Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Partia Socialiste e Shqipërisë është e vetmja forcë politike qeverisëse që dallon në gjithçka

Të reja

Partia Socialiste e Shqipërisë është e vetmja forcë politike qeverisëse që dallon në gjithçka

08 Oct 2020    

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Asamblenë Kombëtare:

Të dashur anëtarë dhe anëtare të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, më vjen mirë që sot na jepet mundësia të mblidhemi edhe duke respektuar kushtet e imponuara nga kjo situatë jo e zakonshme. Falënderoj Sekretarin e Përgjithshëm që organizoi këtë mbledhje në qiell të hapur, edhe që bëri të mundur të mos mungojë as dielli sot, këtu. Duke na krijuar mundësinë të nisim fazën e fundit të këtij mandati dhe njëkohësisht, edhe fazën finale të përpjekjes për të marrë mandatin tjetër.

Besoj se është e rëndësishme gjithmonë të kemi parasysh nga vijmë, për të mundur të dimë se ku mund të shkojmë. Tanimë, kur bëhen 7 vjet nga dita kur ne morëm detyrën, mund të thuhet me plot gojën se jemi në kushtet kur e keqja më e madhe është harruar, ose duhet kujtuar dhe rikujtuar sepse dita kur ne e nisëm këtë rrugëtim, nuk ka asgjë të ngjashme në raport me punët e vendit, me ditën ku jemi sot, por në të njëjtën kohë, siç e keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund.

Ne, në radhë të parë, duhet të mbajmë parasysh teksa numërojmë me të drejtën tonë legjitime ato që kemi bërë, në asnjë moment të mos ia themi vetes dhe të mos lëmë për më tepër përshtypjen tek të tjerët se jemi të kënaqur me sa kemi bërë.

Kur kthen kokën pas, realisht është e vështirë të zgjedhësh çfarë të kujtosh më parë, në raport me sa shumë na është dashur të bëjmë.

Mandati i parë ishte faktikisht, përpjekja për të ndaluar një inerci rrënimi dhe një hemoragji të rrezikshme, në raport me vetë financat e vendit. Kur ne jemi ulur në detyrë dhe kemi parë mbi tryezë të dhënat reale të vendit, kemi qenë përballë sfidës së madhe të financimit të rrogave dhe pensioneve, pa pasur nevojë që t’i ulnim ato. E kujtoj si sot, bisedën shumë të vështirë që kemi pasur me FMN-në, e cila insistonte që duhet ta fillonim nga ulja e rrogave dhe pensioneve dhe refuzonte idenë tonë që ne do të kompensonim boshllëkun e atëhershëm me një reformë shumë agresive në fushën e energjisë, ku ishte dhe burimi kryesor i hemoragjisë së vendit në aspektin financiar. Nuk e harroj kur përfaqësuesit e FMN-së më janë drejtuar dhe më kanë thënë, këtë e kemi dëgjuar nga të gjithë kryeministrat e mëparshëm, por e kemi mësuar nga çdo qeveri që kjo reformë në Shqipëri nuk bëhet.

Sot besoj që të gjithë atyre që me të drejtë, jo pa të drejtë, ankohen për shumë çka ende ju mungon, ju duhet kujtuar që 7 vite më parë mbanin rradhën në shi, për të paguar fatura afrofe të energjisë elektrike. Fatura arbitrare të energjisë elektrike, të cilat i paguanin për vete dhe për gjysmën e dynjasë që nuk dënjonte të paguante. Ndërsa jo sot, por prej disa vitesh tanimë nuk ka fatura afrofe dhe s’ka më rradha në shi, ashtu sikurndër nuk ka më arbitraritet apo gabim në faturë që nuk korrigjohet. Pa llogaritur transformimin e vazhdueshëm të sektorit me investimet e munguara qysh nga koha e elektrifikimit të vendit.

A kanë mjaftuar për ta quajtur të mbyllur këtë process? Jo, aspak, nuk kanë mjaftuar as në këtë sector, as në asnjë sektor tjetër dhe kjo është arsyeja, pse ne duhet ta marrim mandatin e tretë.

Mandati i dytë, pasi ndaluam me sukses hemoragjinë, pasi rivumë rregull në financat e vendit, pasi ju dhamë njerëzve të zakonshëm të këtij vendi disa instrumente më shumë për jetën e tyre të përditshme, ishte mandati ku kemi forcuar organizmin e një trupi që lëngonte 7 vite më pare, edhe pse na është dashur të përballemi përveçse me problemet e përditshme, të trashëguara dhe reale, edhe me probleme të krijuara për të na rënë ndesh, edhe me probleme që i ranë në kokë Shqipërisë dhe popullit shqiptarë jashtë vullnetit të njerëzve, qoftë tërmeti dhe qoftë virusi që e futi të gjithë botën në ciklin e një pandemie sa të frikshme, aq e të rrezikshme.

Sot, kur jemi në përfundim të këtij mandati të dytë që, siç thashë, është një mandat i forcimit të trupit dhe i ecjes pas një paralize nga ku ne e nisëm këtë përpjekje, arrijmë që të rrisim pagat, në ndërkohë që nuk më rezulton që ndokush rretherrotull nesh e ka bërë ketë. Të rrisin pagat si asnjë herë më parë për mjekët dhe gjithë bluzat e bardha në Republikën e Shqipërisë, sepse e meritojnë patjetër, por edhe sepse e konsiderojmë të domosdoshme që këtë mundësi, që e kemi krijuar me punën e të gjithë këtyre viteve, ta vëmë në dispozicion të tyre dhe të arsimtarëve po ashtu, dy kategori të gjëra në shoqërinë tonë që janë në dy fronte posaçërisht të vështira sot, për shkak të përballjes me këtë situate të jashtëzakonshme ku ndodhet vendi dhe ndodhet gjithë bota.

As i prekëm rrogat dhe pensionet kur morëm detyrën, as i bëmë bisht zotimit tone, për të kaluar nga një sistem i padrejtë taksimi në një sistem taksimi ku i ulëm taksat për 97% të shqiptarëve dhe as mendojmë që këto mjaftojnë për ta quajtur të mbyllur punën tone. Përkundrazi, këto të gjitha janë arsye dhe bashkë me plot të tjera që mund t’i numërojmë deri nesër në mëngjes, pse ne na duhet një mandat i tretë, jo për vete, por për Shqipërinë, në mënyrë që mandatin e tretë Shqipëria të kalojë nga ecja në vrapim dhe janë sot kushtet për të shpjeguar si dhe pse, Shqipëria mund të kalojë në një nivel të ri shpejtësie.

E kush mund ta kalojë Shqipërinë në një nivel të ri shpejtësie, përveç Partisë Socialistë të Shqipërisë!

Ne nuk jemi e keqja më e vogël. Ne jemi e vetmja e mirë që ka në politikën shqiptare.

Patjetër, ne nuk jemi më e mira e mundshme dhe kjo është arsyeja, pse ne të parët duhet të jemi të vetëdijshëm që potenciali i kësaj familjeje politike është për shumë më tepër besnikëri ndaj vlerave, për më shumë më tepër besnikëri ndaj atyre që meritojnë më shumë, edhe në aspektin e përfaqësimit dhe për më shumë më tepër besnikëri ndaj bindjes për të cilën të gjithë shqiptarët, në shumicë e votojnë dhe do ta votojnë prapë Partinë Socialistë të Shqipërisë.

Në pamje të pare, patjetër që shumëcka mbetet jashtë panoramës së gjykimit, por ajo që ne kemi të drjejtë dhe detyrë është që të shkojmë përtej pamjes së parë dhe t’u japim njerëzve mundësinë të kuptojnë këndvështrimin tonë në të gjitha aspektet e jetës në vend

Ҫfarë kemi bërë ne në fakt, që sipas meje është themelore, qoftë për të karakterizuar dallimin e madh mes nesh dhe të gjithë atyre që na pararendën, qoftë për të përcaktuar pse-në e PS-së si fuqi e vetme për të vazhduar të bëjë dallimin.

Ne kemi bërë dicka që quhet vendosja e një raporti të ri me drejtësine dhe jo me drejtësinë në sensin thjeshtë dhe vetëm të sistemit të drejtësisë, por me drejtësinë në sensin e thjeshtë, bazik të të drejtës. Dhe këtë mendoj që ne duhet ta bëjmë pjesë të të gjithë bashkëbisedimeve nga sot e deri kur të bjerë gongu i vrapimit në sprint drejt 25 prillit.

Sot, drejtësia si drejtësi, në sensin e sistemit të drejtësisë, është një kantier ku punohet, ku ka plot akoma rrëmujë, ku ka plot pisllëk, ku ka plot ende për të përfunduar, por ku për herë të parë, qysh nga ndryshimi i sistemit, janë vendosur themelet e një sistemi drejtësie që do t’u japë mundësinë fëmijëve tanë që nesër të mos e pësojnë si ata që ishin fëmijë, apo që lindën në vitin 1990 dhe që sot janë bërë burra e gra dhe nuk e kanë një sistem drejtësie të drejtë.

Për të ngritur një sistem drejtësie të drejtë dhe funksional në të gjitha aspektet e veta nuk mjafton as vullneti, as vizioni, as ligjvënia, por duhet shumë më tepër se kaq. Duhet kohë. Sistemet e drejtësisë, të cilave ne i referohemi si modele, vendeve që ne i referohemi si modele nuk duhet ta harrojmë asnjëherë që janë ngritur me kohë, jo kur ne s’kishim lindur akoma, por dhe ata që na kanë bërë kokën s’kishin lindur akoma. Ndërkohë që ne, falë faktit që jemi sot në një sfidë ku s’jemi vetëm dhe ku kemi fuqinë e madhe tërheqëse të BE-së si destinacion, do t’i kapërcejmë etapat dhe do të kapërcejmë kohën e disa gjeneratave, për të arritur që brenda një dekade të kemi drejtësinë që të tjerët e kanë ngritur me dekada të tëra. Sepse nuk e kanë pasur, por e kanë ndërtuar vetë të gjithë eksperiencën që ne sot e marrim të konsoliduar nga të tjerët dhe nuk e kishin, por e krijuan vetë BE-në që ne e kemi aty. Natyrisht, bashkë me aleatët e tjerë strategjikë, SHBA-në.

Njerëzit kanë shumë të drejtë, edhe unë njësoj si ata, secili prej nesh të thotë, ku është drejtësia, sot?

Patjetër që drejtësia, sot nuk është ende aty ku ne e presim, s’është ende aty në pozicion. Është thjeshtë një ferishte që po përpëlitet akoma në pelenat e përgjakura të një lindjeje shumë të vështirë.

Ama, kujt i shkonte mendja dhe kush tjetër mund ta bëntë atë që ne mundësuam, se do vinte njëherë dita në Shqipëri, që koorporata më e madhe antishtet, koorporata më e madhe fitimprurëse nën kostumin e shtetit, koorporata më e madhe në paprekshmërinë e vet, koorporata e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar do të çmontohet dhe një pastrim kaq masiv do të fillonte dhe do të materializohej përpara syve tanë?

Askujt!

Dhe kjo është edhe një arsye, qoftë dhe e vetme, për të kuptuar se kush do drejtësinë në këtë vend nesër, duhet të mbështesë sot, pa ekuivok, vetëm Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Dhe nuk ka nevojë të më dëgjojnë mua, apo të na dëgjojnë ne. Mjafton vetëm të dëgjojë Ilir Metën, mjafton vetëm të dëgjojë Saliun, mjafton të dëgjojë Monikën, mjafon vetëm të dëgjojë Lulin, edhe pse Luli bën çfarë i thonë këta tre të tjerët, për të kuptuar që me ne në krye ka shumë vështirësi, por nesër do të ketë drejtësi. Me ta në krye ka vetëm vështirësi dhe kurrë s’ka për të pasur drejtësi!

Por përtej sistemit të drejtësisë, a është Shqipëria sot më e drejtë, apo është më e padrejtë për ata që punojnë, për ata që krijojnë një biznes, të vogël apo të madh, që vetëpunësohen apo punësojnë edhe të tjerë?

Sigurisht që Shqipëria sot është më e drejtë për ta. Dhe duke qenë më e drejtë për ta, është më e drejtë për të gjithë.

Kur ne iu kërkuam shqiptarëve votën e tyre, u thamë që do t’i jepnim fund shtypjes së pabarabartë të taksës së sheshtë. Dhe ashtu sikundër nuk i prekëm rrogat dhe pensionet, siç na e kërkonte me këmbëngulje FMN-ja, ashtu njëkohësisht përgjysmuam taksën e biznesit të vogël, ulëm taksat për të gjithë ata që janë punonjës me rroga mesatare dhe rritëm taksën për biznesin e madh. Është fakt dhe shifra këtu nuk është opinion. Ne mund të diskutojmë plot gjëra. Mund të diskutojmë ideologjikisht, taksë e sheshtë apo taksë progresive, por kjo s’është opinion, është fakt.

Kursimet janë 130 milionë dollarë, të cilat përndryshe do të ishin në arkën e shtetit. Nëse do të kishte vazhduar sistemi i tyre i taksimit, këto do të ishin në arkën e shtetit. 130 milionë dollarë kanë shkuar në arkën e familjeve që jetojnë me biznes të vogël.

Nga ana tjetër janë shifrat e punësimit që ka ardhur edhe si rezultat i këtij lehtësimi, që thonë se me ardhjen tonë “vdiq biznesi i vogël”. Ky është opinion, ndërsa fakti është që biznesi i vogël nga 2013-ta deri në 2019-ën ka 82 mijë të punësuar më shumë. Njerëz, të cilët nuk e di çfarë bënin përpara sesa ne të vinim në detyrë, por di me siguri që edhe nëse gjenin një punë sot për nesër, ishin hije, skllevër, pa asnjë sigurim shëndetësor, pa asnjë sigurim shoqëror. Sot janë qytetarë të siguruar.

Ne na thonë që jemi partia e të pasurve, që jemi partia e atyre që punojmë për 10 veta, po 10 vetat, sa kanë paguar para se të vinim ne, për të ndërtuar, për të financuar shëndetësinë, arsimin, pagat e sektorit publik? Janë tre herë më shumë para që i ka marrë shteti dhe nuk i kanë marrë familjet e tyre.

Po 100 më të mëdhenjtë?

Janë 400 milionë dollarë më shumë, që 100 më të mëdhenjtë i kanë derdhur në arkën e shtetit.

Thonë që këto shifra vijnë si rezultat i faktit që ata kanë marrë më shumë tendera. Krejtësisht e pavërtetë!

Nuk e kam këtu shifrën e firmave që kanë marrë tendera. Do ta nxjerrim. Janë shumë më tepër në këtë kohë, sesa në atë kohë.

Ja çfarë ka ndodhur më tutje. Thonë që taksa e sheshtë do stimulojë punësimin. E kemi rritur taksën e tyre dhe shikojeni punësimin. Kemi 132 mijë të punësuar më shumë.

Fakt, nuk nuk është opinion!

E të gjitha këto janë të nxjerra nga regjistrat e shtetit, nga regjistri i tatimeve. Le t’i marrin edhe këta dembelët e llogjeve nëpër klubet e natës që bëjnë propagandën sipas mendjes së tyre nga ekrani. T’i marrin dhe të thonë nëse këto janë të përputhura emër për emër me njerëz mbrapa, apo nëse janë piktura.

Fondi i rritjes së pagave, - meqë ne jemi ata që nuk rritëm pagat, është shumë e thjeshtë, nuk ka nevojë për shkencë, - 56,2% më shumë dalin nga arka e shtetit për të paguar paga.

Këto janë të vërteta të thjeshta që kanë në themel sensin e drejtësisë.

Sot, ne vijmë në pikën kur e zerojmë taksën dhe zerojmë TVSH-në për biznesin e vogël deri në 100 milionë. Zero!

Dhe nuk është premtim elektoral, është ligj i Kuvendit të Shqipërisë që një pjesë e juaja këtu e kanë votuar në korrik.

Po ashtu zerojmë taksën deri në 140 milionë.

Unë e kuptoj që ky zerim krijon problem të madh, sepse është fakt, nuk është një garë premtimesh.

Po duhet të jesh vërtetë kaq i mllefosur dhe kaq i ndërkryer sa të mos qeshësh e le më pastaj ta besosh dhe ta votosh Lulin, që thotë ne do ta bëjmë 0,5.

Ai në fakt, unë jam i bindur që kur të vijë fushata, do ta thotë do ta bëjmë minus 0,5. Edhe e bën ai, sepse priret për mirë, do që njerëzit të jenë të gëzuar, kur ai u flet. Thotë do e bëjmë 0,5 por ama s’ka më tarifa të pushtetit vendor. Imagjino, të mos paguash për pastrimin, sepse do e pastrojë Luli qytetin, me fshesën e Monikës. Imagjinoni fshesën e Moniës se çfarë i bën qyteteve, po t’ia japësh në dorë. Mos paguani për ndriçimin se do na ndriçojë Iiri me Saliun.

Ky është një dëshpërim i madh.

Dhe dëshpërimin e bën akoma më të madh fakti që këto janë sot fakt.

Po të shkojmë përtej këtyre, a është më i drejtë sot, sistemi i rekrutimeve të njerëzve që shkojnë në shkollë, të rinjve që studiojnë, që duan të bëhen mjekë, që duan të bëhen infermierë? A është sot më e rëndësishme se dje sesa vleje? Apo është njësoj si dje, ku për t’u bërë infermiere, duhet të merrje kartonin kuq e bardhë të ndërmarrjes së Ilirit dhe Monikës, pavarësisht nëse i bie gozhdës, apo i bie patkoit, se gilpërës harrojë.

Sigurisht që është më i drejtë.

Sot, kush studion për mjekësi dhe kush studion për infermieri e ka rrugën të hapur nëse është më i zoti, apo më e zonja se ajo që ka mbrapa në gare dhe askush nuk futet dot të bëjë xhonglime, apo kapërcime, siç bëheshin deri dje. Ju vini nga gnjithë territoret e Shqipërisë dhe e dini shumë mirë sesi bëheshin infermierë e sesi mbusheshin radhët e bluzave të bardha me tesera partie. Disa nga ju e dini shumë mirë, sesa shumë janë mërzitur deputetët në fillim, fillimisht me Ilir Beqajn dhe më vonë me Ogertën, derisa u dorëzuat sepse e patë se nuk është fuqia e deputetit tek sa infermierë e sa mësues fut në punë në emër të partisë, apo jo Pjerin?

Kështu që është shumë e thjeshtë, është fakt.

Po mësuesit sot, a janë më të mbrojtur në të drejtën e tyre? Janë mësuesit sot si dje, që ishin mish për top, që i merrnin e i lëviznin sa andej këndej sipas interesave të partive dhe të pushtetit dhe jo vetëm për t’i marrë e për t’i çuar kope nëpër mitingje, por edhe për t’i marrë e për t’i hedhur si lecka rrugëve e për t’u zënë vendin me dikë që vinte me porosi, me teserë e me lekë?

Sot është fakt që mësuesit hyjnë në sistem falë meritës së tyre. Po vetë studentët, ata që nesër bëhen mësues, mjekë, infermierë, nëpunës civilë, ata, të cilët, nesër trokasin në dyer të ndryshme, si hyjnë në universitet prej vitesh tanimë, falë Lindita Nikollës? Hyjnë dot më se janë djali i Fahrit?

E përmenda për inferci, sepse në fakt nuk është dita, por imagjinoni, nuk e besoja dot që disa demokratë në Pogradec kishin shkruajtur tek Platforma e Bashkëqeverisjes, kërkoni drejtësi për djalin e Fahriut. Apo mbesa e Monikës, apo nipi i Saliu. Cilido qoftë nuk hyn dot më. Mund ta ketë babain biznesmen të madh me shumë lekë, por vjen djali i një çobani që ka më shumë pikë dhe të lë mbrapa. Partia nuk bën dot asnjë punë. E dini vetë, keni pasur vështirësi për të hequr dorë nga zakoni i kaluar, që deputeti futet mik për të futur njerëz në universitet.

Kaloi dhe kjo vështirësi. Dhe kështu është në të gjithë fushat.

Sot, Shqipëria me fëmijët është më e drejtë, apo siç ishte? Qëkur lindin, kur dalin nga barku i nënës, merrnin një çek 50 mijë lekë të vjetër në letër. Në fakt, një pjesë as nuk e merrnin fare. Se mbetej në ato zyrat e pushtetit vendor, e Ministrisë së Pushtetit Vendor, apo Ministrisë së Brendshme që kishte brenda pushtetin vendor dhe nuk e merrnin. Shkonin pastaj në bashki e ca e jepnin, ca nuk e jepnin, ca e devijonin diku tjetër. Ishin thjesht 50 mijë lekë të vjetra. Saç ishte bonusi që u vu për herë të parë nga Bashkia e Tiranës shumë vite më parë.

Sot janë 400 mijë lekë, 800 mijë lekë, 1 milonë e 200mijë lekë, sipas fëmijëve, i pari, i dyti, apo i tretë. Sot e merr cekun në maternitet, në dore e shkon në bankë e merr kur të duash. E merr menjëherë, ose e lë aty dhe i merr kur të duhet.

Po kur shkojnë fëmijët në shkollë, si është Shqipëria sot, siç ishte? Kush ka lekë blen libra e kush s’ka lekë nuk blen libra?

Sot, të gjithë i kanë librat falas. Dhe jo vetëm i kanë librat falas, por çfarë librash kanë. Se mund t’i japsh falas librat e Fahriut, ose Hajriut, ose Hakiut, por u jep në fakt, një hall të madh në dorë. Tekste ku varet teksti i kujt të binte, se diku ishte 28 Nëntor dita e çlirimit dhe diku ishte 29. Diku pula quhej kafshë e egër e diku quhej kafshë shtëpiake. Diku krokdili quhej kafshë mesdhetare e diku lepuri quhej tigër afrikan.

Sot, të gjithë fëmijët e Shqipërisë, të githë vajzat dhe djemtë në arsimin parauniversitar kanë 3 zgjedhje, njëra më e mirë se tjetra; Oxford, Cambridge dhe Priston. Kanë libra të njëjtë me bashkëmoshatarët e tyre në Bashkimin Europian.

Mund të vazhdoj kështu në çdo sector, në çdo drejtim, për të thënë se përtej faktit në aspektin ekonomik, përtej fakteve në aspektin strukturor, përtej faktit në aspektin zhvillimor, qoftë të shtetit, qoftë të shoqërisë, ka një fakt në themel; Që në çdo drejtim, me Partinë Socialiste ka më shumë përpjekje dhe përpkjekje të pakthyeshme dhe të pandalshme, për t’i vënë gjërat në vend dhe për t’i bërë gjërat drejt.

Me ata të tjerët ka vetëm rrëmujë dhe gjërat që bëhen, bëhen mbrapsht.

Ky është një dallim shumë i thjeshtë.                                                         

Ndërkohë që thënë të gjitha këto, patjetër që në të gjitha këto fusha ka probleme me padrejtësinë; ka probleme me padrejtësinë në biznesin e vogël dhe të madh për arsye se akoma sistemi ynë i kontrollit dhe inspektimit nuk është një sistem në është në lartësinë e dinjitetit që ne duam për këtë vend dhe këtë shtet. Patjetër ka akoma mësuese që nuk arrijnë dot, në rast se janë në atë kuotën e vogël, por çrëndësi ka sa e vogël është, të atyrë që janë me kontratë, të atyre që janë zëvëndësues, sepse dikush tjetër i kapërcen. Patjetër që ka akoma problem me infermierë që nuk i rrinë mbi kokë çdo njeriu që ka nevojë nëpër fshatra dhe nuk shkojnë çdo ditë në punë, për të thënë më të paktën. Patjetër që ka akoma problem me mjekë që marrin lekë, por ama më thoni, ka ndonjë gjë që mund të jetë njësoj sot në sistemin tonë shëndetësor si dje?

Është absolutisht e pamundur të bësh krahasimin.

Mund të krahasohet QSUT-ja sot me atë që ishte dje?

A mund të krahasohet pamja e personelit mjekësor sot me atë që ishte dje?

Mund të krahasohen kushtet sot me ato që ishin dje?

E pamundur!

Patjetër që për të gjitha ato që ende janë në mes të rrugë, për të gjitha ato që ende janë padrejtësi të qarta në sisteme që ende nuk kanë marrë formën e tyre përfundimtare, ka vetëm një rrugë, që është Partia Socialiste e Shqipërisë! Nuk ka tjetër!

Nuk ka tjetër edhe për një arsye të thjeshtë, që këta që na kundërshtojnë dhe na konkurrojnë kanë një problem tjetër shumë të madh. Këta mendojnë se gjërat ishin më mirë atëherë. Këta besojnë që gjërat ishin më mirë atëherë. Këta vërtetë e besojnë që sot, në Shqipëri ka më shumë krim sesa atëherë, që sot në Shqipëri ka më shumë korrupsion sesa atëherë. Këta vërtetë mendojnë që lufta kundër krimit dhe korrupsionit atëherë ishte luftë.

Ndërkohë që faktet tregojnë komplet gjëra të tjera.

Faktet tregojnë që sot, ne u kursejmë shqiptarëve miliona vajtje-ardhje nëpër zyrat e shtetit. Padiskutim që nëpër zyrat e shtetit sot, aty ku njerëzit marrin shërbimet ka akoma padrejtësi. Po të mos kishte fare, ne do të ishim magjistarë. Se do të kishim ngritur në një kohë kaq të shkurtër, një administratë europiane si ato që i kanë vendet e tjera, të ngritura me dekada, madje me shekuj.  

Ajo që ne kemi avantazh, siç e kanë të gjitha vendet që sot janë më mbrapa, është teknologjia. Janë miliona vajtje-ardhje që ne i kemi kursyer njerëzve, për të marrë një shërbim. Shërbime që i marrin sot nga telefoni, apo nga kompjuteri më i afërt. Në fund të këtij viti 95% e shërbimeve publike për qytetarët do të jenë online.

Në të gjithë vajtje-ardhjet që vazhdojnë, patjetër ka vuajte, tortura, ka zvarritje, ama duke parë me nga u nisëm, nuk mendoj që ka një krahasim të mundshëm dhe duke parë se ku kemi arritur, nuk mendoj se ka një zgjidhje tjetër të mundshme, përveç Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Parapërfytyroni për një moment, sikur, larg qoftë, tërmeti të kishte rënë para 7 vjetësh, COVID të kishte ardhur para 7 vjetësh, ose kur ranë dhe na erdhën, të na kishin gjetur siç ishim para 7 vjetësh. Parapërfytyroni një moment sikur në kohën kur ne duhet të bënim mbylljen e përgjithshme, të mos e kishim produktin më domethënës të revolucionit digjital, platformën e-albania. Si do i merrnin njerëzit lejet për të vazhdur aktivitetin e tyre, apo për aktivitetin jetik të domosdoshëm do të prisnin nëpër radha, të merrnin COVID-in, apo t’ia jepnin njëri-tjetrit?

Shumë i thjeshtë, por mendoj që është shumë domethënës. Parapërfytyroni sikur ne të kishim spitalet e 7 viteve më parë, Infektivin e 7 viteve më parë. Si do e përballonim emergjencën e COVID-it?

Sikur të kishim financat e 7 viteve më parë, si do e përballonim tërmetin?

Kush do mblidhej 7 vite më pare, ashtu siç u mblodh në fillim të vitit në Bruksel, për t’i dhënë Shqipërisë 1,2miliardë?

Nuk dua të bëj krahasime të pavend, por ndodhi një fatkeqësi në një vend tjetër, u bë një konferencë donatorësh. Nuk u arrit ajo që arritëm ne. Është solidariteti europian? Sigurisht, nuk diskutohet, por, nëse dikush thotë se pavarësisht se kush ishte këtu në qeveri do ta kishte marrë, ia fut kot komplet, sepse nuk mund të ndodhte ashtu. E nuk mund të ndodhte ashtu siç ka ndodhur në të gjithë përballimin e këtyre situatave.

Luli është çun shumë i mire, por a ka një shqiptar që po të ketë një hall natën, merr në telefon Lulin?

Unë nuk e besoj.

Unë besoj që edhe më të afërmit e tij thonë, lëre mos harxho kohë kot t’i biesh telefonit, sepse është ora e gjumit.

Ne i qëndruam mbi kokë ditë-natë njerëzve.

Unë nuk e them për ta thënë, por unë besoj që po të jetë puna për të thënë se sa shumë gjëra janë arsyet për të mos u   kënaqur, unë fitoj garën me të gjithë, pa përjashtim, sepse e di nga brenda punën, e njoh në çdo detaj dhe e kuptoj shumë mirë ku çalon. Por ama mos më thoni e mos më thotë njeri që ka të krahasur mes nesh dhe kujtdo tjetër që na del nga mbrapa, se ata na dalin nga mbrapa, se ne përpara kemi të ardhmen.

Ata janë mbrapa, shumë mbrapa. Prandaj bërtasin, ulërasin, dehen, kërcënojnë, shantazhojnë dhe bëjnë rrëmuja, sepse faktikisht nuk e kanë shpejtësinë për të na arritur. Prandaj është fatkeqësi e madhe, shpresojnë të na bllokojnë duke na nxjerrë përpara miq dhe partnerët ndërkombëtarë. Sa herë e keni dëgjuar ju dhe të gjithë që për ligjin elektroral do të flasë bota, do të zbarkojë Amerika, do zbarkojë Europa? Ku janë? Keni dëgjuar gjë?

Sigurisht që ka miq të Shqipërisë që janë dhe miqtë e Lulit dhe të Ilirit, që mendojnë si ata të dy. Është normale, është demokratike. Por Europa është Bashkimi Europian dhe shtetet kanë zërin e tyre. Dhe ne kemi bërë gjënë e duhur jo për veten tone, por për vendin tonë dhe kemi bërë gjënë e duhur për procesin zgjedhor dhe kemi bërë gjënë e duhur për të pasur nesër një parlament më përfaqësues, më të përgjegjshëm dhe sigurisht, edhe një parlament akoma më të aftë se çdo parlament tjetër më parë. E kjo është ajo që vlen.

Pse ne dhe si, në mandatin e tretë do ta bëjmë Shqipërinë të vrapojë pasi ka ecur e ka ecur jo pak në këtë mandat, duke rimarrë veten nga lëngimi e paraliza ku ne e gjetëm mandatin e parë?

Faktet, jo opinionet, jo dëshirat, thonë që ne kemi dy krahë. Kemi krahun e fuqisë sonë të brendshme, që sot është shumë më e madhe sesa ishte, pavarësisht se çfarë predikojnë Kasandrat e bulevardit e të klubeve të llogjeve të natës dhe përmes këtij krahu, ne kemi sot, para syve tanë një sërë motorësh të rinj për t’i ndezur ekonomisë dhe për të nxitur jo thjesht punësimin në numra, por një punësim ku vlera e pagës edhe në sektorin privat do rritet.

Pa u zgjatur shumë në të gjitha, se janë shumë, unë do doja të thoja që kemi dhe një krah tjetër, të ri e shumë të fuqishëm, që është plani i ri europian, i cili bazohet pikërisht tek ai që ka qenë vizioni që për fatin tim të madh e për nderin tim, ju e keni përqafuar të gjithë, pavarësisht rezistencës që ka hasur brenda dhe jashtë Shqipërisë, vizioni i Shengenit Rajonal.

Ka qenë ai vizion i Shengenit Rajonal që ka avancuar me vështirësi, vit pas viti dhe që është bërë baza sot, e planit masiv europian pas ndryshimit të Komisionit Europian dhe ka qenë edhe këmbëngulja jonë, e kur them e jona, them e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera në rajon, për të insistuar që integrimi europian individualisht mund të marrë kohë, por rajoni nuk mund të lihet në mëshirën e asaj kohe e rajoni duhet mbështetur.

Ja ku jemi sot, Komisioneri për Zgjerimin, para dy ditësh erdhi këtu dhe tha diçka që ishte aspak e habitshme, - në të gjitha mediat thuajse nuk u dëgjua fare. Ndërkohë që ajo ishte gjëja më e madhe që ka ndodhur për Shqipërinë në aspektin financiar, që nga viti 1990 e për rajonin patjetër. Një plan prej 9 miliardë eurosh grante për vendet e rajonit dhe 20 miliardë të tjera kredi të garantuara, nga 1 miliardë në 9 miliardë. Kjo është diçka fantastike.

Na takon ne, siç e tha dhe Komisioneri, që tani të bëjmë projektet dhe t’i kthejmë këto para të vëna në dispozicion në investime dhe ne kemi treguar që dimë ta bëjmë këtë.

Paratë për bujqësinë nga Bashkimi Europian ishin aty prej vitesh e vitesh. U desh vota e vitit 2017 për Partinë Socialiste pa të tjerë në prehër, që ne të merrnim më në fund kreditimin për Agjencinë dhe sot, ne jemi vendi i parë në rajon për thithjen e fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë. E faktikisht, nëse bëjmë llogarinë mes parave tona, të buxhetit dhe parave europiane që po futen në ekonominë rurale, është një shumë më e madhe sesa shuma e të gjitha viteve të mëparshme të financimit të bujqësisë, të marra së bashku.

Tre shtyllat që ka plani, janë tre shtylla që shkojnë krejtësisht në harmoni me planin tonë të mandatit të tretë, që është infrastruktura, transporti, energjia, burimet natyrore dhe dixhitalizimi.

Sot, ne jemi fakt, jo opinion, vendi i parë në Ballkan për dixhitalaizimin dhe qeverisjen dixhitale. Jemi vendi i parë në Ballkan për shërbimet dixhitale për qytetarët.

Kjo është e ardhmja.

Nëse sot jemi në një udhëkryq, ku shumë njerëz kanë inercinë e të shkuarës, ku shumë zyra, shumë punonjës, shumë drejtorë kanë mentalitetin e të shkuarës dhe ende procesi është i vështirë, nesër, të gjithë fëmijët tanë do kenë një shtet dixhital. Nuk do kenë më nevojë të dinë as kush është drejtori, as kush është drejtoresha, as ku bie zyra. Shumë shpejtë nuk do ketë më zyra pritjeje dhe shërbimesh fizike. Gjithçka do të bëhet online.

E kur them shumë shpejt, nuk them pas 10 vitesh, them në pak vite. Në shumë pak vite, përpara sesa të mbarojë mandati ynë i tretë e në atë moment nuk do ketë më asnjë mundësi, jo më nevojë për të paguar ryshfete. Fare! Gjithçka do të ndodhë siç ndodh në një pjesë të shërbimeve sot.

Në infrastrukturë, flasin njerëzit me të drejtë, ku i keni hekurudhat. Çfarë hekurudhash mund të bënte Shqipëria e mund të bënim ne në këto dy mandate, me këto mundësi financiare?

Ndërkohë që së shpejti, më në fund, pas nuk e di sa vitesh, 4, 5 vitesh negociata e historira me Bankën Europiane, do të nisim ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Ama kjo do të jetë vetëm fillimi i një plani që është plani ynë, por që tanimë ka mundësi financimi nga plani i financimit të Bashkimit Europian, sepse ndërtimi i rrjeteve hekurudhore brenda në vendet e rajonit dhe lidhja mes vendeve të rajonit është një nga prioritetet e planit europian. Kështu Shqipëria e të nesërmes, falë mandatit tonë të tretë, - se ju e dini, kur vinë ata, ata rrëmbejnë shinat për skrap, ata po panë shinë, e çojnë për skrap, natyrisht kanë probleme me hekurudhat, sepse duan tramvaj elektrik, si tramvaji që erdhëm këtu, e keni parasysh.

Më thonin që aeroporti i Kukësit është një fantazi, por unë o do t’i marr 120 demokratë nga ata që më shajnë mua rregullisht e në shenjë falënderimi, nga Londra do t’i ul në Kukës, që të votojnë PD-në në 25 prill, o s’ ka. Mbajeni mend çfarë po ju them! Do t’i ul 120 demokratë, - do hap një konkurs në facebook e do u them, publikoni gjithë sharjet, kush ka sharë më shumë, do ta marri falas fluturimin, - në aeroport e do t’i them, tani shkoni votoni PD-në.

Aeroporti i Vlorës u pengua nga COVID-I, për fat të keq dhe ndali procesi. Javën e ardhshme, më në fund do ta rihapim procesin aty ku është ndërprerë. Vitin e ardhshëm, - nuk po jap datë tanimë, sepse datat ne i japim duke bërë llogaritë sipas nesh e sipas punës që bëjmë ne, por kur gjërat nuk janë në dorën tone, na ikin datat dhe dalin vlonjatët pastaj thonë aeroporti do ndërtohet në Surrel, - do fillojmë ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Menjëherë pas mbylljes së garës për Vlorën, brenda disa javësh, do shpallet gara për Aeroportin e Sarandës.

Mandati i tretë do të mbyllet me tre aeroporte, plus këtij që kemi, bëjnë 4 aeroporte. 

Nuk do presim mandatin e tretë për Portin e Vlorës. Për dy portet e Vlorës në fakt, sepse ky që është atje në qytet do të bëhet një port turistik. E kanë premtuar të gjithë në të gjithë fushatat. Mbaj mend kur shkonin nëpër fushata në kohën e largët, premtonin TransBallkaniken dhe portin turistik.  TransBallkanikja, unë atëherë nuk e dija se për çfarë ishte fjala, më dukej sikur do sillnin gjithë Ballkanin në Vlorë.

Kurrë nuk u bë, e bëmë ne.

Portin turistik do ta nisim ne, brenda pak kohe. Në pranverë, aty do jetë kantier, para zgjedhjeve, pra, para përfundimit të mandatit dhe ndërkohë do ndërtojmë portin e ri të mallrave tek Tri porti për mallrat dhe për peshkatarët e Vlorës, por jo vetëm kaq.

Porti i Durrësit do iki nga aty. Aty do bëhet port turistik. Nuk mundet dot të shkarkohet krom e qymyr në zemër të qytetit, sikur jemi në kohën e kështjellës buzë Adriatikut. Do ndërtojmë portin e ri të mallrave në Porto Romano dhe kjo nuk do ndodhi mbas 100 vjetësh. Nuk është një HD, është diçka që do të ndodhi shpejt, do të fillojë shpejt.

E po kështu do të kemi portin e ri turistik në Sarandë, që do të fillojë ndërtimi shumë shpejt, edhe ky para se të mbarojë ky mandate.

Do të vazhdojmë punën me qeverinë e Kosovës për të vlerësuar edhe Portin e Shëngjinit.

Ndërkohë, brenda pak javësh fillon ndërtimi i rrugës Milot – Fier. Rrugën Milot – Fier, më në fund një rrugë ku makina ka rrugën e vet, lopët kanë shtigjet e tyre, qentë e macet kanë kanalet e tyre e njerëzit nuk bëhen mish për top atje, siç ndodh prej 30 vitesh.

Paralelisht me fillimin e Milot – Fier do të shpallim Milot – Murriqan, sepse do të çojmë Korridorin Blu. Ju kujtohet kur thosha unë Korridori Blu, dilte Saliu, që normalisht të paktën tek bluja nuk duhet të shtrembërohet dhe shtrembërohej dhe zgërdhihej që çfarë janë këto fantazira. Korridori Blu është projekt europian e nga Murriqani deri në Vlorë do shkohet pa ndaluar e pa u penguar nga askush.

Nga ana tjetër është dhe Milot – Rrësheni. Se këta thonë bëmë rrugën e Kombit, po rruga e Kombit akoma vazhdon atje. 7 ura u ndërtuan në këtë kohë. Ura e madhe lidhëse po ndërtohet tani, pa llogaritur investimet e tjera. Por kush shkon atje dhe vjen nga atje e di shumë mirë që është një gyp nga Rrësheni në Milot. Edhe kjo është një infrastrukturë strategjike që me planin e financimit europian është në dorën tonë që ta bëjmë.

Nuk po vazhdoj me të tjera e të tjera, por po flas për projekte që janë konkrete dhe reale e që janë ose në fillim, ose pranë fillimit, sepse njerëzit shpeshherë ngatërrojnë fadromën me fillimin e punës. Nuk fillon puna kur sheh kantierin, nuk fillon puna kur fillon gërmimi. Puna fillon kur sheh ëndrrën, pastaj kur hedh konceptin e bën projektin, kur gjen financimin, pastaj bën garën, bën kontratën dhe pastaj shkohet në kantier. Ne nuk po rrimë.

Kemi që në 27 nëntor të vitit të shkuar që nuk po rrimë duarkryq, për të filluar rindërtimin e qytetit të Durrësit, por atje bëhet fjalë për rindërtim masiv pallatesh e për një lagje të tërë të re. E si u bëka një lagje e re e tërë me 2000 apartamente, sikur po bën një koment në Facebook?

Sot hapet procedura për pallatet e para dhe brenda pak muajsh, edhe në Durrës do të jetë i hapur i gjithë kantieri i rindërtimit të pallateve. E kështu brenda vitit të ri, qindra e qindar, mijëra në fakt, familje që jetojnë në shtëpi individuale në fshat do të hyjnë në shtëpi e do ta kenë Vitin e Ri në një shtëpi të re, më të mirë, më të madhe, më të fortë.

Për të gjitha këto, ne na duhet një betejë shumë e madhe komunikimi me njerëzit. Na duhet një betejë shumë e madhe ku vetëdija se të gjitha këto janë të rëndësishme, të gjitha këto janë të mira që ne kemi bërë për vendin, por të gjitha këto nuk mjaftojnë fare, për t’i parë njerëzit me idenë që duhet të na çohen e të na duartrokasin, por mjaftojnë vetëm për t’u thënë njerëzve që e dimë shumë mirë, - unë e di, besoj që edhe ju e dini - sesa shumë halle e probleme ka akoma Shqipëria dhe njerëzit.

E dimë shumë, shumë mirë se çfarë duhet akoma, por ama, këto që kemi bërë, vlejnë për të kuptuar që ne e dimë se ku do shkojmë e nëse nuk kemi shkuar ende atje ku e dimë se duhet e do shkojmë, është sepse jo të gjitha i kemi bërë si duhet dhe sepse të gjitha këto që duam të bëjmë, kërkojnë kohën e tyre.

Ndërkohë që nuk kemi pasur klimën më të mirë të mundshme, e këtë nuk e them për t’u justifikuar, apo për t’u ankuar, për të punuar, në kushtet kur jemi përballur me agresione skandaloze nga ana e një opozite që doli mendsh fare e pastaj doli dhe nga Parlamenti e sigurisht, edhe me dy goditje shumë të rënda, të cilat sidoqoftë besoj që faktet tregojnë se i kemi përballuar me dinjitetin që i takon Partisë Socialiste. Kemi provuar që ne bëjmë atë që askush tjetër nuk e bën dot këtu, se i përmbyteshin njerëzit në Shkodër dhe paratë për ato përmbytje, që ishin shumë e shumë herë më pak sesa paratë që duhen për rindërtimin, i kemi paguar ne, kokërr më kokërr, në Shkodër. Nuk paguan asnjë lek kur njerëzit u përmbyten në Shkodër dhe i lanë si borxhe mbrapa.

Nuk paguan asnjë lek për njerëzit që ishin me aftësi të kufizuara. 40 milionë dollarë borxhe për personat me aftësi të kufizuar dhe bëjnë sot, sikur u dhimbsen personat me aftësi të kufizuar. I kemi paguar ne.

E të tjera e të tjera. Një mal me borxhe.

Këta kanë bërë tendera rrugësh, më shumë sesa të gjitha qeveritë e Ballkanit, të mbledhura së bashku, por një rrugë të vetme nuk e mbaruan. Më thoni një rrugë që e mbaruan. Ndërkohë që e vetmja rrugë që e bënë pjesërisht e që është rrugë, nuk mund të thuash që nuk është rrugë, është rruga e Kombit, por dhe rrugën e Kombit po e mbarojmë ne. 

Cilën rrugë bënë këta?

Mjafton të shikojmë sa kanë paguar këta nga punët e rrugëve që kanë hapur dhe mjafton të shikojmë sa para më shumë na kanë detyruar të paguajmë e kanë bërë që shqiptarët të paguajnë me projektet skandaloze, me kontratat skandaloze, me supervizionet skandaloze dhe me ato daullet skandaloze për t’u rënë për fushata.

Ky është fakt, nuk është opinion!

E pra, sot, ne na duhet që t’i përballim njerëzit me faktet, por të përballemi edhe me një fakt tjetër, që është në zemrën e tyre, është në mendjen e tyre, që është shqetësimi se si do shkojnë gjërat. Ka një shqetësim të thellë në zemrën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që është shqetësimi i ikjes së njerëzve.

Ka një fakt për ikjen e njerëzve. Një fakt që është nga Eurostat-I, nuk është nga Partia Socialiste. Mund të gjendet në Eurostat. Shikoni sa njerëz kanë ikur në vitin 2008, 2009, 2010. Këta janë të regjistruar dhe janë në librat e Eurostatit, nuk janë në fletoret e asnjë zyre këtu dhe as nuk vijnë nga fjalimet në Parlament. 2008 – 2010 ka qenë momenti i ikjeve më të mëdha. Shikoni edhe diferencën [slide grafiku] Ndërkohë shikoni si relativisht ka rënë. 2008 – 2013, 2014 – 2019 [slide grafiku] dhe shikoni sa janë kthyer ndërkohë, nëse e kanë, 2014 – 2019, të regjistruar.

Por ama, përtej sa ikën atëherë e sa ikën tani, ky është një fakt që shqiptarët, të rinjtë, ata që janë në gjendje pune një pjesë ikin. Ka dhe nga ata që kthehen.

Së pari, a është kjo një tendencë shqiptare? Apo është një tendencë rajonale dhe e të gjithë vendeve ish komuniste, ku ka qytete të tëra të vdekura, komplet, që nga Lituania e deri në Bullgari, qytete fantazmë komplet?

Së dyti, kush është zgjidhja?                          

A ka një zgjidhje kjo me një të rënë të lapsit? Apo një të rënë të ziles?

E për më tepër, a është ardhja e Ilirit, Saliut, Lulit dhe Monikës në pushtet, një magnet që do të thithë mbrapsht shqiptarët në Shqipëri? Kush mund ta besojë?

Është e studiuar, e argumentuar dhe e konkluduar që edhe një dekadë tjetër, trendi do të jetë ky, më shumë do ikin sesa do vijnë, në të gjitha vendet. Sigurisht, sa do jetë raporti i ikjeve me vetveten, kjo varet nga vendi në vend. Ama është po ashtu e qartë që, nëse ne do të bëjmë gjërat e duhura dhe gjerat e duhura e dimë shumë mirë se cilat janë dhe jemi vetëm ne që mund t’i bëjmë, patjetër që do të jemi ndër vendet që do ta stabilizojnë këtë trend.

Që shqiptarët kanë ikur, ikin e do të ikin, janë kthyer, kthehen e do të kthehen, kjo është gjëja më normale, pasi kemi dalë nga bunkeri i komunizmit. Por që ekuilibri të jetë më i qëndrueshëm, kjo kërkon që ne, kur punojmë sot, të vazhdojmë të bëjmë ato që kemi bërë në këto vite, që të mos mendojmë vetëm sot për sot, por të mendojmë dhe për nesër. Që kur bëjmë reformat sot, të mos themi, t’i lëmë njerëzit të mos paguajnë energjinë se do humbasim vota, t’i lëmë njerëzit të ndërtojnë pa leje se do humbasim vota, t’i lëmë njerëzit të futen nëpër universitete me mik se do humbasim vota. T’i lëmë njerëzit kështu e ashtu se do humbasim vota, sepse ashtu në fakt, ne jo vetëm që nuk fitojmë vota, por humbasim Shqipërinë.

E prandaj, edhe në këtë pikë ne jemi dallimi me ata.

A ka një njeri që e beson që LSI-ja mund të pajtohet me një shtet ku ajo është pjesë e pushtetit dhe ku funksionon merita?

Përveç meritës së të qenit anëtar apo aksioner i LSI-së?

Unë nuk besoj që ka. E kush e mendon këtë, ka një problem me mënyrën e vetë të të menduarit.

Ne na duhet që më shumë se asnjëherë tjetër të kuptojmë që për ne, kjo fazë e këto zgjedhje janë një betejë, jo me ata që kemi mbrapa, por me shqetësimet e thella të njerëzve dhe me ato pasiguri për të ardhmen, që sot janë krijuar dhe si rezultat i një ndryshimi në vendin ku njerëzit jetojnë dhe në mënyrën e jetesës.

Pse, njësoj është sot Tirana me atë që ishte?

Po Vlora, po ajo është?

Po Fieri, po ai është?

Po Puka, po ajo është?

Po Lezha, po ajo është?

Korça është ajo që ishte?

Kolonja është ajo që ishte?

Cili qytet është ai që ishte përpara sesa ne të merrnim detyrën?

Gjirokastra është ajo që ishte?

Tepelena është ajo që ishte?

Po Përmeti, ai që ishte është?

Ama, ndryshimi nuk është i atillë tek jeta e përditshme e njerëzve, saqë të krijojë qetësi dhe siguri, përkundrazi. Ndërkohë që, kur njerëzit ishin në kushtet e mbijetesës, mendonin sot për sot, nuk mendonin fare çfarë do ndodhi nesër. Mendonin ta shtymë sot për sot. Ndërkohë që sot njerëzit mendojnë çfarë do ndodhi nesërm çfarë do bëhet me fëmijët e mi. Ndërkohë që deri dje ishin çfarë do ndodhi e si do ta zgjidh sot për sot.

Si do i ushqej sot për sot fëmijët? -  ishte një pyetje, jo e një pjese të vogël familjesh, por ishte një pyetje e pjesës më të madhe të familjeve. Kjo është ajo që ka ndryshuar dhe nëse njerëzit këtë kanë të drejtën e tyre që të mos duan ta dëgjojnë fare, atëherë ne kemi detyrën tonë që t’u themi atyre, ato që ata duan të dëgjojnë prej nesh në funksion të së nesërmes. E jo vetëm t’jua themi, por edhe t’u japim mundësinë që ata ta shohin tek ne, ta shohin tek mënyra jonë e të qenit, tek mënyra jonë e të komunikuarit, tek mënyra jonë e të vepruarit.

Prandaj është shumë e rëndësishme që i gjithë ky shqetësim, i cili nuk lidhet fare me ata që ne kemi mbrapa, por lidhet me atë që vjen përpara, të konsiderohet nga ne, kundërshtari ynë më i madh e kundërshtari që ne duhet të zmbrapsim. E për ta bërë këtë, ne duhet të shohim rretherrotull, duke filluar që nga familja jonë, Partia Socialiste. 

Duke parë njerëzit që janë anëtarë të kësaj familjeje e të cilët për një arsye apo një tjetër, pak apo shumë, në varësi nga vendi ndihen të shkëputur nga shumëkush prej jush. Ndihen të shkëputur nga deputeti, ndihen të shkëputur nga kryetari i bashkisë, ndihen të shkëputur nga ajo pjesë me të cilën kanë ndarë përpjekjet për të sjellë Partinë Socialiste në krye të vendit. Përtej tyre, është e gjithë pjesa tjetër.  Pjesa e atyre që votojnë Partinë Socialiste. Ne duhet t’i pyesim ata që kanë votuar Partinë Socialiste se çfarë i shqetëson sot më shumë dhe jo vetëm t’i kuptojmë e të mos jemi fare të papërgatitur kur të kuptojmë që shqetësimin ata e lidhin me ne, se më kë do ta lidhin shqetësimin shqiptarët, me kë? Nga kush do kërkojnë shqiptarët, nga Iliri? Apo nga Luli? Apo do kërkojnë nga Saliu, apo nga Monika? Nga kush?

Natyrisht që do kërkojnë më shumë nga ne. Nuk kanë nga kërkojnë tjetër. Më shumë do kërkojnë nga ne dhe ne do t’u japim më shumë në çdo aspket. Ne do t’u japim anëtarëve të partisë, mundësinë të vlerësojnë të gjithë deputetët në tre cikle, jo një herë. Tre herë. E sigurisht, të shohin që ne i dëgjojmë e çdo deputet të përpiqet të përmirësojë vlerësimin.

Anëtarët e partisë duhet të vlerësojnë qeverinë, mua patjetër, për të kuptuar jo thjesht se çfarë mendojnë, por mbi të gjitha për të kuptuar se ne jemi të vetëdijshëm që sa shumë akoma ka për të bërë në raportin me ta e sigurisht dhe në raport me gjithë të tjerët përtej tyre e natyrisht ne do t’u japim të gjithëve, e jo vetëm anëtarëve të partisë, por të gjithë të tjerëve, njerëzve që janë në territore, njerëzve që janë në emigracion të drejtën që të thonë, “unë dua të bëhet deputet i Partisë Socialiste”. Çfarë problemi ka? Unë dua të bëhen deputet i Partisë Socialiste. Unë kam arsye të mendoj që unë mund ta përfaqësoj Partinë Socialiste. E do ta bëjmë këtë. Do t’i japim mundësi të gjithëve që të shprehin interesin e tyre për të qenë pjesë e skuadrës sonë në 25 prill. E patjetër që do kërkojmë të shkojmë përtej radhëve të Partisë Socialiste sepse Partia Socialsite ka 100.000 anëtarë, por ka 800.000 votues e kjo do të na ndihmojë që skuadra jonë të jetë një kombinim i eksperiencës dhe i pasionit, i forcave të brendshme dhe i forcave rreth nesh, e vetëm kështu, ne do mundemi që me njerëzit të mos kemi vetëm raportin e punëve të bëra për të cilin e thashë dhe e them, duhet të jemi kryelartë, të mos kemi as vetëm raportin e komunikimit të të vërtetave të secilit, por të kemi edhe një urë të re të vullnetit të mirë për të qenë sëbashku.

Ne nuk kemi parti për t’u bërë aleatë bashkë. Nuk kemi. Askush nga partitë politike që janë sot në Shqipëri, nuk plotëson kushte për të qenë aleati ynë, askush. Aleati ynë janë njerëzit, koalicioni ynë është me njerëzit, ne jemi partia më e madhe e shqiptarëve dhe sëbashku me shumicën e shqiptarëve ne do t’i lëmë mbrapa më shumë se asnjëherë tjetër, mbajeni mend fjalën time sot. Do t’i lëmë mbrapa më shumë se asnjëherë tjetër të gjitha forcat që duan të na tërheqin ne mbrapsht e duan të mbajnë Shqipërinë peng, të gjitha bashkë.

Unë kam qenë, ju e dini shumë mirë, unë kam qenë partizan i bashkimit me LSI-në. Dy herë, jo një herë. Kam qenë partizan i bashkimit të të majtës. I një të majte me dy shpirtra që u krijua nga një çarje e madhe e Partisë Socialiste. Kam besuar që kjo ishte rruga e duhur për të krijuar një pol të fuqishëm qeverisës dhe ajo që kam mësuar ka qenë që të dyja herët, problemi është zmadhuar deri sa është bërë eksploziv si rezultat i një fakti të thjeshtë. Partia Socialiste edhe Partia Demokratike në anën e vet, por në rradhë të parë Partia Socialiste, është një parti e madhe që përtej të gjitha zakoneve të këqija që janë pjesë e organizmit të çdo partie në Shqipëri dhe në botë, ka përgjegjësinë qeverisëse, në opozitë apo në pushtet. LSI-ja nuk ka lidhje me përgjegjësinë qeverisëse.

LSI-ja do të jetë pjesë e qeverisë për t’u rritur në kurriz të shtetit.

Bomba që hodhi në erë koalicionin me LSI-në ka qenë reforma në drejtësi. E dini shumë mirë që aty ndarja është bërë e pariparueshme për një arsye shumë të thjeshtë përsëri, sepse LSI-ja është krijuar për të marrë sa më shumë pushtet, duke marrë peng njërin nga dy të mëdhenjtë. Është krijuar për këtë. Ka lindur si një forcë hakmarrëse për arsye që nuk i hymë t’i diskutojmë sot, që kanë pasur legjitimitetin e tyre. Ka përfituar nga degradimi i Partisë Socialiste patjetër. Ka përfituar nga një boshllëk i krijuar nga vetë Partia Socialiste. Ka përfituar nga pakënaqësia legjitime e krijuar brenda Partisë Socialiste ku shumë njerëz ndiheshin të pa promovuar sa donin apo sa duhet dhe është rritur  në kurriz të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike. LSI-ja është e krijuar për këtë. Është një organizatë, e cila funksionon vetëm me këtë parim, njësoj si qelizat e kancerit për të cilat thuhet se rriten pa qëllim e në fakt shtohen vetëm për ta vdekur organizmin që kapin.

Me LSI-në nuk ka mundësi të bëhet më shumë se sa kemi bërë në mandatin e parë. Patjetër që unë nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë më parë, edhe sot e pohoj, kam qenë partizan, dy herë, i bashkimit me LSI-në dhe falë atij koalicioni, për shkak të numrave kemi bërë shumë gjëra.

Mund të kishim bërë shumë më tepër e çfarë kemi dhënë? Kemi dhënë atë që çdo parti, qoftë PS-ja, qoftë PD-ja detyrohen të japin kur janë me LSI-në. Një pjesë të shpirtit. Do detyrohesh ta pranosh, përndryshe nuk bën dot as atë pjesë të gjërave që përndryshe nuk ke arsye pse të vazhdosh të qeverisësh.

Tani, Ilir Meta ju ka shkruar një letër. Nuk e dija Taulanti do ta përfshinte në rendin e ditës, mund ta diskutoni, por ajo që më ka bërë përshtypje është, Ilir Meta thotë që ju më keni marrë mua refugjat dhe më keni bërë ministër.

Kjo në fakt është një shprehje që tregon sa shumë i do Ilir Meta emigrantët, në thelb. Ilir Meta, Monika, Saliu edhe Luli, - por për këtë të tretin mi merrni gjithmonë me rezervë, - nuk duan të dinë fare, jo për emigrantë, por për askënd tjetër që nuk hyn në rrethin e interesave të tyre. Po nuk ishe i LSI-së apo po nuk ishe i korruptueshëm nga LSI-ja  ose po nuk ishe i LSI-zueshëm, ti nuk ekziston për Ilir Metën, fare.

Që unë kam qenë emigrant, ky është fakt. Që unë dua që mundësisht të kemi prap emigrantë në listën e deputetëve, besoj që dhe kjo është krejt e natyrshme për ne, por kjo këngë e refugjatit që erdhi e u bë ministër është në fakt kënga e një njeriu që në thelb e do Shqipërinë vetëm për vete. Sikur të kishte mundësi ta kishte vetëm për vete, do e kishte zbrazur komplet.

E dyta, Ilir Meta flet për banditë e për trafikantë, ndërkohë që profesorë dhe intelektualë qenkan përjashtuar nga Partia Socialiste e u kërkon që të bashkoheni me të që të merrni mbrapsht Kastriot Islamin, ky më rezulton të jetë i vetmi profesor i përjashtuar, edhe ndonjë profesor tjetër të vetë përjashtuar, nuk e di kush është profesori dhe pastaj t’i bëni atë që nuk thuhet Partisë Socialiste. Por, këtu vlen diçka tjetër që të thuhet, rithuhet dhe unë e them dhe e rithem me forcë, pavarësisht se çfarë thonë. Jo vetëm për reformën në drejtësi, por dhe për luftën kundër krimit, atë që ka bërë dhe bën qeveria e Partisë Socialiste as nuk mund ta çonte njeri nëpër mend. Kujt i shkonte nëpër mend që të gjithë ata, të cilët kanë kryer krime të rënda të japin llogari për pasuritë e tyre? Kujt? E kush po e bën? E kush mund ta bënte tjetër?

Tani, Iliri do video. Unë me video nuk merrem fare, nuk më interesojnë fare videot dhe llafet për videot. Se kërkon video për skutat ku ai futet, por është e sigurt që President në botë, në Shqipëri, as Saliu që ishte president partiak, as ka pasur, as ka për të pasur më që dergjet skutave për të bërë fushatë kundër qeverisë, për zgjedhjet e ardhshme. Kjo është e sigurt. E kë takon ai nëpër skuta, ai e di vetë por fakti që futet nëpër skuta lart e poshtë, nëpër kthesa e mbikalime, për të rrëzuar qeverinë sikur të ishte më i votuari dhe më i kërkuari nga populli opozitar në krye të opozitës së bashkuar, është në vetvete kriminal, nuk ka fjalë tjetër.

Tani, më thonë shumë që ti na e bëre president. Në fakt, e vërteta është pak më ndryshe. Ilir Meta u bë president me votat e veta dhe të Partisë Socialiste. Ne nuk i kishim votat për të bërë një president sipas dëshirës sonë, apo jo? Nuk i kishim votat. E mes rrugës për të bërë Ilir Metën president me votat e tij dhe tonat, duke qenë të bindur që do të jetë një president i opozitës, e kam thënë ditën që e kemi votuar, po i japim opozitës Presidentin më të mirë për të. Nuk e kam menduar të them të drejtën që do shkallonte deri në këtë pikë, këtë nuk e kam menduar, ose duhet të iknim në zgjedhje, por në zgjedhje, do ta kishim përsëri në pikëpyetje nëse do t’i kishim apo nuk do t’i kishim votat për të zgjedhur presidentin dhe nuk ishte fare momenti për t’i hyrë kësaj aventure. Kështu që e them këtë për sqarim por nuk i kthehem fare mbrapa për tu justifikuar se nuk kam çfarë justifikoj. Atë që kam thënë atëherë, e them dhe sot.

Ilir Meta thotë hajde në debat. Luli thotë hadje në debat. Monika më do në debat. Vetëm Saliu nuk më do në debat se e di që nuk është mendim i mirë. Tani këta, Iliri njëherë të bëj debatin me Monikën kush është kryetar i LSI-së? Të dali, ta bëj debatin kush është kryetar i LSI-së? Se që Iliri punon për LSI-në fshehurazi ky, ky është fakt, nuk është opinion. Që Monika punon për LSI-në haptazi, ky është fakt. Që të dy janë aksionerë në atë ndërmarrje, edhe kjo dihet. Që është turp i madh për Shqipërinë që njëri ikën President dhe e lë tjetrën drejtore ndërmarrje në konflikt interesi edhe kjo dihet. Por ta zgjidhi me Monikën njëherë kush është kryetari i LSI-së, pastaj pasi të mundi Monikën, se e mund Monikën në debat se ka votat, se ju e dini që Peço Monikën e do shumë, por për Ilirin e voton kundër, absolute. Pastaj të bëjë debatin me Lulin, kush është kryetari i opozitës? Është Luli apo është Iliri? Të bëjë debatin me Lulin, po e fitoi debatin me Lulin të shpallet kryetar i opozitës, le të rrijë President, nuk ka problem dhe pastaj shohim, po kështu jo.

Edhe diçka të fundit për Ilir Metën. Nuk kam dashur ta hap këtë temë, por meqë u hap kjo temë. Është presidenti i parë dhe i fundit i një republike, jo i republikës sonë, që jep dekorata për ata që kanë vdekur, para se ky të lindte. Nuk ka, nuk ekziston. Mbretërit, presidentët, nuk japin dekorata për ata që kanë vdekur më parë. Për një arsye shumë të thjeshtë. Dekorata është një simbol që të shquan ty nga të tjerët, për të gjallë, mes të gjallëve. Ka medalje të posaçme për ata që vriten në krye të detyrës sot, po. Vritet një ushtar në Afganistan, i jepet medalja të shoqes, fëmijëve. Vritet një polic në krye të detyrës, i jepet medalja të shoqes, fëmijëve. Vritet një ushtarake siç na ndodhi ne në mision. Por që ti, të dekorosh heronjtë e popullit, kjo e tejkalon Boratin, nuk e di a e keni parë Boratin. Kjo e bën Boratin, të vetmin origjinal më të dobët se kopja. 

Çfarë i bën Ilir Meta Vojo Kushit? Ai është hero i popullit. Ilir Meta çfarë e bën? Mjeshtër të punës Vojo Kushin? Çfarë i bën Vojo Kushit? Ai është hero i popullit. Se ai që jep dekoratën, prezumohet që është më lartë. Është më lartë, mbreti. Presidenti, kur jep një medalje trimërie për dikë që ra në krye të detyrës dhe ia jep të shoqes, të atij ose të shoqit të asaj, është ai lart, është babai. Ky, Vojo Kushin nga çfarë lartësie e sheh? Apo është dhe ky mbi tankun imagjinar dhe ky e imagjinon tankun më të madh se të Vojo Kushit dhe heroit të popullit ky i jep dekoratë. Nuk e kuptoj.

Enver Hoxha ka dhënë vetëm një herë dhe ka dhënë për Selam Musain. Ia dha ky prapë. Tjetër kjo. Dhe ajo ka qenë e vetmja shkelje e protokollit, nuk mund të japësh dekorata ti për të vdekurit. Abdyl Frashërit, i jep dekoratë Ilir Meta. Abdyli këtu, i jep dekoratë Ilir Meta. Imagjinoni tani këta në varr, se si mund të rrotullohen kur ju vjen zëri që keni një dekoratë për të marrë dhe shkon dekoratën e Vojo Kushit e merr njëri që nuk e njihte as familja.

Do e kenë kapur tek kafja e LSI-së atje e do i kenë thënë hajde se është kjo për Vojo Kushin dhe duan ta lidhin Vojo Kushin me LSI-në. Edhe del thotë, unë jam me Margarita Tutulanin. Tani, mes Margaritës dhe Monikës ka një ndryshim të madh, shumë të madh. Nuk i kërkoj Monikës të bëhet si Margarita. Se larg qoftë pastaj do detyrohet që të dali kundër Ilirit. O Ilir, lëri të rënët në punën e tyre. Heronjve të popullit nuk u jepen dekorata të tjera se është dekorata më e lartë. E kështu siç e ka nisur, kam përshtypjen do t’i japi edhe Skënderbeut, do t’i japi Skënderbeut me urdhrin e Nënë Terezës. Ku do shkojë? Nuk la njeri pa dekoruar. Ka marrë varrezat me radhë, Borati. Ku ka dekorata për të vdekurit? Kam dashur ta them e ta them, doli dhe Andi Bushati më thanë, ky tjetër ky, thoshte që rilindja “i ka problem këto dekoratat për ata, se nuk ka bërë ndonjëherë Ilir Meta, nuk i ka dhënë dekoratë ndonjë kolaboracioni”, ky do të vdekur dhe nga balli që të marrin dekorata tani. Nuk kemi ne, me heronjtë asnjë të drejtë të tallemi. As me qëllim, as nga kjo injorancë e madhe e as nga deliri se  jemi heronj, se ai mendon që është hero, në potencë. Unë kam përshtypjen, kur shkon nëpër këto bustet e tyre, shkon që të imagjinojë si do ta kryej aktin e hypjes në ndonjë tank. Janë ato momentet kur kërkon nga bustet, kërkon nga të vdekurit atë energjinë që i duhet për t’u bërë hero dhe çfarë të bëjë? Jep dekorata, për t’i marrë me të mirë. Farsë, komedi, tragjikomedi, turp, si të gjitha ato që po na mëson fatkeqësisht Ilir Meta.

Ajo që vlen, në mbyllje është, vota në 25 prill do të jetë një problem shumë i madh për demokratët dhe për këdo që mund të ketë arsyet e veta që të mos votojë për ne se këtu çështja është, ti voton për Lulin, por ti nuk merr Lulin. Ti e merr Lulin paketë, ti merr Ilirin, merr dhe Monikën. Luli mezi po mban Saliun. Imagjinoni tani, Luli kryeministër, Monika shefe llogarish, Ilir me dekorata dhe Saliu kuptohet. A e kuptoni se çfarë është kjo? Luli është bërë si ushtari i mirë Rajan. Duhet ta shpëtojmë.

Nuk e imagjinoj dot një demokrat që niset si tek piramidat, si tek Vebiu, tek Sudja, jep 1 merr 2 thonin edhe ata. Dhe në fund e panë çfarë morën. Shkon, nisesh ia jep Lulit me gjithë këto listat e këtyre deputetëve, se votim si ky unë nuk kisha dëgjuar ndonjëherë. Që ti të votosh për atë që do e di, po që të votosh atë që nuk do, këtë vetëm Luli. Por kjo Lulit i vjen nga stresi që ka nga Iliri dhe nga Monika, se nuk i do ata. Po nuk di si t’i heqi. Ku hiqen ata, ne e dimë çfarë kemi hequr. Kështu që është hall shumë i madh. Të shkosh, se këta janë, dhe shyqyr që ia prishi atë trenin Damiani, shyqyr që prishëm atë trenin e madh se aty pastaj... Po këta janë komplet një situatë, sa qesharake, aq dhe e rrezikshme. Se Luli është vetëm pasagjer aty, i veshur kështu si ai që i jep lokomotivës, por në fakt lokomotivën e lëviz Iliri.

Saliu është skavamento, që ndot pak edhe ajrin për të shpërndarë panik, Monika është fatorino. Luli me kapele që përshëndet ata që i presin në plate atje dhe i thotë me taksat si jeni? Na i kanë hequr taksat i tha ai, po kemi halle të tjera.

Do jetë një fushatë shumë interesante, shumë e bukur, më besoni. Do jetë një fushatë shumë interesante e më ka ardhur shumë keq, shumë keq kur më akuzonin që dua t’i ndaj ata. Që Lulin dua ta shpëtoj, këtë nuk e mohoj, por që t’i ndaj ata, kurrë. Bashkë atje, të gjithë bashkë.

Natyrisht tani nuk e di kush e mbulon unazën e re këtu. Kemi dhe boshllëkun e lënë nga djali i Fahriut, po do marri Fahriu dekoratë tani. Do e shikoni Fahriun kur të marri dekoratë, për vlera të veçanta në luftën për lirinë e shtypit. Të marrë dekoratë Fahriu, djali i Fahriut tek unaza do kthejë unazën mbrapsht për LSI-në.

Kaq kisha për sot dhe duhet ta ndihmojmë Ilir Metën që t’i thotë shqiptarëve çfarë do akoma. Ta thotë, që nga Skënderbeu deri sot, asnjë tjetër nuk e ka pasur të gjitha ato që ka pasur Ilir Meta. Kryeministër 30 vjeç, Kryeparlamentar 40 vjeç, President 50 vjeç. Çfarë do për 60 vjeç? Çfarë do përveç dekoratës? Çfarë do? Çfarë borxhi i ka më këtij, Shqipëria që duhet të dëgjojë gjithë këto shkulme dhe mbi të gjitha çfarë borxhi i ka këtij Shqipëria që të ketë president atë që doli mbrëmë tek Fevziu, që nuk e pash mbrëmë, por u detyrova ta shoh sot se kishte arritur të alarmonte dhe ata që ishin më të alarmuarit me të. Çfarë do?

Kjo është një pyetje që do ta zbulojmë rrugës, hap pas hapi, se do jetë fushatë shumë interesante.

Shumë faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm