Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Objekti dhe fusha e veprimit të Komisioneve Hetimore, duhet të respektojë parimet kushtetuese dhe normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare

Të reja

Objekti dhe fusha e veprimit të Komisioneve Hetimore, duhet të respektojë parimet kushtetuese dhe normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare

14 Oct 2021    
Fjala në Parlament e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:
 
Pa dashur të bëj replikë lidhur me atë që tha një prej përfaqësuesëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dua të them se të biesh dakord është art.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e komisioneve ka ardhur si nevojë e mosqartësisë nga ligjvënësi lidhur me ligjin për ngritjen e komisioneve parlamentare.
Ky Paralament ka edhe eksperienca shumë të këqija lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, ku ndër to natyrshëm rikujtojmë refuzimin nga ana e mazhorancës parlamentare të vitit 2009 për të ngritur një Komision Hetimor parlamentar për zgjedhjet e vitit 2009.
Madje opozita e asaj kohe ka hyrë edhe në grevë urie për të kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar me garancinë se produkti i punës së komisionit nuk do kishte impakt te rezultati i zgjedhjeve por do të nxirrte në pah abuzimet e PD.
Unë jam shumë krenar sot që ne kemi dakordësuar objektin e Komisionit Hetimor për të hetuar të gjitha pretendimet që ju i quani përfshirje të administratës shtetërore në zgjedhjet e 25 Prillit.
Dua që nga kjo foltore të citoj disa prej gjetjeve të raportit të OSBE/ODIHR, që është një institucion i pranuar për vërtetësinë e tij, për zgjedhjet e 25 Prillit.
Në raportin përfundimtar të ODIHR thuhet shumë qartë se në zgjedhjet e 25 Prillit, zgjedhësit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve të cilët bënë fushatë në mënyrë të lirë dhe në kushtet e një kuadri ligjor që respekton liritë themelore. Pas një marrëveshje të re që i dha fund një ngërçi politik, aktorët kryesorë patën besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë në zgjedhje.
KQZ, tashmë e reformuar, iu përkushtua mbikqyrjes së procesit zgjedhor në mënyrë të organizuar dhe transparente, pavarësisht detyrimeve të reja.
Ky opinion është i qartë dhe pa asnjë dyshim është vlerësimi më pozitiv i dhënë nga ODIHR në këto 30 vite.
Meritë të padiskutueshme kanë qytetarët shqiptarë që shprehën vendosmërinë e tyre për të ushtruar të drejtën e votës në përputhje me rregullat dhe standardet në fushën e zgjedhjeve.
Përsa i përket administrimit të procesit zgjedhor, po sipas ODIHR, në raport përshkruhet pozitivisht e gjithë puna e KQZ-së.
Ndoshta mënyra e hartimit të fletës së votimit nuk qe ajo që duhej sepse 100 mijë vota të pavlefshme për shkak të ngatërrimit të qytetarëve.
Në këtë drejtim duhet të biem të gjithë dakord se e vetmja forcë politike e “goditur” është Partia Socialiste e cila duhej të kishte 78 mandate dhe jo 74.
Megjithatë ajo që na bie mbi supe si përgjegjësi është çështja e adresimeve të rekomandimeve të ODIHR.
Natyrshëm edhe puna e komisionit hetimor parlamentar do ketë një vlerë të veçantë rekomandimet e tij për përmirësimin e legjislacionit.
Le të jetë puna e këtij Komisioni një model shumë i mirë, binarët e të cilit të shërbejnë edhe për komisionin tjetër të rëndësishëm që duhet të ngrejë Kuvendi, Komisionin e Posaçëm për të vijuar çështjet e reformës zgjedhore.
Dua të jem shumë i drejtpërdrejtë, ju Partia Demokratike penguat votën e emigrantëve duke tejkaluar të gjitha afatet.
Pasi mbaruan të gjitha afatet pa pikë turpi u shprehët se Partia Socialiste pengoi votën e qytetarëve shqiptarë që ndodhen jashtë territorit.
Është në dinjitetin moral dhe politik të këtij Parlamenti që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare edhe qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të votojnë.
Këtu e mbyll pjesën që lidhet me komisionin e parë hetimor, atë të hetimit të të ashtuquajturës përfshirje të administratës në zgjedhjet e 25 Prillit.
Nuk po hyj fare në diskutimin për komisionin hetimor për çështjen e mbetjeve urbane sepse ai është një diskutim i kryer për aq kohë sa është një eksperiencë që funksionon në shumë vende.
Si deputet i zgjedhur në Qarkun e Elbasanit dua t’ju them se pa impiantin e mbetjeve ai qytet do vazhdonte të ishte i mbytur nga tymi i plehrave që digjeshin ngjitur me varrezat e qytetit. Ulja e sëmundjeve kancerogjene në organet respiratore është rezultati më konkret i punës së bërë në këtë drejtim.
Për të ardhur te komisioni i tretë hetimor, dua të jem shumë i përmbledhur.
Mazhoranca e ka shprehur vullnetin e plotë për ngritjen e dy komisioneve të para dhe parimisht nuk do të kishte asgjë kundër me asnjë lloj Komisioni Hetimor, i cili do të respektonte parimet kushtetuese, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk do cënonte dhe rrezikonte interesat e Republikës së Shqipërisë.
Secili nga ne, para se t‘u shërbejë interesave të partive politike, duhet t’i përmbahet parimeve të mësipërme në formatin e një shtetari të përgjegjshëm që vendos interesat e vendit mbi çdo gjë tjetër.
A u përmbahet kërkesa për ngritjen e këtij komisioni këtyre parimeve?!
Së pari, kërkesa është në shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare
Arbitrazhi, sipas kuadrit rregullator ndërkombëtar si dhe praktikës tashmë të konsoliduar, konsiderohet si një metodë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Në ndryshim nga procesi gjyqësor “klasik” i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, arbitrazhi ka një tipar veçanërisht dallues të mënyrës së zhvillimit të tij, që është konfidencialiteti.
Të gjithë proceset ku është palë Republika e Shqipërisë në juridiksionet ndërkombëtare dhe që kanë lidhje direkte apo indirekte me objektin e kërkesës për hetim, janë konfidenciale dhe, rrjedhimisht nuk mund të bëhen publike të dhënat e rrjedhura, apo prodhuara prej tyre, duke përfshirë por pa u kufizuar, edhe vendimmarrjet përkatëse.
Konfidencialiteti i këtyre proceseve është detyrues bazuar në sa më poshtë:
a. Konventa ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë;
b. Vendime të trupave ndërkombëtare, gjyqësore apo arbitrazhi (si për shembull) Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut);
c. Dakordësi ndërmjet palëve ndërgjyqëse
Çdo shkelje e konfidencialitetit përfaqëson automatikisht shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke u pasuar në të njëjtën kohë me dëmtim/rrezik të konsiderueshëm financiar ,por jo vetëm, të interesave të Republikës së Shqipërisë si dhe penalizim të profilit publik dhe privat në sferën ndërkombëtare.
Kërkesa e paraqitur nga një grup deputetësh të PD për ngritjen e këtij komisioni hetimor është në shkelje të hapur të konfidencialitetit, pasi i përmbahet dhe citon paragrafe të një vendimi i cili gëzon mbrojtje strikte konfidencialiteti.
Pyetjet që shtrohen këtu janë:
1. “Si dhe kush ia ka vendosur në dispozicion PD-së vendimin në fjalë, duke qenë se ai është konfidencial dhe pjesë të tij citohen në kërkesën për ngritjen e komiisonit hetimor, duke respektuar edhe presjen?!
2. A mundet një subjekt politik, i cili funksionin mbi bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, të shkelë parimin e konfidencialitetit dhe të vendoset në funksion të interesave të dyshimta që u shërbejnë palëve të interesuara në këto procese?!
3. A është në konflikt interesi, apo është duke lobuar PD në funksion të interesave private dhe në kurriz dhe kundër interesave thelbësorë të Republikës së Shqipërisë?!
Pa pasur synimin të ngre asnjë akuzë, mendojmë që në kushtet e një kërkese naive, PD po shkel rëndë parimet e së drejtës ndërkombëtare. Por, që të jemi realistë dhe jo naivë, duke patur parasysh pasionin e zjarrtë të lidershipit të PD për t’u përfshirë dhe përthithur nga interesa financiare private, mendojmë se jemi para një situate, ku një subjekt politik po shfrytëzohet për t’i shërbyer përfitimeve të paligjshme, në kurriz dhe dëm të interesave të RSH.
Në të dy rastet, ky investim i Partisë Demokratike u shërben interesave të palëve të tjera të interesuaram, por në asnjë rast interesave të vendit tonë. Në rastin e prezumimit të naivitetit, ku qasja do të ishte jo vetëm në kundërshtim me ligjin por edhe amorale dhe jo etike, deputetët firmëtarë të kërkesës për ngritjen e komisionit, do të duhej të plotësonin deklaratën e konfliktit të interesit, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe nenin 13 të Kodit të Etikës, ose të kenë kurajon dhe të deklarohen si lobues apo hallka kontakti midis grupeve lobuese dhe subjekteve private (duke përfshirë por pa u kufizuar, palët e interesuara në proces), në përputhje me nenin 21 të Kodit të Etikës së Deputetit.
Ndërsa në skenarin e dytë, ku subjekti politik vepron me qëllim duke u shërbyer interesave private në dëm të interesave të Republikës së Shqipërisë, mendojmë se shkohet përtej shkeljes të së drejtës ndërkombëtare, moralit dhe etikës, duke u shndërruar katërcipërisht në një qasje kriminale, gjë që do të ishte shumë e rëndë dhe që nuk do e dëshiroja kurrë për opozitën e vendit tim.
Së dyti, kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor shkel parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shtetit të së drejtës dhe prezumimit të pafajësisë
Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar qartë kuadrin e funksionimit dhe objektin e punës së Komisioneve Hetimore, të cilat në asnjë rast nuk duhet te cedojnë nga zbatimi i parimeve kushtetuese. Kështu në vendimin 18/2003 Gjykata Kushtetuese shprehet, ndër të tjera, se:
1. Komisionet hetimore janë mjet efektiv kontrolli që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të parlamentit, të cilat ngrihen për çështje të veçanta, të lidhura në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësit;
2. Objekti dhe fusha e veprimit të komisioneve hetimore, duhet të respektojë parimet kushtetuese dhe normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, duke mos cënuar pavarësinë dhe duke mos penguar veprimtarinë e organeve të pushteteve të tjera;
3. Parimet kushtetuese, veçanërisht, parimi i ndarjes e balancimit ndërmjet pushteteve, i të drejtës për një proces të rregullt ligjor, i prezumimit të pafajsisë, i paanshmërisë, i respektimit të jetës private të individit, përbëjnë standarte kushtetuese mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë komisionet hetimore parlamentare.
Është fakt që në një seri juridiksionesh ndërkombëtare, të huaja por edhe brenda juridiksionit shqiptar ka procese penale dhe civile, që nuk kanë përfunduar ende, dhe ngritja e komisionit hetimor të kërkuar, do të ndikonte konsiderueshëm në keq zhvillimin dhe mbarëvajtjen e këtyre proceseve, duke u përdorur, keqpërdorur, nxjerrë nga konteksti etj, me pasoja shumë të dëmshme për Republikën e Shqipërisë.
Përvec procesit penal që është duke u zhvilluar në gjykatë, vetë Partia Demokratike ka investuar SPAK me një kallzim penal, objekti i të cilit është i njëjtë me objektin e komisionit hetimor të kërkuar, dhe ngritja e këtij të fundit do të shkaktonte jo vetëm ndikim negativ në mbarëvajtjen e proceseve penale brenda vendit, por edhe mbivendosje dhe uzurpim kompetencash kushtetuese.
Duke pasur në vëmendje orientimin e Gjykatës Kushtetuese (V18/2003) se
“{...} një element esencial i ndarjes së pushteteve është pavarësia e gjykatave dhe gjyqtarëve. Ekzistenca e parimeve të tilla nuk pranon mbi veprimtarinë e gjykatave influenca diktuese që mund të vijnë nga pushtete të tjera. {...} Raporti përfundimtar që harton komisioni hetimor, sigurisht që nuk ka efekte detyruese mbi gjykatat, por ndikimi i tij në nivelin politik mund të jetë i konsiderueshëm.
këto parime përjashtojnë cdo formë kontrolli parlamentar mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave.
Në përfundim mazhoranca vlerëson se ngritja e këtij komisioni hetimor në këtë moment, shkel jo vetëm parimet kushtetuese dhe ato të së drejtës ndërkombëtare, por edhe dëmton rëndë interesat publike të Republikës së Shqipërisë.
Secili nga ne duhet të ndjejë përgjegjshmëri atdhetare dhe të mëvetësohet në profilin e një shtetari, duke lënë mënjanë interesa të vogla politke, apo duke u distancuar nga interesa të dyshimta për përfitime personale apo në favor të personave të tretë, dhe duke marrë hapur krahun e shqiptarëve dhe interesave të Shqipërisë, për to mos u dhënë asnjë shkas lindjes së pretendimeve për fatura financiare dhe dëm të autoritetit dhe imazhit të vendit.
Pa pasur aspak frikë nga transparenca dhe me bindjen e plotë për të mbështetur të drejtën e kontrollit parlamentar, le të presim përfundimin e të gjithë këtyre proceseve dhe, më pas, nëse opozita e vlerëson ende të vlefshme, të ulemi dhe të koordinojmë objektin e një komisioni hetimor, sipas përcaktimeve dhe kushtëzimeve të Kushtetutës dhe të ligjit.
Faleminderit!
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm