Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Procedura/ PS çel garën për kryetarët e partisë në 61 bashki dhe Sekretarët Ekzekutiv

Të reja

Procedura/ PS çel garën për kryetarët e partisë në 61 bashki dhe Sekretarët Ekzekutiv

10 May 2022    

Në zbatim të vendimit të Kongresit të 9 Prillit dhe Asamblesë Kombëtare të 7 Majit, Partia Socialiste ka hapur procesin e garës së brendshme për 61 kryetarët e partisë në 61 bashkitë e vendit. Gjithashtu, ftesa për aplikim u shkon edhe atyre që dëshirojnë të emërohen si sekretar ekzekutiv në degët lokale të Partisë Socialiste apo në nivel qarku, pozicion ky i cili u shtua përmes ndryshimeve statutore të 9 Prillit. 

Udhëzimi i miratuar nga Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri parashikon se deri më 25 Maj 2022 do të administrohen kandidaturat e mundshme për kryetar të degëve lokale të Partisë Socialiste. “Procesi i propozimit të kandidaturave për kryetar të partisë së bashkisë është i hapur dhe në të marrin pjesë të gjithë strukturat e partisë së bashkisë, drejtuesi politik i qarkut, deputetët e asaj bashkie, forumet apo çdo anëtar i spikatur i PS në bashki. Kërkesat paraqiten në Asambletë Socialiste të Bashkive; gjithashtu një kopje dërgohet elektronikisht pranë selisë qendrore të Partisë Socialiste në adresën e e-mailit: organizimi@ps.al, thuhet në udhëzim. 

Parashikohet se kandidatët për kryetar të partisë të bashkisë duhet të ketë si rregull vendbanim dhe të bëjnë jetën e partisë për një periudhë jo më pak se një vit brenda territorit të bashkisë, të jenë anëtar të partisë si rregull për një periudhë jo më pak se tre vjet, të kenë arsimin e lartë si dhe të plotësojnë kushtet e integritetit moral e ligjor. 

Udhëzimi për kandidatët për kryetar partie:

 

PARTIA SOCIALISTE E SHQIPËRISË

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

 

U D H Ë Z I M

Nr. 3, datë 10.05.2022

 

PËR ZGJEDHJEN E KRYETARIT TË PARTISË TË BASHKISË DHE PËRFUNDIMIN E PROCESIT ZGJEDHOR NË STRUKTURAT VENDORE TË PARTISË

Kongresi i Partisë Socialiste i 9 prillit 2022 vendosi piketa të reja për organizimin e partisë, për funksionimin e strukturave të saj e kryesisht të strukturave vendore. Mbi këtë bazë u bënë përmirësimet në Statutin e Partisë, që u pasqyruan në Librin e Rregullave, të miratuar nga  të Asambleja Kombëtare e 7 Majit 2022. Sipas këtyre normave të reja është hartuar ky Udhëzim, ku përcaktohen detyra në të gjitha proceset për konsolidimin e strukturave vendore të partisë dhe zgjedhjen e drejtuesve të rinj të tyre.

Fazat dhe afatet e procesit zgjedhor janë:

  1. Mbledhja e Këshillit Koordinues të Partisë në qark (7-15 Maj 2022).

Në këto mbledhje të trajtohen detyrat aktuale të strukturave vendore të partisë në zbatim të vendimeve të Kongresit të PS të 9 prillit 2022 dhe të Asamblesë Kombëtare të 7 Majit, gjendja aktuale e anëtarësisë së partisë sipas Regjistrit Elektronik, ecuria e procesit të zgjedhjeve në strukturat vendore të partisë, si dhe përcaktohen masa organizative për kryerjen e procesit zgjedhor sipas Statutit e Librit të Rregullave të PS dhe këtij Udhëzimi.

  1. Zgjedhja e kryetarit të partisë të bashkisë ( 7 Maj – 30 qershor 2022 ).

a. Propozimi i kandidaturave, administrimi i tyre (7–25 Maj 2022)

1. Procesi i propozimit të kandidaturave për kryetar të Partisë së bashkisë është i hapur dhe në të marrin pjesë të gjitha strukturat e Partisë së bashkisë, Drejtuesi politik i qarkut, deputetët e asaj bashkie, forumet dhe çdo anëtar i spikatur i PS në bashki. Kërkesat paraqiten në Asambletë Socialiste të Bashkive; gjithashtu një kopje dërgohet elektronikisht pranë selisë qendrore të Partisë Socialiste në adresën e e-mailit: organizimi@ps.al

2. Kriteret: Kandidatët për kryetar të Partisë të bashkisë duhet të kenë si rregull vendbanim dhe të bëjnë jetën e Partisë për një periudhë jo më pak se një vit, brenda territorit të bashkisë, të jenë anëtarë të Partisë si rregull për një periudhe jo më pak se tre vjet, të kenë arsimin e lartë, si dhe të plotësojnë kushtet e integritetit moral e ligjor, sipas kërkesave të neneve 45 dhe 46 të Statutit.

3. Kryesia e Partisë ngre Komision të Posaçëm për përzgjedhjen e kandidaturave për Kryetar të PS së bashkive të përbërë nga anëtarë të Kryesisë. Datë 04.05.2022

4. KS i NJ.A ka të drejtën e propozimit të së paku një kandidature për kryetar të Partisë të bashkisë, kandidaturë që mund të jetë anëtar i Partisë në territorin e NJA ose edhe të bashkisë.

5. Kandidaturat për Kryetar të Partisë të bashkisë administrohen në AS të bashkisë dhe nga Drejtuesi politik i Partisë në qark. Dokumentacioni i kandidatit përbëhet nga kërkesa, jetëshkrimi, një platformë/vizioni politik i përmbledhur i kandidatit, formulari i AK për integritetin ligjor e moral.

Mbledhja e Këshillit Koordinues të Qarkut bën verifikimin e plotësimit të kushteve dhe kritereve formale të përcaktuara (sipas pikës a/2 më sipër).   Këshilli Koordinues përgatit një raport për secilin kandidat dhe ja paraqet Komisionit të Posaçëm. Kanë të drejtën e kandidimit edhe kryetarët në detyrë të Partisë së bashkisë, përveç rasteve të parashikuara në nenin 26, pika 2 e Statutit. Komisioni i Posaçëm mund të administrojë edhe kandidatura jashtë listës së propozuar si më sipër.  (25 – 30 Maj 2022)

6. Komisioni i Posaçëm, pasi rishqyrton kandidaturat apo ankesat e kandidatëve, miraton listën e kandidatëve për kryetar të Partisë, me jo më pak se dy kandidatë për çdo bashki, si dhe organizon dhe ndjek dëgjesat pranë asambleve të zgjeruara të Partisë së bashkive. (31 Maj – 10 Qershor 2022)

Komisioni i Posaçëm harton kalendarin për organizimin e mbledhjeve dhe dëgjesave publike, dhe ja paraqet Sekretarit të Përgjithshëm për miratim brenda datës 11 Qershor.

b. Zgjedhja e kryetarit të partisë të bashkisë.

1. Mbledhja e Zgjeruar e AS të bashkisë (në përbërjen e saj përfshin anëtarësinë sipas pikës 3/b/3 të këtij Udhëzimi dhe bashkëkryetarët e OS-ve të bashkisë ) zhvillon dëgjesat me pjesëmarrjen e domosdoshme në mbledhje të deputetëve të bashkisë, të Komisionit të Posaçëm të Kryesisë së PS dhe drejtohet nga Drejtuesi politik i qarkut. Dëgjesat zhvillohen publike, me debat, ku çdo kandidat ka të drejtë të paraqesë platformën dhe t’iu përgjigjet pyetjeve të bëra. (11 – 25 Qershor 2022)

2. Komisioni i Posaçëm, pas përfundimit të dëgjesave, miraton listën e kandidatëve përfundimtarë dhe ia paraqet Kryesisë së Partisë, së bashku me vlerësimin e kandidaturave dhe një informacion për procesin e zhvilluar. Sipas rastit, kur gjykohet e nevojshme, Komisioni i Posaçëm mund t’i propozojë Kryesisë skemën e drejtimit me bashkëkryetarë (një burrë/një grua).

3. Kryesia e Partisë zgjedh një nga kandidaturat e paraqitura nga Komisioni i Posaçëm. Për ato bashki ku propozohet skema e drejtimit me bashkëkryetarë, Kryesia e Partisë zgjedh dy nga kandidaturat e paraqitura. 30 Qershor 2022

c. Zgjedhja e Kryetarit të Partisë të Bashkisë Tiranë.

1. Përzgjedhja e kandidaturave për Kryetar të Partisë të Bashkisë Tiranë bëhet nga Kryesia e Partisë, pas propozimeve nga strukturat e PS së Tiranës, deputetët e bashkisë. Deri 21 maj 2022.

2. Kriteret: Kandidatët për Kryetar të Partisë të Bashkisë Tiranë duhet të kenë vendbanim dhe të bëjnë jetën e Partisë për një periudhë jo më pak se një vit brenda territorit të bashkisë, - të jenë anëtarë të Partisë si rregull për një periudhe jo më pak se pesë vjet; - të kenë arsimin e lartë; - të jenë përfaqësues të Partisë në degët e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe vendor; - si dhe të plotësojnë kushtet e integritetit moral e ligjor, sipas kërkesave të neneve 45 dhe 46 të Statutit.

3. Statusi i Kryetarit të Partisë të Bashkisë Tiranë është në pajtim me statusin e të zgjedhurit në pushtetin legjislativ, vendor ose ekzekutiv.

4. Kandidatët për Kryetar të Partisë të Bashkisë Tiranë pas miratimit nga Kryesia e Partisë, zhvillojnë dëgjesa me KS të Njësive Administrative të Tiranës, në të cilat parashtrojnë platformat e drejtimit të strukturave të Partisë të bashkisë dhe të maksimizimit të veprimit të tyre organizativ, politik dhe elektoral. Deri 25 Qershor 2022

5. Në përfundim të procesit të dëgjesave, Kryesia e PS miraton Kryetarin e Partisë të Bashkisë.

30 Qershor 2022

3. Konstituimi i AS të bashkisë dhe KKP të qarkut ( 1 – 15 Korrik 2022 )

a. Konstituimi i Asamblesë Socialiste të Bashkisë Në përbërje të Asamblesë Socialiste të Bashkisë (ASB) bëjnë pjesë: a. Kryetari i partisë i bashkisë; b. Deputetët socialistë të zonave elektorale të bashkisë; c. Kryetari i bashkisë anëtar partie; ç. Delegatët e zgjedhur të Kongresit të Partisë; d. Kryetarët e KS të njësive administrative; e. Këshilltarët socialistë të bashkisë, anëtarë partie; f.  Kryetari i FRES dhe kryetarja e FGS të bashkisë; g. Sekretarët e AS të partisë të ; h. Koordinatorët e AS të bashkisë, anëtarë partie.

1.Antarët e Asamblesë Socialiste të Bashkisë duhet të kenë vendbanim ligjor dhe të bëjnë jetën e partisë për një periudhë jo më pak se 1 vit në territorin e bashkisë si dhe të plotësojnë kushtet e integritetit moral e ligjor sipas kërkesave të nenve 45 dhe 46 të Statutit.

2.Në mbledhjen konstituese Asambleja Socialiste e bashkisë njihet me vendimin e Kryesisë së Partisë për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë të bashkisë dhe vendimin e Sekretariatit Ekzekutiv të PS për caktimin e Sekretarit Ekzekutiv të partisë të bashkisë. Me propozim të Kryetarit të partisë:

  • zgjedh me votim sekretarin organizativ të bashkisë,
  • cakton koordinatorët e ASB sipas Udhëzimit të Sekretarit të Përgjithshëm të PS.

b. Konstituimi i Këshillit Koordinues të Partisë në Qark

1. Për drejtimin, koordinimin dhe funksionimin sa më efikas të veprimtarisë së strukturave vendore të Partisë dhe të organeve vendore të qeverisjes ngrihen dhe funksionon Këshilli Koordinues i Partisë në Qark.

2. Pranë Këshillit Koordinues të Partisë në Qark emërohet Sekretari Ekzekutiv i Partisë i Qarkut. Emërimi i tij bëhet me të njëjtën procedurë si për Sekretarin Ekzekutiv të partisë në Bashki, përcaktuar në nenin 15 rregullores “Strukturat Organizative vendore të Partisë”.

3. Këshilli Koordinues i Partisë në Qark koordinon veprimtarinë e Partisë në nivel qarku dhe ka këtë përbërje: a) Drejtuesi politik i qarkut; b) Deputetët socialistë të qarkut; c) Kryetarët e Partisë të bashkive në përbërje të qarkut; ç) Kryetarët e bashkive në përbërje të qarkut, përfaqësues të Partisë; d) Anëtarët e AK të qarkut përkatës; dh) Prefekti, anëtar partie; e) Kryetari i Këshillit të Qarkut, anëtar partie; f) Koordinatori Elektoral i qarkut; g) Sekretari Ekzekutiv i Qarkut.

4. Përfundimi i procesit të zgjedhjeve në strukturat vendore të Partisë.

Konstituimi i KS të NJA  ku janë zhvilluar mbledhjet zgjedhore të OS (Deri 30 korrik 2022).

1. Në mbledhjen konstituese të Këshillit Socialist të Njësisë Administrative, kryetari i Partisë i bashkisë ose i deleguari i AS, u bën të njohur pjesëmarrësve, kandidaturat e propozuara për kryetar të KS të NJA nga mbledhjet zgjedhore të OS. Anëtarët e KS mund të propozojnë edhe kandidatura të tjera për kryetar të KS, si rregull nga përbërja e anëtarëve të KS. Kandidaturat e propozuara nga OS ose dhe nga mbledhja e KS për kryetar të saj, duhet të kenë të paktën 1 vit si anëtar partie. Secili kandidat prezanton platformën dhe objektivat e tij në KS.

2. Kryetari i Partisë i bashkisë zgjedh një nga propozimet për kryetar të bëra nga KS i NJ.A, të cilin ia bën të njohur mbledhjes konstituese të KS.

3. Këshilli Socialist i NJA zgjedh me votim të hapur një sekretar të KS, i cili administron informacionin e ardhur nga kryetarët e OS dhe përgjigjet për dokumentacionin e KS të NJA nën mbikëqyrjen Sekretetarit Ekzekutiv të Partisë së bashkisë.

Zhvillimi i mbledhjeve zgjedhore të OS atje ku nuk janë zhvilluar. (Deri 30 shtator 2022)

A.Në bashkitë ku janë zhvilluar mbledhjet zgjedhore të OS, të evidentohet ku ka mangësi, vakanca, etj., të cilat së bashku me OS ku nuk është zhvilluar procesi zgjedhor, të zhvillojnë mbledhjet zgjedhore. Për zhvillimin e tyre të zbatohen kërkesat e Kodit të Zgjedhjeve në parti:

  1. Anëtarët e partisë njoftohen për datën, orën, vendin dhe rendin e ditës të mbledhjes së OS jo më vonë se 3 ditë para datës së mbledhjes për të siguruar pjesëmarrje sa më të plotë të tyre.
  2. Mbledhja e OS zhvillohet me pjesëmarrjen e të deleguarit të AS të bashkisë. Para procesit zgjedhor OS zhvillon analizën e veprimtarisë së saj organizative e elektorale për periudhën dyvjeçare.
  3. Mbledhja e OS zgjedh dy kryetarët, nga një për secilën gjini, të cilët si rregull, duhet të kenë të paktën 1 vit anëtar partie dhe sekretarin/sekretarët. Grupet e anëtarëve të PS zgjedhin një sekretar.
  4. Zgjedhja për secilin funksion bëhet me votim të fshehtë dhe kandidatura alternative. Admistrimin e procesit të votimit e bën KVNV.
  5. Mbledhja e OS,  propozon dhe miraton me votim të hapur, nga anëtarët e OS ose KS: një kandidat për kryetar të KS të NJA, i cili duhet të ketë jo më pak se 1 vit anëtarësi në parti;
  6. Procesverbali i rezultateve të votimit dhe i propozimeve të miratuara mbahet në 2 kopje: një kopje mbahet në dokumentat e OS, një kopje dërgohet në AS të bashkisë jo më vonë se 3 ditë pas datës së mbledhjes.

 

Konstituimi i KS të këtyre Njësive Administrative kryhet në përfundim të mbledhjeve zgjedhore të OS.

  1. Zgjedhjet në strukturat e partisë jashtë vendit. ( Maj - 30 shtator 2022 )
  2. Organizatat Socialiste jashtë vendit, sipas Statutit, ngrihen mbi bazë fshatit, njësie administrative apo bashkie nga vijnë emigrantët, ndërsa, kur nuk plotësohet numri i nevojshëm i anëtarëve sipas këtij kriteri, OS ngrihen mbi bazën e territorit të vendit përkatës ku jetojnë.  OS në emigracion krijohet me jo më pak se 10 anëtarë partie. OS në mbledhjen zgjedhore zgjedh kryetarin e sekretarin/sekretarët si dhe zbaton kërkesat e përcaktuara në Nenin 6, pikat 1,2,4,5 të Kodit të Zgjedhjeve në PS.  7 Maj – 30 qershor 2022
  3. Asambleja Socialiste e rajonit/qytetit, në përbërje të së cilës janë kryetarët e OS, zgjedh koordinatorin e partisë. Deri 30 qershor 2022.
  4. Kryekoordinatorët e Degëve të Partisë Greqi dhe Itali me propozim të AS të degëve përkatëse zgjidhen nga Kryesia e Partisë, 30 Qershor 2022.
  5. Në rastet kur Kryesia e Partisë vendos për ngritje të degëve të reja në vende të tjerë pritës, cakton një koordinator. Në përfundim të procesit të zgjedhjeve në OS dhe AS të qyteteve / rajoneve Asambleja Socialiste e Emigrantëve (ASE) e vendit përkatës, që është organi më i lartë i Partisë, në përbërje të së cilës janë koordinatorët e partisë të qyteteve/rajoneve (përveç Greqisë e Italisë) i propozon Kryesisë se PS kandidaturat për kryekoordinator të partisë në vendin përkatës. Deri 30 shtator 2022.

* Në përfundim të procesit zgjedhor në nivel bashkie, Sekretari Ekzekutiv i partisë i bashkisë  dërgon elektronikisht në Zyrën e Organizimit: 1.Listën e anëtarëve të AS bashkisë dhe 2. Listën e bashkëkryetarëve të OS në përbërje të bashkisë., me të dhëna sipas tabelave..

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

Damian GJIKNURI

 

Paralelisht me ftesën për të kandiduar për drejtimin e degëve të Partisë Socialiste në 61 bashkitë e vendit, një tjetër urdhër i Sekretarit të Përgjithshëm Damian Gjiknuri fton të interesuarit që të aplikojnë për detyrën e re të Sekretarit Ekzekutiv të partisë në territorin e 61 bashkive dhe 12 Qarqeve. 

“Sekretarët ekzekutiv të partisë në Bashki/Qark, do të përzgjidhen deri në datën 30 Qershor 2022. Procedura e propozimit të kandidaturave për Sekretar Ekzekutiv është e hapur. Të drejtën për të kërkuar përzgjedhjen në pozicionin e Sekretarit Ekzekutiv e ka çdo individ që plotëson kriteret: të ketë vendbanim ligjor jo më pak se 1 vit në territorin e bashkisë/qarkut përkatës; të jetë anëtar partie, si rregull për një periudhë jo më pak se 2 vjet, të ketë njohuri për organizimin e drejtimin e strukturave të partisë, të ketë arsimin e lartë. Preferohet me përvojë në drejtimin e një Këshilli Socialist, coordinator ose ish-koordinator elektoral i bashkisë, sekretar ose ish-sekretar i Asamblesë së bashkisë, kryetar/e ose ish-kryetar/e i FRES/FGS, etj”, thuhet në urdhërin e Gjiknurit. 

Çdo individ kandidat për Sekretar Ekzekutiv të partisë në bashki/qark plotëson formularin e aplikimit, konkuron me dosjen e tij e cila duhet të përmbajë kërkesën, jetëshkrimin dhe formularin e integritetit. Këto dokumente dërgohen elektronikisht në adresën: organizimi@ps.al ose edhe nëpërmjet postës në Selinë Qendrore të Partisë Socialiste në Tiranë, deri në datën 15 Qershor 2022.

 

Udhëzimi për kandidatët për sekretar ekzekutiv: 

U R D H Ë R

Nr. 2, datë 10.05.2022

 

PËR APLIKIMIN, PËRZGJEDHJEN DHE EMËRIMIN E SEKRETARËVE EKZEKUTIVË

TË PARTISË NË BASHKI/QARK

Bazuar në Nenin 27 të Statutit të Partisë Socialiste; si dhe në nenet 14 dhe 15 të Rregullores “Struktura Organizative vendore të Partisë”,

Procedurat, kriteret dhe afatet për rekrutim dhe lidhjen e kontratës për Sekretarit Ekzekutiv të Bashkisë janë si më poshtë vijon:

1.Sekretarët Ekzekutivë të Partisë në Bashki/Qark, detyrat e të cilëve renditen në nenin 14 të Rregullores “Struktura Organizative vendore të Partisë”, do të përzgjidhen deri në datën 30 Qershor 2022;

2.Procedura e propozimit të kandidaturave për Sekretar Ekzekutiv të Partisë të Bashkisë/Qarkut është e hapur;

3.Të drejtën për të kërkuar për zgjedhjen në pozicionin e Sekretarit Ekzekutiv e ka çdo individ që plotëson kriteret si më poshtë:

a) Të ketë vendbanim ligjor jo më pak se 1 vit në territorin e bashkisë/qarkut përkatës;

b) Të jetë anëtar partie, si rregull për një periudhë jo më pak se 2 vjet, të ketë njohuri për organizimin e drejtimin e strukturave të Partisë, preferohet me përvojë në drejtimin e një KS, koordinator ose ish-koordinator elektoral i bashkisë, sekretar ose ish-sekretar i AS të bashkisë, Kryetar/e ose ish-kryetar/e i FRES/ FGS të bashkisë, anëtar ose ish- anëtar i AK, etj.;

c) Të ketë arsimin e lartë.

4.Sekretarët Ekzekutivë të Partisë në Bashki/Qark do të paguhen sipas pagave të kategorizuara në Vendimin e Kryesisë (Tabela bashkëlidhur);

5.Marrëdhënia e punës rregullohet sipas kushteve të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë (Modeli i Kontratës Tip bashkëlidhur);

6.Afatet e procesit të përgjedhjes dhe emërimit të kandidatëve:

I.Çdo individ kandidat për Sekretar Ekzekutiv i Partisë në Bashki / Qark plotëson formularin e aplikimit (Formulari tip bashkëlidhur); konkuron me dosjen e tij, e cila duhet të përmbajë kërkesën, jetëshkrimin dhe formularin e integritetitKëto dokumente dërgohen elektronikisht në adresën: organizimi@ps.al deri në datën 15 Qershor 2022;

II.Dokumentacioni i secilit kandidat administrohet nga një grup pune i ngarkuar nga Sekretari i Përgjithshëm. Konkuruesit njoftohen për depozitimin e dokumentave të tyre, nëse janë të plota apo kanë nevojë për plotësime, si dhe komunikime të tjera që shihen të nevojshme e të arsyeshme;

III.Pas kësaj faze, kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara, do të thirren për të dhënë intervistën pranë Grupit të Punës;

 

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

 

Damian GJIKNURI

 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm