Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Partia Socialiste ka nisur një proces transformimi të brendshëm dhe hapjeje për të mirëpritur çdokënd që dëshiron të bëhet pjesë e familjes sonë politike

Të reja

Partia Socialiste ka nisur një proces transformimi të brendshëm dhe hapjeje për të mirëpritur çdokënd që dëshiron të bëhet pjesë e familjes sonë politike

15 Oct 2021    

Komunikim me median i kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Partia Socialiste ka nisur punën për zgjedhjet e ardhshme dhe njëkohësisht për një proces tjetër të ri, transformimi të brendshëm dhe hapjeje dhe në bazë të disa vendimeve, puna ne territor do të zhvillohet paralelisht për analizat e rezultateve qendër për qendër për të verifikuar cilësinë e përfshirjes së të gjithë anëtarëve të PS në zgjedhje në raport me rezultatet dhe njëkohësisht për ta hapur partinë për prurje të reja nga shoqëria, pavarësisht moshës dhe për të krijuar një bazë të re për të ecur më tutje. 

Ajo që do të nënvizoja si shumë të rëndësishme edhe nga kjo mbledhje dhe që falë jush do ta ndaja me të gjithë publikun, por në radhë të parë me të gjithë familjen tonë politike ne territor, është që një vijë e kuqe, e cila është vendosur fort në Kongresin e Partisë dhe do të thellohet në vijimësi është se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e Partisë Socialiste, janë pronë e popullit shqiptar dhe janë funksion i qeverisë dhe i gjithë strukturave ekzekutive të Republikës së Shqipërisë, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. 

Kështu që ta kenë të gjithë të qartë këtë gjë. Kjo nuk është propagandë, kjo është vija ndarëse që do të na garantojë kalimin në një nivel tjetër të vetë cilësisë dhe të qasjes së gjithë administratës shtetërore në raport me publikun. Nëse në shërbimin civil, tanimë kemi garantuar që proceset e rekrutimeve, janë procese që kalojnë nëpër kanale ligjore përmes konkurseve të organizuara nga DAP, të cilat janë në këndvështrimin tim procese me integritet dhe si rezultat i këtyre proceseve, shumë njerëz kanë mundur të marrin atë që ju takon, në pjesën tjetër të administratës kemi një problematikë serioze të trashëguar në 30 vjet, por që duhet me patjetër ta qasim me forcë dhe me vendosmëri. 

Kjo është e prerë dhe për këtë do të angazhohemi të gjithë.

-Zoti Rama a ka një pazar mes jush dhe zotit Basha për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut? 

Kryeministri Edi Rama: Zgjatja e mandateve të organeve të vettingut është një domosdoshmëri që vjen si rezultat i një procesi që e ka treguar se sa i vyer është për pastrimin e llumit nga sistemi i drejtësisë dhe për nxjerrjen në pah të njerëzve me integritet dhe ky proces nuk mund të ndërpritet. Ndërsa nga ana tjetër ju kujtoj që reforma në drejtësi është një reformë e bazuar tek një partneritet shumë i ngushtë i pandërprerë dhe i padiskutueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë, me aleatët tanë strategjikë, SHBA-të dhe BE. Kështu që këtu besoj që vija është shumë e ndarë.

-I keni bërë një ofertë për bashkëqeverisje zotit Basha. Ka qenë një ftesë e sinqertë?  

Kryeministri Edi Rama: PS është në një proces reflektimi sepse proceset e reflektimit ne na kanë garantuar të qëndrojmë në lartësinë e pritshmërive të publikut, por në të njëjtën kohë proceset e reflektimit na kanë ndihmuar të kuptojmë se vetëpërmirësimi është një domosdoshmëri për një forcë politike që merr përsipër të drejtojë vendin. Kështu që kjo është ajo që ka rëndësi. Ne jemi sot përsëri në qeveri si një forcë e vetme, por ne nuk do ta harrojmë për asnjë moment se ne në qeveri nuk na kanë sjellë thjeshtë votat e anëtarësisë sonë, por na kanë sjellë votat e një shumice dërrmuese shqiptarësh dhe atyre shqiptareve ne duhet t’i japim shansin që të përfshihen në familjen tonë politike, duke i thyer të gjitha ato barriera që koha i vendos dhe që inercia i mban aty dhe nga ana tjetër, tu japim mundësi të gjithë shqiptarëve të ndihen mirë për sa na takon jo sepse ne i bëjmë mirë të gjitha gjërat, as sepse ne nuk bëjmë gabimet tona, por sepse bëjmë gjithmonë më të mirën tonë, që më e mira të bëhet edhe për të tjerat, të tjerat pastaj janë llafe.

-   A do të nisni negociata me Partinë Demokratike për të siguruar pikërisht këto vota për reformën në drejtësi, në këmbim të reformës territoriale.

Kryeministri Edi Rama: Reforma në drejtësi nuk është diçka për t’u negociuar, është diçka për t’u kryer dhe besoj që në këtë pikë, është shumë e qartë për të gjithë që kthim mbrapa nuk ka, që qëndrim në vend numëro nuk ka dhe kush i bie ndesh reformës në drejtësi, i bie ndesh interesave të vendit, i bie ndesh aleancave strategjike të vendit, i bie ndesh të ardhmes së vendit.

-Në momentin kur të diskutohet ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të vettingut, a është ky një moment për të diskutuar edhe çështje të tjera si kërkesat e Partisë Demokratike?

Kryeministri Edi Rama: Këto nuk janë të lidhura me njëra tjetrën. Reforma në drejtësi nuk është kërkesa partiake, reforma në drejtësi është kërkesë historike, është kërkesë kombëtare, është kërkesë e të gjithë fëmijëve të këtij vendi, qofshin fëmijët e socialistëve, qofshin fëmijët e demokratëve. Ndërsa të tjerat janë të gjitha çështje që patjetër mund të diskutohen, ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo gjë me Partinë Demokratike, e kam thënë që ditën e parë, por njëra me tjetrën nuk kanë lidhje fare.

-      Për tu kthyer tek çështja e parë, përveç paralajmërimeve, a do ketë ndonjë aksion konkret për t’i parandaluar këto lloj punësimesh? Si do bëhet ky seleksionim nga rasti i Shkodrës kur deputetë tuaj janë ankuar se Partia Social Demokrate e Tom Doshit ka marrë pjesën më të madhe të vendeve të punës?

 

Kryeministri Edi Rama: Tani unë nuk hyj në thashetheme, që dalin rrugëve dhe që marrin forma nga më të ndryshmet nga mbledhje që mund të kenë një përmbajtje krejt tjetër, por ajo që dua të them është që deputetët janë aty për t’i shërbyer komuniteteve, deputetët janë aty për t’i shërbyer popullit, deputetët janë aty për t’i përçuar të gjitha mesazhet e nevojshme tek njerëzit, për të dëgjuar me vëmendje njerëzit e për të përcjellë në grupin parlamentar, për të sjellë në veshët e të gjithë anëtarëve të qeverisë shqetësimet e njerëzve. Deputetët nuk janë as punëdhënës, as zyra pune e kjo do të jetë një vijë e kuqe, nuk diskutohet. Proceset se si organizohet puna e shtetit dhe se si rekrutohen njerëzit për të punuar në administratë e se kush merr përgjegjësi në administratë, janë procese që rregullohen qartësisht nga ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe janë procese që i takojnë strukturave të shtetit, nuk janë procese që i takojnë deputetëve.

-      Zoti Kryeministër, meqenëse Komisioni i Venecias la në fuqi zgjedhjet vendore të 2019, çfarë do të ndodhë me ato bashki që janë ende pa kryetar?

Kryeministri Edi Rama: Për këtë nuk duhet të më pyesni mua, për këtë duhet të pyesni kë i ka në dorë këto punë, unë nuk i kam në dorë këto punë, qeveria nuk vendos se kur dhe si bëhen këto procese, normalisht këto procese duhet të ishin bërë me kohë, por nuk është ky as si të them detyrimi e nuk është mundësia ime të jap përgjigje për këtë sepse nuk e di.

-      Kur një gazetar merr vesh që vendi i tij po përgatitet të dërgojë satelitë në orbitë, ka një pyetje dhe për kuriozitet, për çfarë do të dërgohen e sa do të kushtojnë?

Kryeministri Edi Rama: Kini durim, qeshni sepse e qeshura shëndet është nuk diskutohet dhe mirë i bën të gjithëve. Shqipëria do të ketë satelitë, e do t’i ketë shpejt, për të forcuar kontrollin mbi territorin e saj në të gjitha aspektet e do të ketë, jo vetëm satelitë, por do të ketë dhe dronë inteligjentë që do të na ndihmojnë për ta çuar vendin në një nivel tjetër nga aspekti i administrimit të territorit të vet dhe këto janë mjete të një teknologjie të re, që garantojnë një monitorim të territorit për shumë gjëra, që nga kufijtë, tek ndërtimet që kryhen në territor, tek monitorimi lidhur me informacionin që i duhet strukturave të shtetit për luftën kundër trafiqeve, për patjetër çuarjen deri në fund të përpjekjeve për të zeruar plotësisht territoret e kultivimit të lëndëve narkotike, për të mbjellat e bujqësisë, për shumëçka dhe natyrisht edhe për të luftuar në mënyrë shumë cilësore krimin e organizuar, duke pasur kapacitete monitoruese të paimagjinueshme dhe patjetër duke pasur në dispozicion këtë arsenal, për të lehtësuar jashtëzakonisht shumë marrëdhëniet që zhvillohen në territor e që shpesh herë kompromentohen nga inspektorë, nga punonjës policie të korruptuar, kështu që nuk do bëjmë asgjë ne që ndodh për herë të parë në Shqipëri, vende të tjera të zhvilluara e bëjnë këtë gjë dhe e mira e kësaj kohe të teknologjisë së lartë është që nuk ka nevojë të jesh një vend i super zhvilluar për të bërë një kapërcim epokal, duke i vënë vetes në dispozicion mjete të kësaj natyre që kanë një sofistikim që i kapërcen kufijtë e imagjinatës, kështu që Shqipëria do t’i ketë satelitët e saj e do ti ketë shpejtë, ashtu sikundër do ketë dhe dronët e saj inteligjentë e do të rrisë në mënyrë eksponenciale kapacitetet e kontrollit të territorit, në të gjitha aspektet, për zjarret, për emergjencat civile. Natyrisht përdorimi i këtyre mjeteve për sa i përket Republikës së Shqipërisë do të jetë një përdorim për çështje që kanë të bëjnë me punët civile të vendit e me luftën kundër krimit të organizuar, nuk do të jenë për çështje të natyrës së veprimeve apo të ofensivave ushtarakë natyrisht.

-      Kush është më prioritare për qeverinë, ujë 24 orë apo satelitët në rast se do kemi një alokim buxheti?

Kryeministri Edi Rama: Po t’ju them unë që satelitët lidhen edhe me ujin 24 orë, çfarë do thoni ju? Të gjitha bashkë. Ideja që meqë nuk e kemi ujin 24 orë në gjithë territorin, prandaj ne nuk duhet ta kontrollojmë territorin është e gabuar sepse për shembull nëpërmjet satelitëve e nëpërmjet droneve inteligjentë ne do të kemi një kontroll të përditshëm mbi gjithë lumenjtë e Shqipërisë për shembull e do të mund të identifikojmë çdo lloj ndryshimi apo çdo lloj ndërhyrje të paligjshme në shtretërit e lumenjve të Shqipërisë. Ashtu sikundër do të kemi një kontroll të plotë edhe mbi mjedisin, duke identifikuar në kohë reale çdo lloj cenimi të mjedisit, për sa i përket vendgrumbullimeve ilegale të mbetjeve apo për sa i përket prerjes ilegale të pyjeve. Të gjitha këto shkojnë bashkë, nuk është se ne do çojmë satelit për të bërë kërkime në Mars. Ne na duhen sy inteligjentë të një kapaciteti që i tejkalon kapacitetet njerëzore, për të pasur në kohë reale informacion mbi territorin e vendit tonë e për të identifikuar në kohë reale çdo ndërtim pa leje që bëhet në Republikën e Shqipërisë, jo duke e lënë këtë në rrjedhën e inspektimeve e pastaj duke i gjendur përpara një ngrehine që ka shkuar në kat të tretë ndërkohë që me dronët inteligjentë e me satelitët kjo gjë identifikohet të nesërmen e kështu gjithkush që kryen veprime të paligjshme në territorin e Shqipërisë e gjithkush që cenon territorin e Shqipërisë, do duhet ta ketë parasysh që është duke e parë dikush tjetër që nuk duket rreth e rrotull e që nuk mund të korruptohet, nuk mund të komprometohet, nuk mund të gjendet në asnjë lidhje krushqie e fare fisi se është lart.

Faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm