Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Partia Socialiste duhet të jetë hallka ndërmjetëse mes shumicës qeverisëse dhe qytetarëve

Të reja

Partia Socialiste duhet të jetë hallka ndërmjetëse mes shumicës qeverisëse dhe qytetarëve

20 Jul 2022    

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama në takimin me drejtuesit e rinj të Partisë Socialiste pas përmbylljes së garave për përzgjedhjen e tyre në të 61 bashkitë e vendit

 

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë zhvilloi sot një takim me drejtuesit e rinj të Partisë Socialiste pas përmbylljes me sukses të garave për përzgjedhjen e tyre në të 61 bashkitë e vendit.

* * *

Përshëndetje të gjithëve! Shumë faleminderit për të gjithë ata, sidomos që kanë bërë rrugën për të ardhur deri këtu. 

E bëjmë këtë takim, - madje në këtë pjesë të takimit të hapur për publikun, në mënyrë që, në radhë të parë, e gjithë anëtarësia e familjes sonë të madhe politike të ketë mundësi ta ndjekë, - në vijim të mbylljes së një procesi të rëndësishëm ripërteritjeje dhe të një përzjedhjeje me një metodologji të re të kryetarëve dhe kryetareve të Partisë Socialiste në të 61 bashkitë.

Janë 3 bashki, të cilat duhet të përfundojnë procesin brenda muajit korrik sipas raportit që unë kam marrë dhe ky është tregues edhe i faktit që nga ana e Sekretariatit të partisë, nga ana e Sekretarit të Organizimit që e ka koordinuar këtë proces, është kërkuar që procesi të jetë cilësor dhe që të jetë një proces korrigjues, në raport me proceset e mëparshme ku tek-tuk dhe ndonjëherë edhe më shumë sesa tek-tuk janë mbyllur sytë për të lejuar që fiktiviteti të ngjitet deri në majën e organizimit të partisë në bazë. 

Sot, ne kemi, të gjithë ju që jeni këtu të zgjedhur për të drejtuar partinë në prag dhe drejt një sfide të rëndësishme si ajo e zgjedhjeve të ardhshme, që janë vitin e ardhshëm, zgjedhjet vendore dhe në ndërkohë, një sfidë edhe më të rëndësishme, sipas meje, të transformimit hap pas hapi, të partisë në diçka tjetër, në diçka tjetër që t’i përgjigjet kohës së re që jetojmë, që i përgjigjet ndryshimeve të rëndësishme që ndodhin në mënyrë të vazhdueshme dhe që i përgjigjet edhe një nevoje të jashtëzakonshme për të mbajtur sa më pranë njerëzit që na kanë besuar, njerëzit që na besojnë dhe njerëzit që duam të na besojnë, në një kohë të re për diçka të ndryshme edhe në sensin e largimit sa më shumë nga ai aksi tmerrësisht i vjetër dhe shumë i konsumuar i një partie të dedikuar si një hapësirë ku disa ankohen se duan punë në shtet dhe disa kërkojnë punë në shtet dhe disa të tjerë të thonë “Cfarë t’i themi ne X apo Y kur nuk jemi në gjendje t’i japim edhe kryetarit të partisë një punë në shtet”? 

Kjo duhet të jetë e shkuara, ndërkohë që partia duhet të mobilizojë forcat që të jetë një parti zëdhënëse e shumicës qeverisëse në territor, që të jetë një parti ndërmjetëse mes shumicës qeverisëse dhe zgjedhësve dhe të jetë një parti llogarikërkuese në funksion të adresimit të atyre problemeve, halleve dhe shqetësimeve që i konstaton në këtë kontakt intensiv me njerëzit, të jetë një parti që përçon qoftë shqetësimet dhe qëllimet dhe vendimet e rëndësishme të shumicës qeverisëse, por edhe nga ana tjetër, shqetësimet, kërkesat dhe hallet e njerëzve që i besojnë kësaj shumice, të jetë një parti e territorit në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, jo një parti e mbyllur brenda një rethi njerëzish që bëjnë çmos që të zgjidhen dhe pasi të zgjidhen, pastaj të rrinë vetëm me njëri-tjetrin dhe bëhen si një grup shokësh që bëjnë xhiro në bulevardin kryesor të qytetit, që pijnë kafe në të njejtin vend dhe që merren me të njëjtat muhabete dhe që flasin vetëm me njëri-tjetrin dhe nuk flasin me të tjerët. 

Kjo është gjëja që unë besoj, përveç të tjerash, ka të ngjarë të ketë shtyrë shumë nga të rinjtë që janë këtu që të kandidojnë dhe që të jenë këtu sot me idenë që ta ndryshojnë këtë gjë. 

Bindja ime, gjithmonë, ka qenë dhe mbetet që cilido dhe cilado që merr një përgjegjësi të kësaj natyre përsipër, që nga kryetari apo kryetarja e organizatës deri tek kryetari i partisë duhet të ketë ambicien që t’i japë dicka të re partisë e jo që të jetë një i ri apo një e re që për pak muaj bëhet më i vjetër dhe më e vjetër se vetë partia dhe që merr më shpejt hilet sesa rregullat, në kuptimin më brutal të fjalës.

Pavarësisht se Sekretariati e ka shprehur pa rezervë kënaqësinë për këto zgjedhje dhe pavarësisht se në Kryesi këto zgjedhje kanë marrë vlerësim për si janë bërë, unë mbetem i palumtur, për ta thënë me një fjalë jo shumë të rëndë, për faktin që ne kemi bashkë-kryesim të partisë nga burra, djem, gra dhe vajza në vetëm 23 bashki. Në bashkitë e tjera kemi 5 kryetare partie dhe kemi vetëm burra dhe përgjigja e Sekretariatit lidhur me këtë është që “Nuk ka gra, nuk kishte gra, nuk kishte vajza aty, tek këto zonat e tjera”, dhe sa herë që unë e dëgjoj këtë përgjigje, qysh kur jam bër kryetar i partisë, tanimë vite më parë, mua më lind pyetja “Burrat në atë zonë kush i lind dhe me kë i lindin fëmijët, me njëri-tjetrin? Nëse nuk ka gra dhe nuk ka vajza në këto zona, si zhvillohet jeta aty”? 

Natyrisht që pyetja që unë bëj është po aq idiote sa përgjigja që jepet “Nuk ka gra e nuk ka vajza”, e Partia Socialiste na qenka një parti vetëm me burra. Nuk po i marr zonat me radhë, por po i them që atyre kryetarëve burra që janë këtu dhe që nuk kanë një grua apo vajzë bashkë-kryetare duhet t’i vijë shumë zor që ta pranojnë këtë gjë, që vijnë nga një komunitet burrash, përfaqësojnë një komunitet burrash dhe do luftojnë me një komunitet burrash për të marrë shumicën mes burrave. Duhet të nisen nga kjo premisë që ata vetë të bëhen flamurtarët e një ndryshimi sa më imediat dhe që ne në çdo bashki të kemi një burrë apo djalë dhe një grua apo vajzë bashkë-kryetarë të Partisë Socialiste. 

Jo vetëm kaq, por ne kemi një problem më të madh se kaq. Kemi vënë në statut prej vitesh norma, përqindje, kaq përqind gra, kaq përqind vajza, kaq përqind të rinj Dhe nëse i vëmë në statut, unë prandaj kam qenë gjithmonë partizan i idesë që statuti duhet të ketë sa më pak të tilla, sepse ato që ti vë dhe që i miraton një Kongres i tërë, duhet pastaj t’i zbatosh, jo i vë dhe janë opsionale. Tek të gjitha të tjerat unë nuk kam ndonjë siklet të madh të pajtohem me moszbatimin sepse janë gjëra që nuk ndryshojnë thelbin por tek kjo e grave dhe vajzave unë e kam të pamundur të pajtohem, për më tepër duke e ditur që nëse do votonin vetëm gratë dhe vajzat, PS do të merrte 70% të votave, nëse do të votonin vetëm burrat, PS do të humbte zgjedhjet. Kaq e thjeshtë është llogaria sepse PS është një parti që gratë e kuptojnë më mirë se ç’e kuptojnë burrat, që do të thotë është një parti që është më e mençur sesa partitë që i kuptojnë më mirë burrat se gratë.

Ne nuk mundet dot ta tolerojmë që ne të kemi një parti në territor, që të ketë një gropë të tillë kudo qoftë nga Bajram Curri deri në Konispol, kudo qoftë dhe ajo që mua më rezulton është që në atë komunitete ku s’ka gra, gratë janë edhe më të mençura sesa normalisht te komunitetet ku ka dhe gra, por janë burrat më problematikë, prandaj gratë nuk përzihen ose më saktë nuk përpiqen përsa kohë ne nuk u hapim rrugën. Nuk është një bisedë e cila është e thjeshtë. Një vend që nuk ka ekuilibër gjinor, një vend që nuk ka përfaqësim real të grave dhe vajzave në jetën e vetë sociale, në jetën e vetë ekonomike, në jetën politike, është një vend që rri me një këmbë, një vend gjysmagjel. Nëse një pjesë e gjërave kanë ndryshuar pozitivisht, një nga arsyet është që ne i kemi dhënë më shumë vend grave dhe i kemi dhënë shumë më tepër hapësirë grave dhe vajzave dhe i kemi shumë më tepër mundësi vetes që të shfrytëzojmë kapacitetin e tyre. Për më tepër në një vend, i cili në zona të tëra kërcënohet pikërisht nga kjo, nga izolimi i vajzave, nga sundimi i ca paragjykimeve dhe i ca ideve komplet të papranueshme për një vend në mes të Europës, në duhet të bëjmë edhe më shumë punë, edhe më shumë presion, edhe më shumë përpjekje që të mos e lejojmë këtë gjë, është e pamundur, është anormale që PS ta pranojë këtë gjë, që në partinë socialiste, në kryesinë e PS të thuhet “nuk kishte aty, i pamë, i provuam, por nuk kishte aty”. Ça patë? Ku i patë? Domethënë që s’i keni parë, kaq e thjeshtë është kjo. Ja ku janë, gjithë këto gra e gjithë këto vajza. Shqipëria është njësoj kudo në këtë aspekt, nuk është ndryshe, është njësoj, por duhet të krijosh kushte dhe duhet të insistosh dhe ky duhet të jetë një objektiv.

Sekretarja e Partisë Socialiste për gruan nuk duhet ta pranojë e para këtë gjë dhe duhet të insistojë, dhe duhet ta imponojë që kjo gjë duhet të ndryshojë dhe të deleguarit e qarqeve të dytët, as nuk duhet ta çojnë nëpër mend që të vijnë në Kryesinë e Partisë Socialiste dhe të thonë që tek kaq bashki ne gjetëm gra, tek kaq bashki ne s’gjetëm gra. Se kjo nuk shkon, nuk ka asnjë kuptim. Mbase mund të duket se po e zgjas në këtë pikë, por po flas shumë më shkurt se ç’do duhet të flisja apo se ç’mund të flisja për këtë temë.

Edhe në qeverisjen vendore ne kemi disa gra që drejtojnë bashkitë dhe jo vetëm që nuk ka asnjë diferencë, por përkundrazi mund të them që disa prej tyre kanë realisht treguar qe janë edhe më të afta, edhe më të vendosura, edhe më të durueshme sesa burrat. Efekti zinxhiri i kësaj pune  pastaj shkon te këshillat bashkiakë, ku bëhen qoka për listat e këshillave bashkiakë, ku e kemi bërë me ligj që duhet të jenë 50 me 50 dhe ku prapë nuk i jepet mundësia grave dhe vajzave që të kenë rrugën e konkurrencës dhe meritës siç e kanë burrat dhe djemtë sepse për hir të së vërtetës, aspekti pozitiv i këtyre zgjedhjeve, sidomos i këtij procesi, është se pavarësisht në zonat ku ka vetëm burra që drejtojnë, ky është një handikap i madh,  është parti gjysmagjel. Konkurrenca ka qenë e plotë dhe kandidatët kanë qenë në disa raste edhe me numra të mëdhenj dhe këtu skam parasysh Vlorën, se Vlorës i takon të ketë 22 kandidatë për kryetarë, se është autobusi që duhet të vijë duke ecur anash, por po flas për shumë zona ku ka patur një numër të konsiderueshëm kandidatësh. 

Elementi tjetër i punës që juve duhet të merrni përsipër dhe së bashku do e çojmë përpara, është krijimi i një fryme debati dhe krijimi i një hapësire debati. Frymën e debatit nuk e krijon dot nëse qëndron mbyllur me pak njerëz që flasin, që bëjnë po atë muhabet punë-shtet, punë-shtet punë –shtet. Fryma e debatit krijohet nëse e hap hapësirën dhe nëqoftëse me durim ndërton edhe besimin e njerëzve që të afrohen dhe që të kuptojnë që kjo është hapësirë është edhe e tyre dhe që këtë hapësirë mund të gjejnë vesh për t’i dëgjuar, dhe mund të gjejnë ndërmjetësit e duhur për të adresuar çështjet e tyre që patjetër mund të jenë çështje të natyrës personale në raport me mënyrën si ushtrohet pushteti, qoftë nga ana e bashkive, qoftë nga ana e institucioneve të qeverisë qendrore në territor, por patjetër s’mund të mos jenë edhe çështje qe kanë interes në komunitet dhe këtu nuk flasim që këtu s’ka një rrugë, aty s’ka një ujësjellës, këtu flasim për më shumë se kaq dhe flasim për gjëra që nuk lidhen me shpenzime të mëdha, por lidhen me sjelljen dhe me qasjen e administratës ndaj njerëzve, që është një problem që do të vazhdojmë ta adresojmë me shumë vendosmëri. 

Ndryshimi i mënyrës sesi ne shërbejmë dokumentet, duke kaluar nga shërbimi me sportele e me radha tek shërbimi online, ka bërë që e gjithë ajo pjesë e korrupsionit, e bakshishit, ryshfetit, e lodhjes, e zvarritjes, e padrejtësisë që lidhej më këtë, të zhbëhet, sepse nuk ka më nevojë për të njohur njeri, për të takuar njeri, për të pritur në radhë, mjafton të hysh në platformë dhe kaq. Meqë ra fjala, platforma është rikthyer në punë në pjesën më të madhe të shërbimeve, po vazhdon puna për rikthimin e shërbimeve pas një sulmi shumë kompleks që ne besojmë, unë po them atë që besojnë ekspertët me të cilët isha dhe përpara se të vija këtu dhe prandaj u vonova pak minuta, është një sulm i organizuar nga një shtet, nuk është çështje hakerash sado të zotë, është një shtet prapa këtij sulmi. Nuk jemi ende në gjendje të identifikojmë me bindje të plotë shtetin; dy janë shtete që dyshojmë, e them këtë për të thënë që sulmi është jashtëzakonisht kompleks dhe jashtëzakonisht agresiv dhe sistemet nuk kanë çeduar në aspektin e shkatërrimit të tyre, nuk janë zhdukur të dhënat e shtetit aq me tepër që ato nuk rrinë ashtu siç e imagjinojnë njerëzit, se e kemi shpjeguar 1000 herë që AKSH për shembull nuk mban të dhëna, nuk mban, s’ka. AKSH është një dispeçer dhe ndërhyrjet kanë ndodhur në sistemin e emailit gov.al email-eve të punës dhe në dokumente, dhe e para dokumentet janë aty, e dyta, bëhet fjalë për dokumente zyrtarë. Pra, dokumente që me një kërkesë gjithkush mund t’i marrë se s’janë sekrete. Deri tani kjo është situata. Meqë po flas për këtë, mos të duket sikur, meqë jemi live mos të dukem sikur po i shmangem kësaj gjeje ose po flas nga hëna sepse sistemet kanë filluar të kthehen në punë dhe realisht është shumë e neveritshme të shikosh që mediat kanë arritur aty ku nuk thuhet nga pikëpamja e lëshimit të lajmeve të rreme pa lidhje. Pa lidhje!

U detyrova të bëj dhe një prononcim vetë për Top Channel sepse është e paimagjinueshme të shpifet pa hesap, pa përgjegjësi, pa asnjë lloj logjike, duke iu thënë njerëzve qe është vënë një gjobë 30 milionë euro ndaj qeverisë, që janë zhdukur të gjitha etj, a thua se këtu jemi përballë një bande digjitale që vë gjoba, se bandat digjitale që vënë gjoba në Shqipëri ka, por nuk kemi në këto kushte. Jemi në kushtet e një sulmi kibernetik të super sofistikuar që ka përfshirë në procesin e mbrojtës dhe të kundërsulmit NATO-n, që të jemi të qartë dhe për të kundërsulmuar po punohet me një skuadër përtej skuadrës tonë.

Dhe e fundit që kam për këtë pjesën e hapur është nevoja për të bërë sistemin e regjistrimit të partisë, e burimeve njerëzore të partisë dhe e kontributeve në parti në aspektin e  financave, kuotave, që fillon sigurisht nga lart poshtë, s’mund të fillojë nga poshtë lartë. Sistemi ynë i kuotave është super fleksibël dhe praktikisht për anëtarët e thjeshtë është krejtësisht simbolik, por këtu nuk flasim për anëtarët e thjeshtë. Këtu flasim për të zgjedhurit, këtu flasim për kryetarët e bashkisë që nuk paguajnë kuota në parti. Këtu flasim për kryetarë këshillash, flasim për këshilltarë, është detyra juaj që të ndiqni dhe këtë aspekt edhe pse paralelisht do të ecim edhe me vendosjen e një figurë tjetër në parti që është një figurë kancelari apo sekretari ekzekutiv që nga qendra deri në çdo qark dhe pastaj edhe në çdo bashki dhe këtu përsëri duhet mobilizim për të siguruar sidomos në nivelin bashkiak kandidaturat e duhura. Jemi në një fazë shumë të rëndësishme të jetës së vendit, jemi në një fazë shumë të rëndësishme të qeverisjes. Kemi faktikisht një sfidë shumë të mashe përpara për ta çuar këtë mandat të tretë në sukses pavarësisht gjithë ngatërresës së re që ka krijuar kjo luftë me gjithë komplikacionet e veta dhe kjo është një një arsye më shumë për ta gjallësuar maksimalisht partinë si zëdhënëse të shumicës qeverisëse në territor, si një prani që ndihmon për të komunikuar me njerëzit, si një ndërmjetëse mes njerëzve dhe institucioneve të partisë edhe vetë shumicës qeverisëse, dhe këtu kam parasysh grupin parlamentar, këtu kam parasysh Kryesinë e partisë, këtu kam parasysh qeverinë vetë, por edhe si një llogarikërkuese në raport me çfarë bëhet në territor, në raport me si performojnë zyrat e shtetit në territor dhe cili është perceptimi i publikut për to. 

Ne jemi në një kapitull të ri të historisë së vendit nga dje, jemi në një kapitull të ri të historisë së vendit dhe në këtë kapitull të ri të historisë së vendit, ndër shumë të tjera, kemi nevojë të jashtëzakonshme të rishpikim vetveten, siç kemi bërë në mënyrë të përsëritur dhe për këtë arsye jemi këtu, në të tretin mandat radhazi e duhet të vazhdojmë të bëjmë. Ne nuk kemi një opozitë të besueshme, as të qëndrueshme, as të kuptueshme. Kemi një fuqi destruktive të krijuar nga hallet e dy njerëzve, një fuqi e madhe destruktive për hir të vërtetës e krijuar nga hallet e dy njerëzve, por nuk është ajo fuqi asesi një kërcënim për ne. Kërcënimi ynë jemi ne, kërcënimi ynë janë gabimet dhe fajet tona, në të gjitha nivelet. Nuk janë ata, jemi ne. 

Kërcënimi ynë është pluhuri që zë një makineri, e cila nuk lëviz me shpejtësi dhe nuk pastrohet përditë e përditë. Kjo vlen për qeverinë, kjo vlen për strukturat e larta të partisë, kjo vlen për partinë në territor. Zgjedhjet e ardhshme vendore janë zgjedhje shumë të rëndësishme për njëmijë e një arsye, por janë zgjedhje në të cilat partia duhet të lozë një rol edhe më të madh se më parë.

Për këtë arsye, ne duhet të mobilizohemi bashkarisht dhe hap pas hapi të ndërtojmë një proces brenda parties, i cili t’i krijojë kushtet që partia të fillojë të funksionojë si zëdhënëse e shumicës qeverisëse, si ndërmjetëse mes shumicës dhe njerëzve dhe si llogarikërkuese në emër të njerëzve. 

Sigurisht që ky proces për zgjedhje që kemi zgjedhur të aplikojmë ka dhe anën tjetër të medaljes që cilido prej jush që nuk do performojë, do duhet të largohet sepse për fat të mirë, është krijuar edhe një bazë burimesh njerëzore në çdo bashki ku ju nuk jeni kandidatët e vetëm, por jeni të përzgjedhurit mes disa kandidatëve për arsye se gjykimi aktual është që ju jeni ata që jeni të duhurit në këtë moment, por ky është gjykimi, tani ju duhet ta provoni këtë gjykim me punën tuaj çdo ditë e çdo ditë. 

Ne jemi në dispozicion, Sekretariati Ekzekutiv i Partisë është në dispozicion, nga Sekretari i Përgjithshëm tek Sekretari i Organizimit e tek gjithë Sekretarët dhe Sekretaret e tjera për ta çuar këtë punë përpara, nuk diskutohet drejtuesit e qarqeve, në mënyrë që të shkojmë drejt zgjedhjeve duke fituar tani, jo ditën e zgjedhjeve, por tani, ditë për ditë e ditë për ditë.

Faleminderit dhe ndjesë nëse u zgjata pak.

 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm