Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Partia Socialiste do vazhdojë të qeverisë Shqipërinë

Të reja

Partia Socialiste do vazhdojë të qeverisë Shqipërinë

25 Apr 2021    

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama pas përfundimit të procesit të votimit:

Përshëndetje të gjithëve!

Kjo është një dalje jashtë programit, sepse për herë të parë në Shqipëri zhvillohen exit poll-e. Ka pasur një eksperiencë të largët dhe unë dua ti falënderoj përzemërsisht të gjithë ata të cilët janë angazhuar për të futur këtë eksperiencë të re në Shqipëri dhe dua njëkohësisht t’ju them të gjithëve në radhë të parë socialistëve, se votat janë në kuti, që të gjitha. Populli ka folur, tani duhet të dëgjojmë popullin dhe detyra jonë, detyra e çdo numëruesi, e çdo vëzhguesit, në çdo qendër numërimi është që me përgjegjësinë më të lartë qytetare por edhe ligjore, të kontribuojë për të numëruar në mënyrë korrekte votat që janë në kuti dhe hamendjen, sondazhet, exit poll-et pavarësisht faktit që ne na japin forcë qeverisëse përsëri, i përkasin thjesht dhe vetëm parashikimeve para ndeshjes. Tani është rezultati i të gjitha kutive të votimit që është rezultati i ndeshjes.

Ju lutmë shumë të gjithëve, përqendrohuni në detyrën tuaj e në të njëjtën kohë dua ta përsëris atë që tha një orë a dy orë më parë Bora edhe në emrin tim, një falenderim nga zemra për të gjithë patronazhistët dhe patronazhistet tona në të gjithë territorin, që kanë bërë një punë absolutisht mbresëlënëse dhe njëkohësisht ata dhe ato janë ata që e dinë më mirë se sa të gjithë të tjerët se kush ka votuar, kush nuk ka votuar e duke qenë se në zonat e tyre ata janë të bindur për rezultatin e punës, unë dua ti siguroj që të bindur janë dhe të gjithë të tjerët në të gjitha zonat.

Tani është momenti për të gjithë rrjetin fantastik të patronazhistëve, të patronazhisteve që të pushojnë, të ndjekin nga shtëpia vazhdimin e këtij procesi dhe nesër dielli do të lindë përsëri, Shqipëria do të buzëqeshë.

Ajo që dua nga ana tjetër të theksoj, nuk është e fundit për nga rëndësia përkundrazi, është se ne nuk duam thjesht rezultatin dhe konfirmimin si forcë qeverisëse përsëri por ne duam që siç ishte kjo ditë kaq e bukur, kaq e qetë, kaq qytetare, falë mirësjelljes demokratike të të gjithëve, duhet të jetë edhe vazhdimi i këtij procesi dhe nga ky proces duhet të dalë e fituar Shqipëria dhe jo vetëm partia që do të vazhdojë të qeverisë vendin. Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm