Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Partia Socialiste është gati për zgjedhjet e pjesshme vendore për të dalë fituese në të gjashta Bashkitë

Të reja

Partia Socialiste është gati për zgjedhjet e pjesshme vendore për të dalë fituese në të gjashta Bashkitë

28 Jan 2022    

Pronorncimi për media i Sekretarit të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri dhe Drejtuesëve Politikë të 4 Qarqeve, pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste.

 

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri:

Siç jeni në dijeni, Kryesia e Partisë Socialiste bëri një diskutim të thellë në lidhje me kandidaturat e mundëshme në gjashtë bashkitë, ku do të zhvillohen zgjedhjet.

Pas konsultimeve, u vendos për pjesën më të madhe për kandidaturat, akoma ka një diskutim që do ta thotë Drejtuesi Politik i Fierit në lidhje me Lushnjen.

Dua t'ju them se Partia Socialiste konkludoi me kandidaturat.

Meqenëse nuk ndodhet sot këtu Drejtuesi Politik i Durrësit, unë do të them se për Bashkinë Durrës vendosëm që të rikonfirmojmë si kandidate, kryetaren aktuale të komanduar të bashkisë, Emirjana Sako, e cila ka justifikuar, për mendimin e Partisë Socialiste, punën e saj. Ajo do të jetë kandidate e Partisë Socialiste për Bashkinë e Durrësit.

Pas meje, drejtuesit politik të qarqeve, do të bëjnë njoftimet përkatëse në lidhje me kandidaturat.

Dua t'ju them se Kryesia e Partisë Socialiste u nis nga parimet që kandidatët të jenë figura të pastra, figura që kanë kontribute në komunitetet e tyre, janë të lidhur me Partinë Socialiste, janë personalitete që i mirëpresin qytetarët dhe që përgjithësisht janë bërë duke zhvilluar konsultime të thella me të gjithë strukturat e partisë. Aty ku ka akoma diskutime, ne po vazhdojmë procesin e sondazheve, për të marrë opinion më të konsoliduar nga e gjithë anëtarësia, por edhe të qytetarëve me kandidaturën më të përshtatshme për kryetar bashkie.

Mendoj se nuk është momenti për pyetje. Mendoj se nuk është momenti për pyetje, nuk kemi se çfarë të themi më shumë. Në ditët në vijim do të kemi komunikime të vazhdueshme.

Mesazhi është që, ne jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhje me kandidaturat tona më të mira dhe pse jo, ti fitojmë të gjitha këto bashki, pasi është një moment që edhe qytetarët e vlerësojnë Partinë Socialiste dhe situatën, qetësinë dhe maturinë e saj politike. Është një moment i mire, që ti marim të gjashta bashkitë.

Më pas do të ketë një komunikim nga drejtuesit politik me radhë.

 

Fjala e Drejtueses Politike të Qarkut Shkodër, Edona Bilali:

 

Përshëndetje,

Pas propozimeve të bazës, Kryesia e Partisë Socialiste, vendosi që për Bashkinë Shkodër do të dalë me kandidate znj. Majlinda Angoni, e cila aktualisht mban pozicionin e Prefektes së Qarkut.

Faleminderit!

 

Fjala e Drejtuesit Politik të Qarkut Dibër, Ulsi Manja:

 

Si Drejtues Politik i Qarkut të Dibrës jam këtu për të komunikuar kandidatin, që do të garojë për zgjedhjet e 6 marsit me siglën e Partisë Socialiste për Bashkinë e Dibrës.

Kryesia e Partisë Socialiste mori në analizë kandidaturat e propozuara nga unë si Drejtues Politik i Qarkut Dibër, pas konsultimeve të zhvilluara.

U konkludua që kandidati për të garuar nën siglën e Partisë Socialiste, do të jetë Rrahim Spahiu, i moshës 55-vjeç, me një karrierë  shumë të gjatë në administratën publike dhe sistemin bankar. Është një njeri me vizion. Dibra ka një shans, do të ketë në krye të Bashkisë një menaxher, për të cilin jam i bindur, që së bashku do të bëjmë punë shumë të mira për Dibrën.

Pyetje: Keni zgjedhur një person jashtë politikës! Përse?

Përgjigje: Është një person me një karrierë të gjatë në administratën publike dhe sistemin bankar, ua thashë. Ka ruajtur të gjitha lidhjet dhe kontaktet me Dibrën, është qytetar i Dibrës. Këtë radhë qytetarëve të Dibrës i kemi ofruar një kandidat me aftësi menaxheriale; është financer me profesion. Unë jam i bindur që do të bëjmë punë të mira pas fitores së 6 Marsit.

 

Fjala e Drejtuesit Politik të Qarkut Tiranë, Erion Veliaj:

 

Kemi pasur një diskutim që zgjati përreth një orë për të finalizuar dhe dy kandidaturat në Qarkun e Tiranës. Janë dy bashki të vogla, por jo dy bashki që ne i kemi konsideruar bastione. Vora ka qenë një bashki, që ka shkuar herë majtas, e herë djathtas. Kemi pasur një fitore spektakolare në Vorë në Prill në zgjedhjet e fundit. Duam që të vazhdojmë që Vora të thellojë rezultatin në favor të Partisë Socialiste.

Kemi disa kantiere të hapura në Vorë, një prej tyre është kantieri i rindërtimit. Ndërkohë, autostrada e madhe që lidh Thumanën me Fierin kalon gjithashtu në Vorë. Duam që Vora të trajtohet realisht si “kërthiza” e Shqipërisë; është zona më vitale ekonomike. Kemi pafundësi projektesh që do të transformojnë qytetin, sidomos me lagjet e reja, prej rindërtimit. Kështu që i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë Vorës.

Rrogozhina është bërë gjithashtu një hapësirë atraktive me pjesën e bregdetit dhe me një kontribut jo të vogël bujqësor.

Në Rrogozhinë, me vendim të Kryesisë, ne do të vazhdojmë me Edison Memollën, një djalë fantastik. Ka punuar prej kohësh në këtë periudhë të ndërmjetme si një pajtues i atij komuniteti, si ndërtues i atij komuniteti sidomos me çështjet e rindërtimit. Rrogozhina e madhe sot nuk është vetëm pjesa e qytezës, që ne mbajmë mend nga koha e komunizmit, por është edhe pjesa e Spillesë dhe bregdetit.

Kështu, është e ndërthurur pjesa urbane, pjesa rurale që është pjesa e fushës së bujqësisë dhe pjesa e turizmit me të gjithë zonën e Spillesë. Ndaj do të vazhdojmë të mbështesim Edisonin. Mezi pres që si në rastin e Vorës dhe Rrogozhinës, ne të kemi një rezultat akoma edhe më të mire, sesa rezultati i fundit.

 

Ishin dy bashki që janë rikthyer rishtazi nën drejtimin e Partisë Socialiste, ndaj dhe duam të vazhdojmë në këtë drejtim.

Kemi pasur një diskutim pak më të gjatë në rastin e Vorës. Ju e dini që Vora ka tre ish-komuna, që janë Vora, Preza dhe zona e Domjes dhe Laknasit ose Bërxullit. Të treja kanë tipologji të ndryshme. Ju e dini që në Vorë ne kemi pasur katër-pesë ndërrime drejtuesish ndaj duam të kemi një faktor unifikues.

I kemi besuar një psikologu, një mësuesi të shkollës 9-vjeçare. Blerim Shera do të jetë kandidati i Partisë Socialiste për Vorën.  Unë mezi pres që të kthehem në fushatë. E di që na janë bërë pak si shumë beteja, por unë them që çdo ditë, nëse i bëjmë me pasion dhe bashkim, të gjitha betejat do t’i fitojmë.

Pyetje: Për ti fituar këto zgjedhje do i dërgoni kandidatët në Prokurori dhe SPAK?

Përgjigje: E sigurt, që ajo që ne do të bëjmë në këto zgjedhje është që do ti botojmë listat përpara zgjedhjeve dhe do ti fitojmë me ato lista që botohen përpara zgjedhjeve. Në finale do të bashkohemi të gjithë, për punë të mira për Vorën, Rrogozhinën dhe për ata që nuk i botojnë listat.

Faleminderit!

 

 

Fjala e Drejtuesit Politik të Qarkut Fier, Taulant Balla:

 

Pyetje: Ka pasur një diskutim të gjatë për Lushnjen?

Përgjigje: Së pari, besoj se e kanë bërë edhe kolegët e mi, por unë gjithmonë dua t’ju falenderojë për vëmendjen që tregoni tek vendimmarrjet që mer Kryesia e Partisë Socialiste. Janë vendimmarrje, të cilat i nënshtrohen paraprakisht proceseve konsultative në të gjithë territorin, në të 6 bashkitë kur do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit. Lidhur me interesimin tuaj për kandidatin/kandidaten që PS do të garojë në zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë Lushnje, gjej rastin të informojë publikun që kemi zhvilluar një proces shumë të thellë dhe të ngutshëm, për shkak të kohës që kishim në dispozicion, konsultimi jo vetëm me strukturën e PS ,sikurse e kemi në procesin tonë të detyrueshëm të brendshëm, por këtë here, kemi bërë një proces konsultimi shumë më të hapur, të gjerë, edhe për shkak të problematikave të evidentuara në mbarëvajtjen e punës së Bashkisë Lushnje, problematika të cilat i dini, ku kam përfshirë edhe shoqërinë civile, sipërmarrjen e Lushnjes, fermerë, sepse Bashkia Lushnje përbëhet nga qyteti i Lushnjës dhe një numër i konsiderueshëm njësish administrative, që janë në zonat rurale, kështu që ky është një proces që ka vazhduar.

I falenderojë të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij procesi; ndërkohë  kam kërkuar që në ditën e parë, që procesi pas një liste më të reduktuar, ti shtohet edhe një anketim, i cili edhe në këto momente që flasim është duke u zhvilluar; e besoj që të martën në mëngjes, do të keni emrin për kandidatin.

Pyetje: A është e vërtetë që është Eriselda Sefa një nga kandidaturat më të forta?

Përgjigje: Po është një nga emrat, por unë nuk dua të hyj sot në emrat. E kam kërkuar vetë këtë, sepse unë kam një lloj strategjie, për shkak se e dini që unë jam drejtues politik prej një kohe të shkurtër në Qarkun e Fierit dhe natyrshëm dua që edhe ky element sociologjik, që përdoret nga çdo parti politike, e mirëorganizuar, të përdoret edhe në rastin në fjalë.

Pyetje: Mos ka një përplasje influencash në Lushnje, përderisa po vonohet emri?

Përgjigje: Jo, përkundrazi, ka aq shumë kandidatë që kanë hyrë në këtë proces dhe unë, për të qenë i saktë, bashkë me Kryesinë e partisë kemi vendosur që të përdorim edhe këtë element. Në fakt kishte filluar dhe nuk u përmbyll dot sot,  sepse nuk është “ fake”, është i vërtetë.

Pyetje: Sa kandidatë ka?

Përgjigje: Nuk dua të hyj në numra, por e rëndësishme është që kryetari i ri i Bashkisë Lushnje do të jetë një person që ka përgatitjen e duhur për të çuar përpara një sërë projektesh të mëdha në Lushnje. Të mos harrojmë që ne kemi filluar që nga 1 janari i këtij viti të bëjmë një sërë investimesh të rëndësishme në Lushnje, si ato që kanë të bëjnë me qytetin, me atë që quhet Përroi i Lushnjes, që ka qenë si Lana dikur, por “Lana e Lushnjes” do të jetë një nga projektet e transformimit të këtij qyteti dhe një sërë projektesh apo politikash në mbështetje të fermerëve të kësaj zone, që të mos harrojmë është “hambari i Shqipërisë”.

Pyetje: Po bëni krahas këtyre anketave edhe filtra vetting, meqë PS ka pasur disa kandidatë që janë dorëhequr për shkak të ligjit të dekriminalizimit?

Përgjigje: Patjetër, ju e dini që ne kemi norma statutore të sanksionuara që nga Kongresi i PS-së, i 29 shkurtit 2020, pra kemi vënë rregulla statutore dhe në diskutimin në Kryesi, edhe Kryetari Rama dhe gjithë kolegët që morën fjalën, natyrshëm theksuan nevojën për të garantuar në çdo moment kandidatë që jo vetëm do të kenë mbështetjen e plotë të publikut, por të jenë dhe kandidatura që personifikojnë qytetarinë, vlerat e secilës prej bashkive; e në këtë këndvështrim mendoj që duhet thënë se PS garon për të fituar të 6 bashkitë; në rastin e Lushnjes sigurisht që nuk bëhet fjalë dhe nuk diskutohet. Unë e thashë dhe dje në Kuvend; që ne garojmë në Shkodër për të fituar dhe dhënë mundësi Shkodrës dhe shkodranëve pas 30 viteve.

 

Pyetje: Z. Balla ku qëndron problemi që nuk e keni zgjedhur ende emrin? Vetëm Lushnja j u mungon.

Përgjigje: Ju thashë, unë jam prej Shtatorit, Drejtues Politik në Lushnje dhe qarkun Fier; e në mekanizmin e përdorur për konsultimin, përveç konsultimeve të drejtpërdrejta me shoqërinë civile, me sipërmarrjen, me fermerët, natyrshëm edhe strukturën e PS-së, duhet konsultuar edhe më gjerë me popullin e Lushnjes.

Pyetje: Kur do dali emri zyrtarisht?

Përgjigje: Të martën!

Pyetje: Sa kandidatë do të përfshihen në anketim?

Përgjigje: Ju doni emrin për Kryetar Bashkie dhe do ta keni shumë shpejt; ditën e martë.

Faleminderit për interesin dhe vazhdoni të vini, sepse këtu ka lajme!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm