Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rama: Shqiperia ne duar te paafta e te pasigurta!

Të reja

Rama: Shqiperia ne duar te paafta e te pasigurta!

20 Aug 2008    
Kjo është e vërteta e qeverisjes që prodhoi sllogani "Koha për ndryshim" dhe e kryeministrit tonë patetik që përdor përditë e më shumë propagandën e së shkuarës në pamundësi për të hapur rrugën e së ardhmes. Këtë rrugë do ta hapim ne, socialistët e progresistët shqiptarë, me bashkimin e ri të të gjithë atyre që duan një Shqipëri normale, përtej kufijve të vjetër të së majtës e të djathtës, për vete e për fëmijët e tyre.

Para pak ditësh, kryeministri Sali Berisha dha një nga shfaqjet e tij më delirante në krye të qeverisë gjatë një të ashtuquajture analizë shtatëmujore, e cila u pasua nga një speciale e turpshme e Televizionit Shqiptar me titullin "7 muajt që ndryshuan Shqipërinë". Partia Socialiste reagoi zyrtarisht ndaj kësaj shfaqjeje të padenjë për një kryeministër që jeton në Europën e vitit 2008 dhe ligjëron si një agjitator i periudhës bolshevike i cili gënjen, gënjen dhe vetëm gënjen. Por, besoj nuk është e tepërt t'i rikthehemi sot asaj shfaqjeje skandaloze duke ballafaquar "kopshtin me trëndelinë" të propagandës bolshevike të kryeministrit tonë me shifrat kuptimplota të raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në këto shifra lexohet fare qartë sesa larg është Shqipëria reale e plagëve dhe halleve të mëdha nga Shqipëria e brockullave të pambarimta të Sali Berishës e të suksesit imagjinar të njeriut më të paaftë që e ka qeverisur atë ndonjëherë. Shifrat konfirmojnë, pa asnjë mëdyshje, se korrupsioni është jo vetëm njolla më e zezë e kësaj qeverisjeje, por se treguesi i korrupsionit për periudhën 2005-2007 është dy herë më i keq se ai i periudhës së mëparshme dhe tri herë më i keq se ai i vendeve të pranuara së fundmi në Bashkimin Europian. Në treguesin e korrupsionit Shqipëria renditet në krye kokëposhtë, e zhytur edhe më thellë sesa Kazakistani, Azerbaxhani, Moldavia, Bjellorusia e të tjera vende thellësisht të korruptuara, të cilat më parë renditeshin zakonisht nën vendin tonë. Raporti nuk thotë se cfarë ka ndikuar më shumë në këtë vlerësim tejet negativ, përhapja endemike e korrupsionit në cdo kontakt me administratën shtetërore?!, rritja e dukshme e korrupsionit famëkeq në administrimin e fondeve publike?!, shpërthimi vullkanik i korrupsionit në Gërdec apo vetë implikimi i kryeministrit në këtë turp të pashembullt të qeverisë shqiptare ?!. Por, shifrat e këtij raporti tregojnë se ky është vlerësimi më negativ që Shqipëria ka marrë qyshse nuk mbahet mend dhe provojnë pakundërshtueshmërisht dështimin tronditës të kryeministrit Sali Berisha, i cili në 2005-ën i mblodhi votat e shqiptarëve për të luftuar korrupsionin dhe do të dalë së shpejti nga zyra kryeministrore duke lënë pas një Shqipëri të zhytur më thellë në zullumin e qeverisë së saj.Kjo është e vërteta e marrëdhënieve të kësaj qeverie e të këtij kryeministri me korrupsionin, të cilën nuk kemi rreshtur e nuk do të rreshtim duke e thënë, pa ulëritur e pa shpifur, po duke treguar me urtësi e vendosmëri faktet e hidhura dhe pasojat e tyre për jetën, për ekonominë familjare e për të ardhmen e shqiptarëve.

Raporti konfirmon, përmes shifrave se treguesi i nivelit të zbatimit të ligjit dhe rendit publik, është përkeqësuar në mënyrë alarmante.Ky tregues është dukshëm nën nivelin e vendeve me të ardhura të ulëta, ai as nuk mund të krahasohet me atë të vendeve me të ardhura të mesme, ku llogaritet Shqipëria, dhe aq më pak me vendet e pranuara rishtaz në Bashkimin Europian, ku Shqipëria synon të integrohet. Kjo është e vërteta mbi gjendjen reale të Shqipërisë së sotme ku s'mund të kemi më shumë dinjitet, investime e vende pune, po vetëm më shumë andralla për shkak të moszbatimit të ligjeve e të mungesës flagrante të barazisë para ligjit dhe më shumë papunësi e plagë sociale.Këto gjëra themelore i kemi nënvizuar vijimësisht dhe do të vazhdojmë t'i nënvizojmë me forcë, pa kërcitur dhëmbët e acaruar nervat e shqiptarëve, po duke ndarë me ta shqetësimin e përbashkët për domosdoshmërinë e daljes nga kjo gjendje, e cila për shkak të të keqqeverisjes aktuale s'ka asnjë gjasë të ndryshojë pozitivisht. Por, pa ndryshuar pozitivisht vetë politika shqiptare dhe raporti i saj me qytetarin s'mund të mjaftojë as ndryshimi i domosdoshëm i qeverisë vitin e ardhshëm. Ja pse na duhet të gjithëve politika e re, largpamëse dhe e matur, forcë e arsyes dhe jo arsye e forcës. Raporti konfirmon përmes shifrave lehtësisht të krahasueshme se ritmet e rritjes ekonomike për periudhën 2005-2007, me të cilat mburret deri në qesharakëzim të plotë kryeministri Sali Berisha, janë në fakt më ulëta se ritmet e kësaj rritjeje në periudhën 1998-2004.

E bardha në të zezë konfirmohet shqetësimi ynë për rrezikun e një uljeje të mëtejshme të rritjes ekonomike që do të sillte edhe më shumë papunësi e varfëri në vitet në vazhdim. Në këtë tregues, të krahasuar qoftë me vendet me të ardhura të ulëta e qoftë me ato me të ardhura të mesme, del fare qartë se Shqipëria, jo vetëm mund e duhet të ketë një ritëm rritjeje ekonomike më të lartë në këtë fazë të ecjes së saj drejt një ekonomie tregu të konsoliduar, por edhe që Shqipëria sot është në duar të paafta dhe po humbet kohë shumë të cmuar në raport me zhvillimet ekonomike në Ballkan e në Europë.Kjo është e vërteta e sotme e një vendi si yni, me mundësi të jashtëzakonshme gjeografike, natyrore e njerëzore për të ecur shumë më shpejt dhe këtë kemi thënë e do të themi pa u lodhur, duke mos u mjaftuar me shpotitjen e pashmangshme të mburrjeve qesharake të kryeministrit, po edhe të shërbëtores së tij Jozefinë, për Shqipërinë kampione të Europës në ritmet e rritjes ekonomike, por duke faktuar që kjo rritje s'është as aq sa duhet e as aq sa mundet dhe duke treguar si mund të rritemi më shpejt e në mënyrë shumë më të qëndrueshme. Raporti konfirmon përmes shifrave kuptimplota deficitin më të lartë të të gjithë periudhës së tranzicionit shqiptar - minus 6.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ky deficit është më shumë se dy herë më i lartë se ai i vendeve me të ardhura të ulëta dhe rreth dy herë më i lartë se ai i vendeve me të ardhura të mesme.

Këto shifra tregojnë qartë se të gjitha deklaratat qeveritare e kryeministrore për rritjen e prodhimit vendas, sidomos atij bujqësor, dhe për uljen e importeve, janë vetëm vulgaritet propagandistik në përpjekjen për të mbuluar me gënjeshtra të bujshme plagë tepër të rënda, e sidomos plagën e fshatit shqiptar.Kjo është e vërteta e Shqipërisë reale që gjendet sot pafundësisht larg cdo lloj pavarësie relative ushqimore e që importon thuajse cdo gjë që ha me cmime marramendëse, megithëse i ka të gjitha mundësitë të prodhojë shumë më tepër, të hajë më mirë e më lire dhe të ketë shumë më pak varfëri e papunësi sidomos në fshat, ku ne jemi fokusuar e do të fokusohemi edhe më shumë për të zgjidhur një krizë dramatike ekonomike e sociale për qindramijëra njerëz, të cilët keqqeverisja 17 vjecare, po sidomos kjo qeveri e ky kryeministër i ka fshirë nga lista e detyrimeve të veta.

Kryeministri e kukullat e tij në qeveri flasin për fshatin vetëm kur u duhet të përgënjeshtrojnë me deklarata banale të vërtetat e dhimbshme të fshatit shqiptar, të cilat prej një viti ne po i nxjerrim me mund e durim në dritën e vëmendjes së mediave, por koha e llafeve për fshatin ka ikur. Është koha e zgjidhjeve dhe ne jemi gati për to.

Raporti konfirmon, përmes treguesish kokëfortë, se liritë e biznesit në Shqipëri janë më të kufizuara se në vendet e tjera. Kjo është tejet shqetësuese në përgjithësi,por mjafton shembulli i rëndë për eksportet, të cilat për periudhën 2005-2007 arritën në rreth 24.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që në vendet me të ardhura të ulëta në të njëjtën periudhë ato zenë rreth 33.2%, ndërsa në vendet me të ardhura mesatare rreth 45.7% të PBB-së. Pra afro dyfishin e Shqipërisë. Ndërsa po të kihet parasysh se ky tregues për vendet e pranuara rishtaz në Bashkimin Europian është rreth 61% apo dy herë e gjysëm më i lartë, kuptohet edhe më qartë se cfarë kostoje vonesë në integrimin e plotë në BE na duhet të gjithëve t'i paguajmë paaftësisë proverbiale të Sali Berishës e të kësaj qeverie.

Kjo është e vërteta e hidhur e lirisë së kufizuar të biznesit në Shqipëri, për të cilën kemi folur shumë, por do të flasim edhe më shumë në vijim, sepse jemi të vetëdijshëm që s'është asnjëherë mjaft të ngresh zërin për konkurencën e lirë e të ndershme sa kohë që ajo mungon duke i shkaktuar dëme të jashtëzakonshme nismës së lirë dhe sipërmarrësve të talentuar.

Raporti konfirmon, gjithnjë përmes shifrave drithëruese dështimin e plotë të kryeministrit Sali Berisha në reformën e sektorit energjetik. Në vend që të përqëndrohej në modernizimin e menaxhimit dhe kontrollin mbi të ardhurat e shpenzimet, kryeministri ynë mbeti pre e paaftësisë së tij e të njerëzve të tij, duke paguar qimet e kokës së këtij vendi për të mbuluar me masa të përkohshme gropën e zezë të KESH-it dhe duke mbajtur fjalime parodike për Shqipërinë bërthamore. Mbledhja e të ardhurave të KESH-it sipas raportit ka rënë deri në më pak se 50% duke e kompromentuar tërësisht performancën financiare të korporatës më të rëndësishme të vendit dhe duke bërë që zgjidhja e vetme të jetë rritja e vazhdueshme e tarifave të energjisë elektrike në kurriz të familjeve shqiptare. Të cilat paguajnë kësisoj jo vetëm për dritën elektrike po edhe për paaftësinë e pashembullt të kryeministrit Sali Berisha. "Dobësia institucionale dhe paaftësia e administratës", janë terma të shkruar qartë në këtë raport profesional e politikisht krejt të paanshëm. Kurse, sipas një shifre që flet vetë, humbjet e KESH-it kanë arritur nivelin e 2.4% të PBB së vitit 2007, d.m.th. një vlerë thuajse ekujvalente me buxhetin e sektorit të shëndetësisë. Pra, për shembull, vetëm po të shmangnim humbjet e KESH-it do të mund të dyfishonim buxhetin e shëndetësisë. Kjo është e vërteta e frikshme e problemit të energjisë në Shqipëri. Kemi folur parreshtur për këtë të vërtetë edhe pse gjithnjë jemi munduar të mos fusim panik tek njerëzit, duke qenë të matur e realistë dhe pa marrë asnjëherë anën e abuzuesve apo vjedhësve të energjisë, sic bënte kryeministri i sotëm kur ishte në opozitë. Sepse jemi plotësisht të vetëdijshëm që KESH-i është një bombë me sahat në ekonominë e vendit, e cila duhet c'kurdisur me reforma të guximshme, po edhe në një klimë politike të favorshme për t'i bërë mundura këto reforma jetike, pa i penguar asnjëherë me dritëshkurtësinë e politizimit për përfitime partiake të ditës në kurriz të së ardhmes së të gjithëve. Mirëpo fatkeqësisht gjendja e KESH-it është shumë e errët dhe e nesërmja krejt e pasigurtë, vetëm e vetëm sepse gjërat që duheshin bërë medoemos sot janë lënë për nesër.

Raporti konfirmon, përmes shifrash të qarta se shpenzimet qeveritare të periudhës 2005-2007 janë pothuajse në të njejtin nivel me ato të periudhës 2002-2004 dhe janë dukshëm më të larta se shpenzimet qeveritare në vendet me të ardhura më të ulëta se Shqipëria. Kjo tregon se premtimet elektorale për qeverisje të vogël e në dietë, nuk janë tjetër veçse ca gënjeshtra në malin e gënjeshtrave të kryeministrit tonë. Ndërkohë paratë e shqiptarëve shpërdorohen rregullisht pa asnjë gajle për shpenzime qeveritare dhe rëndom pa asnjë sens rrugëve ajrore të planetit, ku pushtetarët tanë kuturisen qoftë edhe vetëm për të regjistruar a fotografuar një sekuencë shtrëngimi duarsh apo buzëqeshjeje reciproke korridoreve të botës. Vetëm për qokat e kota ndërkombëtare të spikeres së Kuvendit Jozefinë, shqiptarët kanë paguar 500 mijë kilometra fluturime rrotull planetit.

Kjo është e vërteta e qeverisjes që prodhoi sllogani "Koha për ndryshim" dhe e kryeministrit tonë patetik që përdor përditë e më shumë propagandën e së shkuarës në pamundësi për të hapur rrugën e së ardhmes. Këtë rrugë do ta hapim ne, socialistët e progresistët shqiptarë, me bashkimin e ri të të gjithë atyre që duan një Shqipëri normale, përtej kufijve të vjetër të së majtës e të djathtës, për vete e për fëmijët e tyre.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm