Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Qeveria është e mirëvendosur për të adresuar çdo sfidë e për të kërkuar mbështetjen e të gjithë aktorëve të shoqërisë

Të reja

Qeveria është e mirëvendosur për të adresuar çdo sfidë e për të kërkuar mbështetjen e të gjithë aktorëve të shoqërisë

14 Oct 2021    

Fjala në Kuvend e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama: 

Së pari, një shprehje keqardhjeje për atë logorenë në vend të “mirëmëngjesi”, pas ardhjes i fundit këtu, Zoti Lulzim dhe ta kam thënë disa herë publikisht, ta kam thënë edhe personalisht, mos imito atë të Foltores, sepse origjinali është gjithmonë më i besueshëm sesa kopja. Sa më shumë klith si ai i Foltores, aq më shumë dukesh personazhi i qajtores. Një burrë që vë kujën me fjalë, të cilat si prind pa diskutim ua thua përditë fëmijëve të tu se nuk përdoren asnjëherë dhe e bën këtë në mes të 139 burra e grave të tjera e në sy të kushedi sa të tjerëve që na ndjekin, është një burrë në pikë të hallit. Megjithatë, hallin që ke, sado ta qajmë, nuk ta zgjidhim dot. 

Ndërkohë, duke ju referuar atyre që u thanë këtu e meqë u soll FMN-ja, FMN-në e kam këtu përpara, në deklaratën në përfundim të misionit dhe po e citoj shumë shkurtimisht: “Ekonomia e Shqipërisë ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme pas tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë. Pas vitit të vështirë 2020, aktiviteti ekonomik po ringrihet fuqishëm”.

Ashtu sikundër thotë: “Me një tjetër mandat, qeveria është e mirëvendosur për të adresuar sfidat e për të kërkuar mbështetjen e të gjithë aktorëve të interesuar të shoqërisë, në funksion të qëllimit” - dhe më tutje: “Pas një periudhe kontraktimi me 4% në vitin 2020”, - e cila është shumë më pak sesa ishte parashikim fillestar dhe është ku e ku më pak sesa ishte parashikimi juaj, - “ekonomia po ngrihet fuqishëm, me rritje të parashikuar prej 7.8% në vitin 2021, nxitur nga mbështetja e vazhdueshme e politikave monetare e fiskale nga rindërtimi, nga pakësimi i kufizimeve të lëvizjes”. 

Mbajeni shënim këtu, do të jetë mbi 8%.

E të tjera e të tjera, por nuk po vazhdoj më tutje me FMN-në. Kjo është FMN-ja, shqip dhe anglisht.

Është e njëjta gjë që bën qëkur ke hyrë në këtë sallë si kryetar i opozitës, përsërit të njëjtën gjë duke shpresuar në një rezultat tjetër, merr po atë rezultat dhe vazhdon përsëri të njëjtën gjë. Përsëri sot përsërite përsëritjen si përsëritës, duke ju thënë shqiptarëve që ne kemi vajtur të marrim 200 milionë borxh, ndërkohë që para një jave u the, u rit çmimi i energjisë, ashtu sikundër u the dhe e the edhe sot, ka dalë tellalli të lajmërojë një krizë që nuk ekziston. Sot nuk përsërite në fakt, që çmimet janë rritur vetëm në Shqipëri, sepse çmimet janë rritur kudo dhe meqë solle Kosovën herën tjetër, nuk e solle sot prapë, se në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në gjithë rajonin, deri në Amerikë, çmimet janë rritur dhe gjithë bota flet për një krizë që është globale, nuk është lokale. Është e të mëdhenjve, është e të vegjëlve, është e të pasurve, është e jo të pasurve dhe është detyra ime, - këtë kam bërë, këtë bëra e këtë do bëj gjithmonë, - t’ju flas hapur njerëzve dhe sidomos, kur i gjithë vendi duhet të përballet me një krizë të kësaj natyre.

Çmimi për konsumatorët familjarë dhe as për të tjerë, hë për hë, nuk u rrit. Por do të thotë kjo që nuk ka krizë? Do të thotë që nuk është rritur kosto? 

Jo, ka krizë e madje ka një krizë të atillë dhe këtu jemi, do ta shikoni në ditët në vijim, që jo vetëm çmimi i energjisë është rritur eksponencialisht, por problemi me të cilin po përballen vendet është mungesa e ofertës në raport me kërkesën. Që do të thotë, mund të jesh i gatshëm të paguash edhe më shumë, por mund të mos e gjesh sasinë e energjisë që të duhet. 

200 milionët nuk janë borxh, janë një instrument garancie sovrane, i vënë në dispozicion për të mbrojtur shqiptarët, jo për t’ju faturuar krizën shqiptarëve, për të bërë të mundur që ajo kosto e rritur të mos shkojë në xhepin e familjeve shqiptare. Shumë e thjeshtë. Të gjithë këto situata duhen përballur dhe teoria që të gjithë duhen mbrojtur, madje solle këtu në vëmendje edhe sipërmarrësit e mëdhenj, që në fillim të fjalimit i quan oligarkë, pastaj thua janë punëdhënës, edhe ata, sipas zotërisë tënde, u dashkan mbrojtur. Patjetër, të gjithë duhen mbrojtur, por nga dalin këto të ardhura që duhen për t’i mbrojtur të gjithë? Megjithatë kjo është temë tjetër. 

Ne po përgatitemi e shumë shpejt do bëjmë një konsultim kombëtar me shqiptarët, se kush duhet ta mbajë barrën e si duhet të shpërndahet barra e kësaj krize.

Për të vazhduar më tutje, thua “borxhi publik jashtë kontrollit”. 

Nga e nxjerr këtë konkluzion? 

 

Ne dalim në tregjet e kapitaleve për pak. Nëse ne do të kishim borxhin publik jashtë kontrollit, në tregjet e kapitaleve, që nuk duan të dinë fare si e ke emrin, as me kë je, as sa ke në xhep, nuk do të marrim dot financim. Jo borxh, financim, likuiditet. Kjo do të ndodhë shumë shpejt e ju do ta shikoni të gjithë që Shqipëria, jo vetëm do të marri financimin që do kërkojë, por do ta marrë financimin që do kërkojë ekzatësisht sepse, siç thotë dhe FMN-ja, “në tregjet e kapitaleve, Shqipëria, sot është një faktor pa risk”.

Shqipëria, sot nuk është në atë gjendjen që ishte përpara se ju të largoheshit, kur nuk ju financonte njeri dhe u detyruat të bëni akrobaci deri në atë akrobacinë fantastike që bëtë me Bankën e Shqipërisë, për t’i shitur Hotel Dajtin. Edhe për ato 30-35 milionë euro sa ishin, e kishit litarin në fyt, ishit duke u mbytur. Për të mos folur që energjinë e çuat në një derexhe që çfarëdo që të bëjmë ne, - ma besoni këtë gjë, - ju duhet t’ia vini vetes një moratorium heshtjeje për energjinë për 10 vjet, deri kur në këtë sallë të jenë të gjithë, si ata që kanë ardhur për herë të parë dhe ata që kanë qenë në këtë sallë kur ngrinin kartonin për të mbajtur në këmbë atë pushtetin e ish Foltores, të mos jenë më këtu. Vetëm atëherë mund të filloni të flisni prapë për energjinë. 

Thua, “zbrazët”. 

Çfarë zbrazëm? 

 

Vazhdoni me të njëjtin avaz, duke u përpjekur t’i bëni shqiptarët për budallenj. Gjithmonë bëni të njëjtin gabim, e gjithmonë merrni të njëjtën përgjigje dhe çdo të hënë pas zgjedhjeve zgjoheni të habitur si ka mundësi e pastaj filloni me “masakrat”. Cilat masakra?

 

U thoni shqiptarëve, “e shesin energjinë lirë dhe e blejnë shtrenjtë”. Sigurisht, ky nuk është sekret, ky është fakt publik. E jo vetëm në këtë kohë, por dhe në atë kohë e në të gjitha kohët, qyshse ne e kemi nisur rrugën e ndërtimit të demokracisë pas shembjes së komunizmit, për një arsye shumë të thjeshtë; ne nuk kemi ende sot kapacitet për të mbajtur rezerva hidrike përtej limitit të lejuar nga siguria e digave. Kur uji vjen nga qielli më shumë sesa mban limiti i sigurisë, ne duhet ta derdhim. E keni derdhur ju dhe madje keni bërë katastrofa paaftësie. Por ndryshe nga ju, ne Skavicën e nxorëm nga sirtari dhe sot, Skavica nuk është më një ëndërr, as një premtim elektoral që e keni dhënë sa herë keni dalë nëpër fushata, por është një projekt me SHBA-në, që është në proces. Ndërtimi i Skavicës dhe krijimi i kapacitetit për rezervë do të na bëjë që të vendosim ne dhe kushdo që të jetë nesër, se kur e shet energjinë, jo nga halli, jo se nuk ka ku të çojë ujin e duhet ta çojë pastaj deri poshtë në nën-Shkodër, por duke ndjekur momentin kur kërkesa është më e lartë. 

Natyrisht, kur ne shesim energjinë, jemi në kushtet kur kërkesa është e ulët, se rretherrotull ku blihet energjia jonë, moti është i njëjtë dhe kur ne duam ta blejmë energjinë, kërkesa është shumë e lartë se është piku i thatësirës e kjo nuk varet nga ne e nuk është diçka e parashikueshme në mënyrë të qëndrueshme në vite. Megjithatë, në planin tonë, edhe për këtë kemi gjetur një zgjidhje të ndërmjetme, deri kur Skavica të jetë ndërtuar.

Më tutje the, “po bie konsumi”. 

Ku e bazon? Ku i ke shifrat? Ku janë faktet? 

Apo është pllaka e gramafonit që rrotullohet qysh nga vitit 2013 po njësoj? Rrotullohet pllaka e gramafonit, pavarësisht se çfarë ndodh. Si po bie konsumi, kur importet për energjinë janë rritur 78%? 

Si lëvizkan importet 78% dhe konsumi bie! 

Çfarë janë këta njerëz që harxhojnë lekë për të blerë mallra në anën tjetër dhe i sjellin këtu, për t’i hedhur ku? 

Si po bie konsumi, kur kursimet e vogla, sot, në banka janë më lart sesa kanë qenë ndonjëherë tjetër? 

Dhe po flas për kursime njerëzish të zakonshëm, nuk po flas për kontot e sipërmarrësve të mëdhenj. 

 

Pastaj thua, “tuneli i Llogarasë është dëm ekonomik”. 

Mbi ç’bazë? 

Këto çmimet e rrugëve në fakt nuk ke treguar se i kupton, e ke treguar që me çmimet e rrugëve ke pasur një raport shumë më të shtrembër sesa me aritmetikën. 

 

Në ndërkohë, nëse i referohemi shifrave, ka një ndryshim të madh shumë midis çmimit të kontratës dhe përfundimit të punimeve për kontratat që bënit ju, ku është arritur në rekorde botërore që një rrugë të kapërcejë më shumë se dyfish fondin limit. Ndërkohë që sot, - nuk je informuar se pllaka e gramafonit është regjistruar në 2013-ën. Të paktën prodho një pllakë të re, me ca melodi të reja, se u bë i njëjti avaz që në 2013-ën. Aq më tepër tani të duhet një pllakë e re se “la voce del padrone” ka ikur tek foltorja dhe  ka ngelur vetëm “la voce” pa padrone, - ligji i ri, pikërisht për të shmangur ato zbulime të tmerrshëm që janë bërë në të shkuarën me gjoja çmimin më të ulët, ka përcaktuar që çmimi ka vetëm 50% e 50%-shi tjetër janë të gjitha garancitë e nevojshme që ai që e merr të mos thotë “më shtoni këtu, më shtoni atje”, siç bënit ju, shto ujë e shto miell. Megjithatë, puna juaj. 

 

The “do blejnë drona”. Jo, “do blejmë drona”, do çojmë dhe satelitë në orbitë. Qeshni, kur të shikoni satelitët Shqipëria në orbitë. E jo në mandatin tjetër, vitin tjetër, Albania One, Albania Two në orbitë. Do t’i çojmë edhe ato, sepse për ne, ky vend nuk është “tokë e xanun” dhe zhvillimi nuk është që 7-të mrekulli pati bota dhe të 8-tën e sollët ju që, siç tha ai i Foltores, bënë të mundur ndërtimin e parë pa leje të një qyteti të tërë. Kjo ka qenë pretendim për t’u futur si mrekullia e 8-të e botës. 

Ne nuk jemi ju. Sigurisht na keni lënë një situatë që do kohë, do durim për të pastruar këtu, për të pastruar atje. Nuk mbaron, por ne shohim shumë larg. Jua them sërish, dronë po e po, por edhe satelitë në mënyrë që kontrolli mbi territorin, kontrolli mbi trafiqet, kontrolli mbi kufijtë, kontrolli mbi shumëçka të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duart e atyre që kontrollojnë me sy, që në atë pikë, me thënë të drejtën, nuk është se dallojmë shumë nga njëri-tjetri. Kur vjen puna tek inspektorët, aty me virus janë edhe ata që kishit ju, edhe ata që kemi pasur ne. Ata kanë virusin, nuk diskutohet. Sa më shumë t’ua heqim atyre nga duart kontrollin e jetës së bizneseve, e jetës së vendit, aq më mirë do jetë, prandaj sytë për të kontrolluar do t’i çojmë në qiell e do kontrollojmë nga qielli. 

Ju qeshni, është në të drejtën tuaj, sepse të qeshurën e keni program partie, edhe pse sot, në fakt, për herë të parë jeni në kushtet kur qeshni se nuk qani dot. 

Gjithashtu keni bërë një kërkesë për të ngritur një komision hetimor. Citoj: “Që të zbardhë plotësisht të gjitha veprimet e mosveprimet e paligjshme të organeve të pushtetit ekzektuiv”. Thoni që në fillim, në muajin prill 2021, opinioni publik u njoh me vendimin  “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë” të marrë nga Qendra për Zgjidhen e Mosmarrëveshjeve.

Mund të ma tregoni vendimin me të cilin ju jeni njohur? 

Po ju shpjegoj, nuk ka asnjë njohje të publikut me këtë vendim nga gjykata përkatëse. Madje, kjo që bëni ju, konsiderohet vepër penale, se, sipas gjykatës, nuk flas unë, bërja publike e të dhënave konfidenciale me qëllim krijimi e panikut dhe dëmtimin e interesave të vendit në lidhje me një procedurë akoma në proces. Vendimi i cituar i referohet një vendimi konfidencial, jo sipas meje, as sipas nesh, por sipas vetë gjykatës. Se si u njoh opinioni në prill 2021 dhe ekzaktësisht para se të bëheshin zgjedhjet, me një vendim që mbulohet nga konfidencialiteti i qeverisë së Shqipërisë, por konfidencialiteti i akorduar nga gjykata ndërkombëtare, këtë e dini ju. Nuk e them për të trembur, por e them pse nuk bëhet ky komision. Prandaj, ju, në radhë të parë, në kërkesën tuaj nuk shpjegoni burimin zyrtar, publik. 

Burimi zyrtar publik është gjykata.

E dyta, as në prill 2021-it dhe as sot, vendimi konfidencial, - i klasifikuar nga gjykata si i tillë, sepse çdo vendim i asaj gjykate që nuk është i mbuluar nga konfidencialiteti është në faqen e gjykatës, - shkoni te faqja e gjykatës e nëse ju del vendimi aty, flasim prapë. Opinioni publik është njohur me paragrafë pikërisht përpara zgjedhjeve për atë luftën kundër regjimit dhe e patë vetë se si shkoi ajo luftë. 

Ndërkohë kërkesa juaj thotë, “është e qartë që Shqipëria, tani do paguajë”. 

(Ju lutem mos ndërprisni. Me zë nga vendi të pretendoni të korrektoni në ecje e sipër fjalët që them unë apo që themi ne, ndërkohë që zotëria është “out of control” e askush nuk pretendon nga ana jonë që t’i bëjë thirrje në ecje e sipër të kontrollohet se e kemi shumë të qartë që është në hall, ky është kulmi. Më lini të mbaroj, mësohuni të dëgjoni, jo vetëm të flisni, meqë jeni partizanë të së drejtës së mohuar të fjalës. Por sa keni folur ju?! Prandaj unë habitem pse e keni këtë problem. Unë personalisht jam i gatshëm të votoj bashkë me ju, që ju të merrni jo vetëm ato 10 minutat, por ta merrni pa limit kohën, të rrini sa të doni e të flisni këtu gjithë javën. Bëni propozimin si të doni, unë do votoj me ju, të flisni jo 10 minuta, por mundësisht të rrini këtu gjithë javën. Me këtë rast krijoni edhe një lloj shtëpie të dytë, para sesa të vijë foltorja tek shtëpia e parë.)

Përtej retorikës, është një proces penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në gjykim prej disa kohësh, ku priten të thërriten për të dëshmuar dëshmitarë, të cilët prej disa muajsh ka pasur vështirësi të lokalizohen. Ky personi që ju keni dalë tani dhe e keni kthyer në heroin tuaj, është në kërkim nga drejtësia shqiptare. Po mbroni një njeri në kërkim, e kuptoni ju këtë? E mbroni këtë njeriun në kërkim, për të bërë politikë dhe harroni që gjithë këto detyrime të vendosura nga të tjerë, jo nga ne, janë detyrime për Republikën e Shqipërisë, nuk janë detyrime për qeverinë e Shqipërisë e të gjithë ju jeni dhe qytetarë, jeni dhe votues, jeni dhe humbës zgjedhjesh në Republikën e Shqipërisë. Republika e Shqipërisë është një, nuk është e ndarë në republika jonë dhe republika juaj, pavarësisht se ju doni të bëni një republikë të re, por ajo nuk ndodhi. 

Në favor të shtetit shqiptar, sot që flasim, janë dy vendime në arbitrazh me të njëjtin subjekt, në ICC dhe një vendim tjetër në ICSID. Përpara trupave gjyqësore ndërkombëtare të të gjitha juridiksioneve, Republika e Shqipërisë është një juridiksion. Ju doni që ta fusni hallin tuaj në një histori që është historia e Republikës së Shqipërisë me një të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe doni të bëni politikë me këtë, duke dezinformuar, duke përhapur një dokument, i cili sipas gjykatës është i mbuluar nga konfidencialiteti, duke shpifur që ndërkohë, shteti shqiptar ka filluar të paguajë. Krejtësisht e pavërtetë dhe jo vetëm që doni një komisioni hetimor që shkel parimet kushtetuese, shkel të drejtën ndërkombëtare, por përtej këtyre, dëmton drejtpërdrejtë interesat e Republikës së Shqipërisë.

Po ju kujtoj, konfidencialiteti i këtyre proceseve është detyrues për Republikën e Shqipërisë dhe të paktën duhet të jetë detyrues për përfaqësuesit më të lartë të popullit shqiptar në Parlament, pavarësisht se kush i ka zgjedhur. Të paktën, se nuk po them për çimi.net, por për Parlamentin e Shqipërisë duhet të jetë detyrues, pavarësisht se kush ka zgjedhur kë, se është Republika e Shqipërisë dhe nuk mundet që logoreja e një komisioni hetimor të kthehet në një dosje më vete për avokatët e palës që lufton me Shqipërinë. 

Kjo nuk ka për të ndodhur, por është turp që ju e çoni edhe nëpër mend. Ka kaq shumë gjëra të tjera me të cilat mund të merreni, por jo, sepse është patologjia juaj. 

Bie tërmet, ju jeni me tërmetin. 

Vjen virusi, ju jeni me virusin. 

Ka një përmbytje, ju jeni me përmbytjen. 

Ka një krizë energjie, jeni me krizën.

 

Tani na dolët me këtë. I kërkuar nga drejtësia shqiptare, ju aleat me këtë. 

Unë nuk jam fare i asaj shtëpie prodhimi të pllakave të gramafonit që për çdo gjë thotë se e ke bërë për këtë arsye dhe nuk jam këtu për t’i thënë zotërisë, mos keni marrë ndonjë kaush me fara luledielli dhe nga ky?  Se i keni qejf farat e lulediellit në përgjithësi. Nuk po e them këtë, nuk hyj unë në këto.

Lulzim, ta kam thënë që unë hallexhinjve nuk i shtoj hallet. Je hallexhi sot. Unë po të ndjek dhe më vonë kemi kohë prapë. Ti je hallexhi për momentin. Zgjidh hallet e tua, por vetëm një gabim mos bëj, që të hysh në garë me atë të Foltores, duke e bërë gojën qenef. Këtë mos e bëj se nuk ta zgjidh hallin kjo. Në atë fushë është më i mirë ai se ti. Ai është origjinali, ti je kopja. Në atë fushë mos konkurro me të. Për qenef, është botërisht qenefi i Shqipërisë. Ti mos bëj konkurrencë qenef me qenef se nuk je. Je shumë pllakë majolike për të qenë si ai.

Komisionin në fjalë ju duhet ta harroni se nuk bëhet. Republika e Shqipërisë vazhdon betejën në territor asnjanës. Përsa i përket pjesës me kë në krye këtu, këtë e kanë zgjidhur shqiptarët. Ju keni një pjesë tjetër, kush në krye ku, kjo është pjesa juaj. Ne nuk ju përzihemi, unë jo e jo. Unë, duke qenë se kam një dobësi, mbase dhe çështje moshe duke qenë pak më i madh, ose shumë më i madh me Lulzimin, thjesht përsëris atë që i kam thënë vazhdimisht publikisht, ia kam thënë edhe personalisht, mos e imito atë. E imitove atë, re në gropë. Si ai nuk bëhesh dot e mos u bëfsh kurrë, kështu që ji në lartësinë e flokëve të krehura me kujdes, ji në lartësinë e kostumit të mbërthyer me kujdes, ji në lartësinë e buzëqeshjes tënde, mos e prish gojën, siç e prishe sot, se tregon që je në një hall shumë të madh dhe nuk arrin dot as ta menaxhosh hallin tënd. Përgjithësisht je dalluar që i fsheh mirë ato që mendon, por të paktën jo me gojë, të lutem. Nuk mundet dot që të bëhesh ti goja më e shthurur e këtij Parlamenti. Për mua, si një njeri që të kam konsideruar e të konsideroj mik, është fyese. 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm