Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Nuk ka zot në këtë vend që t'i mohojë shqiptarëve të ndershëm të drejtën e votës!

Të reja

Nuk ka zot në këtë vend që t'i mohojë shqiptarëve të ndershëm të drejtën e votës!

12 Jun 2019    

Fjala në Divjakë e deputetit, njëherësh zëvendës kryeministër  i Shqipërisë,  Erion Braçes:

Mirëmbrëma të gjithëve,

Faleminderit që keni ardhur.

Faleminderit të gjithë atyre që kanë ardhur nga Divjaka, Çerma, Rremasi, Grabiani, Gradishta dhe Divjaka. Divjaka e njerëzve punëtorë e të ndershëm që mbështesin Partinë Socialiste, qeverinë e Edi Ramës.

Nuk e kam marrë kot me vete këtë flamur. Sot është 12 qershor, dita e lindjes së Partisë Socialiste të Shqipërisë. 

Do të doja t’i uroja sot ditën e lindjes së Partisë Socialiste, ti shprehja mirënjohjen e thellë, atyre socialistëve nga kjo zonë që u bënë të parët që vendosën firmat si gurë themeli për partinë më të madhe dhe më demokratike që ka njohur ky vend,  Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Së pari, do të doja t’ja uroja këtë ditë një njeriu që nuk është më mes nesh, një prej themeluesve të parë të Partisë Socialiste në Çermë, Halit Muçës që na shikon nga lart dhe na udhëheq në rrugën tonë të drejtë të lirisë dhe demokracisë.

Së dyti, Sefedin Vrapit që është këtu mes nesh, Zabit Qokut e Avni Koçit që janë këtu mes nesh, Kujtim Rrushos dhe Miço Lenës, Petraq Ndonit, Ali Buzit dhe Haxhi Shehut, Rexhep Mollajt, Llazar Stasës e Fatmir Shokut, Agim Priftit, të gjithë këtyre burrave që themeluan Partinë Socialiste nga Rremasi në Çermë e këtu në Divjakë 29 vite më parë

Pa të voglin diskutim dua t’ja uroj ditën e lindjes së Partisë Socialiste, Fatos Nanos, Gramoz Ruçit, Servet Pëllumbit, Namik Dokles, Arta Dades, Ermelinda Meksit, Ethem Rukës, Maqo Lakrorit, Zabit Brokajt, Xhevat Lloshit, Moikom Zeqos dhe çdo socialisti të ndershëm që 29 vite më parë i dha Shqipërisë alternativën e duhur, alternativën e majtë për të ndërtuar demokracinë në këtë vend.

Miqtë e mi, kjo parti është luftuar pafund në harkun e 29 viteve.

Kemi pasur përballë njerëz që kanë pasur vetëm një qëllim: si të shkatërrojnë, si të shbëjnë Partinë Socialiste të Shqipërisë. Nuk ja kanë dalë dot falë njerëzve të zakonshëm, falë socalistëve të zakonshëm këtu në Divjakë dhe kudo në Shqipëri.

Jeni ju që jeni thelbi dhe zemra e  kësaj partie. Jeni ju që e keni mbajtur këtë parti. Jeni ju që e keni bërë këtë parti të mbijetojë, të forcohet, të reformohet dhe të jetë alternativa e vetme kombëtare, europiane në këtë vend.

30 qershori nuk është një datë e zakonshme në kalendar. 30 qershori është një ditë me shenjë ku ne duhet të ndahemi përfundimisht nga ata njerëz që për 30 vite me radhë kanë djegur breza të tërë shqiptarësh në këtë vend.

Dogjën brezat e baballarëve, dogjën brezat e djemve e të nuseve, dogjën brezat e nipave e mbesave, nuk mund t’ja falim as Sali Berishës, as Lulzim Bashës, as Ilir Metës, as Monika Kryemadhit edhe një brez tjetër të djegur në këtë vend.

Duam të shkojmë përpara me punë dhe me djersën e ballit. Duam të shkojmë përpara me nder e me dinjitet. Duam që çdo shqiptar në këtë vend të trajtohet i barabartë, të ketë drejtësi të barabartë. Po luftohemi sot vetëm për këtë shkak, për drejtësinë e barabartë që duam të ofrojmë për secilin prej jush. Po luftohemi në këtë vend sepse duam që Shqipëria të shkojë përpara. Të zhvillohet prodhimi që secili prej jush të ketë mundësi dhe akses në punësim, prodhim, të ardhura dhe ekonomi.

Dy vite kanë kaluar më së miri për secilën prej familjeve tuaja, duhet të bëhen 20 vite me radhë që ju të merrni atë që ju takon nga puna dhe nga djersa e ballit.

Në 30 qershor ne nuk kemi kundërshtarë përballë. Në 30 qershor ne kemi vetëm një takim me popullin. Nuk ka zot në këtë vend që ti mohojë shqiptarëve të ndershëm të drejtën e votës.

Kush ka lajthitur dhe ka menduar se mund ti shfuqizojë të drejtën e votës shqiptarëve i bën llogaritë gabim sidomos me ne, sidomos me socialistët që kanë ende genin e vitit 1996 brenda tyre.

Ne nuk dorëzohemi, ne nuk mundemi, ne nuk shitemi, ne nuk blihemi ne vetëm fitojmë në këtë vend.

Prandaj në 30 qershor secili nga ju, siç detyrat i kemi ndarë, duhet të sjellë në qendrën e votimit 20-30 vetë

Duhet të votojmë për veten tonë, duhet të votojmë për Partinë Socialiste, për Shqipërinë, për Bashkimin Europian, për drejtësinë e barabartë për të gjithë dhe ti japim fund njëherë e mirë në këtë vend padrejtësisë.

E keni ju në dorë që ta ndani me votë dilemën ku po na shtyjnë të tjerët. E keni ju me votë të drejtën që ta çoni deri në fund atë që kemi nisur këtu e 29 vite më parë, ta çojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Ja kemi detyrim fëmijëve tanë, fëmijëve të Divjakës që të trajtohen të barabartë në çdo cep të Europës. E keni ju në dorë që ta shtyni përpara këtë qeveri, qeverinë e Edi Ramës që ka bërë  shumë për Divjakën dhe që do bëjë akoma edhe më shumë për Divjakën dhe të gjithë Shqipërinë.

Një thirrje kam: mos mungoni në 30 qërshor. Nga ora 07:00 e mëngjesit deri në atë të mbrëmjes mos mungoni të vini në qendrat tona të votimit. Nuk ka për t’ju penguar kurrkush.

Ta harrojë gjithkush që e çon në mendje se mund të na ndalojë ne të ushtrojmë të drejtat tona kushtetuese pavarësisht ofiqit apo mandatit që ka.

Ta harrojë se mund të na pengojë ne që të çojë përpara këtë Shqipëri europiane. Ta harrojë se mund ti bëjë dëm familjeve tona.

Mos harroni 30 qershorin. Kujtojani çdo orë, çdo minutë kujtdo që keni në krah, në shtëpi, lagje apo fshat. Kujtojani që në 30 qershor duhet të vijë të votojë për Partinë Socialiste, për Fredi Kokoneshin për qeverinë e saj dhe për Shqipërinë në Europë.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm