Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Partia Socialiste është një familje politike ku respektohen të gjithë

Të reja

Partia Socialiste është një familje politike ku respektohen të gjithë

21 Oct 2020    

“Deputeti që duam”

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Elbasan:

Shumë të dashur miq, të mbledhur këtu sot!

Është kënaqësi e  veçantë, jo sepse kjo fjalë duhet thënë dhe vjen natyrshëm kur më jepet mundësia të gjendem me njerëz të interesuar, përtej punëve të tyre të përditshme, për punët e komunitetit, për punët e vendit, por edhe sepse në mënyrë të posaçme, ky takim, i cili është i pari i një cikli takimesh për të promovuar platformën e thirrjeve të hapura për të gjithë vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat, që kanë pasionin, vullnetin, që ndjejnë brenda vetes kurajën për të hyrë së bashku me ne në përpjekjen për ta çuar më tutje Shqipërinë, përbën një hap të guximshëm dhe të domosdoshëm në jetën e brendshme të PS-së, por edhe në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të politikës.  

 Unë jam shumë krenar që sot, përpara meje foli Evisi, sepse Evisi është një nga shembujt më kuptimplotë të asaj që politika mund të bëjë kur është në duar të mira. E nga ana tjetër është një nga shembujt më kuptimplotë të ambicies dhe të vullnetit tonë për ta vënë politikën në duar të mira.

 Shumë njerëz, kryesisht të rinj, bëjnë një gabim shumë të thjeshtë, por edhe të madh, kur mendojnë që politika është e keqe në vetvete, kur mendojnë që politikës i duhet qëndruar larg, që politika nuk është për njerëzit me ideale, për njerëzit me ide, me ambicie dhe me dëshira të sinqerta, por është për një kategori njerëzish që për përkufizim janë të gabuar.

 

Në fakt, jo.

Në fakt e kundërta është e vërtetë dhe është që në origjinën e politikës.

Politika ka lindur pikërisht nga nevoja e njerëzve për të bërë së bashku gjëra, të cilat të vetëm nuk i bëjmë dot.

Politika ka lindur nga nevoja e njerëzve për të ngjitur të përpjetën e pambarimtë drejt përmirësimit të pandalshëm të kushteve të jetës së tyre. Nëse do ta parafytyronim për një moment se çfarë do të ishte shoqëria njerëzore pa politikën, do të ktheheshim shumë e shumë mbrapa, kur njerëzit ishin në gjendje natyrale.

Si mund të kishte shtet pa politikën?

Si mund të kishte shërbime pa politikën?

Si mund të kishte arsimim, shkolla, universitet pa politikën?

Si mund të kishte spitale pa politikën?

Si mund të kishte lindur SHBA-ja apo BE-ja, dy projektet më të jashtëzakonshme të krijuara nga imagjinata dhe nga ambicia njerëzore dhe shoqërore?

S’do të kishin lindur dot.

Natyrisht që politika mund të bëjë keq, mund të bëjë dhe shumë keq nëse bie në duar të këqija. Arsyeja pse gabojnë kur e shohin politikën si diçka, të cilës i duhet qëndruar larg, është se sa më larg t’i qëndrojnë njerëzit  e zakonshëm politikës, në aq më pak duar politika mbetet dhe në sa më pak duar të mbetet, aq më shumë është e rrezikuar që të marrë kahjen e së keqes, kahun e gabuar dhe të kundërt me dëshirat, me ambiciet, me ëndrrat dhe me shpresat e njerëzve.

Duke parë dhe dëgjuar Evisin teksa fliste, mu kujtua koha kur e kam takuar dhe e kam ftuar që të përfshihej në skuadrën tonë. Fillimisht ishte e shokuar dhe refuzuese. Refuzuese sepse kishte të njëjtën ndjenjë vështirësie dhe të njëjtën ndjenjë pasigurie e ndoshta të njëjtën ndjenjë mosbesimi se të futesh në politikë si deputet apo  deputete është diçka e mirë për ty, për familjen, për komunitetin, për vendin.

E më është dashur, në fakt, jo pak durim për ta bindur. Ashtu sikundër edhe me të tjerë që sot janë me eksperiencë, që sot janë në pozicione me përgjegjësi të mëdha. E në fakt jam krenar, sepse kur kthej kokën mbrapa dhe bëj një bilanc të thjeshtë, ka ndodhur një ndryshim i madh, që për fat të keq është mohuar, është refuzuar të vihet në pah, ose të lihet të shihet nga ajo pjesë e mjedisit tonë, por dhe nga ajo pjesë e mënyrës sonë të  të menduarit, si njerëz të angazhuar në debatin shoqëror, që është e prirur ta stërzmadhojë të keqen dhe ta neglizhojë, ta abuzojë, ta mohojë të mirën.

Fjala vjen, flitet prej kohësh për kriminelët dhe kriminalizimin e politikës. Një, dy, tre, katër, pesë raste, të cilat për njëmijë e një arsye bëjnë përshtypje negative, pa marrë parasysh as kontekstin, as mënyrën sesi janë shfaqur, as qëllimet dhe rrugën që është ndjekur në përzgjedhjen e deputetëve. Dhjetë, njëzet, tridhjetë, dyzetë, pesëdhjetë, gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë, tetëdhjetë, nëntëdhjetë, njëqind të tjerë, që në këto mandate e kanë përfaqësuar Partinë Socialiste, duken sikur nuk ekzistojnë.

Duken sikur nuk ekziston e vërteta që sot, ne kemi në përfaqësimin politik numrin më të madh të grave dhe vajzave që kemi pasur ndonjëherë, që nuk mund të mendohej 10 vite më parë. Duket sikur nuk ekziston e vërteta që ne sot kemi një qeveri që ka një ekuilibër gjinor që e rendit Shqipërinë në tabelën e barazisë gjinore të Kombeve të Bashkuara në 5 qeveritë më të ekuilibruara nga pikëpamja gjinore të të gjithë Kombeve të Bashkuara. Këto janë të gjitha pjesë e një procesi ku gjërat kanë shkuar duke u përmirësuar.

Politika është proces i vazhdueshëm që kërkon durim të madh, që kërkon kompromise, që kërkon të diktosh shpejtësinë, por edhe të dish të ulësh shpejtësinë në momente të caktuara, sepse është një punë e jashtëzakonshme, me një volum të jashtëzakonshëm ndërveprimesh me njerëzit.

Për të mos u zgjatur me fjalë që mund të duken si një leksion, unë dua që ta përgëzoj dhe ta inkurajoj vajzën që foli më parë dhe të gjithë ata që shoh me shumë kënaqësi, kanë hedhur hapin të shprehin interesin për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë. Në pak ditë që platforma është e hapur për shprehjet e interesit janë disa dhjetëra. Nuk e kam numrin e ditës së sotme, por janë disa dhjetëra që kanë dërguar videon e tyre dhe çfarë tjetër kërkohet, për të thënë pse duan të përfshihen në këtë proces, kush janë, çfarë kanë bërë dhe si mendojnë se mund të jenë një vlerë e shtuar.

Partia Socialiste është një forcë që ka një virtyt të madh, qartësisht të nënvizuar nga historia e saj. Është e vetmja forcë politike në Shqipëri që ka pasur përgjegjësinë dhe asnjëherë përgjegjësinë nuk e ka shpërdoruar për të cenuar interesin kombëtar. Fatkeqësisht nuk mund të thuhet e njëjta gjë për forca të tjera që kanë pasur përgjegjësi, që kanë pasur akses në qeverisjen e vendit.

Partia Socialiste është po ashtu, duan, nuk duan të tjerët, forca më e madhe politike e shqiptarëve. Partia Socialiste e ka patur dhe e ka dhe jam i bindur që do ta ketë edhe në të ardhmen, pavarësisht se kush është lideri, në ADN-në e vet prirjen për t’u vetëripërtërirë, prirjen për t’u modernizuar, për t’u energjizuar, duke u hapur dhe duke u zgjeruar në hapësirën ku vepron dhe jeton shoqëria.

Sot, Partia Socialiste është përsëri në të njëjtën sfidë që ka qenë gjithmonë në fakt, që është sfida për të mos e lënë vendin të shkojë mbrapsht. Sa herë Partia Socialiste ka qenë në betejë, beteja ka qenë mes të ardhmes dhe të shkuarës dhe në asnjë rast, e ardhmja nuk ka qenë në anën tjetër, pavarësisht si kanë shkuar gjërat dhe pavarësisht nëse Partia Socialiste ka fituar apo ka humbur. E në rastet kur ka humbur, ka humbur jo sepse e kanë mundur të tjerët, por sepse ka mundur veten, se nuk ka qenë në lartësinë e sfidës dhe në lartësinë e nevojës për të mos lejuar që vendi të kthehet mbrapa.

Dhe vendi është kthyer mbrapa sa herë u është dhënë mundësia të tjerëve të bëjnë atë që vetëm Partia Socialiste di ta bëjë, pavarësisht të metave, pavarësisht gabimeve, pavarësisht boshllëqeve. Ky është fakt, i cili është lehtësisht i provueshëm. Nëse e nisim historinë e zhvillimeve tona demokratike dhe shoqërore nga zgjedhjet e para parlamentare, që sollën në qeveri Partinë Demokratike si alternativë e të shkuarës dhe nëse shohim të gjitha stacionet, do të shohim si në një film të përsëritur që kur Partia Demokratike merr çelësat, e bën shtëpinë rrëmujë dhe kur Partia Socialiste ka në dorë çelësat e shtëpisë, në shtëpi vendoset rregull. Kjo është baza. Të tjerat janë të gjitha pjesë e kësaj baze.

Sot, Shqipëria është përpara një sfide sa të thjeshtë, aq dhe të vështirë. Partia Socialiste është përpara një sfide për t’ia bërë Shqipërisë më të lehtë  dhe për të mos ia vështirësuar Shqipërisë të nesërmen.

Sfida e Shqipërisë është të vazhdojmë kthesën deri në fund. Tanimë jemi futur dhe po e rrisim shpejtësinë në marrjen e kthesës, apo të bëjmë një kthim mbrapsht katastrofik.

Imagjinoni sikur Shqipëria të mbetet në dorë të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Ilir metës dhe Sali Berishës; sepse këta janë bashkë. Kjo duhet të shërbejë qartësisht si një arsye për ta menduar mirë zgjedhjen e tyre. Në radhë të parë, ata që kanë njëmijë e një arsye që të jenë të pakënaqur dhe që të mos duan ta votojnë Partinë Socialiste. Nuk i diskutoj sot, ato arsye. Dhe që kanë njëmijë e një arsye për të qenë verbërisht me Partinë Demokratike. Duhet ta imagjinojë çfarë do të thotë të votosh për të marrë Lulin dhe të marrësh peshqesh Ilir Metën. Të votosh për t’i dhënë pushtet PD-së dhe t’i rijapësh jetë për të vazhduar, ose rifilluar t’i pijë gjakun shtetit, LSI.

Kjo është si 1+1=2, sepse 7x7 nuk bëjnë 42.

Për ne është absolutisht e qartë, siç është e qartë për të gjithë ata që kanë jetuar në Elbasan, kur plehrat ishin pjesë e peizazhit të qytetit, kur plehrat ishin pjesë e ajrit të qytetit, kur plehrat ishin pjesë e mushkërive të njerëzve dhe që vazhdojnë jetojnë sot, kur ajri i Elbasanit është pastruar nga helmet që prodhonin plehrat në mes të qytetit, ku në vend të malit me plehra në mes të qytetit ka një park të gjelbëruar dhe ku nga ai vendi me emergjencë mjedisore në prag të një katastrofe mjedisore dhe shëndetësore, për shkak të të gjithë malit të mbledhur aty me dekada, Elbasani është vendi që ka sigurinë më të lartë mjedisore në grumbullimin, përpunimin dhe kthimin e mbetjeve në energji.

Qytetarët e Elbasanit duhet ta kenë të qartë që ky është dallimi. Ky është fiks dallimi midis atyre të 4 së bashku, Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste si quhet dhe Partisë Socialiste dhe ne të gjithëve bashkë. Ky është ndryshimi që ndodh kur Partia Socialiste ka në dorë çelësat e shtëpisë. Shtëpia pastrohet, shtëpia ajroset, shtëpia ka njëmijë e një vështirësi, por punon dhe falë punës e rrit hap pas hapi shpresën dhe e forcon hap pas hapi perspektivën e të nesërmes. Pavarësisht se në të sotmen, jo të gjitha vështirësitë, përkundrazi, një pjesë e tyre janë të kapërcyeshme, është e sigurt që fëmijët lindin dhe rriten në atë shtëpi, nesër do të jetojnë shumë më mirë.

Ndërkohë që është po kaq e sigurt, që fëmijët dhe ata që janë së bashku në shtëpinë ku çelësat i ka Partia Demokratike, bashkë me LSI-në, nuk kanë të ardhme. Është pak, por e sigurt. Shtëpia e tyre është një shtëpi ku çfarë mblidhet, hidhet ose në ca xhepa të disa anëtarëve në kurriz të tjerëve, ose për bixhoz, ose për të konsumuar sot, edhe ato që duhet për fëmijët nesër.

Në të gjitha aspektet e jetës po ta shohim;

Shikoni arsimin. Nuk ka të krahasuar sot, shtëpia e arsimit me atë që ishte dje, pavarësisht se ka akoma shumë mungesa dhe shumë nevoja.

Shikoni shëndetësinë. Ka të krahasuar spitali i Elbasanit sot, me spitalin që ishte dje. Kush e thotë, ka një problem, i është mjegulluar shikimi nga plehrat, i ka ikur nuhatja nga helmet e plehrave, i është dobësuar dëgjimi nga gjithë zhurma e tollovisë së plehrave.

Shikoni infrastrukturën. Sot nuk ka të krahasuar. Rrugët që Partia Demokratike, bashkë me Saliun na i përcillnin përmes televizorit, në realitet ishin për të ardhur keq, ishin ku thërret kiameti. Të filluara dhe të harruara.

Mbi të gjitha me Partinë Demokratike dhe LSI-në nuk ka të ardhme, sepse nuk ka vizion, nuk ka plan afatgjatë dhe nuk ka botëkuptim qeverisës, ka vetëm mendësi pushteti dhe përdorimi i pushtetit për interesa krejtësisht të pjesshme deri dhe personale. A mund të ma thotë njeri, se kam kohë që e bëj këtë pyetje dhe nuk e marr përgjigjen nga askush. Çfarë kërkon më shumë Ilir Meta sot? Çfarë do Ilir Meta? A mund të ma thotë njeri çfarë duhet akoma që Shqipëria t’i japi ilir Metës? Që kur ka lindur shteti shqiptar, asnjë figurë politike nuk ka marrë nga Shqipëria sa ka marrë Ilir Meta, nga pikëpamja e privilegjeve  më të larta. Nuk ka privilegj më të lartë se sa të jesh kryeministër, të jesh kryetar parlamenti, të jesh president, e lëre më pastaj të jesh edhe Kryeministër, edhe kryetar parlamenti, edhe President pa u bërë akoma 50 vjeç.

Të gjitha këto, Shqipëria ia ka dhënë Ilir Metës. E çfarë do ilir Meta tani? Çfarë kërkon tani, që nuk lë as të vdekurit rehat, se të gjallët jo e jo? Çfarë kërkon Ilir Meta tani që ka marrë trastën dhe vjen vërdallë varreve për të dekoruar heronjtë, për t’i bërë heronjtë mjeshtra pune e mjeshtra arti e mjeshtra zanatesh. E bëj këtë pyetje, jo për Ilir Metën si person, por e bëj këtë pyetje për fenomenin e tmerrshëm të mos ndaljes në të parit e të trajtuarit të Shqipërisë si plaçkë dhe të shqiptarëve si mish për top.

E njëjta gjë vlen për Partinë Demokratike. Si mundet Partia Demokratike sot të thotë “unë jam gati të vij të qeveris” kur nuk ka reflektuar asgjë? Kur janë të njëjtët njerëz, janë të njëjtat ide, me ndryshimin që në vend të liderit është një zëvendësues, është një dezhurn. Është një bosh! Por sidoqoftë, ne nuk e kemi betejën me ta, ne Partia Socialiste, nuk e kemi betejën me ta. Kundërshtarët tanë në këtë betejë nuk janë ata.

Ata janë kundërshtarët e Shqipërisë.

Ata janë kundërshtarët e të ardhmes së Shqipërisë. E në këtë kuptim ata janë kundërshtar të çdo shqiptari që do të jetojë këtu e çdo të riu meqë duan të flasin për të rinjtë që nuk do të iki nga këtu apo të kthehet këtu!

Ndërsa kundërshtarët tanë janë pikërisht ato ndjenja vetëkënaqësie, vetëmjaftueshmërie, vetë përmbushje që të pengojnë të shohësh shumë më tutje kur je i pari. Që të pengojnë të shohësh shumë më larg kur nuk ke përballë asnjë që mund ta mbajë ritmin tënd, kur janë të gjithë mbrapa. E në këtë aspekt, ne na duhet pikërisht ndër të tjera një rifreskim i skuadrës sonë. Në këtë aspekt ne na duhen vajza dhe djem si vajza që foli përpara meje dhe Evisit dhe na duhen shqiptarë dhe shqiptare që vijnë nga jeta e përditshme në Shqipëri apo në emigracion, që vijnë nga puna, vijnë nga përpjekjet dhe rezultatet në rrugën e tyre, qofshin në rrugën e qytetit, qofshin në rrugën e fshatit, qofshin profesionistë në qytet, qofshin punëtorë në fshat.

Ne na duhen njerëz që vijnë nga lufta e përditshme për rezultate, që vijnë nga lufta e përditshme për ta bërë më të mirë jetën e tyre, të familjes së tyre me punë. Njerëz që vijnë nga lufta e përditshme për t’u bërë më të ditur, për t’u bërë më të mençur, më të urtë, duke mësuar edhe nga gabimet e tyre dhe duke mos u dorëzuar kurrë nga vështirësitë rreth e rrotull.

E prandaj unë jam sot këtu bashkë me Taulantin për t’i bërë një apel këtu të gjithë atyre që jetojnë në Elbasan, flas në qark, në qytet apo në fshat, ose që janë në emigracion dhe që mendojnë se kanë diçka brenda që i vlen Shqipërisë, përtej punës së tyre, që i vlen familjes dhe Shqipërisë patjetër, por diçka që i vlen Shqipërisë dhe komunitetit, duke pasur në dispozicion partinë politike si një instrument. Partia është instrument nuk është qëllim në vetvete. Është instrument për të arritur qëllimet që na bashkojnë, për ta bërë sa më të mirë këtë instrument, këtë parti e për ta bërë sa më mirë sëbashku shërbimin tonë për Shqipërinë si e tërë dhe për çdo komunitet.

Unë jam shumë besimplotë që ne jemi në rrugën e duhur dhe siç ka qenë gjithmonë, edhe sot, rruga e Shqipërisë është e njëjta rrugë me atë të Partisë Socialiste, me të gjitha siç thashë, gabimet, rrëzimet, ringritjet, shqetësimet, reflektimet. Por, ajo që ne nuk duhet të harrojmë asnjëherë në çdo moment dhe unë nuk e harroj kurrë është që në këtë rrugë na duhen forca gjithmonë të freskëta, na duhen energji gjithmonë të mëdha,  na duhet ta sfidojmë veten edhe aty ku të tjerët nuk na sfidojnë dot. Janë shumë mbrapa, janë shumë shumë mbrapa dhe ky është rreziku  ynë më i madh, boshllëku që ata kanë lënë, një opozitë më mizeabël në aspektin e vizionit, në aspektin e programit, në aspektin e lidershipit, në aspektin e lidhjes me njerëzit, në aspektin e lidhjes me realitetin, në aspektin e daljes nga guacka tradicionale e ndjekësve fanatikë tradicional, se sa kjo e sotmja, nuk e ka pasur Shqipëria që nga viti 1991. Edhe atëherë kur opozita e Partisë Demokratike ka qenë shumë më brutale, ka qenë shumë më e vërtetë, ka qenë shumë më e ndershme, edhe në marrëzinë e vet. Sot jo, sot është një opozitë e pandershme që nuk ka lidhje mes zërit, figurës, qëllimit dhe prapamendimit, nuk ka lidhje çfarë thonë, lëre njëherë që e thonë për të vënë duart në kokë, por është krejt tjetër nga çfarë duken, çfarë janë dhe çfarë në fakt kanë në mend që i shtyn për të kërkuar që të rimarrin pushtetin.

Prandaj miqtë e mi, me kurajo dhe me një ndjenjë, jo vetëm dëshire, por edhe kënaqësie sfidojeni veten, sfidoni dhe ata që janë sot në këtë skuadër për të thënë fjalën tuaj. Natyrisht që ne mund të kemi qindra kandidatë e do kemi qindra kandidatë me sa shoh, mbase mund të shkojnë shumë qindra. Do të kemi vetëm 140 deputetë, kandidatë në listë nga të cilët jo të gjithë do të hyjnë në parlament, por ama ky do të jetë një investim i madh dhe për ata që nuk do të jenë pjesë e skuadrës që do të zbresë në fushë, por do të jenë rezervë.

Do të jetë një investim i madh për Partinë Socialiste dhe për të ardhmen, për ripërtëritjen tjetër gjeneracionale që i duhet Partisë Socialiste, pas disa ripërtëritjesh që ka bërë këto 30 vjet e në këtë aspekt nuk është kurrsesi një investim i kotë energjish dhe mbi të gjitha kjo nuk është një lojë, siç ishte ajo që bëri Partia Demokratike. E patë atë? Nuk e di, sikur ti vësh këshilltarë që t’i këshillojnë për t’i treguar rrugën drejt humnerës, nuk e arrijnë dot këshilltarët ta bëjnë dot aq shpejt dhe aq me efikasitet një parti të tërë që të shkojë drejtë humnerës. “Përzgjedhim deputetët dhe ftojmë anëtarësinë të votojë ata që nuk do”. Keni parë këtë? Keni dëgjuar ndonjëherë këtë? Të shkosh e t’i vësh viza njerëzve që nuk do? Kjo është mungesë kurajoje, por mbi të gjitha kjo është mungesë ndershmërie. Ky është truk. Kjo është për t’i thënë të gjithë anëtarëve të partisë, juve keni rëndësi, fjala juaj vlen, ne duam t’ju dëgjojmë juve, por ne nuk ju japim dot juve mundësinë që ju të zgjidhini ata që doni. Ne do ju japim mundësinë që të zgjidhni ata që nuk doni dhe jo vetëm të zgjidhni ata që nuk doni, por nga 30 veta, do mblidheni gjithë ju, mijëra njerëz, do hiqni 2 veta dhe 28 të tjerët pastaj, nga 28 të tjerët jemi ne që do zgjedhim 2, apo 3, apo 5, apo asnjë.

Kjo është një fyerje e inteligjencës më mesatare dhe unë shpresoj që demokratët ta kenë kuptuar këtë pavarësisht se nuk shpresoj që ata të vijnë të votojnë për ne e nuk kërkoj që ata që janë votues në këto procese qesharake konkurrente të drejtpërdrejta e me konkurrencë të pandershme në fakt sepse mbahen me lekët e shtetit ata, me Portokallinë, por së paku të jenë të vetëdijshëm.

Ndërkohë që procesi ynë është krejt ndryshe, është krejt i thjeshtë, është krejt i drejtpërdrejtë, nuk është një tallje dhe një shaka, nuk është një votim për t’u kacafytur me vota anonime apo aq më pak një votim për të hequr atë që nuk do, por është një ftesë e hapur dhe në momentin kur do të jenë kandidatët në një masë të caktuar, në mënyrë transparente me familjen tonë politike në radhë të parë, por dhe me shqiptarët, ne do bëjmë një proces gare, ku ajo që do të jetë kryesorja do të jetë që çdokush të ndihet mirë që të nxjerrë në pah vlerat.

Unë jam i bindur që vajza që foli sot e kishte për herë të parë, kishte emocione, dukej si nxënëse që ishte para një provimi të vështirë dhe 5% e potencialit të saj u çlirua sot këtu, por gjatë gjithë procesit potenciali i të gjithë atyre që realisht kanë një talent, që realisht kanë një vullnet të mirë, që realisht kanë ambicie do fillojë të çlirohet dhe secili do shohi ku është, do shohi dhe të tjerët dhe ndërkohë ne mund të bëjmë një skuadër që të jetë një skuadër ku të ndërthuret eksperienca e atyre që janë në skuadrën e parë dhe energjia, freskia, e reja që do të sjellin ata që do të hyjnë rishtaz.

Dhe e fundit, ne nuk kemi bërë një garë brenda për brenda. Në vlerësimin e skuadrës ekzistuese të deputetëve ne kemi kërkuar që anëtarët e partisë të bëjnë një vlerësim. Kurse ftesa jonë është e hapur për të gjithë, ne nuk vëmë barriera, nuk themi “vetëm anëtarët e Partisë Socialiste mund të kandidojnë dhe të shprehin interesin që të jenë deputetë të PS”. Jo, gjithkush, le të jetë kush të dojë, edhe demokrat në zemër, demokrat në mendje, demokrat që mund të kenë qenë dhe për vite e vite me Partinë Demokratike dhe nuk kanë gjetur dot hapësirë aty e kanë mbase arsye që ta shohin veten pranë nesh dhe kanë dëshirë të bëhen pjesë e jona, janë të mirëpritur.

E kur them edhe demokrat, kam thënë ekstremin. Gjithkush tjetër, njerëz që nuk kanë menduar kurrë që mund të futeshin në parti. Unë nuk kisha menduar kurrë që mund të bëhesha anëtar partie ndonjëherë dhe ja ku jam sot, Evisi po ashtu. Taulanti tjetër gjë se Taulanti ka dashur të bëhej anëtar partie që i vogël, por jemi të ndryshëm në këtë familje. Janë ata që që të vegjël kanë hyrë në këtë rrugë, që me forumin rinor dhe janë dhe të tjerë si unë dhe si Evisi e si plot të tjerë që mund t’i numëroj që kanë ardhur nga tjetër rrugë.

Partia Socialiste nuk është një dogmë, nuk është një kazermë, Partia Socialiste është një ide, është një mënyrë të pari të gjithave dhe është një familje ku në rast se do të merresh me politikë, pa diskutim je shumë më i respektuar se në çdo familje tjetër politike.

Shumë faleminderit!

Respekte të gjithëve ju dhe kam shumë besim që kjo energji që ndihet këtu në këtë mjedis falë prezencës tuaj, do të jetë një vlerë e shtuar në skuadrën e vitit 2021.

Faleminderit!  

 

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Përshëndetje të gjithëve,

Mirë se keni ardhur!

Dua ta them që në fillim se ky nuk është një takim i mirëfilltë partiak, por është një nismë për t’iu dhënë mundësi djemve dhe vajzave, burrave dhe grave pavarësisht moshës, por me energji, që të hyjnë në një garë të pazhvilluar ndonjëherë më parë në Shqipëri, për të përzgjedhur realisht deputetin që do çdo komunitet.

E di që ka pak zhurmë nga mbrapa, por zhurmë ka kudo që punohet dhe zhurma shqetëson vetëm ata që flejnë gjumë.

Reforma Zgjedhore që Kuvendi i Shqipërisë ka përmbyllur pas tre vitesh pune intensive ka shënuar një moment historik për demokracinë e Shqipërisë sonë.

Hapja e listave nuk është vetëm një moment, që e çon Shqipërinë edhe më pranë praktikave më të mira të Bashkimit Europian, por është një formë europiane e përfaqësimit. Është një formë e re e pushtetit të qytetarit shqiptar, i cili tashmë ka mundësi më të mira për të përzgjedhur jo vetëm partinë, por edhe njerëzit që ai preferon të jenë përfaqësuesit e tij në Kuvendin e Shqipërisë.

Në 25 prill nuk do të votohet më vetëm për emrin e partisë apo kryetarit të partisë. Emrin në fletën e votimit do ta ketë ndoshta dikush edhe prej jush, që jeni sot këtu. Mund të jetë dikush edhe nga rrethi juaj që njihni.

Ky ndryshim përfaqëson thelbin e vlerave të kahershme të Partisë Socialiste. Ne duam njerëz të rinj, të talentuar e me energji që të vijnë në Parlament dhe të përfaqësojnë zonat e tyre elektorale.

Ne kemi marrë këtë nismë në mënyrë që të gjejmë kandidatët më të mirë nga të gjitha rajonet e Shqipërisë, nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, pra nga i gjithë vendi.

Ne kuptuam se mënyra më e mirë për të arritur Shqipërinë që duam është të kemi padyshim deputetin që duam. Ne u bëjmë thirrje njerëzve të aplikojnë apo nominojnë dikë që ata besojnë se do ti përfaqësonte denjësisht.

Ne jemi duke kërkuar për njerëzit më entuziastë, energjikë, të kualifikuar dhe më të përgjegjshëm për të qenë pjesë e Kombëtares së Partisë Socialiste në 25 prill.

Ne do ti shtojmë listës sonë këta njerëz të rinj, prandaj kjo fushatë përbën një ndryshim tejet të madh në raport me të gjitha fushatat që janë zhvilluar në Shqipëri në këto 30 vite.

Partia Socialiste e Shqipërisë është Partia e parë në Shqipëri që dëshiron të hapë listat e veta për njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi, që janë të gatshëm të na bashkohen për të çuar më tej atë që kemi arritur deri tani.

Na duhet ndihma juaj për të formuar listën më të mirë për zgjedhejt parlamentare të radhës. Ne duam të jeni pjesë e saj.

Përvoja e vendeve europiane me votim me listë të hapur tregon se kandidatët po kthehen për të kërkuar mbështetje dhe miratim nga qytetarët më shumë, sesa partitë e tyre apo vetë udhëheqësit e partive të tyre.

Hulumtimet tregojnë se ky sistem mundëson përzgjedhjen e politikanëve më të mirë, më të kualifikuar dhe të përkushtuar. Ata vlerësohen dhe zgjidhen sipas performancës së tyre.

Ajo që i ndodhi Partisë Demokratike ishte në fakt një histori paralajmëruese.

Ndryshe nga Partia Demokratike, që i dëboi të gjithë njerëzit e vet të mirë, ne duam të tërheqim talente të reja.

Partia Socialiste dëshiron të jetë partia e parë që do t’u japë ata përfaqësues që ju doni dhe duhet t’u përgjigjen në çdo moment. Ne duam të jemi shtëpia e brezit të ri të politikanëve shqiptarë, e atyre që do të zgjidhen prej jush që nga dita e parë.

Ky takim i parë do të vijojë në çdo cep të territorit.

Me këtë brez të ri ne do të fillojmë një epokë të re të Shqipërisë. Nje epokë ku të rinjtë do të dëshirojnë të qëndrojnë në Shqipëri për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu. Ky është qëllimi ynë.

Ne nuk mund të theksojmë mjaftueshëm sesa e rëndësishme është të zgjedhim njerëzit e duhur në këtë moment. Ata që do të kenë mbështetjen e komunitetit që prej fillimit do të kenë fuqinë për të sjellë ndryshimet e vërteta.

Sot janë këtu disa prej jush që kanë aplikuar në platformën “deputetiqëduam.ps.al”. Unë i falenderoj që kanë ardhur të gjithë.

Përpara se ti jap fjalën Briseidës do të doja t’iu thoja të gjithëve bashkohuni me ne në këtë rrugëtim, na ndihmoni të përfshijmë emrat më të mirë në listën e Kombëtares fituese më 25 prill.

E dashur Briseida të falenderoj dhe të ftoj ta marrësh fjalën tënde të parë që uroj të pasojë me shumë e shumë fjalime të tjera.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm