Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Riorganizimi i jep Partisë Socialiste fuqinë për të përballuar me sukses çdo sfidë

Të reja

Riorganizimi i jep Partisë Socialiste fuqinë për të përballuar me sukses çdo sfidë

07 May 2022    

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste:

Së pari, duke qenë se nuk e kam pasur mundësinë më parë dua që t’ju falenderoj të gjithëve për kontributin e dhënë për realizimin me sukses të Kongresit në aspektin organizativ dhe për të bërë të mundur që formati i ri i Kongresit, ishte një format i suksesshëm dhe këtu dua që të falenderoj në mënyrë të posaçme gjithë ata që u angazhuan në çdo qark për ta bërë Kongresin, një Kongres të hapur, një kongres të gjallë, një kongres ku Partia Socialiste u takua me pjesët e shoqërisë të cilave ne ju flasim dhe për të cilat ne jemi të angazhuar edhe si forcë qeverisëse.

Nga ana tjetër, Kongresi i hapi rrugë një procesi të ri dhe shumë të domosdoshëm për Partinë Socialiste, për të hyrë në zgjedhjet e reja për drejtuesit e partisë, fillimisht në të 61 bashkitë e vendit dhe pastaj edhe në të gjitha njësitë administrative.

Ky është një proces, i cili i jep mundësi të gjithë  anëtarësisë, por i jep mundësi dhe simpatizantëve dhe mbështetësve të Partisë Socialiste që të përfshihen në zgjedhjen e drejtuesve të partisë, qoftë duke propozuar kandidatura edhe pa qenë pjesë e asamblesë së partisë, qoftë duke avancuar kandidaturën vetjake, në funksion të ambicies për ta drejtuar Partinë Socialiste.

Nga ana tjetër, procesi do të garantojë që të gjithë kandidatët apo kandidatet për drejtimin e partisë socialiste në çdo bashki, të kalojnë përmes një rruge e cila faktikisht përveç se garanton hapjen e partisë, mundëson vlerësimin e çdo kandidature, garanton konkurrencën për kandidatët dhe në fund siguron meritën për zgjedhjen e tyre.

Për këtë arsye, bazuar edhe në vendimin e marrë në librin e rregullave të Partisë, Kryesia ka ngritur një komision të posaçëm zgjedhor për këtë proces i cili do të fillojë menjëherë dhe do të mbyllet në fund të qershorit, për t’i dhënë pastaj mundësi kryesisë që në fillim të korrikut të bëjë miratimin e kandidatëve fitues.

Komisioni i këtyre zgjedhjeve, do të ketë një detyrë të posaçme për të prekur të gjithë territorin me përfaqësuesit e vetë për të shpjeguar procesin në mënyrë që të mos ketë as keqkuptime, as të përjashtuar nga ky proces si pasojë e mungesës së informacionit, dhe për të garantuar që të gjithë kandidatët që do të kalojnë fazën e parë, të kenë mundësi të ballafaqohen publikisht përballë një asambleje bashkie e cila duhet të jetë e hapur për këdo që dëshiron të marrë pjesë dhe të ndjekë ballafaqimin e kandidaturave.

Pas ballafaqimit të kandidaturave, komisioni do të bëjë vlerësimin e tyre dhe do t’i propozojë kryesisë së partisë të bëjë miratimin përfundimtar të kandidatit/kandidates apo kandidatëve fitues.

Pse them kandidatëve fitues? Sepse njëkohësisht ne kemi rënë dakord në Kryesinë e Partisë që kudo ku gara nxjerr në pah kandidatë burrë apo djalë, grua apo vajzë që janë për tu vlerësuar dhe të cilëve duhet dhënë mundësia ta drejtojnë partinë, do të ecim me bashkëdrejtimin e Partisë dhe me një balancë gjinore në drejtimin e Partisë. Siç kemi bërë me organizatat Socialiste në një pjesë të madhe të territorit edhe pse procesi nuk është kryer i gjithi në të gjithë territorin ashtu si duhet, ku drejtimi i organizatës bëhet nga një burrë apo djalë dhe një grua apo vajzë.

Të njëjtën gjë do ndjekim edhe në nivelin e bashkisë, por jo në mënyrë të detyrueshme, por duke konsideruar vlerën e kandidaturave. Këtë gjë do ta ketë parasysh komisioni përzgjedhës i kryesisë së partisë dhe do të avancojë propozimet e veta duke u nisur nga merita e kandidatëve. Aty ku nuk do të jetë e mundur për shkak të mos përmbushjes së kritereve të vendosura që të ketë dy drejtues, apo që Partia të bashkëdrejtohet nga një burrë dhe një grua, do vazhdohet me një kandidat të vetëm.

Sigurisht kjo është një fazë tranzitore sepse pa diskutim ne duhet të shkojmë pa humbur kohë në bashkëdrejtimin e Partisë në nivelin bashkiak dhe më tutje pastaj, me të parë me të bërë sipas rezultateve dhe sipas analizave që do të pasojnë, por përtej procesit dhe procedurës shumë e rëndësishme të mbahet parasysh se kjo nuk është një zgjedhje e radhës në Partinë Socialiste, por jo është një zgjedhje me rëndësi të madhe strategjike për të ardhmen e Partisë Socialiste. Është një zgjedhje me rëndësi të madhe, jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, zgjedhjet vendore për të cilat faktikisht ne e kemi nisur punën dhe të cilave do t’i kushtojmë vëmendjen e të gjithë pjesës së dytë të këtij viti dhe pjesës së parë të vitit në vijim, por është jashtëzakonisht e rëndësishme për vitet që vijnë për gjithë këtë dekadë sepse është domosdoshmëri që ne t’i japim drejtimit të partisë në territor jo vetëm një impuls të ri, por edhe një profil të ri. Një profil të ri politik që na mungon për hir të së vërtetës.

Një një profil të ri që na siguron që partia ka zë në territor dhe ku kryetari i partisë apo kryetaret e partisë nuk janë hije të kryetarëve të bashkisë, as konkurrentë me kryetarët e bashkisë, as burokratë që bëjnë politikën e kuadrit të qeverisë, as zyrtarë që merren me punësime por janë zëdhënës politikë të Partisë Socialiste. Janë njerëz që përçojnë zërin e Partisë Socialiste në territor, që organizojnë dhe mundësojnë komunikimin e partisë në të gjithë territorin dhe dinë të ballafaqohen me njerëzit me modesti dhe me argumente, janë njerëz që i prijnë Partisë Socialiste pa pasur agjenda të tjera dhe që janë shtrati i ri politik i Partisë Socialiste të së nesërmes.

Për këtë arsye, procesi duhet të jetë jashtëzakonisht i vërtetë dhe jashtëzakonisht i përpiktë në të gjithë hapat e vet. Ndaj, për këtë arsye duhet të shmanget çdo lloj formalizmi në këtë proces, për këtë arsye duhet që asambletë e partisë të jenë shumë aktive por të mos kenë monopolin e procesit. Për këtë arsye, duhet të shmangen nxjerrjet në ballë të drejtuesve të partisë që janë rezultat i konflikteve apo i përplasjes për të ndryshuar ekuilibrin e forcave mes grupeve të ndryshme. Të gjitha këto janë gjëra të natyrshme por ama, në këtë proces na duhet një zgjedhje e cila të garantojë një transformim të Partisë Socialiste, që është i domosdoshëm për të përballuar sfidën e së nesërmes dhe për të garantuar vazhdimësinë e Partisë Socialiste si forcë qeverisëse. Ky është thelbi!

Garancinë për të qeverisur më tutje ne nuk na e japin punësimet në shtet. E kam thënë këtë gjë me mijëra herë dhe do vazhdoj ta përsëris pavarësisht se rezistenca e brendshme dhe incercia në këtë drejtim vazhdon.

Garancinë për të qëndruar më tutje në krye të vendit ne na e jep një Parti Socialiste, e cila arrin në territor të na përfaqësojë me dinjitet dhe arrin në territor të komunikojë ashtu siç duhet me njerëzit, pa harruar asnjëherë që anëtarësia jonë reale është 60-70 mijë ndërkohë që votuesit tanë janë 600 - 700 mijë e më shumë se kaq. Partia Socialiste në territor duhet të jetë partia e votuesve tanë. Kjo është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë sot përpara se të jetë vonë dhe përpara se sa, larg qoftë, të përfundojmë siç kanë përfunduar kundërshtarët tanë, të cilët e kthyen partinë në një detashment të pushtetit dhe ja ku janë sot.

Nuk është vetëm kjo pjesë që është e rëndësishme për ne por kjo është pjesa më e rëndësishme e këtyre dy muajve që vijnë apo më saktë, e muajit ku kemi hyrë dhe muajit tjetër, për të pasur në fund të qershorit një grup kandidaturash për 61 bashkitë që të përmbushë këtë qëllim dhe që të jetë baza që në shtator-tetor ne të vijojmë me të njëjtën mënyrë për kandidaturat për njësitë bashkiake, paralelisht me gjithë riorganizimin e partisë në territor, në aspektin e organizatave socialiste ku edhe njëherë tjetër, duhet të fokusohemi në mënyrë të veçantë tek fiktiviteti apo fosilizimi i një sërë organizatash që vazhdojnë, për inerci, të qëndrojnë dhe që nuk japin më produktin e kërkuar prej tyre.

Përtej këtyre proceseve, qëndron domosdoshmëria që partia të ecë shumë më shpejt me digjitalizimin dhe që Partia Socialiste digjitale të bëhet fuqia që ende na mungon dhe që është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme që të na mungojë sepse koha po ndryshon me shumë shpejtësi dhe ndërkohë që sot ne arritëm që ta bëjmë Shqipërinë vendin e parë në rajon dhe një ndër të paktat vende në Europë që të gjitha shërbimet e dokumenteve për qytetarët tanimë i garanton në rrugë digjitale, duke mbyllur të gjitha sportelet, duke anuluar të gjithë lojën e vjetër të radhave, zvarritjeve, të vonesave, të streseve, është e pamundur që ne të mos jemi në avangardën e transformimit të jetës politike të vendit dhe të mënyrës së funksionimit të partive politike, kur vjen puna tek digjitalizimi i veprimtarisë politike të Partisë Socialiste.

Për këtë arsye, duhet bërë më shumë punë nga të gjithë që kjo gjë të kuptohet, në radhë të parë nga të gjithë ju këtu, të kuptohet nga të gjithë drejtuesit e rinj të partisë dhe pastaj bashkarisht të përpiqemi që kjo të përçohet në të gjithë organizmin e partisë dhe të kthehet në një realitet të ri brenda Partisë Socialiste. Është një armë me një fuqi marramendëse që Partia Socialiste nuk e ka luksin ta lërë varur në mur, por duhet ta vërë në përdorim.

Po kështu duhet të ecim më tutje me bërthamat rinore që kanë filluar të krijohen në të gjithë territorin dhe me ambicien që brenda këtij viti, ne të kemi një rrjet rinor të larmishëm në të gjithë territorin, një rrjet rinor të çliruar nga të gjitha hijet e së shkuarës dhe një rrjet rinor të hapur ku për secilin ka një vend dhe ku të gjithën të rinjtë së bashku të mund të ndjehen mirë, pa hyrë në atë rrugën e vjetër të bërrylave dhe të konkurrencës së sëmurë, që praktikisht e pengoi për kaq shumë vite Forumin Rinor Euro Socialist që të ngrejë kokën.

Paralelisht, duhet filluar menjëherë me rrjetin e koordinatorëve të Partisë Socialiste, me koordinatorët për çdo qark, me koordinatorët për çdo bashki dhe pastaj me koordinatorët për çdo njësi dhe kështu me radhë në të gjithë territorin si një rrjet komplementar me rrjeti ne organizatave socialiste. E kemi parë sa i dobishëm ka qenë rrjeti i koordinatorëve, e kemi parë se sa rezultate të mira ka nxjerrë, aty ku ka qenë i mirëorganizuar dhe është e domosdoshme që tani t’i japim një fuqi të re.

Sikundër, ashtu siç kemi rënë dakord edhe në Kongres, do vazhdojmë më tutje me krijimin e Kancelarisë së Partisë Socialiste, duke futur figurën e një Sekretari Ekzekutiv, një Kancelari në nivelin qendror, në nivelin e qarkut dhe në nivelin e bashkisë, për të garantuar që jeta institucionale e partisë të jetë e mirë dokumentuar dhe që të gjitha proceset që ne vendosim të marrim dhe ndërmarrim, të jenë të mirëmonitoruara.

Zgjedhjet vendore janë në prag.

Partia sigurisht është garanci edhe për këto zgjedhje dhe të gjitha këto përmirësime që ne do të bëjmë patjetër që partisë do i japin fuqinë e nevojshme për t’i përballuar me sukses këto zgjedhje, por në fund të ditës zgjedhjet vendore janë edhe një bilanc që komunitetet, që votuesit do të bëjnë për qeverisjen vendore dhe në këtë aspekt, unë nuk jam shumë optimist sot për këtë bilanc për një pjesë jo të vogël të bashkive tona.

Mesa duket disa kryetarë bashkish, të cilët hyjnë në një palë zgjedhje pa garë dhe u zgjodhën kryetar bashkish në një zgjedhje pa kundërshtarë kanë vazhduar për inerci të qëndrojnë në krye të bashkive a thua se kundërshtarët e komunitetit nuk ekzistojnë, a thua se papastërtia nuk ekziston.

Po marr papastërtinë që është A-ja dhe që është një sfidë e madhe e këtij mandati dhe për të cilën sfidë ne po luftojmë ditë për ditë, përditë, përditë dhe është vërtet për të ardhur keq që ndërkohë një pjesë e konsiderueshme e kryetareve të bashkive janë krah për krah me ne, janë krah për krah me ministren e Turizmit dhe Mjedisit dhe me gjithë ekipin e ministrisë për të garantuar që Shqipëria të mbyllë këtë kapitull turpi të një vendi me plehra ku plehrat hidhen rrugëve dhe hidhen me vend e pavend nga njerëzit, një pjesë tjetër e kryetarëve të bashkive nuk janë fare të angazhuar në këtë proces dhe kjo është fatkeqësi e madhe, siç është fatkeqësi të shohësh që kërkesës ligjore dhe insistimit të Ministrisë së Shtetit për Fëmijët dhe Rininë për të ngritur këshillat rinor vendor, deri tani i janë përgjigjur vetëm 44 bashki dhe afati ka kaluar dhe ka stërkaluar. Nuk dua t’i marr këtu me emër ata që s’janë përgjigjur, por ata e dinë vet, por pyetja që ju bëj është: Po me çfarë merreni ? Po si ka mundësi që nuk ju intereson krijimi i këshillave rinor vendorë? Po çfarë do t’i thoni të rinjve dhe te rejave kur të vijnë zgjedhjet? Si do t’ju dilni përpara? Ashtu sikundër është për të vënë duart në kohë që problemi kryesor dhe i vetmi sot për hir të se vërtetës i platformës së Bashkëqeverisjes janë bashkitë, ministritë, të cilat janë shumë më larg qytetarëve natyrshëm, në raport me bashkitë që janë institucionet me ligj dhe me zakon më pranë qytetarëve, ashtu sikundër dhe institucionet e varësisë së ministrive e kanë mësuar më në fund që ankesave të qytetarëve në platformën e Bashkëqeverisjes duhet t’i përgjigjesh në kohë. Bashkitë jo. Po si ka mundësi? Po si ka mundësi që nuk e konsiderojnë ata kryetarë bashkie që janë bërë problem kronik për bashkëqeverisjen se çfarë mundësie e jashtëzakonshme është të kesh këtë instrument digjital që të jep mundësinë në kohë reale të mësosh për hallet konkrete të njerëzve që i përkasin komunitetit që ti drejton dhe të kuptosh në kohë reale se cilat mekanizma të institucionit apo institucioneve nën drejtimin tënd nuk përgjigjen.

Po si është e mundur që në mënyrë të përsëritur të harxhohen orë të tëra, të harxhohen dhe para për t’ju bërë telefonata kryetarëve të bashkive e për t’ju thënë “aman e derman” nga Agjencia e Bashkëqeverisjes, ndërkohë që sot Bashkëqeverisja është edhe ligj, është detyrim ligjor.

Po çfarë do iu thoni, ata që do i përgjigjen kësaj pyetjeje se jo të gjithë për fat të mirë, çfarë do t’i thonë qytetareve nesër? Dhe me çfarë syri dhe faqe do vijnë tek ne që të kërkojnë të jenë serish kandidat, me cilin sy dhe me cilën faqe? Ndërkohë që, edhe për plehrat, edhe për mospërgjigjet në platformën e Bashkëqeverisjes, edhe për shërbimet nganjëherë skandaloze, edhe për moszbatimin e ligjit    dhe indiferencën ndaj të rinjve të këtij lloj tipi kryetari bashkie që për fat të keq është pjesë e familjes së kryetarëve të bashkive të Partisë Socialiste, kusuret i mbajmë ne!

Kusuret i mban qeveria, kusuret i mban grupi parlamentar, kusuret i mban Partia Socialiste këtu në krye të punëve dhe në ballin e betejës.

Ndërkohë që, as ministrat, as deputetët nuk kanë mundësi dhe po të duan që të bëjnë punën e atyre kryetarëve te bashkive që i kanë kthyer kurrizin elektoratit, që i kanë kthyer kurrizin Partisë Socialiste, që i kanë kthyer kurrizin ligjit. Deri në pika, të cilat janë për organe të tjera, jo për Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Po për cilën arsye duhet të angazhohet Policia e Shtetit, duhet të angazhohet Inspektorati Kombëtar i Territorit, duhet të angazhohet një forcë e tërë njerëzore, duhet të angazhohen fonde për naftë, për mjete, për spostime, për të shkuar në fund të bregdetit për të korrigjuar dëmet që bëjnë kryetarët e bashkive? Sepse janë dëme të kryetarëve te bashkive personalisht, kur sot e gjithë ditën ndërtohet pa leje tek dhe tuk dhe ku? Në bregdetin e Shqipërisë, aty ku policia e shtetit ka kohë që është angazhuar me një program dhe ku Inspektorati Kombëtar ka kohë që është angazhuar, duke bërë prishje pas prishjesh, pastrime pas pastrimesh dhe sapo kthen kurrizin policia dhe inspektorati nga qendra, janë disa kryetare bashkish bashkë me disa policë lokalë që vazhdojnë avazin e tyre.

Është e paimagjinueshme  kjo! Dhe nëse nuk do isha ende në pritje që SPAK-u të bëjë disa punë më të mëdha dhe të vendosi një rend prioritetesh këtë vend mbase do kisha qenë unë që do bëja denoncimin sot, por nuk kam sesi ja shtoj SPAK-ut punët në drejtim të kësaj familje politike, kur shoh që balanca, jo në aspektin politik, po në aspektin e së drejtës, është ende shumë e shtrembëruar.

Në Kongres solla shembullin e arkës së peshkut, këtu po sjell një shembull tjetër. Aa e dini ju që SPAKU ka pasur shpejtësinë e rrufeshme dhe gatishmërinë e jashtëzakonshme për të vepruar minutë për minutë që të bllokojë Ardian Dvoranin, njeriun e vlerësuar nga Sekretari i Shtetit si një ndër kampionët në luftën globale kundër korrupsionit që të mos e lejonte të hynte në proces për t’u promovuar si gjykatës? 

SPAK në mënyrë të rrufeshme, a thua se ishte i koordinuar si sahat zviceran me atë zotërinë  që për pak ditë apo javë më në fund do largohet nga zyra e presidentit të republikës. 

Çështje në hetim, gjë të cilën pastaj procesi gjygjësor çmontoi dhe e shfryu si një flluskë sapuni, por nëse ky sahat zviceran  do të ishte vërtet i pakonkurueshëm në precizionin e tij, sa gjykatës dhe sa prokurorë të nxjerrë jashtë nga Vetingu për pasuri marramendëse të pajustifikuar dhe të pajustifikueshme, do ishin sot në burg. 

Sepse u bë kohë që peshkaqenët e mëdhenj të sistemit të drejtësisë, vetingu i ka flakur përjashta.  Ku janë ata sot, me ça merren? Ata janë në punën e tyre, asnjë gjemb në këmbë nuk u ka hyrë, ndërkohë që BE ia ka lënë Shqipërisë me shkrim për të vazhduar procesin dhe në momentin që Shqipëria do të ulet në tryezen e negociatave, gjëja e parë që do t’i thonë Shqipërisë, është: na tregoni pak, sa gjykatës dhe prokurorë të korruptuar janë marë në hetim dhe janë çuar para drejtësisë? Zero. 

E kundërta është e vërtetë. Kampioni i antikorrupsionit me vulë dhe me firmë të Sekretarit Amerikan të Shtetit është futur në hetim nga SPAK, në hetim për çfarë? Për një hetim të kujt? Për një denoncim të atij që, jo unë, por gjithë Shqipëria mezi pret që ta shohë para SPAKU-t, Ilir Metës. 

Po si qenka kjo kështu, kaq e përmbysur? Kur kemi ndërmarrë reformën në drejtësi, me vendosmëri të plotë dhe ku verbërisht, unë personalisht, sepse ka patur të tjerë që janë marrë nga pikëpamja teknike dhe kanë patur sytë hapur, po unë personalisht kam udhëhequr këtë reformë duke i dhënë mbështetjen më të madhe bashkë më të gjithë  ju këtu, pa bërë asnjëherë asnjë diskutim, të asnjë neni për të cilin gjithkush këtu sidomos juristët tanë, kanë patur rezerva. Unë të paktën nuk kam qenë naiv, nuk kam menduar që këtu mjafton të bëhet kjo dhe gjithçka do shkojë fjollë, as nuk kam menduar që pasi ne të kalojmë këto ndryshime në parlament, nuk do të shikojmë çudira, po për hir të vërtetës, po e them sot, jam gjithmonë e më i paduruar përballë faktit që ata që e nxinë totalisht Shqipërinë, e bënë një vend ku pandëshkueshmëria u bë simbol, janë sot të paprekur, të gjithë.

Dhe me një lehtësi të hatashme, SPAK shkon e bën sahatin zviceran me Ardian Dvoranin, që sot e gjithë ditën jeton në një apartament të para viteve 90, ndërkohë që ata që i kanë të rreshtuara vilat, “njërën ma fali vjehrra”, “njërën ma fali baxhanaku”, “njërën ma fali një kushëriri i vjehrrës”, “njërën ma fali babai i gruas që para se të vdiste më tha Aman” që shtëpinë time dhe tokat e mia do ia lini këtij dhëndrri”, posaçërisht këtij, kishte 7 dhëndurrë po këtë gjeti, sepse ky ishte më i ndershmi. Këta janë të gjithë, sot e gjithë ditën duke pritur finale e Champions League për të shkuar në Paris, siç kanë shkuar në të kaluarën dhe siç ju kanë dalë rrugës se kush ua ka paguar udhëtimet, prapë atje te Champions League, për të mos folur për këtë “non gratën’ e madhe  që e kemi mu në mes të sheshit. 

Për këtë non gratën e madhe bashkë me shpurën e tij që na treguakan se nuk ulen të negociojnë më ne për presidentin po nuk ua dhamë atyre presidencën. Këtu është siç thoshte një plakë rome që unë e doja shumë kur isha i vogël: “të kesh dy, një ta mbash e një ta çash’’ thoshte, se një nuk mjafton, ndërkohë që e para,  çështja e non gratës së madhe, nuk është një çështje e Amerikës, është një çështje e Shqipërisë, nuk është një problem i Amerikës, është një problem i Shqipërisë, nuk është një hall i Departamentit të Shtetit, është një hall i popullit shqiptar dhe sfida në fakt në thelb nuk është një sfidë që non grata e madhe me ata të verbrit që e ndjekin pas ia bëjnë Amerikës, jo. Kush e sheh kështu gabon! Është një sfidë që ia bëjnë drejtësisë! Është një sfidë që i bëjnë sensit të së drejtës në këtë vend dhe sado të mundohemi ne dhe sado hetime, denoncime, gjykime, dënime të jepen në këtë vend për këdo qoftë, nëse në këtë vend non grata e madhe, ai i dyti atje që është i pari në fakt me të cilin SPAK-u funksiono si sahat zviceran për të kapur Ardian Dvoranin, gjykatësit dhe prokurorët që e bënë baltë dhe gjak, e bënë balt dhe gjak të pafajshëm sistemin e drejtësisë në 30 vjet, nuk shkojnë përpara drejtësisë, ky nuk është problem i shteteve të Bashkuara miqtë e mi. Ky është një problem i madh i Shqipërisë të së nesërmes e po u them sot, ju e dini besoj por atyre që nuk e dinë, që sapo të ulemi në tryezën e negociatave, kjo do të jetë kënga e re që do të fillojë.

Prandaj e përsëris sot edhe një herë atë që thashë në Kongres, e ia përsëris SPAK-ut. Keni për të hetuar për këdo qoftë që i përket kësaj bashkësie politike, bujrum hetoni. Keni për të çuar përpara gjykatës këdo qoftë që i përket niveleve më të larta të kësaj bashkësie politike, bujrum çojini, por realisht po yni në kohën shtesë të ndeshjes me të keqen në këtë vend dhe deri tani e keqja kualifikohet dhe ju s’kualifikoheni deri tani. E kualifikimi i të keqes nuk është çështja se dikush apo disa do t’ia hedhin pa u lagur, kualifikimi i të keqes është se e keqja do ta vëri përfund përsëri këtë vend, siç e kishte vënë përfund përpara se të krijoheshit ju, SPAK-u, apo përpara se të krijohej Gjykata e Krimeve të korrupsionit e çfarë ka tjetër atje apo përpara se të krijoheshin institucionet e reja të drejtësisë.

E pra, këtë vënie të re përfund, partia socialiste nuk do lërë dy gurë bashkë që të mos e lejojë. E kam thënë në Kongres dhe po e përsëris sot. Ne kemi mbajtur një qëndrim të paimagjinueshëm deri përpara se të angazhoheshim me reformën në drejtësi, në të gjitha arkivat, qofshin arkiva publike, qofshin arkiva të partisë socialiste të atyre që kanë mbajtur shënime nga mbledhjet e mbyllura të grupit parlamentar apo nga mbledhjet e mbyllura të qeverisë, nuk gjendet një diskutim ku të jetë vënë në dyshim qëndrimi ynë në raport me këdo qoftë për të cilin drejtësia ka llogari për të bërë dhe as gëk, as mëk, sa herë që është dashur të merret përpara drejtësisë cilido qoftë prej nesh.

Ashtu sikundër jemi vetëpërmbajtur deri ku tani nuk mban më përballë kësaj talljeje të madhe, se kjo është tallje, shumë tallje e madhe, e meqë këtu jo unë apo ne por partnerët tanë na futën peshkun si simbol, duke folur për peshq që do kapen, peshq që do hahen, peshq që do skuqen, peshq që do futen në tavë, është realisht tallje e madhe që SPAK-u deri tani përdor vetëm një lloj grepi dhe vetëm për një lloj peshku, madje pa e pasur problem fare që të gjuajë dhe cironka me dinamit, por nuk duket se nuk ka vullnet që ta përdori dinamitin për peshkaqenët që i bëjnë leksione Amerikës, i bëjnë leksione Europës, i bëjnë leksione Shqipërisë, i bëjnë leksione Partisë Socialiste, i bëjnë leksione popullit, dhe zgjohen dhe ngrysen duke nxjerrë llum nga goja.

Për ta mbyllur këtë pjesë e për të kaluar tek e fundit, durimi ynë po soset, i imi po njëherë. I juaji ka kohë që është sosur por e di që ma vini fajin mua. Kjo do të thotë që SPAK-u dhe të gjithë ata që janë të interesuar që të bëjnë drejtësi në këtë vend, duhet të kujtohen që ne nuk e kemi humbur gojën,  e kemi në vend. Fakti që nuk kemi folur por përkundrazi e kemi përdorur gjuhën vetëm për të mbështetur cdo veprim, madje edhe kur u bë veprimi i turpshëm i asaj arkës së peshkut ne shtrënguam dhëmbët dhe bëmë një përshëndetje, ndërkohë që këtë turpin tjetër të Ardian Dvoranit, nuk e kemi thënë ndonjëherë, ja po e them unë këtu, por ka dhe turpe të tjera, të mëdha shumë. Kështu që thirrja ime në emër të të gjithëve ju dhe të të kësaj partie që nuk është një thirrje partiake, nuk është një thirrje politike por është thirrja e forcës që e ka udhëhequr dhe që e garanton reformën në drejtësi dhe sot e gjithë ditën e që do vazhdojë ta garantojë reformën në drejtësi deri në fund, e që në asnjë moment, për asnjë arsye, nuk do i bëhet mburojë askujt të kësaj bashkësie që duhet të shkojë të përballet me drejtësinë, është zonja e zotërinj të SPAK-ut, zgjohuni e dilni në mbrojtje Shqipërisë. Nëse Shqipëria sot është e turpëruar përpara një non gratë, një të vdekuri që i bën karshillëk këtij populli dhe tër dynjasë, këtë turp ka vetëm një që duhet ta mbajë, SPAK-u. Askush tjetër!

Kush e ka lexuar mandatën e sekretarit të shtetit, e ka shumë të qartë që ju takon institucioneve të drejtësisë në Shqipëri të bëjnë detyrën e tyre bazuar në atë përfundim të nxjerrë nga departamenti i Shtetit dhe kjo nuk është për Amerikën, po e përsëris. Revolta ime dhe e jona nuk është se po na ofendohet Amerika apo se po fyhet Amerika për ta thënë me të njëjtën fjalë, jo, fare! Është se po sfidohet drejtësia dhe se po delegjitimohet SPAk-u dhe i gjithë sistemi i ri i drejtësisë që ka ngatërruar detyrat e kontrollit të lartë të shtetit me detyrat e prokurorisë speciale. Që ka ngatërruar detyrat e drejtësisë penale me përgjegjësitë administrative. Që ka ngatërruar nevojën për drejtësi me shkeljen e lirive e të drejtave të njerëzve dhe kam dhe shumë të tjera por po ndalem këtu për të kaluar tek e fundit, tek zgjedhja e presidentit. Është gjëja që kemi përpara në javët që vijnë dhe dua ta shfrytëzoj këtë rast edhe për të thënë për ata që me sa shoh e shohim janë përfshirë në këtë proces si pjesë e palëve të tjera të parlamentit që ne nuk e kemi ende një emër se po ta kishim do ta kishim bërë me dije dhe do shkonim në tryezë me një emër për të dëgjuar emra të tjerë e për të dalë në një konkluzion.

Kam dëgjuar që thonë jo do bëjmë një letër, jo do vendosim kritere, jo të mos na përdorin, unë nuk e di çfarë duan të thonë të gjitha këto. Unë di që ne kemi qenë në dy procese. Për zgjedhjen e presidentit kur ishim në opozitë. Një proces kur ata nuk i kishin votat dhe pastaj i bënë në fund dhe një proces kur ata i kishin votat, proces që nxorri në fund president presidentit më partiak, Bujar Nishanin dhe ne nuk ishim naiv që të mendonim se duke shkuar ne atje në tryezë, do merrnim president por ne bëmë detyrën tonë. Nuk vumë as nga këto barrierat jo të bëjmë letra, jo të përcaktojmë kritere se në fund të ditës mund të përcaktosh çfarë kriteresh të duash, do dalësh te emri.

Emri është problemi, se hajde po bëjmë kritere. Unë kriterin e parë, për shembull do vendosja “Të ketë lindur në Hënë, të jetë rritur në Hënë dhe të vijë me dëshmi penaliteti të pastër nga Hëna”. Ky do ishte perfekt por nuk e ke. 

Kështu që, thirrja ime për të gjithë ata që janë përfshirë në anën tjetër është “Të mos humbasim kohë me këto. Ne jemi në këtë process, jo për të larë gojën, se nuk kemi ne gojë për të larë, goja jonë është e larë”. Gojë për të larë kanë ata që jashtë nxjerrin nga mëngjesi deri në darkë...

As nuk jemi në këtë proces për të bërë sikur po kërkojmë konsensus. Ne nuk na duhet konsensus, në fakt. Në na duhet një President, i cili të nderojë Shqipërinë, i  cili të normalizojë institucionin, i cili të mos na turpërojë kur del në televizion apo kur flet për Malin me Gropa. Nuk jemi në kërkim të konsesusit, por jemi në kërkim të një Presidenti apo Presidenteje që t’i plotësojë disa kushte dhe që të rrezatojë përtej nesh.

Ndaj e kemi thënë dhe e përsëris që, figurat politike të Partisë Socialiste, që padiskutim për ne do ishin më të mirat e mundshme, nuk janë pjesë e kësaj, nuk mund të jenë dot pjesë e kësaj. Nuk mund të jenë as baballarë apo nëna të kombit. 

Ndërkohë që, nëse ata do të sjellin një propozim bindës, ne menjëherë do ta pranojmë pa asnjë problem. Por natyrisht, nuk mund të jetë figurë politike që vjen nga rrugët e qametit. 

Dhe ndërkohë, paralelisht, duhet të zgjedhim Avokatin e Popullit, kështu që u takon atyre të na sjellin propozimet për Avokatin e Popullit apo Avokaten e Popullit, opozitës; kur them opozitës të jem shumë i qartë që e përjashtoj kategorisht si të klasifikueshëm brenda kornizës së opozitës non-gratan e madhe dhe shpurën e tij. 

Partia Socialiste nuk do të njohë në asnjë rast dhe për asnjë arsye asnjë vendim apo kërkesë që buron nga ai drejtim. Ai është drejtim me të cilin politika e Partisë Socialiste dhe politika e Shqipërisë nuk duhet të ketë asnjë lidhje, por ne, përsa na takon, as nuk kemi dhe as nuk do të kemi asnjë lidhje. Të hidhen përpjetë, të zbresin, të rihidhen përpjetë dhe të rizbresin, ne nuk do njohim asgjë që do burojë nga asnjë lloj pretendimi, vendimmarrje, kërkese të atij burimi të së keqes së madhe të vendit tonë.

Jo për Presidentin, por as për rojen e cilësdo godinë në këtë vend jo e jo, por as për një hu gardhi për ta vënë në fund të Lanës, nuk marrim opinion nga ai burim.

Me shumë keqardhje për të gjithë ata që verbërisht e e ushqejnë atë burim, që verbërisht i shkojnë mbrapa asaj shpurje, që verbërisht sot i kthejnë kurrizin të ardhmes dhe u kthejnë kurrizin fëmijëve të tyre. 

E kam thënë dhe e përsëris; ajo non-grata nuk është në qafën e Amerikës, është në qafën e Shqipërisë, gur në qafën e Shqipërisë dhe ata që i shkojnë mbrapa asaj shpurjeje, thjesht tërheqin gurin për teposhtë por ne nuk do t’i lejojmë.

Shqipëria do vazhdojë të ngjitet lart, kjo nuk ka diskutim sepse ka kohë që historia është parashkruar, në raport me atë të keqe, të cilën ne e shporrëm në vitin 2013 dhe e cila nuk ka shans të rikthehet më.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm