne për reforma, ata për vende pune. Për të kaluar një reformë këtëj, duhej të jepeshin 10 vende pune andej. “Më jep, të jap”, sepse ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për reformën. Ata funksionon si qelizat e kancerit. Rritja dhe shpeshtimi i qelizave të kancerit është e njohur botërisht si një rritje dhe shepshtim pa qëllim, vetëm për vetëasgjesim në fund, duke asgjesuar gjithë organizmin.

E pra, ne nuk mund të kthehemi mbrapa, Shqipëria nuk mund të kthehet mbrapa. Mandati i tretë është shumë larg së qeni për mua personalisht. Nëse do të ishte strikt për mua personalisht, në mënyrën më të ngushtë të fjalës, ju siguroj se po të mos kisha bindje absolute që ky është moment kyç për të ardhmen dhe se këtu ndahet përfundmisht e ardhmja nga e shkuara e këtij vendi, do të merresha me Zahon. Një milionë e njëqindmijë herë më i denjë sesa Luli, e lëre pastaj sa Ilir e sa Monika dhe Sali mavria. Akoma me Sali mavrinë merret Shqipëria në shekullin e 21-të!

Vota është në radhë të parë, një votë për skuadrën tonë, për Partinë Socialiste, për numrin 12. Pastaj preferencat vijnë mbrapa. Ne duhet të jemi kompaktë, të bashkuar e duhet të kuptojmë se kemi një mision që bëhet më i vështirë, jo më i lehtë. Është shumë më e lehtë ta thyesh herfën e parë një rekord, shumë më e vështirë herën e dytë dhe edhe më i vështirë herën e tretë, se duhet më tepër punë, shumë më tepër këmbëngulje, shumë më tepër durim. Ne, llozhërat e mëdha i kemi pastruar, tani duhet të ngjisim shkallë të tjera. Jemi në ngjitje dhe sa më shumë ngjitesh drejt majës ku ke vendosur të arrish, aq më e vështirë bëhet. Prandaj na duhet shumë energji, shumë durim e shumë forcë.

Ajo që është kryesorja është se programi ynë është karakteri ynë. Programe mund të shkruajë kushdo, fjalë të bukura mund të shkruajë kushdo, premtime për të gjithë mund të shkruajë kushdo, ëndrra mund të shkruajë kushdo, por për ta bërë të thënën të bërë, duhet karakter që të kalosh detin e tërë që është në mes. Vizioni është ajo që na ndan me ta, siç ndan dita me natën. Mjafton të shikoni këto dasmat nëpër rrugë, me dhëndrin mbi makinë dhe krushqit që vallëzojnë me COVID-in bashkë. Me dy gishtat dhe me britmën e lodhur “Rama ik”. D.m.th, Rama ik se nuk të mundim dot. Ai është vizioni i tyre. Karakteri i tyre  është ai që demonstrohet përditë, hidh gurin e fshih dorën, çfarë thua sot, harroje nesër e thuaj gjë tjetër. Në fund jepu njerëzve shpërblim një udhëtim falas në tranvajin e Tiranës. Tramvaji i Tiranës është Noc Rroku i fjalës popullore.

Vizion! Karakter! Punë!

Puna e tyre dihet; s’janë për punë.

Po s’mjafton vizioni, karakteri dhe puna. Duhet vendosmëri dhe durim. Tek durimi është pika më e dobët e jona, në tërësi. Tek durimi për të fituar çdo ditë ato betejat e vogla, betejën për të respektuar semafori, vijat e bardha, për të paguar detyrimet , për të respektuar mjedisin e të gjithë betejat e tjera që kombet e mëdha i fitojnë njësoj si bukën që hanë. Ndërsa ne jemi të paduruar e duam të shkojmë te ëndrra e madhe, të realizojmë fitoret e mëdha pa bërë këto hapat përditë e përditë. Prandaj na ka ndodhur në historinë që të na marrë Haxhi qamili e të na çojë në gropë, të na marrë Vehbiu me Suden të na çojë në gropë. Një popull i tërë pas berihait.

Në 25 prill duhet t’i japim fund rendjes pas berihait, në sensin, që me votën për Partinë Socialiste, rendja pas berihait bëhet histori, nuk vjen më mbrapa dikush e të thotë hajde edhe njëherë pas berihait, se në 4 vitet që vijnë drejtësia do të ketë hedhur shtat, turizmi do të ketë hyrë në një fazë të re, po kështu eksportet bujqësore, agroturizmi, shëndetësia e me radhë. Nuk diskutohet që lufta do të jetë edhe më e madhe për të shkuar më lart akoma, por do të kemi arritur në pllajën ku e shkuara do të jetë nën këmbët tona dhe nuk do të jetë më një hije që na vjen  nga mbrapa për të na tërhequr poshtë.  

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm