Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Reforma Zgjedhore të mbështetet në rekomandimet e OSBE/ODIHR!

Të reja

Reforma Zgjedhore të mbështetet në rekomandimet e OSBE/ODIHR!

04 Jun 2020    

Fjala e kryeministrit Edi Rama në Parlament:

Përshëndetje të gjithëve dhe me lejen tuaj do të përpiqem të fokusohem në dy çështje, një çështje e aktualitetit politik dhe tjetra, një çështje e aktualitetit qytetar. E kam fjalën për Reformën Zgjedhore dhe për rastin e dhunimit të të miturës, që ka prekur thellë ndjenjat e njerëzve të këtij vendi, të të gjithëve ne.

Po e nis me Reformën Zgjedhore, jo nga rëndësia, por sepse besoj që mes këtyre dy çështjeve, pika e fundit duhet vënë tek e dyta, sepse shkon përtej debatit të përditshëm dhe të zakonshëm dhe ngre disa shqetësime serioze.

Pa dashur të bëj histori të gjatë, dua të sjell në kujtesën e të gjithëve se qysh pas zgjedhjeve të vitit 2017, ne jemi angazhuar publikisht që të adresojmë me synimin e vënies në jetë në zgjedhjet e 2019-s, çështjen e elektronikës në zgjedhje. E përsëri, nëse ju kujtohet, qysh asaj kohe, unë kam thënë disa herë në mënyrë të përsëritur se nëse duam dhe më saktë, nëse duan seriozisht të përfshijnë elektronikën në procesin zgjedhor, kolegët që aso kohe kanë qenë në këtë sallë dhe sot janë jashtë kësaj salle duhet të angazhoheshin menjëherë, pasi bëhet fjalë për një proces jo të lehtë dhe për një sistem të ri që kërkon kohën e vet për t’u vënë në përdorim. Këtu kujtoj që asnjëherë, në asnjë rast, për asnjë vend, por dhe në të gjitha herët kur është pyetur nga ana jonë dhe kur them ana jonë kam parasysh palët politike në vendin tone, ODIHR-i nuk ka qenë dhe nuk është entuziast për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje, gjithmonë e sheh teknologjinë me një dozë të lartë skepticizmi, nuk e inkurajon si një inovacion transformues në funksion të integritetit dhe transparencës së zgjedhjeve për njëmijë arsye që dihen dhe për të gjitha kërcënimet potenciale të teknologjisë në zgjedhje. Gjë që ka ka bërë që vende si Gjermania ta konsiderojnë antikushtetuese kërkesën për të përfshirë teknologjinë në zgjedhje dhe po ashtu porosit në mënyrë të prerë që teknologjia në zgjedhje, nëse futet, duhet të futet me faza dhe jo e gjitha menjëherë. Synimi jonë në atë kohë ishte që të hiqnim një alibi të opozitës dhe t’i jepnim mundësi të gjithëve atyre, vetes dhe njerëzve që ta kishin në dispozicion dhe teknologjinë. Prandaj kemi bërë një studim për të cilin kam folur edhe publikisht e prandaj kemi angazhuar një proces të tërë, edhe eksperimentimi konkret të teknologjisë, duke krijuar në selinë e PS-së qendra votimi për të parë reagimin ndaj teknologjisë të shtresave dhe të moshave të ndryshme dhe për të patur në fund një ide shumë të qartë mbi “si” dhe “sa”, teknologjia mund të përdorej.

Nga gjithë puna e bërë kemi arritur në konkluzionin që futja e teknologjisë në një sistem off line, jo të lidhur në rrjet, për të mos lejuar penetrime dhe hakerime që mund të influencojnë apo shkatërrojnë procesin zgjedhor, është e mundur dhe mundë të sjellë lehtësira jo të vogla në raport me nevojat që ne kemi.

Ne bëmë të gjithë përpjekjen tonë, - ju e dini historinë dhe nuk dua ta përsëris këtu, - që të fillonim me zgjedhjet e 2019-s me zgjedhjet lokale me një projekt pilot në dy apo tre zona ku mundë të shinim konkretisht rezultatin dhe në bazë të atij rezultati do të nxirrnim konkluzionet dhe do të vazhdonim më tej shtrirjen e sistemit, në rast se konkluzionet do të ishin pozitive. Nuk ndodhi e nuk kishte si të ndodhte sepse axhenda e opozitës ishte dhe mbetet tjetër dhe ndërkohë, koha vrapoi.

Koha vrapoi dhe përtej faktit që ne kemi humbur shumë kohë dhe jemi përsëri si tradicionalisht, në metrat e fundit përpara një vendimi të rëndësishëm që duhet marrë në Bruksel për Shqipërinë, ka një të mirë të vetme kjo e keqe që tregon me fakt, jo me llafe, se pavarësisht se ne mund ta bënim këtë proces në mënyrë të njëanshme, pavarsisht se ne mund t’i gjenim votat në këtë parlament, pa pritur asnjë lloj konsensusi apo autorizimi nga ata që e braktisën parlamentin, ne nuk e bëmë këtë dhe më shumë se një herë i shtymë afatet që i kishim vënë vetes, në funksion të të bërit të gjësë që duhet, duke e konsideruar të rëndësishme, ezaurimin e të gjitha mjeteve dhe të të gjithë kohës në dispozicion për të arritur në një marrëveshje mbi rregullat e lojës. Sepse kur përcaktohen rregullat e lojës është e drejtë që të gjitha palët e përfshira të kenë zërin dhe të drejtën që të kërkojnë korrektimin apo dakortësinë brenda rregullave të lojës, edhe pse Shqipëria dhe ndonjë vend tjetër, Kosova për arsye komplet tjera, janë raste unikale. As në Itali, as në Greqi, as në Francë, askund tjetër nuk bëhen me konsensus reformat elektorale. Është shumë e thjeshtë, kush ka votat në parlament ka të drejtën të bëjë reformën që sheh më të arsyeshme. Greqia, parapak kohe ndryshoi një sistem elektoral, të konsoliduar prej shumë e shumë vitesh me mazhorancë dhe me kundërshtimin agresiv të minorancës, kaloi nga sistemi proporcional me bonus për fituesin në një sitëm proporcional të pastër, pa bonus.

Është sigurisht e drejta e tyre dhe tjetër është detyrimi i të gjitha palëve të respektojnë parlamentin, pavarësisht se në pamje të parë, ndryshimi i sistemit në atë mënyrë i heq atë mundësi të madhe që i dha sistemi i konsoliduar për shumë e shumë vite, për ta pasur vendin të qeverisshëm pa qenë të shantazhueshëm nga parti të vogla dhe nga lloj-lloj forcash që me proporcionalin e pastër marrin peng edhe më të madhin, edhe më të gjatin, edhe më të bukurin, por kjo është temë tjetër.

Në këtë proces janë dy tema; është tema e vendosur në tryezën e forcave politike nga BE-ja, që për herë të parë në hstorinë e vet ndërhyn në një çështje ekskluzive të politikës së brendshme, që është zgjedhja e një sistemi dhe e një kodi zgjedhor që të gjitha vendet e kanë sipas vullnetit të parlamentit të tyre, kjo falë gjithë baltës dhe falë gjithë sherrit e rrëmujës që u stimulua me ngulm nga pala që s’mungon këtu sot, duke përdorur lidhjet e veta në Bundestagun gjerman, për të imponuar këtë axhendë. S’ka problem, por është shumë e rëndësishme që të sjell këtu, në vëmendje të të gjithëve, një element në draftin e Bundestagut gjerman, - përpara se të kthehej në një dokument të aprovuar dhe pastaj të marrë e të përfshirë në dokumentin e KE-së dhe të miratuar nga Këshilli, - në variantin e parë ishte konsensusi dhe është hequr  konsensusi në atë variant pikërisht për të mos lejuar asnjë palë të marrë peng zgjidhjen dhe është vendosur një kornizë shumë e qartë nga e cila palët nuk mund të dalin, nëse nuk duan të dalin për vullnetin e tyre, që nuk i pengon njeri, por asnjë palë nuk mund të detyrojë tjetrën për të dalë nga korniza e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Në rekomandimin e Bundestagut thuhet: një reformë zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it e miratuar në parlament.

Pse u shtua fjala “në parlament”, në kohën kur ata kishin ikur nga parlamenti?

Për të dhënë mesazhin e qartë që rekomandimet e ODIHR-it janë baza dhe mbi këtë bazë, gjykimi mund të bëhet pa problem prej atyre që na monitorojnë, sepse është gjykim teknik ekspertësh. Kjo bazë votohet në parlament në të gjitha rastet, në rast se dikush tenton ta bllokojë duke qenë jashtë parlamentit. Ky është kuptmi i kësaj.

Sidoqoftë, ne preferuam të durojmë edhe pse puna e bërë nga përfaqësuesit tanë, me në krye Damianin në grupin e eskpertëve, me përfaqësuesit e espertëve të tyre ishte ezauruese në raport me rekomandimet. Ne nuk erdhëm në parlament në fund të vitit të shkuar, siç unë pata paralajmëruar, për të thënë ejani ta votojmë, sepse e konsideruam më të rëndësishme që të prisnim me shpresën që do gjenim konsensusin nga pala tjetër. Një shpresë që unë s’e kam pasur asnjëherë, sepse për fat të keq, unë e di, siç e dimë të gjthë ne dhe siç e di shumica dërrmuese e shqiptarëve që për politikë nuk ua ha qeni shkopin. Megjithatë preferuam të presim. Vazhdoi puna dhe u vendos një afat tjetër, 31 maji, për një arsye të thjeshtë, që parlamenti të ketë kohën e vet për procedurën dhe për të kaluar në votim.

31 maji nuk solli rezultat. Më vjen shumë keq, mua personalisht dhe besoj u vjen keq, edhe shumë njerëzve që në vitin 2020, politika shqiptare ka nevojë akoma për ambasadorë të huaj që të hyjnë në mes, që të shkojnë e të vijnë, që të bëjnë përkthyesin shqip-shqip në anglisht dhe që të lehtësojnë thjesht procesin e komunikimit. Kjo është një gjë që e vetme mjafton për të treguar stadin adoleshent të politikës shqiptare, në tërësi dhe të liderëve që nuk kanë kurajën që për gjëra, të cilat janë në interes të përbashkët. Le t’i lëmë gjërat në interes të përbashkët për vendin, që do të ishte gjëja më normale, por për gjëra që kanë interes të përbashkët partiak, për rregullat e lojës të mos ngrenë telefonin e të thonë, “gjithçka vazhdon si më parë midis nesh, por për këtë duhet të flasim”. Thjesht dhe vetëm kaq. Një fatkeqësi që tregon shumë fare. Nuk i kam kërkuar unë ambasadorët dhe nuk i kërkoj unë ambasadorët, por, duke qenë se të tjerët e kishin të pamundur që të uleshin shqiptar me shqiptar, për të bërë shkëmbimin e opinioneve të tyre, ishin të gatshëm të uleshin me 3 palë përkthyes shqip-shqip, ne e pranuam. Patjetër e pranuam, nuk diskutohet dhe unë u jam mirënjohës ambasadorëve që dalin nga roli i tyre, mandatet e tyre, puna e tyre dhe bëjnë arbitrin duke parë ping-pongun shqiptar. Ping-pong pa top, me dy pallaska që janë në formën që herë të kujtojnë raketën, herë dorezë e boksit. Kjo është e vërteta.

Sidoqoftë mbetet me vlerë fakti që së paku, diskutimet bëhen me dëshmitarë dhe së paku, kur të tjerët marrin ato emailet e pafundme, mesazhet e pafundme dhe  lumenjtë e pafundëm të gëneshtrave, të gjysmë të vërtetave që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha dhe të deformimeve nga selia e opozitës këtu në kryeqytetet e tyre, ku janë në punën e tyre dhe u vjen shqiptari nga mbrapa duke i thënë sa i poshtër shqiptari tjetër, së paku të kenë mundësi ta verifikojnë burimin jo duke folur me shqiptarin tjetër, por duke folur me përfaqësuesit e tyre.

Përtej këtyre, e vërteta është shumë e thjeshtë. Korniza e përcaktuar nga rekomandimet është kryer dhe ju e dini e të gjihë ata që janë marrë qoftë edhe një ditë me zgjedje, por e dinë edhe shumica e shqiptarëve që ndjekin zgjedhjet dhe ndjejnë politikën, njësoj siç anglezët dhe spanjollët ndjekin Ligën dhe Premier Ligën, që problem kryesor dhe arsyeja shpesh herë kryesore e sherreve dhe e luftërave absurde janë komisionet: kush identifikon dhe kush numëron. Qyshse unë kam lexuar raportin e parë në jetën timë të ODIHR-it dhe deri te i fundit është një fjali që është aty gjithmonë: “depolitizim i komisionit”. Aq sa më kujtohet shumë vite më pare, një prej ekspertëve më të famshëm të zgjedhjeve, Vulcanov, kur erdhi në takim më tha, si ka mundësi që vetëm në Shqipëri nuk u arrika që komisionet që identifikojnë votuesit, që shënojnë në regjistër pjesëmarrësit dhe që numërojnë votat të mos u bëkan me njerëz të vendosur aty jo nga partitë, përderisa edhe Hamas dhe Fatah, dy parti kundërshtare që ndajnë sinoret e politikës palestineze, jo për çështjet tona, po për një çështje themelore mes tyre, a duhet trajtuar shteti i Izraelit me dhunë apo me dialog, arrijnë të kenë komisione me mësues?! Si nuk e bëka dot populli shqiptar dhe Shqipëria këtë gjë, që të vendosë aty, njerëz që mund të jenë nga çdo parti dhe të kenë simpati për këdo parti, po aty nuk vijnë si të partive, por vijnë si qytetarë në shërbim të këtij procesi!

 

E pra, edhe sot që flasim, kjo duket mision i pamundur, për fat të keq. Ndërkohë që ne e kemi thënë, depolitizimi i komisioneve është i domosdoshëm, se nuk mendoj që ligjin do ta bëjmë sot për nesër, mendoj që ligji bëhet për të qëndruar për një kohë të gjatë, pavarësisht se nesër mund të kthehen prapë dhe të thonë “të shohim këtë, ta shohim atë”. E gjithmonë, kush humb thotë e ka fajin ligji, kundërshtari patjetër, por edhe ligji, ndaj të shohim ligjin. 

Identifikimi, - ne, duke pasur parasysh edhe një nga konkluzionet e atij studimi që bëmë dhe eksperimenteve që bëmë vetë, kompanitë - nuk janë shumë kompani në botë që e bëjnë këtë, janë pak, pasi nuk ka shumë kërkesë në botë për të futur teknologjinë në zgjedhje - na thanë se nga momenti i firmosjes së kontratës deri në momentin e realizimit të sistemit elektronik duhen minimum 6 muaj. Sot jemi shumë vonë, jemi në qershor. Procesi në parlament kërkon javët e veta. Le ta zëmë se do të miratohet në fund të qershorit, do duhet të votohet nga parlamenti gjithë struktura, emër për emër e KQZ-së së re, që është komplet model tjetër, do të marrë gjithë korrikun, në rastin më të mire. Do t’u duhen atyre, po them, 40 ditë që është shumë pak, për të përgatitur gjithë studimin dhe termat e referencës, edhe 2 javë deri në fund të shtatorit, për ta hedhur në garë ndërkombëtare, kush do vijë ta bëjë. Tetor-nëntor, 60 ditë tenderi ndërkombëtar, 3 ditë të tjera ankimet, pastaj në janar kontrata. Në shkurt fillon puna për ta bërë sistemin. 15 prill-15 maj është venosur midis një date aty do bëjmë zgjedhje, si do bëhet kjo?

Atëherë, ne thamë e pranojmë që të bëhen 100%, nëse arrihet dhe të hyjë identifikimi elektronik për aq sa arrihet, 5%, 20, 30, 70, pjesa tjetër të vzhdojë me tradicionalen dhe PD-ja ta gjejë një njeri vetë, ta zgjedhë brenda në një nga dhomat e SHQUP-it, nuk na intereson fare sa i depolitizuar apo i politizuar është, ta vendosë atje me votën tonë zv/kryetar të KQZ-së me mandatin ekskluziv që të merret me teknologjinë vetë, që  mos thonë pastaj jo tenderi kështu, jo Rama ashtu. Nëse arrjnë ta bëjnë me një ekspert ndërkombëtar për këtë fushë, që të jetë bashkë me të aty, ne jemi OK. Nuk duam të hyjmë në asnjë lloj mënyre në këtë proces. Ta bëjnë elektronikën vetë. E bënë, ka certifikimin ndërkombëtar, vjen kompania i bën elektronike të gjitha qendrat, ne jemi OK, s’ka problem. Ta bëjnë vetë ata.

Përtej kësaj, thonë administrata është politike. Unë po ju jap vetëm një shifër. Nën ekzekutivin qendror, pa llogaritur bashki, institucione të tjera që kanë administratë publike, ka 9000 nëpunës civilë. 67% e tyre janë aty përpara 2013-s. Këto janë të vërtetat dhe faktet, që vlejnë për ata që na bëjnë gjyqet dhe na bëjnë moralin nëpër tendat mediatike, shtrirë këmbë përmbi këmbë në kulltuqe, për politizimin e administratës, përfshirjen e administratës, për militantët. 67%, shifër e administratës që hyn me status shërbimi civil në Republikën e Shqipërisë dhe që varet nga Kryeministria, ministritë dhe institucionet më qendrore janë përpara 2013-s. Kështu është kjo punë, në televizor, unë jam ai që e kam kapur administratën, në mbledhjen e partisë, unë jam ai që mbaj demokratët në punë. Mua më vjen mirë, por e vërteta është kjo.

Por nuk i kemi thënë që do të jetë aty vetëm administrata. Kemi thënë që çdo parti, çdo individ që hyn në zgjedhje mund të nxisë dynjanë e njerëzve që të shkojnë të regjistrohen vullnetarë për të hyrë në administratën zgjedhore. Na duhen 16 500 komisionerë, me formulën 3 komisionerë civilë për çdo qendër. Të gjithë të shkojnë të regjistrohen e bëhen 30, 40, 50, 100 mijë. Trajnohen secili në zona, një ditë, ka  një periudhë kohe dhe për trajnimet u kemi thënë t’i ndjeki zëvendëskryetari që vendosin ata dhe në fund të hidhet shorti. Me short, nga këta dalin njerëzit në çdo qark, të cilëve u thuhet ti shkon atje, ti tjetri atje e me radhë. Por për të garantuara zgjedhjet, - sepse vullnetarët janë vullnetarë e mund të thotë nuk dua, - është vënë detyruese për administratën që kujt i del emri që të shkojë tek qendra e votimit, pa e ditur fare as me kë do jetë atje dhe as në cilën qendër do jetë, shorti hidhet 48 orë përpara dhe i thuhet, ditën e dielë do paraqitesh në qendrën “x”. Nëse nuk paraqitet, ai është e paguhet si nëpunës i këtij shteti, hiqet nga puna e humbet të drejtën për të hyrë më në punë shteti për gjithë jetën. Pa llogaritur faktin që po u kape me ndonjë gjë, shkon edhe në burg. Ma gjeni dot një person në administratë, që do shkoka atje për të bërë kamikazin, për të humbur punën për gjithë jetën, edhe për të shkuar në burg?

Plus, i kemi thënë që 3 nga këta do rrinë në tavolinë, do merren me procesin dhe në çdo qendër votimi do vëmë kamera, që t’i shohin me kamera dhe shumica dhe opozita kanë nga dy monitorë specialë, që rrinë atje nga fillimi në fund, nuk kanë të drejtë të prekin me dorë regjistra dhe fletë votimi, por mund të shkruajnë gjithçka  që shohin keq e ta çojnë tek KZAZ-ja, ose tek KQZ-ja. Nëse rezulton që kërkesa e tyre është e drejtë, këta të tjerët penalizohen. Ҫfarë duan se nuk e kuptoj!

E fundit, vota e emigrantëve. Pashë emigrantë që i kemi këtu në Tiranë, që shkruanin ne emigrantët duam votën. Pashë edhe mediat që thonin mashtroi, - se këto fjalët e mëdha kanë humbur çdo kuptim në Shqipëri, fjala krim është njehsuar me fjalën ajër i kondicionuar, ujë, drita, fjala korrupsion, vjedhje, grabitje, hajdut, mashtrues janë njësuar me fjalën zonjë, zotëri,  - emigrantët Partia Socialiste. Si i mashtruam ne?

Ne nuk jemi qesharakë. Njësoj si për elektronikën, edhe për këtë, e dimë shumë mirë që nuk është thjesht ta thuash, por duhet ta bësh dhe ne e kemi vendosur në draft që KQZ-ja merr detyrën të realizojë votën e emigrantëve, por realizimi i votës së emigrantëve është një sistem dhe nuk mund ta fillosh punën kur të vjen në fund veza, midis dilemës, a të hyj, a të mos hyj në kotec?

Kjo është pamja për reformën zgjedhore.

Nuk dua të bëj komente dhe përshkrime poetike apo sarkastike për situatën. Do kisha shumë për të bërë, por nuk është momenti. Nuk e di si mendoni ju, unë kam mendimin tim që nuk do ta them, por le të presim që ata që kanë topin, sipas asaj që u tha, të thonë se ku do e çojnë topin, do e nxjerrin nga stadiumi, do e krosojnë, apo do e kapin e do thonë topi është i imi, penalltinë do e gjuaj unë. Të presim. Po t’i referohemi bibliotekës së fëmijëve në Kamëz, topi nuk do gjuhet, por do mbahet poshtë fanellës. Megjithatë nuk e dimë si do shkojë procesi. Ajo që dimë është që ne nuk e kemi harruar, të tjerët mund ta kenë harruar, por ne jo, që ka edhe një opozitë tjetër këtu, që duhet të votojë. Procesi do të vazhdojë duke e ndarë draftin e marrëveshjes me ju, pa ju lënë që ta merrni këtë nga mediat, nga gazetarët, nga analistët, nga moralistët, që na akuzojnë që jemi të gjithë njësoj. Ishte njëri që thoshte, këta jo janë të gjithë njësoj, por më gjeni një thes, t’i fus të gjithë brenda e t’i hedh në një lum të rrëmbyeshëm, sepse shkojnë nëpër ambasada, shkojë këtu e aty.

Unë e bëra sqarimin.

Dua të kthehem tek tema që thashë më parë. Është vërtetë për të ardhur keq që përveç asaj që ndodhi, që nuk është hera e parë që ndodh për fat të keq, u përsërit dhe ajo që ndodh pas çdo here, u kalua në abuzim që nuk është në nivelin e dhunimit trupor, por është në nivelin e dhunimit psikologjik të një populli të tërë. Është fatkeqësi të shohësh njerëz që kanë një mikrofon, kanë mundësinë të thonë fjalën e tyre, pavarësisht se çfarë janë, deputete, deputetë, shoqëri civile, analistë dhe që e marrin viktimën dhe e bëjnë mish për topat e tyre. Është diçka që nuk ndodh në asnjë vend normal të botës. Ndodh në Shqipëri!

Atë viktimë, që gjënë më të rëndësishme dhe kërkesën themelore që ka, gjë që e  rrëfejnë viktimat e dhunës të kësaj natyre, është më ruani anonimitetin, e marrin dhe e përplasin mur më mur, ekran më ekran, portal më portal, siç përplasen oktapodët kur nxirren e i bëjnë petë fare. Kjo është kanibalizëm. Pseudo-intelektualë, pseudo- politikanë, pseudo-qytetarë, pseudo-njerëzorë. Është fatkeqësi të shikosh sesi një  viktimë e dhunës, një e mitur përdoret në këtë farë feje, me dhe pavetëdije, me lot të sinqertë, apo me lot krokodili, unë nuk kam dyshim që disa prej atyre që folën vuajnë me të vërtetë, por në fakt, krimi është krim, me vetëdije apo pavetëdije. Kur vret, vret. Kur plagos, plagos. Kur dhunon, dhunon. U them të gjithë atyre që kanë folur për këtë temë dhe e kanë marrë viktimën dhe e kanë kthyer në shkop për t’i rënë të tjerëve, që jeni ridhunues të asaj fatkeqeje. E keni ridhunuar!

Nga ana tjetër, unë nuk besoj një sekondë të vetme, që ata që dhunojnë publikisht ministren e Arsimit, një grua dhe që flasin  për të drejtat e nënave e të grave e kanë hallin vërtetë tek ajo viktima. Nuk mund dot të mbrosh një viktimë të abuzimit, duke abuzuar dikë tjetër. Është e pamundur, nuk funksionon!

Kisha Katolike ka prej vitesh që ka hyrë në një proces të tmerrshëm të përballjes me pedofilinë. Kisha Katolike botërore, kardinalë, peshkopë, të të gjitha niveleve të përfshirë në skandale ngacmimesh ekstreme seksuale dhe shfrytëzimi sistemik të pedofilisë. Kjo gjë që e ka goditur në mënyrë shumë të egër kredibilitetin e vetë Kishës Katolike nuk ka qenë kurrë, as brenda kishës, as në shoqëritë që janë përballur me fenomenin e priftërinjve, e autoriteteve kishtare të zbuluara përpara popullit si pedofilë, një arsye për të rrënuar vetë kishën, për të rrënuar vetë besimin, për të rrënuar vetë etikën e komunikimit, për të rrënuar vetëdetyrimin njerëzor për t’ju dalë përzot viktimave. Kurrë! Këtu viktima është marrë dhe është bërë paçavure, është bërë poster. E jam i bindur që askush nga këta që flasin nuk ka shkuar të qajë hallet me të, pa lënë që të merret vesh. Askush!

Ndërkohë që, nëse ka një njeri që e di me siguri që e ka bërë, është ajo gruaja atje, që me paturpësinë më të madhe, lloj-lloj çakejsh, lloj-lloj hijenash, lloj-lloj dhelprash e lloj-lloj mostrash me fytyrë njeriu e sulmojnë papushim. Duan që Ministria e Arsimit të bëjë krim? Që ministrja e Arsimit të dalë dhe të merret me rastin konkret në publik, apo që Ministria e Arsimit të marrë të gjitha masat që parasheh ligji, që parasheh procedura, siç i ka marrë?

Kanë qenë një numër rastesh që kanë ndodhur kështu. Abuzuesit e këtyre viktimave janë prindërit e tyre, për fat të keq, janë shumë të afërt me ta, apo janë mësues të tyre, siç janë priftërinjtë, njerëzit ku shkohet për t’u rrëfyer për të gjitha mëkatet dhe fjalët mbeten vetëm mes teje, atij dhe Zotit. Prandaj këto krime janë shumë të vështira për t’u kapur, por ama, nëse kthehen kështu siç është kthyer përsëri dhe përsëri nga gojëtarët dhe gojetaret e politikës dhe të medias ky rast, do të kemi zero denoncime. Përkundrazi, kjo është t’i thuash të gjithë atyre që janë objekt i ngacmimeve “mos guxo të denoncosh se do të bëhesh personazhi i të gjithë thashethemnajës dhe i të gjitha baltrave dhe luftrave që zhvillohen në këtë vend për arsye që nuk kanë lidhje fare me ty.

Kur ndodhin këto, nuk është rasti për t’u kujtuar për viktimat, është rasti për t’u kujtuar se çfarë bëjmë ne përditë, çfarë bëhet përditë këtu, tek kjo foltore, nuk e di sa vite, çfarë bëhet përditë nëpër ekrane. Përdoren të gjitha fjalët, fyerjet, ofendimet ndaj njëri-tjetrit, që asnjë prind, as prindërit tuaj, as prindërit e mi, as prindërit e këtyre këtu, as prindërit e askujt nuk na kanë thënë që kur përdor këto fjalë, do të jesh i nderuar, por na kanë thënë, mos i përdor kurrë këto fjalë!

Duke e dënuar pa asnjë rezervë çdo dhunues, kudoqoftë, mësues apo çfarëdoqoftë, deri në zgërgjet më të largëta të vendit, unë po ju them që kush e përdor mikrofonin në këtë vend, në çfarëdo niveli dhe çfarëdo kategorie, për të thënë fjalët më të ulëta, për ta kthyer ofendimin në kulturë komunikimi, për të përdorur shpifjen, shantazhin, kërcënimin, pa pikë turpi, si platformë politike, ose si platformë mediatike është më keq se ai përdhunuesi atje, sepse ai përdhunuesi atje është një mostër që nuk e ka patur në jetë shansin të ketë rrugën, karrieren, mundësitë financiare dhe mundësitë njerëzore, për të qenë këtu ku  jemi ne sot, për të qënë aty ku janë ata të tjerët që bëjnë gërr-gërr duke sharë nëpër mikrofona, apo të tjerët që rrinë shtrirë nëpër darka tendash mediatike, duke jetuar me gjoba, me shantazhe, me kërcënime, me lojëra pas krahëve të profesionit të tyre, për të na gjykuar ne. Ai është një qenie që nuk e meriton emrin njeri. Kurse të gjithë ata me kostume e kravatë, apo ato me “Versaqe”, që bëjnë këtë gjyqin e madh moral dhe ndërkohë u kanë mësuar vajzave e djemve të këtij vendi se fjala e ndyrë është opozitarizëm, se shpifja është rebelizëm, se shantazhimi, kërcënimi, dalja nga institucionet, goditja e sistemit të vendosur në institucione është për të mirën e Shqipërisë, janë shumë më keq dhe shumë më të neveritshëm sesa ai atje. Kjo është ajo që unë mendoj.

Të refuzosh dhunën dhe të bësh parada për dhunën, në këtë rast është elementare, por, nëse vërtetë nuk do që ajo të përsëritet, e para mos përsërit ti, atë që shikon nga mësuesit dhe nga pedagogët e moralit dhe të mirësjelljes në politikë, në media etj. dhe e dyta, refuzo ti.

Nuk kam parë këtu, ndonjërin të dalë në paradë kur janë përdhunuar me gojë shumë nga gratë që janë këtu. Pse? Se politikanët janë të gjithë njësoj, ç’rëndësi ka. Besa Shahini nuk është grua, s’është vajza e një nëne, s’është vajza e një babai, s’është   bashkëshortja e një burri. Është thjeshtë një nga “ata mostrat”, të gjithë njësoj. E kjo shkon poshtë dhe fëmijët që para ekranit janë të detyruar jo se ndjekin politikën, por t’ju vijnë edhe me refleks, britmat, klithmat, sharjet, marrin mësim. Do të bëhesh deputet? Do të ngjitesh lart? Do të jesh i respektuar? Bëj si këta, normal do të ndjekesh shembullin. Shko në klasë dhe sillu si këta. Mos pyet fare se aty ka edhe vajza, kur je me shoqninë e burrave të ardhshëm, mos ler fjalë pa thënë. Dhe të gjitha janë zinxhir.

Ne nuk mjafton në na vijë keq. Ne duhet të na vijë turp, nëse vërtetë ajo që na ndodhi na prek dhe kur them “ne”, nuk them “ne” që jemi këtu po e po, por të gjithë ata që njësoj si ne kanë mundësinë të kenë para një kamera të ndezur, kanë mundësinë të çojnë një mesazh që të dali në portal, ose ata që merren me portale, me kanale. Nëse na vjen keq, nuk mjafton. Nëse s’na vjen turp, në radhë të parë nga vetja, për atë që ndodhi, ne thjesht dhe vetëm marrim pjesë në ridhunimin publik të një të miture dhe përgatisim dhunimet e ardhshme, duke e ngushtuar, jo zgjeruar hapësirën e denoncimeve, duke ju dhënë përsëri e përsëri mesazhin viktimave, “mos flisni”, se mirë ai që do t’ju dhunojë dhe përdhunojë, por shikoni sa janë këta çakej dhe hijena, shikoni sa janë këto burra dhe gra që po luftojnë për Shqipërinë, që do t’ju marrin nëpër gojë dhe do t’ju bëjnë leckë, do t’ju bëjnë pështymë, për t’ja hedhur njëri-tjetrit.

Unë, jo vetëm jam solidar dhe jo për arsye të detyrës, por si njeri dhe si qytetar me Besa Shahinin, por atyre që kanë ngritur dorën kundër Besës, ju them, qofshi burra, apo qofshi gra, ju jeni më keq se dhunuesi, sepse ai dhunon si mostër një të mitur, juve kultivoni dhunën në shpirtin e të gjithë të miturve. Ai bën një padrejtësi për të cilën duhet të dënohet. Ҫfarë dënimi me vdekje? Do vëmë dënimin me vdekje? Dëgjova edhe nipin e Valterit të madh, që tha ta bëjmë Kodin. Nuk është punë kodi, kjo. Bëje 100 vjet burg po deshe. Ato nuk vijnë se s’ka dënime, ato vijnë se ne i kultivojmë vetë. Ato nuk vijnë ngaqë ai nuk e di që mund të shkojë në burg, ato vijnë ngaqë në këtë shtëpi të prishur, këtu në këtë sallë dhe në shtëpinë e prishur të politikës shqiptare jepet shëmbulli kuptimplotë që, nëse do t’ia dalësh në jetë, shaj, ofendo, fyej, degjenero, bërtit, kapu, bëj gjithçka që prindërit e tu, kur të kanë rritur, të kanë thënë mos e bëj sepse kjo është turp!

Nuk hyra në emra, nuk hyra në individë. Nuk dua ta bëjë këtë gjë, por dua të them që kjo është një hipokrizi, përtej çdo hipokrizie. Kjo është një shfaqe protagonizmi, shfaqe delirantizmi që i kalon të gjitha caqet e etikës, me apo padashje. Qoftë ata që janë mërzitur shumë dhe e besoj, edhe kanë ndenjur pa gjumë se kanë thënë mund t’i kishte ndodhur vajzës time, qoftë ata që se kanë prishur një sekond gjumin dhe vetëm janë marrë me këtë punë, njësoj janë bashkëfajtorë në këtë krim publik.

Unë për vete mendoj që Ministria e Arsimit ka për detyrë të vazhdojë të bëjë atë që ka bërë, të identifikojë, të çojë para përgjegjësisë, të ruajë anonimitetin, të mos bëjë deklarata dhe komunikata që kapëm këtë dhe atë. Atyre që në media publikojnë video të kësaj natyre, ju them vetem kaq; Zoti mos e çoftë kurrë tek fëmijët tuaj, se atëherë do ta kuptoni se çfarë do të thotë të nxjerrësh fëmijën e dikujt, ose një fëmijë që është si fëmija jot dhe ta bësh “horr”, ndërkohë që është vetëm një viktimë.  

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm