Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rama: Kryeministri pergjegjes politik e moral i situates katastrofike ne fshat

Të reja

Rama: Kryeministri pergjegjes politik e moral i situates katastrofike ne fshat

02 Sep 2008    
Fundi i verës ka nxjerrë në sytë e të gjithëve një shembull katastrofik të atij dështimi të madh, 17 vjeçar, të politikës së vjetër me fshatin e cila gjatë qeverisjes së Sali Berishës ka degraduar tërësisht. Sot mijëra familje në fshat po përballen me dështimin e punës së tyre njëvjeçare dhe me vajtjen dëm të të gjitha sakrificave të tyre të jashtëzakonshme për të mbijetuar në kushtet e mungesës së plotë të shtetit.

Misri i mbjellë anekënd vendit nuk prodhon kokrra jo për mungesë të shërbimeve gjatë procesit të rritjes së tij, po për mungesë të kontrollit të farës nga ana e shtetit.

Ky është një skandal i denjë vetëm për republikat e bananeve ku sundon korrupsioni qeveritar e paaftësia qeverisëse!

Jo për Shqipërinë në NATO, jo për Shqipërinë në dyert e BE, jo për Shqipërinë e miliona shqiptarëve e shqiptareve që jetojnë me punë të ndershme!

Dhe ndërkohë që mijëra familje janë viktima të mungesës së shtetit në pikat e kontrollit të farës së misrit, qeveria e Sali Berishës përpiqet të shfajësohet me justifikime që s'janë gjë tjetër veç një tallje e madhe me këdo që i dëgjon.

Ndërsa vetë kryeministri paguan televizionet kombëtare me taksat e qytetarëve dhe të këtyre bujqve fatkeq për të transmetuar pafundësisht një reklamë banale të luftës së tij kundër korrupsionit, që në këta rast ka ngrënë edhe kokrrat e misrit të mijëra familjeve. Kjo katastrofë për ekonominë familjare të fshatit dhe kjo papërgjegjshmëri e skajshme e shtetit në raport me ngjarjen kanë vetëm një përgjegjës:

Qeverinë e kryeministrit Sali Berisha dhe vetë kryeministrin!

Është qeveria që përmes strukturave të saj duhej te organizojë punën në rang republike për kontrollin e të gjithë inputeve bujqësore që hyjnë në Shqipëri, të cilat në vite kanë degraduar vijimësisht për të ardhur deri tek kjo ditë kur mijëra familje mbjellin misër dhe pas një viti punë u mbeten në duar kallinjtë pa kokrra të korrupsionit e të paaftësisë absolute të qeverisjes së Sali Berishës.

Kryeministri s'duhet të heshtë për këtë pabesi shtetërore ndaj mijëra familjeve të fshatit që sot meritojnë jo vetëm ndjesën publike të tij e të qeverisë së tij, po edhe dëmshpërblimin deri në qindarkën e fundit për humbjen kolosale që u ka shkaktuar papërgjegjshmëria shtetërore.

Sali Berisha është përgjegjësi politik e moral për këtë katastrofë, por i takon atij vetë që me zë të lartë jo vetëm të pranojë përgjegjësinë dhe shlyejë financiarisht humbjen e çdo familjeje, por edhe të kërkojë hapjen e një hetimi serioz për nxjerrjen para ligjit dhe dënimin e fajtorëve. Është detyrimi i kryeministrit të shpjegohet përpara publikut për dyshimin e rëndë të favorizimit të një situate monopol, me rrënjë tërësisht politike, në fushën e tregtisë së inputeve bujqësore.

Është detyrimi i kryeministrit të distancohet publikisht nga shifrat e deritanishme zyrtare, që janë krejtësisht të pavërteta dhe përbëjnë një dizinformim të qëllimshëm të publikut: Qoftë për sasinë e misrit të prodhuar në vend që është shumë më e vogël se ç'thuhet, qoftë për sasinë e misrit pa kokrra që është shumë më e madhe se ç'thuhet.

Ne nuk jemi aspak të lumtur që paralajmërimet tona për thellimin e krizës së fshatit e të prodhimit vendas po provohen dita-ditës, në kurriz të bujqve e fermerëve punëtorë e të ndershëm, por jemi absolutisht të bindur se këto ndodhi të hidhura në jetën e tyre e të familjeve që jetojnë në fshat si edhe çmimet që rriten përditë në qytet, mund, duhet dhe do t'i shmangë me sukses vetëm një politikë e re për fshatin e për sektorin jetik të bujqësisë: Politika e re e Partisë Socialiste!
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm