Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Prezantimi i platformës "Vlerëso deputetin tënd"

Të reja

Prezantimi i platformës "Vlerëso deputetin tënd"

04 Oct 2020    

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, njëherësh kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, në prezantimin e platformës “Vlerëso deputetin tënd”:

Mirëdita!

Faleminderit shumë që jeni këtu, sot, në këtë ditë të diele, sepse kjo na ndihmon që edhe përmes pyetjeve tuaja, ne të përcjellim mesazhin e ditës së sotme, që ka të bëjë me hapjen e një procesi inovativ brenda familjes sonë politike si fillim, për vlerësimin e deputetëve dhe deputeteve të grupit tonë parlamentar nga e gjithë familja jonë politike.

Ne kemi zhvilluar në vijimësi një proces modernizimi të komunikimit të brendshëm të Partisë dhe me këtë rubrikë të parë hapim platformën e re dixhitale. Është një platformë inovative, e cila krijon një hapësirë të përbashkët të një komunikimi shumë të shpejtë, brenda për brenda familjes sonë politike, ku çdo anëtar dhe anëtare e kësaj familjeje ka akses përmes një çelësi personal dixhital në këtë platformë dhe mund të marrë pjesë në të gjitha proceset brenda platformës, nga vlerësimi i deputetëve dhe deputeteve që është ndërveprimi i parë, tek diskutimet e brendshme, tek proceset e ndërveprimeve, në funksion të marrjes e të shkëmbimit  në kohë reale të informacionit me qendrën, të ndjekjes së aktivitetit sipas çdo qarku, bashkie dhe organizate, përmes telefonit apo kompjuterit më të afërt dhe të pasjes së mundësisë për të adresuar drejtpërdrejtë, qoftë deputetin apo deputeten, qoftë kryetarin e partisë, qoftë strukturat e tjera, përfshirë ato të pushtetit vendor.

Është një hap i parë, i cili do të ndiqet nga hapa të tjerë, sipas një plani që kurorëzohet sigurisht në 25 prill. Por procesi dhe ndërveprimi vazhdon dhe përtej.

Ne duam që e gjithë jeta e partisë të marrë një hov të ri e të gjallërohet më tej, pa pasur nevojë për të pritur mbledhjen e radhës së organizatës, pa pasur nevojë për të pritur lajme nga kanale të tjera dhe për t’i marrë të parët, anëtarët e partisë, të gjitha lajmet që kanë të bëjnë me partinë, që kanë të bëjnë dhe me procese të lidhura me qeverisjen e sidomos që kanë të bëjnë me lajmet e rreme. Apo me informacione, të cilat ne i japim botërisht, por për të cilat, ne besojmë që çdo anëtar e anëtare e Partisë Socialiste ka të drejtën të kërkojë më shumë hesap dhe të ketë më shumë vëmendje lidhur me vërtetësinë, përmbajtjen dhe elementë të caktuar të një informacioni.

Kjo është e rëndësishme për një arsye të thjeshtë, sepse, në fund të fundit, këta janë njerëzit në vijën e parë. Partia Socialiste është shumë më e madhe sesa anëtarësia e saj. Partia Socialiste ka një mbështetje që shkon disafish përtej kufijve të anëtarësisë, por është anëtarësia, ajo që ka barrën të bëjë urën mes partisë dhe publikut.

Kjo platformë është një mekanizëm që rrit respektin për çdo anëtar e anëtare të partisë, në sensin e konkretizimit të peshës e të fuqisë së çdo anëtari e anëtareje të familjes sonë politike. Sigurisht, ky është hapi i parë. Ne duam që modernizimi i ndërveprimeve dixhitale të shkojë shumë më larg se kaq. Kemi një vizion afatgjatë dhe duam të përfshihen në këtë proces, jo vetëm anëtarët e partisë që janë në Shqipëri, por edhe ata që janë jashtë. Të gjithëve do t’ shkojë një letër e personalizuar, jo nëpërmjet strukturave të partisë, por me postë, me çelësin përkatës individual për të aksesuar platformën.

Në këtë proces, ne presim që të ketë një intensifikim edhe të komunikimit e të marrëdhënies me vetë përfaqësuesit.

Mundësia për të shfrytëzuar hapësirën që krijon teknologjia është e jashtëzakonshme dhe zhvillimi i komunikimeve, jo vetëm individualisht dhe jo vetëm me shkrim, por edhe i komunikimeve me grupe përmes video-kontakteve është një hapësirë e mrekullueshme që krijohet.

Ne do të bëjmë këtë proces për të dëgjuar çdo anëtar dhe anëtare partie, lidhur me deputetët dhe deputetet në qarkun e vet. Çdo anëtar dhe anëtare partie do të japë një vlerësim me pikë nga 1 tek 5, në mos gabohem, ku sigurisht 1 është vlerësimi më i ulët, 5 është vlerësimi më i lartë, për si e sheh çdo deputet dhe deputete pas kësaj periudhe përfaqësimi, i bazuar në mbështetjen që ai\ajo ka dhënë, bashkë me të tjerët sigurisht, anëtarë dhe anëtare të Partisë Socialiste.

Këto vlerësime do të na ndihmojnë shumë, për të kuptuar nivelin e marrëdhënieve mes deputetëve dhe anëtarëve të partisë. Do të na ndihmojnë shumë edhe për krijimin e skuadrës që do fitojë në 25 prill.

Nuk dua të përziej lajmet e as të bashkoj hapat, por në ditët në vijim, ne do të hapim një proces tjetër, i cili do të jetë përsëri përmes platformës së Partisë Socialiste, por do të jetë i ndarë në dy grupe, pra, jo vetëm për anëtarësinë e Partisë Socialiste, por të gjithë publikun, lidhur me deputetët që njerëzit duan. Këtu nuk do të shohim krahë, nuk do të shohim kush është kush, do t’i japim mundësi të gjithëve që të japin opinione lidhur me figura, të cilat gëzojnë respekt, tërheqin vëmendje, kanë mbështetje në komunitete të ndryshme, sipas kategorive të ndryshme, për të pasur një mundësi vlerësimi dhe gjykimi në shkallë të gjerë e për të mos e lënë përzgjedhjen e skuadrës së re thjeshtë e vetëm në kanalet tradicionale të marrjes së informacionit dhe të marrjes së propozimeve.

Do të jetë një proces i hapur, që do ta ndjekim me shumë seriozitet. Një proces që do të na krijojë një zgjedhje më të gjerë, duke qenë në kushtet kur  me votimin e nesërm në Kuvendin e Shqipërisë, ne sanksionojmë listat e hapura e duke qenë në kushtet, kur me listat e hapura, të gjithë kandidatët në listë janë potencialisht të zgjidhshëm, deputetë dhe deputete, atëherë na duhet që minimalisht ta dyfishojmë skuadrën. Sot kemi një skuadër me 74 deputetë dhe tradita me listat e mbyllura ka  qenë që vëmendja kryesore ishte tek pjesa fituese, ose potencialisht fituese, ndërsa pjesa tjetër ishte më shumë një pjesë e listës ku ne përpiqeshim të vlerësonim, të promovonim figura të caktuara, njerëz të rinj. Por patjetër që e dinim që nuk ishin të zgjidhshëm, në sensin e mundësisë për të hyrë në Kuvend, ashtu sikundër e dinin dhe ata.

Sot, kjo ndryshon rrënjësisht. Ne duam të jemi sa më të përputhur me ndjesinë dhe me pritshmërinë e opinionit në çdo qark, lidhur me skuadrën që do të nxjerrim në fushë. Është shumë e rëndësishme të bëjmë vlerësimin e deputetëve aktualë, për të pasur qartësi të plotë dhe jo thjesht një vlerësim nga qendra apo nga Tirana, mbi si njerëzit atje e shohin secilin dhe secilën. Besoj se kjo do të na ndihmojë shumë e do të ndihmojë secilin për të pasur shumë më tepër vetëdije dhe përgjegjësi në raport me çdo anëtar e anëtare të Partisë Socialiste, që ka në dorë të të vërë një notë.

Do të jetë një vlerësim konfidencial, i fshehtë, i garantuar plotësisht në raport me çdonjërin, në mënyrë që gjithsekush ta bëjë vlerësimin e vet pa pasur asnjë ndjesi pasigurie se vlerësimi i tij apo i saj do të shihet nga ata që do të vlerësohen e kjo mund të krijojë problem, në aspektin shoqëror flas. Do të jetë një vlerësim që pastaj do të merret e do të analizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me vetë deputetët.

Afati që kemi lënë për këtë është një afat besoj i arsyeshëm, duke pasur parasysh që bëhet fjalë për një praktikë krejt të re nga pikëpamja edhe e mënyrës dhe duke pasur eksperiencën me zhvillimet dixhitale, që shumë shpesh, pavarësisht se njerëzit e kanë shumë të thjeshtë, inercia dhe zakoni i pengojnë që të përdorin shërbimet dixhitale, i pengojnë që të përdorin aksesin e shpejtë në platformat dixhitale dhe pavarësisht se numri i përgjithshëm i ndërveprimeve mes qytetarëve dhe shërbimeve dixhitale është rritur shumë e rritet çdo ditë, ka plot akoma që vazhdojnë shkojnë për t’i marrë këto shërbime, duke ecur në këmbë, çka nuk është e nevojshme. Ka plot akoma që i kërkojnë këto shërbime duke kapur njërin e tjetrin, gjë që nuk është e nevojshme. Këto shërbime kanë të mirën që janë komplet të pamanipulueshme e nuk janë subjektive, në sensin që bën një kërkesë, ke një afat e nëse afati nuk zbatohet për ty, ata persona që janë përgjegjës për këto shërbime dalin zbuluar sepse i nxjerr kompjuteri.

Afatin që do të lëmë në këtë proces do të jetë fleksibël. Ne kemi vendosur një afat paraprak, fundin e nëntorit. E ndërkohë e gjithë struktura do të angazhohet që t’i nxisim anëtarët e partisë të bëjnë veprimin e tyre. Kjo do kërkojë kohën e vet, por besoj që për ne është absolutisht e mjaftueshme që brenda vitit të kemi qartësi mbi skuadrën që kemi dhe mbi stolin potencial të rezervave, që duhet ta kemi sa më të gjatë e të kemi sa më shumë rezerva të reja për të futur në skuadër.

Dua t’i ftoj të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste të përfshihen në këtë proces. Letra e personalizuar është rrugës në një pjesë, në një pjesë tjetër po vazhdon procesi i printimit dhe i futjes në zarf. Do të vijë me postë, për të pasur sigurinë e plotë që letra mbërrin në destinacion dhe që të gjithë pa përjashtim të marrin çelësin e tyre dixhital e të mund ta fusin platformën në telefon, qoftë për të bërë këtë hap të parë, qoftë dhe për të gjitha ndërveprimet e tjera.

Do më lejoni që t’i jap Taulantit fjalën, për të bërë plotësime lidhur me këtë. Taulanti dhe një grup i ngritur prej një viti kanë punuar shumë fort, së bashku me të gjithë ata që vullnetarisht na kanë ndihmuar nga pikëpamja teknike për të arritur që të kemi një platformë të tillë, që është një platformë inovative shumë e dobishme, efikase, mendojmë ne, për ta çuar të gjithë jetën e partisë në një nivel tjetër.

*

- Ky proces që po nis në PS vjen në një kohë që në Parlament ka një ndryshim në Kodin Elektoral sa i përket hapjes së listave. Por ne pamë dy ditë më parë që ndryshimet kaluan vetëm me votat e mazhorancës dhe dy vota të opozitës parlamentare. Nesër këto ndryshime janë futur në seancën plenare të orës 10-të. A i ka mazhoranca votat për ta kaluar Kodin Elektoral?

Kryeministri Edi Rama: Në këtë proces, ne kemi qenë shërbëtorë të përulur të të tjerëve. E them këtë me plot gojën. Kemi bërë atë që nuk e ka bërë asnjë parti e madhe, as PS-ja, as PS-ja, se këto janë dy partitë e mëdha, në gjithë këto vite. Duke qenë shërbëtorë të një procesi ku përveç opozitës brenda Parlamentit, kemi pritur, kemi dëgjuar, kemi shërbyer edhe për një opozitë tjetër jashtë Parlamentit. Të gjithë kanë marrë shumë më shumë sesa ne nga ky proces, në sensin e asaj që kanë dashur.

Ne nuk kemi marrë çfarë kemi dashur nga ky proces dhe nuk ka në ligjin e ri elektoral asgjë që është aty sepse kështu e duam ne. Ka aty gjëra që janë sepse kështu i do opozita jashtë Parlamentit, apo opozita brenda Parlamentit. Ndonjë gjë që është aty sepse kështu e duam ne, nuk ka. Por ka një moment për t’i dhënë fund diskutimeve, aq më tepër kur dy palët e tjera tërheqin nga vetja dhe duan gjithçka.

Kjo s’mund të ndodhë sepse jemi edhe ne këtu. E mbi të gjitha, nuk mundemi dot t’i akomodojmë të dyja palët dhe ti bëjmë të lumtura të dyja palët njëkohësisht, siç duan të dyja palët, pasi njëra palë do komisione zgjedhore politike, tjetra palë i do jopolitike. Edhe ne jopolitike i donim, por i shërbyem opozitës jashtë parlamentare dhe i thamë dakord.

Nga ana tjetër, njëra palë do t’i hapi listat sipas isesë së vet, pala tjetër do që t’i mbajë koalicionet sipas idesë së vet. Këto nuk mund të pajtohen të gjitha bashkë. Mund të kishim edhe ne ushtruar peshën tonë, për të thënë dakord, ne duam bonusin për partinë e parë, siç e kanë shumë vende. Kush del i pari, merr bonusin, d.m.th garanton stabilitetin e qeverisjes, duke pasur të drejtën e të parit. Ne nuk e kërkuam këtë dhe nuk e morëm këtë.

Nesër në Parlament do të votohet, natyrisht duke patur parasysh që për t’u kaluar ligji elektoral duhet një shumicë e cilësuar kushtetuese. Konsensusi është tek Kushtetuta. Nuk është tek bisedat dhe tek marrëveshjet jashtë Kushtetutës. Ndërkohë që, patjetër do të ishte një mrekulli që 100% e partive të ishin dakord për të gjitha, por kjo është një mrekulli që nuk ndodh në asnjë vend.

Shikoni se çfarë debati bëhet në Itali për ligjin elektoral sot, brenda për brenda shumicës qeverisëse dhe as nuk rri njeri të diskutojë se si  do t’ia plotësojmë dëshirën opozitës. Në Itali, në mos gabohem, në 5 zgjedhjet e fundit janë bërë 5 ligje elektorale, të gjitha me shumicë qeverisëse.

Në Greqi, Kryeministri Tsipras përdori shumicën e vet për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme, por ama ligjore kushtetuese, një ligj elektoral që kishte 40 vjet në fuqi. Erdhi kryeministri tjetër e ndryshoi prapë po me shumicë qeverisëse.

Kështu që shumica që vendos dhe vulos është shumica kushtetuese në parlament në fund të ditës dhe të tjerat nuk kanë më asnjë vlerë. Mbajn peng procesin me muaj dhe me vite me idenë që “po s’pranova unë, ti  nuk shkon ta votosh dot në parlament”. Nuk funksionon.

Natyrisht që është prapë momenti për të përsëritur që në jetë vetëm kalamajtë e vegjël nuk mbajnë përgjegjësi dhe nuk i marrin kostot vetë për vendimet e tyre. Të gjithë ata që janë në moshën e pjekurisë mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre dhe marrin kosto për veprimet e tyre. Kur ikën nga Parlamenti ta kishin llogaritur që nuk mund më të ushtronin fuqi mbi Parlamentin, edhe pse hiri i të vërtetës e do të thuhet që fuqinë mbi Parlamentin po e ushtrojnë përmes nesh. Jemi bërë ne shërbëtorët e tyre. Jemi bërë që shkojmë dhe votojmë atje, atë që ne nuk duam. Votoj unë komisionet politike të zgjedhjeve, kur kam thënë 35 herë që nuk ka më komisione politike, se duhet të jenë komisione të depolitizuara. Pse duhet ta bëj unë këtë?

 

E bëj sepse Luli nuk është në Parlament dhe duhet ta bëj për Lulin. Kjo është për të shpjeguar që kemi bërë të gjithë përpjekjet për një konsensus sa më të gjerë. Por konsensus 100% të gjerave nuk kemi dhe nuk do rrimë të presim që ta gjejmë sepse nuk gjendet, sepse janë shumë larg pozicionet e palëve. Kaq e thjeshtë është.

 

Nesër, sa vota do marrë ligji?

 

Mjafton të marrë 84 dhe është ligj dhe nuk e vë dot në diskutim askush.

 

- Me ndryshimet në kodin elektoral, kryetari i një force politike, apo kryetari i një koalicioni ka të drejtë të vendosë emrin e tij në të paktën në 4 qarqe, në 4 zona zgjedhore. Ju Zoti Rama do ju shikojmë vetëm në Qarkun e Vlorës si deputet, apo dhe në ndonjë qark tjetër?

 

Kryeministri Edi Rama: Ja, kjo është një tjetër votë që unë do ta jap pa dëshirë. Edhe PS-ja do ta japë pa dëshirë, sepse propozon opozita parlamentare dhe thotë duam këtë. Nuk është diçka që bie ndesh me normat, me standardet, me parimet, por nuk është fare në horizontin e dëshirave tona. Do ta votojmë për më shumë konsensus dhe me opozitën parlamentare mua më rezulton që kemi konsensus në një pjesë të madhe të gjërave. Nëse për një pikë, ose për një pikë tjetër, kush do të votojë, voton, kush s’do të votojë, nuk voton. Është shumë e thjeshtë, se i kemi rënë shumë gjatë kësaj historie për 30 vjet.

 

Përsa i përket çështjes sime, se u bë si gjeagjëze, unë jam deputet i gjithë Shqipërisë, sepse këtë detyrë kam. Nëse një deputet i Vlorës, i Durrësit, i Tropojës, i Ersekës është në Parlament, zëri i atij komuniteti dhe ka detyrën të bëjë çmos që të tërheqë sa më shumë nga ai komunitet, edhe kur ndahen buxhete, edhe kur merren vendimmarrje të caktuara të një natyre që influencojnë komunitetin, unë jam deputeti i gjithë Shqipërisë. P.sh, në Kosovë, kryetarët e partive nuk janë fare nëpër lista. Ky ishte një variant që ne mund ta kërkonim që të mos ishim fare nëpër lista, por s’ka problem. Kështu që këto janë pyetje pa lidhje, në sensin që jam dakord me pyetjen, por këto janë pa lidhje sepse unë jam deputet i të gjithë Shqipërisë. Formalisht e vendos emrin në Vlorë, apo e vendos në Tropojë, kjo është diçka që vjen si rrjedhojë e nevojës që emri duhet të jetë aty se ashtu e kërkon ligji. Pastaj jam në Vlorë, s’jam në Vlorë, unë në Vlorë kam qënë që njëmuajsh dhe do të jem deri në fund, jo të jetës politike,por të jetës fizike, i lidhur me Vlorën për arsyet që ju i dini. S’më bën fakti që jam i shkruar deputet atje, që të jem i dashuruar me Vlorën. Dashurinë me Vlorën nuk e kam të kushtëzuar nga dashuria për partinë. Do të jem aty ku do të jetë më e nevojshme, në sensin e momentit, por ska problem.

 

- Ka patur një qëndrim të fundit nga ministri serb i Mbrotjes Vulin, duke iu dhënë trajtën e një mbrojtësi të “Shqipërisë së madhe”. Madje ju ka konsideruar si një njeri që po braktisni idetë e shklëqyera për paqen në rajon dhe po mbroni vrasësit e UÇK-së, sipas tij.

 

Kryeministri Edi Rama: Unë jam neveritur dje, kur kam kuptuar që deklarata e këtij zotërisë nuk ishte meme, pasi në momentin e parë thashë është një meme se s’ka mundësi që një anëtar qeverie i një vendi me të cilin, ne po përpiqemi të ndërtojmë marrëdhënie sa më të mira bashkëpunimi, në vitin 2020 të jetë  një gojë kaq e shthurur dhe një mendje kaq e errët, por pastaj kuptova që nuk ishte meme.

 

Ka vetëm një të mirë kjo, që ekstremistët shqiptarë në Prishtinë më akuzojnë që po punoj për Jugosllavinë e re, apo për Serbinë e madhe, ekstremistët serbë në Beograd më akuzojnë që po punoj për “Shqipërinë e madhe”. E vetmja e mirë e kësaj, në kuptimin e shpjegimit të gjërve. Unë kam kërkuar dje dhe e përsëris edhe sot, Presidenti i Serbisë duhet të shprehet për këtë çështje, sepse ai është ministri i tij i Mbrojtjes. Duhet të shprehet për këtë çështje edhe për  një arsye tjetër, sepse me Presidentin e Serbisë, unë kam qenë shumë i qartë dhe mendoj që e kam kuptuar shumë qartë që ai ka qënë dakord me mua, që Shengeni Rajonal për mua është një proces në mbrojtje të interesave kombëtare dhe rajonale dhe në këtë proces, Serbia nuk mundet të hapë gojën se për çfarë dhe për si dhe sa shpejt dakordësohemi ne me Kosovën për të avancuar axhendën për Shengenin Rajonal, sepse Shengeni Rajonal në thelb është vendosja në zbatim e katër lirive të BE-së. Dhe e para është liria e lëvizjes, d.m.th qytetarët të lëvizin mes shteteve pa patur nevojë të ndalojnë në kufi fare. E faktikisht kufiri bëhet inekzistent. Këtë ne nuk e kemi realizuar dot më parë, sepse nuk ka na lënë as Washingtoni, as Brukeli, e lëre më Beogradi që ne të heqim kufirin atje.

 

Shengeni Rjonal e heq kufirin. Ne duam ta heqim kufirin dhe me Serbinë. E kam thënë, dhe kjo nuk u pëlqen fare ekstremistëve shqiptarë, por mua nuk më intereson fare se çfarë nuk ju pëlqen atyre. Ata jetojnë për të mbajtur peng të sotmen me kthetrat e të shkuarës. Unë jetoj për të përdorur të sotmen në funksion të së ardhmes.

 

Shqiptarët që shkojnë në Beograd me avion duhet të zbresin atje dhe duhet të kalojnë duke përshëndetur, pa qenë nevoja të kontrollohen. Po ashtu serbët që vijnë këtu, apo cilido i huaj nga Shqipëria apo nga Serbia që shkon në vendet respektive. E kështu kudo. Kjo është bindja ime.

 

E dyta, Porti i Durrësit pa diskutim që do të jetë dhe porti i Kosovës. Bujrum të jetë edhe porti i Serbisë apo kujtdo tjetër, në sensin që kush do liri lëvizjeje të mallrave mund të përfitojë nga liria e lëvizjes së mallrave. Nuk mund të bësh 4 liri lëvizjeje të BE-së dhe të thuash “këtë liri do ta marr, këtë liri sdo ta marr”, ose “këtë liri e dua për vete dhe tjetrit nuk ja jap dot”. Serbët ta harrojnë këtë.

 

Unë shpresoj që kjo të jetë thjeshtë magjarllëku i një individi që për 1001 arsye, - ndër të cilat mund të ketë qenë edhe arsyeja që ka qeënë nën ndikimin e lëndëve helmuese luftarake, se është dhe ministër i Mbrojtjes, siç i thoshim ne dikur këtyre prodhimeve alkolike të pacertifikuara - flet kështu.

 

Unë shpresoj që ne të vazhdojmë dhe të mos pengohemi, të mos humbasim kohë dhe mos cenojmë këtë process delikat me zëra të tillë, që janë zëra nga e shkuara e largët e që nuk janë ogur i mirë për asgjë dhe për askënd.

 

Unë nuk jam në këtë proces, as për t’i bërë qejfin njërit, as për të përkëdhelur tjetrin, as për të pritur që të zgjohet njëri, as për të vënë në gjumë tjetrin. Unë jam në këtë proces që Shqipëria të udhëheqë me forcën e shembullit dhe të hapet me të gjithë, paqe, bashkëpunim  punë, zhvillim.

 

Sa për vrasësit e UÇK-së, unë jam shumë krenar që për arsye të fatit që e deshi të jem në këtë pozicion dhe të merrem me politikë në këto vite, kam mundur t’i njoh dhe t’i kem miq dhe do të jem miku i tyre deri në fund, në ditë të mira dhe të vështira. Për mua, ata janë çlirimtarë, nuk janë vrasës. Vrasësist ishin në Beograd dhe janë akoma në Beograd.

 

Asnjë autoritet serb nuk mund dot ta kthejë përmbys historinë dhe ngado të rrrotullohen këta personazhe që luajnë me historinë, për të mbajtur peng të ardhmen, nuk e ndryshojnë dot një fakt shumë të thjeshtë: Nuk sulmoi Kosova, Serbinë dhe nuk sulmoi Prishtina Beogradin. Sulmoi Serbia, Kosovën dhe sulmoi Beogradi, Prishtinën.

 

Nuk ishin tanket e Kosovës që hapën rrugën e një ushtrie, të vënë nën urdhëra, për të bërë spastrim etnik, për t’i ngritur njerëzit nga shtëpitë, për t’ju djegur shtëpitë dhe për t’ju përdhunuar vajzat, por ishin nga Beogradi.

Ishin ushtarët e Sllobodan Millosheviçit, një ushtri e rregullt, e përdorur për djegie, për përdhunime, për spastrim etnik.

 

Kjo nuk ndryshon dot.

 

Nuk e ndryshon dot as Gjykata e Hagës, nuk e ndryshojnë as fletërrufetë e prokurorëve, nuk e ndryshon dot askush.

 

Çlirimtarët janë në Kosovë. Kriminelët e asaj lufte janë nën dhe disa, mbi dhe disa të tjerë, por janë në Beograd. 

 

- Platforma që u prezantua ditën e sotme, a do të ketë ndikim në fakt vlersimi I antarësisë në rënditjen përfundimtare të listës me të cilën Partia Socialiste do të shkojë në garën përfundimtare. Së dyti, a keni një koment për deklaratat e Presidentit Meta, I cili edhe mëngjesin e kësaj të diele tha se vendi po shkon drejt një junte me dorë të hekurt

 

Kryeministri Edi Rama: Për këtë të dytën më vjen shumë keq, po është fakt, Ilir Meta është zhveshur plotësishtë nga roli presidentit tanimë edhe një herë tjetër dhe është zhytur i gjithi në një fushatë politike për të shpëtuar nga falimentimi sh.p.k-në, siç e ka përcaktuar Lulzim Basha, të Monikës dhe të tribusë së tij. Mos prisni asgjë tjetër nga Ilir Meta, të paktën deri më 25 prill, përvec përshkallëzimit të vazhdueshëm të një retorike që na turpëron të gjithëve ne si qytetarë të këtij vendi, që vjen nga goja e Presidentit të Republikës tonë. Nuk duhet të çudisë asnjërin prej nesh, sepse Ilir Meta është thjeshtë kryetari i shtabit elektoral të opozitës, që përdor për këtë zyrën e Presidentit të Republikës.

 

Përsa I përket tjetrës, ne do të marrim një vlerësim të antarësisë. Ne nuk jemi për një proces të drejtëpërdrejtë votimi për deputetët për një arsye shumë të thjeshtë, sepse Partia Socialiste është shumë më e madhe se antarësia dhe ne duhet të dëgjojmë antarësinë të parën dhe duhet të dëgjojmë dhe pjesën tjetër. Ju thashë, në dëgjimin e pjesës tjetër, ne nuk do vendosim kufi fare. Nuk do themi, në qoftë se ti nuk ke votuar kurrë PS-në, nuk ke të drejtë ta thuash fjalën tënde se kush mendon ti se do të të përfaqsonte më mirë si deputet në qarkun tënd. Do t’i themi kujdo, kush të pëlqen ty dhe do shohim në të gjithë këtë me përgjegjësinë pastaj që kemi për të drejtuar Partinë Socialiste.

 

Ne nuk bëjmë farsa si farsa e komisioneve “Bezhani”, - ndjesë pastë, sepse ka qenë burrë mirë, - desha të them Nishani dhe me këto votimet hiq kë nuk do dhe me lojërat hajde të shtojmë 1 mijë vota me vrap se na hoqën Voltanën, apo na hoqën atë figurën tjetër, ai mjeku popullor kundër koronavirusit.

 

Ne nuk bëjmë nga këto. Partia ka një hierarki dhe ka përgjegjësi dhe këtu kthehemi tek ligji elektoral, për të thënë se ligji jonë elektoral në të gjitha aspektet e veta, përjashto atë që është aty në ligj me kërkesë të Lulzim Bashës dhe PD-së, është një ligj konform të gjithave standardeve ndërkombëtare. Ka lista të hapura në të gjithë spektrin e vendeve demokratike që artikulohen në mënyrë të ndryshme. Ka lista të hapura që janë pa asnjë artikulim tjetër, përvec faktit hap dhe hajde voto; ka lista të hapura që kanë një artikulim tjetër dhe këto janë në shumë vende, edhe në Danimarkë, Kroaci, Sllovaki, edhe në formula të ndryshme që nisen nga një parim i thjeshtë. Kush vjen në listën e një partie nuk është vetëm, nuk ka vetëm emrin e tij, ka edhe emrin e partisë, ka edhe vlerën e Brand-it brënda. Për këtë arsye ka dhe një artikulim që thotë partia bën një renditje, individi mund ta thyejë atë renditje dhe kjo i ka çuar këto vende në këtë artikulim nga eksperienca. E dini që në vendet ku ka lista të hapura ka një mesatare 50 deri në 60%, vota është pa preferencë. Domethënë, 50-60% e votuesve që votojnë një listë nuk votojnë fare për asnjë deputet. Ky është fakt. Pse?

 

Votuesi thotë unë e pranoj këtë renditje, votoj partinë, nuk dua të votoj për asnjë deputet në mënyrë artificiale. Atëherë kjo praktikisht heq një pjesë të madhe të votës nga individët.

 

Tjetra, figurat kryesore të partisë, - më merrni mua. Duke qenë deputet në një qark, sigurisht ka një prirje të votohem më shumë. Kjo ndodh kudo, kryetarin e partisë në vendet që kanë lista të hapura e votojnë shumë njerëz dhe kjo është pabarazi në garë midis meje dhe dikujt tjetri që është aty i ri. Sepse faktikisht një preferencë ka personi dhe ja jep liderit. Kjo prapë e tkurr në mënyrë të konsiderueshme basenin e votave të të tjerëve ku bëhen pastaj ndarjet.

 

Çfarë themi ne?

 

Ne themi një gjë shumë të thjeshtë, gjithkush mund të bëhet deputet, të marrë mandatin vetë për të kapërcyer renditjen. Ta marri mandatin vetë, por jo deputet me 200 vota. Se mund të shkojë puna, me një listë pa artikulim, që të dalë deputeti me 200 vota. Kjo nuk është fare e përshtatshme dhe nuk është e dobishme.

 

Kështu që nga të gjitha këto vlerësime, unë i kam dëgjuar me shumë vëmëndje të gjitha raportet që më ka bërë grupi i ekspertëve dhe është listë e hapur absolutisht, konkurruese absolutisht dhe konkurrenca është reale absolutisht, sepse kush do të hyjë në atë sallë duhet të marrë mandatin. Kaq e thjeshtë është.

 

- Zoti Rama, a do pranoni një përballje në debat televiziv me Zotin Basha, pasi pak ditë më parë, ai ju ka bërë një kërkesë për një debat televiziv së bashku?

 

- Ju thatë që nuk jam i kënaqur me ndryshimet që janë bërë në Kodin Zgjedhor, ndërkohë as Partia Demokratike nuk është e kënaqur pasi janë hequr listat me koalicionet e përbëra, disa deputetë të opozitës në Parlament janë të pakënaqur pasi listat nuk janë hapur ashtu siç kanë kërkuar ata. Kush është kënaqur me këto ndryshime që do votohen nesër?

 

Kryeministri Edi Rama: Me këtë rast mos harroni, mos ta bëni më këtë pyetje. Kompromiset janë gjithmonë mbi parimin që të gjithë të mërziten nga pak, nuk janë që të gjithë të dalin të lumtur. Kush është mërzitur më shumë, natyrisht është mërzitur më shumë kush do humbë zgjedhjet. Nivelin e mërzisë shikojeni nga deklaratat. Më i mërzituri nga të gjithë është Ilir Meta, sepse do të humbë zgjedhjet dhe do t’i humbë zgjedhjet në mënyrë shembullore këtë radhë, siç e meriton në fakt, sepse Shqipëria, Ilir Metës nuk i ka asnjë borxh. Të gjithë ne i kemi borxhe Shqipërisë, të gjithë ne. Ilir Meta është borxhliu më i madh ndaj Shqipërisë, sepse Shqipëria si askënd tjetër në historinë e vet e ka bërë kryeministër, e ka bërë kryeparlamentar e ka bërë president. Çfarë do më shumë ky njeri që nuk rri rehat një sekondë të vetme dhe vetëm mendon si të nxisi dasi, sherr, rrëmujë, për të përfituar si “i treti i vërteti”! Edhe vetë pozicioni ku qëndron është një pozicion i zgjedhur për të qenë i treti I vërteti, që nga dua unë shkon rrota e historisë, prandaj me mua, ose ikni në opozitë, ama me mua në pushtet për hesapet e mia.

 

As unë nuk jam i kënaqur, patjetër. Por nuk jam kaq i mërzitur se e di që nuk do t’i humbim zgjedhjet. Ata e dinë që do t’i humbin zgjedhjet. Një parti që thotë kopjo programin tonë, 6 muaj para zgjedhjeve! Përse ta kopjojmë?

 

Se e dinë që nuk kanë për të pasur ndonjëherë rast ta zbatojnë. Jua thotë nënvetëdija. Apo një parti që thotë ne po pyesim anëtarësinë, po hiqni ata që nuk doni. Futen 40 veta dhe hiqet njëri, po të tjerët kush do t’i zgjedhë?

 

Kështu që nuk ka as jë çudi në këtë mes.

 

Përsa i përket debatit është një nga ato muhabetet që e bëjnë kafenenë më tërheqëse, “do dalësh apo s’do dalësh në debat”; “do jesh në Durrës apo në Vlorë”; “kishe temperaturë, s’kishe temperaturë”.

 

- Zoti Rama, ju lancuat sot, projektin e ri të PS-së, “Vlerëso deputetin tënd”, por mes emrave që janë në lista keni edhe ministra. Nëse në fund të këtij procesi do të rezultojnë ministra që nuk do të marrin një vlerësim pozitiv, a do të ketë shkarkime për ta për shkak të këtij rezultati?

 

- Në 16 dhjetor të vitit të kaluar ju thatë se do të bënit një ndërhyrje për ligjin e dekriminalizimit, pra, do të kërkonit nga prokuroria dhe policia që të kishin më përpara listat e kandidatëve për deputetë e të mund të bënin verifikimet më përpara se të niste 30-ditëshi i fushatës. Çfarë është bërë me këtë propozim tuajin, a nuk ka prokuroria dhe policia kapacitetet e duhura? Keni marrë një përgjigje për këtë?

 

Kryeministri Edi Rama: Këtë e kemi futur në proces. Taulanti mund të japë një shpjegim të kësaj nisme timen.

 

Përsa i përket tjetrës e thashë, nuk duam t’i themi të gjitha që sot, por do të kemi edhe një rubrikë për vlerësimin e ministrave, të ndarë, jo thjeshtë si deputetë, se kemi edhe ministra që nuk janë deputetë dhe do të marrim vlerësimin e njerëzve. Por dua të them që ministrat vlerësohen mbi bazën e kontratës së performancës që kanë dhe mbi bazën e detyrave që kanë. Një pjesë e madhe e detyrave nuk gjejnë vend në ekranet dhe portalet tuaja. Por ama ne i vlerësojmë, unë nuk i vlerësoj nga televizori, nga portalet, por nga rezultatet konkrete, fushë për fushë sipas objektivave, sipas kalendarit, sipas planit. Ne kemi një strukturë të tërë digjitale në kryeministri, që në kohë reale në ekran jep zbatimin e detyrave të tyre. Mbi këtë bazë bëhet nga ana ime vlerësimi. Patjetër do ta bëjmë pyetjen e anëtarësisë për këtë, por s’na ka penguar kjo të bëjmë edhe ndryshime kur ka qenë nevoja. Apo s’na pengon kjo të bëjmë ndryshime, po të jetë nevoja.

 

- Kur do të mbahet Asamblea e PS-së, apo do të prisni rezultatin e vlerësimit të deputetëve, më pas për ta mbajtur atë...

 

Kryeministri Edi Rama: Një pyetje kam; Kur do të mbahet Asamblea e PS-së?

 

Është pyetje retorike. Sepse ky është një tjetër lajm i mirë për ne, - lajm i vjetër, por lajm i mirë, - që ju merreni me Asamblenë e PS-së, merreni me mbledhjet e Kryesisë, me çfarë u tha dhe u bë në një mbledhje në Vlorë, çfarë ndodhi në një mbledhje në Kavajë. Çuditërisht nuk kam parë të merreni me këtë skandalin që po ndodh me këtë procesin e komisionit “Nishani”. I shikoni se çfarë po ndodh nëpër rrethe me këto kandidaturat e popullit që po mbledh Luli? S’kam parë të ketë dhe nuk ka problem. Unë nuk dua në asnjë mënyrë që në këtë periudhë të dëmtohet Luli më shumë seç është vetëdëmtuar, se do na duhet. Por unë mendoj që është lajm shumë i mirë që ju jeni të interesuar, Asamblea e PS-së do mblidhet kur ta vendosi Taulanti.

 

Fjala e Sekretarit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në prezantimin e platformës “Vlerëso deputetin tënd”:

 

Prej më shumë se një viti ne kemi punuar për të krijuar një platformë digjitale. Ju sot po njiheni me një pjesë të vogël të gjithë asaj që Partia Socialiste ka mundësuar jo vetëm për anëtarësinë e vet, por edhe më gjerë. Në javët në vijim, procesi i njoftimi të pjesëve të tjera do të vijojë.

 

Padyshim, anëtarët e Partisë Socialiste të Shqipërisë janë struktura prej ku merren vendimet më të rëndësishme.  Konsultimi i anëtarësisë lidhur me ekipin e Partisë Socialiste, që do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit është një prej qëllimeve të këtij procesi.

 

Sikurse Kryeministri e tha, çdo anëtar i Partisë Socialiste, i cili tashmë i ka të gjitha të dhënat e tij të hedhura në platformën digjitale të sekretuar të Partisë Socialiste, do të marrë përmes shërbimit postar prej nesër, kredencialet për të aksesuar platformën. Platforma quhet “anëtarësia.ps.al”. Në platformë çdo anëtar i partisë ka një username, i cili lidhet me emrin dhe mbiemrin e tij dhe një pasword (fjalëkalim).

 

Sapo anëtari aksesohet në faqen e parë të platformës do i shfaqet lista e deputetëve të qarkut ku ai bën pjesë, të renditur sipas alfabetit, ku secili prej tyre do të vlerësohet prej anëtarit të Partisë Socialiste duke u bazuar tek performanca.

 

Dua të garantoj çdo anëtar të Partisë Socialiste se ky është një proces me integritet të plotë ku të gjitha të dhënat dhe vlerësimi i tyre për kandidatët është shumë konfidencial. Është shumë e rëndësishme që gjithëkush të marrë pjesë.

 

Ne kemi detyrime statutore që lidhen me atë që çdo anëtar i Partisë Socialiste duhet të bëjë përgjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve.

 

Kryetari me të drejtë e tha se ky është një prej proceseve që ne kemi përcaktuar.

 

Është e rëndësishme të themi se ky proces është një risi që përshtatet edhe me nevojat që solli pandemia. Pra, jemi në kushtet që duhet të ruajmë distancën, në kushtet që nuk mund të mblidhemi në takime të mëdha dhe ku nuk mund të zhvillohen procese tradicionale votimi, të cilat mund të transformohen në procese qesharake sikurse keni parë në ndonjë forcë tjetër politike ku ndodhin gjëra të padëgjuara ndonjëherë si për shembull: voton ata që nuk do.

 

Unë di që historikisht duhet të votosh ata që do dhe beson. Prej këtu qesharakja thellohet me rritje fiktive të numrit të pjesëmarrësve.

 

Në botën digjitale nuk mund të ekzistojnë këto metoda. Ky është një proces që ne po e aplikojmë për herë të parë.

 

Janë të pakta forcat politike në Europë që kanë një platformë të tillë digjitale. 

 

Në këtë fazë anëtarësia e partisë do të konsultohet për ekipin. Do të ketë një fazë tjetër ku do konsultohemi për çështje të programit dhe plot çështje të tjera, që lidhen dhe me pjesën e organizmit të Partisë Socialiste në çdo pjesë të territorit.

 

E ritheksoj, çdo anëtar i Partisë Socialiste do të ketë një kohë 50 ditore dhe më pas të gjitha të dhënat do të përpunohen duke ruajtur konfidencialitetin e të dhënave. Këtë do ta them sa herë të kem mundësinë të flas para anëtarësisë së partisë, sepse ne na duhet realisht ajo çfarë mendon anëtarësia e Partisë Socialiste.

 

Ky zarf mban kredencialet e domosdoshme. I kërkoj çdo anëtari partie ta ruajë, sepse të dhënat do i duhen për të aksesuar sistemin në çdo fazë.

 

Ne do të vlerësojmë përmes platformës, performancën e punës së çdo anëtari partie në një fazë tjetër të procesit, i cili lidhet edhe me organizmin tonë përtej 25 prillit.

 

Pra, ajo që do të certifikohet nesër nga Kodi Zgjedhor, që lidhet me mundësinë e çdo qytetari shqiptar përveç votës për partinë, të japë edhe për kandidatin; ajo që kemi bërë ne përmes platformës është që të vazhdojmë një proces që do të zgjerohet.

 

Në fund të fundit jetojmë në vitin 2020 ku teknologjia digjitale i mundëson edhe partive politike ta përshtasin strukturën dhe organizimin e tyre përmes teknologjisë.

 

Gjithashtu, në pjesën më të madhe të partisë janë integruar edhe kanalet sociale të komunikimit, të cilat kanë një peshë të rëndësishme në organizmin e partisë. Mirëpo për këtë do të ketë një fazë tjetër, të cilën do ta shpjegojmë përpara jush (gazetarëve) dhe anëtarëve të partisë, që na ndjekin përmes rrjeteve sociale.

 

Sot unë i bëj thirrje çdo anëtari të Partisë Socialiste ta vlerësojë si shumë të rëndësishme këtë fazë të parë të platformës digjitale të Partisë Socialiste përmes pjesëmarrjes. Platforma mund të aksesohet lehtësisht edhe nga çdo celular. Mjafton të shkosh te “anëtarësia.ps.al” dhe me kredencialet unike për çdo anëtar, të futesh në platformë.

 

Faza e parë është faza e vlerësimit të deputetëve aktualë.

 

Do të kemi plot çështje të tjera, për të cilat do marrim drejtëpërdrejt vlerësimin e çdo anëtari të Partisë Socialiste.

 

Faleminderit!

 

Pyetje: Në 16 nëntor të vitit të kaluar z. Rama është shprehur se do bëjë një ndërhyrje për ligjin për dekriminalizimin. Pra, do kërkonte nga Prokuroria dhe Policia që të kishin më  parë listat e kandidatëve për deputetë për të bërë verifikimet e kandidatëve për deputetë para 30 ditëshit të fushatës. Çfarë është bërë me këtë propozim? A ka Policia dhe Prokuroria kapacitetet e duhura? Keni marrë një përgjigje për këtë?

 

Ju e dini që paketa e dekriminalizmit është një paketë e miratuar me konsonesusin edhe të Partisë Demokratike e Lëvizjes Socialiste për Integrim kur ata kanë qenë në Kuvend.

 

Kjo çështje ka qenë pjesë e grupit të punës në kuadër të Komisionit të Posaçëm për  Reformën Zgjedhore nga i cili kanë buruar një sërë projektligjesh të cilat pritet të shqyrtohen në ditët në vijim nga Kuvendi.

Ne do të marrim kontaktet përmes z. Gjiknuri edhe me opozitën jashtë parlamentare lidhur me këtë nismë. Kujtoj që nisma ka të bëjë me një zgjerim të afatit të depozitimit të kandidaturave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme do ketë më shumë kohë në dobi të verifikimit të pastërtisë së figurës së kandidatëve.

Ndërkohë ne si Partia Socialiste e Shqipërisë jemi e vetmja forcë politike që këtë çështje e kemi sanksionuar në librat tonë të rregullave lidhur me një verifikim paraprak që ne bëjmë dhe që do ta bëjmë edhe për kandidatët tanë për zgjedhjet e 25 prillit.

Për të qenë korrekt me përgjigjen, ky është një proces që duhet të kalojë përmes një komunikimi me opozitën parlamentare dhe jashtë parlamentare për të dakordësuar këtë nismë. Është një nismë shumë e dobishme sepse mundëson që të dedektojmë kandidaturat e partive politike për të parandaluar zgjedhjen e tyre.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm